ATV

Author: ATVLive

  • IKD: Kuvendi u injorua nga Qeveria

    IKD: Kuvendi u injorua nga Qeveria

    Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka vlerësuar të dobët punën e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2022.

    IKD ka thënë se Kuvendi nisi punën pa miratuar Programin e Punës për vitin 2022, edhe pse një program i tillë parashihet me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, dhe pa miratuar edhe programin e punës të sesionit vjeshtor në seancë plenare.

    Ndërsa, tha se viti 2022 e karakterizoi Kuvendin me numër të madh të pikave të rendit të ditës nga seancat e mbetura nga viti 2021.

    “Seancat e rregullta të Kuvendit janë karakterizuar me vazhdime të shumta të seancave, që përbëjnë 53% të totalit të seancave të rregullta. Kontrolli parlamentar lidhur me punën e qeverisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura pothuajse ka qenë inekzistent. Në së paku 18 raste, Kuvendi ka dështuar të miratojë raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura. Po ashtu, ka dështuar në 18 raste të zgjedhë organet kolegjiale dhe inviduale, duke bërë pengesë të funksionimit të tyre”, thuhet në raportin e IKD-së nga monitorimi i punës së Kuvendit për vitin 2022.

    Sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, IKD-ja ka gjetur se Kuvendi u injorua nga Qeveria, përderisa Kryetari i Kuvendit apo Kryesuesi i seancës nuk morën masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me Rregullore.

    “Edhe kjo legjislaturë, është karakterizuar nga gjuha jo parlamentare, polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, thotë raporti i cili është prezantuar nga Naim Jakaj.

    Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar 9% e deputetëve janë përballur me ligjin.

    Kurse, theksohet se transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit mbetet sfidë.

    “Mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen nga Kuvendi. Ndërsa jashtë funksionit mbetet votimi elektronik në seancat plenare, duke pamundësuar informimin e qytetarëve për votat e tyre”.

    Në lidhje me aktivitetin legjislativ, puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet, sipas IKD-së.

    “Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mos pjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit. Në fund të vitit 2022, Kuvendi nuk i ka shqyrtuar në parim nëntë projektligje dhe në lexim të dytë dy projektligje. Përkundër faktit që i ka shqyrtuar, Kuvendi nuk ka arritur të vendosë për tre projektligje në lexim të parë dhe për një projektligj në lexim të dytë. Këto projektligje janë bartur për shqyrtim dhe votim në sesionin pranveror të vitit 2023”.

    Kuvendi, për më tej, nuk e ka votuar asnjë projektligj të sponsorizuar nga ana e grupeve parlamentare opozitare (4 prej tyre), në ndërkohë ka votuar për dy projektligje të sponsorizuara nga grupi parlamentar i shumicës parlamentare.

    Jakaj ka thënë se Kuvendi ka rritur përdorimin e praktikës së shmangies së afateve të parapara me rregulloren e Kuvendit në lidhje me shqyrtimin e projektligjeve të rëndësishme.

    “11% e projektligjeve janë miratuar në procedurë të përshpejtuar, ku në të shumtën e rasteve, përshpejtimi u propozua nga GP i LV-së”.

  • LV-ja krenohet me liberalizimin e vizave – Opozita thonë s’e kjo Qeveri s’ka merita

    LV-ja krenohet me liberalizimin e vizave – Opozita thonë s’e kjo Qeveri s’ka merita

    Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron si meritë të kësaj Qeverie dhe aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndërkohë, të kundërtën e thonë dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Sipas PDK-së e LDK-së, me fajin e mazhorancës ka humbur momentumi që Kosova ta fitojë liberalizimin qysh në vitin 2016, pasi kjo parti sa ishte në opozitë e kundërshtonte demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

    Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci konsideron se Kosova ka më shumë stabilitet se çdo vend tjetër i rajonit. Ajo thotë se heqja e regjimit të vizave ka ardhur si rezultat i përmirësimit në raport me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

    “Mund të them se aktualisht përqendrimi dhe fokusi në këtë demokracinë tonë të re po e përcjell edhe elementet tjera që flasin për forcimin e demokracisë si demokracia më e fortë në gjithë rajonin, duke e marrë për bazë edhe çështjen e qëndrueshmërisë financiare dhe performancës ekonomike të cilat japin një stabilitet më të lartë se sa pjesa tjetër e rajonit, përmirësimi në raport me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, janë sinjale shumë pozitive të cilat janë mirëpritur edhe nga ana e eurodeputetëve, besoj që tani janë përcjellë edhe tutje në mekanizmat të cilët janë në kuadër të BE-së, andaj këtu shohim edhe suksese të cilat përfshijnë edhe liberalizimin e vizave edhe hapin e parë karshi Këshillit të Evropës, i cili në pilar ka çështjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit si dhe demokracisë”, thotë Statovci.

