ATV

Author: ATVLive

  • Cassano fajëson Rrahmanin për eliminimin e Napolit nga Liga e Kampionëve

    Cassano fajëson Rrahmanin për eliminimin e Napolit nga Liga e Kampionëve

    Në kanalin “Bobo TV”, Antonio Cassano ka komentuar kalimin tutje të Milanit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi “Rossonerët” eliminuan skuadrën e Napolit.

    Milani eliminoi Napolin brenda dy ndeshjeve me rezultat të përgjithshëm 2:1, dhe e arriti gjysmëfinalen e turneut pas plot 16 vitesh, raporton KosovaPress.

    Diferencën e bëri ylli portugez Rafael Leao me një super paraqitje, ku vrapoi më shumë se 80 metra me top në këmbë për të asistuar te Olivier Giroud, i cili shënoi golin e parë të ndeshjes duke e kaluar Milanin në epërsi prej 1:0 në pjesën e parë.

    Tani, Cassano, analist i zakonshëm në “Bobo TV” dha mendimin e tij për ndeshjen. Ish-ylli i Romas dhe Real Madridit u fokusua në disa probleme të Napolit, ku njëri prej tyre ishte edhe ylli kosovar, Amir Rrahmani.

    Cassano e fajësoi Rrahmanin për golin që Napoli e pësoi, duke thënë se mbrojtësi kosovar mund ta kishte ndalur aksionin duke shkaktuar ndërhyrje të palejueshme.

    “Milani e luajti ndeshjen si një skuadër e vërtetë dhe diferenca prej 24 pikësh në ligë nuk u ndje. Por pse Rrahmani nuk bëri ndërhyrje për ta ndalur golin? Menjëherë kur Leao morri topin, ai nuk duhej ta lejonte”, tha Cassano.

    Më tej, Cassano uroi Napolin për aventurën që e ka bërë deri tani, por tha se Milani kaloi tutje me plot meritë.

    “Urime Napolit për aventurën që e ka bërë, por për të bërë një hap para, i duhet edhe një lojtar qendror i një niveli të lartë. Milani kaloi tutje me plot meritë”, tha Cassano.

  • ​Osmani: Sali Çekaj la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së

    ​Osmani: Sali Çekaj la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 24 vjetorin e rënies. Ajo ka thënë se ai ishte një prej strategëve më të shquar të luftës dhe veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri.

    Osmani ka thënë se Sali Çekaj ka lënë gjurmë në organizimin e UÇK-së dhe të betejave për liri.

    “Komandant Çekaj ishte njëri ndër strategët më të shquar të luftës, por veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri. Veprimtarinë atdhetare e nisi herët, për të mos iu ndarë deri në rënien e tij heroike, më 19 prill 1999. Njëherë në Kosovë e më pas në mërgim, ai dëshmoi se si punohet e vdiset për atdhe. Së bashku me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarë të tjerë, Saliu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u shqua si strateg ushtarak. Si komandant i Brigadës 134, la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së dhe të betejave të saj për liri”, thuhet në shkrimin e Presidencës në Facebook.

  • BIK njofton se kur falet namazi i Fitër Bajramit

    BIK njofton se kur falet namazi i Fitër Bajramit

    Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me një njoftim ku thuhet se muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon të enjten, derisa dita e parë e Fitër Bajramit është të premten.

    BIK njofton se manifestimi qendror për këtë festë do të mbahen në Xhaminë e Madhe në Prishtinë në orën 05:05 me faljen e namazit të sabahut.

    Ndërsa namazi i Fitër Bajramit do të bëhet në orën 06:23 të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

    Njoftimi i plotë:

    DITA E PARË E FITËR – BAJRAMIT

    të premten më 21 prill 2023

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se muaji i madhëruar Ramazan përfundon ditën e enjte, më 20 prill 2023.

    Dita e parë e festës së Fitër – Bajramit është të premte, më 21 prill 2023.

    Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    Manifestimi fillon në orën 5.05, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

    Namazi i Fitër – Bajramit falet në orën 06:23, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

    Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

    Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, ditën e parë, më 21 prill 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.

    Me fat festa e Fitër – Bajramit!

  • Ronaldos i zbehen gjasat për titull me Al Nassrin

    Ronaldos i zbehen gjasat për titull me Al Nassrin

    Al Nassri i Cristiano Ronaldos u mposht mbrëmë nga Al Hilal, dhe kjo gjë e la tejet të zemëruar Cristiano Ronaldon.

    Odion Ighalo shënoi dy herë nga penalltia, kështu duke e ndihmuar Al Hilalin të fitojë 2:0 ndaj Al Nassrit, transmeton KP.

    Kjo humbje ia zbehu gjasat për titull skuadrës së Al Nassrit, ku tani qëndron në pozitën e dytë me 53 pikë, tre sosh larg liderit, Al Ittihad që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

    Po ashtu, kjo ishte ndeshja e dytë me radhë pa fitore e Ronaldos dhe skuadrës së Al Nassrit, pas barazimit 0:0 në xhiron e kaluar kundër Al Feihas.

  • ​Haxhiu: Jemi në koordinim me deputetët e LVV-së që ta procedojmë Kodin Civil

    ​Haxhiu: Jemi në koordinim me deputetët e LVV-së që ta procedojmë Kodin Civil

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi sot se janë në koordinim me deputetët e LVV-së për votimin e Kodit Civil. Ajo tha se duhet të sigurohen se i njëjti do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, për çka u shpreh se kjo u ka marrë kohë.

    Para gazetarëve, gjatë së mërkurës, ministrja e Drejtësisë shtoi se do të kenë nevojë edhe për mbështetjen e opozitës për këtë projektligj.

    “Besoj që jeni në dijeni, jemi në koordinim edhe me Grupin Parlamentar në mënyrë që ta procedojmë Kodin Civil. Ju e dini që unë kam thënë qëndrimet e mia sa i përket votimit në kuvend, rrëzimit të tij. Mendoj që Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë mirë. Megjithatë, ka qenë nën mandatin e tyre që të vlerësojnë ashtu. Paraprakisht ne duhet të sigurohemi që Kodi Civil kalon. Dhe për këtë arsyeje kjo na ka marrë kohë, sepse jemi në koordinim me deputetët edhe me të Grupit Parlamentar, sikurse pastaj kemi nevojë edhe për mbështetjen e opozitës që i njëjti të kalojë”, deklaroi Haxhiu, raporton KP.

    Më tej, Haxhiu shtoi se nuk është mirë për Kosovën që Kodi Civil të ta ketë fatin e herës së kaluar.

    “Pendenca apo synimet tona janë që i njëjti të kalojë, pra që të mos ketë fatin sikurse ka pasur në të kaluarën. Nuk mendoj që është mirë për Kosovën, sidomos kur ne pretendojmë të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës që të mos e votojë një dokument që ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Prandaj edhe uroj që Kuvendi i Kosovës ta miratojë atë”, u shpreh ajo.

    E pyetur në lidhje me personat përgjegjës për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, Haxhiu tha se nuk është në dijeni që të njëjtit janë duke avancuar në pozita.

    “Nuk jam në dijeni dhe do ta kundërshtojë ndonjë tendencë për avancim të ndonjë personi, i cili po hetohet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Sic jeni në dijeni, tre persona kanë qenë përgjegjës për hapësirën ku ruhen provat. Fatkeqësisht komisioni i ankesave i ka kthyer në punë. Sepse siç e dini Komisioni Disiplinor i kishte suspenduar. Mirëpo, unë në këtë drejtim nuk kam pasur mandat që të ndërhyjë, por nuk kam dëgjuar për një tendencë për avancim. Njëra nga personat që ka pasur qasje, Flutura Goga ka qenë në proces të avancimit si drejtore e përgjithshme e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ne kemi pezulluar këtë proces deri sa prokuroria të na theksojë se cilat janë veprimet që kanë ndërmarrë”, theksoi ministrja Haxhiu.

  • Gjendet një trup i pajetë në Liqenin e Badovcit, dyshohet se është 76-vjeçari që u raportua i zhdukur

    Gjendet një trup i pajetë në Liqenin e Badovcit, dyshohet se është 76-vjeçari që u raportua i zhdukur

    Një trup i pajetë është gjetur sot në Liqenin e Badovcit.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka informuar se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

    Sipas Ahmetit, dyshohet se bëhet fjalë për një burrë, i cili është raportuar i zhdukur më 17 prill.

    “Sot rreth orës 11:30, nga ekipi i kërkimit i përbërë nga njësite policore dhe të FSK-së, në liqenin e Badovcit është gjetur një trup i pajetë. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se bëhet fjalë për personin mashkull G.G, i cili nga familjarët është raportuar i zhdukur më datën 17 prill 2023, në stacionin e Lipjanit.”, ka bërë të ditur Ahmeti.

  • Mbrojtja e Veselit nis marrjen në pyetje të dëshmitarit, seanca vazhdon të jetë private

    Mbrojtja e Veselit nis marrjen në pyetje të dëshmitarit, seanca vazhdon të jetë private

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pas përfundimit të pyetjeve të mbrojtësit të Hashim Thaçit, Peter McCloskey, tani dëshmitari është duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Kadri Veselit, Ben Emmerson.

