Gazetari Zekirja Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se masa e madhe në Kosovë, Evropën e shohin si vend ku shkohet të fitohen para, për t’i harxhuar më pas në Kosovë.
“Ne e kemi thirrur Evropën në kuadër të të mirave që kanë funksione të mëdha dhe nuk e kemi thirrë hajde të mësojmë diçka prej juve. Ne jemi ata që veç lypim prej tyre dhe kjo është mungesë e edukimit, mungesë e vetëdijes sonë të përgjithshme se çka duam. Ne e njohim Evropën, por nuk duam me shku në Evropë, nuk bëjmë asgjë në aspektin edhe për kah edukimi edhe kah kultura, nuk duam me i njoftë ndryshe, por duam me e njoftë si një vend ku shkohet të punohet atje edhe merren do para e vijmë i hamë në Kosovë”, tha Shabani./atvlive.tv
Avokati Tomë Gashi, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka mbetur për 33 vite pa viza për shkak të Serbisë, dhe jo që nga paslufta dhe për shkak të konflikteve se iu ishte vënë regjimi i vizave vendeve të ish-Jugosllavisë.
“Ne kemi aspekte historike pse jemi në këtë gjendje që jemi dhe tani duket çështje e thjeshtë liberalizimi i vizave kur ne duhet ta dimë, që ne pa viza kemi mbetur për shkak të Serbisë dhe tani jemi 33 vjet pa viza, jo vetëm kohën e fundit, po për shkak se në ish-Jugasllavi që ishim edhe ne pjesë, në vitin 1991 iu vu regjimi i vizave dhe padrejtësia tjetër që iu hoqën Serbisë para 12 viteve dhe ne na lanë për vitin 2024 është për shkak se i kemi pasur 1 milionë probleme të brendshme, shpesh herë besoj që Evropa e ka ditë se kemi pasur persona që fatkeqësisht rreth 300 që kanë shkuar në Siri, por nuk kanë marrë shumë për të madhe sepse ne e kemi luftuar terrorizimin e tillë dhe shteti i jonë është krejtësisht evropian”, tha Gashi. /atvlive.tv
Historiani Genc Prelvukaj, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, tha shqiptarët që nga periudhat e lashta e deri në ditët e sotme, kanë pasur orientim perëndimor.
“Nuk mundemi me iu ba bisht fakteve historike sepse janë një numër i madh i komponentëve që e diktojnë një lloj civilizimi brenda një territori të caktuar. Shqiptarët fillimisht ndajnë me popujt evropianë llojin e njëjtë në zanafillë të gjuhës, fillimisht gjuha e jonë thirre gjuhë indo-evropiane, e cila si e tillë ekziston edhe në forma të ndryshme në gjuhë të tjera të botës. Proto shqiptarët janë popull i formuar brenda territorit evropian. Disa studiues e mbështesin teorinë ilire, disa teorinë thrake, disa të tjerë këmbëngulin mbi një lloj simbioze iliro-thrake, mirëpo sidoqoftë e vërteta, edhe thrakët edhe iliriët janë popull evropian”, shpjegoi Prelvukaj.
Ai tha se me ardhjen e romakëve, shqiptarët kishin marrë shumë specifika të kulturës nga romanët dhe kjo ishte bërë me një absorbim shumë të shpejtë pasi që nuk kishte pasur dallime të mëdha kulturore mes shqiptarëve dhe romanëve.
E njëjta gjë sipas tij kishte ndodhur edhe me bizantinët. Ndërsa, sipas Prelvukajt, me ardhjen e Otomanëve, ishte krijuar një lloj përplasje mes civilizimit perëndimor dhe atij lindor, por kjo nuk kishte ndikuar që shqiptarët të mos sillen me një mentalitet perëndimor.
“Nuk është proces i kryer plotësisht për shkak se shqiptarët nuk arrijnë të konvertohen tërësisht brenda islamit si një lloj specifike themelore e perandorisë Osmane dhe për këtë arsye ka pasur shumë dallime brenda territoreve të caktuara. Pastaj kemi emrat e katolicizmit, që kanë pranua emrat otoman për t’iu shmangë taksave, por nuk e ka pranu brenda në shtëpi atë veçori lindore. Edhe brenda asaj perandorie, prapë shqiptarët janë sillë me mentalitet perëndimor. E kemi Lidhjen Kombëtare Shqiptare e cila vepron brenda konceptit perëndimor mbi kombin dhe shtetin. Ata që na kanë udhëzua drejt harmonisë, drejt krijimit të fuqizimit të kombit, vijnë prej njerëzve që kanë pasur orientim perëndimor. Që nga zanafilla, nga gjuha indo-evropiane e deri më sot, edhe intervenimi i NATO-s që është shprehë shumë herë në publik që është çështje e brendshme e Evropës”, tha Prelvukaj. /atvlive.tv
Për tre muaj të këtij viti, në Kosovë kanë ndodhur 4248 aksidente.
Në 18 prej tyre, 23 të aksidentuar kanë përfunduar me fatalitet.
Kështu tregojnë të dhënat e Policisë së Kosovës, për muajt janar-mars 2023.
Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit, thotë se mungesa e radarëve statikë është një nga arsyet e rritjes së numrit të aksidenteve.
“Në qoftë se ne u mundësojmë qytetarëve të marrin transportin publik sa më shumë që kanë mundësi, mirëpo njëra nga problematikat është vendosja e radarëve statikë dhe mobilë, kështu që me radarët statikë dhe mobilë nuk ka mundësi në mënyrë selektive të gjobiten qytetarët, që do të mund të parandalohen aksidentet bukur shumë”, tha Ahmeti.
Sipas Ahmetit, edhe numri i lartë i veturave ka ndikim të madh në rritjen e aksidenteve.
“Është shqetësuese për të gjithë, sepse trendi i rritjes vetëm është duke vazhduar. Në vend që të kishte rënie të aksidenteve në komunikacion, ne po shohim që ka trend të rritjes, kjo po ndodh për shkak të modernizimit, para sa më shumë të ketë automjete për kokë banori, sa më të larta të jenë kushtet ekonomike ka mundësi të tendencës së rritjes në komunikacion”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, gjatë gjithë vitit të kaluar, në Kosovë kanë ndodhur 20.794 aksidente, prej tyre 95 ishin me fatalitet me 106 persona të vdekur. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Administrata shtetërore sot pushoi në shënim të Ditës së Evropës.
Por shumë qytetarë nuk ia kanë idenë se çfarë simbolizon kjo festë.
Megjithatë, janë kundër që shteti ta festojë këtë ditë.
Madje, dikush që kishte ardhur nga Zvicra në pushime, u çudit se si shteti pushon për ditën e Evropës.
“Kjo nuk është në rregull, po te na gjithë është e kundërta. Na jemi në Zvicër po nuk e festojmë”, tha një qytetar.
Sido që të jetë, Kosova në kalendarin e festave zyrtare shënon 9 majin si festë zyrtare. Në këtë datë, më 1950 nisën hapat e parë rreth krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit, nuk është ende Kosova. 35 vjet më vonë, më 1985 krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe të festohej si Dita e Evropës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Pa u penguar nga askush, në rrjetet sociale shiten e blihen para false.
Më së shumti monedha metalike në vlerë 2 euro.
Kjo monedhë sipas njohësve të sigurisë në Kosovë vjen ilegalisht kryesisht nga Bullgaria.
“Grupet kriminale deri më tani nuk kanë mundur të prodhojnë kartë monedha të ndryshme false të prodhuara nga Bana Qendrore Evropiane pra mund të themi që kryesisht parat false në Kosovë vinë përmes vendeve sovjetike”, tha njohësi i sigurisë, Drizan Shala.
Prezenca e madhe e parave false në treg, po sjell vështirësi për bizneset të cilat thonë se shumë partnerë afarist nuk ua pranojnë këtë monedhë.
Por ekonomistët po e arsyetojnë ketë.
“Në një farë forme është një detyrim i cili po ju paraqitet bizneseve se si me shmang problemin dhe kjo ju ndihmon edhe qytetarëve që të jenë më të vetëdijshëm dhe të përgjegjësisë që të mos vinë deri tek prodhimi i këtyre parave”, tha Besnik Avdiaj, ekonomist.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në prill të këtij viti polica ka identifikuar 363 raste të “Falsifikimit të parave”. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Një javë pasi kryeministri Albin Kurti prezantoi draft-vizionin për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes bazë për vetëmenaxhimin, i inspiruar nga modeli kroat, ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, nuk e përjashtoi mundësinë që ky model mund të zbatohej suksesshëm edhe në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, diplomati kroat tha se Kroacia e përshëndet miratimin e deklaratës për të zhdukurit.
“Ky model është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës dhe është i suksesshëm si i tillë. Ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht, se ishte i vlerësuar në lidhje me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Ky model ka rezultuar me sukses te ne, por të gjithë ata që dëshirojnë ekzistojnë modele të shumta në botë, që mund të shfrytëzohen”, tha Grliq Radman.
Në anën tjetër, homologia kosovare theksoi se asnjë model që shkel Kushtetutën, nuk do të merret parasysh.
“Ne i kemi trajtuar modelet i kemi parë cilat janë ato, të cilat nuk vijnë në shprehje pasi shkelin vijat e kuqe që kemi në këtë dialog. Asnjë lloj formacioni, asociacioni apo mekanizmi nuk mund të implementohet në Kosovë, nëse shkel sovranitetin e vendit, Kushtetutën e vendit dhe funksionalitetin e Kosovës. Këto tri elemente janë bazë për funksionimin e një shteti. Çfarë kemi parë në Bosnjë dhe Hercegovinë me Republikën Serbe të instaluar atje, një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Kosovë”, tha Gërvalla.
Në konferencën e përbashkët pas takimit, ministrja kosovare falënderoi homologun kroat, për përkrahjen e Kroacisë, derisa më pas vizituan Janjevën për të festuar 720-vjetorin e ardhjes së kroatëve të parë në Kosovë.
Kryediplomati kroat gjatë ditës u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:
Që nga paslufta, Qendra Burimore për të Pagjetur, Shoqata për të Pagjetur, në Shtërpcë dhe ajo në Graçanicë, punojnë për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që u zhdukën gjatë luftës.
Por, udhëheqësit e tyre thonë se përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë, nuk i konsultuan fare për deklaratën për të zhdukurit me forcë, gjatë periudhës 98 – 99, të dakorduar në Bruksel.
“Për marrëveshjen më ka njoftuar veç Andin Hoti, madje me shkrim. Për të tjera jemi njoftuar nga mediat. Kemi kërkuar të jemi pjesë e procesit, por kjo s’ka ndodhur”, tha Bajram Qerkinaj nga Qendra Burimore për të Pagjeturit.
“Ne nuk jemi konsultuar fare për dakordimin që është arritur në Bruksel. Ne kemi mësuar vetëm kur e kemi parë nëpër media”, tha kryetarja e Shoqatës së të Pagjeturve në Shtërpcë, Jasmina Zivkoviç.
Përfaqësuesit e organizatave kritikojnë politikën për zvarritjen e procesit në nisjen e gërmimeve në disa lokacione, qoftë në Serbi ku dyshohet se ka varreza masive të shqiptarëve, qoftë në Kosovë ku dyshohet se ka të tilla të serbëve.
“Në Sigjenicë janë nisur 20 kamionë. Ende nuk dihet për fatin e tyre. Duhet të nisin gërmimet”, tha Qerkinaj.
“Duhet të fillojnë gërmimet në Koshare, por kjo nuk po ndodh. Në fakt përmenden gjithsej 9 lokacione në Kosovë, por me siguri se janë më shumë”, tha Zivkoviç.
Ndërsa, Silvana Marinkovic nga Shoqata për Personat e Zhdukur të Graçanicës, e cila e ka burrin të zhdukur, zvarritjen e lidh edhe me procesin gjyqësor në Hagë.
“Gjykata Speciale ka filluar punën. Po të bëheshin gërmimet në 9 lokacionet në Kosovë dhe të identifikoheshin mbetjet mortore në Morgun e Prishtinës, do kuptohej shumëçka. Por kjo nuk i konvenon politikës e as atyre që po gjykohen në Hagë”, tha ilvana Marinkovic nga Shoqata e Personave të Zhdukur të Graçanicës.
Por me këtë nuk u pajtua Bajram Qerkinaj nga Qendra Burimore për të Pagjeturit.
“U tha që kriminelët janë në Hagë, por jo, nuk është e vërtetë. Ata që po gjykohen në Hagë, nuk mund të krahasohen me ata që i çuan dhe i varrosën 800 persona në Batajnicë”, tha Qerkinaj.
Në takimin e dy majit, Kosova e Serbia u dakorduan për Deklaratën për të Zhdukurit me Forcë, e cila i obligon palët ta rrisin bashkëpunimin, e t’ia vënë në dispozicion njëra-tjetrës dokumentet ekzistuese, që mund të ndihmojnë për t’u gjetur të zhdukurit. /atvlive.tv
Më shumë se 20 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, numri i të dënuarve për krimet e kryera gjatë kësaj periudhe vazhdon të jetë i vogël.
Në gjykimin e këtyre rasteve, sipas monitoruesve, më së shumti po ndikon mosbashkëpunimi juridik mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është momenti i duhur që gjyqësori i Kosovës dhe i Serbisë të nënshkruajnë një protokoll bashkëpunimi. Kroacia, Bosnja kanë të nënshkruar marrëveshje dhe i shkëmbejnë informatat”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Vështirësi për shkak të mungesës së një marrëveshjeje juridike mes dy vendeve, ka edhe në sigurimin e dëshmitarëve.
“Në disa raste kemi pasur sukses, por disa kanë hezituar për shkak të sigurisë së tyre. Marrëveshja potenciale do t’i lehtësonte procedurat”, tha Alija.
Prokuroria Speciale e Kosovës bashkëpunim me atë të Serbisë nuk ka, as sa u përket rasteve për të pagjeturit.
Prokurorja Drita Hajdari pret lehtësim në këtë drejtim pas nënshkrimit të marrëveshjes së arritur javën e kaluar mes palëve në Bruksel.
Viti 2019, ishte viti i parë që nga paslufta që institucionet kosovare të drejtësisë pa gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë kanë hetuar krimet e luftës, pasi fillimisht ndjekjen e këtyre veprave penale e kishte në kompetencë UNMIK-u, e më pas EULEX-i.
Ndërkaq, për krime lufte në Kosovë që nga përfundimi i saj janë të dënuar vetëm 72 persona. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: