ATV

Author: ATVLive

  • Paralajmërohet rritje e çmimit të biletave të autobusëve

    Paralajmërohet rritje e çmimit të biletave të autobusëve

    Këshilli Drejtues i Shoqatës së Transportit rrugor, ka kërkuar që çmimet e biletave për transportin ndërurban të ngriten për 25%.

    Këtë kërkesë e bëri Naser Januzi, nga kompania “ Barileva” në mbledhjen e Këshillit Drejtues.

    AI tha se janë rritur shpenzimet, duke përmendur edhe çmimet e larta të pjesëve të autobusëve.

    “Unë kisha propozuar që nga sot të kemi 25% të rritën çmimet. Janë rritur çmimet e pjesëve të autobusëve, e ne nuk i kemi rritur”, tha Januzi.

    Kadri Rrahmani, nga kompania “Cali” nga Gjakova, tha se sulmi ndaj tyre se nuk po i zbresin çmimet e biletave pas rënies së çmimit të derivateve të naftës, nuk është në rregull.

    Sipas tij, ata kanë edhe shpenzime të tjera.

    “Po bëhem pak i tepërt po më prek fortë. Sulmi ndaj nesh po e quaj sulm që na është dhënë është për fajin tonë. Për shkak se nëse do t’i ngrisnim çmimet e biletës siç janë rritur çmimet e tjera atëherë në rregull. Ai zotëriu mund të flasë për veten, se nuk është vetëm nafta, është goma, vaji e shumë të tjera”.

    “Cili student vjen të udhëtojë me autobus, e që nuk blen ndonjë lëng, apo ëmbëlsirë, apo që nuk ka telefon të mençurit. Po çfarë varfërie, na shoqatë humaniste nuk jemi”, tha Rrahmani.

    Shkelzen Nikqi, nënkryetar i Unionit të shoqatave të transportit, tha se Shoqata e naftëtarëve është fajtori kryesor për rritjen e çmimeve.

    Ai madje tha se nga kjo shoqatë mund të flasin vetëm për anëtarët e tyre e jo për shpenzimet që kanë transportuesit.

    “Sa i përket çmimit të biletave, unë nuk e di çfarë morali mundet me pasë një shoqatë e tillë. Nuk kam respekt fare për naftëtarët, sepse ata janë kryesorët në këtë çështje. Një naftëtarë mund të flasë vetëm për biznesin e tij jo për të gjithë operatorët e transportit. Unë mund të i’u them me bindje të plotë se çmimi i biletës për trasenë e rrugës Prishtinë-Pejë është i njëjti çmim i biletës. Është turp nga ne që të na kërkojnë ulje të biletës sepse nuk ka pasur”, tha Nikqi.

    Përderisa kryetari Jakup Berisha tha se ka pasur shumë ftesa për takime me OJQ të ndryshme për mosngritjen e çmimeve të biletave, edhe pse nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

    Sipas tij, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve Fadil Berjani ka shkaktuar amulli në opinion kur ka thënë se pas uljes së çmimit të derivateve do të ulene ehde çmimet e tjera.

    Sipas tij, ata realizojnë edhe shpenzime të tjera përveç derivateve, dhe se kjo shoqatë nuk mund të flas në emër të tyre, raporton EO.

    “Ju keni parë që është në opinion, edhe disa OJQ që i mbrojnë studentët, që e mbikëqyrin tregun. Ata kërkojnë nga unë të bisedojnë me mua, për çmimet e transportit ndërurban. Është një deklaratë e zotit Fadil Bernjani, i cili në një konferencë për shtyp tha se nafta do të bie në muajin mars dhe prill, dhe tha se të gjitha çmimet do të bien, e cila ka krijuar amulli. Edhe shumë regjione nuk i kanë ngritur çmimet”.

    “Atëherë kanë filluar gazetarët mua të më bëjnë presion kur po i zbritni. Edhe po të zbresë nafta, unë mendoj se çmimet e karburantit marrin pjesë në të hyrat e kompanisë 39-40%, por kemi faktorë të tjerë që ndikojnë. Kemi një ikje të madhe, dhe prej studentëve deri të pensionistët të gjithë ata që kanë udhëtuar me autobus, kanë ikur shumica”.

    “Shoqatës së naftëtarëve duhet t’i tërhiqte vërejtja sepse ajo mund të flasë për shoqatën e vet, unë flas për shoqatën time. Jemi nën presionin edhe të Qeverisë, edhe të punëtorëve që të rrisim pagat, edhe ne duhet t’i rrisim për shkak se po na ikin punëtorët”, tha Berisha.

  • ​S’ka kuorum, shtyhet seanca

    ​S’ka kuorum, shtyhet seanca

    Seanca e Kuvendit të Kosovës, e planifikuar për orën 10:00 është shtyrë për në orën 12:30, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ka thënë se nevojiten votat e mazhorancës për votimin e shumë pikave të rendit të ditës, transmeton KP.

    Konjufca ka kritikuar deputetët për mungesë të prezencës.

    Sipas tij, me këto sjellje të papërgjegjshme, kjo legjislaturë nuk meriton të vazhdojë.

    Në rend dite për seancën e sotme janë pika të papërfunduara nga seancat e muajit shkurt dhe mars.

    Në mesin e tyre është edhe votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

  • India e kalon Kinën si vendi më i populluar në botë

    India e kalon Kinën si vendi më i populluar në botë

    India pritet ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë deri në mesin e këtij viti, me pothuajse tre milionë banorë më shumë, sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Popullsia e Indisë do të numërojë 1.4286 miliard banorë në mesin e vitit 2023, krahasuar me atë të Kinës prej 1.4257 miliard banorësh, ka treguar një raport i Fondit të OKB-së për Popullsinë, i publikuar më 19 prill.

    Numri i banorëve në Kinë është tkurrur për herë të parë që nga viti 1960, kur miliona njerëz vdiqën nga uria, për shkak të politikave katastrofike bujqësore të ish-udhëheqësit Mao Zedong.

    Shumë njerëz kanë vlerësuar se përgjegjës për ngadalësimin janë rritja e kostos së jetesës, si dhe rritja e numrit të grave të punësuara dhe me arsimim të lartë, raporton AFP.

    Si po synon Kina të rrisë shkallën në rënie të lindshmërisë?

    Pekini ka ndërprerë më 2016 politikën e rreptë “një fëmijë”, të vendosur në vitet e 1980-ta, mes frikës nga mbipopullimi, dhe nga viti 2021 ka filluar t’u lejojë çifteve të kenë tre fëmijë.

    India nuk ka të dhëna të reja zyrtare se sa banorë i ka, sepse nuk ka kryer regjistrim të popullsisë që nga viti 2011.

    Regjistrimi, që India e bën një herë në dekadë, ishte paraparë të kryhej më 2021, por është shtyrë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

    Kritikët thonë se qeveria po e shtyn qëllimisht regjistrimin, për të fshehur të dhënat për çështje të nxehta, si papunësia, para zgjedhjeve kombëtare, që parashihen të mbahen vitin e ardhshëm.

    Sipas qendrës hulumtuese Pew, popullsia e Indisë është rritur për më shumë se një miliard banorë që nga viti 1950, kur OKB-ja filloi të mblidhte të dhëna për popullsinë./rel

  • Njihuni me kosovarin që po triumfon në çdo garë të bodybuilding

    Njihuni me kosovarin që po triumfon në çdo garë të bodybuilding

    Si i ri, para vetës kishte një dëshirë të madhe. Të jetonte shëndetshëm dhe të kishte një trup të formësuar, pa e ditur se një ditë do të arrinte majat me një ndër sportet më të vështira – atë të Bodybuildingut.

    Granit Kuleta këtë gjë e filloi qysh nga mosha 15 vjeçare, por jo me synimin për t’i arritur majat.

    Pasi pa rezultatet e gjithë punës së fortë që bënte, Graniti vendosi të fillonte të merrte pjesë në gara në vitin 2016.

    “Kam fillu si një i ri, me ushtru për një trup të shëndoshë, një trup të mirë, por pas një kohe kam parë vetën që kam fillu me bë diçka më shumë dhe kam fillu me provu me garu në vitin 2016, ku që nga ai vit kam garuar pothuajse çdo vit”, thotë Kuleta në një bisedë për ATV-në.

    Disiplina është një nga faktorët kyç në arritjen e sukseseve jo vetëm në BodyBuilding, por edhe në çdo sport tjetër. Por në çfarë vështirësisht është përballur Graniti gjatë rrugëtimit të tij.
    “Vështirësitë më të mëdha janë përgatitja, dieta, ushqimi, trainingu dhe kjo pjesa financiare padyshim që është një sfidë në vete, por që ja kam arritë. Kemi vështirësi edhe për viza. Tani po e pres vizën që të udhëtojë në kampionatin evropian në Spanjë”, tha ai.

    Në tri garat e para të vitit 2023, Graniti doli triumfues i tyre, e njëra prej tyre ishte edhe ajo e kampionit mbarëkombëtarë, ku është shpallur kampion apsolut i të gjitha kategorive.
    “Gara e fundit ka qenë të dielën. Ku kam fituar vendin e parë në kategorinë deri 100 kg. Është European Cup, e cila është mbajtur për herë të parë në Shqipëri. Ndërsa gara e kaluar ka qenë kupa e Kosovës mbarëkombëtare, ku jam shpallur kampion apsolut i të gjitha kategorive”, tregon Kuleta.

    Në këto lloje garash, përveç formësimit të trupit, rol të madh luajnë edhe detajet për të arritur triumfin e kërkuar. Por nga viti 2016 kur kishte filluar të merrte pjesë nëpër gara, cilën prej tyre do ta veçonte.

    “Gara që i veçoi më së shumti është ajo e kampionatit botëror, ku në 2019 jam zënë vendin e shtatë, ndërsa vitin e kaluar është mbajtur në Spanjë dhe kam zënë vendin e gjashtë. Aty konkurrenca është pothuajse marramendëse. Në një kampionat botëror marrin pjesë diku rreth 2 mijë e 500 garues, vetëm në kategorinë time kam pasur punë me rreth 300 garues”, tha Kuleta.

    Më 3 maj të këtij viti, ai do të synojë të dal triumfues edhe në një garë tjetër, Kampionatin Europian e cila zhvillohet në Spanjë. /L. Gërbeshi

  • Pa viza, por “me një krah” dokumente: Çfarë duhet të keni me vete për të hyrë në zonën Schengen?

    Pa viza, por “me një krah” dokumente: Çfarë duhet të keni me vete për të hyrë në zonën Schengen?

    Qytetarët e Kosovës, pas 1 janarit 2024, do të mund të lëvizin pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen.

    Mirëpo pavarësisht liberalizimit të vizave të gjitha që vendosin të vizitojnë shtetet e zonës, para se të hyjnë në kufirin e shtetit të parë të kësaj zone duhet të kenë me vete një serë dokumentesh, pa të cilat hyrja e tyre do të refuzohet.

    Qytetarët e Kosovës, gjatë udhëtimit pa viza në zonën Schengen duhet të plotësojnë disa kushte, të cilat përfshijnë:

    a) Të jetë i pajisur me pasaportë biometrike.

    b) Të deklarojë qëllimin e udhëtimit si dhe të paraqesë, para punonjësit të kontrollit kufitar, dokumentet që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit.

    Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në atë vend etj.

    Po ashtu duhet të paraqitet një rezervim hoteli, bileta e kthimit (nëse udhëtohet me avion ose mjete të transportit ujor) si dhe të ardhurat financiare që ka ai me vete.

    Kur deklarohet se udhëtohet për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.

