ATV

Author: ATVLive

  • ​Futbollisti 27 vjeçar vdes pas arrestit kardiak

    ​Futbollisti 27 vjeçar vdes pas arrestit kardiak

    Një futbollist uruguaian ka vdekur në moshën 27-vjeçare, pesë ditë pasi u rrëzua në fushë gjatë një ndeshjeje në Brazil. Juan Izquierdo ishte duke luajtur në një ndeshje të Copa Libertadores në Sao Paulo kur ai pësoi arrest kardiak të enjten.

    Klubi i tij Nacional njoftoi vdekjen e tij në platformën ‘X’, duke thënë se ata ishin “në pikëllim për humbjen e tij të pazëvendësueshme”.

    “Është dhimbje dhe tronditje e thellë në zemrat tona që Club Nacional de Football njofton vdekjen e lojtarit tonë të dashur Juan Izquierdo”, thuhet në njoftimin e klubit, përcjellë KosovaPress.

    Mbrojtësi vdiq të martën në spitalin Albert Einstein të Sao Paulos, i cili tha se ai kishte pësuar “arrest kardiorespirator të lidhur me aritminë e tij kardiake”. Mjekët thanë të hënën se Izquierdo ishte nën kujdesin kritik neurologjik dhe në një ventilator, pas një deklarate të mëparshme se ai kishte treguar “një progresion të dëmtimit të trurit të tij dhe një rritje të presionit intrakranial”.

    Izquierdo ishte në periudhën e tij të dytë me Nacional pasi i ndihmoi ata të fitonin titullin e ligës së parë në më shumë se një shekull në vitin 2023.

    Alejandro Dominguez, president i organit qeverisës të futbollit të Amerikës së Jugut CONMEBOL, tha se komuniteti i futbollit në kontinent ishte në zi.

    Mediat uruguaiane thanë se ai la gruan dhe vajzën dyvjeçare.

  • ​Arrestohet pejani, Policia i gjeti në veturë armë e fishekë

    ​Arrestohet pejani, Policia i gjeti në veturë armë e fishekë

    Policia e Pejës ka arrestuar një person i cili dyshohet për veprën penale “ Mbajtje nё pronёsi, kontroll ose posedim tё paautorizuar tё armёve”.

    Policia, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, Stacioni Policor Pejё, me datë 27.08.2024, rreth orёs 23:20, patrulla Policore gjatё kontrollit rutinё nё fshatin Baran-Pejё, kanё ndaluar tё dyshuarin i cili ishte duke ngasur automjetin me targa vendore, gjatё kontrollit tek i dyshuari janё gjetur dhe sekuestruar: Njё (1) Armё pistoletё ADAM cal:9mm, njё (1) karikator i sё njejtёs armё dhe dhjetё fishekё cal:9mm”, thuhet në njoftim.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari pas intervistimit nga Hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit dёrgohet nё mbajtje pёr 48 orё.

  • Spanja në alarm për virusin e Nilit, rritet numri i viktimave

    Spanja në alarm për virusin e Nilit, rritet numri i viktimave

    Shqetësimet po shtohen në Spanjë për përhapjen e virusit të Nilit Perëndimor pas dy vdekjeve të tjera në Sevilje, duke e rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga virusi në rajon në pesë këtë verë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë 10 persona të tjerë vlerësohet të jenë të infektuar.

    Mushkonjat infektive janë gjetur në qytete pranë lumit Guadalquivir, duke përfshirë Coria del Río. Në fillim të këtij muaji, banorët e qytetit protestuan, duke i kërkuar qeverisë të marrë masa më efektive për të ndaluar infeksionin.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 80% e të infektuarve mbeten asimptomatikë dhe është e rrallë që sëmundja të përparojë në një formë më të rëndë. Organizata thotë se individët mbi 50 vjeç dhe ata me sistem imunitar të dobësuar janë në rrezik më të lartë.

    Virusi është më i zakonshëm te zogjtë, por njerëzit dhe kafshët mund të infektohen edhe nga pickimi i mushkonjave.

    Ekspertët rekomandojnë që banorët e zonave të prekura të mbrohen nga pickimi i mushkonjave duke përdorur ilaçe kundër insekteve, duke veshur këmisha dhe pantallona me mëngë të gjata dhe duke qëndruar në ambiente të mbyllura gjatë muzgut dhe agimit kur aktiviteti i mushkonjave është më i lartë. /A2 CNN

  • ​Synohet ndërtimi i infrastrukturës dhe krijimi i klubeve të futbollit në komunat veriore

    ​Synohet ndërtimi i infrastrukturës dhe krijimi i klubeve të futbollit në komunat veriore

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me bashkëpunëtorë ka qëndruar dje në Mitrovicë dhe në komunat e veriut. Fillimisht, kreu i FFK-së takoi nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, për të diskutuar ndarjen e parcelës për fushën stërvitore të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Mitrovicës, e cila do t’u shërbejë të gjitha shkollave dhe klubeve që nuk i kanë fushat e tyre. Presidenti Ademi gjithashtu shprehu interesim për parcelën e ndarë nga Kuvendi Komunal për fushën e KF Trepça.

    Pas Mitrovicës së Jugut, Ademi vazhdoi në Leposaviq, ku vizitoi Kompleksin Sportiv që është në ndërtim e sipër dhe nën mbikëqyrjen e përhershme të FFK-së. Po ashtu, ai qëndroi edhe në stadiumin e Leshakut, i cili do të jetë nën patronatin e FFK-së. Të dy këto komplekse, përveç stadiumeve kryesore, kanë edhe fusha stërvitore që do të shërbejnë për komunitetin lokal, por do të jenë nën patronatin e institucioneve të Kosovës.

    Me këtë rast, i pari i FFK-së ftoi të rinjtë dhe dashamirët e futbollit në këtë pjesë të territorit të Republikës të krijojnë klube dhe shkolla futbolli, duke u siguruar që fëmijët e të gjitha komuniteteve të kenë kushte të barabarta për të zhvilluar talentin e tyre, ashtu si në të gjithë Kosovën.

    Kreu i FFK-së theksoi se në bashkëpunim me MKRS-në dhe komunat përkatëse do të vazhdojnë projektin e ndërtimit të fushave në çdo cep të vendit, aty ku ka mbi 50 fëmijë që luajnë futboll apo krijohet një klub futbolli.

  • Qeveria e Kosovës mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Qeveria e Kosovës mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje nga ora 10:00. Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrisë, janë bërë të ditur se në rend dite do të jenë 11 pika, raporton Ekonomia Online.

    1. Shqyrtimi i Propozim-vendimit me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës jep mendim lidhur me Nismën legjislative për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete” (ZKM)

    2. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për aprovimin e Manualit për Konsolidimin e Akteve Juridike në Republikën e Kosovës (ZKM)

    3. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për dhënien në shfrytëzim të pesë (5) ngastrave kadastrale në Graqanicë, me qëllim të ndërtimit të Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë” (MMPHI)

    4. Shqyrtimi i Kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për transfer të mjeteve buxhetore deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht për vitin 2024, për kryerjen e obligimeve për shpronësimin e pronave (MFPT)

    5. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e Autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Qeverinë e Mbretërisë së Suedisë (MD)

    6. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e Autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ekstradim me Qeverinë e Mbretërisë së Suedisë (MD)

    7. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e Autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Transferimin e Personave të Dënuar me Qeverinë e Mbretërisë së Suedisë (MD)

    8. Shqyrtimi i Nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe KfW, Frankfurt am Main dhe Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) për projektin “Programi i Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta II Masat Përcjellëse – Mbështetje për KMDK” (MPPT)

  • Pritjet deri në një orë në Merdarë

    Pritjet deri në një orë në Merdarë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar që pritjet në pikën kufitare të Merdarës mund të zgjasin 50 minuta deri në një orë.

    Edhe te Dheu i Bardhë ka pritje për gjysmë ore deri në 40 minuta.

    Ndërkaq, në pikat tjera kufitare dalja është në kohë.

  • Ndryshimi i udhëheqësve, zgjerimi i BE-së e dialogu Kosovë-Serbi – vjeshtë e ngjeshur në Bruksel

    Ndryshimi i udhëheqësve, zgjerimi i BE-së e dialogu Kosovë-Serbi – vjeshtë e ngjeshur në Bruksel

    Vjeshta në Bruksel zakonisht nis furishëm në mes të shtatorit, kur presidentja e Komisionit Evropian mban fjalimin vjetor të Bashkimit Evropian para Parlamentit Evropian. Përmes këtij fjalimi, që zakonisht zgjat rreth një orë, shpalosen prioritetet politike të krahut ekzekutiv të BE-së që do të nisin apo do të përmbyllen në muajt në vijim.

    Por, kjo vjeshtë nuk do të jetë e zakonshme në Bruksel, pasi BE-ja është në proces të ndryshimit të udhëheqësve. Në qershor, udhëheqësit e BE-së vendosën që ish-kryeministri portugez, Antonio Costa, do të zëvendësojë Charles Michel në postin e presidentit të Këshillit Evropian më 1 dhjetor. Javë më vonë, PE-ja miratoi vendimin e udhëheqësve të BE-së për t’i dhënë gjermanes, Ursula von der Leyen, edhe një mandat pesëvjeçar në krye të KE-së. Por, në vend të mbajtjes së një fjalimi tjetër vjetor në shtator, von der Leyen do të jetë e zënë duke formuar ekipin e saj të ri me 26 komisionarë, një nga secili shtet tjetër anëtar i BE-së. Disa kryeqytete veçse kanë paraqitur kandidatët e tyre për komisionarë para afatit të 30 gushtit. Pasi von der Leyen t’i intervistojë të gjithë kandidatët, ajo do të caktojë në portofolio politikash për secilin.

    Kallasi dhe Varhelyi

    Deri më tani, dihet vetëm një emër dhe një portofolio: Përveç emërimit në qershor të Costas dhe von der Leyenit, udhëheqësit e BE-së po ashtu kanë vendosur që kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, të jetë pasardhëse e spanjollit Josep Borrell, në postin e shefes së re të politikës së jashtme. Megjithatë, kjo nuk është punë e kryer. Sikurse 25 kandidatët e tjerë për komisionarë, Kallasi po ashtu do të përballet me seanca dëgjimore para komiteteve të rëndësishme të PE-së. Në rastin e Kallasit, komiteti më i rëndësishëm është ai për Punë të Jashtme, anëtarët e së cilit do të marrin në

    Diplomatët në BE i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se seanca dëgjimore me Kallasin është caktuar më 29 shtator. Në fakt, cikli i lajmeve në Bruksel në pjesën e dytë të shtator dhe në fillim të tetorit do të dominohet nga këto seanca dëgjimore. Ato i ofrojnë PE-së mundësinë për të treguar muskujt duke refuzuar një sërë kandidatësh për komisionarë, që besohet se nuk performojnë mirë gjatë përgjigjeve gjatë seancave dëgjimore. (Herën e fundit, më 2019, deputetët evropianë refuzuan tre kandidatë, dhe më pas ishte në duart e shteteve “sponsorizuese” që të propozonin shpejt emra të rinj për seanca të reja dëgjimore).

    Një prej kandidatëve për komisionar që do të përballet me eurodeputetët sigurisht që do të jetë politikani hungarez, Oliver Varhelyi. Ai është nominuar nga Budapesti për një mandat të ri pesëvjeçar si komisionar për zgjerim. I akuzuar nga shumë diplomatë se vendosë interesat e Budapestit para të Brukselit – Varhelyi ka qëndrim të butë ndaj Serbisë dhe Gjeorgjisë, por jo dhe aq ndaj Ukrainës – ai u përfshi në një skandal pasi duke mos e ditur se e kishte ende të ndezur mikrofonin, gjatë një seance plenare ai i quajti eurodeputetët “idiotë”.

    Përderisa Varheyit ka pak të ngjarë që t’i ofrohet sërish që të udhëheqë zgjerimin, megjithatë atë e pret punë e vështirë që të bindë ligjvënësit se është personi i duhur për të udhëhequr ndonjë portofolio që do të mund t’i besohet nga von der Leyen. Në disa qarqe ka shpresë se çdo komisionar dhe Komisioni i ri Evropian në tërësi të miratohet në Parlamentin Evropian në mënyrë që të nisë punën më 1 dhjetor. Por, nuk përjashtohet mundësia që kjo çështje të zvarritet përtej kësaj date.

    Dialogu Kosovë-Serbi

    Asnjë nga zyrtarët evropianë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë nuk pret që të ketë rrezik real për miratimin e Kallasit. Por, do të jetë interesant të dihet se çfarë ajo dhe komisionari i ri i zgjerimit do të thonë për Ukrainë, Rusinë dhe Ballkanin Perëndimor dhe për mundësinë që të shtohen anëtarë të rinj në bllok. Nuk pritet ndonjë ndryshim radikal në këtë drejtim. Politika e BE-së është e vendosur për mbështetje të plotë për Ukrainën dhe përpjekja e ripërtërirë për zgjerimin e serishëm të bllokut është reformuar dhe shtetet kandidate po plotësojnë të gjitha parakushtet. Por, mënyra se si do të përcillen këto mesazhe është thelbësore.

    Kallasi ka reputacionin se është “kritike e Rusisë”, ndoshta shefja e parë e diplomacisë së BE-së që ka një qëndrim të tillë të fortë karshi Moskës. Duhet të theksohet se i gjithë blloku ka lëvizur më afër qëndrimit të shteteve të Baltikut ndaj Moskës që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës dy vjet e gjysmë më parë, por kishte dyshime kur emri i saj u përmend për këtë post, pasi ajo kishte qenë shumë kritike për të qenë kryediplomate e BE-së.

    Prandaj, pritet që ajo të zbusë pak tonin kur të takohet me eurodeputetët dhe pritet që ajo të flasë edhe për tema të tjera, e jo vetëm për Rusinë dhe Ukrainën. Në fakt, nuk do të ishte befasi nëse ajo do të fliste në mënyrë të barabartë edhe për luftën në Gazë, për raportet me shtetet në jug të Mesdheut dhe për nevojën për raporte më të forta me fuqi të tjera nga “Jugu Global”, përfshirë Brazilin dhe Indinë. Po ashtu, nuk mund të përjashtohet mundësia që udhëtimi i parë i saj jashtë vendit, pasi të marrë postin e ri të jetë në shtetet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë BE-në, në vend se në Ukrainë. Një zgjedhje e tillë, thjesht mund të jetë për të vënë në pah rëndësinë e këtyre shteteve.

    Diplomatët po ashtu i kanë thënë REL-it se presin që ajo të jetë gati të merret me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi aktual i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, më 2020 i kërkoi ish-ministrit të Jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak, të shërbente si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogut. Por, ky proces ka prodhuar pak përparim real dhe duket se posti që aktualisht mban Lajçaku mund të hiqet plotësisht kur Kallas të bëhet kryediplomatja e re e bllokut.

    Zgjerimi i BE-së?

    Po ashtu do të jetë interesante të shihet se kë do të zgjedhë von der Leyen në postin e komisionarit për Zgjerim. Me zgjerimin e BE-së që sërish është temë e nxehtë – me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, që janë shtetet e fundit që janë ftuar së fundi t’i bashkohen bllokut dhe dy të fundit vlerësohet se kanë bërë përparim real – më shumë shtete të BE-së janë të interesuara që ta marrin këtë dikaster, për dallim nga viti 2019 kur vetëm Budapesti kishte kërkuar këtë post. Pasi që Estonia, që cilësohet si shtet anëtar “lindor” në Bruksel, mori postin e politikës së jashtme do të ishte befasi nëse ndonjë “lindor” tjetër do të merrte udhëheqjen e zgjerimit. Me gjasë, von der Leyen do të shikojnë që në këtë post të vendosë dikë nga jugu apo perëndimi, në mënyrë që të ketë balancë gjeografike dhe të shmangë akuzat se fokusi i vetëm i bllokut është tek Ukraina. Gjëja që duhet vëzhguar sa i përket komisionarit për zgjerim, sigurisht, është se a do të ketë ndonjë referencë kohore se kur mund të ndodhë zgjerimi i ardhshëm i BE-së.

    Është pothuajse e pamundur të dihet se kur një shtet mund t’i bashkohet bllokut, por përpjekja e fundit e nivelit të lartë për të promovuar një kornizë kohore u paraqit nga presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili vitin e kaluar sfidoi BE-në që të bëhej gati për zgjerim deri më 2030. Kjo çështje nuk është në dorën e tij dhe gjithsesi ai shpejt do të largohet nga ky post. Por, e vërteta është se edhe kjo datë duket ambicioze, pasi asnjë vend kandidat nuk duket se është afër anëtarësimit. Por, çështja gjatë seancave dëgjimore, edhe në vitet në vijim me gjasë do të përqendrohet te reformat që vetë BE-ja duhet të bëjë në mënyrë që të pranojë anëtarë të rinj.

    Diskutimet veçse kanë nisur, por nëse Brukseli është serioz, këto ndryshime duhet të bëhen shpejt. A do të rritet buxheti i BE-së? (Shtetet aktuale kandidate të gjitha janë më të varfra sesa mesatarja në BE). Dhe, çfarë reformash politike janë të nevojshme që BE-ja të mund të shkojë nga 27 anëtarë në mbi 30 anëtarë në vitet në vijim? Më pak mundësi vetoje për kryeqytetet e shteteve anëtare është një refren i zakonshëm, por të arrihet që askush të mos vendosë veto ndaj një vendimi të tillë pikë së pari është një sfidë e madhe. Gjatë kësaj vjeshte kjo nuk do të thuhet, por ka frikë të vazhdueshme se vetë BE-ja nuk është gati të pranojë anëtarë të rinj.

    Raporte pozitive për disa shtete të Ballkanit Perëndimor?

    Ndaras, përbërja në largim e Komisionit Evropian me gjasë do të publikojë raportin e tij vjetor të zgjerimit duke vënë në pah progresin, apo mungesën e tij, për shtetet që aspirojnë anëtarësimin. Raporti pritet të jetë pozitiv për Moldavinë dh Ukrainën, por nuk pritet që këto shtete të hapin kapituj të anëtarësimit në BE gjatë këtij viti. Procesi i vlerësimit – përmes së cilit BE-ja shqyrton legjislacionin kombëtar dhe vlerëson nëse ai është në përputhje me rregullat dhe ligjet e BE-së në fusha të ndryshme – duhet të përfundojë deri në gjysmën e parë të vitit 2025. Vetëm atëherë, negociatat mund të fillojnë me seriozitet.

    Për Gjeorgjinë, që viteve të fundit gjithnjë e më shumë ka mospajtime me Brukselin, raporti do të jetë më pak i këndshëm: Nuk pritet progres real dhe BE-ja me gjasë do të marrë parasysh se sa të lira dhe të drejta do të jenë zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit para se të vendosë për ndonjë veprim të mëtejmë. BE-ja ka pezulluar takimet e nivelit të lartë dhe ndihmën ushtarake për Gjeorgjinë për shkak të miratimit të Ligjit për “agjentët të huaj”. Po ashtu, mund të ketë edhe sanksione të tjera nëse situata përkeqësohet edhe më shumë.

    Në anën tjetër, progres i vërtetë drejt BE-së mund të pritet që të ketë në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim nuk duhet të përjashtohet mundësia që Mali i Zi të mbyllë disa kapituj negociues, diçka që nuk ka arritur të bëjë që nga viti 2017. Kjo do të sinjalizonte se Podgorica, pas vitesh bllokade në rrugën e anëtarësimit në BE, edhe një herë do të vazhdojë këtë proces, të paktën ngadalë. Mali i Zi vazhdon të jetë shteti që ka avancuar më së shumti drejt anëtarësimit, pasi ka hapur të 33 kapitujt dhe disa prej tyre më në fund kanë nisur të mbyllen.

    Po ashtu ka pritje që Shqipëria do të nisë këtë vjeshtë bisedimet de facto të anëtarësimit, duke u shkëputur përfundimisht nga Maqedonia e Veriut, teksa Shkupi ende nuk ka ndryshuar Kushtetutën për të plotësuar kushtet e vendosura nga Bullgaria. Pak presin që Maqedonia e Veriut të arrijë këtë gjë gjatë këtij viti. Ndërkaq, edhe pse disa shtete po kërkojnë që Serbia të hap kapituj të anëtarësimit, kjo mund të mos përkrahet nga shumë shtete që janë tronditur nga raportet e ngushta mes Beogradit dhe Moskës.

