ATV

Author: ATVLive

  • Veriu ende pa qendra të votimit

    Veriu ende pa qendra të votimit

    Dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka miratuar listën e qendrave të votimit.

    Kjo pritet me ndodhë në një takim të KQZ-së, të caktuar për 14 prill.

    Deri më tani është votuar në shkolla, por këtë herë shanset për këtë janë pothuajse joekzistente sepse ato kontrollohen nga sistemi serb në veri, i cili i kundërshton zgjedhjet. Qendrat alternative si dhe stacionet policore po ashtu janë përmendur si vende të mundshme që mund të shndërrohen në qendra të votimit.

    Moscaktimi i qendrave të votimit krijon dyshime se aktiviteti zgjedhor mund të zhvillohet, thonë ish-kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Adnan Merovci, dhe përfaqësuesi i organizatës joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), Eugen Cakolli.

    Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

    Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

    Këto zgjedhje ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

    Gjatë një seance plenare të Kuvendit të Kosovës, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga autoritetet që të shtyjnë zgjedhjet në veri, pasi tha se gjendja atje nuk është e mirë. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill mund “të thellojë pasojat” për Kosovën.

    Qeveria, Presidenca dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk i janë përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë, nëse është duke u shqyrtuar mundësia për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve.

    Adnan Merovci e vlerëson të vështirë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në veri të Kosovës, nëse merret parasysh situata politike.

    Gjendja politike në atë pjesë të shtetit është e brishtë dhe kjo sipas tij ka pamundësuar që institucionet përgjegjëse të përfundojnë me kohë procedurat teknike për organizimin e zgjedhjeve.

    “Nëse gjendja në veri është e tillë, që ende vendvotimet nuk janë caktuar, ende aspekti teknik nuk është marrë në duart e atyre që quhen komisionerë, udhëheqës të vendvotimeve, unë jam skeptik …”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, thotë se për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, KQZ-ja shumë shpejt duhet të publikojë lokacionin e qendrave të votimit, në mënyrë që të informohen votuesit se ku mund të votojnë.

    Ky proces, ky sipas tij, është dashur të përfundojë 45 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

    “Më e rëndësishmja është publikimi i qendrave të votimit. Ende nuk dihet se cilat do përdoren për qëllim të zhvillimit të procesit të votimit. Janë përmendur modalitete të shumta, si qendra alternative apo votim në stacione policore, e të tjera”, thotë ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se gjatë “mbledhjes së radhës”, do të ketë një pasqyrë të qartë të qendrave të votimit për zhvillimin e procesit zgjedhor. Një tentim për votimin e listës së qendrave të votimit këtë javë dështoi.

    Deri më tani, për zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë, institucionet arsimore zakonisht janë shfrytëzuar si qendra votimi. Por, kjo praktikë mund të ndryshojë për faktin se shkollat në mjediset serbe në Kosovë punojnë sipas sistemit të Serbisë dhe drejtorët mund të mos lejojnë shfrytëzimin e shkollave për votime.

    Subjekti më i madh politik në katër komunat në veri të Kosovës është Lista Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, dhe që njëherësh ka udhëhequr me katër komunat në veri, duke mbi 90 për qind të votave në zgjedhjet e kaluara.

    Kjo parti është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve dhe nuk ka aplikuar për të garuar në zgjedhjet e 23 prillit.

    Mungesa e kandidatëve nga Lista Serbe në këtë garë zgjedhore do ndikojë në pjesëmarrjen e ulët të zgjedhjeve, thotë kandidati për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Pavarësisht kësaj, ai shprehet se zgjedhjet duhet të mbahen dhe KQZ-ja duhet të gjejë qendra alternative të votimeve në zonat ku është e pamundur të shfrytëzohen shkollat.

    “Ne jemi në proces dhe në nivel të organizimit zgjedhor. Ne jemi të fokusuar të dalim në zgjedhje”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

    Kryetarët e rinj “vështirë se do kenë qasje në objektet komunale”
    Mosaplikimi i Listës Serbe në këto zgjedhje do ndikojë në legjitimitetin që do kenë institucionet e reja, përkatësisht kryetarët e katër komunave si dhe dy kuvendet komunale, thotë Cakolli nga DnV.

    “Efektivisht do ta kenë të pamundur ushtrimin e mandatit të tyre ligjor. Madje për të thjeshtësuar maksimalisht, besoj se do kenë vështirësi të kenë qasje në objekte komunale, e lërë më të arrijnë të ofrojnë shërbime, të miratojnë buxhete apo diçka tjetër të kësaj natyre”, shprehet Cakolli.

    Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë nuk parasheh ndonjë prag të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, thotë Merovci, duke shtuar se pjesëmarrja është vullnetare, por rezultati i zgjedhjeve nuk mund të jetë efektiv.

    “Ne po flasim për legjitimitetin ‘popullor’, kur nuk marrin pjesë ata që banojnë aty, atëherë politikisht si zgjedhje nuk tingëllojnë mirë si aktivitet”, shprehet ai.

    Megjithatë, Cakolli shprehet se organizimi i këtyre zgjedhjeve nuk do të prodhojë ndonjë situatë të re.

    “Unë madje besoj se mbajtja e këtyre zgjedhjeve do nxisë proces të ri zgjedhor për shkak të dështimit eventual për të miratuar buxhetet e këtyre komunave, të cilat duhet të propozohen nga ekzekutivi”, thekson ai.

    Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet në veri dhe që janë ndarë mjetet e nevojshme për këtë proces.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet dhe se qeverisja e formuar pas zgjedhjeve nuk do të ketë legjitimitet.

    Ai madje ka kritikuar shtetet perëndimore për “heshtjen” e tyre, për faktin që Kurti nuk ka dëshiruar të shtyjë zgjedhjet lokale, në të cilat serbët nuk do të marrin pjesë.

    Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.

  • Escobar: Marrëveshja Kosovë-Serbi është historike, i paraprin normalizimit të marrëdhënieve

    Escobar: Marrëveshja Kosovë-Serbi është historike, i paraprin normalizimit të marrëdhënieve

    Zëvendës Ndihmës Sekretari e SHBA-ve për Çështjet Evropiane Gabriel Escobar, ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi është historike për marrëdhënie miqësore mes dy shteteve.

    Escobar ka thënë se kjo marrëveshje i paraprin normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.

    Në intervistën për Top Channel, Ecobar u shpreh se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, ndaj sipas tij kjo është edhe një ndër arsyet e vizitës së tij në Tiranë.

    “Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim. Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Europian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit”, ka deklaruar Escobar.

    Escobar ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër, nuk do të kishte ndodhur pa mbështeten e Maqedonisë së Veriut.

    Ai gjithashtu ka vlerësuar si të rëndësishme edhe mbështetjen e qeverive të Shqipërsië dhe Krocisë.

    “Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar”, ka thënë Escobar.

  • Kurti sot e pret Abazoviqin, do të nënshkruajnë një marrëveshje me rëndësi

    Kurti sot e pret Abazoviqin, do të nënshkruajnë një marrëveshje me rëndësi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të pres sot në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ku do të nënshkruajnë marrëveshjen për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.

    Kështu bëhet e ditur prej një komunikate për media të zyrës së kryeministrit.

    Takimi do të bëhet në ndërtesen e Qeverisë duke filluar nga ora 09:00, kurse mediat mund të marrin pjesë në fillim të takimit.

  • FBI arreston të dyshuarin për rrjedhjen e dokumentave të Pentagonit

    FBI arreston të dyshuarin për rrjedhjen e dokumentave të Pentagonit

    FBI ka arrestuar Jack Teixeira, të enjten në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara që janë postuar në internet, sipas një zyrtari amerikan të njohur me këtë çështje.

    Teixeira, 21 vjeç, është një anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts. Arrestimi i tij vjen pas një kërkimi të shpejtë nga qeveria amerikane për identitetin e zbuluesit i cili postoi dokumente të klasifikuara në një platformë të mediave sociale të njohura me videolojtarët, shkruan CNN, transmeton klankosova.tv.

    Teixeira u identifikua për herë të parë nga The New York Times të enjten përpara arrestimit të tij si kreu i grupit ku u postua një tufë dokumentesh të klasifikuara.

  • Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se vetmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë nuk nënkupton Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

    Këto komente, Bislimi i bëri në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke iu referuar tekstit të marrëveshjes së Ohrit që flet për krijimin e një strukture vetmenaxhuese të komunitetit serb në Kosovë.

    “Kjo nuk nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse ende nuk dihet se si do të duket struktura e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues, nuk zbatojmë qëndrime të politikanëve në Bruksel apo gjetkë jashtë Kosovës dhe marrëveshja bazike, si dhe aneksi implementues, kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimit të ndjekë një sekuencim që nënkupton se nuk mundet njëra palë të marrë benefitet e marrëveshjes dhe pastaj të vendoset se në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve. Kjo nënkupton që edhe nëse fillojnë bisedimet për strukturën menaxhuese, apo të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, përderisa nuk ka gatishmëri nga pala serbe që ajo t’i zbatojë obligimet e marra, ky proces nuk mund të përfundojë suksesshëm sepse do të jetë e pamundur që pala kosovare të kryejë pjesën e vet të obligimeve për aq kohë sa zotëri Vuçiqi publikisht deklaron se nuk e sheh marrëveshjen në tërësi si obligative por si një lloj menyje ku ai mund të zgjedhë se cilat pjesë dëshiron t’i zbatojë e cilat jo”, u shpreh ai.

    Bislimi tha se grupi menaxhues për hartimin e statutit të asaj që njihet në opinionin si “Asociacion…” ekziston që nga 2013-ta.

    Ai shtoi se deri më tani ka pasur dy herë ndryshime në përbërjen e grupit menaxhues, teksa theksoi se i njëjti është dashur që të raportojë në baza të rregullta te Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por shton se raportet e fundit janë dërguar në fund të vitit 2018.

    Në bazë të kësaj, zëvendësi i kryeministrit Kurti tha se “rrjedhimisht ne nuk mund ta dimë se në ç’stad ndodhet puna e grupit menaxhues, por ata do të ftohen pas takimit të radhës në Bruksel për të prezantuar punën e tyre dhe në momentin e prezantimit pushon veprimtaria e tyre, pra nuk ekziston më grup menaxhimit, apo grup menaxhues, pas prezantimit të draftit, dhe pastaj gjithçka kalon në rrafshin politik”.

    Besnik Bislimi tha se drafti që ai grup do ta prezantojë, duhet t’i përmbushë pesë kritere.

    “Është shumë me rëndësi që drafti që ai grup prezanton do të vlerësohet në bazë të disa kritereve që sigurojnë që, për shembull, drafti i propozuar nuk bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; nuk bie në kundërshtim me marrëveshjen e 2013 dhe 2015; nuk nënkupton krijimin e një shtrese të re të qeverisjes në Kosovë; nuk nënkupton të drejta kolektive për komunitetin serb; është në harmoni me letrën e zonja Mogherinit ia ka dërguar ish-kryeministrit të Kosovës në vitin 2015 ku i shpreh qartazi se edhe për BE-në, ky lloj trupi i vetëmenaxhimit nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Për aq kohë sa drafti i prezantuar bie në kundërshtim me këto 5 kritere, me shumë gjasë ai duhet të shpallet si i papranueshëm dhe pastaj duhet të shikojmë për alternativat që mund të prezantohet, qoftë nga pala kosovare qoftë nga dikush tjetër. Kjo do të mbetet për t’u parë në takimin e radhës” në Bruksel, tha Bislimi.

  • A ka kaluar Behgjet Pacolli në PDK? – Flet Enver Hoxhaj

    A ka kaluar Behgjet Pacolli në PDK? – Flet Enver Hoxhaj

    Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në seancën e sotme ka ndryshuar karrigen në Kuvendin e Kosovës. Ai është ulur pranë deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Ky veprim i Pacollit nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat, ku në disa prej tyre edhe janë hedhur dyshime se ai mund t’i jetë bashkuar PDK-së, mirëpo asgjë nuk ishte e konfirmuar.

    Lidhur me këtë veprim të Pacollit ka folur deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.

    Ai në emisionin CONTEXT në ATV ka mohuar se Pacolli i është bashkuar PDK-së, ndërsa thotë se ka qenë vetëm një bisedë miqësore dhe asgjë më shumë.

    “Absolut jo. Unë dhe zotëri Reçica kemi komunikuar me të dhe i thamë a po vjen tek ne bisedojmë, me që baca Behgjet është me ramazan. Erdhi tek ne në tavolinë dhe biseduam, Mund ta kenë parë të tjerët, por biseda ka qenë miqësore”, tha Hoxhaj. /atvlive.tv

  • Vuçiq thirrje serbëve: Mos dilni në votime

    Vuçiq thirrje serbëve: Mos dilni në votime

    Pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat veriore të vendit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve që jetojnë në Kosovë, që të mos dalin në votime.

    Pas takimit në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Vuçiq tha se parakusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Madje, asociacionin e konsideron si kusht edhe për shumë gjëra të tjera, përfshirë edhe dialogun.

    “Nuk u shkon mendja ta formojnë Asociacionin. Dhe pastaj ata thanë, kanë thënë prej javësh, se do të më konsideronin fajtor nëse zgjedhjet do të prisheshin. Ju lutem, imagjinoni, është e rëndësishme që njerëzit ta dinë, sepse jam i sigurt se as disa ministra nuk e dinë. A e dini se kush ka aplikuar për zgjedhje? Aplikoi Vetëvendosja, PDK-ja në Mitrovicë. Pra partia e Thaçit dhe ajo e Kurtit. Dhe tani, në bazë të 4% të tyre, sa prej tyre jetojnë në veri të
    Duke thënë se serbët bëjnë përpjekje për paqe e normalizim të marrëdhënieve, ai u bëri thirrje serbëve që të jenë të bashkuar, në kundërshtimin e institucioneve kosovare.

    Duke paraqitur pesë konkluzat e takimit, Vuçiq u bëri me dije serbëve që për Kosovën do të ankohet edhe te Bashkësia Ndërkombëtare. Sipas tij, Kosova duhet ta ndërpresë shkeljen e marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lëvizjen e papenguar të serbëve.

    Në mesin e konkluzave të nxjerra, Vuçiq përmend edhe tërheqjen e njësisë speciale nga veriu.

    “Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina, pa vonesë, të veprojë në përputhje me marrëveshjet në dialog, si dhe me të gjitha dokumentet e tjera relevante të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator serb autorizohet që në përputhje me të drejtat që i janë garantuar palës serbe në marrëveshjet e deritashme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për këtë çështje”, tha Vuçiq.

    Teksa dëgjoi hallet e serbëve, presidenti Vuçiq u garantoi edhe ndihma atyre. Sipas tij, si masë ndihmëse për komunitetin serb në Kosovë, qeveria e Serbisë do të ndajë nga buxheti i saj plot 28 milionë euro. /atvlive.tv

  • Reja i shkruan letër Mihrije Brahës, reagimi i saj do t’ju emocionojë të gjithëve!

    Reja i shkruan letër Mihrije Brahës, reagimi i saj do t’ju emocionojë të gjithëve!

    Këngëtarja e njohur Mihrije Braha ishte mysafire në emisionin STUDIO A në ATV. Ajo në këtë emision rrëfeu shumë nga jeta e saj private, por foli për sfidat dhe sukseset në ka kaluar gjatë karrierës së saj në skenë.

    Mihrija, gjatë emisionit pranoi edhe disa befasi të këndshme nga personat e afërm të saj. Një letër dedikuar për të nga reja e saj Tringa, ishte tejet emocionuese për këngëtaren.

    Për ta dëgjuar se çfarë i shkruan reja e saj në këtë letër, shikoni videon e më poshtme.

  • Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi, në një lidhje direkte në emisionin DIREKT në ATV, tha se vendimi i Gjykatës Supreme që KEDS të kompensojë konsumatorët, duke ua kthyer borxhin prej rreth 41 milionë eurosh për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë e Kosovës, transmeton atvlive.tv.

    “Ky vendim do ta nxisë një reagim tjetër sepse KEDS në këtë rast duhet t’i gjejë paratë dikah për t’i kthyer te qytetarët, ose për t’i kompensuar ata dhe këtu varet kryesisht nga vendimi të cilin do ta marrë Qeveria, në fakt me hapat e mëtejshëm me KEDS sepse këto para duhet të vijnë dikah. Një situatë e tillë e krijuar tani pretendon që ato mjete duhet të kthehen te qytetarët, duhet të kompensohen nga KEDS. Kjo i bie që KEDS të nxerrë nga kuleta e saj 41 milionë euro që do të regjistrohen si humbje për KEDS-in dhe nuk e di se sa do të jenë të gatshëm ata ta zbatojnë një gjë të tillë, përkundër faktit se vendimi i Supremes është vendim i prerë”, tha Azemi.

    Ai tha se vendimi i Gjykatës Supreme është i prerë, i cili duhet të zbatohet, ndërsa KEDS tani gjendet në një situatë të vështirë pasi që rrezikon falimentimin.

    “Kjo do e implikojë Qeverinë e Kosovës medoemos për të diskutuar, analizuar veprimet e mëtejshme sepse një vendim i Supremes duhet në fund të ditës të zbatohet dhe qytetarët duhet të kompensohen ashtu siç e ka dhënë verdiktin Supremja, por se nga do të vijnë këto mjete, nga do të vijnë këto para, ajo mbetet tash të shihet në KEDS dhe Qeverinë e Kosovës. Kjo mund edhe ta falimentojë kompaninë që është një situatë e re e krijuar dhe mund të jetë e tillë, por varet se çfarë disponimi do të ketë Qeveria e Kosovës”, tha Azemi.

    Kujtojmë se Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

    Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

    Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

    Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

    Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv

  • “Problematikët e vegjël” të fshatit Magure

    “Problematikët e vegjël” të fshatit Magure

    Përmes kësaj dritareje, 7 të mitur u futën në shkollën “Haradin Bajrami”, në fshatin Magure, ku edhe vodhën mjete pune në vlerë 800 euro.

    Por para se të futen brenda ata thyen disa prej kamerave, përveç njërës që i kapi teksa ndihmonin njëri-tjetrin për t’u ngjitur në dritare.

    Drejtori i kësaj shkolle, Shaip Fazliu, thotë se në shkollën e re morën lëndë djegëse, të cilat më vonë i përdorën për t’ia vënë flakën shkollës së vjetër.

    “Më ka njoftu policia që po kallet edhe shkolla e vjetër, e duhet me ardh me kqyr vendin e ngjarjes. Shkova e kqyra, e kishin sanu. Kanë marrë në shkollë të re naftë, benzinë, brusalicë, ngjyrë, që ka qenë rezervë për shkollën. Pasi e kanë marr materialin e kanë ba ndezjen e ngjyrës e ka tentu me u kallë edhe shkolla e re”, tha drejtori i shkollës, Shaip Fazliu.

    Sejdi Qarraj, i cili para shumë vitesh e kishte kryer mësimet në këtë shkollë, thotë se u ndje keq kur dëgjoi që i është vënë flaka asaj.

    “Masi s’kom kajt me lot, kom kajt me zemër çka I kanë maru kësaj shkolle. Mu nuk po më doket kjo e hjeshme që e kanë bo, po kush e ka bo nuk po mujmë me ditë. Janë oraganet e rendit që ata mujn me ruajt kapak e me këqyr pak”, tha Sejdi Qarraj, banor.

    “Është një gjest shumë i pa moralshëm, edhe organet duhet me njek”, tha Milazim Elshani, banor.

    Ndërkaq, sipas banorëve rastet e djegieve të objekteve të vjetra në këtë fshat nuk janë të rralla. Sipas tyre, muaj më par u dogj edhe Xhamia e fshatit.
    Policia ka njoftuar se ka arrestuar 7 të dyshuarit për vjedhje, pesë prej të cilëve dyshohen edhe se kanë kryer zjarrvënien, për të cilin është iniciuar rast i veçantë.

    Me vendim të prokurorit, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 24 orë. /atvlive.tv