ATV

Author: ATVLive

  • Policët të rrezikuar në veri, qeveria i lë pa shtesa tash e katër muaj

    Policët të rrezikuar në veri, qeveria i lë pa shtesa tash e katër muaj

    Serbët e veriut nuk i duan policët kosovarë në komunat e tyre, që ndodhen brenda territorit të Republikës së Kosovës.

    Shok-bombat, mjetet piroteknike, gurët, por edhe armët e zjarrit, janë mjetet që gjatë ditëve të fundit u përdorën për të kundërshtuar, përveç kryetarëve të rinj, edhe praninë e Njësive Policore të Kosovës në komunat veriore.

    Me gjithë situatën, policët e Kosovës edhe muajin qershor do ta kalojnë pa i marrë shtesat për rrezikshmërinë në punë.

    “Shtesa për rrezikshmërinë që do të duhej të merrnin, ashtu si e kanë marrë para implementimit të Ligjit të pagave, do të ishte nga 140 euro deri në 215, kjo varësisht nga njësia ku janë të angazhuar. Shtesat e rrezikshmërisë nuk janë duke u ekzekutuar qe katër muaj”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

    I brengosur për rrezikun ndaj të cilit ekspozohen zyrtarët policorë, Zeqiri thotë se Qeveria ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë drejt ekzekutimit të shtesave për rrezikshmërinë, pavarësisht premtimeve nga ministritë përkatëse.

    “Niveli i rrezikshmërisë, për policinë, në veri të vendit është i lartë. Kemi pasur diskutim social dhe jemi në diskutim, por ende nuk kemi marrë përgjigje konkrete, përveç asaj se është duke u punuar në këtë drejtim”, tha Zeqiri.

    Pse nuk po ekzekutohen shtesat e rrezikshmërisë për Policinë? Kur do të ndodhë kjo dhe a do të ketë kompensim të shtesave për muajt që ato nuk janë ekzekutuar, ishin pyetjet e ATV-së drejtuar Ministrisë së Financave dhe asaj të Punëve të Brendshme. Mirëpo, në asnjërën prej tyre, televizioni nuk mori përgjigje.

    Nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat, Policisë së Kosovës dhe disa profesioneve të tjera iu ndërprenë shtesat për rrezikshmëri, si dhe shtesat e tjera, me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar puna e Komisionit për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve ne ATV e gjeni ne videon me poshtë:

  • Protesta në Zubin Potok, qytetarët përseritin kërkesat

    Protesta në Zubin Potok, qytetarët përseritin kërkesat

    Pak para orës tetë të mëngjesit, qytetarët e Zubin Potokut bëhen bashkë këtu në qendër të qytetit.

    Teksa afrohen para kordonit të Policisë së Kosovës, i cili qëndron në hyrje të objektit të Komunës, nis muzika me motive nacionaliste.

    Kështu nuk qëndrojnë edhe gjatë, pasi shpërndahen në tenda dhe të qetë, por në lëvizje të kohëpaskohshme, e kalojnë edhe ditën e katërt të protestës, në kundërshtim të kryetarit të ri e të prezencës së Policisë.

    Situata ishte në vëzhgim edhe të pjesëtarëve të KFOR-it, derisa një pjesë më e madhe e tyre po qëndronin prapa objektit të Komunës.

    Në mesditë, sikurse edhe një ditë më parë, u pa një helikopter i KFOR-it.

    Protestuesit, të cilët pasdite ishin në numër më të vogël, përsëritën kërkesat e tyre.

    Kryetari i ri i Komunës, Izmir Zeqiri, tha se ka rekomandime që funksionin ta ushtrojë nga Zyra për Komunitete në Çabër.

    Protestuesit, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë, u shpërndanë të qetë pak para orës 16:00. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror te lajmeve ne ATV e gjeni ne videon me poshtë:

  • ​Hovenier pas takimit me Kurtin: De-eskalimi i situatës në veri, urgjencë

    ​Hovenier pas takimit me Kurtin: De-eskalimi i situatës në veri, urgjencë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurtin, ka thënë se është urgjencë de-eskalimi i situatës në veri, raporton KP.

