ATV

Author: ATVLive

  • “Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”: Ismet Tara dëshmitari i radhës në Hagë

    “Kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë”: Ismet Tara dëshmitari i radhës në Hagë

    Komandanti Ismet Tara është dëshmitari i radhës në Gjykatën Speciale të Hagës.

    Ai është betuar në emër të drejtësisë dhe zotit se do ta thotë të vërtetën.

    Tara ka thënë se ka gjetur parregullsi në Gjykatë.

    “Betohem në emër të drejtësisë së zotit tim, dhe ligjeve tuaja, nëse ekzistojnë. Kam gjete parregullësi në këtë gjykatë, pastaj të flas”, tha ai.

  • Merz sinjalizon “pavarësi” nga SHBA-ja dhe shpreh shqetësim për NATO-n

    Merz sinjalizon “pavarësi” nga SHBA-ja dhe shpreh shqetësim për NATO-n

    Kancelari i pritshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se do të kërkojë “pavarësi” të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe shprehu dyshime për të ardhmen e NATO-s.

    “Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që, hap pas hapi, të mund ta arrijmë pavarësinë nga SHBA-ja” në çështje të mbrojtjes, tha Merz të dielën vonë, pasi aleanca e tij CDU/CSU doli e para në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë.

    Ai tha se nuk ka “fare iluzione për atë që po vjen nga Amerika”.

    “Pas deklaratave të [presidentit amerikan] Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se amerikanët janë kryesisht indiferentë ndaj fatit të Evropës”, tha Merz.

    “Jam shumë kurioz të shoh se si do të shkojmë drejt samitit të NATO-s në fund të qershorit – nëse do të flasim ende për NATO-n në formën e saj aktuale, ose nëse do të na duhet të krijojmë një kapacitet të pavarur mbrojtës në Evropë shumë më shpejt”, shtoi ai.

    Trump i tronditi aleatët tradicionalë të Amerikës në Evropë me gatishmërinë e tij për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë.

    Kjo shkaktoi shqetësime se Evropa apo edhe vetë Kievi do të mund të mënjanohen nga ky proces.

    Trump, gjithashtu, është ankuar se vendet evropiane nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre dhe shpesh ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjate të vetë NATO-s.

    Në komentet e tij paszgjedhore, Merz tha: “Ndërhyrjet nga Uashingtoni nuk ishin më pak dramatike dhe drastike sesa ndërhyrjet që kemi parë nga Moska”.

    Ai iu referua kështu deklaratave të aleatit të Trumpit, Elon Musk, përpara zgjedhjeve, në favor të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

    “Ne jemi nën një presion aq të madh nga të dyja palët, saqë prioriteti im absolut tani është krijimi i unitetit në Evropë”, tha Merz.

    Në një nga zgjedhjet më të rëndësishme të Gjermanisë në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, aleanca e tij, CDU/CSU, doli e para me 28.5 për qind të votave, por jo të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë.

    AfD-ja doli e dyta, por Merz e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të. /REL

  • ​Tri vjet nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë

    ​Tri vjet nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë

    Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe presidenti rus Vladimir Putin priste të pushtonte të gjithë vendin brenda pak ditësh, por ajo që ndodhi në vend të kësaj ishin tri vjet luftime intensive falë qëndresës së armatosur ukrainase me ndihma që vinin nga aleatët perëndimorë.

    Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës u dënua menjëherë nga SHBA e Evropa duke vendosur sanksione ndaj Moskës. Kosova ka dënuar agresionin ushtarak rus, duke iu bashkëngjitur aleatëve të saj perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por një gjë të tillë nuk ka bërë edhe Serbia fqinje.

    Kosova ka strehuar nga prilli 2022 disa gazetarë nga Ukraina si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë-Kosovë”, iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF), në kuadër të programit mbështetës Voices of Ukraine, që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës dhe iniciativa Hannah Arendt e Qeverisë gjermane.

    Në fillim të luftës në shkurt 2022, Ukraina mbajti trupat ruse larg kryeqytetit Kiev, dhe më vonë siguroi fitore në pjesë të rajoneve verilindore Kharkiv dhe Khersoni jugor. Por ajo gjithashtu pësoi humbje të mëdha në zonat lindore rreth Donetsk dhe Bakhmut.

    Për tri vjet luftë miliona ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre, qoftë në pjesë të tjera të Ukrainës apo në vende të tjera.

    Pak më shumë se 6.3 milionë refugjatë ukrainas jetojnë në Evropë, duke përfshirë rreth 1.2 milion në Gjermani, gati 1 milion në Poloni dhe 390 mijë në Çeki, sipas të dhënave deri në fund të vitit 2024 nga agjencia e OKB-së për refugjatët.

    Në Rusi jetonin 1.2 milion refugjatë ukrainas, sipas vlerësimit të fundit të OKB-së që nga qershori 2024.

    Më shumë se 40 mijë civilë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë gjatë konfliktit, me shumë prej vdekjeve të shkaktuara nga armët shpërthyese, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Të paktën gjysma e të vrarëve 6.203 ishin burra të rritur dhe 669 ishin fëmijë.

    SHBA ka qenë kontribuuesi më i madh i vetëm i financimit për Ukrainën që nga fillimi i luftës, me rreth 95 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, humanitare dhe financiare.

    Donald Trump ishte kritik në lidhje me fondet e SHBA-së që dërgoheshin në Ukrainë gjatë fushatës së tij të vitit 2024, dhe pas marrjes së postit në janar 2025 presidenti amerikan po bën presion për t’i dhënë fund të shpejtë luftës duke mbajtur takime negociuese me Rusinë në Riad pa Ukrainën e Evropën.

    Kohët e fundit, Trump ka sugjeruar marrjen e një qasjeje transaksionale ndaj ndihmës, duke thënë se SHBA-të duhet të kenë qasje në mineralet e rralla të tokës në këmbim, gjë që Zelensky e ka refuzuar duke thënë se çdo marrëveshje për një gjë të tillë duhet të përfshijë garanci të qarta sigurie nga Shtetet e Bashkuara. /KP/

  • ​Lufta në Ukrainë, sot mbahet aktiviteti “Tri vjet luftë dhe kërkimi për paqe vazhdon”

    ​Lufta në Ukrainë, sot mbahet aktiviteti “Tri vjet luftë dhe kërkimi për paqe vazhdon”

    Në trevjetorin e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, sot në Prishtinë do të mbahet një ceremoni rasti, me pjesëmarrjen e ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Në njoftimin e përbashkët nga ambasadat e këtyre vendeve dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë, bëhet e ditur se ceremonia “Tri vjet luftë dhe kërkimi për paqe vazhdon” do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00.

    Pikërisht para tri vjetësh Rusia nisi një pushtim të shkallës së gjerë në Ukrainë, e cila nxiti dënimin nga bota demokratike, përfshirë edhe Kosovën, duke vendosur edhe një sërë sanksionesh ndaj Moskës zyrtare.

  • ​Ndahet nga jeta Bajram Qerkini nga shoqata e të pagjeturve

    ​Ndahet nga jeta Bajram Qerkini nga shoqata e të pagjeturve

    Është ndarë nga jeta para disa orësh kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini.

    Qerkini vdiq pas një sëmundje që e mbajti shtrirë që disa muaj. Kështu është bërë me dije nga familja e tij.

    Varrimi i tij do të bëhet ditën e martë, më 25 shkurt 2025, në orën 12:00, në varrezat e qytetit në Shipol të Mitrovicës.

    Për rreth 25 vite Qerkini është përpjekur për të ditur fatin e djalit të tij dhe të personave të tjerë të pagjetur nga lufta në Kosovë.

  • ​Sot është ditëlindja e heroit Fahri Fazliu

    ​Sot është ditëlindja e heroit Fahri Fazliu

    Heroi i Kosovës Fahri Fazliu sot më 24 shkurt do t’i mbushte 62 vjet.

    Fahri Fazliu i takon plejadës së luftëtarëve që luftën e bënë me pendë e pushkë.

    Ai ra në luftë të pabarabartë me forcat serbe, më 2 nëntor 1989, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Aty së bashku me Afrim Zhitinë qëndruan heroikisht duke sinjalizuar se liria pa gjak nuk vjen. Ranë si trimat duke kënduar.

    Duke e përkujtuar heroin e Kosovës, shokët e idealit dhe familja Fazliu, kanë shkruar se Fahriu ishte një uraganit i bashkimit të kombit, që mbi të gjitha kishte interesin e përgjithshëm, por edhe uragan që kurrë nuk u nënshtrua përpara vështirësive të kohës.

    Fahri Fazliu ishte lindur më 24 shkurt 1963 në Llaushë të Podujevës.

  • ​Përfaqësimi i parë i Kosovës me flamurin shtetëror në garat ndërkombëtare

    ​Përfaqësimi i parë i Kosovës me flamurin shtetëror në garat ndërkombëtare

    Kosova u përfaqësua për herë të parë me flamurin e saj shtetëror në një garë zyrtare ndërkombëtare në Kampionatin Botëror të ekipeve të Pingpongut në Kinë nga 24 shkurti deri më 2 mars 2008.

    Në këtë kampionat, Kosova u përfaqësua nga Besart Domaniku, Betim Sejdiu e Jeton Beqiri në garën e meshkujve dhe Besire Domaniku, Arjeta Terstena e Blera Abazi në atë të femrave.

    Para nisjes, ekipi kosovar u prit nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, nga i cili mori flamurin shtetëror të Kosovës, i cili është renditur në mesin e flamujve të 150 shteteve pjesëmarrëse në Botërorin e Pingpongut në Kinë. /KP

  • ​Humbja nga Zvicra shuan shpresat e Kosovës për Botërorin e basketbollit

    ​Humbja nga Zvicra shuan shpresat e Kosovës për Botërorin e basketbollit

    Kosova edhe pse luftoi deri në fund, nuk ia arriti qëllimit që të triumfojë ndaj Zvicrës, duke pësuar me rezultat 73:81 (14:23, 16:23, 15:13, 28:22).

    Pas një fillimi të barabartë, zviceranët u shkëputën në çerekun e parë në 12:23, derisa kjo pjesë përfundoi 14:23. Mysafirët për një nuancë ishin më të mirë në periudhën e dytë, 16:23, për të shkuar në pushim me shifrat 30:46.

    Në lojën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, ku Kosova ishte më e mirë në periodën e tretë, 15:13, derisa në dhjetë minutat e fundit, u mundua të bëjë përmbysjen, por nuk ia arriti qëllimit dhe pësoi 73:81.

    Te Kosova, Dardan Berisha kishte 20 pikë, ndërsa Divine Myles 16. Kosova përfundoi garat me dy fitore e katër humbje, duke u renditur e treta dhe nuk arriti kualifikimin në fazën e ardhshme të parakualifikimeve për FIBA Kupën e Botës 2027.

    Lidere ishte Zvicra me gjashtë fitore në gjashtë ndeshje, Irlanda e dyta me tri fitore e tri humbje dhe Azerbajxhani i fundit me një fitore e pesë humbje.

  • ​Punimet në rrugën Kijevë-Dollc, sot do të bëhet minimi i tetë shkëmbor

    ​Punimet në rrugën Kijevë-Dollc, sot do të bëhet minimi i tetë shkëmbor

    Sot pasdite do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në trafik nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri tek udhëkryqi i rrugës për në Gjurgjevik.

    Kjo pasi në trasenë e zgjerimit të rrugës nacionale N9, segmenti Kijevë-Dollc LOT-3, do të realizohet minimi numër tetë i masave shkëmbore për zgjerimin e rrugës.

    Ndërprerja e trafikut do të bëhet në intervalin nga ora 15:00 deri në pastrimin dhe hapjen e rrugës, njofton Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

  • ​Salah: Po kaloj periudhën time më të mirë në Liverpool

    ​Salah: Po kaloj periudhën time më të mirë në Liverpool

    Mohamed Salah thotë se veteranët e Liverpool-it kanë nevojë për një tjetër titull në Premier League pasi morën një fitore 2-0 në Manchester Cityt për të rritur diferencën në 11 pikë në krye të tabelës.

    Salah ishte në qendër të fitores për “Reds”, pasi shënoi golin e parë dhe më pas asistoi për Dominik Szoboszlai për të dyfishuar epërsinë e Liverpool-it para pjesës së parë.

    Skuadrat e Arne Slot janë në një pozicion komandues për të siguruar titullin e 20-të ligës angleze, edhe pse Arsenali i vendit të dytë ka një lojë më pak. City , i cili ka fituar katër titujt e fundit të Premierligës, tani është 20 pikë prapa liderëve në vendin e katërt, përcjellë KosovaPress.

    “Është e pabesueshme. Është një vend shumë i vështirë për të ardhur dhe për të luajtur këtu,” tha Salah pas fitores së parë të Liverpool në ligë në “Etihad” për një dekadë.

    “Ata janë një skuadër e fortë dhe kanë një trajner të jashtëzakonshëm, jam i lumtur që në fund e fituam ndeshjen. Është e veçantë. Sidomos kur je në garën për titull, është e pabesueshme. Shpresojmë që të ruajmë qetësinë sepse ndonjëherë presioni vjen tek ne”.

    Salah e çoi numrin e tij për një sezon të jashtëzakonshëm në 30 gola dhe 21 asistime dhe tha se po e shijon futbollin e tij më shumë se kurrë, pavarësisht spekulimeve për të ardhmen e tij.

    Dhe Salah përsëriti besimin e tij se ata kanë nevojë për një medalje tjetër të Premier League për të ndriçuar trashëgiminë e tyre.

    “Ndoshta njerëzit preferojnë sezonet e mia të para por unë preferoj tani sepse fitimi i ligës, ndihma e lojtarëve të rinj, është e veçantë”, shtoi ai.

    “Ne kemi nevojë për një titull tjetër. Unë dhe djemtë e mëdhenj në ekip, ne kemi nevojë për një titull tjetër”, tha në fund ai.