ATV

Author: ATVLive

  • Sveçla: KFORI përgjegjës për vijën kufitare, s’e dimë ku po i mban Serbia policët tanë

    Sveçla: KFORI përgjegjës për vijën kufitare, s’e dimë ku po i mban Serbia policët tanë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë të enjten se gjurmët e gjetura në territorin e Kosovës ku ka ndodhur kidnapimi i policëve të Kosovës nga njësitet speciale të ushtrisë së Serbisë, tregojnë se këta të fundit ishin të shumtë në numër.

    Ai ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë vepër, derisa shtoi se përgjegjësia për vijën kufitare është e KFOR-it.

    Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë po ashtu se janë duke bërë përpjekje të dinë se ku po mbahen policët shqiptarë të kidnapuar.

    “Gatishmëria e Policisë është në nivel të lartë. Unë besoj që do të jenë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdo sfide”, tha ai, raporton KosovaPress.

  • Kurti prezanton faktet dhe demanton Serbinë: Rrëmbimi i tre policëve ndodhi brenda Kosovës

    Kurti prezanton faktet dhe demanton Serbinë: Rrëmbimi i tre policëve ndodhi brenda Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar fakte që sipas tij, tregojnë se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga Policia e Kosovë ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe jo jashtë saj, siç pretendon Beogradi zyrtar.

    Ai tha se vendi ku janë kidnapuar tre policët e Kosovës, ndodhet në 1 km larg prej kufirit, në thellësi të territorit të Kosovës.

    “Kidnapimi, rrëmbimi ka ndodhur në këtë vend që është thellë në territorin e Kosovë, 1km larg kufirt në njërën anë, që i bie të jetë veriperëndimore, 670m larg që i bie pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimore 300 metra. 1km, 670 metra dhe 300 metra”, tha ai, teksa ishte duke prezantuar hartën, që tregon vendndodhjen e policëve, kur u rrëmbyen të mërkurën nga autoritetet serbe.

    “Në të njëjtë kohë, kemi fotografitë ku shihet haptazi se këta nuk kanë mundur të kalojnë tutje siç pretendon Serbia se kanë shkuar atje dhe janë arrestuar atje. Bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë e jo arrestim në Serbi. S’bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të PK-së përtej kufirit të Serbisë, bile as përtej rrugës së prerë që ndodhet 1km, 670 metra dhe 300 metra”, shtoi Kurti, në një konferencë para gazetarëve.

    Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se nuk do të ndalen dhe zmbrapsen në kërkim të drejtësisë dhe respektim të ligjit dhe kushtetutshmërisë.

    “Ne jemi në të drejtën tonë. Askush nuk është imun në këto shkelje, asnjë kriminel s’është më i fortë se shteti. Republika e Kosovës është sovrane dhe demokratike. Qytetarët tanë nuk do të shkelen, por do të mbrohen. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këto akte”, shtoi ai.

  • Ngritet niveli i gatishmërisë, Kurti: Kemi shtuar kontrollet në kufi

    Ngritet niveli i gatishmërisë, Kurti: Kemi shtuar kontrollet në kufi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, pas rrëmbimit të tre zyrtaarëve të Policisë së Kosovës.

    Ai tha se temë e diskutimit ishte veprimi i djeshëm agresor i Serbisë që rrëmbeu tre zyrtarë të PK-së

    “Diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Institucionet propozuan rekomandimet e tyre. Rasti i djeshëm ishte agresion, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës dhe intencë për deskalim kur ne kemi propozuar planin pesë pikësh për depërshallëzim të situatës”, tha ai para gazetarëve.

    “Institucionet e kanë ngritur nivelin e gatishmërisë. Janë forcuar kontrollet, duke shtuar kështu kontrollet për automjetet që vinë nga Serbia, sidomos ato të mallrave”, shtoi Kurti.

    Sipas tij, veprimet e radhës e Kosovës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve të Kosovës. Kurti shtoi se synimi është siguria, veçmas në kufijtë e Kosovës.

    Mes tjerash, Kurti kërkoi lirimin e tre zyrtarëve policorë. Pati një thirrje edhe për ndërkombëtarët.

    “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, u bëjm thirrje ndërkombëtarëve ta dënojnë këtë akt agresori të Serbisë”, shtoi Kurti.

  • Begaj për kidnapimin e policëve: Akt i rëndë provokativ – ndërkombëtarët të ndërhyjnë

    Begaj për kidnapimin e policëve: Akt i rëndë provokativ – ndërkombëtarët të ndërhyjnë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit kosovar nga Policia e Serbisë.

    Begaj tha se ky është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit.

    “E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë”, tha Begaj.

    Tutje, Begaj iu bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të dekurajojnë veprime të tjera të ngjashme.

    “Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me ShBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, tha Begaj.

  • ​Ahmeti pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë: Pala serbe t’i ndalojë provokimet

    ​Ahmeti pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë: Pala serbe t’i ndalojë provokimet

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka dënuar rrëmbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe. Ai ka deklaruar se pala serbe duhet t’i ndalojë provokimet menjëherë.

    Ahmeti ka shkruar se është i shqetësuar për situatën e tensionuar në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Dënoj ashpër aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë dhe pres lirimin e menjëhershëm të tyre. Pala serbe duhet ti ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësimin e aleatëve tanë, bashkësisë euro-amerikane, t’i japin fund kontestit shumëvjeçar përmes njohjes së ndërsjellë. Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Ahmeti.

    Ai ka thënë se tani është koha të ndërmerren veprime që të ruhet paqja, stabiliteti rajonal dhe perspektiva evropiane.

    Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

  • Borrell i vë kushte Kurtit për rundin e ri të dialogut

    Borrell i vë kushte Kurtit për rundin e ri të dialogut

    Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.

    Borrell i është përgjigjur kështu letrës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi atij ditë më parë, duke ia prezantuar planin e tij prej pesë pikash, që sipas kryeministrit kosovar do të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri të vendit.

    “Siç e dini, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, me parakushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja. Nuk mund të kemi përparim në normalizimin e raporteve, përderisa ne merremi me menaxhimin e krizave. Të 27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-ja, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëviz përpara. Prandaj, shtensionimi i situatës kërkohet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”, tha Borrell në letrën që i dërgoi Kurtit.

    Zyrtari evropian ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të mos punojnë nga zyrat në objektet komunale, tërheqjen e policisë nga afërsia e këtyre ndërtesave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

    “Paralelisht, ne po i kërkojmë Serbisë që të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, shkroi Borrell.

    Kurti më 13 qershor njoftoi se i ka dërguar Borrellit planin prej pesë pikash për shtensionimin e situatës në veri.

    Ai këtë plan e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani).

    Borrell është ndalur edhe në pikën tre të planit të Kurtit që Policia e Kosovës, NATO dhe misioni për Sundim të Ligjit i BE-së në Kosovë, EULEX, të kryerjen e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë.

    Zyrtari i lartë evropian tha se kjo çështje mund të diskutohet pas shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

    “Megjithatë, kjo nënkupton se ju duhet të merrni në konsideratë opsionet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe t’i trajtoni ata si partnerë, që nënkupton koordinim paraprak me ta”, tha Borrell.

    Ai tha se kjo nuk ka ndodhur gjatë operacionit policor të 13 qershorit në Mitrovicë të Veriut, kur u arrestua Millun Millenkoviq, që Kosova e akuzon se është një prej organizatorëve të ngjarjeve të dhunshme ndaj KFOR-it në Zveçan më 29 maj dhe për ngjarje të tjera.

    “Prandaj, çdo rol i ardhshëm i masave të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës duhet të diskutohet dhe individualisht të vlerësohet së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet në të kaluarën kanë treguar se jo çdo masë e marrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë, në kontekstin e një mjedisi shumë të ndjeshëm”, tha Borrell.

    Ai i bëri thirrje Kurtit që të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, duke plotësuar kërkesat e SHBA-së dhe BE-së.

    “Vetëm pasi të rivendoset paqja dhe stabiliteti në veri të Kosovës, ne mund të përqendrohemi në normalizim, përmes zbatimit, nga të dyja palët, të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimitdhe Aneksit të saj. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të nis menjëherë pa vonesa dhe parakushte”, tha ai, duke paralajmëruar se nëse Kosova dështon të shtensionojë situatën, do të përballet me masa.

    Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë më 13 qershor se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

    Ndërsa më 14 qershor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se BE-ja nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbushë kërkesat ndërkombëtare.

    BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi./REL

  • Kamionëve u ndalohet, kontrolle të shtuara për veturat me targa serbe që hyjnë në Kosovë

    Kamionëve u ndalohet, kontrolle të shtuara për veturat me targa serbe që hyjnë në Kosovë

    Qeveria e Kosovës tha se “pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe”, institucionet kanë vendosur që të ndalojnë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë.

    Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.

    “Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit”, tha Kryeziu.

    Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

    Në Beograd, zyrtarët thanë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

    Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

    “Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

    Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

    Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. /REL

  • Qeveria shkarkon dy borde e emëron një

    Qeveria shkarkon dy borde e emëron një

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike të mërkurën në të cilën ka marrë katër vendime.

    Ajo ka miratuar emrat e kandidatëve që do t’i propozohen Kuvendit të Kosovës, për pozitat e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë.

    Emrat e propozuar kanë qenë: Arta Qorolli – Isufi, Drita Desku, Adnan Preniqi, Arjeta Pajaziti – Qerimi, Kujtim Hoxha, Naim Sahiti, njoftoi Kryeministria në një komunikatë për media.

    Po ashtu, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për bartje të së drejtës së shfrytëzimit, nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës, te Ministria e Shëndetësisë me qëllim të ndërtimit të objekteve të Institutit Special në Shtime dhe Qendrës Rehabilituese të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime.

    Ka emëruar Bordin e përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës “NKEC”, me këtë përbërje: Alban Krasniqi, kryesues, Elvisa Destanovic, anëtare, Dhurata Gutaj, anëtare, Ismet Vrapqani, anëtar.

    Si dhe, ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve dhe ka emëruar Bordin e përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë Sh. A., me këtë përbërje:

    Izja Mjeku, kryesuese; Arlindja Nallbani, anëtare; Besnik Aliu, anëtar; Valbona Fazliu Xheladini, anëtare.

  • Berisha: Kurti s’më ka folur pasi u bë kryeministër

    Berisha: Kurti s’më ka folur pasi u bë kryeministër

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha foli në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës dhe qëndrimin e Tiranës zyrtare.

    Teksa hodhi akuza në lidhje me mbështetjen që sipas tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po i jep Beogradit, Berisha u ndal dhe te marrëdhënia e tij personale me kryeministrin Albin Kurti.

    Berisha në “Euronews Albania” tha se me Kurtin nuk ka pasur asnjë takim që pasi ai është zgjedhur kryeministër, dhe mund ta ketë takuar dy-tre herë gjithsej gjatë karrierës politike.

    Ai shtoi se nuk e ka këshilluar për veprimet që duhet të ndërmarrë, pasi këto kohë nuk kanë pasur komunikim.

    “Në mënyrë absolute Kurti nuk ka ardhur në zyrën time, as nuk kam asnjë komunikim. Atëherë nuk ka ardhur për të më kërkuar mendimin por për të mbështetur mendimin tim, pasi siç e dini njeriu i parë që kundërshtoi në mënyrë intensive çështjen e ndarjes së Kosovës isha unë. Pastaj filluan me radhë edhe autoritetet politike në Kosovë. Erdhën njëri pas tjetrit për t’u solidarizuar me qëndrimin tim, por jo se pata ndonjë lidhje”.

    “Hera e fundit që mund të kem komunikuar me Kurtin mund të ketë vite, kam drekuar njëherë gjatë kohës që ishte në opozitë. Pasi ai u zgjodh kryeministër nuk kam pasur asnjë komunikim. Ky është personi që kam takuar më pak nga politikanët e tjerë të Kosovës. Kam ngrënë një drekë me të e kam takuar dy tre herë dhe kaq”, ka thënë mes tjerash Berisha.

    Ndër të tjera, ai tha publikisht se është kosovar.

    “Kosova është dheu im, duhet ta dijë e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota që unë jam kosovar. I kam thënë një fjalë luftëtarëve të Kosovës në 92-shin, Adem Jasharit dhe grupit të tij, që gjysmën e kohës e kam për Shqipërinë, gjysmën tjetër për Kosovën, këtu unë nuk mund të ndryshoj. Kosova, Malësia e Gjakovës është etnikisht pjesë e Kosovës”, tha Berisha.

  • Sveçla: Nuk e dimë se ku po mbahen policët

    Sveçla: Nuk e dimë se ku po mbahen policët

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se, për shkaqe të sigurisë, ka urdhëruar që në të gjitha pikat e kalimit kufitar të ndalohet hyrja e maunave nga Serbia. Ky vendim vjen pasi forcat serbe kanë rrëmbyer tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, brenda territorit të vendit tonë.

    Sveçla ka theksuar se vendimi do të jetë në fuqi deri në një vlerësim tjetër të sigurisë.

    “Ka edhe informacione paraprake për arrestime të qytetarëve tanë pikën kufitare në Merdare, ku unë tashmë kam dhënë urdhër që për shkaqe të sigurisë në gjitha pikat e kalimit kufitar, të ndalohet hyrja e maunave që vijnë nga Serbia. Kjo masë do të vazhdojë deri në një vlerësim tjetër të sigurisë, por gjithashtu do të vazhdojmë me shtirjen e rendit dhe ligjit”, ka thënë Sveçla.

    Ndërsa lidhur me policët e rrëmbyer, ministri i Brendshëm ka deklaruar se nuk e di se ku ndodhen por ka theksuar se janë nën arrest dhe po mbahen në duart e institucioneve të Serbisë.

    “Nuk e dimë ku janë, lokacionin ku po mbahen, janë nën arrest në duart e institucioneve të Serbisë. Reagimi ynë është i qartë. Nën një jemi duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare që ajo të jetë jashtëzakonisht e qartë për këtë hap kriminal të Serbisë, po ashtu që të shfrytëzojmë gjithë influencën që zyrtarët që kanë kryer detyrat e tyre, në shtetin e tyre, në territorin e tyre të kthehen sa më parë në Kosovë bashkë me pajisjet, me gjithë gjërat”, ka shtuar ai.

    Në mesditë, Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. /KP