ATV

Author: ATVLive

  • 34 raste aktive me koronavirus në Kosovë

    34 raste aktive me koronavirus në Kosovë

    34 raste aktive me koronavirus janë aktualisht në Kosovë.

    Në njoftimin e fundit, IKSHPK ka bërë të ditur se janë regjistruar 4 raste të reja, derisa janë shëruar 4 persona.

  • Shpat Zekaj fiton medaljen e argjendtë në Botërorin e xhudos

    Shpat Zekaj fiton medaljen e argjendtë në Botërorin e xhudos

    Xhudisti jonë, Shpat Zekaj i ka sjellë Kosovës medaljen e argjendtë nga Kupa e Botës Asian Open në Kuwait.

    Medalja e Zekajt nënkupton që u fituan tre medalje në Kuwait City Asian Open, pas dy të bronztave që u fituan mbrëmë nga Fatjona Kasapi dhe Debora Gjakova.

    Po ashtu, medalja e argjendtë e Zekajt është medalja e parë e këtij viti për meshkuj në Kupat Botërore kualifikuese për xhudon.

  • Komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s në FSK premton bashkëpunim

    Komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s në FSK premton bashkëpunim

    Në kuadër të vizitës që është duke e realizuar në Kosovë, komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneral Stephen Osborn ka vizituar Gardën Kombëtare (GK) të FSK-së, për t`u njoftuar me kapacitetet ekzistuese që Garda ka në strukturën e saj.

    Sipas njofitmit, gjenerali Osborn është pritur nga zëvendëskomandanti i GK-së, Kolonel Skënder Hoxha së bashku me stafin dhe e kanë njoftuar me misionin, detyrat dhe operacionet e njësive të Gardës Kombëtare.

    “Gjatë vizitës Gjeneral Osborn ka ndjekur prezantimin e pajisjeve nga njësitë e deminimit, mbrojtjes kimike atomike biologjike dhe ato të kërkim-shpëtimit duke u informuar mbi detyrat, operacionet dhe sukseset e njësive në fjalë. Gjeneral Osborn ka vizituar po ashtu edhe Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim Shpëtim ku është ndarë po ashtu i kënaqur me sukseset e arritura nga këto njësi Gjeneral Osborn ka shprehur kënaqësinë e tij me sukseset e FSK-së, duke premtuar bashkëpunim të mëtutjeshëm drejt rritjes së kapaciteteve të FSK-së në fushën e reagimit në emergjenca”, thuhet në njoftim.

  • Nënshkruhet marrëveshja teknike në fushën e Mjekësisë Ushtarake në mes të Kosovës dhe Italisë

    Nënshkruhet marrëveshja teknike në fushën e Mjekësisë Ushtarake në mes të Kosovës dhe Italisë

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja teknike në fushën e Mjekësisë Ushtarake në mes të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Italisë.

    Me autorizim të Ministrit Mehaj, zv. komandanti i FSK-së Gjeneral Brigade Enver Cikaqi ka nënshkruar marrëveshjen teknike në fushën e Mjekësisë Ushtarake, në Romë të Italisë.

    “Gjeneral Cikaqi ne cilësinë e udhëheqësit të delegacionit, Kolonel Dr. Xhevdet Tahiraj Komandant i Regjimentit të Mjekësisë në FSK si dhe Edona Abazi Zylfijaj zyrtare për bashkëpunim bilateral si dhe desk oficer për Itali, janë pritur nga Gjenerallejtënant Vito Ferrara, shef në Inspektoratin Gjeneral të Mjekësisë Ushtarake, Admirali C.A Egidio Fracasso shef i departamentit për Politika Mjekësore, Kolonel Luigi Principe shef i degës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në fushën e Mjekësisë, Nënkolonel Giuseppe Barone dega e mjekësisë për marrëdhënie ndërkombëtare”, njofton FSK-ja.

    Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka për qellim zgjerimin e bashkëpunimi bilateral mes dy ushtrive në fushën e shërbimeve ushtarake mjekësore dhe se do të jetë çelsi i hapjes së dyerve në dimensione të ndryshme mjekësore ushtarake.
    Delagacioni nga Kosova në këtë ceremoni ka vizituar edhe Institutin e Mjekësisë Ajrore Ushtarake.

    “Në këtë Institut Gjeneral Cikaqi u mirëprit nga Gjeneral Brigade Fabio Morgagni Drejtor i Institutit për Shërbime Mjekësore të Aviacionit. Përveç takimit, stafi i këtij instituti në krye me Gjeneral Morgagnin kishin përgatit një prezantim të përgjithshëm te të gjitha kapaciteteve që ofrojnë përmes vizitave në laboratorët dhe hapësirat e ndryshme brenda objektit të këtij instituti”, njofton tutje FSK-ja.

  • Kombëtares së Kosovës sërish i mohohet pjesëmarrja në Botërorin e boksit

    Kombëtares së Kosovës sërish i mohohet pjesëmarrja në Botërorin e boksit

    Kampionati i Botëror i boksit që do të mbahet në Tashkent të Uzbekistanit fillon më 1 maj, dhe Kombëtarja e Kosovës në boks është paraparë të jetë pjesëmarrëse në të.

    Mirëpo, pavarësisht përgatitjeve, paraqitjes me kohë të ekipit, procedurave me vizë të kryera në muajin mars dhe premtimeve se do të pajisemi me vizë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur e as që pritet të ndodh, përkundër se nuk ka as refuzim e as arsyetim nga organizatori, bën të ditur Federata e Boksit e Kosovës (FboxK).

    “Ne kemi Kërkuar nga IBA edhe më parë që të angazhohet dhe të bëj përpjekje që boksierët tanë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha ngjarjet e mëdha si të gjithë boksierët e federatave të tjera që janë nën ombrellën e IBA-së. Se organizatori e ka paraparë për të mos na pajisur me viza, e tregon edhe mospërfshirja e Kosovës në faqen zyrtare të botërorit”, shkruante në njoftimin e FboxK.

    FboxK më tej tha se kjo gjë është si pasojë e përfshirjes së politikës në sport, pasi që Uzbekistani nuk e njeh Kosovën. Si pasojë e kësaj, boksierët tanë do ta humbin edhe një mundësi për të fituar medalje.

    “Kjo tregon se për shkak të politikës, konkretisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Uzbekistani, boksierët tanë do ta humbin edhe një mundësi për të fituar medalje. Sot ka qenë dita e fundit për të udhëtuar drejt Uzbekistanit, ku ekipi ynë përbëhej nga boksierët Bashkim Bajoku (-54 kg), Shpetim Bajoku (-63.5 kg), Loris Idrisi (-67 kg), trajneri Besim Brahimi dhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli”, shkruante në njoftimin e FboxK.

    Boksit deri më tash shkaku i politikës i janë mohuar: Kampionati Botëror për vajza në Indi (Viti 2019-2020), Kampionati Botëror për djem në Serbi (Viti 2021), Kampionati Botëror U18 në Spanjë – Kampionati Botëror në Indi (Viti 2023), ku iu mohua pjesëmarrja Donjeta Sadikut.

  • Normat e interesit në kredi pritet të rriten sërish

    Normat e interesit në kredi pritet të rriten sërish

    Norma mesatare e interesit në kredi në bankat komerciale të Kosovës është 6.5 për qind, por ajo mund të rritet dhe, për më tepër, mund të reflektohet edhe në kreditë aktive.

    Kjo, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi më 28 prill nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) që të vazhdojë t’i rrisë normat e interesit deri në mes të vitit 2024, në përpjekje për të kontrolluar inflacionin në vendet e Bashkimit Evropian.

    Sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja eventuale nga BQE-ja do të reflektohet domosdo edhe në sistemin bankar të Kosovës, pasi shumica e institucioneve financiare në vend funksionojnë me kapital të huaj dhe kanë kontrata të lidhura me bankat evropiane.

    Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë për Radion Evropa e Lirë se normat e interesit në kredi do të jenë të parat që do të ndikohen.

    “Mund t’i prekë vetëm kreditë që janë me norma variabile [të ndryshme] të interesit dhe kreditë e reja, ndërsa te kreditë me norma fikse nuk ndryshojnë kushtet”, thotë ai.

    Se sa mund të rriten normat e interesit në kredi, Balija nuk jep ndonjë përgjigje.

    Inflacioni është rritur gjetiu në botë – fillimisht për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, e pastaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

    Për ta kontrolluar inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa kanë qenë në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti.

    Për pasojë, normat e interesit janë rritur edhe në Kosovë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ato janë rritur nga 5.8 për qind sa kanë qenë në shkurt të vitit të kaluar, në 6.5 për qind në periudhën e njëjtë të këtij viti.

    Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se rritja eventuale e normave të interesit nga BQE-ja, do t’i rrisë automatikisht normat e interesit të kredive të reja në Kosovë, por, shton ai, ajo mund t’i prekë edhe kreditë aktive.

    Sipas tij, qytetarët apo bizneset që kanë aktualisht kredi, duhet të shikojnë në kontrata nëse ato i kanë me normë fikse apo me normë variabile – që është e ndërlidhur me lëvizjet e Euriborit.

    Euribori është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra. Kur BQE-ja rrit normën e interesit në kredi, rritet edhe Euribori.

    “Sipas ligjeve në fuqi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, nëse në kontratën e huazimit është paraparë norma mesatare e Euriborit, çdo tre muaj duhet të bëhet rivlerësimi… dhe në këtë rast, edhe kredi-marrësit duhet ta paguajnë kredinë e mbetur me normë më të lartë të interesit [nëse ajo rritet]”, thotë Bektashi.

    Euribori është rritur me shpejtësi muajve të kaluar, duke arritur në 3.8 për qind më 27 prill, nga 0.4% sa ka qenë në muajin mars të vitit të kaluar.

    Në Kosovë operojnë 12 banka komerciale – nëntë prej të cilave janë në pronësi të huaj.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Bankën Qendrore të Kosovës dhe disa banka komerciale se cilat kategori të kredive do të mund të preken nga rritja eventuale e normës së interesit nga BQE-ja. Asnjë prej tyre, përfshirë Bankën ProCredit, Bankën Raiffeisen, Bankën TEB, Bankën Kombëtare Tregtare, nuk janë përgjigjur.

    Megjithatë, REL-i ka parë një kontratë, në bazë të së cilës kredi-marrësi është pajtuar që pas një periudhe të specifikuar kohore, t’i rinovohet norma e interesit, duke marrë për bazë indeksin e Euriborit.

    Në këtë kontratë thuhet se “për çdo ndryshim të normës së interesit, banka obligohet që ta ftojë kredi-marrësin që ta nënshkruajë planin e ri të pagesës. Nëse pas ftesës kredi-marrësi nuk paraqitet, konsiderohet se klienti është njoftuar me planin e ri të pagesës”.

    Vlera e kredive në 12 bankat komerciale të Kosovës ka arritur në 4.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk mund të ndërhyjë te to.

    Përveç bankave komerciale, në Kosovë funksionojnë edhe 30 institucione mikrofinanciare, të cilat po ashtu ofrojnë kredi për qytetarët. Ndonëse me më pak kritere, normat e tyre të interesit janë më të larta – afro 20%.

  • Tatimi në pronë: Ministria e Financave ka një njoftim të ri për qytetarët

    Tatimi në pronë: Ministria e Financave ka një njoftim të ri për qytetarët

    Ministria e Financave (MF) i ka njoftuar qytetarët se kanë afat edhe nesër për ta kryer pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë.

    Në një njoftim në Facebook, Ministria ka njoftuar se Projektligji i ri për Tatimin në Pronë, përmes së cilit parashihet falja deri në 10 euro e faturave për këtë vit, është dërguar në Kuvend, por ende s’i ka kaluar të dyja leximet.

    Ministria ka sqaruar se falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, do t’u llogaritet si parapagim për këstet e tjera.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se bazuar në Ligjin për Tatimin në Pronë, pagesa e tatimit në pronë mund të bëhet në dy këste. Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator. Ne si Qeveri veç se e kemi dërguar në Kuvend Projektligjin e ri për Tatimin në Pronë, i cili përmes një dispozite kalimtare mundëson faljen e deri në 100 euro të faturave për vitin 2023, mirëpo Projektligji ende nuk ka kaluar të dyja leximet në Kuvend”, thuhet në njoftim.

  • Presidenti Begaj takohet me përfaqësues të komunitetit arbanas të Zarës

    Presidenti Begaj takohet me përfaqësues të komunitetit arbanas të Zarës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me homologun kroat, Zoran Milanoviq, ka vizituar komunitetin arbanas të Zarës (Zadar-it).

    Gjatë takimit, Begaj vlerësoi komunitetin arbanas për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.

    “Prania juaj këtu në Zadar edhe pas më shumë se tre shekujsh është një trashëgimi e përbashkët historike, e cila ka ndikuar jashtëzakonisht shumë për forcimin e marrëdhënies dypalëshe miqësore midis dy popujve dhe dy vendeve”, tha Begaj, bën të ditur Presidenca shqiptare.

    “Këtë trashëgimi të vyer të kombit tonë që të parët tuaj e sollën këtu në Zadar, kemi detyrimin e përbashkët ta ruajmë e ta promovojmë edhe më shumë”, vijoi Begaj.

    Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi mikpritjen dhe politikat e mira të Kroacisë për minoritetet, duke nënvizuar se shqiptarët si nga komuniteti i arbanasve apo atyre të ardhur në dekadat e fundit, përfaqësohen denjësisht në fushat e artit, sportit e deri në nivele politike në parlamentin e vendit.

  • Konfirmohet meçi mes Joshuas dhe Wilder, ja kur do të ndodh

    Konfirmohet meçi mes Joshuas dhe Wilder, ja kur do të ndodh

    Anthony Joshua ka konfirmuar se do të ndeshet me Deontay Wilder në dhjetor.

    Promotori i Joshuas, Eddie Hearn fluturoi në Arabinë Saudite këtë javë për të zhvilluar diskutime në lidhje me një luftë të mundshme.

    Në një video, Joshua u pyet nëse ai do të luftojë Wilderin dhe u përgjigj: “Kjo është ajo që po ndodh, ju e dini se çfarë po ndodh”.

    Joshua mundi Jermaine Franklin në fillim të këtij muaji për t’u rikthyer në rrugët e fitoreve pas dy humbjeve të tij ndaj Oleksandr Usyk.

    Wilder e përshkroi mundësinë e përballjes me Joshua-n si një ‘luftë ëndrrash’.

    Ai i tha iFL TV: “Ne kemi shumë opsione të ndryshme tani në këtë moment në kohë. Joshua, të gjithë”.

    “Unë mendoj se shumë njerëz do të kenë atë luftë të ëndrrave që të gjithë duan ta shohin”.

    Lufta më e fundit e Wilder e pa atë të mposht Robert Helenius në tetorin vitit të kaluar. Para kësaj ai pësoi dy humbje ndaj Tyson Fury.

    Fury gjithashtu mund të përballet me Usyk pasi bisedimet për një luftë të mundshme mes tyre në prill dështuan.

  • Arrestohen në Angli tre nga të dyshuarit për vrasjen e Ardian Nikulajt

    Arrestohen në Angli tre nga të dyshuarit për vrasjen e Ardian Nikulajt

    Tre prej 6 personave të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, janë arrestuar në Angli. Sipas Top Channel ata janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.

    Gjykata e ekstradimeve në Londër përmes postës elektronike konfirmoi për gazetarin Muhamed Veliu, se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë.

    Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.

    Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykata e Lezhës.

    Operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.

    Në këtë seancë një prokuror anglez, i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar, do t’i lexojë gjykatës kërkesën e Shtetit Shqiptar se përse kërkohen këta persona.