ATV

Author: ATVLive

  • ​Bujqit ankohen për vonesën në subvencione, Peci jep detaje

    ​Bujqit ankohen për vonesën në subvencione, Peci jep detaje

    Bujqit i kanë korrë e vjelë shumicën e prodhimeve bujqësore për këtë vit, por disa prej tyre ende nuk i kanë marrë subvencionet për mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë. Disa fermerë ankohen se vonesa e subvencioneve po ua vështirëson punën në bujqësi.

    Ata shprehen se përkrahja nga shteti është e vonuar për këtë vit. Të njëjtit kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të fillojnë sa më shpejtë procedurat për ekzekutimin e pagesave, derisa ka të tillë të cilët thonë se ende nuk janë vizituar fare nga komisioni për të verifikuar sipërfaqet e mbjella.

    Në anën tjetër, edhe nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës kanë thënë se një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje për t’iu dalë subvencionet. Ndërsa, për këtë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci zotohet se mjetet do të ekzekutohen deri në fund të vitit fiskal.

    Derisa vlerësojnë se subvencionet duhet të rriten në disa kultura bujqësore, fermerët kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të bëjë një analizë rreth kësaj rritje.

    Fermeri Sali Abazi, i cili merret me blegtori e bujqësi për rreth 22 vite, ankohet për vonesën e subvencioneve. Ai thotë se këtë vit ka raste që ende nuk kanë dalë nga komisioni të bëjnë verifikimin e mbjelljeve të vitit të kaluar.

    “Prej që kanë filluar subvencionet zakonisht ka pasur një ngecje në vonesë, këtë vit ka raste që ende nuk kanë dalë komisioni të bëjnë verifikimin e mbjelljeve të vitit të kaluar të vjeshtës, grurit dhe mbjelljeve vjeshtore, por, as të pranverës të misrit dhe kulturave tjera që mbjellën në pranverë. Ne kemi aplikuar me sa mbaj mend, në mars dhe prill ka qenë afati rreth 45 ditë për të aplikuar, për krerë qumështit që paguhen prej ministrisë rreth 90 euro, edhe për subvencionimin e grurit dhe të misrit. Ne të gjitha kulturat në korrik e kemi fshirë grurin dhe misrin, i kemi livruar të njëjtat parcela, i kemi mbjellë sërish sërish me grurë, megjithatë ende nuk kemi komision për të verifikuar, ose me ndonjë mesazh, që në të kaluarën na ka njoftuar ministria që është pranuar kërkesa jonë për aplikimin e subvencioneve. Ka shkuar pak gjatë, por, shpresojmë që është ndonjë gabim, defekt teknik i tyre, dhe shpresojmë që shpejtë do të vinë t’i verifikojnë ose të paktën të gjejnë mënyrën e pagesave për subvencioneve… Ka pasur edhe më herët ndonjë vonesë, por jo kaq të theksuar, kaq vonë, me sa mbaj mend unë”, thotë Abazi.

    Edhe fermerja Sadete Gecaj, e cila merret me bletari thotë se janë në pritje të subvencioneve për bletarinë organike, pasi siç thotë ajo, për korverciale janë ekzekutuar.

    Ajo thotë se Ministria e Bujqësisë duhet të shoh mundësinë që t’i rris subvencionet për bletarinë organike, pasi thekson se janë të ulëta.

    “Ne merremi me bletari më shumë se 11 vite. Që pesë vite merremi me bletari organike, jemi të certifikuar prej bioinspektes. 25 euro i marrim subvencionet për koshere të bletëve organike, 20 euro i marrim për kovercionale. Për bletari korvercionale janë dalë subvencionet, ndërsa për organike ende jo… janë kryer procedurat dhe jemi në pritje…për bletari organike janë shumë të vogla, sepse e ka koston shumë të lartë”, thotë Gecaj.

    Për këtë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci zotohet se deri në fund të vitit fiskal do të dalin subvencionet. Ai shton se gjithë buxheti, ashtu siç dëshirojnë disa fermerë që brenda gjashtëmujorit të parë t’i marrin subvencionet, objektivisht nuk mund të realizohet.

    “Rrjedhimisht subvencionet që i dedikohen fermerit janë brenda vitit fiskal, a e kemi kaluar vitin fiskal…Mjetet dalin pasi që suksesivisht të realizohen kontrolle dhe rend. Mandej, ka afate kohore, nëse flasim për kulturën e grurit, ata e kanë pas deri në shtator afatin për dorëzimin e sasisë së grurit për kilogram. Kështu, janë proceduar faza e subvencionimit për sipërfaqe për një pjesë të plehërimit dhe të naftës, por nuk është procesuar çështja e kilogramëve të grurit. Mandej, krejt buxheti ashtu siç dëshirojnë disa fermerë që brenda në gjashtëmujorin e parë t’i marrin subvencionet objektivisht, ajo nuk mund të realizohet në aspektin e menaxhimit financiar për shkak se ka cash flow, çdo muaj mbushet buxheti i Kosovës, dhe rrjedhimisht edhe buxheti i ministrive të linjës. Në pjesën e dytë të dhjetorit, atëherë në rast se ka vonesa mund të flasin për vonesa në pagesën e subvencioneve. Deri tash ka një dinamikë, janë mbi 30 milionë euro të procesuara vetëm në kategorinë e subvencioneve. E disa prej fermerëve janë në fazën e realizimit të pagesave, por njëkohësisht edhe në fazën e kontrolleve në terren”, thotë Peci.

    Ministri Peci shton se çdo indikator është pozitiv në sektorin e bujqësisë, pavarësisht sfidave që ka potencuar, një ndër to edhe siç thotë ai “qeverisja e keqe e Avdullah Hotit”.

    “Ne vetëm vitin e kaluar i kemi parandaluar mundësinë e abuzimit të 2.5 milionë euro nga tendenca e disave për të aplikuar me sipërfaqe më të mëdha se që është sipërfaqja aktuale. Kështu, për gjithë fermerët mesazhi im është i qartë, pagesat që do të realizohen janë brenda vitit fiskal dhe kur të përfundon viti fiskal atëherë mund të flasim eventualisht për vonesa ose borxhet e fermerëve. Por, ne jemi qeveria e parë që në vitin 2022 dhe 2023 nuk ju kemi mbet asnjë cent fermerëve për gjithë punën e angazhimeve që kanë pas në kategorinë e subvencioneve, e rrjedhimisht nuk do të ketë as në vitin 2024, ndërsa e kemi gjet ministrinë me 41 milionë euro borxh… Çdo indikator është pozitiv në sektorin e bujqësisë dhe duke përfshirë edhe rritjen e fermerëve, përkundër se qeverisja jonë ka qenë më sfiduesja për shkak se agresioni i Rusisë ka rrit deri në 300 për qind imputet bujqësore, mandej inflacioni i importuar nga Eurozona por edhe pjesët e tjera, mandej kriza energjetike edhe qeverisja e keqe e Avdullah Hotit që na ka lënë 41 milionë euro barrë”, shton Peci.

    Në anën tjetër edhe nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës, thonë se një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje të subvencioneve.

    “Sipas informacioneve nga terreni ne si shoqatë ju informojmë se disa fermerëve kanë filluar t’u ekzekutohen pagesat, ndërsa një numër i caktuar i fermerëve janë në pritje”, thonë në një përgjigje me shkrim nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës. /kp

  • ​Vizita e presidentes së KE-së, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut

    ​Vizita e presidentes së KE-së, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut

    Policia e Kosovës ka njoftuar gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen, së bashku me një delegacion shoqërues, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit nga KE-ja në Kosovë.

    Sipas Policisë, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën, përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, do të bëjnë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

    “Andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • Analiza/ SHBA, përse mund të duhen disa ditë për të mësuar fituesin e zgjedhjeve presidenciale

    Analiza/ SHBA, përse mund të duhen disa ditë për të mësuar fituesin e zgjedhjeve presidenciale

    Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më 5 nëntor, por fituesi i garës, në atë që duket se do të jetë një rezultat i ngushtë, mes demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, mund të mos dihet për disa ditë, pas mbylljes së qendrave të votimit.

    Ndërsa numërohen votat, një kandidat mund të duket se kryeson bazuar në të dhënat e para, por më pas ekziston mundësia që rezultati të ndryshojë me numërimin e votave të tjera.

    Kjo ndodhi në vitin 2020 kur në disa shtete Trump kaloi në epërsi natën e zgjedhjeve, përpara se rezultati të përmbysej nga kandidati demokrat Joe Biden, një fenomen ky që Trump e përdori për pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur.

    Asgjë e paligjshme nuk kishte ndodhur. Demokratët kryesisht jetojnë në zona urbane, më të populluara, ku numërimi i votave zgjat më shumë. Demokratët e shfrytëzojnë më shumë të drejtën e votimit me postë. Republikanët, të paktën deri në zgjedhjet e vitit 2020, votuan më pak me postë, edhe aq për shkak të pretendimeve të rreme të ish Presidentit Trump se fletëvotimet me postë nuk ishin të besueshme. Këto fletë votimi kërkojnë më shumë kohë për t’u numëruar sesa votat që hidhen ditën e zgjedhjeve. Ish Presidenti Trump, këtë herë e ka inkurajuar votimin me postë, ndonëse herë pas here bën kritika për të.

    Ka shtatë shtete të papërcaktuara, që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, secili prej tyre me rregullat e veta për numërimin e votave.

    Ja çfarë duhet të pritet në ditën e zgjedhjeve dhe në ditët në vijim:

    ARIZONA

    Votimi me postë është jashtëzakonisht popullor në Arizona. Në vitin 2020 gati 90% e votuesve i hodhën votat e tyre herët, shumica me postë. Zyrtarët zgjedhorë në Arizona mund të fillojnë përpunimin dhe numërimin e fletëvotimeve me postë menjëherë pas marrjes së tyre, por rezultatet nuk mund të publikohen deri një orë pas mbylljes së qendrave të votimit më 5 nëntor.

    Çdo fletë votimi me postë, që mbërrin ditën e zgjedhjeve, nuk mund të hapet pa u mbyllur më parë qendrat e votimet. Ky është shpesh një numër i madh i votash. Në vitin 2022, gjatë zgjedhjeve për në Kongres, votat me postë, që mbërritën ditën e zgjedhjeve, përbënin një të pestën e të gjitha fletëvotimeve në qarkun Maricopa, më i madhi në Arizona. Për numërimin e tyre u deshën disa ditë.

    Rezultatet fillestare në natën e zgjedhjeve duhet të jenë kryesisht ato të votave të hershme, të cilat mund të favorizojnë zonjën Harris, përpara se numrat të zhvendosen drejt rivalit republikan Trump, ndërsa numërohen votat e hedhura në ditën e zgjedhjeve. Në ditët në vijim rezultatet sërish mund të favorizojnë zonjën Harris pasi fillon numërimi i fletëvotimeve me postë, që mbërrijnë me vonesë.

    XHORXHIA

    Votimi i hershëm është popullarizuar në Xhorxhia. Zyrtarët presin që 65% deri në 70% e votave të jenë hedhur në qendrat e votimit, para ditës së zgjedhjeve. Fletët e votimit me postë, të cilat mund të përbëjnë rreth 5% të votave, mund të përpunohen dy javë para zgjedhjeve. Në këtë fazë bëhet verifikimi i nënshkrimit për të konfirmuar që vota është e ligjshme. Për numërimin e tyre duhet pritur dita e zgjedhjeve.

    Ligji i shtetit thotë se të gjitha votat e hershme, ato që hidhen në qendra votimi, apo të dërguara me postë, duhet të numërohen dhe rezulatet të publikohen deri në orën 20:00, sipas orës lokale, natën e zgjedhjeve. Zyrtarët synojnë që të gjitha votat, përfshirë ato nga dita e zgjedhjeve, të numërohen deri në mesnatë.

    Fletët e votimit nga votuesit jashtë shtetit dhe personeli ushtarak do të pranohen deri në tre ditë pas zgjedhjeve, nëse kanë vula postare mban datën 5 nëntor, ose më herët. Deri tani ka patur 21 mijë kërkesa të tilla. Në zgjedhjet që pritet të përfundojnë me diferencë jashtëzakonisht të ngushtë në mes të kandidatëve, fituesi mund të mos dihet derisa të jenë përpunuar dhe numëruar edhe ato vota.

    MIÇIGAN

    Që nga zgjedhjet e vitit 2020, Miçigani, për herë të parë ka krijuar mundësinë e votimit të hershëm dhe ka filluar të lejojë qarqet me më shumë se 5,000 banorë të fillojnë përpunimin dhe numërimin e fletëvotimeve me postë tetë ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Qarqet më të vogla mund ta bëjnë këtë një ditë përpara 5 nëntorit.

    Zyrtarët shpresojnë se këto ndryshime do t’i lejojnë shtetit ta njoftojë rezultatin më shpejt se në vitin 2020, kur fletëvotimet me postë nuk mund të përpunoheshin paraprakisht. Kjo ishte arsyeja pse kandidati republikan Donald Trump kaloi në avantazh natën e zgjedhjeve. Kandidati demokrat Joe Biden e kaloi Trump pasi dolën të dhënat e votave me postë, të cilat u desh më shumë kohë për t’u numëruar. Ish Presidenti Trump pretendoi në mënyrë të rreme se ishte viktimë e mashtrimit.

    NEVADA

    Numërimi i ngadaltë i votave në Nevada në vitin 2020, që pamundësoi njoftimin për fituesin deri pesë ditë pas ditës së zgjedhjeve, nxiti ndryshime në shtet që zyrtarët thonë se do të përshpejtojnë procesin.

    Ndryshimi më i rëndësishëm është ai që iu lejon qarqeve të fillojnë përpunimin dhe numërimin e votave me postë, më 21 tetor. Punonjësit e qendrave të votimit mund të fillojnë të përpunojnë votat e hershme në orën 8 të mëngjesit, sipas orës lokale, në ditën e zgjedhjeve, në vend që të presin deri në mbylljen e qendrave të votimit.

    Por, rezultati në Nevada edhe kësaj radhe mund të mos dihet menjëherë. Votimi me postë është bërë popullor në këtë shtet dhe është i vetmi shtet i papërcaktuar që pranon edhe fletëvotimet me postë që arrijnë me vonesë.

    Çdo fletë votimi që ka vulë postare më datën 5 nëntor, do të numërohet edhe nëse arrin katër ditë pas zgjedhjeve. Këto votime të vonuara, historikisht, favorizojnë demokratët, kështu që mund të ndodhë një ndryshim rezultati në favor të zonjës Harris ndërsa numërohen votat e arritura pas ditës së zgjedhjeve.

    KAROLINA E VERIUT

    Zyrtarët zgjedhorë e fillojnë përpunimin e fletëvotimeve me postë përpara ditës së zgjedhjeve. Pas mbylljes së votimeve, rezultatet e para të njoftuara ka të ngjarë të jenë kryesisht fletëvotimet me postë, si dhe votat e hershme. Votat e ditës së zgjedhjeve do të numërohen dhe njoftohen gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa rezultatet e plota priten deri në mesnatë.

    Zonja Harris mund të kryesojë në fillim falë fletëvotimeve me postë, ndërsa Trump mund të mbyllë hendekun ndërsa numërohen votat e ditës së zgjedhjeve.

    Megjithatë, nëse zgjedhjet përfundojnë me rezultat aq të ngushtë sa sugjerojnë sondazhet, rezultati përfundimitar në Karolinën e Veriut mund të mbetet i paqartë për një javë, ose më shumë. Fletët e votimit me postë që mbërrijnë më 5 nëntor, si dhe fletët e votimit nga shtetasit jashtë vendit dhe personeli ushtarak, numërohen gjatë periudhës 10-ditore, pas ditës së zgjedhjeve. Në vitin 2020, fitorja e Trump në këtë shtet nuk u konfirmua deri më 13 nëntor, 10 ditë pas ditës së zgjedhjeve.

    PENSILVANI

    Pensilvania, që vlersohet si shteti më i rëndësishëm nga grupi i të papërcaktuarve, nuk pati një fitues të qartë në vitin 2020 për katër ditë pas ditës së zgjedhjeve. Kjo ndodhi për shkak të një numri të madh të votave me postë. Pensilvania është pjesë e një numri të vogël shtetesh amerikane që nuk i lejon punonjësit zgjedhorë të përpunojnë, ose numërojnë fletëvotimet me postë deri në orën 7 të mëngjesit sipas orës lokale, në ditën e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se ka të ngjarë të duhen sërish disa ditë përpara se të dihet rezultati përfundimtar.

    Me më shumë demokratë, sesa republikanë, që votojnë me postë, rezultatet e hershme, duke marrë parasysh votimet në ditën e zgjedhjeve, ndoshta do ta nxjerrin Trump përpara, por epërsia e tij ka të ngjarë të zvogëlohet, ndërsa numërohen fletëvotime me postë.

    Ky model në vitin 2020 gjithashtu e shtyu ish Presidentin Trump të pretendonte se po bëheshin mashtrime. Këtë vit, një ligj i ri kërkon që shumica e qarqeve të shpallin në mesnatën e natës së zgjedhjeve se sa fletë votimi me postë kanë mbetur për t’u numëruar në një përpjekje për të parandaluar teoritë e konspiracionit.

    VISKONSIN

    Ashtu si Pensilvania, Viskonsin është ndër të paktët shtete që nuk lejojnë zyrtarët zgjedhorë të përpunojnë, ose numërojnë fletëvotimet me postë deri në mëngjesin e ditës së zgjedhjeve. Kjo do të thotë se mund të ketë një vonesë në njoftimin e rezultateve të votimeve të parakohshme.

    Përveç kësaj, shumë nga qytetet më të mëdha të shtetit i transportojnë fletëvotimet me postë në një vend të centralizuar për përpunim dhe numërim. Kjo mund të çojë në një grumbull të konsiderueshëm votash që të njoftohen të gjitha menjëherë në orët e hershme të mëngjesit, pas mbylljes së qendrave të votimit.

    Në vitin 2020, ish Presidenti Trump dhe aleatët e tij pretenduan në mënyrë të rreme se kishte manipulime pasi Miluaki, qyteti më i madh i shtetit, rreth orës 3:30 të mëngjesit njoftoi për rreth 170,000 fletë votimi me postë. Këto vota rritën përqindjen e Biden duke e nxjerrë atë në epërsi për herë të parë. Por kjo rritje ishte e pritshme për shkak të mënyrës se si qyteti i përpunon fletë votimet dhe faktit që demokratët kishin më shumë gjasa të votonin me postë. Një gjë e ngjashme është e mundur edhe në zgjedhjet e këtij viti./VOA

  • Pritet rritje e votuesve nga lehtësirat e proceduarve – Askush s’duhet t’i frikësohet votave të bashkatdhetarëve

    Pritet rritje e votuesve nga lehtësirat e proceduarve – Askush s’duhet t’i frikësohet votave të bashkatdhetarëve

    Liderët e partive në vend i kanë shpeshtuar vizitat jashtë vendit duke u takuar me bashkatdhetarë, për të kërkuar nga ta votat për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen me 9 shkurt, raporton Ekonomia Online.

    Në këto zgjedhje bashkatdhetarët votojnë për herë të parë në mënyrë fizike, kjo edhe po shihet si mundësi që ata të marrin pjesë në përqindje më të madh, krahasuar me zgjedhjet e fundit kur ishin votuar 7%.

    Lirim Krasniqi, drejtor në Organizatën “Germin” e sheh të arsyeshëm që diaspora të ketë të drejtën e votës, sipas tij, kjo e drejtë i garantohet me Kushtetutë. Votimi në mënyrë fizike, thotë ai është mundësi e mirë për të gjithë ata që kanë të drejtë vote në diasporë.

    Krasniqi ritheksoi se këtë vit, do të ketë më shumë vota të vlefshme, për shkak të lehtësimit të procedurave të votimit.

    “Vota me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme iu garantohet të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetaseve të tij, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe kjo mundësohet përmes votimit direkt në Kosovë, ose jashtë vendit”.

    “Votimi jashtë Kosovës organizohet për herë të parë në formë fizike, pra bashkatdhetarët tanë do ta kenë mundësinë për herë të parë të votojnë në vendvotimet që do të hapin në misionet tona diplomatike. Kjo nuk është temë diskutimi a duhet apo jo, kjo është një e drejtë kushtetuese dhe shumë mirë që të gjithë shtetasit e Kosovës e kanë mundësinë që ta votojnë edhe në vendet jashtë Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

    “Besoj që do të rritet numri i personave që do të votojnë të vlefshme, sepse në zgjedhjet e kaluara ka pasur shumë të interesuar të votojnë por për arsye të procedurave të ndërlikuara jo të gjitha ata që kanë dërguar votën përmes postës janë numëruar që janë të vlefshme. Numri i personave të interesuar do të jetë i njëjtë, por numri i votave të vlefshme do të rritet në diasporë”.

    Edhe pse me përqindje ishin lartë në zgjedhjet e fundit rreth 7%, sipas Krasniqit nuk ka luajtur rol të madh në përzgjedhjen e fituesit të zgjedhjeve. Madje tha se asnjë parti nuk duhet të frikësohet nga vota e diasporës.

    “Nëse i shohim rezultatet e zgjedhjeve në vitin 2021, votave nga totali i të gjitha votave 7% e tyre kanë qenë vota që kanë ardhur nga diaspora. Ndërkohë që në zgjedhjet para vitit 2021 përqindja ka qenë edhe më e ulët, nëse e vlerësojmë nga ky fakt atëherë ndikimi i votave nga diaspora, nuk ka qenë edhe aq i madh në rezultatin final”.

    “Gjithsesi duke pasur parasysh që një pjesë e votave ka shkuar për një subjekt politik kjo ka ndikuar që të rritet numri i deputetëve që rrjedhin nga rezultati zgjedhor. Por nuk duhet të frikësohemi nga vota e diasporës duhet ta kemi parasysh që duke mundësuar votimin e diasporës nga jashtë ne sigurojmë gjithë përfshirjen e bashkatdhetarëve tanë”, ka thënë ai.

    Përtej ndikimit në rezultatin e zgjedhjeve, drejtori i “Germin”, ka potencuar se është shumë e rëndësishme përfshirja e tyre në procesin politik-bërëse në vend.

    “Ne si Kosovë si vend ku emigrimi është në trendë të rritjes është e rëndësishme që qytetarët tanë t’i mbajmë afër edhe në procesit vendimmarrëse përmes votimit. Në këtë drejtim të gjitha ata zëra që janë skeptik për votën e diasporës, duhet ta rishqyrtojnë këtë pozicion sepse ne kemi nevojë shumë për angazhimin e diasporës, dhe vota është një mjet që e nxit angazhimin edhe në fusha të tjera”.

    “Tash është zgjeruar mundësia e votimit sepse ata kanë mundur të votojnë përmes postës por ka qenë proces i ndërlikuar, por më ndryshimin e ligjit e drejta e votës nga jashtë kufizohet vetën në shtetas. Nëse në zgjedhjet e kaluara kanë mundur të votojnë ata të cilët nuk kanë shtetësi të Kosovës, tani do të mund të votojnë vetëm ata që kanë shtetësi të Kosovës, dhe kjo në mënyrë automatike e kufizon numrin e atyre që do të mund të votojnë”, ka potencuar Krasniqi.

    Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica i tha Ekonomia Online, se është shumë e rëndësishme vota e diasporës, pasi që sipas tij, ata përbëjnë mbi gjysmën e Kosovës.

    “Diaspora është shumë e rëndësishëm edhe në numra por me kualitet janë gjysma dhe mbi gjysma e Kosovës. Në katër vitet e fundit kemi mbi 200 mijë qytetarë tanë që jetojnë jashtë Kosovës, ata në të gjitha proceset kanë qenë të angazhuar dhe kanë mbështetur vendin edhe në aspektin social, politik dhe kombëtar dhe të gjitha”.

    “Pa diskutim që vota e tyre është shumë e rëndësishme. Në numër nuk është një numër i madh por ndikimi i tyre në familjen dhe rrethin e tyre është i madh, normal që vota e tyre është një vlerë e shtuar dhe krejt e veçantë dhe do janë shumë të rëndësishëm”.

    Me plotësim ndryshimin e Ligjit të ri për zgjedhjet Reçica ka potencuar se për diasporën është krijuar lehtësi e madhe. Sipas tij, tani mërgimtarët mund të votojnë me postë dhe me kuti postare në secilin shtet.

    “Mërgimtarët tanë i ftojë të votojnë sepse me plotësim ndryshimin e ligjit kemi krijuar lehtësi të mëdha, tani mund të votohet edhe me postë, do të kemi një kuti postare në secilin shtet dhe është më i lirë, një franga ose dy mund ta vendosin se ku të lëvizin këtë vend”.

    “Komunikimi dhe lidhjen me vendi është jashtëzakonisht e fuqishme dhe i bëjë ftesë që domosdo të regjistrohen për votim, deri me 26 dhjetor kanë kohë. Është e domosdoshme dhe janë pjesë e krejt këtyre zhvillimeve dhe asaj që sot e kemi, lirinë, pavarësinë, shtet ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.

    Komisioni Zgjedhor i Kosovës ka njoftuar se deri tani janë mbi 9 400 kërkesa nga mërgimtarët për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë regjistruar, derisa mbi 8 mijë janë aprovuar.

  • ​Von der Leyen viziton sot Kosovën

    ​Von der Leyen viziton sot Kosovën

    Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen qëndron sot për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt BE-së.

    Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar, do të ketë takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani nga ora 09:45 dhe kryeministrin Albin Kurti nga ora 11:15.

    Para nisjes së turneut të saj, e para e Komisionit Evropian ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e BE-së.

    Von der Leyen me ndalesën e parë kishte Shqipërinë më 23 tetor, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbi. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi në Podgoricë.

    Ndryshe, të premten e kaluar, BE miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes prej 6 miliard eurosh.

    Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.

  • ​Hillary Clinton mbush 77 vjet

    ​Hillary Clinton mbush 77 vjet

    Hillary Clinton e lindur më 26 tetor 1947 është ish-sekretare e Shteteve të Bashkuara, senatore amerikane, dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 2001.

    Gjithashtu, ajo ka qenë kandidatja e parë femër e nominuar nga një parti mazhorante demokratike, si dhe e vetmja Zonjë e Parë kandidate për post publik.

    Nga 2009-2013, ajo ishte sekretarja e 67-të e SHBA-së, duke qenë nën presidencën e Barack Obama. Ajo përfaqësoi herët Nju Jorkun në Senatin amerikan gjatë viteve 2001-2009.

    Gjithashtu, si gruaja e presidentit Bill Clinton, ajo ka qenë Zonja e Parë nga viti 1993-2001. Në zgjedhjet 2008, brenda partisë, Clinton ishte një kandidate kryesore për zgjedhjet presidenciale. Clinton është e admiruar në gjithë botën, dhe jo vetëm brenda SHBA-së.

    Një banore autoktone e Illinois, Hillary nga fillimi ishte e angazhuar në politikë, si studente në Wellesley College në vitin 1969, pastaj dhe u diplomua si Juris Doctor në Yale Law School në vitin 1973, Yale University.

    Pas diplomimit në Universitetin e Jalës, Hillary u bë një avokate e shkëlqyer, duke këshilluar Fondin e Mbrojtjes të fëmijëve të Cambridge përpara se të bashkohet me ekipin e juristëve që këshillonin për Komisionin Juridik përfaqësues gjatë fajësimit të presidentit Richard Nixon për skandalin “Watergate”.

    Pas një kohe të shkurtër si avokate e Kongresit ligjor, ajo u zhvendos në Arkansas dhe u martua me Bill Clinton në vitin 1975, të cilin e kishte njohur në universitet.

    Rodham drejtoi gjyqin e Arkansas për Fëmijët dhe Familjet në vitin 1977. Ndërsa në vitin 1978, ajo u bë kryetarja e parë femër e Shërbimeve Ligjore të Korporatës, dhe në vitin 1979 ortakja e parë femër në Rose Law Firm.

    “The National Law Journal” e ka renditur dy herë atë si njëra nga qindra avokatet më me ndikim në Amerikë.

    Si Zonja e Parë e Arkansas 1979-1981 dhe 1983-1992 me bashkëshortin e saj, Bill Clinton, në atë kohë guvernator, ajo udhëhoqi një grup pune për të reformuar sistemin e Arkansasit në arsimim. Gjatë kësaj kohe, ajo ishte në bordin e Wall-Mart dhe disa korporatave të tjera.

    Në vitin 1994, si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, për iniciativën e saj të madhe, për planin e kujdesit shëndetësor Clinton, nuk arriti të fitojë miratimin nga Kongresi amerikan. Megjithatë, në vitin 1997 dhe 1999, Clinton luajti një rol udhëheqës në mbrojtjen për krijimin e Programit kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore për fëmijë, Akti adoptimi dhe Familjet e sigurta dhe Akti Foster Care Pavarësia.

    Gjatë viteve si Zonjë e Parë ajo tërhoqi një përgjigje të polarizimit nga publiku amerikan. E vetmja Zonjë e Parë të cilës i është bërë thirrje gjyqi, ajo dëshmoi para një jurie federale në vitin 1996 në lidhje me polemikën e Whitewater, por asnjëherë nuk u akuzua për shkelje për këtë ose në disa hetime të tjera gjatë presidencës Clinton. Gjithashtu, martesa e saj ka përjetuar skandalin Lewinsky në vitin 1998, një sprovë për çiftin Clinton. Hillary Clinton ka dalë e pastër te të gjitha hetimet që i janë bërë.

    Pas transferimit të shtetit, Clinton u zgjodh senatorja e parë femër e Nju Jorkut; ajo ishte e vetmja Zonjë e parë që ka kandiduar ndonjëherë për këtë post publik. Pas sulmit terrorist të 11 shtatorit, ajo mbështeti veprimet ushtarake në Afganistan dhe rezolutën e luftës në Irak, por më pas e kundërshtoi sjelljen e presidencës së George W.Bushit të luftës në Irak dhe vazhdon të kundërshtojë shumicën e politikave të saj të brendshme.

    Clinton u rizgjodh për Senatin në vitin 2006 në zgjedhjet paraprake demokratike presidenciale të vitit 2008, fitoi shumë më tepër vota në zgjedhjet paraprake se sa kandidatet e tjera femra në historinë amerikane, por ngushtë ajo humbi nominimin për presidente, i cili arriti të fitojë zgjedhjet kombëtare.

    Obama e emëroi Clinton si sekretare e Shtetit, dhe ajo u konfirmua nga Senati në janar 2009 ajo ka qenë në ballë të përgjigjes amerikane ndaj Pranverës Arabe, duke përfshirë dhe avokimin e ndërhyrjes ushtarake amerikane në Libi.

    Si Sekretare e Shtetit, ajo mori përgjegjësinë për dështimin e masave të sigurisë në lidhje me sulmin e Bengazit në vitin 2012 , i cili rezultoi në vdekjen e personelit konsullor amerikan, por mbrojti veprimet e saja personale në lidhje me këtë çështje.

    Clinton vizitoi më shumë vende se çdo Sekretar tjetër Shteti. Ajo shihte “fuqinë e zgjuar” si strategji për të pohuar lidershipin dhe vlerat amerikane, duke kombinuar fuqinë ushtarake me diplomacinë dhe aftësitë amerikane në ekonomi, teknologji, dhe fusha të tjera.

  • ​Moti sot në vendin tonë

    ​Moti sot në vendin tonë

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell. Në orët e mëngjesit pritet ketë mjegull nëpër lugina dhe ultësira.

    Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i lindjes me shpejtësi prej 9-22 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 18 deri në 21°C./MK

  • Autostrada e Gjilanit ende larg përfundimit pavarësisht premtimeve

    Autostrada e Gjilanit ende larg përfundimit pavarësisht premtimeve

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Fillimisht, vetë kryeministri Albin Kurti tha se Autostrada e Gjilanit do të përfundojë në vitin 2023 – gjë që nuk ndodhi.

    Pastaj, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në fillim të 2024-tës duke folur për ATV-në, premtoi se segmenti nga Banulla në Bresalc do të përfundojë brenda këtij viti.

    Por, 8 muaj pas këtij premtimi, vartësi i kryeministrit Albin Kurti, përkatësisht shefi i zëvendësministrit Durmishi, nuk dha asnjë afat as të përafërt, se kur do të përfundojë autostrada e filluar në vitin 2018.

    Terreni më i vështirë konsiderohet të jetë në këtë pjesë, andaj akoma po punohet në gërmimin e bjeshkëve. Megjithatë, në disa pjesë ka lëvizje pozitive.

    Derisa autostrada është larg përfundimit, qytetarët që frekuentojnë rrugën Prishtinë – Gjilan, përballen edhe me një sfidë tjetër.

    Ura në afërsi të Badovcit ka dy vjet që është jashtë funksionit, megjithëse kohëve të fundit punimet për ndërtimin e urës së re kanë avancuar.

    Javë më parë, pikërisht në këtë vend vdiqën tre persona, pasi vetura me të cilën po udhëtonin ra në liqen.

  • Avokati i Popullit ka vërejtje rreth procesit të verifikimit të statusit të viktimave të dhunës

    Avokati i Popullit ka vërejtje rreth procesit të verifikimit të statusit të viktimave të dhunës

    Përgatiti: Nora Luta

    Nuk është vetëm afati i kufizuar për aplikim për statusin e viktimave të dhunës seksuale, që është vlerësuar si shkelje e të drejtave të njeriut gjatë këtij procesi nga Avokati i Popullit.

    Ky institucion ka pranuar ankesa dhe ka gjetur vërejtje në procesin e realizimit të intervistimit të viktimave dhe qasjes së Komisionit ndaj tyre.

    Sipas raportit të publikuar nga Avokati i Popullit, të mbijetuarat kanë ngritur shqetësime për cenim të privatësisë dhe zbulim të identitetit.

    “Përkatësisht për mundësinë e takimit të të mbijetuarave/mbijetuarve me njëra/njëri tjetrën/in, gjatë pritjes për intervistim. Janë ngritur shqetësime se palët po ballafaqohen me njëra-tjetrën, fakt ky që sipas ankesave, po cenon privatësinë dhe zbulimin e identitetit. Shqetësime janë ngritur edhe rreth mënyrës se qasjes dhe parashtrimit të pyetjeve në procesin e intervistimit dhe përshtatshmërisë së pyetjeve të parashtruara nga Komisioni drejtuar të mbijetuarave/ve”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

    Raporti ka identifikuar edhe mangësi në qasjen fizike në objektin e Komisionit, dhe zbrazëtirat ligjore në rregullore që përcakton kohën e verifikimit të një të mbijetuare.

    Gjithashtu, Avokati i Popullit ka dhënë vërejtje duke konstatuar se viktimat, ndonëse parashihet me rregullore, nuk janë pajisur me kartela që do t’u mundësonin shërbime shëndetësore falas.

    “Avokati i Popullit gjatë trajtimit të çështjes ka evidentuar se objekti ku gjenden zyrat e Komisionit dhe ku edhe intervistimi i palëve realizohet, nuk ofron qasje fizike dhe infrastrukturore të përshtatshme në objekt për personat me aftësi te kufizuar, apo për personat e shtyrë në moshë, të cilët mund të jenë palë në procedurën e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Kjo cenon parimin e trajtimit të barabartë dhe pa diskriminim”, thuhet më tej në raportin e Avokatit të Popullit.

    Nga Komisioni nuk kanë pranuar të komentojnë raportin, i cili i është dërguar me rekomandime edhe kryeministrit, e disa ministrave të kabinetit qeveritar, dhe Këshillit Gjyqësor.

    Sipas të dhënave të këtij komisioni, në gjashtë vjetët e fundit, rreth 2 mijë persona kanë aplikuar, prej tyre 1600 iu është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale.

    Ndërkohë, Avokati i Popullit ka theksuar se viktimat duhet të kenë mundësi që të aplikojnë kurdo që krijohen rrethanat për ta, e jo të ketë afat të kufizuar, që aktualisht është vetëm deri në vitin 2025.

  • Marshi tradicional kundër kancerit të gjirit, zbulim i hershëm shpëton jetë

    Marshi tradicional kundër kancerit të gjirit, zbulim i hershëm shpëton jetë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Të enjten u mbajt manifestimi tradicional “Ecja simbolike”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin e opinionit dhe mbështetjen ndaj grave që përballen me sëmundjen e kancerit të gjirit.

    Në marshin, të cilit i prinë krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti u bë thirrje që gratë të bëjnë kontrolle më të shpeshta për ta evituar sa më shumë këtë sëmundje.

    “Zbulimi i hershëm shpëton jetë, mos prisni, kontrollohuni dhe merrni masa. Asnjë grua nuk duhet të jetë e vetme në këtë përballje. Secila nga to, momentet më të zorshme në jetë i ka kthyer në motiv për jetën dhe frymëzim për çdokë tjetër që përballet sot. Këto histori janë një dëshmi e aftësi për të duruar dhe kapërcyer sfidat e jetës”, tha Osmani.

    Ndërkaq, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, kërkoi më shumë punë në sektorin shëndetësor për trajtimin e kancerit të gjirit.

    “Një numër i madh i grave që mbijetojnë ndër vite dhe gra të tjera, kanë fat në fatkeqësinë e sëmundjes, sepse diagnostikohen e trajtohen në shërbimet tona publike nga personel profesional e humanist, pranë familjeve pa shpenzime e telashe të mëdha dhe ka ende shumë vend për më shumë përmirësim të kushteve, staf, barna e aparaturë e për shërbime më të shtuara shtesë”, tha Latifi.

    Vlerësohet se në Kosovë brenda 1 viti zbulohen deri në rreth 450 raste të reja me kancer të gjirit.