    Seanca po vazhdon të jetë private.

    Dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), po dëgjohet sot për të tretën ditë me radhë, pasi dëshmia e tij filloi të hënën dhe vazhdoi edhe të martën.

    Rasti Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari i dytë po vazhdon të dëgjohet në seancë private edhe sot

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe sot po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, ku po dëgjohet në seancë private dëshmitari i dytë.

    Dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), po dëgjohet sot për të tretën ditë me radhë, pasi dëshmia e tij filloi të hënën dhe vazhdoi edhe të martën, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Dëshmitari është duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, Peter McCloskey.

    Ndryshe, të hënën, në Dhomat e Specializuara ka përfunduar dëshminë e saj, dëshmitarja e parë, e cila po ashtu ishte dëgjuar në seancë private. Kjo dëshmitare e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

  • Të premten Fitër Bajrami

    Të premten Fitër Bajrami

    Muaji më i rëndësishëm i besimtarëve myslimanë, Ramazani do të përfundojë ditën e enjte, më 20 prill 2023.

    Dita e parë e festës së Fitër – Bajramit është të premten, më 21 prill 2023.

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës informoi se manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit për Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    Manifestimi do të fillojë në orën 5:05, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit siç u bë e ditur nga BIK, do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

    “Namazi i Fitër – Bajramit falet në orën 06:23, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.”, u bë e ditur nga BIK.

    Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, ditën e parë, më 21 prill 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës uroi festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, “duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona”.

  • Haxhiu: Në Qendrat për Punë Sociale ka shumë sfida e boshllëqe ligjore

    Haxhiu: Në Qendrat për Punë Sociale ka shumë sfida e boshllëqe ligjore

    Ministrja e Drejtësisë, Albulen Haxhiu deklaroi sot se në Qendrat për Punë Sociale ka shumë sfida e boshllëqe ligjore. Kështu tha ajo në konferencën për prezantimin e analizës mbi gjendjen aktuale të Qendrave për Punë Sociale, në aspektin ligjore, institucional dhe funksional.

    Ministrja u shpreh se raporti flet për shumë mungesa e boshllëqe ligjore.

    “Me qëllim të krijimit të një pasqyre sa më reale të këtyre shërbineve, si ministre e Drejtësisë në fillim të muajit shkurt kam formuar një grup punues. Ky grup është ufhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, sot kemi në dorë një analizë të qartë për nevojat dhe problemet Qendrave Sociale”, tha Haxhiu.

    Ajo tha se kjo gjendje nuk duhet të lejohet të vazhdohet nga niveli qendror e lokal.

    “Kur Qendra për Punë Sociale janë të mjaftueshëm për të kryer punën e tyre, do të kemi më pak raste të fëmijëve në rrugë, të rasteve të keqpërdorimit, të viktimave të dhunës seksuale. Jemi të përkushtuar qe të bëjmë maksimumin. Në këtë drejtim, do të punohet në krijimin e një skeme të qëndrueshme”, shtoi ajo.

    Drejtoresha e koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi u shpreh se ka sfida ligjore dhe është emergjente të ndryshohen.

    “Kanë dalur sfidat ligjore dhe është emergjente që këto ligje, ndryshimet qe priten të bëhen, janë emergjente për të proceduar, duke qrnë se vetëm Ligji Për Prokurorim është finalizuar. Pjesa struktorore, për shërbime sociale ëahtë baza e funksiobimit. Ka qendra që nuk kanë fare automjet. Vetëm 28 per qind e qendrave janë përgjigjur se aktualisht kanë kushte të ofrojnë shërbime”, shtoi ajo.

  • Haradinaj: Misioni ynë historik për liri e pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë

    Haradinaj: Misioni ynë historik për liri e pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar luftëtarët që dhanë jetën për liri.

    “Nderojmë veprën e heroit të luftës së lavdishme çlirimtare, Sali Çekaj, në ditën e rënies së tij dhe tërë sakrificën për liri të Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Sali Çekaj, luftëtar e atdhetar shumëdimensional, ra heroikisht 24 vjet më parë së bashku me bashkëluftëtarët e tij; Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Haradinaj tha se “misioni ynë historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së martirëve, të cilët gjithmonë do të jenë frymëzim dhe udhërrëfyes në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes sonë”.

    “Po ashtu, sot kujtojmë të rënët e pranverës së përgjakur në Rugovë e Podgur, të prirë nga Komandanti Selman Lajçi. Kujtojmë sakrificën e Batalionit “Atlantiku” – Yllin, Agronin dhe Mehmetin. Ata janë tregimi më i mirë për luftëtarin shqiptar ndër breza”, ka shtuar Haradinaj.