    Por të kundërtën e thotë deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra. Hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, Deliu-Kodra e quan lajm të mirë, por që kërkon më shumë punë drejt anëtarësimit në KiE.

    “Natyrisht që aplikimi për Këshill të Evropës dhe fakti që Kosova e ka kaluar një raund të parë, është lajm i mirë për Kosovën dhe natyrisht duhet t’i gëzohemi të gjithë edhe pse është vetëm fillimi i një angazhimi. Ju e keni parë edhe angazhimin e shteteve dhe na mbetet ende punë për të bërë që ne ta mbërrijmë anëtarësimin në këtë mekanizëm të rëndësishëm”, u shpreh Deliu-Kodra, teksa fajëson VV-në për vonesat në liberalizimin e vizave.

    “Ndërkohë për çështjen e vizave, unë konsideroj që ka qenë një padrejtësi e madhe që iu është bërë Kosovës. Ne në vitin 2016 i kemi përmbushur të gjitha kriteret. Nuk është çështje e meritave, sa që është e dhimbshme që qytetarët e Kosovës për kaq vite kanë jetuar të izoluar nga një e drejtë e cila padrejtësisht iu është mohuar Kosovës. Në vitin 2016. vendimi ka qenë politik, arsyetimi i BE-së ka qenë që është marrë nga Këshilli i Ministrave, dhe natyrisht që zhvillimi i rrethanave të reja, fakti që ne për tri vite e kemi humbur një momentum që e kemi prolonguar demarkimin e kufirit me Malin e Zi, dhe për këtë ka një përgjegjësi por po e them se nuk mund të bëhet fjalë për merita sepse padrejtësisht janë privuar nga një e drejtë qytetarët e Kosovës”, thotë Deliu-Kodra.

    Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, vonesat për liberalizimin e vizave për kosovarët ka ardhur si pasojë e kundërshtive të Demarkacionit me Malin e Zi.

    Thotë se Vetëvendosja e ka shtyrë edhe më shumë procesin e liberalizimit.

    “Jo aspak nuk ka merita e sidomos sa i përket liberalizimit të vizave, sepse në vitin 2015-16, Kosova ka qenë në pak me Gjeorgjinë dhe Ukrainën në çështjen e liberalizimit të vizave, ndërsa në atë kohë ka qenë marrëveshja e Demarkacionit ku kjo parti sa ka qenë në opozitë ka bërë protesta të dhunshme, gjithashtu në Kuvend ka hedhur gaz lotsjellës kundër kësaj marrëveshje. Pra kjo (VV) vetëm e ka shtyrë procesin e liberalizimit të vizave, mirëpo tani ka ardhë një momentum tjetër duke e ditur luftën në Ukrainë dhe pak a shumë edhe marrëveshja e cila është dakorduar në Ohër, pra këto dy procese siç duke kanë lidhje me marrëveshjen”, thotë Krasniqi. /EO

  • Khloe Kardashian përballet me kancer

    Khloe Kardashian përballet me kancer

    Khloe Kardashian zbuloi më shumë detaje rreth frikës së saj nga kanceri i lëkurës në një trailer të ri për sezonin e tretë të “The Kardashians”.

    “Melanoma është vdekjeprurëse”, tha Kardashian. “Kjo është shumë më serioze nga sa parashikoja të ishte.”

    Traileri dha një paraqitje të shkurtër se sa të shqetësuar ishin miqtë dhe familja e Kardashian gjatë trajtimit të saj për një melanoma në faqe.

    Kardashian zbuloi për herë të parë diagnozën e saj të melanomës në tetor, duke detajuar përvojën e saj që ajo tha se filloi muaj më parë kur vuri re për herë të parë një gungë të vogël në fytyrën e saj.

    “Pasi vura re një gungë të vogël në fytyrën time dhe supozova se ishte diçka e vogël sa një zgavër, vendosa ta bëja atë me biopsi 7 muaj pasi kuptova se nuk po lëvizte”, tha Kardashian në Instagram në atë kohë.

    Kardashian shtoi se ajo bëri biopsi të gungës pasi dy dermatologë i thanë se mund të ishte një gjendje “tepër e rrallë” për dikë në moshën e saj.

    “Disa ditë më vonë më thanë se duhet të bëja një operacion të menjëhershëm për të hequr një tumor nga fytyra ime,” tha ajo.

    Ajo tha se do të duhej të mbante një fashë në faqe pas operacionit dhe shumë fansa më vonë lanë komente në fotot e saj duke pyetur se çfarë kishte në fytyrën e saj.

  • ​Abdixhiku: Lidhja jonë është e fortë

    ​Abdixhiku: Lidhja jonë është e fortë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sonte në Gjakovë kanë zhvilluar takimin e radhës “LDK ju dëgjon”.

    Abdixhiku ka shkruar në Facebook se aty në mes qytetarëve e veprimtarëve të tyre, marrin energjinë për të vazhduar.

    “Në takimet tona, tashmë të zakonshme në çdo qytet, përveç se marrim fotografinë e drejtë të vendit tonë, marrim dhe energjinë e mbështetjen e domosdoshme për të vazhduar tutje. Lidhja jonë është e fortë. Gjakova sonte dukej bukur”, ka shkruar ai.

  • Ligji i Pagave, Ministria e Financave konfirmon se po punojnë në evitimin e gabimeve

    Ligji i Pagave, Ministria e Financave konfirmon se po punojnë në evitimin e gabimeve

    Ministria e Financave bashkë me atë të Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se sot do të ekzekutohen pagat e treta për sektorin publik sipas Ligjit për Paga që u votua në shkurt.

    Bëhet e ditur se këto dy ministri po punojnë në evitimin e gabimeve dhe se pas përmirësimeve, të gjithë zyrtarët publik do ta marrin në mënyrë retroaktive diferencën për të gjithë muajt, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

    “Gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për (i) punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, (ii) punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, këto dy ministri kanë bërë të ditur se kërkesat që shqyrtohen nga to kanë përafërsisht bazë si në shpjegimet që mund t’i gjeni më poshtë:

    1. Punonjës aktual që nuk u janë ekzekutuar pagat (në prioritet brenda muajit mars – pagat u paguhen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
    2. Punonjës të rinj që punësohen/lidhin kontratë pas hyrjes në fuqi të Ligjit (në prioritet brenda muajit mars);
    3. Punonjës të cilëve, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, u është përcaktuar koeficient i gabuar në raport me koeficientin sipas sistemit të vjetër të pagave (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim–pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
    4. Punonjës të cilëve vet shtojca përkatëse e Ligjit u ka përcaktuar klasifikim të posaçëm, p.sh ekspertë sipas shtojcave të posaçme, specialistët, inspektorët, punonjësit në arsim, shëndetësi, art, kulturë e trashëgimi kulturore apo një fushë tjetër, (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim – pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
    5. Punonjës të cilët kanë kërkuar ndërrim klase, statusi apo kategorie nga çfarë janë aktualisht (kjo kategori mund të rishikohet vetëm pas miratimit të strukturës organizative përmes aktit që përmban klasat për secilin pozicion brenda strukturës. Institucionet obligohen sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të përfundojnë miratimin e akteve normative që rregullojnë ndër të tjera, klasifikimin e vendeve të punës në kuadër të strukturave përkatëse).
    6. Arsye të tjera.
  • Lajçak nga Greqia: S’është koha për ta hapur Urën e Ibrit

    Lajçak nga Greqia: S’është koha për ta hapur Urën e Ibrit

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur i prerë për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit. Ai ka thënë se nuk është koha për ta bërë një gjë të tillë.

    Lajçak këtë e ka thënë në forumin e Delfit në Greqi, ku pjesëmarrës është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Emisari evropian e ka quajtur kalim nga kriza në tjetrën diskutimet për targat, energjinë elektrike e tokat, duke kërkuar nga pala kosovare dhe serbe të shmangin veprimet e një-anshme.

    “Ne ende po na u duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak, teksa tha se të dyja palët duhet të respektojnë vijat e kuqe të njëra-tjetrës.

    Këshilltarët komunal në veri të Mitrovicës e kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Kjo është bërë me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli.

    Reagimi i Lajçak është i pari që vjen nga ndërkombëtarët lidhur me propozimin e VV-së në komunën veriore të Mitrovicës për hapjen e Urës së Ibrit.

  • Kurti nga Greqia: BE-ja, projekti më i rëndësishëm – duhet ta mbrojmë

    Kurti nga Greqia: BE-ja, projekti më i rëndësishëm – duhet ta mbrojmë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë Forumit Ekonomik të Delphit që po mbahet në Greqi ka thënë se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm politik.

    Ai tha se BE-ja, po ashtu është edhe procesi historik i paqes dhe prosperiteti që nga Lufta e Dytë Botërore, projekt të cilin duhet “ta ushqejmë dhe mbrojmë”.

    “Në qershor do të bëhen njëzet vjet nga Samiti i Selanikut dhe premtimi për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor. Për të bërë një hap të madh përpara, nevojitet një mendim i ri”, ka shkruar Kurti.

  • U nda nga babai kur i kishte veç 6 muaj, e pa në ëndërr pas 20 vjetëve duke i thënë “Sa qenke rritur”

    U nda nga babai kur i kishte veç 6 muaj, e pa në ëndërr pas 20 vjetëve duke i thënë “Sa qenke rritur”

    Historia e Marigona Pretenit është pasqyrë e shumë familjeve të prekura nga lufta e fundit në Kosovë.

    E ndarë nga babai i saj kur ishte vetëm 6-muajshe, Marigona u rrit pa e ditur kurrë se çfarë i ndodhi me fatin e tij.

    Pavarësisht kalimit të kohës, Marigona ende ka shpresë se një ditë do të mund të marrë ndonjë lajm për fatin e babait të saj.

    Në emision STUDIO A në ATV, mes lotësh, ajo tregon se si e kishte parë babain e saj në ëndërr pas 20 viteve, i cili i kishte thënë “Sa qenke rritur”.

    Historia e saj është një kujtim prekës i plagëve që la lufta e fundit në Kosovë për shumë familje shqiptare. /atvlive.tv

  • ​Jep dorëheqjen shefi i BBC-së

    ​Jep dorëheqjen shefi i BBC-së

    Shefi i BBC-së, Richard Sharp dha dorëheqjen të premten pasi një hetim i pavarur doli në përfundimin se ai kishte shkelur rregullat, duke mos deklaruar një konflikt të mundshëm interesi, lidhur me rolin e tij në sigurimin e një kredie prej 1 milion dollarësh, për ish-kryeministrin, Boris Johnson.

    Largimi i tij vjen në një kohë kur është rritur vëmendja lidhur me paanësisë së transmetuesit publik britanik të financuar nga publiku. Muajin e kaluar BBC ishte në epiqendra e titujve të parë të gazetave për shkak të kritikave të prezantuesit të famshëm sportiv Gary Lineker ndaj politikave të qeverisë mbi migracionin.

    Zotit Sharp, një ish-bankier i bankës së investimeve ‘Goldman Sachs’ dhe donator i Partisë Konservatore në pushtet, mori drejtimin e BBC-së në vitin 2021.

    Prej muajit shkurt të këtij viti, ai ka qenë nën trysni pasi një komision ligjvënësish, ofroi një raport kur thuhej se ai kishte bërë “gabime të rënda në gjykim”, duke dështuar të deklarojë, se ishte përfshirë në çështjen e huasë së marrë nga zoti Johnson.

    Zoti Sharp ka rënë dakord të qëndrojë në detyrë deri në fund të qershorit deri në caktimin e zëvendësuesit të tij.

    Edhe pse shefi i BBC-së emërohet nga qeveria, pavarësia e transmetuesit është një element i rendësishëm që e bën atë që të luajë një rol qendror në jetën kulturore britanike. BBC-ja financohet nga një tarifë që paguajnë familjet britanike (taksa e televizorit).

    Zëdhënësja për kulturën e Partisë Laburiste të opozitës, Lucy Powell, tha se “qasja e pamoralshme dhe favorizimi i miqve’ nga ana e qeverisë konservatore, kishte dëmtuar reputacionin e BBC-së. Ajo shtoi se ishte i nevojshëm “një proces vërtet i pavarur dhe i fortë” në emërimin e pasardhësit të zotit Sharp.

    I pyetur nga gazetarët nëse kreu i ri i BBC-së duhet të ishte një emërim jo politik, kryeministri Rishi Sunak, i cili ka punuar me zotin Sharp në ‘Goldman Sachs’, tha: “Ekziston një proces i përcaktuar qartë mbi emërimet dhe do të ishte mire që ta trajtojmë këtë çështje në kohën e duhur”.

    Pikëpyetjet në lidhje me paanësinë e BBC-së janë vetëm një nga sfidat me të cilat përballet transmetuesi. Transmetuesi publik po has vështirësi për të ruajtur ndikimin tek audienca më e re në moshë, e cila nuk sheh më televizor, mes problemesh të tjera, që lidhen me shkurtimin e buxhetit.

    Hetimi i emërimeve publike

    Hetimi i nisur nga mbikëqyrësi i emërimeve publike, shqyrtoi mënyrën se si zoti Sharp u zgjodh nga qeveria për të kryesuar transmetuesin.

    Në mënyrë të veçantë, u shqyrtua nëse zoti Sharp kishte deklaruar të gjitha detajet mbi rolin e tij në lehtësimin e procedura për marrjen e një kredie prej 800,000 paundësh ose 1 milion dollarësh, nga zoti Johnson, përpara se ai të emërohej shef i BBC-së.

    Hetimi zbuloi se zoti Sharp kishte shkelur kodin e qeverisë për emërimet publike, por kjo shkelje jo domosdoshmërisht e bënte të pavlefshëm emërimin e tij. Zoti Sharp ka thënë se veprimet e tij ishin “të paqëllimshme dhe pa përfitim material”.

    Por megjithatë ai tha se besonte se qëndrimi i tij deri në fund të mandatit katërvjeçar do të krijonte shpërqendrim nga “puna e mirë” që kryen transmetuesi.

    “E konsideroj të drejtë t’i jap përparësi interesave të BBC-së”, tha zoti Sharp në një deklaratë. “Ndaj, këtë mëngjes dhashë dorëheqjen si shef i BBC-së”.

    Në raport përmendet se zyra e zotit Johnson, kur ky i fundit ishte kryeministër, rekomandoi zotin Sharp si “një kandidat të fortë” për detyrën e shefit të BBC-së, mes 23 aplikimesh për këtë post.

    Zoti Sharp ka pohuar se ai nuk ishte i përfshirë në dhënien e kredisë ose në rregullimin e një garancie mbi kredinë, por se ai nuk kishte bëri asgjë më shumë se sa një prezantim të biznesmenin kanadez Sam Blyth, me një zyrtar qeveritar në fund të vitit 2020.

    Andrew Heppinstall, i cili kreu hetimin, tha se ishte “i lumtur të shënonte” në raport që nuk kishte parë asnjë provë se zoti Sharp kishte luajtur ndonjë rol në çështjet private financiare të zotit Johnson, përveç përpjekjes për prezantim me biznesmenin kanadez.

  • Dick Marty për kërcënimin me vrasje: Qëllimi i kriminelëve serbë ishin të fajësonin Thaçin

    Dick Marty për kërcënimin me vrasje: Qëllimi i kriminelëve serbë ishin të fajësonin Thaçin

    Ish-senatori zviceran Dick Marty ka pohuar se inteligjenca serbe e ka kërcënuar atë për ta fajësuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin për vrasjen e tij, shkruan gazeta zvicerane Blick, përcjell atvlive.tv.

    Në një intervistë për Radio Televizionin Zviceran, Marty deklaroi se përgjegjësit për kërcënimet kishin lidhje me shërbimet sekrete serbe, të cilët kishin frikë se Thaçi mund t’i shmangej drejtësisë.

    Marty shprehu zhgënjimin për mungesën e ndërhyrjes së autoriteteve zvicerane pas kërcënimeve.

    Ai u vendos nën mbrojtje të lartë policore në dhjetor të vitit 2020 pas kërcënimeve nga shërbimi inteligjent serb.

    Në një deklaratë në atë kohë, Marty kishte pohuar se kërcënimet ishin një përpjekje për të transferuar fajin për vrasjen e tij në Kosovë.

    Ish-senatori është autor i një raporti që akuzon krerët e UÇK-së për krime lufte. /atvlive.tv