  • Izraeli nis një operacion të madh në Bregun Perëndimor, të paktën 11 të vrarë

    Izraeli nis një operacion të madh në Bregun Perëndimor, të paktën 11 të vrarë

    Të paktën 11 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, thonë zyrtarët palestinezë shëndetësorë, citon BBC.

    Pesë prej tyre u vranë në një sulm ajror në kampin e refugjatëve al-Far’a dhe gjashtë në një sulm me dron dhe përleshje të armatosura në Jenin.

    Forcat izraelite të sigurisë thanë se po kryenin “një operacion kundër terrorizmit” në Jenin dhe Tulkarm. Ky duket të jetë një operacion i madh izraelit, me të paktën katër qytete palestineze të shenjëstruar në të njëjtën kohë – Jenin, Tulkarm, Nablus dhe Tubas.

    Sipas raportimeve, rrugët kryesore për në Jenin janë mbyllur me përleshje të armatosura në kampin e refugjatëve të qytetit.

    Raportohet gjithashtu se forcat izraelite kanë hyrë në një spital në Jenin dhe kanë bllokuar dy në Tulkarm. Forcat ushtarake janë përqendruar edhe në dy kampe refugjatësh atje, sipas BBC.

    Në kampin Far’a pranë Tubas, mjekët thonë se ambulancat po përpiqen të arrijnë të plagosurit pas një sulmi me dron izraelit.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Orëve të para të ditës do të ketë më shumë kthjellime e intervale me diell, derisa pasdite më pas me zhvillime të vranësirave, paraqiten kushte për rrebeshe shiu dhe bubullima.

    Vende-vende rrebeshet mund të jenë më të theksuara, e nuk përjashtohen mundësitë të shoqërohen me breshër, njofton Prishtina Weather.

    Temperaturat maksimale ditën e mërkurë do të jenë nga 29C e 31 gradë C, e të enjten në 27C e 28 gradë C. Minimalet gjatë kësaj periudhe luhaten ndërmjet 14C e 17gradë C. Do të fryjë erë veriore-verilindore e lehtë dhe mesatare 4-10m/s.

    Në fundjavë paraqiten kushte për më shumë kthjellime e diell, ndërsa temperaturat shënojnë rritje deri në 30C e 32 gradë C.

  • AKB mirëpret ndryshimin e Ligjit për pagën minimale dhe shkallën tatimore në të ardhurat personale vjetore

    AKB mirëpret ndryshimin e Ligjit për pagën minimale dhe shkallën tatimore në të ardhurat personale vjetore

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), e vlerëson të drejtë ndryshimin e Ligjit për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

    Me këtë rast, AKB-ja i ka ftuar bizneset kosovare që të vetëdijesohen dhe t’i formalizojnë të punësuarit, në të kundërtën do t’i përjashtojnë nga anëtarësia e AKB-së.

    Njoftimi i plotë:

    ATK lufton informalitet për mes ndryshimit të tatimit në të ardhura personal në Kosovë

    AKB e vlersonë të mire ligji e ATK-ës me ndryshimi e tatimit në të ardhura personal që synon të luftoj informaliteti në punsim në Kosovë I cili është I lartë.

    Nga Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 05/L -028 për Tatimin në të Ardhurat Personale me Neni 6 i Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale kjo do të krijon humbje bugjeti te kosoves por vetem formalizuar I punsimit e plotëson ketë ndryshim ne te hyra.

    Agim Shahini Kryetar I AKB-ës I ftonë bizneset e Kosovës të vetëdisohen dhe të i formalizojnë të punësuarve pas që kjo I prek një kategori të madh në të gjithë sektorët e punësimit në vend.

    Ato biznese që nga 1 shtatori 2024 mbaj të punësuar pa kontratë pune nuk do I mbrojmë interesat e tyre dhe do I prijashtojme nga antarsia e AKB-ës tha bordi I AKB-ës.