    Kur deklarohet se udhëtohet për arsye shëndetësore, paraqitet rekomandimi i institucionit shëndetësor shqiptar si dhe konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet.

    Kur deklarohet se udhëtohet për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, nr. telefoni, etj.

    Ka vende ku si dokument bindës për autoritetet e kufirit është edhe një ftesë nga familja pritëse e cila mund të jetë e firmosur nga autoritetet komunale. Kjo kërkohet kryesisht në ato raste kur vizitori paraqet dyshime për qëllimin e udhëtimit.

    Në të gjitha rastet, shtetasi duhet të ketë:

    Sigurimin shëndetësor (për periudhën e qëndrimit)

    Dokumentacionin e nevojshëm të makinës, nëse udhëtohet me makinë (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti, patentë ndërkombëtare dhe karton të gjelbërt, sigurimin ndërkombëtar të makinës).

    Shtetasi duhet të ketë mjete të mjaftueshme të jetesës, si për periudhën e qëndrimit të synuar edhe për kthimin në vendin e prejardhjes ose transitin në një shtet të tretë në të cilin ai është i sigurt se do të pranohet, apo është në gjendje të përfitojë mjete të tilla në mënyrë të ligjshme. Po sa është kjo shumë? Vende të ndryshme kanë përcaktuar shuma të ndryshme. Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli.

    Shtetasi nuk duhet të figurojë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.

    Emri i këtij shtetasi nuk duhet të figurojë ndër emrat e personave ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet në fjalë.

    Autoritetet kufitare të shteteve anëtare të zonës Schengen kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen në zonën Schengen.

  • Deputeti gjerman: Marrëveshja e Ohrit, e vetmja mundësi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Deputeti gjerman: Marrëveshja e Ohrit, e vetmja mundësi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, tha se rrugën e vetme që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të normalizojnë marrëdhëniet e sheh në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    Beyer, ish-koordinator i bashkëpunimit transatlantik, shkroi në llogarinë e tij në Twitter, duke ripërtërirë postimin e fundit të kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borell, për Marrëveshjen e Ohrit, “është e vetmja mënyrë e mundshme për të arritur si normalizimin e marrëdhënieve ashtu edhe anëtarësimin në BE-në “.

  • ​Dy policë pësojnë lëndime, arrestohet i dyshuari

    ​Dy policë pësojnë lëndime, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet që ka penguar dy policë derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare në Pejë.

    Raportohet se policët kanë pësuar lëndime trupore.

    “Pejë 18.04.2023-20:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti i ka penguar zyrtarët policor derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare. Gjatë arrestimit i dyshuar ka rezistuar me ç’ rast dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

  • ​Mbrojtja e Thaçit fillon intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë

    ​Mbrojtja e Thaçit fillon intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka filluar intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë por seanca po zhvillohet private.

    Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë kërkuar deri në 12 orë për intervistimin e tij.

    Kjo është dita e tretë që dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) paraqitet para trupit gjykues.

    Të hënën dhe të martën ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë dhe pastaj të mbrojtjes së viktimave.

    Gjatë ditës së djeshme, dëshmia është dëgjuar tërësisht e mbyllur për publikun, ndërsa të hënën një pjesë e intervistimit është bërë në seancë publike.

    Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990.

    Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) dhe sipas tij, në të njëjtën kohë kishte ushtruar edhe aktivitetin e tij në LDK.

    Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.

    Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.

    Megjithatë, tutje dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.

    Para këtij dëshmitari, ditë më parë në gjykatore ka dëshmuar dëshmitarja e parë e ZPS-së por seancat janë mbajtur private.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • ​Një muaj nga marrëveshja e Ohrit, ende sfidë zbatimi i saj

    ​Një muaj nga marrëveshja e Ohrit, ende sfidë zbatimi i saj

    Ish-zëvendësambasadori i Kosovës në Gjemani, Blerim Canaj, thotë se zvarritja e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi pritet të zgjasë edhe më tutje, derisa Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja të jenë më të vendosura për shtyrjen përpara të saj.

    Megjithëse dje u arrit dakordimi për krijimin e Komitetit të përbashkët monitorues, i cili do të monitorojë dhe mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, diplomati Canaj, thotë për KosovaPress se ndonjë destabilizim i mundshëm në veri për shkak të zgjedhjeve të 23 prillit do të çrregullonte dinamikën e dialogut.

    “Serbia në njërën anë e ka çështjen e Asociacionit si prioritet të të gjitha prioriteteve. Po e shohim se dy palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për mos zbatim dhe shpeshherë edhe për shkelje të marrëveshjes. Kjo do të zgjasë edhe më tutje derisa të fillojë njëra palë apo tjetra të zbatojë marrëveshjen. Kësisoj do të ballafaqohemi me një lojë të pingpongut edhe më tutje. Tash varet sa do të jetë e vendosur edhe bashkësia ndërkombëtare që të shtyjë zbatimin e marrëveshjes”, thotë ai.

    Vonesat në zbatimin e marrëveshjes, Canaj i ndërlidh me mosbesimin e palëve ndaj njëra-tjetrës.

    “Ka një shkallë të mosbesimit prej të dyja palëve. Edhe Kurti ka të drejtë kur kërkon një lloj garancie, pasi tek e fundit është diçka nga e cila ne si Kosovë duket që pak kemi përfituar edhe pse prej fillimit kemi thënë se do të ketë vështirësi në implementim të kësaj”, shton Canaj.

    Krahas kësaj, diplomati Canaj, sugjeron kryeministrin Kurti që të përgatisë draft-statutin për formimin e Asociacionit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes do të shtyjë përpara edhe procese të tjera për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Është dashur të bëjë shumë më herët, të përgatisë ndonjë draft-statut se si pala kosovare e sheh asociacionin, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e kemi marrë si obligim atë dhe jo prej tash. Ajo çka ka ndodhur tek Kurti është se nuk ka mbajtur një premtim që ka thënë se ‘s’ka asociacion’, dhe tash po e shohim se ka një asociacion. Por, përndryshe një status për asociacionin e kemi obligim, pasi është një marrëveshje të cilës duhet t’i qëndrojmë përpara. Por edhe për hir të ecjes përpara të proceseve të tjera, pasi zbatimi i marrëveshjes me siguri do të shtyjë disa procese përpara, sidomos kur është fjala për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës. Duhet të shkojmë me një projekt ide apo draft se si do të duket statusi, por duhet të jemi të kujdesshëm në detaje”, thekson ai.

    Në anën tjetër, Canaj shpreh brengën se zgjedhjet në veri më 23 prill mund të prodhojnë një destabilizim të situatës atje, e cila mund të ndryshojë dinamikën e dialogut.

    “Nëse e shohim prej anës ligjore, mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet. Por duhet të jemi të kujdesshëm që mos të bëjmë politika populiste në emër të asaj sikur që ka ndodhur me çështjen e targave… Destabilizimi do të hapte tema të tjera. Me vet faktin në rast të ndonjë destabilizimi po mendoj se do të hapet tema s’i ta stabilizojmë prapë është ndikim në rrjedhën e marrëveshjes. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe çdo veprim duhet të bëjmë me partnerët tanë strategjikë”, përfundon ai.

    Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të takohen me 2 maj në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes bazë, derisa pritet të nënshkruhet edhe dakordimi për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Kosova dhe Serbia janë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për marrëveshjen bazë mes tyre, e cila ka ardhur si derivat i planit franko-gjerman për dialogun. Pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar sërish për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Mirëpo, një muaj pas arritjes së marrëveshjes ende nuk ka filluar diçka në terren për implementimin e saj./KP

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër në Kosovë me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër në Kosovë me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me vranësira ku pritet të ketë dhe reshje të shiut. Temperaturën minimale do e mbaje Peja me 5 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 15 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë me vranësira të lehta dhe intervale me diell. Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 4 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 17 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme: