ATV

Author: ATVLive

  • Kosovarët janë të zhytur në kredi

    Kosovarët janë të zhytur në kredi

    Rreth 70 mijë persona kanë marrë kredi në banka të ndryshme gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

    Kështu thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore dhënë për Institutin për Hulumtime “Front”.

    “Bazuar në të dhënat e gjeneruara sipas Data Bazë së Regjistrit të Kredive të Kosovës-RKK, numri i kredimarrësve total (fizik dhe juridik) për katër mujorin e parë 2023 (janar-prill) është 69,709”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

    Vlera e kredive që janë marrë nga qytetarët nëpër bankat komerciale është mbi 1 miliardë euro.

    “Vlera e kredive që kanë marrë personat fizik dhe juridik në periudhën e njëjtë (janar-prill 2023) është 1,035,842,540.28 €”, thuhet më tej në përgjigje.

    E në rritjen e numrit të kredive thuhet se ka ndikuar rritja e çmimeve në shumë sektorë.

    Ekonomisti Imer Raci thotë për iFront se është e pamundur të mbulohen shpenzimet me pagat aktuale.

    “Ruajtja e standardit për shkak të rritjes së çmimeve ka ndikuar në marrjen e kredive gjë që është e pamundur të mbulohen shpenzimet me pagat aktuale e që nuk i janë përshtatur Inflacionit”, tha ai

    Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

    Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit.

  • ​Intervistimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në seancë të mbyllur

    ​Intervistimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në seancë të mbyllur

    Edhe një seancë e mbyllur për publikun po zhvillohet në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

    Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të katër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), transmeton KP.

    Dëshmitari që mban kodin 4748 është i mbrojtur dhe kjo është dita e tretë me radhë që dëshmia e tij po dëgjohet në seancë të mbyllur.

    Për seancën e sotme është paraparë që ai të përgjigjet në kundërpyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

    Megjithatë, seanca në Hagë ka filluar me një urdhër nga kryegjykatësi Charles L Smith, i cili është dhënë po ashtu në seancë private.

    Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

    Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • ​Mehaj: Ushtarët e Kosovës të gatshëm për çdo sfidë

    ​Mehaj: Ushtarët e Kosovës të gatshëm për çdo sfidë

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka shkruar se në kuadër të përgatitjeve për ushtrimin fushor “Defender Europe 23”, Regjimenti i parë i Forcave Tokësore është duke kryer përgatitjet finale për ushtrim.

    Mehaj ka shkruar në Facebook se Kompania B e Regjimentit të parë të këmbësorisë përgjatë dy javëve ka realizuar patrullimet luftarake në kushte të natës.

    “Qëllimi i këtij ushtrimi ishte aftësimi i pjesëtarëve për manovrim dhe drille të betejës gjatë natës me anë të pajisjeve të natës (NVG)”, ka shkruar ai.

  • Haradinaj: Agron Rrahmani do të mbetet shembull i qëndresës dhe atdhedashurisë

    Haradinaj: Agron Rrahmani do të mbetet shembull i qëndresës dhe atdhedashurisë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar betejat e 12 majit në Ratkoc, Bratotinë dhe Malësi të Vogël, duke thënë se shënuan një kapitull të ri për luftën çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut.

    Haradinaj kujtoi Miliam Krasniqin, Elmi Morinën dhe Bedrush Gashi, për të cilët tha se ishin luftëtarët më të zotë të UÇK-së.

    Tutje, ai theksoi se në të njëjtën datë, më 1998, u përjetësua udhëheqësi i njësiteve të hershme guerile të UÇK-së, Agron Rrahmani ndërsa shtoi se ai do të mbetet përgjithmonë shembull i qëndresës dhe atdhedashurisë.

    Postimi i plotë i tij:

  • Ambasadorët e QUINT-it s’deklarohen për medie pas takimit me Kurtin

    Ambasadorët e QUINT-it s’deklarohen për medie pas takimit me Kurtin

    Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë e Italisë pas mbi një ore takim me kryeministrin Albin Kurti janë parë duke dal nga Qeveria, raporton EKonomia Online.

    Gazetarët tentuan që të kenë një deklaratë në lidhje me takimin, por të njëjtit nuk u prononcuan për medie.

    Takimi ndodh pas reagimit të Zyrës së BE-së në Prishtinë rreth vendimit preliminar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës për interes publik në Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Një ditë më parë Kurti priti në zyrën e tij emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, i cili erdhi në Prishtinë për të diskutuar hapat e mëtejshëm në dialog, si dhe shqetësimet e tij për situatën e sigurisë në veri të vendit.

  • Dita Botërore e Infermierisë: Studentët e Kolegjit AAB ofrojnë shërbime shëndetësore falas për qytetarët

    Dita Botërore e Infermierisë: Studentët e Kolegjit AAB ofrojnë shërbime shëndetësore falas për qytetarët

    Dita Ndërkombëtare e Infermierisë shënohet çdo vit më datën 12 Maj, kontributin e infermierëve në shoqëri. Ashtu si në gjithë botën, 12 Maji shënohet edhe në Kosovë. Fakulteti i Infermierisë në Kolegjin AAB, për këtë ditë ka organizuar aktivitete të shumta për studentët.

    Koordinatorja e Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin Teuta Bujupi, në një intervistë në emisionin ALARM në ATV, tregoi se për këtë ditë, në këtë kolegj është organizuar edhe një kurs ndërkombëtar për infermierët, si dhe do të ketë aktivitete të shumta të studentëve.

    “Ne në kuadër të javës së infermierisë ose pikërisht sot në ditë e infermierisë, në Kolegjin AAB kemi edhe një kurs ndërkombëtar që organizohet për nderë të kësaj dite, për infermierët të cilët do të përfshihen në këtë organizim, do të kenë mundësi të ketë qasje të marrjes së informatave të reja lidhur me njohuritë që mund të fitojnë ata në menaxhimin e situatave të ndryshme karshi punës që kanë në terren, në klinika, në ordinanca ku ata punojnë. Ky kurs do të fillojë sot, do të jetë gjatë gjithë ditës. Përveç këtij kursi, ne e kemi filluar javën e infermierisë me aktivitete edhe ditëve që kaluan kemi pasur organizimin e dhurimit vullnetar të gjakut, që tashmë prej vitit 2016 është bërë traditë në Kolegjin AAB, ku shumë vullnetarë, studentë, staf dhurojnë gjak dhe pikërisht e bëjnë për humanizëm karshi situatave të ndryshme që përballemi”, tha Bujupi.

    Ajo tregoi për nderë të kësaj ditë, studentët e infermierisë të Kolegjit AAB dje kishin aktivitete të ndryshme infermierie në shtatë komunat kryesore në Kosovë.

    “Ne dje e kemi pasur një aktivitet në 7 komunat kryesore të Kosovës, ku kemi aplikuar disa teknika infermierie ose kemi ofruar shërbime shëndetësore falas për ta, duke iu ofruar matje të tensionit arterial, matjen e glikemisë, po ashtu kemi bërë edhe një edukim për këta persona të cilët veç janë të atakuar me sëmundjet, por edhe për edukimin dhe promovimin e shëndetit karshi një jete të shëndetshme, për të cilën dita ditës kemi filluar të kemi probleme të shëndetit karshi stilit të jetës”, tregoi Bujupi. /atvlive.tv

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Moti gjatë ditës së sotme në vendin tonë do të kryesisht me intervale të lehta me diell, ndërsa gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 14 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 19 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Kjo është xhamia më e madhe në Berat, dhe dallohet për këtë veti!

    Kjo është xhamia më e madhe në Berat, dhe dallohet për këtë veti!

    Emisioni “Rrugës për…” në ATV me autor Lindrit Zogaj, këtë javë qëndroi në qytetin e Beratit. Atje, Lendriti u mirëprit nga banorët vendës, të cilët e njohën atë më shumë me specifikat kulturore që ka qyteti i Beratit.

    Gjatë kësaj vizite, Lendrit vizitoi edhe Xhaminë Sulltan Bajaziti II, ose ndryshe siç njihet “Xhamia Mbret”, e cila është xhamia më e madhe në qytetin e Beratit, e shpallur monument kulture që në vitin 1948.

    Xhamia është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit të XV.

    Për të mësuar më shumë për historinë si dhe arkitekturën e kësaj xhamie, ndiqeni në videon e më poshtme shpjegimin e përgjegjësi i Muzeut Etnografik në Berat.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pas Kurtit, Lajçak shkon për ta takuar Vuçiqin në Serbi

    Pas Kurtit, Lajçak shkon për ta takuar Vuçiqin në Serbi

    Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, viziton sot Serbinë.

    Zyrtari do të takohet me presidentin, Aleksandër Vuçiç, me të cilin do të diskutojë lidhur me hapat e radhës në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e saj.

    Megjithatë, draft-statuti për formimin e asociacionit i prezantuar nga ekipi menaxhues më 2 maj në Bruksel, pritet që të jetë në tryezë me Beogradin që kërkon me ngulm marrjen e tij për bazë.

    Pas takimit, Vuçiç do të mbajë dhe një konferencë për shtyp, ndërsa nuk dihet nëse Lajçak do të flasë apo jo.

    Në Beograd, ndërmjetësuesi i BE-së do të takohet edhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç, si përgatitje për takimin me homologun nga Kosova, Besnik Bislimi, që është caktuar të mbahet më 15 maj në Bruksel.

  • Arrestohet një grua në Mitrovicë për keqtrajtim të fëmijës

    Arrestohet një grua në Mitrovicë për keqtrajtim të fëmijës

    Një grua është arrestuar në Mitrovicë pasi që e njëjta dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

    E njëjta dyshohet se ka kryer veprën penale ndaj dy viktimave femra kosovare, njofton policia.

    Pas intervistimit të palëve në prezencë të punëtorit të QPS-së me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.