ATV

Author: ATVLive

  • Situata në veri, anulohet “Defender Europe 2023”

    Situata në veri, anulohet “Defender Europe 2023”

    Situata e tensionuar në veri të vendit ka bërë që aktiviteti i paraparë për sot (e martë) në kuadër të ushtrimit të madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 2023” të anulohet, njofton Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

    Nga ky dikaster nuk është bërë e ditur nëse Dita e Vizitorëve e paraparë për sot do të zëvendësohet në një tjetër.

    “Ju njoftojmë se për shkak të situatës në veri të vendit, aktiviteti i paraparë për sot (DV DAY), në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit. Si pasojë e protestave të dhunshme një ditë më parë, u plagosën 25 ushtarë të KFOR-it.

    “Defender 23” në Kosovë ka nisur më 21 maj, ushtrim ky që udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

    Kosova ka qenë nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2021 por sivjet Forca ka pjesëmarrje më të madhe, me mbi 1300 pjesëtarë.

    Ndërsa janë mbi 300 pjesëtarë të njësive partnere që kanë zbarkuar bashkë me FSK-në në Babaj të Bokës-vendi ku po zhvillohet ushtrimi.

    Pjesë e “Defender Europe 23” janë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa ushtarak. /KosovaPress/

  • Deputetja britanike për ngjarjet në veri: Bandat serbe po paguhen dhe armatosen nga Beogradi

    Deputetja britanike për ngjarjet në veri: Bandat serbe po paguhen dhe armatosen nga Beogradi

    Alica Kearns, kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ka shkruar një cicërimë në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    Ajo ka theksuar se në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosën me armë nga Beogradi.

    “Inkurajoni këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë këtë artikull të NYT për Vuçiqin, dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar dhe siguruar interesat e tij. Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi.” – ka shkruar Kearns.

  • Haxhiu: Po i identifikojmë kriminelët për t’i sjell para drejtësisë

    Haxhiu: Po i identifikojmë kriminelët për t’i sjell para drejtësisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar mbrëmë se bandat e organizuara kriminale serbe të cilat udhëhiqen nga presidenti serb, Aleksandar Vuqiq nuk do të tolerohen.

    Ajo u shpreh se sulmet ndaj policisë, gazetarëve që kryenin punën e tyre dhe KFOR-it, janë të papranueshme dhe të dënueshme.

    “Republika e Kosovës nuk do të lejojë veprime që cenojnë sovranitetin dhe integritetin terrirorial dhe as përmbushje të apetiteve të Vuqiqit. Të gjithë, pa dallim duhet të dënojnë këto akte kriminale”, shkroi ajo në Facebook.

    Mes tjerash, Haxhiu tha se institucionet e Kosovës po identifikojnë kriminelët që ishin në prezentë në protestën e djeshme në veri, të dalin para drejtësisë

    “Ata që pamë nuk janë qytetarë serb që janë të pakënaqur me kryetarët legjitim por janë kriminelë që udhëhiqen nga Vuqiq me qëllim të destabilizimit. Institucionet e drejtësisë së bashku me policinë po identifikojnë kriminelët që t’i sjellin para drejtësisë”, tha ajo.

  • Analisti amerikan flet për tensionet në veri: Kurti fajtor, por jo sa Vuçiq

    Analisti amerikan flet për tensionet në veri: Kurti fajtor, por jo sa Vuçiq

    Analisti amerikan, Edward Joseph ka komentuar tensionet në veri të Kosovës, teksa ka folur edhe për kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas tij, Kurti ka përgjegjësi për situatën, por jo aq sa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Albin Kurti bëri një gabim, mund të them që të dyja palët kanë përgjegjësi, por përgjegjësia nuk është e barabartë. Përgjegjësia e Beogradit është më e madhe, por edhe Albin Kurti ka përgjegjësinë e tij”, tha ai për Euronews Albania.

    “Albin Kurti e nxiti situatën, prandaj dhe Shtetet e Bashkuara, miku i madh i Kosovës dhe shqiptarëve, i bëri apel Kurtit që të mos e bënte këtë, që të zgjidhte një masë të moderuar. Edhe vendet e QUINT-it i kërkuan të njëjtën gjë Albin Kurtit sepse është KFOR-i që ka përgjegjësinë përfundimtare për sigurinë, nuk është qeveria e Kosovës, por KFOR-i, misioni i NATO-s”.

  • Begaj: Dënoj ashpër keqpërdorimin e serbëve të Kosovës dhe dhunën ndaj KFOR-it

    Begaj: Dënoj ashpër keqpërdorimin e serbëve të Kosovës dhe dhunën ndaj KFOR-it

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se e dënon ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave të KFOR-it.

    Në një reagim të bërë publik në Facebook, Begaj u shpreh se “asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovë dhe Serbisë”.

    Begaj po ashtu tha se askush nuk mund ta vë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Kosovë, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike.

    “Por gjithashtu, i përsëris publikisht thirrjen time vëllazërore autoriteteve kosovare për më shumë durim e maturim dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët tanë”.

  • Berisha: Serbomadhi Vuçiq në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës

    Berisha: Serbomadhi Vuçiq në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bashkëpunim me Kremlinin, po kërkon destabilizimin e Kosovës.

    Reagimi i tij vjen pas tensioneve në veri të Kosovës, ku të hënën protestuesit serbë sulmuan KFOR-in, Policinë dhe gazetarët.

    “Serbomadhi Vuçiç në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës. Të dashur miq, Presidenti i serbomadhisë ka angazhuar fallangat e tij kriminale të dërguara nga Beogradi dhe bandat serbe lokale, në veprime të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe policisë së Kosovës që po mbajnë rendin dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”, shkroi ai në Facebook.

    Ai shtoi se “gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë në këto komuna, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar nga kriminelë me maska, me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë të tjera djegëse, shishe molotov, janë dëgjuar dhe të shtëna me armë”.

    “Gazetarët e Radios “Evropa e Lirë” kanë njoftuar se janë parë disa ushtarë të plagosur të KFOR-it dhe një veturë e këtyre njësive duke u djegur nga mjetet shpërthyese që janë hedhur. Burime nga KFOR flasin per dhjetra ushtar te plagosur. Ndërkaq, gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it”, ka thënë Berisha, teksa ka dënuar incidentet në veri të Kosovës.

    “Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë skenar të bashkrenduar të Beogradit me Kremlinin, sulmet kriminale të fallangave të gangsterëve serb kundër KFOR-it, ushtarëve të tij, gazetarëve dhe policisë së Kosovës”.

  • Shefi i EULEX’it e dënon dhunën ndaj ushtarëve të KFOR’it

    Shefi i EULEX’it e dënon dhunën ndaj ushtarëve të KFOR’it

    Shefi i EULEX’it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka dënuar sulmet e djeshme ndaj forcave të KFOR’it në Kosovë.

    Protesutesit serbë janë përleshur në Zveçan me forcat e KFOR’it.

    ”Dënoj sulmin e sotëm të pakuptimtë dhe të paprovokuar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe u uroj ushtarëve të plagosur shërim të shpejtë.

    ”NATO_KFOR është partneri kryesor i sigurisë së #EULEX-it së bashku me Policinë e Kosovës. Ne koordinohemi dhe stërvitemi së bashku. Sot sundimi i ligjit u shkel në Kosovë”, ka shkruar ai.

    Për tensionet e së hënës në Veri kanë reaguar edhe vendet e QUIN’it, duke e dënuar sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR’it.

  • Sejdiu për situatën në veri: Grupe të përgatitura nga Beogradi po duan të nxisin gjakderdhje

    Sejdiu për situatën në veri: Grupe të përgatitura nga Beogradi po duan të nxisin gjakderdhje

    Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se shihet qartë që protestat në veri janë të dhunshme dhe të udhëhequra nga bandat e njohura serbe tash e përtej dy dekadash.

    “Ditët e sprovave të mëdha. Tash e sa ditë në komunat e veriut të Kosovës, ku ka një shumicë të komunitetit serb, grupe të organizuara po kundërshtojnë me dhunë e përgjakje stabilizimin e jetës së qytetarëve dhe të vet institucioneve të shtetit të pavarur – Republikës së Kosovës, duke dashur të vazhdojnë me anarki”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

    “Të nxitura e të përgatitura në vazhdimësi nga Beogradi ato me dhunë e sulme ndaj policisë së Kosovës dhe forcave të KFOR-it, ato duan të nxisin gjakderdhje sikur që vepruan sot ndaj policëve dhe ushtarëve. Nuk e kanë hallin e paqes e të demokracisë, por përkundrazi duan destabilitetin e Kosovës dhe përtej saj”.

    Tutje, ai ka shtuar se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të thellojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, “prirë nga SHBA-të për të kapërcyer këtë gjendje që provokon paqen dhe stabilitetin”.

  • Rashiq: Askush nuk mund të dalë fitues nga situata në veri

    Rashiq: Askush nuk mund të dalë fitues nga situata në veri

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, i cili theksoi se kjo situatë ka ardhur deri te disa veprime të ngutshme.

    Rashiq konsideron se situata në veri është delikate, dhe sipas tij kjo gjendje nuk është dashur të ndodh.

    Ai gjatë një konference për medie u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të zgjedhur në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan të kenë tolerancë dhe përmbajtje.

    “Sa i përket ndodhive të ditëve të fundit, unë mendoj se ka ardhur tek disa veprime të ngutshme, e kemi një krizë të minimalizuar në pjesën veriore, në kuptimin në mënyrë regjionale. Gjërat që janë kaq shumë delikate duhet t’u kushtojmë një vëmendje të posaçme, mendoj për kolegët tanë për kryetarët e sapo zgjedhur të komunave. Kryeministri ka thënë, unë pres nga ata që të jenë në shërbim të qytetarëve, do të thotë se 95 për qind e qytetareve kanë menduar se kjo nuk ka qenë ide e mirë. Në mënyrë afatgjatë mendoj se kryeministri Kurti ia mendon të mirën të gjithë qytetarëve atje, edhe serbëve atje. Mirëpo në këtë rast mendoj se metodologjia nuk ka qenë aq adekuate nëse kjo qon peshë unë i thërras ata që të kenë tolerancë dhe përmbajtje. Ka ndodhur ajo që ka ndodhur dhe në mënyrë figurative e them se duhet t’i ngrijmë pozicionet”, u shpreh Rashiq.

    Ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Rashiq konsideron se duhet të gjendet një mënyrë për tejkalim të kësaj situate e cila sipas tij nuk ishte dashur të ndodh.

    “Të mendohet “out side of the box”, pra perëndimorët thonë të mendojnë në mënyrë jashtë kornizës, dhe ta gjejmë një zgjidhje ku asnjë nuk do të humbë, pasi askush nuk do të dal fitues. Në çdo rast jam në dispozicion për qytetarët, qeverinë sikur edhe më parë, që brenda kapacitetit tim dhe ministrisë, ta gjejmë një mënyrë që ta kalojmë këtë problem, që sipas meje nuk është dashur të ndodhë”, tha Rashiq.

    Ministri Rashiq këto komente për situatën e tensionuar në veri i bëri në një konferencë për medie , ku shpalli thirrjen publike për propozime për financim për projekte dhe aktivitete në bazë të kodit të subvencionuar për “Masën e Ringjalljes Ekonomike 1.9” të miratuar nga Qeveria e Kosovës me vlerë totale prej 3.000,000 euro.

  • Osmani: Bandat kriminale sulmuan gazetarët, policinë dhe KFOR-in, dhuna të dënohet nga të gjithë

    Osmani: Bandat kriminale sulmuan gazetarët, policinë dhe KFOR-in, dhuna të dënohet nga të gjithë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tensioneve të sotme në veri të Kosovë, ku pati përplasje të serbëve me personelin e KFOR-it, Policinë e Kosovës si dhe ndodhën sulme ndaj gazetarëve që po raportojnë nga vendi i ngjarjes.

    Shefja e shtetit shkroi në Twitter se strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.

    Ajo tha se këto akte të dhunës duhet të dënohen nga të gjithë, transmeton Paparaci.

    “Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Osmani.