    Para mediave, Hovenier, diskutimin me Kurtin, e ka cilësuar si të mirë dhe produktiv.

    Ai ka thënë se me Kurtin kanë biseduar edhe për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

  • Edi Rama e zë në befasi me përqafime e puthje kryeministren e Italisë

    Edi Rama e zë në befasi me përqafime e puthje kryeministren e Italisë

    Në Samitin që po mbahet në Moldavi, mediat kanë kapur një moment teksa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përqafon dhe puth homologen e tij italiane Giorgia Meloni.

    Kryeministrja e Italisë shihet pak sa e befasur teksa Rama i shkon nga prapa për ta përshëndetur.

    Video është shpërndarë në Instagram nga “JOQ Albania”.

  • Hovenier i shkon në takim Kurtit

    Hovenier i shkon në takim Kurtit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke zhvilluar takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

    Raportohet se temë kyçe e takimit do të jetë situata në veri, raporton Ekonomia Online.

    Ky është takimi i parë i Kurtit me Hovenier pasi SHBA-ja e sanksionoi Kosovën me mospjesëmarrje në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”.

  • Policia jep detaje, dy shqiptarë në veri u sulmuan nga grupet kriminale të maskuara

    Policia jep detaje, dy shqiptarë në veri u sulmuan nga grupet kriminale të maskuara

    Policia e Kosovës ka konfirmuar sulmin ndaj dy qytetarëve shqiptarë sot në veri të Mitrovicës.

    Policia në komunikatë bëri të ditur se të dy qytetarët kanë qenë duke qëndruar në hyrje të sheshit në veri të Mitrovicës, ku pastaj janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer.

    “Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit të Mitrovicës Veri. Si pasojë e sulmeve dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

    Sipas policisë, aktet e tilla kriminale, nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, iu shërbejnë vetëm individëve apo grupeve të caktuara kriminale.

    “Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja policore, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi”, thuhet në komunikatë.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

  • “SHBA ka 3 karta për Kosovën”- Ja cilat janë ato sipas Xhavit Halitit

    “SHBA ka 3 karta për Kosovën”- Ja cilat janë ato sipas Xhavit Halitit

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti mbrëmë në emisionin CONTEXT në ATV, tha se SHBA i ka tri karta për veriu dhe varet nga Kosova se cilën kartë do ta përdorin ata.

    Këto komente Haliti i bëri kur u pyet se a ekziston rreziku që veriu të rikthehet nën administrim të UN-it siç ka qenë edhe më herët se 2008-ta.

    “Me qenë se nuk është zbaruar marrëveshja dhe nuk ka fillu të zbatohet, me qenë se janë deklaruar të dytë edhe Vuçiq edhe zotri Kurti që ‘ne nuk e zbatojmë marrëveshjen’, sepse të dytë i kanë kushtet e veta, njëri thotë të bëhet asociacioni e tjetri thotë të zbatohet marrëveshja në tërësi. Unë po besoj se asnjëri nuk e kanë pasur bash përnime, të dytë e kanë pasur me hile ndaj njëri-tjetrit. Tani jemi në një situatë kur rreziku është ky që po thoni ju, sepse ata kanë tri karta: Karta e parë ka qenë Asociacioni, karta e dytë është autonomia dhe karta e tretë është shkëputja”, tha Haliti.

    Ai tha se nëse nuk qetësohet situata në veri, është e mundur që të kthehet administrimi i përkohshëm ndërkombëtar deri sa të qetësohet situata.

    “Tani nëse vendoset administrim ndërkombëtar që është e mundshme, sepse këta nëse nuk qetësohen, njerëzit, ata që i mbështesin institucionet e Kosovës ose kryetarët e komunave dhe policia, dhe ata përpiqen me e luajt rolin e vet, atëherë mund të vendoset kjo, administrim i përkohshëm derisa të qetësohet situata sepse nuk e besoj që do të vendoset për disa vjet një administrim ku me ditë se çfarë”, tha Haliti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Zyrtare: Bayerni transferon sulmuesin e Kosovës

    Zyrtare: Bayerni transferon sulmuesin e Kosovës

    Bayern Munichu e ka konfirmuar transferimin e sulmuesit kosovar, Dion Berisha për skuadrën e dytë.

    Berisha kalon nga akademia e të rinjve të Augsburgut te Bayern Munichu për sezonin e ri 2023/24, ku do të jetë pjesë e skuadrës së Holger Seitz, raporton KosovaPress.

    Hamit Altintop, drejtori sportiv te kampusi i Bayernit tha: “Dioni është një talent tejet interesant që ka shijuar një edukim tejet të mirë te FC Augsburgu. Ai veçse ka eksperiencën në ligën regjionale, dhe ne jemi tejet të lumtur që ai ka vendosur që ta merr hapin e radhës me ne”.

    Berisha, i lindur më 9 maj të 2003-ës në Lyon, bëri tetë paraqitej në sezonin e kaluar të Ragionalliga Bayern, më së shumti si sulmues i krahut. Dioni ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare me Bayernin.

    Dion Berisha është pjesë e grupmoshave U21 të Kombëtares së Kosovës, me të cilën ka bërë tre paraqitje ndërsa ka shënuar një gol.

  • ​Komisoni Evropian: Zgjerimi i Ballkanit perëndimor sa më shpejtë të jetë e mundur

    ​Komisoni Evropian: Zgjerimi i Ballkanit perëndimor sa më shpejtë të jetë e mundur

    Zëdhënësit e Komisionit Evropian, Ana Pisonero dhe Eric Mamer, kanë deklaruar të enjten se zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është një investim gjeostrategjik në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë e përbashkët, për çka kanë thënë se duhet të punohet sa më shpejt dhe sa më shumë.

    Pisonero në një konferencë për media deklaroi se KE është duke dhënë gjithë mbështetjen për vendet partnere që të avancojnë dhe të përshpejtojnë reformat që nevojiten për të vazhduar ecjen përpara në rrugën e integrimit, raporton KP.

    “Natyrisht, si rregull i përgjithshëm, ne nuk do të komentojmë gjërat e zakonshme. Mendoj se është shumë me vend të kujtojmë se për Bashkimin Evropian në tërësi, dhe kjo përfshin si institucionet ashtu edhe shtetet anëtare. Ballkani Perëndimor është prioritet, dhe zgjerimi i tij është prioritet… Për atë që na përket ne, ne jemi këtu duke sjell të gjithë mbështetjen që mundemi për vendet partnere që të avancojnë dhe të përshpejtojnë reformat që nevojiten për të vazhduar ecjen përpara në rrugën drejt BE-së.., e cila padyshim mbulon një fushë shumë të gjerë, pasi ju e dini shumë mirë gjithçka që është kyçe dhe unë mendoj se konteksti i ri gjeopolitik sot përforcon qartë se zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është një investim gjeostrategjik në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë tonë të përbashkët, ndaj mendoj se të gjithë duhet të punojnë në këtë drejtim, më shpejtë dhe sa më shumë”, tha ajo.

    Se KE qëndron prapa procesit të zgjerimit e tha edhe Eric Mamer.

    “Komisioni qëndron prapa procesit të zgjerimit, qëndron pas përgatitjeve për anëtarësim të vendeve të interesuara, po jep mbështetje, po i mbështet këto vende me të gjitha mundësitë e saj. Mendoj se kjo është demonstruar gjerësisht gjatë muajve dhe viteve të fundit dhe siç e ka theksuar me të drejtë Anna, ky është një proces i cili menaxhohet nga një sërë institucionesh sipas procedurave shumë, shumë specifike, të cilat sigurisht që ne të gjithë i respektojmë”, tha ai.

  • ​Kurti: Mbetet në gjykimin e kryetarëve nëse do të qëndrojnë në objektet komunale

    ​Kurti: Mbetet në gjykimin e kryetarëve nëse do të qëndrojnë në objektet komunale

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të insistojë se kryetarët e komunave veriore duhet të ushtrojnë detyrat e tyre në objektet komunale, por shtoi se mbetet edhe në gjykimin e kryetarëve të zgjedhur.

    Në ditën katërt të protestave në veri, Kurti, theksoi se ata që i kanë braktisur institucionet e Kosovës janë përgjegjës për situatën e krijuar në veri.

    “Unë besoj se kryetarët e komunave duhet të jenë në ndërtesat dhe zyrat e kryetarëve të komunave, s’ka nevojë për paralelizma. Kemi nevojë për normalitet, demokraci për komunë në funksion të qytetarëve. Cili është kuptimi që kemi ndërtesa publike për zyrtarët e shtetit nëse ato nuk shfrytëzohen. Unë natyrisht, mund të paramendoj zvogëlimin e policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave atëherë kur do të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit dhe shovinizmit të djathtë ekstrem të cilët e adhurojnë Millosheviqin dhe Putinin. Ata ose le të shkojnë në Serbi ose duhet t’i qojnë në burg. Mirëpo nuk ka mundësi që ne mos t’i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen, ne do të mund të zvogëlojmë numrin e policëve”, tha Kurti.

    Ndërkaq, tha se institucionet e Kosovës kanë bërë krejt çka është e mundur për zgjidhjen e situatës në veri.

    “Por sërish është kryetari ai i cili i ka marrë votat e qytetarëve dhe natyrisht që i merr vendimet për të cilët gjykojnë kryetarët. Unë jam i bindur se kemi bërë krejt çka është e mundur. Së pari, i kemi shtyrë zgjedhjet për katër muaj, së dyti i kemi mbajtur zgjedhjet dhe ato janë konsideruar legjitime dhe të drejta edhe nga faktori ndërkombëtar. Së treti, që të gjithë e kanë pranuar rezultatin e këtij procesi zgjedhor dhe së katërti ne kemi pranuar që mos të ketë kurrfarë triumfalizmi për fitoren në këto zgjedhje, madje që edhe ceremonia e betimit të bëhet në ndërtesa publike, por tash duhet të fillojë puna. Ministria e Financave i paguan njerëzit për punën që bëjnë. Struktura paralele ka Serbia, unë mendoj gjithnjë e më shumë të pafuqishme. Ne nuk mundemi të krijojmë struktura paralele jashtë objekteve zyrtare. Mos harroni kur kanë hyrë kryetarët të hënën në vendin e tyre të punës në zyra komunale ato kanë qenë të zbrazura të braktisura, përveç që kandidatët serbë braktisën procesin zgjedhor, ata i braktisën edhe ndërtesat. Ata që i kanë braktisur janë përgjegjësi për gjendjen e krijuar, jo ne që duam të punojmë dhe marrim pjesë në zgjedhje”, deklaroi Kurti.

    I pyetur për raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së, Kurti tha se ato janë shkëlqyeshme, mirëpo ka raste kur dallojnë në qasje, e cila sipas tij nuk është thelbësore.

    “Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë raporte të shkëlqyeshme bilaterale dhe kudo në arenën ndërkombëtare. Ne jemi jashtëzakonisht dhe përjetë falënderues dhe mirënjohës për mbështetjen dhe ndihmën e ShBA-së për çlirimin dhe pavarësinë, për mbrojtjen dhe sigurinë, për zhvillimin dhe demokracinë. Natyrisht se ka raste kur na dallojnë nga pak qasjet, por këto nuk janë gjëra që janë thelbësore dhe assesi vendimtare. Sot ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura të cilët shtiren si protestues dhe në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës, prej të cilëve duhet të çlirohemi edhe republika jonë demokratike, por edhe komuniteti serb. Për këtë, po ashtu e kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi ai.

    Këto komente Kurti i bëri të enjten pasi u takua me nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës, me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

    Ndryshe, protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.