ATV

Author: ATVLive

  • 24 vjet nga masakra e Qyshkut të Pejës

    24 vjet nga masakra e Qyshkut të Pejës

    Isa Gashi është njëri nga të mbijetuarit e masakrës se Qyshkut të Pejës.

    Në 24-vjetorin e kësaj masakre, ku forcat serbe ia vranë e masakruan tre vllezër bashkë 44 burra të tjerë, Gashi tregon se i plagosur rëndë mezi kishte arritur të shpëtonte.

    “Na kanë rrethuar në ora 7 ose 8 të mëngjesit dhe na kanë zënë rob, na kanë mbështet te lapidari, na kanë rrethuar na kanë ndarë në tre grupe, gra, fëmijë, por më vonë i larguan gratë dhe fëmijët. Unë kam ra te vëllai i plagosur, e vëllai tjetër dhe një fqinjë mbi mua, ata dytë të vdekur, aty kam qëndruar 15 minuta deri ka hi flaka shtëpisë, atëherë kam thonë ma mirë le të më vrasin , ma mirë po dal në oborr, deshti zoti ata ikën, që sa ma shpejtë me vra njerëz të tjerë që më dërgu numrin ushtria”, Gashi.

    Gashi kujtimet e asaj dite i ka ende të freskëta, pasi çdo ditë kalon rreth vendit ku ndodhi masakra.

    “Për mua nuk ka më ë vështirë për vdekje por çka me bë, ish luftë ajo, dojshin me na marrë shpirtin. Kurrë nuk mundem me harru, sepse unë çdo ditë kaloj andej që me shku në Pejë, qaty i shoh varrezat, por nuk kam çfarë të bëj”, tha Gashi.

    E të rënët e kësaj masakre i kujtoi edhe Presidentja Vjosa Osmani, sipas të cilës të rënët janë dëshmi e fuqishme e krimeve serbe në Kosovë.

    “24-vjet më parë në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, forcat e regjimit gjenocidal serb vranë e masakruan barbarisht 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan. Ata u vranë në vatrat e tyre shekullore dhe janë dëshmi e fuqishme e krimeve serbe në Kosovë. Ne do ti kujtojmë përherë ata, sikurse nuk do të ndalemi asnjëherë në kërkim të drejtësisë për ti dhënë kuptim lirisë sonë! Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Qyshkut, Zahaqit, Llabjanit e Pavlanit”.

    Krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë, sipas kryeministrit Albin Kurti, nuk mund të falen e as harrohen. Ndërkaq, proceset e rralla e të pakta gjyqësore në Serbi ishin tallje me viktimat dhe shpërlarje kriminelësh. /atvlive.tv

  • LVV-ja me kritika për Miroslav Lajçak

    LVV-ja me kritika për Miroslav Lajçak

    Ndërmjetësi i takimit të dy krye negociatorëve, Besnik Beslimit nga Kosova dhe, Petar Petkovicit nga Serbia, Miroslav Lajçak po kritikohet nga partia në pushtet në Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje.

    Deputeti i kësaj partie, Armend Muja thotë se i dërguari i posaqëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak synon të ofrojë një version ekstrem për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    “Propozimet që i ka pasur Lajçak është që të ofrojë një ekstrem atje dhe një ekstrem këtu dhe ‘hajde të takohemi kah mesi’. Nuk është politika ashtu, as shteti nuk funksionon, besa nuk po funksionojnë as trendët evropianë në atë mënyrë. Qëndrimi jonë prej fillimit ka qenë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjshmëria janë alfa dhe omega. Çfarë ka brenda asaj Kushtetute mund të shikohet se si mund të përmirësohet pjesëmarrja politike e secilit komunitet në Kosovë, por një milimetër jashtë Kushtetutës së Kosovës nuk mund të kalojë. Kjo në Kosovë nuk kalon, këtë duhet ta ketë parasysh edhe zotëri Lajçak dhe të tjerët”, tha Muja.
    Teksa akuzon Serbinë për Moszbatim të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, deputeti Muja thekson se në raport me këtë, ndërmjetësuesi Lajçak herë pas here mban qëndrim të anshëm.

    “Zotëri Lajcak ka pas kohë pas kohe kah një qëndrim të anshëm. Ideja ka qenë se Serbia ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjet, përfshirë edhe marrëveshjen e fundit që ishte në Bruksel. Por ka tendenca gjithmonë ‘hajde t’i gjejmë edhe Kosovës diçka dhe pastaj të themi se të dyja po e shkelin kapak’. Merrini shikoni 39 marrëveshje dhe dakordime dhe shikoni se Serbia e ka një qasje se një herë dakordohet për marrëveshje pastaj duhet pikë për pikë sërish me u dakordu. Janë shumë të papërshtatshëm në marrëdhënie ndërkombëtare”, tha Muja.

    Muja ka folur edhe për komunat në veriun e Kosovës, ku thotë se shteti duhet t’i rrisë kapacitetet atje. /atvlive.tv

  • Draft-statuti për Asoaciacionin “gllabëron” pasuritë natyrore

    Draft-statuti për Asoaciacionin “gllabëron” pasuritë natyrore

    Të gjitha pasuritë e gjigantit metalurgjik Trepça në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do të kalojnë në menaxhim të komunitetit lokal, nëse aprovohet statuti i Asociacionit siç është prezantuar me 2 maj në Bruksel nga ekipi menaxhues.

    Në nenin 54 të këtij drafti parashihet që resurset natyrore do kalojnë në menaxhim të komunitetit, statutit dhe kuvendit.

    “Burimet natyrore (depozitat e qymyrit, xeheve të metaleve dhe jometaleve, uji, burimet ujore, burimet nëntokësore dhe gjeotermale, etj.) të vendosura në territorin e Komunitetit menaxhohen nga Komuniteti, Statuti dhe Kuvendi”, thuhet në nenin 54.

    Aktualisht në këtë pjesë të Kosovës janë dy njësitë biznesore të “Trepçës”, minierat e Bellobërdës dhe Cërnacit me flotacion në Leposaviq.

    Në raportin e auditimit për “Trepçën”, të realizuar për vitet 2019-2021, nga Zyra Kombëtare e Auditimit, shihet se për këtë periudhë nga miniera e Cërnacit dhe ajo e Bellobërdës janë eksploatuar mbi gjysmë milioni tonë xehe.

    Por komunat veriore nuk janë të vetmet që kanë nëntokë të pasur.

    Novobërda, një komunë po-ashtu e banuar me shumicë Serbe është e pasur me xehe të Plumbit e Zinkut.

    Sipas raportit Vjetor të ndërmarrjes “Trepça”, miniera e Artanës në Novobëd, gjatë vitit 2021 ka eksploatuar afro 40 mijë tonë xehe, derisa rezervat metalore
    të kësaj miniere parashihet të jenë mbi 700 mijë tonë.

    Ndërkaq, edhe Brezovica, si njëra nga qendrat kryesore të turizmit në Kosovë, do kalonte në menaxhimin e komunës së Shtërpcës, nëse do arrihej pajtim për draft-statuti për asociacionin të propozuar në takimin e dy majit.

    Megjithatë, ky draft statut është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili edhe ka shkarkuar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues, të cilët sipas tij kanë përgatitur një dokument në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. /atvlive.tv

  • Mbyllet zyrtarisht votimi për 61 bashkitë

    Mbyllet zyrtarisht votimi për 61 bashkitë

    Prej orës 07:00 të mëngjesit deri në 19:00, qytetarët i janë drejtuar kutive të votimit për të hedhur votën për 61 kryetar bashkie dhe këshilla bashkiakë.

    Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në të gjithë vendin ishte i qetë pa incidente serioze. Pjesëmarrja e votuesve është e ulët dhe kjo nisi që në mëngjes pasi procesi nisi me një problem serioz në funksionimin e pajisjeve të identifikimit elektronik.

    E gjitha solli ikje të njerëzve që ishin në qendrat e votimit për të votuar. Problemi u zgjidh me urdhër të KQZ që njoftoi se procesi duhet të vijojë manualisht, që do të thotë se zgjedhësit do të identifikohen me anë të listave të printuara.

    KQZ njoftoi më herët se në më shumë se 500 qendra votimi ka probleme me pajisjen e identifikimit, ndërkohë që pjesë tjetër, pra në rreth 4700 qendra votimi janë plotësisht funksionale. Problem ishte edhe mungesa e komisionerëve kryesisht të Partisë Demokratike.

  • Përleshen fizikisht futbollistët e Gjilanit dhe Dritës pas ndeshjes

    Përleshen fizikisht futbollistët e Gjilanit dhe Dritës pas ndeshjes

    Gjilani dhe Drita kanë barazuar me rezultat 1-1 në ndeshjen e javës së 34-të të Superligës së Kosovës.

    Një penallti në minutat e fundit për vendasit ka ngjallur tensione dhe reagime në mes të lojtarëve.

    Pas përfundimit të ndeshjes, kishte përplasje në mes të futbollistëve të të dyja skuadrave.

  • Fermerët e përshëndesin procesin e lehtësuar për aplikim për subvencione

    Fermerët e përshëndesin procesin e lehtësuar për aplikim për subvencione

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci sot vizitoi fermerin Gjon Musollin në Istog i cili veprimtarinë kryesore e ka blegtorinë.

    Ai mbarështon rreth 500 dele e qingja dhe 70 krerë lopë, tha Peci.

    “Në ditë, nga kjo veprimtari ai merr nga 1100 deri në 1600 litra qumësht në ditë. Përveç se me blegtori ai punon edhe rreth 200 hektarë tokë nga të cilat 80ha me grurë, 85ha me misër, ndërsa të tjerat me jonxhë”.

    Sipas njoftimit nga ky dikaster, Musolli, gjithashtu punon edhe tokën me rreth 200 hektarë prej të cilave 80 ha me grurë, 85 ha me misër dhe pjesën tjetër e ka tw mbjellw me jonxhë.

    “Gjatë vizitës, Ministri Peci bisedoi me Gjon Musollin për sfidat dhe mundësitë në fushën e blegtorisë dhe bujqësisë, ndërsa theksoi se qëllimi i vizitës së tij është për të dëgjuar dhe marrë ide nga fermerët për të ndihmuar në zhvillimin e sektorit bujqësor në Kosovë”, thuhet në kumtesë.

    Ministri Peci gjithashtu u shpreh se politikat mbështetëse por edhe ato legjislative të MBPZhR-së përmes po bëhen me qëllim që të ndihmoj në përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme për fermerët, si dhe të sigurojë mbështetje financiare dhe teknike për të rritur prodhimin dhe kualitetin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në vend.

    “Ndryshe, z. Musolli ishte njëri nga fermerët të cilët përfituan nga procesi i ri i formës së aplikimit në Programin e Pagesave Direkte për vitin 2023, i cili procesin e aplikimit e ka kryer brenda dy orëve, e jo si në të kaluarën që për të njëjtin proces i janë dashur 30 ditë për të kompletuar dokumentacionin për aplikim”.

  • Numërohen mbi 10% e votave, Erdogan kryeson bindshëm

    Numërohen mbi 10% e votave, Erdogan kryeson bindshëm

    Disa minuta më parë ka përfunduar votimi në zgjedhjet historike parlamentare dhe presidenciale të Turqisë.

    Deri më tani janë numëruar mbi 10% e votave, ku është duke kryesuar Recep Tayyip Erdoğan, me 58,34%.

    Ndërsa kandidatit kryesor i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu 35,85%.

    Votuesit do të zgjedhin midis Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, që kërkon rizgjedhjen, kandidatit kryesor të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu dhe Sinan Oğan.

    Muharrem Ince, një tjetër pretendent presidencial, u tërhoq nga gara më herët të enjten.

    Megjithatë, pavarësisht tërheqjes së tij, Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK), autoriteti zgjedhor i Turqisë, ka konfirmuar vlefshmërinë e votave për kandidatin.

    Në zgjedhje do të garojnë mbi 30 parti politike dhe 150 kandidatë të pavarur deputetë.

    Pesë blloqe shumëpartiake janë në garë: Aleanca Popullore, Aleanca e Kombit, Aleanca e Paraardhësve, Aleanca e Punës dhe Lirisë dhe Aleanca e Bashkimit të Forcave Socialiste.

  • Përfundon votimi në Turqi, Erdogan iu bën thirrje mbështetësve “t’i mbrojnë kutitë”

    Përfundon votimi në Turqi, Erdogan iu bën thirrje mbështetësve “t’i mbrojnë kutitë”

    Votimi është mbyllur zyrtarisht në Turqi, por për shkak të radhëve të gjata të votuesve, njerëzit që po presin në radhë po lejohen ta hedhin votën e tyre.

    Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Turqi pritet të dalin brenda tre ditësh, raporton Al Jazeera.

    “Këto tre ditë duken si një jetë pasi kombi është në teh të thikës” thotë reporteri i Al Jazeeras, Sami Zeidan, duke theksuar rëndësinë vendimtare të këtyre zgjedhjeve.

    Erdogan iu bën thirrje mbështetësve “t’i mbrojnë kutitë e votimit”.

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u është drejtuar mbështetësve të tij përmes Twitterit pas përfundimit të votimit.

    “Procesi i votimit ka përfunduar në të gjithë vendin në një mënyrë që i përshtatet demokracisë sonë”.

    “Tani, si gjithmonë, është koha për t’i mbrojtur fort kutitë e votimit. Derisa të finalizohen rezultatet, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë vullnetin e popullit tonë”, shkroi Erdogan.

  • Pësoi vdekje klinike, 56-vjeçari kthehet në jetë

    Pësoi vdekje klinike, 56-vjeçari kthehet në jetë

    Një 56-vjeçar nga fshati Remnik i Vitisë, kishte pësuar vdekje klinike, por falë intervenimit të ekipit të emergjencës në Spitalin e Gjilanit, I.S është kthyer në jetë.

    Lidhur me rastin detaje ka dhënë drejtori i Spitalit Arsim Emini.

    Emini tha se pacienti në fjalë kishte pasur dhimbje në gjoks.

    “Është sjell me autoambulancë nga QKMF-ja në Viti. Ekipi i internistëve dhe kardiologëve ka intervenuar dhe është bërë defibrilimi. Pas analizave është konstatuar se ka pasur infarkt. Ai ka pasur vdekjes klinike, pra zemra nuk ka funksionuar si pompë gjaku”, tha Emini.

    Ai theksoi se më pas është dërguar në QKUK.

    “Atje sipas informatave që kemi është bërë kateterizimi dhe më pas edhe stentimi. Gjendja e tij po përcillet nga mjekët e Klinikës së Kardiologjisë Invazive të QKUK-së”, tha ai.

  • Gjendet i vdekur një 30-vjeçar në hollin e Hotel Grand në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një 30-vjeçar në hollin e Hotel Grand në Prishtinë

    Një 30-vjeçar është gjetur i vdekur në hollin e Hotel Grand në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Ahmeti ka thënë se 30-vjeçari është gjetur i vdekur në hollin e hotelin ku ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e tij.

    “Sot rreth orës 06:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në hollin e një Hoteli në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit mashkull 30 vjeç. Aktualisht policia ka nisur hetimin e rastit si vdekje e dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.” – ka thënë Ahmeti.