ATV

Author: ATVLive

  • Sindroma e Abdikimit, pse disa njerëz ndjekin verbërisht liderët politikë apo fetarë?

    Sindroma e Abdikimit, pse disa njerëz ndjekin verbërisht liderët politikë apo fetarë?

    Nga Steve Taylor/ “Psychology Today”

    Disa vite më parë shkrova një artikull me titull “Sindroma e Abdikimit”, në të cilin u përpoqa të shpjegoja fuqinë e disa udhëheqësve të kulteve fetare, guru-ve të korruptuar dhe udhëheqësve politikë mbi ndjekësit e tyre, shkruan Steve Taylog për “Psychology Today”.

    Këta të fundit heqin dorë nga përgjegjësia për jetën e tyre, nga vullneti i tyre, dhe ofrojnë njëpërkushtim të pakushtëzuar ndaj udhëheqësve. Ata u binden urdhrave të tyre, pa e vrarëmendjen mbi pasojat, sikur të jenë gati të hipnotizuar.

    Pavarësisht se sa keq sillen liderët, ndjekësit e tyre gjithmonë gjejnë një justifikim, për të ruajtur imazhin e pagabueshmërisë që kanë ndaj tyre. Unë argumentoj se kjo “Sindromë e Abdikimit” buron nga dëshira e pavetëdijshme e disa njerëzve për t’u rikthyer në gjendjen e fëmijërisë së hershme, kur prindërit e tyre ishin figura të pagabueshme, të plotfuqishëm, që e kontrollonin jetën e tyre dhe i mbronin nga bota.

    Ata po përpiqen që ta ringjallin atë gjendje fëmijërie të përkushtimit dhe papërgjegjshmërisë së pakushtëzuar. Për ta nuk ka nevojë që të mendojnë vetë, sepse udhëheqësi i tyre i di të gjitha përgjigjet. Nuk ka nevojë që të shqetësohen për asgjë, sepse mësuesi do të sigurojë gjithçka që u nevojitet.

    Ata nuk ndihen më të pasigurt, të paplotë apo të hutuar. Ata thjesht shijojnë dashurinë dhe mbrojtjen e mësuesit, siç bënin dikur me prindërit e tyre. Në librin tim të ri “DisConnected”, e përshkruaj me detaje të reja “Sindromën e Abdikimit”. Ndër të tjera shpjegoj se sindroma është aq shumë e fuqishme, sa që çon në një gjendje specifike të ndryshuar të ndërgjegjes, ose siç mund ta quajmë ne, në një gjendje të abdikuar të vetëdijes.

    Një herë bisedova me një mësues shpirtëror (guru) të njohur. Meqë mbërrita më herët sesa orari i takimit, u enda nëpër selinë e tij duke parë librat dhe objektet e tjera të qendrës. Bisedova edhe me një nga ndjekësit e mësuesit, i cili më shqetësoi paksa me shikimin e tij të zbrazët dhe admirimin fëmijëror që kishte ndaj mësuesit të tij.

    “Ai është njësh! Është gjithçka që kam kërkuar. Që kur e ndjek atë gjithçka ka shkuar shumë mirë në jetën time”- më tha plot entuziazëm. M’u kujtua se e kisha ndeshur edhe më herët atëlloj shikimi të zbrazët. Disa vite më parë, një e njohura ime më ftoi mua dhe të dashurën time të merrnim pjesë në një seminar të grupit të saj shpirtëror.

    E kuptova menjëherë se ajo gjë nuk ishte për mua. U zhgënjeva nga nderimi i madh që ata treguan për mësuesin e tyre (që në fakt nuk ishte i pranishëm). Sa herë që përmendnin emrin e tij, një buzëqeshje e madhe shfaqej në fytyrat e tyre, tamam si adoleshentë të dashuruar.

    Po ashtu, unë u habita jo pak nga cilësia e dobët e mësimeve, të cilat ishin kryesisht jo koherente dhe plot klishe. Por ajo që më shqetësoi më shumë, ishte shikimi i zbrazët i secilit prej tyre. Çdokush, miqtë apo të afërmit e atij që i është bashkuar një kulti, do ta njohë këtë shikim të ngjashëm me ekstazën.

    Siç vuri në dukje një ish–pjesëtar i Kishës së Unifikimit për anëtarët e grupit:”Ata të gjithë kishin sy të qelqtë, si dy vezë, që hapeshin aq shumë saqë dukej sikur bebëzat do u pëlcisnin”. Në fakt, ky shikim “me sy të qelqtë” është investiguar nga studiuesit.

    Sociologu Benjamin Zablocki e përshkroi këtë “vështrim të zymtë, të tërhequr” – së bashku me një buzëqeshje të frikshme të ngrirë – si një shenjë klasike të shpëlarjes së trurit apo “nënshtrimit konjitiv ekstrem”. Sociologu tjetër Mark Galanter, besonte se “vështrimi i qelqtë” ka një efekt izolues. Ai përcakton kufijtë e grupit dhe i largon të huajt.

    Por nga këndvështrimi im, shikimi me “sy të qelqtë” është një shenjë e sigurt e “Sindromës së Abdikimit”. Ai është vështrimi i njerëzve që kanë hequr dorë nga përgjegjësia për jetën e tyre dhe janë kthyer në gjendjen e përkushtimit si fëmijë ndaj një figure atërore.

    Kjo gjendje e abdikuar e ndërgjegjes është e ngjashme me hipnozën. Tek e fundit, tipari thelbësor i hipnozës, është se një person heq dorë nga vullneti i tij dhe e lejon hipnotizuesin të marrë përsipër “funksionet ekzekutive” të mendjes, të cilat menaxhojnë sjelljen tonë dhe kontrollojnë vendimet dhe emocionet tona.

    Unë jam pak ngurrues për të përdorur termin “shpëlarje truri” në këtë kontekst, pasi kjo nënkupton se anëtarët e kultit janë viktima të pafajshme të liderëve keqdashës. Në librin tim të ri, unë sugjeroj që udhëheqësit e kultit, gurutë e korruptuar dhe udhëheqësit politikë autoritarë janë personalitete “që nxitin një shkëputje të madhe nga bota” dhe që dëshirojnë pushtet dhe admirim.

    Ashtu si me hipnozën – kur një subjekt e lejon hipnotizuesin të marrë përsipër vullnetin e tij Sindroma e Abdikimit është (të paktën në fillim) një marrëveshje midis ndjekësit dhe udhëheqësit. Ndjekësi ka një nevojë psikologjike për të adhuruar dikë, ndërsa udhëheqësi ka nevojë psikologjike për t’u adhuruar.

    Është një marrëveshje midis një personi që dëshiron të marrë rolin e fëmijës dhe një personi që dëshiron të marrë rolin e prindit. Sindroma e Abdikimit nuk sjell një përfundim të mirë. Ashtu si të gjitha marrëdhëniet toksike, marrëdhënia midis liderëve autoritarë dhe ndjekësve të tyre të nënshtruar, është e dënuar të shkojë keq që në fillim.

    Sepse ajo bazohet në patologji nga të dyja anët:hiper–ndikim e liderëve, dhe pasiguria dhe papjekuri psikologjike e ndjekësve të tyre. Po ashtu, është një marrëdhënie shumë e paqëndrueshme, për shkak të hendekut gjigant midis liderit (me bashkëpunëtorët e tij) dhe ndjekësve të tij të nënshtruar. Çdo patokraci – në formën e një kulti ose një qeverisje – çon në mënyrë të pashmangshme drejt konfliktit, kaosit dhe vetë-shkatërrimit.

  • Policia jep detaje për gjendjen aktuale në Veri

    Policia jep detaje për gjendjen aktuale në Veri

    Situata e sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mëngjesin e së martës është e qetë, thanë nga Policia e Kosovës.

    Edhe sot serbët lokalë kanë vazhduar me protesta.

    Situata është e qetë dhe aktualisht nuk ka ndonjë incident të shënuar.

    “Nuk kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar. Policia është duke i kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka”, tha për REL, Veton Elshani nga Policia e Kosovës.

    Ai tha se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

    Më 29 maj, protestuesit serbë u përleshën në Zveçan me forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

    Si pasojë e përleshjeve, të paktën 25 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, sikurse edhe disa protestues.

    Serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen në komuna të kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit. Ata po ashtu po kërkojnë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.

    Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e rinj të shkonin në zyrat komunale më 26 maj, kur dhe u ngritën tensionet.

    Kosovës i është kërkuar që të heqë dorë nga “masat e dhunshme” dhe “veprimet e njëanshme”. Por, autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si legjitime veprimet e tyre në veri.

    Zgjedhjet në veri u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm në nëntorin e kaluar – që të gjithë nga Lista Serbe – për shkak të kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe serbët gjerësisht bojkotuan procesin e votimit./REL

  • ​Dyshimet për trukime, reagon edhe presidenti i KOK-ut

    ​Dyshimet për trukime, reagon edhe presidenti i KOK-ut

    Xhiro e fundit e Superligës së Kosovës në futboll ngjalli reagime të shumta nga opinioni sportdashës në Kosovë për shkak të dyshimeve se mund të jenë kurdisur ndeshjet Trepça ‘-Prishtina dhe Ferizaj-Dukagjini.

    Në këtë të fundit, portieri i Dukagjinit pranoi një gol që po konsiderohet si pranim i qëllimshëm duke ia dhënë fitoren Ferizajt që rrjedhimisht solli edhe sigurimin e barazhit të kësaj skuadre për mbetje në Superligën e Kosovës, ndërsa nga ana tjetër e pësoi Trepça ‘89 që ka rënë tashmë në Ligën e Parë, raporton KP.

    Në lidhje me këto dyshime, ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Presidenti i shtëpisë më të madhe të sportit në Kosovë, Ismet Krasniqi, ka thënë për KosovaPress se janë fuqishëm kundër këtyre dukurive negative që e dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të sportit kosovar, në këtë rast të futbollit. Ai ka shtuar se beson tek organet kompetente brenda Federatës së Futbollit të Kosovës se do të marr masat e duhura nëse dyshimet e tilla konfirmohen.

    “KOK është fuqishëm kundër dukurive të tilla negative që dëmtojnë imazhin e mirë që sporti dhe në këtë rast futbolli kanë krijuar në arenën ndërkombëtare.

    Ne besojmë fuqishëm tek organet kompetente të FFK-së, që të marrin masat e duhura, në rast se vërtetohet që ka pasur dukuri të tilla.”, ka thënë Krasniqi për KosovaPress.

    Ndërkohë, Këshilli për Sport dhe Ministria e Sportit tashmë kanë konformuar se kanë kërkuar nga prokuroria që të nis hetimet për këto dy ndeshje.

  • Kompania izraelite: Grupi Wagner është nisur në Kosovë

    Kompania izraelite: Grupi Wagner është nisur në Kosovë

    Kompania izraelite “Terror Alarm”, në një cicërimë të saj, mbrëmë ka thënë se “Grupi terrorist Wagner është nisur për në Kosovë”, raporton KosovaPress.

    Kompania që lëshoi njoftimin është e njohur për paralajmërimet e autoriteteve për sulmet terroriste dhe parandalimin e shumë prej tyre në kulmin e sulmeve të ISIS në Evropë të viteve 2014-2017.

    Sipas “Terror Alarm”, informacioni është siguruar nga OpenSource Intelligence, përkatësisht nga monitorimi i kanalit të PMC Wagner në Telegram.

    Postimi në llogarinë e twitterit, “Terror Alarm” e bëri mbrëmë, pas eskalimit të situatës në Zveçan, ku grupe kriminale serbe sulmuan KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, me ç’rast mbetën të plagosur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

    Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

  • Franca e dënon dhunën në veri, i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë menjëherë masa

    Franca e dënon dhunën në veri, i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë menjëherë masa

    Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka reaguar ndaj situatës në veri të Kosovës.

    Sipas kësaj ministrie, Franca e dënon dhunën në veri dhe u bën thirrje palëve, sidomos Qeverisë së Kosovës, të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve.

    “Franca dënon dhunën që ka ndodhur në veri të Kosovës në termat më të ashpër të mundshëm dhe u bën thirrje palëve, veçanërisht qeverisë së Kosovës, që menjëherë të ndërmarrin masat e nevojshme për uljen e tensioneve”, ka shkruar në Twitter Ministria e Punëve të Jashtme të Francës.

  • Kurti bisedon me kryediplomatin italian dhe të dërguarin britanik, Peach: Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste

    Kurti bisedon me kryediplomatin italian dhe të dërguarin britanik, Peach: Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë të hënës ka pasur dy biseda telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë.

    Kurti në një postim në Twitter shkruan se ministrit Tajani i ka përcjell mirënjohjen e thellë të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për guximin e ushtarëve italian.

    “Në një telefonatë të dytë sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio_Tajani, përcolla mirënjohjen e thellë të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës për veprimin e guximshëm të ushtarëve italian në kuadër të KFOR-it për të ruajtur paqen përballë ekstremizmit të dhunshëm. I uroj shërim të plotë dhe të shpejtë të lënduarve”, shkruan Kurti.

  • KFOR: Të hënën në veri u plagosën 30 ushtarë, palët të marrin përgjegjësi për situatën

    KFOR: Të hënën në veri u plagosën 30 ushtarë, palët të marrin përgjegjësi për situatën

    Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave, ka bërë të ditur se nga zhvillimet e ditës së hënë në veri mbetën të plagosur 30 ushtarë.

    Aty thuhet se KFOR-i iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme. Ndërkohë që detaje ka dhënë për të plagosurit.

    “Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thuhet në komunikatë.

    Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën.

    “Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme”, thuhet aty.

    Bëhet e ditur se komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve dhe familjet e tyre:

    “Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme”, bëheet e ditur të ketë thënë Ristuccia.

    KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

  • Edhe veturës së ATV-së i shpohen gomat, fillon mbledhja e turmës në Zveçan

    Edhe veturës së ATV-së i shpohen gomat, fillon mbledhja e turmës në Zveçan

    Provokimet e protestuesve serb në Zveçan, sot kanë nisur më herët.

    Para pak minutash huliganët serb kanë shpërthyer gomat e veturës së ATV-së.

    Sulme ndaj mediave ka pasur edhe ditën e djsheme, ku pos që iu anë shpuar gomat, ato janë ngjyrosur me simbole nacionaliste nga protestuesit serb, si dhe janë goditur nga plumbat.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur tejet i shqetësuar me situatën në të cilën kanë raportuar kolegët gjatë ditës së hënë në komunat veriore. /atvlive.tv

  • Lista Serbe i bashkohet protestuesve në Zveçan

    Lista Serbe i bashkohet protestuesve në Zveçan

    Pjesëtarët e Listës Serbe i janë bashkuar protestuesve që tashmë kanë filluar te mblidhen para komunës së Zveçanit.

    Slavko Simic dhe Goran Rakic ndodhen bashkë me serbët e tjerë aty.

    Edhe dje që të dy ishin pjesë protestave para të njëjtës komunë.

    Madje ata ishin negociatorët kryesorë me KFOR-in për të shpërndarë protestuesit serbë që në mbrëmje eskaluan duke shkaktuar dhunë ndaj pjesëtareve të KFOR-it.

  • KFOR-i fton Kosovën e Serbinë të marrin përgjegjësi për situatën në veri

    KFOR-i fton Kosovën e Serbinë të marrin përgjegjësi për situatën në veri

    Misioni paqeruajtës i KFOR-it i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të marrin përgjegjësi për situatën e krijuar në veri, duke bërë thirrje që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejmë i situatës.

    Në një komunikatë. drejtuar mediave, KFOR-i bëri të ditur se se 30 ushtarë janë plagosur të hënën në komunën e Zveçanit gjatë dhunës së protestuesve serbë. 11 ushtarë italian dhe 19 nga kontingjentin hungarez kanë pësuar lëndime të shumëfishta, përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse e shpërthyese.

    Lëndimet e tyre, sipas KFOR-it, nuk janë të rrezikshme për jetën.

    “Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën. Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, duke kryer mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

    KFOR-i bëri të ditur se komandanti i misionit, gjeneralmajor, Angelo Michele Ristuccia, po i përcjell personalisht zhvillimet.

    “KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet tutje.