ATV

Author: ATVLive

  • Shi në fundjavë? – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Shi në fundjavë? – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme në Kosovë do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 6 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimalja do të jetë në Ferizaj me 21 gradë Celsius.

    Ndërsa, dita e nesërme në vendin tonë do të jetë kryesisht me reshje të shiut, temperatura minimale do të jetë në Pejë me 3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimalja në Gjilan me 15 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Supremja vendos që KEDS të kompensojë konsumatorët – Vendimi u mor në mars, por u publikua vetëm pas kërkesës së ATV-së

    Supremja vendos që KEDS të kompensojë konsumatorët – Vendimi u mor në mars, por u publikua vetëm pas kërkesës së ATV-së

    Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

    Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

    Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

    Me aktgjykimin e shkallës më të lartë, vërtetohet se ZRRE-ja jashtëligjshëm u vendosi qytetarëve të 34 komunave barrën për katër komunat në veri.

    ATV ka siguruar vendimin e Gjykatës Supremes, me të cilin e detyron KEDS-in që t’ua kthejë konsumatorëve 40.8 milionë euro, për faturimin shtesë prej 3.5% për në katër komunat më shumicë serbe në veri – në periudhën 2012-2017.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

    Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

    Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv

  • Nikaj: Gjendja në veri të Kosovës është e jashtëzakonshme

    Nikaj: Gjendja në veri të Kosovës është e jashtëzakonshme

    Sekretari i PDK-së dhe ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, në një intervistë dhënë në emisionin DIREKT në ATV, duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në veri të vendit më datën 23 prill, ka thënë se këto zgjedhje po mbahen në një situatë e cila mbetet e jashtëzakonshme.

    “Ne si PDK kemi qenë ndër të parët që i kemi regjistruar kandidatët dhe kemi shprehur gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri, kurdo që ato të organizohen. Sa na përket neve si parti, vazhdojmë të jemi të përkushtuar për mbajtje të zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet për to. Kjo pjesa tjetër është ende e paqartë, por unë shpresoj që zgjedhjet do të mbahen me datën 23. Zgjedhjet do të jenë të lira edhe pse prapë se prapë, këto zgjedhje po mbahen në një situatë e cila mbetet e jashtëzakonshme”, tha Nikaj.

    Ai tha se ideja e mbajtjes së zgjedhjeve është që të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë komuniteteve që jetojnë në veri të vendit.

    “Medoemos edhe shtyrja e zgjedhjeve nga presidentja në dhjetor, për muajin prill është bërë që sigurohen zgjedhje të cilat janë jo vetëm ligjore, por edhe legjitime. Ne po hyjmë në një periudhë ku jemi afër zgjedhjeve dhe këtu po ka shumë paqartësi e posaçërisht kur ka shumë paqartësi sa i përket sigurisë së mbajtjes së zgjedhjeve, lokacionet e mbajtjes së tyre dhe mundësisë që kryetarët të votojnë të lirë dhe të papenguar”, tha Nikaj.

    Ai tha se ka kohë që PDK ka paralajmëruar institucionet që situata e sigurisë në veri po rrëshqet nga normaliteti.

    “Ka një kohë që kemi paralajmëruar dhe kemi tërhequr vërejtjen që situata e sigurisë në veri po rrëshqet nga normaliteti dhe po rrëshqet përtej kompetencave që i ka Policia e Kosovës dhe përtej kapaciteteve që policia mund t’i implementojë në veri. Kjo në vazhdimësi ka ndodh dhe tani jemi në një situatë ku është prerogativë edhe kushtetues edhe ligjor, por edhe demokratik i vendit tonë që zgjedhjet të mbahen, por duhet siguruar që ato të jenë të lira dhe demokratike në përputhje me traditën që e kemi pasur”, theksoi Nikaj. /atvlive.tv

  • Kastrati: Gjoba ndaj PSD-së ka qenë e qëllimshme

    Kastrati: Gjoba ndaj PSD-së ka qenë e qëllimshme

    Nënkryetari i PSD-së, Qendron Kastrati, gjatë një interviste në emisionin A23 në ATV, tha se dënimi që i është bërë kësaj partie nga AIP me një gjobë prej 20 mijë eurove, ka qenë i qëllimshëm, siç thotë ai, për ta mbytur zërin opozitar kundër Asociacionit.

    “Bëhet fjalë për aksionin simbolik që e kemi bërë para Qeverisë në oborrin e Qeverisë, duke i vendosur fletat e peticionit që kanë qenë peticion i organizuar atëherë nga Lëvizja Vetëvendosje kundër ‘Zajednicës’ ose Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky ka qenë një aksion simbolik, ndërsa sot PSD, duke pasur parasysh edhe qysh e ka gjendjen financiare dhe qysh është një parti që nuk ka shumë financa, ende nuk është e madhe, kjo tregon që është një qëllim së pari me e mbyt zërin kritik, me e mbytë zërin opozitar edhe në anën tjetër, duke e pasur parasysh që tash pritet, që e ka konfirmuar edhe kryeministri që ka me e bë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me u mundu me heshtë dikë që ta bëjë një gjë të tillë”, tha Kastrati.

    Ai tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), është e kapur nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Mos ta harrojmë se udhëheqja e këtij institucioni është bashkëshortja e një prej anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje që e ka promovuar Albin Kurti si ardhje, dhe nëse nuk gaboj ka qenë edhe kandidat në njërën prej zgjedhjeve”, tha Kastrati. /atvlive.tv

  • ​PDK: Qeveria e emëroi dhe po e mban kundërligjshëm në detyrë Kryeinspektorin e Punës

    ​PDK: Qeveria e emëroi dhe po e mban kundërligjshëm në detyrë Kryeinspektorin e Punës

    Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se emërimi i Kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Sipas tij, nuk ka pasur fare konkurs publik për këtë pozitë.

    Në një konferencë për media të enjten, Gruda thotë se kjo ka të bëjë me një shkelje flagrante dhe të hapur të ligjit dhe vendimeve të gjykatave të Kosovës nga ana e Qeverisë.

    Sipas Grudës, këtë emërim të paligjshëm të kryeinspektorit e kishte konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC) përmes raportet të Monitorimit të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave.

    “Vitin e kaluar, Ministria e Financave i ka sugjeruar Qeverisë që të emërojë Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi. Ky vendim është bërë në mënyrë të kundërligjshme, sepse për këtë pozitë nuk ka pasur fare konkurs publik. Se ky emërim i Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, ishte i paligjshëm e kishte konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC) në një rast të monitorimit të jashtëzakonshëm që kishte bërë vitin e kaluar në të cilin është konstatuar se emërimi i kryeinspektorit nga ana e qeverise kishte qenë totalisht i paligjshëm”, thotë Gruda.

    Gruda thotë se përkundër këtij vendimi të Këshillit, Qeveria ka vazhduar të mos e largoj nga detyra Kryeinspektorin Nikçi, duke ju drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ai shtoi se edhe në Gjykatën Themelore, Qeveria e ka humbur rastin, pasi gjykata ka refuzuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPMSHC-së.

    “Pavarësisht këtij vendimi Ministria e Financave dhe qeveria nuk i është bindur, dhe nuk e ka tërhequr emërimin e Kryeinspektorit të Punës. Ata kanë ankuar këtë vendim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke këkruar vendosjen e masës së pezullimit të zbatimit të këtij vendimi. Gjykata e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tyre duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë”, thotë Gruda.

    Mes tjerash, Gruda thotë se Qeveria e Kosovës nuk e zbaton ligjin dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatave të Kosovës.

