ATV

Author: ATVLive

  • Vikend me vranësira dhe shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Vikend me vranësira dhe shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë me vranësira si dhe intervale të shkurtra me diell, gjatë mbrëmjes pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 19 gradë Celsius.

    Ndërsa dita e nesërme në vendin tonë do të jetë me vranësira të shpeshta si dhe kthjellime.

    Temperatura minimale do të jetë në Mitrovicë me 0 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Gjakovë me 21 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Soprano Elbenita Kajtazi mahnitë publikun në Paris

    Soprano Elbenita Kajtazi mahnitë publikun në Paris

    Sopranoja kosovare që tash e një kohë ushtron profesionin e saj duke performuar në qendrat më të mëdha evropiane është vlerësuar nga kritika e shtypi françez për paraqitjen e saj në Opéra Comique në Paris në rolin e Micaela nga opera “Carmen “ e kompozitorit Georges Bizet.

    “Me një teknikë vokale të mrekullueshme dhe të paarritshme, një delikatesë të pamohueshme në timbër dhe një mjeshtëri të bukur në fuqi vokale. Ajo ishte jashtëzakonisht bindëse në portretizimin e personazhit të brishtë” shkruan Forumopera.

    Ky sukses i sopranos Kajtazi i bëri krenar edhe dikasterin e kulturës në nivel shtetetëror të Republikës së Kosovës.

    “ I artë ishte edhe debutimi në Opéra-Comique në Paris i sopranos Elbenita Kajtazi . Aria e saj “Unë them se asgjë nuk më tremb”, interpretuar me ndjeshmëri të madhe dhe një zë të kthjellët me nota të larta rrezatuese, i dha asaj një duartrokitje të gjatë nga publiku. Kështu thuhet në njërën nga shumë kritikat e publikura në shtypin francez kushtuar punës, përkushtimit dhe talentit të Kajtazit.

    “Sukseset si këto na zgjojnë ndjenja të fuqishme krenarie” shkruhet në postimin nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

  • Problemet financiare te klubi katalunas, “Barça TV” mbyllet pas 24 vitesh

    Problemet financiare te klubi katalunas, “Barça TV” mbyllet pas 24 vitesh

    Televizioni zyrtar i klubit të Barcelonës, “Barça TV” do të mbyllet pas gati 24 viteve punë.

    Sipas informacioneve të “RAC1”, nga data 30 qershor, kur finalizohet përfundimi i kontratës me kompaninë “Telefonica”, “Barça TV” do të mbyllë transmetimin.

    Kjo gjithashtu do të sjellë shkarkimin e 150 punonjësve që punojnë në televizionin e klubit. Ky vendim u është komunikuar edhe punonjësve, të cilët sigurisht nuk e kanë pritur mirë.

    Me këtë vendim, Barcelona do të kursejë 8 milionë euro në vit, siç e konfirmon “RAC1” dhe “SPORT”.

    Ky vendim është një nga masat e shumta që bordi drejtues i drejtuar nga presidenti i klubit, Joan Laporta, për të ulur kostot dhe për të pasur diferencë me fair play financiar. Ai parashikon zbritje në të gjithë sekotrë dhe seksionet e klubit për të marrë pjesë në merkato dhe, mes operacioneve të tjera, për të konkretizuar rikthimin e Lionel Messi në skuadër.

    Barcelona do të eksplorojë rrugë të reja për të vazhduar nxjerrjen e përmbajtjes së saj në formë ekskluzive. Kuptohet që rrjetet sociale të klubit do të marrin më shumë peshën e transmetimit të informacionit.

  • Programi në radion zvicerane transmetohet nga inteligjenca artificiale

    Programi në radion zvicerane transmetohet nga inteligjenca artificiale

    Radiostacioni zviceran, Couleur 3, të enjten, po transmeton një program gjithëditor të krijuar tërësisht nga inteligjenca artificiale, njoftoi radiostacioni.

    “Nuk do të dëgjoni prezantuesit e vërtetë të Color 3 sot. Robotët kanë marrë nën kontroll studion dhe zërin e tyre”, kanë shkruar ata në Twitter.

    Nga ky eksperiment përjashtohen vetëm lajmet, bëri të ditur radiostacioni.

    Programi i kanalit muzikor të radios dhe televizionit publik zviceran, RTS në gjuhën frënge, është prodhuar me ndihmën e programit të robotit të të folurit ChatGPT, i cili ka shkaktuar komente të ndryshme në publik që nga fundi i vitit të kaluar, transmeton Dpa.

    Prezantuesit më parë kishin klonuar zërat e tyre dhe ishin përdorur për të kryer intervista me zërat e klonuar të ish-presidentëve amerikanë, Barack Obama dhe Donald Trump, ndër të tjera.

    “Duket si Couleur 3, por prezantuesit janë zëvendësuar nga inteligjenca artificiale”, thotë prezantuesja e supozuar, pra një inteligjencë artificiale, zëri i së cilës nuk dallohet nga ai i një gazetari të vërtetë.

    Televizioni publik zviceran ofron programe në të katër gjuhët zyrtare të vendit: RTS transmeton në frëngjisht, SRF në gjermanisht, RSI në italisht dhe RTR në romanisht – gjuhë e folur në kantonin Grisons.

    Në fund të marsit, miliarderi amerikan, Elon Musk, dhe një grup ekspertësh në inteligjencën artificiale bënë thirrje për një pushim gjashtë-mujor në sistemet e trajnimit të Inteligjencës Artificiale.

    Në një letër të hapur, ata deklaruan se këto sisteme janë më të fuqishme që nga lansimi i fundit i një versioni më të avancuar të chatbot ChatGPT nga Open AI, shkruan Reuters.

    Letra, e publikuar nga Instituti jofitimprurës, Future of Life, u nënshkrua nga më shumë se 1.000 njerëz, përfshirë Muskun.

  • “U mashtrova me nënshkrimin e Ronaldos”, presidenti i Al-Nassr habit me deklaratën

    “U mashtrova me nënshkrimin e Ronaldos”, presidenti i Al-Nassr habit me deklaratën

    Musalli Al-Muammar, presidenti i Al-Nassr, thuhet se ndihet i mashtruar me transferimin e Cristiano Ronaldos te ekipi i tij.

    Ronaldo u transferua me bujë në Arabinë Saudite, mirëpo ai nuk arriti ta ndihmonte ekipin në fitoren e trofeve.

    Ka pretendime se presidenti i klubit, Al-Muammar ka vënë në shënjestër Ronaldon në lidhje me ndikimin e tij të pakët në ekip.

    Sipas Al-Muammar, nënshkrimi me Ronaldon ka qenë njëri nga dy mashtrimet më të mëdha që i ka përjetuar në jetë.

    “Unë jam mashtruar vetëm dy herë në jetën time”, thuhet të ketë thënë fillimisht Al-Muammar për Arabia News 50.

    “Hera e parë ishte kur kërkova tre qebapë ata më dhanë vetëm dy, herën e dytë kur firmosa me Cristiano Ronaldon”, përfundoi presidenti i Al-Nassr.

    Gjatë 14 ndeshjeve, Ronaldo arriti të shënonte 11 gola, teksa Al-Nassr u eliminua nga garat e kupave, kurse në kampionat ndodhen në pozitën e dytë në tabelë me gjashtë pikë më pak se vendi i parë.

  • Botimet e reja të Kosovës po prezantohen në Gjermani

    Botimet e reja të Kosovës po prezantohen në Gjermani

    Biblioteka Kombëtare e Kosovës, nëpërmjet botimeve më të reja të botuesve në vend, po përfaqëson Kosovën në Panairin e Lajpcigut në Gjermani.

    “Libërthi i dashurisë”, “Kësulëkuqja: përrallë për të rritur”, “Një amerikane në Kosovë 1981-1997”, “No Man’s Lands: eight extraordinary women in Balkan history” dhe “Le Serpent à deux tetës”, janë titujt të cilët po prezantohen dhe diskutohen në panele të ndryshme.

    Stenda e Kosovës u vizitua nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, si dhe autorë, përkthyes, dhe botues të shumtë. Në hapje mori pjesë edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku.

    Pjesëmarrja e Kosovës në panair, i cili do të vazhdojë deri më 29 prill, po përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Stenda e Kosovës dhe Shqipërisë janë pranë në Panairin e Librit në Leipzig.

    Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti dhe ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko, ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së stendës së Tradukit, ku kanë hapësirën e tyre.

    Së shpejti dhe Kosova do të jetë pjesë e Tradukit, një hapësirë që gjeneron kulturë në rajon.

  • Limaj: Politika e Kurtit është me heq dorë nga veriu, do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur

    Limaj: Politika e Kurtit është me heq dorë nga veriu, do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur

    Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti me politikat e tij, po dëshiron që të heq dorë nga veriu i Kosovës.

    Sipas Limajt, rezultatet 2 vjeçare e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje, të cilën e quan të rëndë. Ai thotë se këtë po e bën në emër të patriotizmit.

    Kreu i Nismës ka folur edhe për mundësinë e marrëveshjes me Serbinë, të cilën e quan të dëmshme.

    Ai konsideron se me politikat e Kurtit do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur.

    “Albin Kurti vazhdon me këtë politikë, po, sepse politika e zotëri Kurti me heq dorë nga pjesa veriore, nëse i shihni potezat e tij, ai qëllimshëm i ka shpëtuar procesit. Krejt kjo politike është me heq dorë nga pjesa veriore e Kosovës, dhe kjo kamuflohet në emër të patriotizmit. Mos pritni që dikush nga Prishtina që ne po shkojmë po i bëjmë këto politika sepse po dëshirojmë të heqim dorë nga veriu, ju duhet t’i shihni përmbajtjen dhe rezultatin e atyre politikave. Rezultatet që i ka bërë kjo Qeveri për 2 vjetet e fundit në drejtim të veriut, janë përshpejtim dhe objektiv për të hequr dorë nga veriu, dhe kjo fatkeqësisht me një ritëm të shpejtë po ndodh. Nëse vazhdon kështu me këtë politikë, shumë shpejt do të ndodh ajo që pak kush e ka pritur”, u shpreh Limaj.

    Ndërkaq për mundësinë e marrëveshjes me Serbinë, Limaj thotë se Kosova nuk ka pasur asnjëherë më të dëmshme.

    Ai kritikon ekzekutivin që nuk është në dijeni për ekipin që është duke e hartuar Asociacionin.

    “Kryeministri juaj dhe i vendit tim thotë publikisht se ‘askush nuk më ka pyetur’ për marrëveshje, pra në këtë nivel ka ardhë ky që thoshte se nuk di çka është presioni. Një njëri që mbi 50 për qind ia ka dhënë populli i Kosovës, për të bërë një politikë krejt ndryshe, të dinjitetshme e me integritet. Ai njëri në emër të cilëve ka marrë votën, ai del dhe thotë se ‘as që kam negociuar ma kanë dhënë merre leje’. Tash po thotë, që se di as ekipin që është duke e hartuar statutin”, thotë Limaj.

    Kjo fazë, sipas Limajt nuk ka ndodhur as në kohën kur Kosova ka funksionuar me institucione paralele. Thotë se atë kohë, nuk është vendosur për Kosovën, pa negociata.

