ATV

Author: ATVLive

  • ​Qeveria u ofron mbështetjen e plotë kryetarëve të sapo zgjedhur në veri

    ​Qeveria u ofron mbështetjen e plotë kryetarëve të sapo zgjedhur në veri

    Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lëshuar edhe një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, ku ka theksuar se fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje.

    Qeveria në këtë deklaratë vlerëson se zgjedhjet e djeshme ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë. Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje. Krahas institucioneve për punën e tyre, falënderojmë qytetarët për kurajën dhe qetësinë. Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Kryetarëve dhe asamblistëve të sapo zgjedhur në këto komuna u urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim”, thuhet në deklaratë.

  • Hovenier: Mbështesim planin 10-vjeçar të FSK’së për t’u bërë një forcë shumë-etnike

    Hovenier: Mbështesim planin 10-vjeçar të FSK’së për t’u bërë një forcë shumë-etnike

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, sot ka takuar gjeneralin e brigadës së Iowas, Stephen Osborn.

    Hovenier, ka thënë SHBA’të vlerësojnë partneritetin e qëndrueshëm të Iowas me FSK’në, pasi që ata mbështesin planin 10 vjeçar të FSK’së për tu bërë një forcë shumë etnike, profesionale, e ndërveprueshme nga NATO’ja për mbrojtjen territoriale.

    Po ashtu, ai ka thënë se takimi me Osbon ka qenë kënaqësi.

    “Kënaqësi të mirëpresim gjeneralin e brigade së Iowa-s, Stephen Osborn, në Kosovë. Ne vlerësojmë partneritetin e qëndrueshëm të Iowa-s me FSK-në pasi mbështesim planin 10-vjeçar të FSK-së për t’u bërë një forcë shumë-etnike, profesionale, e ndërveprueshme nga NATO-ja për mbrojtjen territoriale”, ka shkruar Hovenier në llogarinë e tij në Twitter.

  • BE: Zgjedhjet në Veri nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë, urgjent kthimi i serbëve në institucione

    BE: Zgjedhjet në Veri nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë, urgjent kthimi i serbëve në institucione

    Pas zgjedhjeve në Veriun e Kosovës, ka reaguar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano.

    Ai ka thënë se zgjedhjet në Veriun e Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për komunat përkatëse.

    Stano në Twitter po ashtu ka shkruar se kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është urgjente.

    ”Vota në veri nuk ofron zgjidhje politike afatgjata për komunat përkatëse. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione dhe themelimi i Asociacionit/Bashkësisë janë urgjente sikurse është dialogu serioz ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri”, ka shkruar Stano.

    Në zgjedhjet lokale të 23 prillit kanë marrë pjesë 3.47 e qytetarëve me të drejtë vote.

    Ato zgjedhje janë bojkotuar nga Beogradi, subjekt haptazi i lidhur me Beogradin zyrtar.

  • ​Osmani: Serbia pengon zgjedhjet në Kosovë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit

    ​Osmani: Serbia pengon zgjedhjet në Kosovë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke komentuar zgjedhjet në veri të vendit, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës.

    Ajo pas takimit me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka përgëzuar Komisionin Qendror Zgjedhor për përgatitjet e bëra, të cilat mundësuan realizimin e procesit të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

    “Falënderoj poashtu të gjitha institucionet e sigurisë për punën profesionale, të cilat siguruan një ambient të qetë e të sigurt përgjatë procesit zgjedhor, i cili ishte shtyrë nga dhjetori 2022 për në prill 2023. Institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës. Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serb të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal. Ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar”, ka thënë ajo, përcjell kp.

    Sipas Osmanit, Republika e Kosovës ka shprehur zotimin e saj në Samitin për Demokraci, të organizuar nën përkujdesin e Presidentit Biden, për të qëndruar krah përkrah me shtetet demokratike për ta luftuar dukurinë në rritje të ndërhyrjes nga jashtë në procese zgjedhore.

    “Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues. Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nda jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës do t`i shtojnë përpjekjet dhe do t’i qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, në mënyrë që të mbrohen nga kërcënimet e strukturave ilegale. Institucionet e Kosovës poashtu do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjik për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë, të cilat janë edhe në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të Brukselit. Jemi të vendosur që së bashku me qytetarët e këtyre komunave të punojmë për kushte gjithnjë e më të mira jetese, më shumë demokraci dhe mirëqenie në secilën lagje të secilës komunë”, ka thënë Osmani.

  • ​Tahiri: Të mërkurën do të ketë seancë për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    ​Tahiri: Të mërkurën do të ketë seancë për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Në mbledhjen e sotme të kryesisë nuk ka pasur kuorum, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Ai para gazetarëve ka folur për zgjedhjet e djeshme në katër komunat në veri të Kosovës.

    “Në si PDK e dimë gjendjen në atë pjesë dhe prej çfarë komunitetesh përbehet. Ka qenë obligimi ynë qytetar, që me aq sa do të ketë pjesëmarrje, e shohim një manipulim të madh të qytetarëve serbë. Nuk na gëzon fakti që kemi një situatë siç e kemi, ne dimë ta dallojmë legjitimitetin nga ilegaliteti”, tha Tahiri.

    Tahiri tha se të mërkurën do të ketë seancë të jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    “Do ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me arrestimet e fundit në KEK dhe një sjellje të pahijshme të mazhorancës. Në këtë rast ju e keni parë një gjuhë të pahijshme, kjo është e paprecent. Ky person të shkarkohet, bordi të shkarkohet”, ka thënë ai.

    Ai tha se bëhet fjalë për keqpërdorime milionëshe.

  • Për herë të parë pas pavarësisë, 4 komunat veriore do të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë

    Për herë të parë pas pavarësisë, 4 komunat veriore do të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë

    Për herë të parë që nga pavarësia e vendit, katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe, siç janë Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqit, do të udhëhiqen nga kryetarë të nacionalitetit shqiptar. Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Vetëvendosje ka fituar në komunën e Mitrovicës së Veriut me kandidatin Erden Atiq dhe atë të Leposaviqit me Lulzim Hetemin. Ndërkaq, PDK-ja ka fituar Zveçanin me Ilir Pecin dhe Zubin Potokun me Izmir Zeqirin.

    Ky rezultat erdhi si pasojë e bojkotit të zgjedhjeve nga Lista Serbe, e cila në të kaluarën fitonte mbi 90% të votës në pjesën veriore të vendit. Pas bojkotit të tyre, procesi u injorua edhe nga qytetarët e nacionalitetit serb, duke bërë që dalja të jetë tejet e ulët. Sipas KQZ-së, nga mbi 45 mijë qytetarë të cilët kanë të drejtë vote, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar vetëm 1567 prej tyre.

    Këtij rezultati i ka kontribuuar edhe shteti i Serbisë, të cilët u kanë bërë presion serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se e drejta për të votuar u është ofruar secilit qytetarë me të drejtë vote, dhe se procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë incident.

    “Sipas informacioneve të vazhdueshme që kemi pranuar nga këto komuna, procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar mundësinë dhe kushtet për të gjithë qytetarët me të drejtë vote në këto komuna, për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe institucionet demokratike”, ka thënë Radoniqi.

    Për këto zgjedhje ka reaguar edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë, të cilët kanë shprehur keqardhje për refuzimin e disa partive për të marrë pjesë në zgjedhje. Po ashtu, ata kanë theksuar se e vlerësojnë përpjekjen e Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike.

    “Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit”, thuhet në komunikatë.

    Ndërkaq, sipas ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dalja e ulët në zgjedhje nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike, teksa i ka lëvduar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in për profesionalizmin e tyre.

    “Zgjedhjet me një numër kaq të vogël votuesish nuk i kontribuojnë një zgjidhje politike. Është për keqardhje që disa parti nuk morën pjesë. Një pikë pozitive: profesionalizimi i Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. Tash është koha të implementohet marrëveshja e Ohrit”, ka shkruar ambasadori i Francës, Olivier Guerot, në Twitter.

    Pas publikimit të rezultateve, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se dy kandidatët e tyre që i kanë fituar zgjedhjet, do të qeverisin në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët pa dallim kombësie apo partie.

    Teksa edhe kreu i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, i ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar PDK-në dhe ka potencuar se e rëndësishme ka qenë që procesi ka qenë i rregullt dhe i qetë. Por, sipas tij, mbetet shqetësues fakti i numrit të vogël të qytetarëve që kanë votuar.

    “E rëndësishme është që procesi i sotëm ishte i rregullt dhe i qetë. Megjithatë, mbetet shumë shqetësues fakti që situata në pjesën veriore ka degraduar, gjë që u pa edhe nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje. Tani presim nga Qeveria që t’i marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë – për të zbatuar vullnetin qytetar dhe për të mundësuar konsolidimin e institucioneve në katër komunat e veriut”, ka thënë Krasniqi.

    Kandidatët e zgjedhur në komunat e veriut do të kenë mandat rreth dy vjet e gjysmë. Gjithsej 19 qendra të votimit i kanë shërbyer procesit zgjedhor, 6 nga to kanë qenë në objekte të zakonshme, ku janë mbajtur zgjedhjet edhe më herët, e 13 të tjera në objekte alternative, apo kontejnerë.

  • Megi Pojani shfaqet duke bërë veprime skandaloze në varreza, videoja “pushton” rrjetin

    Megi Pojani shfaqet duke bërë veprime skandaloze në varreza, videoja “pushton” rrjetin

    Një video e motrave Marsela dhe Megi të njohura si motrat Pojani, është bërë virale në rrjet. Ato shihen te varrezat e familjarëve të tyre të ndjerë, duke bërë veprime të pahijshme dhe skandaloze.

    Këto pamje që iu kanë rënë në sy të gjithëve tregon se si motrat Pojani janë tallur te varrezat, me sjellje të shkujdesur.

    Ishte Marsela, e cila ka publikuar videon ku shfaqet Megi teksa ‘pastron’ varrin duke kërcyer e tallur.

  • Bojkoti i zgjedhjeve nga serbët në veri, vjen reagimi i kryeministrit Kurti

    Bojkoti i zgjedhjeve nga serbët në veri, vjen reagimi i kryeministrit Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dalja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit është si pasojë e atmosferës së frikësimit dhe shantazhit nga Serbia.

    “Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka thënë Kurti.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, i ka falënderuar të gjithë menkanizmat që e kanë mundësuar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

    “Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”.

    Ndër tjera, ai shtoi se sistemi institucional dhe shërbimet publike në komunat do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë.

    “Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje. Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

  • Çka thanë ndërkombëtarët për zgjedhjet në Veri

    Çka thanë ndërkombëtarët për zgjedhjet në Veri

    Dje në katër komunat veriore të Kosovës janë mbajtur zgjedhjet. Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë, ndërsa në Leposaviq dhe Zveçan qytetarët kanë votuar për të zgjedhur kuvendet komunale. Pas shpalljes së rezultateve preliminare, kanë reaguar ambasadori francez dhe ambasada amerikane.

    Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa në Zveçan dhe Zubin Potok fitues kanë dalë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

    Në këto zgjedhje nuk ka marrë pjesë Lista Serbe, që ka ndikuar që serbët lokalë t’i bojkotojnë ato. Sipas KQZ-së, kutive të votimit i janë drejtuar 3,47 për qind.

    Pas të dhënave të publikuara nga KQZ, kanë reaguar ambasadori i Francës Olivier Guerot dhe ambasada amerikane në Kosovë.

    Ambasadori Guerot në një postim në Tëitter ka thënë se zgjedhjet më kaq pak votues nuk sjellin zgjidhje politike, derisa si pikë pozitive e përmend profesionalizimin e Policisë së Kosovës, KFOR-it e EULEX-it.

    Poashtu, Guerot ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

    ”Këto zgjedhje me kaq pak votues nuk sjellin zgjidhje politike. Na vjen keq për mungesën e pjesëmarrjes nga disa parti. Pika pozitive: profesionalizmi i policisë së Kosovës, Kfor / EULEX. Tani duhet të zbatojmë marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar ai.

    Për zgjedhjet në Veri, ambasada amerikane në Kosovë e ka lëshuar një komunikatë, ku thuhet se ky proces u mbajt në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Ambasada ka thënë se “u vjen keq” që jo të gjitha partitë e kanë shfrytëzuar të drejtën për garuar.

    ”Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatë.

    ”Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet”.

    Ambasada e SHBA-së thotë se do të angazhohen me palët relevante për hapata e ardhshëm dhe përmend zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

    ”Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, përmbyllet komunikata.

    Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Lulzim Hetemi nga radhët e VV-së fitoi garën për kryetar të Leposaviqit me 100 vota, apo 73.5 për qind të atyre që shfrytëzuan të drejtën e votës.

    Ndërkohë ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, ka vizituar dje disa vendvotime në Leposaviq. Ai ka thënë që shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.

    ‘’Kjo është hera e parë që Lista Serbe i bojkoton zgjedhjet. Pastaj është e mundshme që zgjedhjet të mbahen kudo, me shumë mundësi në shkolla si më parë. Lista Serbe mori pjesë në zgjedhje tetë herë. Kjo është hera e parë që ata nuk participuan, fatkeqësisht. Por sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet duhet të mbahen dhe ky është vendimi i Presidentes’’, tha Westerlund.

    Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota. Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci po nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota. Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.

    Sipas Policisë së Kosovës, zgjedhjet në Veri u mbajtën pa incidente.

    ”Policia e Kosovës (PK), deri në këtë fazë realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, proces ky i cili në aspektin e sigurisë vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident”, thuhej në komunikatë.

  • Gjendet i vdekur një person në Prizren

    Gjendet i vdekur një person në Prizren

    Një person është gjetur i vdekur dje në fshatin Poslisht të Prizrenit.

    Sipas Policisë, mjeku përgjegjës e ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Raportohet se në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Njësitë relevante policore dhe një ekipet mjekësore kanë dal në vendin e ngjarjes, mjeku përgjegjës ka konstatuar vdekjen e viktimës. Dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një armë dhe një gëzhojë plumbi që dyshohet se është përdorur në rast si dhe 13 fishekë. Po ashtu janë sekuestruar edhe dy pushkë me 20 fishekë, dy revole, gjashtë karikator dhe 130 fishekë.”, ka informuar Policia.

    Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”.