    “Përkundër se kanë kaluar muaj nga këto vendime, Qeveria e Kosovës vazhdon të mbajë në detyrë këtë person i cili është emëruar në mënyrë të paligjshme. Imagjinojeni, mban në pozitë, e cila supozohet që do duhej të ishte aty për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, dhe ky nuk është një gabim apo lëshim teknik e zyrave ligjore, por është i qëllimshëm. Pra, Qeveria e Kosovës nuk e zbaton ligjin dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatave të Kosovës. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës pas lufte që një Qeveri ta bëjë me vetëdije shkeljen e Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve gjyqësore. Partia Demokratike e fton prokurorinë e shteti të që të marr të gjitha veprimet e nevojshme që të sigurohet që këto vendime gjyqësore të ekzekutohen, nuk mund të vazhdojë të funksionojë ky sistem me të cilin as ligjet e vendimet gjyqësore nuk respektohen”, thotë mes tjerash Gruda.

    Pas konferencës, Gruda është pyetur edhe për qëndrimin e kësaj partie në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në veri, por i njëjti nuk është përgjigjur në këtë pyetje./KP

  • Alisa flet për raportin me Olti Currin: Më ka ofenduar aq rëndë, kush është ai me thënë ashtu!

    Alisa flet për raportin me Olti Currin: Më ka ofenduar aq rëndë, kush është ai me thënë ashtu!

    Në një nga Primet e Big Brother VIP Kosova përmbyllje të spektaklit, kishte pasur një debat të fortë mes opinionistit Olti Curri dhe konkurrentëve të të cilët ishin të eliminuar, Alisës dhe Urimit.

    Alisa e kishte akuzuar opinionistin se kishte folur për të në një ‘chat’, ku mes të tjerash e parafrazoi se ai ishte shprehur që “Ajo e shet veten me para”.

    Ajo, në emisionin STUDIO A në ATV, ka treguar se çfarë kishte ndodhur atë natë kur kishte debatuar me opinionistin Olti Currin.

    “Unë kam mëndu që pas emisionit vjen edhe folë, sepse nuk e shoh të drejtë me shku unë e me i folë. Ai më ka ofendua mua, përpara krejt publikut, edhe prapaskena. I kom thanë qaty për qaty, ke diçka me mua edhe tregom, por ti s’ke nevojë me shku njerëzve të tjerë me iu thanë gjëra të pavërteta. Nuk është e vërtetë, asnjë fëmër edhe me kanë qashtu, nuk mundesh me i thanë, kush je ti me thanë qashtu”, tha Alisa.

    Ajo tha se i uron Currit të gjitha të mriat në jetë, por që ky kurrë nuk do të jetë në rrethin e saj.

    “Ishalla gjithmonë jeton i lumtur, ia uroj gjitha të mirat, por unë nuk mundem me e mbajt një person të tillë në rreth, kurrë. Sidomos kur mundesh menjëherë pa e njoftë një njeri, dhe t’u ma dhënë atë pozitivitetin e mirë, në fillim, kur kam hyrë në Big Brother, tani kur kam dalë unë me dëgju gjithçka çka ka thënë ai për neve si çift.. na jena të gjithë shqiptarë, e kemi një kulturë të shqiptarëve dhe njihemi në krejt botën që jemi më zotëri, jemi më të kujdesshëm, dhe vërehemi gjithkund në botë”, tha Alisa. /atvlive.tv

    Bisedën e plotë të Alisës dhe Urimit në emisionin STUDIO A, e gjeni në videon e më poshtme.

  • ​HRW: Rusia ka hapur qendër të torturës në Herson

    ​HRW: Rusia ka hapur qendër të torturës në Herson

    Forcat ruse që pushtuan qytetin jugor ukrainas të Hersonit dhe e patën nën kontroll nga marsi deri në nëntor të vitit 2022, udhëhoqën një “qendër të torturës” dhe ndërtesa të ngjashme ku ndaloheshin paligjshëm dhe torturoheshin civilë ukrainas, u tha në raportin e publikuar më 13 prill nga Human Rights Watch (HRW).

    Kjo organizatë për të drejtat e njeriut tha se qendra e supozuar e torturës gjendej në rrugën Teploenerhetikiv. Ndërkaq qendrat e tjera të ndalimit pretendohet se gjendeshin në ndërtesën e komunës, në një shkollë lokale dhe në hangarin e një aeroporti.

    Forcat ruse arrestuan dhe torturuan në mënyrë të paligjshme banorët e qytetit Herson dhe rrethinave të tij gjatë pushtimit të zonës nga marsi deri në nëntor 2022, tha sot Human Rights Watch.

    Viktimat dhe anëtarët e familjeve të tyre i thanë Human Rights Watch për torturën dhe keqtrajtimet e tjera në një qendër paraburgimi në rrugën Teploenerhetykiv në Herson, të cilën banorët vendas e quanin si “vrimë”, si dhe një objekt paraburgimi në rrugën Perekopska dhe objekte të improvizuara në ndërtesën e administratës komunale, një shkollë fshati dhe një hangar aeroporti.

    “Ish-të burgosurit raportuan vazhdimisht forma të ngjashme abuzimi, duke përfshirë rrahje të rënda me shkopinj dhe shkopinj gome, goditje elektrike, kërcënime me vdekje ose gjymtim dhe përdorim të pozicioneve të dhimbshme stresi. Nuk iu ofrua kujdesi i duhur mjekësor për të paraburgosurit”, thuhet nw raport.

    “Forcat pushtuese ruse kryen tortura të tmerrshme dhe abuzime të tjera kundër banorëve të Hersonit në qendrën e torturës në rrugën Teploenerhetykiv dhe shumë objekte të tjera paraburgimi”, tha Yulia Gorbunova, studiuese e lartë në Ukrainë në Human Rights Watch.

    “Ata që janë përgjegjës për këto akte të tmerrshme nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar dhe viktimat dhe familjet e tyre duhet të marrin dëmshpërblim për vuajtjet e tyre dhe informacion për ata që ende janë të zhdukur.”

    Sipas viktimave, që janë intervistuar nga HRW, forcat pushtuese kanë rrahur të burgosurit, i kanë torturuar me elektroshok, i kanë detyruar që të qëndrojnë në pozicione që iu shkaktonin dhimbje si dhe i kanë kërcënuar me vdekje dhe gjymtim.

    Moska nuk ka reaguar menjëherë për këtë raport të HRW.

    Organizata HRW ka intervistuar 34 banorë lokalë lidhur me abuzimet e pretenduara të civilëve, pasi paraprakisht kishte lëshuar një raport të ngjashëm në korrik të vitit 2022.

    Të intervistuarit thanë se civilët ishin rrëmbyer nën dyshimet se po ofronin apo po shprehnin mbështetje për ushtrinë apo Qeverinë ukrainase, dhe se po luftonin kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në disa pjesë në lindje të Ukrainës.

    Një grua raportohet se është mbajtur peng derisa burri i saj, që ishte në arrati, u vetëdorëzua.

    Gardistët rusë gjithashtu poshtëruan të burgosurit duke i detyruar ata të bërtisnin slogane pro-ruse, të dëgjonin dhe këndonin himnin kombëtar rus dhe këngët patriotike dhe të duartrokisnin këngëtarët, nën kërcënimin e rrahjeve.

    “Trajtimi i të gjithë shtetasve ukrainas në zonat e pushtuara u përkeqësua jashtëzakonisht shumë”, tha Gorbunova.

    HRW tha se shumë prej akteve, që pretendohet se janë kryer, përbëjnë krime lufte. Në raport u theksua se “të gjitha palët në konfliktin e armatosur në Ukrainë janë të obliguara që t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar humanitar”, përfshirë edhe Konventat e Gjenevës.

    Më 4 prill, Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së votoi për zgjatjen dhe zgjerimin e mandatit të një trupi hetues, që po heton krimet e luftës që mund të jenë kryer në Ukrainë.

  • Berlusconi vazhdon trajtimin në spital, kjo është gjendja e tij

    Berlusconi vazhdon trajtimin në spital, kjo është gjendja e tij

    Ish-presidenti i Milanit Silvio Berlusconi po vazhdon të trajtohet në spital për shkak të disa problemeve kardiovaskulare.

    Spitali “San Raffaele” në Milano, në të cilin ai është i shtrirë, ka dhënë një përditësim të mëtejshëm për presidentin e Monzas dhe ish-kryeministrin e Italisë duke zbuluar se gjendja e politikanit është përmirësuar gjatë ditëve të fundit.

    Ish-pronari i Milanit u shtrua në spital nëntë ditë më parë me probleme kardiovaskulare dhe më vonë u zbulua se 86-vjeçari ishte diagnostikuar me Leukemi në fillim të muajit, për të cilën ai tashmë ka filluar kimioterapinë.

    Në ditën e nëntë të qëndrimit të tij në spital, u dha një përditësim, i cili thotë se Berlusconi është duke u përmirësuar vazhdimisht, megjithëse ai do të qëndrojë në kujdesin intensiv për një periudhë më të gjatë kohore, përcjellë KosovaPress.

    “Në 72 orët e fundit ka pasur një përmirësim të mëtejshëm në funksionin e frymëmarrjes dhe të veshkave, me kontroll efektiv të leukocitozës dhe sindromës inflamatore. Pamja e përgjithshme klinike tregon vazhdimin e nevojshëm të trajtimit në një mjedis të kujdesit intensiv.”, thuhet në njoftimin e spitalit.

  • Supremja refuzon kërkesën e ZRrE-së për faturimin e rrymës në katër komunat veriore

    Supremja refuzon kërkesën e ZRrE-së për faturimin e rrymës në katër komunat veriore

    Gjykata Supreme njofton se ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për faturimin e rrymës të qytetarëve për katër komunat veriore të Kosovës.

    Sipas komunikatës së kësaj gjykate, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie.

    “Nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut”, thuhet e Gjykatës Supreme.

    Edhe Gjykata e Apelit me aktgjykimin AA nr. 990/2021, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e të paditurës, ZRRE, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.nr. 1373/17, e ka vërtetuar.

    ”Kolegji i Gjykatës Supreme lidhur me objektin e çështjes në shqyrtim, konstaton se gjykatat e instancave më të ulëta, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit, dhe anulimin e vendimit të paditurës ZRRE, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të pa-paguar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, (ashtu që nga KEDS rryma e shpenzuar atje bazuar në vendimin e ZRRE-së, u është faturuar qytetarëve të pjesëve të tjera në emër të kthimit të kostove të tjera të humbjeve në sistemimin e transmisionit, pa të drejtë dhe bazë ligjore”, thuhet në njoftim.

  • ​Ukraina i kërkon ShBA-së avionë F15

    ​Ukraina i kërkon ShBA-së avionë F15

    Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal u takua me shefin e Pentagonit, Lloyd Austin dhe i kërkoi artileri të rëndë shtesë, raketa me rreze të gjatë veprimi dhe avionë, tip F15 ose F16, njoftoi Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

    ”Ne ju kërkojmë gjithashtu rishqyrtimin e furnizimit të Ukrainës”, u tha kryeministri zyrtarëve të lartë amerikanë të mbrojtjes, shkruan ANSA.

    “Për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur Evropën na duhen pajisje më të rënda, por edhe avionë. Në luftën moderne, epërsia ajrore është vendimtare. Kjo është arsyeja që Ukraina po fillon krijimin e një flote të re avionësh luftarakë dhe ne po ftojmë SHBA-në të bëhen pjesëmarrëse të rëndësishme. Amerika mund të tregojë edhe një herë lidershipin e saj me furnizimin e Ukrainës me avionë F15 ose F16”, theksoi ai.