ATV

Author: ATVLive

  • Lajçak: Takimi i së hënës ndërmjet kryenegociatorëve është mundësi e mirë për hapa konkretë

    Lajçak: Takimi i së hënës ndërmjet kryenegociatorëve është mundësi e mirë për hapa konkretë

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar sot takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq.

    Pas takimit, Lajçak është shprehur se takimi i së hënës është mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm.

    “Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm dhe konkretë.”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar dje takim me kryeministrin Albin Kurtin, kryenegociatorin Besnik Bislimi, kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën dhe me përfaqësues të Listës Serbe.

    Lajçak ka deklaruar se ka zhvilluar diskutim të rëndësishëm me kryeministrin Kurti për rrugën përpara në procesin drejt normalizimit. Ndërsa, Kurti është shprehur se në takimin me emisarin e BE ka theksuar nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht.

    Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti. /kp

  • Hyseni: Komunën e morëm me 26 milionë euro borxhe, 7 milionë i kemi paguar qysh në 11 muajt e parë të qeverisjes sonë

    Hyseni: Komunën e morëm me 26 milionë euro borxhe, 7 milionë i kemi paguar qysh në 11 muajt e parë të qeverisjes sonë

    Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në një bisedë për Rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se një prej sfidave kryesore i kanë pasur pasi kanë marrë udhëheqjen e komunës, kanë qenë borxhet që i kanë trashëguar, të cilat sipas tij kanë qenë mbi 26 milionë euro.

    Ai tha se brenda 11 muajve të parë kanë paguar mbi 7 milionë euro borxhe, ndërsa këtë vit i kanë të planifikuara 2.5 milionë.

    “Tash ku jam në detyrë po më bëhet edhe më e qartë se sa është e vështirë të menaxhohet me një komunë të madhe sidomos kur ka probleme shumë. Një prej sfidave kryesore i kemi pasur borxhet që i kemi trashëguar në komunë, janë mbi 26 milionë euro borxhe në total që i kemi trashëguar. Në 11 muajt e parë i kemi paguar mbi 7 milionë euro borxhe, këtë vit i kemi të planifikuara 2.5 milionë, besoj se do të shtojmë edhe një vlerë tjetër sepse procedurat ligjore, pra përmbaruesit privat nuk presin dhe në këtë formë besoj që në këtë vit do të lirohemi nga një pjesë e madhe e borxheve që i kemi”, tha Hyseni. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Alban Hyseni tregon metodën si arriti ta mposhtë Lutfi Hazirin në Gjilan

    Alban Hyseni tregon metodën si arriti ta mposhtë Lutfi Hazirin në Gjilan

    Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në një bisedë për Rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ka treguar arsyet që ai beson se është votuar nga gjilanasit, duke e mposhtur Lutfi Hazirin, i cili për disa vite ishte në krye të kësaj komune.

    Ai tha se beson që fitorja e tij ka ardhur për disa arsye, e një prej tyre ka qenë sepse dy vite më parë kishte pasur vizita të shumta me qytetarë.

    “Ka shumë vizita që unë i kam realizuar dy vite para zgjedhjeve që janë mbajtur, lokale në vitin 2021, një prej arsyeve ka qenë sigurisht kjo. Arsyeja kryesore për bindjen time është se ne jemi paraqitur në realitet ashtu siç kemi qenë, pra e kemi hartuar një program politik për qeverisje në bazë të nevojave të banorëve që i kemi identifikuar gjatë vizitave. Ndërkohë që paraqitjet tona publike kanë qenë të sinqerta për nga diskutimi e përmbajtja. Kemi qenë shumë të fokusuar se çka do të bëjmë e jo që të kritikojmë atë që nuk është bërë. Pra veç ajo çka kemi prezantuar se çka duhet të ndryshojmë ka qenë vet kritikë për punët që nuk janë realizuar më herët”, tregon Hyseni.

    Arsyeja kryesore pse ka fituar Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, sipas tij ka qenë se në përgjithësi në Kosovë, qytetarët ishin lodhur prej politikave të zakonshme të pushteteve të më hershme.

