ATV

Author: ATVLive

  • Rama: Ushtria serbe në kufi të Kosovës si ajo meksikane pranë SHBA’së, zero fuqi

    Rama: Ushtria serbe në kufi të Kosovës si ajo meksikane pranë SHBA’së, zero fuqi

    Në Forumin e Sigurisë në Sllovaki, kryeministri Edi Rama është pyetur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

    Rama theksoi se ushtria serbe në kufi të Kosovës e ka fuqinë të barabartë me 0. Ai bëri krahasim duke thënë se është njësoj “si ushtria e Meksikës të afrohet në kufirin e SHBA-ve.

    Pyetje: Mendoj se është pak e fortë, por pyetje e mirë sepse përmend tensionet aktuale në Kosovë. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

    Edi Rama: Jo jo po përqendrohesha te ajo që shkruhej “ushtria serbe në kufi”. Kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikës së brendshme sepse ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me 0! Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë do të bëhej?! Me gjithë respektin e mundshëm sepse e dua Meksikën! Po çfarë mund të bëjë? Asgjë, absolutisht asgjë. Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Bini dakord zoti Kovaçevski me këtë qëndrim?

    Kovaçevski: Gjej ndonjë vend tjetër, jo Meksikën! (Të qeshura) Është njësoj si ushtria kubane të shkojë në Florida. Dalja e vetme nga kjo situatë është zbatimi i marrëveshjes mes shteteve në mënyrë që të ketë normalizim.

  • Opozita kërkon raportimin e Kurtit për veriun – Tahiri: S’do të rrimë duarkryq

    Opozita kërkon raportimin e Kurtit për veriun – Tahiri: S’do të rrimë duarkryq

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, tha se kanë të gjitha grupet parlamentare kanë kërkuar që të mbahet një seancë ku do të raportojë kryeministri Kurti për gjendjen në veri, raporton EO.

    Ai pas mbledhjes së Kryesisë, tha se si parti nuk do të rrimë duar kryq, duke shtuar se duhet të sanohet dëmi i shkaktuar nga Qeveria pas sanksioneve nga Amerika.

    Sipas tij, agjenda ndërkombëtare e Kosovës është dëmtuar shumë dhe se vendi po kthen hapa mbrapa.

    “Kosovën e gjendet në një pozicion të pa lakmueshëm. Sot 31 maj e gjen në ballinat me të mëdha botërore si një vend që është sanksionuar nga ShBA. Në nuk duhet të rrimë duar kryq duhet ta sanojmë dëmin që ka shkaktuar kjo Qeveri. Agjenda jonë ndërkombëtare është dëmtuar shumë, janë shqetësues dhe të dëmshëm me kosto shumë të madhe dhe do të na duhet vite e vite që të arrijmë aty ku kemi qenë”.

    “Kemi kërkuar që të kemi një raportim nga Kryeministri për situatën e krijuar në veri. Nuk ka kurrfarë kuptimi që të mbahen seanca të rregullat pa pasur një raportim nga kryeministri për gjendje e shkaktuar. Këtë ja kemi lënë kryetarit të Kuvendit që të vendos më kryeministrin se kur do të mbahet seanca. Është shqetësues nga ajo që ka thënë Kurti për sekretarin amerikanë. Sot ne po e vuajmë të bërit politik nga Albin Kurti, veprimet që është duke i bërë po i shkaktojnë dëme Kosovës”, tha ai.

  • AAK-ja kërkon mocion mosbesimi për Qeverinë

    AAK-ja kërkon mocion mosbesimi për Qeverinë

    Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, tha se është e rëndësishme që për këtë Qeveri të nis një mocion i mosbesimit si përgjigje për veprimet e saj, raporton EO.

    Ai ka shtuar se sanksionet e ShBA-së e kanë goditur në themel shtetin.

    “Ne nuk mund të sillem kishe nuk është duke ndodhur asgjë në këtë vend, gjendja është e jashtëzakonshëm dhe nuk mund të sillem zakonshëm. Për AAK është me rëndësi që të nis një mocion i mosbesimit për këtë Qeveri”.

    “Sanksionet e kanë goditur në themel shtetin. Për AAK institucionet janë të shenjta. Nuk mund t’i japim mbështetje një kryeministri që i merr sanksione nga Amerika siç marrin armiqtë e saj. Një mocion i mos besimit është përgjigjja për këtë. Për t’u integruar veriu së pari është dashtë të integrohet politika e Kosovë”, tha ai.

  • Osmani pranon ftesën për ceremoninë e inaugurimit të Erdoganit

    Osmani pranon ftesën për ceremoninë e inaugurimit të Erdoganit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar ftesën e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

    Osmani është ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij më 3 qershor.

    Erdogan fitoi zgjedhjet të dielën që shkojë përballë rivalit Kemal Kılıçdaroğlu.

    Erdogan, kandidati presidencial i Aleancës Popullore fitoi zgjedhjet, duke marrë 52 % të votave. Deri më tani janë numëruar mbi 98 % e votave, ndërsa mbështetësit e liderit turk kanë nisur festën.

  • Kurti: Policia jonë po bën punë profesionale

    Kurti: Policia jonë po bën punë profesionale

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    “Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha Kurti në një adresim nga Bratisllava.

    Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”.

    “Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, tha po ashtu Kurti.

    Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

    Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Po këtë ditë, sekretari Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe “i ka përshkallëzuar tensionet pa nevojë”.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ kanë marrë fund, për të”.

    Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

    Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan. /rel

  • ​Mediat pengohen vazhdimisht nga protestuesit serbë në Zveçan

    ​Mediat pengohen vazhdimisht nga protestuesit serbë në Zveçan

    Numër më i madh i protestuesve sesa dje janë tubuar afër ndërtesës së Komunës në Zveçan.

    Mediat janë duke u penguar vazhdimisht nga grupe të caktuara në protestë ndërsa edhe automjetet e disa mediave janë thyer dhe u janë shpuar gomat, raporton KosovaPress.

    Ndryshe nga ditët e tjera, përfaqësues të Listës Serbe nuk vërehen deri më tani në mesin e protestuesve.

    KosovaPress ka raportuar më herët se edhe në Zubin Potok sot ka numër më të madh të protestuesve që kanë dalë për të kundërshtuar, sipas tyre, kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

    Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

    Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

  • Protestuesit serbë provokojnë me këngë nacionaliste në Zubin Potok

    Protestuesit serbë provokojnë me këngë nacionaliste në Zubin Potok

    Në Komunën e Zubin Potokut ka një numër më të madh të protestuesve krahasuar me ditën e djeshme.

    Megjithatë, ndryshe nga ditët e kaluara, sot nuk ka protestues të maskuar. Në afërsi të objektit ndodhen pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa pak më tutje edhe pjesëtarët e KFOR-it.

    Protestuesit vazhdojnë të provokojnë me këngë nacionaliste. /atvlive.tv

  • Shtypi gjerman: Kosova, në kufi të një krize të re të madhe

    Shtypi gjerman: Kosova, në kufi të një krize të re të madhe

    Shpërthimi i dhunës në veriun e Kosovës tronditi qeverinë gjermane, që e ka dënuar atë “ashpërsisht”. Por me shumë vëmendje po i ndjek zhvillimet në Kosovë edhe media gjermane, përcjell albinfo.ch.

    “Handelsblatt” shpreh shqetësimin se Kosova sërish ndodhet në kufi të një krize të re të madhe. “Nëse do të arrihet çtensionimi i dëshiruar, është e pasigurt. Qeveria e Kosovës bëri përgjegjëse presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për zhvillimet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter të hënën në mbrëmje se ‘në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste’.

    Vuçiq, nga ana e tij, ia vuri fajin Kosovës dhe pretendoi se policia e atjeshme ka qëlluar ndaj anëtarëve të pakicës serbe, para se të shkallëzohen protestat- Vuçiq pretendon, se Kurti dëshiron përgjakje”.

    Kurse në një koment të Erich Rathfelder për “tageszeitung” me titullin “Perëndimi që harron historinë” nënvizohet se “në konfliktin aktual në Kosovë dhe po ashtu në Bosnjë përjetojmë se sa sipërfaqësor është bërë debati në lidhje me Ballkanin, se sa pak kritika marrin ata diplomatë dhe politikanë që lëvizin vidat në Ballkan, pa mësuar nga historia. Që është e gabuar strategjia e frenimit të sistemeve autokratike dhe nacionaliste me politikë zbutëse, ata nuk e kuptojnë.” Rathfelder vëren se ende jemi larg paqes së stabilizuar në rajon, megjithëse kanë kaluar 24 vjet nga lufta në Kosovë dhe shton se kjo ndoshta lidhet me atë se mësimet nga lufta e Kosovës nuk janë të ankoruara më aq thellë tek politikanët e sotëm dhe brezi i gazetarëve, dhe merren vendime politike që nuk dalin nga mësimet e së shkuarës e kështu lindin konflikte të reja, thekson “tagezeitung”.

    Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nën titullin “Kryetarë komunash shqiptarë për qytetarë serbë”, shkruan se “shkallëzimi i fundit u kuptua që javën e kaluar, por shenjat janë dhënë që prej një muaji. Ato lidhen me zgjedhjet komunale, që u mbajtën në prill në katër komunat veriore. Këto u shpallën, pasi popullsia serbe në veriun e Kosovës, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë, në nëntor 2022 në shenjë proteste kundër politikës së kryeministrit kosovar, Albin Kurti u tërhoqën të bashkuar nga institucionet lokale….për të zënë vendet në bashkitë bosh, Kurti organizoi zgjedhjet në komunat e prekura, që u bojkotuan gati plotësisht nga popullsia serbe…BE e kritikoi menjëherë pas numërimit të votave të pakta para një muaji, që zgjedhje të tilla nuk janë zgjidhje afatgjatë politike për konfliktin në veriun e Kosovës…BE iu bashkua kërkesës së Serbisë, që Prishtina më të fund të lejojë themelimin e kërkuar prej kohësh të Asociacionit të Komunave.”

    Kurse gazeta Neue Zürcher Zeitung” shkruan se Kurti dhe Vuçiq grinden në kurrizin e serbëve të Kosovës, dhe se tensionet në veriun e Kosovës vazhdojnë edhe pas përplasjes së serbëve militantë me trupat e NATO-s. Kurti që ka qëndrim legalist vendosi që të zgjedhurit pas votimit të 23 prillit të hynin në zyrat e tyre, në shërbim të të gjithë qytetarëve, shkruan NZZ, por “presioni ndaj Kurtit u rrit kur Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të shtunën në Twitter dënoi hapin e Kurtit dhe kërkoi ndërprerjen e tij. Kurti nuk u impresionua nga qortimi amerikan – e pazakontë kjo për politikanët kosovarë. Në vend të kësaj ai fajësoi radikalët e komanduar nga Beogradi dhe huliganët për protestat. Këta po marrin peng popullin kosovar. Por, kjo është gjysma e vërtetës. Sigurisht që ka grupime që kanë mbështetjen e drejtpërdrejtë të partisë qeverisëse në Beograd. Por, është e vërtetë po ashtu që pjesa më e madhe e popullsisë serbe në Kosovë jo vetëm që asnjëherë nuk e ka pranuar shtetin kosovar, por veprimet pa kompromis të Kurtit i percepton si armiqësore”.

    Gazeta “Die Welt” i kushton vëmendje reagimit të Rusisë pas ashpërsimit të konfliktit në veriun e Kosovës, që edhe një herë del si fuqia mbrojtëse e serbëve. “Rusia e sulmoi ashpër Perëndimin. ‘Ne kërkojmë nga Perëndimi që më në fund të ndalë propagandën mashtruese që fajin për incidentet në Kosovë ua vë serbëve të dëshpëruar që duan të mbrojnë të drejtat legjitime dhe lirinë e tyre pa armë dhe në mënyrë paqësore’, deklaroi Ministria e Jashtme në Moskë….nuk është vonë ‘të kthehet pas historia e zgjedhjeve komunale të falsifikuara të 23 prillit’”. /DW

  • Ish-kryetari i Zveçanit përsërit kërkesat e serbëve

    Ish-kryetari i Zveçanit përsërit kërkesat e serbëve

    Ish-kryetari i Zveçanit, Dragisha Milloviq, po pretendon se nuk ka grupe kriminale në protestat në veri të vendit.

    Në protestën e sotme e cila po vazhdon në Komunën e Zveçanit kundër kryetarëve shqiptarë deklaroi po ashtu protesta e sotme do të jetë e qetë.

    Milloviq edhe sot i ka përsëritur kërkesat e protestuesve të cilët po kërkojnë tash e tri ditë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri.

    Ai ka përmendur seancën gjyqësore ndaj dy të arrestuarve ditë më parë duke thënë se shumëçka do të varet nga epilogu i vendimit të gjykatës, raporton KosovaPress.

    Qysh në orën shtatë të mëngjesit protestuesit serbë kanë nisur grumbullimin para objektit të Komunës së Zveçanit.

    Ndërsa, protestuesit në këtë komunë janë parë duke shpalosur një flamur gjigant të Serbisë.

    Me qëllimi të shtimit të sigurisë, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë vendosur tela gjemborë rreth objektit të komunës në Zveçan. Ndërsa, shihet edhe prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

  • ​Shoferi i Igor Simiqit ndër më të dhunshmit në protestën ku u lënduan ushtarët e KFOR-it

    ​Shoferi i Igor Simiqit ndër më të dhunshmit në protestën ku u lënduan ushtarët e KFOR-it

    Danijel Smigiq, shoferi i nënkryetarit të Listës Serbe Igor Simiq, ishte ndër personat më të dhunshëm në protestën e së hënës (29 maj), ku si rezultat i egërsisë së protestuesve u lënduan 30 paqeruajtës të KFOR-it.

    Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka shpërndarë një video në rrjete sociale ku edhe shihet Smigiq tek godet pa ndalim ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, raporton KosovaPress.

    “Danijel #Smigic, shoferi i Igor #Simiç, udhëheqës i @srpskalista, ishte një nga personat më të dhunshëm në protestën e djeshme në veri të #Kosovës, ku u plagosën më shumë se 25 ushtarë të #NATO-s”, ka shkruar të martën Musliu.

    Serbët në veri janë duke protestuar që nga e premtja.

    Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.