    “Nëse ty marrëveshja të vjen pa negociuar, nëse nuk e di se kush po e bën statutin, çfarë kryeministri është. Në temën kryesore të vendit, në çështjen nacionale. Kështu që, asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë e Kosovës, edhe atëherë kur nuk na ka njohur askush, kemi pas të drejtë, edhe në institucionet paralele asgjë nuk kanë pasur të drejtë me vendos për Kosovën pa u negociuar. Për herë të parë ndodh në Kosovë që kryeministri i vendit tonë që ka për detyrë me qeveris dhe me mbrojt kushtetutshmërinë”, thotë Limaj. /EO

  • Aplikimi për BE simbolik – procesi mund të zgjasë 30 vjet, ish-kolegët thonë se Kurti po fokusohet veç në dialog

    Aplikimi për BE simbolik – procesi mund të zgjasë 30 vjet, ish-kolegët thonë se Kurti po fokusohet veç në dialog

    Ish-bashkëpartiakët e kryeministrit Albi Kurti, e kanë kritikuar qasjen e Qeverisë së tij sa i përket procesit të integrimit në arenën ndërkombëtare.

    Sipas tyre kjo Qeveri gjatë këtyre viteve më shumë ka pasur çnjohje se sa njohje të reja. Ata kanë shtuar se Qeveria është fokusuar më shumë në çështjen e dialogut me Serbin edhe pse kjo nuk ka qenë fillimisht prioritet.

    Sa i përket aplikimit të Kosovës për statusin e vendi kandidat në Bashkimin Evropian, ata thonë se ky proces lidhte me suksesin që do të ketë procesi i dialogut me Serbinë.

    Ish-anëtari i Vetëvendosjes, Nol Nushi, tani sekretar organizativ në Partinë Socialdemokrate, ka thënë se aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE është më shumë si një aplikim simbolik, pasi sipas tij, ky proces do të zgjas deri në 30 vjet që të përfundoj.

    “Unë atë e kam parë më shumë si aplikim simbolik duke e parë situatën edhe luftës në Ukrainë ku u angazhuan në NATO Finlanda dhe ndodhën disa zgjerime kështu të përshpejtuara edhe Kosova e bëri këtë aplikim në këtë linjë, me demek krahu perëndimorë kundër Rusisë. Nuk shohë ndonjë zhvillim të shpejt aty sepse edhe po të pranohen duan 20-30 vite që të përfundoj, në rastin më të mirë. Kështu që nuk besoj që është temë që ka me na brengos së shpejti”, tha ai.

    Ai tha se fati i Kosovës është lidhur me fatin e dialogut me Serbinë. Nushi shton se për dy vjet në këtë qeverisej më shumë ka pasur çnjohje se sa njohje të reja, e krejt kjo ai thekson që ka ndodhur si shkak i qasjes së gabueshme të Qeverisë.

    “Fati i shtetit të Kosovës praktikisht është lidh me fatin e dialogut me Serbin, krejt këta qeveritar sot që qeverisin kanë thënë dikur që neve nuk kemi njohje sepse ka korrupsion, ka keq qeverisje, janë të pa aftë qeveritë. Për dy vitet të Kurtit ka më shumë çnjohje, se njohje nuk ka hiq edhe ne gjithmonë kemi qen pro dialogut dhe pro kompromisit në dialog në mënyrë që problemi i Kosovës të zgjidhte një herë e përgjithmonë ndërkombëtarisht”.

    “Ne e konsiderojmë Kosovën shtet të pa varur dhe sovran, problemi është që shumica e botës, e shteteve nuk po na konsiderojnë të tillë. Qysh ndodh ko ndodhë duke e zgjidh problemin me Serbinë. Këtu nuk po më duket se ka qasje nga qeveria jonë, qasje që donë me zgjidh problemin që ta përfundojmë këtë problem. Më shumë po duket një tentativë e Kurtit edhe e Vuçiqit që të investojnë në këtë problem vazhdimisht, që të mos ndalet sepse po ju shërben për elektorat të brendshëm. Në këtë linjë nuk shoh ndonjë përparim të njohjeve, fatkeqësia ke që edhe mas marrëveshjes Ohrit, shtet si Spanja, Greqi që pritej që do të na njeh deklaruan nga Beogradi që nuk ndryshojnë ndryshim. Perspektiva është e zymtë sepse qasja e qeverisë është problematike”, tha ai.

    Ish-deputeti i VV-së Afrim Kasolli, tha se të gjitha proceset e agjendës integruese të Kosovës krahas plotësimit të kritereve, lidhen edhe me suksesin që do ta ketë dialogu Kosovë- Serbi.

    “Sa i përket në përgjithësi agjendës integruese, krahas plotësimit të kritereve të brendshme në mas shumë të madhe do të varet edhe nga dinamikat e dialogut. Në fund të fundit të gjitha raportet e progresit si për Kosovës e po ashtu edhe për Serbinë që janë bërë deri më tani në mënyrë eksplicite e theksojnë se njëri prej kritereve në agjendën integruese të të dyja vendeve është edhe suksesi në dialog. Krahas plotësimit të kritereve të domosdoshme që janë të parapara edhe ky dimension është një kusht i pa tej kalueshëm për të pasur sukses”, tha ai.

    Kasolli i tha Ekonomia Online se Qeveria e Kosovës deri më tani ka qenë e fokusuar në temën e dialogut me Serbinë, prandaj sipas tij, në politikën e jashtme nuk ka asnjë njohje.

    “Në përgjithësi nuk e ka karakterizuar ndonjë dinamik specifike, madje nuk ka qenë thuajse temë kryesore. Qeveria e Kosovës deri më tani kryesisht ka qenë e fokusuara në temën e dialogut, kjo ka qenë tema qendrore, dominuese në politikën e saj të jashtme nuk kemi asnjë njohje, nuk kemi diçka tjetër pavarësisht faktit që premtimi kryesor i Qeverisë ka qenë që tema e dialogut nuk do të jetë prioritet për të. Por praktikat ka dëshmuar që kjo është shndërruar në prioritet politik të saj”, tha ai. /EO

  • 2 maji, Kurti dhe Vuçiqi kërkojnë zgjidhje për Asociacionin

    2 maji, Kurti dhe Vuçiqi kërkojnë zgjidhje për Asociacionin

    Bashkimi Evropian tha të premten se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e radhës në Bruksel në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

    Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

    “Pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth kuadrit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera të rëndësisë politike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

    Diplomatët perëndimor presin nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë që gjatë takimit të dy majit të arrijnë përparim në zbatimin e marrëveshjes.

    Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shkroi pas një bisede telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se pret një takim konstruktiv dhe përparim në dialog, posaçërisht për formimin e Asociacionit.

    Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të kërij asociacioni që përbëhet nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë, tashmë ka filluar punën në hartimin e statutit që pritet të paraqitet në tryezën e bisedimeve.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shkroi se sipas një vendimi të vitit 2020 parashihet që Ekipi Menaxhues të bashkërendohet më ministrinë e tij dhe t’i raportojë asaj. Por, ky ekip, tha ai, nuk i është përgjigur një ftese për takim.

    Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se mos raportimi nga ana e ekipit menaxhues është qasje e papërgjegjshme ndaj institucioneve të vendit.

    “Unë nuk pres ndonjë gjë të mirë nga një kryesuese e këtij Ekipi menaxhues e cila është deputete e Aleksandar Vuçiçit dhe deputetja e Aleksandar Vuçiçit nuk mundet me shkrujt pjesë të rregullimit institucional të Republikës së Kosovës, kjo është ABC e interesit tonë publik dhe shtetëror”, tha ai.

    Konjufca tha se Ekipi menaxhues duhet të përbëhet nga njerëz të Kosovës që nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë interesin e Serbisë. Ai tha se Kosova nuk do të pranojë asgjë nga ky ekip që është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    “Ata e kanë nënshkruar edhe me 2015 marrëveshjen për Asociacionin por më e lartë është Kushtetuta jonë, më e lartë është Gjykata jonë Kushtetuese e cila e ka rrëzuar atë poshtë. Kështu që nëse nisemi nga ky princip, nëse e mbajmë këtë drejtim edhe mundësia e Ekipit menaxhues edhe e (Aleksandar) Vuçiçit për të dëmtuar Kosovën nëse ne i mbajmë interesat tona, nëse ne nuk bëjmë kompromis me kushtetutën tonë, hapësira e tyre është faktikisht fiktive për t’i bërë dëm Kosovës”, tha zoti Konjufca.

    Udhëheqësit e Serbisë dhe të serbëve lokal në veriun e Kosovës thonë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe me 23 prill bojkotuan zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës në veriun e banuar më shumicë serbe.

    Kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut ku shumicë janë përfaqësuesit e komunitetit shqiptar pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës miratoi dje një kërkesë që të hapet për lëvizjen e lirë të makinave ura kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse me komunën e Mitrovicës së Jugut.

    Kjo kërkesë nxiti reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me këtë kërkesë dëshiron të largojë serbët nga Kosova, dhe se po dëshiron konflikte me çdo kusht.

    Ura kryesore mbi lumin Ibër, që nga paslufta ka ndarë Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë dhe të veriut të banuar me serbë ndërsa ende mbetet e mbyllur për lëvizjën e makinave. Hapja e saj ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nuk është zbatuar kurrë.

  • Rama: Nga vendet e rajonit, vetëm në Kosovë dhe Shqipëri nuk ka ndikim rus

    Rama: Nga vendet e rajonit, vetëm në Kosovë dhe Shqipëri nuk ka ndikim rus

    Në Forumin Ekonomik Delphi në Athinë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilat Rusia nuk ka ndikim.

    Rama ka thënë se dialogu Kosovë Serbi është ende çështje e madhe dhe zgjidhja do të thotë të mbyllësh një kapitull përgjithmonë.

    “Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe strategjike, marrëdhëniet janë shumë më mirë se ç’kanë qenë më përpara, ekziston mungesa e stabilitetit”, tha Rama, transmeton tch.

    Ai tha se duket sikur rusët duan të ndezin fitilin.

    “Kur flitet për gjeopolitikën e Ballkanit Perëndimor kemi një marrëdhënie shumë komplekse, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Shqipëria nuk ka fare lidhje me ndikimin rus ndërsa dy të tjerat janë nën influencën ruse ndërkohë është edhe Serbia dhe Bosnja me ndikim rus ndërsa Kosova është si ne. Në Serbi ndikimi rus është deri në 70% krahasuar me Shqipërinë që mund të jetë deri në 1.2%”, ka thënë kryeministri Rama.

    Ai tha se Shqipëria Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë miratuar sanksionet ndërsa Serbia nuk e ka bërë, kjo mund të jetë një pikë kthese. “Ne kemi përqafuar 100% sanksionet dhe nuk është problem për ne ndërsa në rastin e Serbisë sanksionet do të përktheheshin në mungesë gazi kështu që është më mirë të ecim me hapa të qëndrueshëm drejt unifikimit të sanksioneve”.

    “Duhet të mbajmë parasysh faktin që Vuçiq është në situatë të vështirë, jo vetëm ai por kushdo të ishte në drejtimin e Serbisë, ku popullariteti i Putinit është më i madhe se i tij, mendoj se po bën gjënë e duhur. Ne kemi mbështetur Ukrainën gjatë gjithë kohës por duhet të përkufizojmë që çfarë ndodh nëse Ukraina fiton luftën dhe për sa kohë nuk kemi përkufizim të saktë duhet të mbijetojmë me shkatërrimin e përgjakshëm dhe të ngrirë, kjo është diçka që mund të vazhdojë përgjithmonë, tha Rama.