    “Një element i veçantë ka qenë që duke e njohtë edhe mendësinë e qytetarëve të Gjilanit dhe anamoravës, duke e ditur se ne jemi pak më të urtë me gjasë së regjionet e tjera, kemi besuar që duhet të fokusohemi sidomos në planifikimet që i kemi për komunën e Gjilanit dhe nevojat ato çfarë iu duhet qytetarëve tanë, se sa të bërtasim dhe të shahemi me kundërshtarët tonë nëpër debate politike. Por kryesore besoj që në përgjithësi në vendin tonë njerëzit janë lodhur prej politikave të zakonshme. Kërkojnë diçka që është më ndryshe dhe unë besoj se kemi paraqitur një risi në skenën politike përgjithësisht sepse qasja ka qenë më unike për dallim prej të tjerëve dhe kjo besoj se e ka bërë diferencën”, vlerësoi Hyseni. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​AGK: Dy raste të pengimit të punës së gazetarëve nga mbrojtja e afërt e Kurtit dhe Rizvanollit

    ​AGK: Dy raste të pengimit të punës së gazetarëve nga mbrojtja e afërt e Kurtit dhe Rizvanollit

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar pas denoncimit të gazetarit, Kosovë Gjoci të Euronews Albania për pengimin në punë nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Gjoci ka njoftuar se dy individë nga mbrojtja e kanë penguar në punë – njëri e ka shtyrë duke ia dëmtuar pajisjet, kurse tjetri e ka kërcënuar me fjalët “këqyrem mirë në sy e mbajmë në mend”.

    Sipas gazetarit Gjoci, kryeministri Kurti e ka parë skenën dhe nuk ka reaguar, që e bën rastin edhe më të rëndë.

    Ngjashëm, para disa ditësh gazetarja e Periskopit, Besarta Hoti, u pengua në përpjekjet për të bërë pyetje për Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “AGK-ja i konsideron këto veprime të papranueshme dhe i bën thirrje qeverisë dhe dikastereve të saj të mundësojnë kushte elementare të punës për gazetarët kur raportojnë dhe kërkojnë përgjigje nga anëtarë të ekzekutivit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

  • Debaton Parlamenti gjerman: Misioni i KFOR, dështim apo përparim?

    Debaton Parlamenti gjerman: Misioni i KFOR, dështim apo përparim?

    Parlamenti gjerman debatoi për zgjatjen e angazhimit të Bundeswehr-it në Kosovë. Pas agresionit rus në Ukrainë, qeveria gjermane e sheh stabilizimin e paqes në Ballkanin Perëndimor me interes të madh gjeostrategjik.

    Prej 24 vjetësh tashmë, KFOR-i është në Kosovë, dhe prej 24 vjetësh zgjatja e mandatit të angazhimit të Ushtrisë gjermane (Bundeswehr) në Kosovë duhet të miratohet nga Parlamenti Gjerman (Bundestag), pas dy debatesh 40-minutëshe dhe një votimi me emër. Të enjten, 11.05.2023, u zhvillua debati i parë mbi mocionin e paraqitur nga qeveria gjermane për zgjatjen edhe me një vit të mandatit të stacionimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë.

    Politikanët e koalicionit tripartiak të qendrës së majtë (SPD, Të Gjelbrit, FDP) si edhe ata të grupit parlamentar më të madh opozitar (CDU/CSU) lavdëruan kontributin e KFOR-it në përgjithësi për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë. Por ata vunë në dukje edhe pikat kryesore që e bëjnë mandatin të nevojshëm: Sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, qeveria gjermane e sheh stabilizimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor me interes të madh gjeostrategjik, tha sekretari i parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes, Thomas Hitschler, (SPD). “Përparimet e arritura në dy dekada nuk duhet të humbasin”, tha ai para deputetëve.

    Numri maksimal i ushtarëve gjermanë që mund të angazhohen në kuadër të KFOR-it gjatë 12 muajve të ardhshëm mbetet i pandryshuar, 400. Aktualisht në Kosovë janë stacionuar afro 70 anëtarë të Bundeswehr-it. Por mandati i jep mundësi ministrit të Brendshëm që ta rrisë këtë numër në rast nevoje. Hitschler vuri në dukje se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës mbetet ende i hapur, çka bën që herë pas here të ketë tensione në veri.

    Peter Beyer: Nuk i tolerojmë më arsyetimet kundër asociacionit

    Peter Beyer, nga partia opozitare CDU, tha se normalizimi i marrëdhënieve është kyç. Ai përshëndeti arritjen e Marrëveshjes së Ohritnë fund të marsit, por kritikoi mungesën e vullnetit për implementim. “Arsyetimet as nuk mund t’i dëgjojmë dhe as nuk mund t’i tolerojmë”, tha ai duke pasur parasysh zvarritjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga ana e qeverisë aktuale të Kosovës. Beyer paralajmëroi: “Stabilizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

    Boris Mijatoviç, folës i grupit parlamentar, Të Gjelbrit, i cili vetë sapo ishte kthyer nga një vizitë në rajon, kujtoi plagët e luftës në Ballkan. Ai përmendi të humburit e shumtë dhe shumë çështje të hapura mes dy vendeve, që e vështirësojnë normalizimin. Politikani i partisë së ministres së jashtme, Baerbock u përqendrua te sukseset: Arritja e Marrëveshjes së Ohrit, edhe pse nuk është nënshkruar ende, kandidatura e Kosovës për anëtarësim në BE në fund të vitit të kaluar, si edhe përparimi i arritur në fund të marsit me kalimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të kërkesës së Kosovës për anëtarësim. “Pra, ka suksese por procesi nuk ka përfunduar, kështu që na nevojitet edhe në të ardhmen prania e KFOR-it”, argumentoi Mijatoviç: “Është angazhimi ynë për paqen në rajon”.

    E Majta dhe Alternativa për Gjermaninë e quajnë misionin e KFOR-it të dështuar

    Politikanët e dy partive ekstreme, E Majta dhe Alternativa për Gjermaninë, zgjodhën si edhe në vitet e mëparshme një narrative diametralisht të kundërt me atë të katër partive të qendrës. Markus Frohnmeier, nga AfD, tha se e vërteta është se në fakt, se në vitin 2004 pati një “spastrim etnik” të pakicës serbe, në prani të KFOR-it.” Politikani i djathtë vijoi me akuza ndaj qeverisë së Kosovës: Nepotizmi, si ai rasti Habeck dhe Graichenështë normalitet në Kosovë”. Ai gjithashtu kritikoi qeverinë gjermane, që paguan ndihma zhvillimore, dhe, në emër të AfD, e refuzoi zgjatjen e mandatit. Ai kërkoi që t’i jepej fund këtij shërbimi “All inklusive” për Kosovën, që do të zgjasë edhe 25 vjet të tjerë.

    Edhe Zhaklin Nastiç, që foli në emër të partisë E Majta, e hodhi poshtë zgjatjen e mandatit. Ajo e vuri theksin te situata e pakicës serbe dhe rome në Kosovë. Sipas saj çdo vit ka nga tre sulme ndaj tyre. Nastiç, partia e të cilës e ka quajtur gjithnjë gabim ndërhyrjen e NATO-s kundër Milosheviçit, tha se bombardimet sipas saj kanë shkaktuar 3 500 viktima, por për to askush nuk ka dalë para përgjegjësisë. Po ashtu, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi sipas saj për municionin me uran të përdorur gjatë bombardimeve, si edhe bombardimin e fabrikës së municionit në Pançevo, që sipas saj ka shkaktuar lëshimin e një mase të madhe merkuri.

    Gjermania jep mbi gjashtë milionë euro në vit për Kosovën

    Pas debatit prej 40 minutash, mocioni iu kalua komisioneve përkatëse, atij të jashtëm dhe të mbrojtjes. Trupat gjermane janë përfshirë në misionin e KFOR-it që nga 12 qershori 1999, me hyrjen në fuqi të rezolutës 1244 të OKB-së. Për zgjatjen e mandatit ekziston një konsensus i gjerë në parlamentin gjerman, kështu që mocioni pritet të miratohet.

    Shpenzimet e Gjermanisë për angazhimin e ushtarëve të saj në KFOR pritet të arrijnë në rreth 6.1 milionë euro për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Por kontributi i Gjermanisë në Kosovë është më i madh se kaq. Që nga viti 1999, ajo ka shpenzuar rreth 880 milionë euro për zhvillimin e Kosovës. Bashkëpunimi aktualisht është i fokusuar në fushat e energjisë, kanalizimeve, ekonomisë rrethore, arsimit dhe rritjes së qëndrueshme. Një projekt kryesor i bashkëpunimit zhvillimor është shndërrimi i kampit të Prizrenit në një park inovacioni dhe teknologjie./DW/

  • Power: Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë

    Power: Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, tha të enjten se është e qartë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një hap thelbësor që duhet të ndërmerret për të siguruar vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.

    Zonja Power i bëri këto komente në një fshat afër komunës së Gjilanit rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës, në ditën e parë të vizitës së saj në Kosovë, shkruan Evropa e Lirë.

    “Marrëveshja është aty, ka urgjencë për shembull për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shpresojmë që tani më në fund dialogu ka një rrugë se si do të duket. Edhe pse palët ende nuk kanë qëndrime të përbashkëta se cili do të jetë modaliteti, kjo është hera e parë që po ndodh ky lloj i angazhimit thelbësor”, tha zonja Power duke nënvizuar se themelimi i Asociacionit është diçka që zyrtarët në Serbi e konsiderojnë shumë të rëndësishme.

    “Prandaj është e rëndësishme tani që idetë janë paraqitur, të arrihet kompromisi në mënyrë që të mund të vazhdojë normalizimi i cili do të çojë përfundimisht në njohjen përfundimtare, njohjen e ndërsjellë”, tha ajo.

    Zonja Power tha se nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur, është vetëm një hap për të ndriçuar fatin e mbi 1 mijë e 600 personave që mbetën ende të zhdukur.

    “Dhe si anëtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden, jam gjithashtu në rajon për të folur për, normalizimin, për marrëveshjen e fundit dhe kuadrin për normalizim që është shumë e rëndësishme të zbatohet”, tha ajo.

    Zonja Power shkoi në Kosovë pas një vizite në Serbi, ku premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë dhe Kosovën, ndërsa dy vendet armike të kohës së luftës punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet në një kohë tensionesh të rritura.

    Bashkimi Evropian ka shpenzuar 12 vjet duke lehtësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj.

    Të dyja vendeve u është thënë se duhet të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë që të përparojnë në synimet e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Palët janë pajtuar të mbështesin një plan të BE-së për këtë çështje, por tensionet mbeten të larta.

  • Përfundon Botërori i xhudos për Loriana Kukën

    Përfundon Botërori i xhudos për Loriana Kukën

    Ka përfunduar Kampionati Botëror i xhudos në Doha të Katarit për xhudisten tonë, Loriana Kuka.

    Në kuadër të kategorisë deri në 78 kilogramë në Botërorin e xhudos, Loriana Kuka u ndal në raundin e parë, raporton KP.

    Kuka nuk arriti ta mposhtë xhudisten e Bjellorusisë, Darya Kantsavaya.

    Kosova e mbyll këtë Botëror pa fituar medalje.

  • Hovenier krenohet me ekipin, e prezanton me mysafiren Power

    Hovenier krenohet me ekipin, e prezanton me mysafiren Power

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, njofton se sot e ka mirëpritur administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në objektin e ambasadës.

    Me anë të një postimi në Twitter ai shprehet se e ka prezantuar atë me ekipin, siç e cilësoi, të përkushtuar.

    “Çdo ditë, jam mirënjohës për kontributin e tyre në avancimin e prioriteteve tona strategjike, duke përfshirë mbështetjen për një Kosovë gjithëpërfshirëse, demokratike dhe ekonomikisht të begatë”, shkroi Hovenier.

  • “Ne jemi të një gjaku, të një kombësie”, familja Kelmendi flasin për Kosovën në Eurovision

    “Ne jemi të një gjaku, të një kombësie”, familja Kelmendi flasin për Kosovën në Eurovision

    Shqipëria është kualifikuar për finalen e madhe të Eurovisionit të enjten me “Duje” të Albina Kelmendit me familje.

    Pas performancës ata kanë folur për media për ndjenjën e kalimit në finale.

    Albina është shprehur e lumtur dhe krenare me shqiptarët të cilët e kanë përkrahur këngën.

    Të pyetur për ndjenjat që kanë përjetuar në pjesëmarrje si familje, një prej anëtarëve të familjes ka shpjeguar se ndier emocione të papërshkrueshme.

    “Është ndjenjë e bukur, kemi kaluar nëpër shumë. Përzgjedhja jonë ishte para pesë muajsh, menduam se do të ishte shumë kohë deri në Eurovision, por nuk ishte, gjithçka ndodhi shpejt. Performimi jonë këtu, shkuarja në finale ishte diçka që na bëri zemrat të na rrahin, jemi shumë krenarë”.

    E, për familjen që vjen nga Kosova, të përfaqësosh Shqipërinë ka qenë ndjenjë edhe më e bukur.

    “Besoj se atje po bëhet çmenduria, jemi i njëjti komb, i njëjti gjak. Kosova dhe Shqipëria janë vëlla e motër. Kemi një nënë që është Shqipëria e madhe. Janë shumë të entuziazmuar, na kanë dhënë shumë dashuri”, ka thënë familja Kelmendi.

    Aty nuk kanë munguar as pyetjet lidhur me Serbinë, e familja Kelmendi ka thënë se motoja e Eurovisionit është “Të bashkuar nga muzika” dhe se muzika i bashkon të gjithë.

    “Quhet ‘Të bashkuar nga muzika’. Është e vërtetë që kur dëgjon muzikën lë gjithçka prapa, nuk duam të flasim për ndonjë gjë tjetër. Çdokush që ka shkuar në finale e ka merituar”, ka thënë Kelmendi kur u pyet për performancën e Serbisë e cila po ashtu shkoi në finalen e Eurovision 2023.

  • Raporti pozitiv nga Banka Botërore rrit shpresat e Kosovës për anëtarësim në BE

    Raporti pozitiv nga Banka Botërore rrit shpresat e Kosovës për anëtarësim në BE

    Banka Botërore ka dhënë një raport pozitiv për Kosovën për shkallën e uljes së varfërisë dhe rritjen e të ardhurave për kokë banori.

    Sipas raportit, Kosova është duke kaluar tranzicionin me sukses nga një model i rritjes së varësisë së ndihmës së huaj.

    Banka Botërore gjeti një rritje prej afro 50% të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35% të varfërisë, duke demonstruar një tranzicion të suksesshëm nga një model rritjeje i bazuar në varësinë e lartë nga ndihma e huaj.

    Kosova tani lë pas “vendet homologe me të ardhura të ngjashme për kokë banori, falë zgjerimit të vazhdueshëm të konsumit dhe investimeve, të nxitura nga hyrjet e forta nga diaspora, investimet publike në infrastrukturë dhe thellimi financiar, në kushtet e një situate të qëndrueshme fiskale dhe një inflacioni të ulët”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Bankës Botërore.

    Në këtë shënim, Banka Botërore (BB) tha se “strategjia e re për Kosovën thekson prioritetet për angazhimin e Grupit të Bankës Botërore në vend gjatë pesë viteve të ardhshme, të cilat do të kontribuojnë në efikasitet dhe cilësi më të madhe të shërbimit publik, më shumë vende pune formale në sektorin privat dhe rritjen e qëndrueshmërisë mjedisore.”

    BB tha më tej, “Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin për gjeneratat e ardhshme”.

    Strategjia e re e Grupit të Bankës Botërore mbështet aspiratën e Kosovës për të arritur këtë transformim dhe për t’u integruar plotësisht në institucionet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

    Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, por do të përballet me disa pengesa gjatë rrugës, duke përfshirë bindjen e pesë shteteve anëtare për të njohur sovranitetin e saj. Ato janë Qiproja, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia.