ATV

Author: ATVLive

  • 15 të vdekur nga përplasja e kamionit me një autobus në Kanada

    15 të vdekur nga përplasja e kamionit me një autobus në Kanada

    Të paktën 15 persona vdiqën pasi një kamion u aksidentua të enjten me një autobus që transportonte qytetarë të moshuar, në një pjesë rurale të provincës Manitoba të Kanadasë.

    Autobusi ishte nisur në jug në autostradën 5 drejt një kazinoje pranë qytetit të Carberry, ndërsa gjysmërimorkio ishte drejtuar në lindje në autostradën 1, tha në një konferencë shtypi oficeri i Policisë, Rob Lasson, shkruan CNN, përcjell KP.

    Kamioni gjysmërimorkio goditi autobusin në kryqëzimin e dy autostradave në veri të Carberry, afërsisht 170 kilometra (105 milje) në perëndim të Winnipeg-ut.

    Përveç 15 të vdekurve, 10 të tjerë u dërguan në spital, thanë autoritetet.

    Të lënduarit që po trajtohen përfshijnë drejtuesit e gjysmërimorkios dhe autobusit.

    Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau u shprehu ngushëllime familjeve të të vdekurve.

  • ​Një femër bie nga Ura e Fshajt në lumin Drin i Bardhë

    ​Një femër bie nga Ura e Fshajt në lumin Drin i Bardhë

    Një femër e moshës madhore ka rënë nga Ura e Fshajt në lumin Drini i Bardhë në Gjakovë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm (e premte) ndërsa rasti është konfirmuar nga policia në Gjakovë.

    Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë, Sheremet Elezi, deklaroi për KosovaPress se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet për gjetjen e femrës, pavarësisht rrjedhës së madhe të ujit.

    “Rreth orës 10:00 kemi pranuar informatë se një person (femër e moshës madhore) ka rënë nga ura e Fshajt në lumin Drini i Bardhë. Të gjitha njësitet e nevojshme policore dhe zjarrfikësit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Njësia për Kërkim Shpëtim. Në këto momente, edhe përkundër rrjedhës së madhe të ujit në lumë, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për gjetjen e viktimës”, tha Elezaj.

    Reshjet e fundit të shiut kanë bërë që niveli i Drinit të Bardhë të rritet e gjithashtu të jetë edhe më i rrëmbyeshëm se zakonisht.

  • Lajçak: Duhet të kapërcejmë të kaluarën, të kërkojmë dialog

    Lajçak: Duhet të kapërcejmë të kaluarën, të kërkojmë dialog

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Forumin e Prespës tha se kanë folur për komponentët për pajtimin në Ballkanin Perëndimor.

    Ai shtoi se duhet të kapërcehet e kaluara dhe duhet fokusim në dialog.

    “Në Forumin e Prespës ne diskutuam komponentët për pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Theksova se duhet të kapërcejmë të kaluarën e trashëguar, të kërkojmë dialog, të fokusohemi në të ardhmen e përbashkët europiane, të jemi të guximshëm dhe të kemi një vizion për të gjithë rajonin”, ka thënë Lajçak.

  • ​Mashtroi një kompani në Francë, i sekuestrohet vetura në Vushtrri

    ​Mashtroi një kompani në Francë, i sekuestrohet vetura në Vushtrri

    Policia e Kosovës ka arritur të lokalizojë dhe të sekuestrojë veturën, e cila vite më parë nga një kompani e Francës, iu ishte dhënë me qira të dyshuarit mashkull kosovar, për të cilën veturë i dyshuari nuk kishte kryer obligimet.

    Sekuestrimi i veturës ka ndodhur dje pasdite në Vushtrri. Ndërkohë, rasti është duke u hetuar.

  • Me këtë formacion pritet të luajë Kosova sonte ndaj Rumanisë

    Me këtë formacion pritet të luajë Kosova sonte ndaj Rumanisë

    Lëndimi i dyshes Elbasan Rashani dhe Edon Zhegrova do ta detyrojë trajnerin e Kosovës. Alain Giresse që të bëjë ndryshime në formacionin startues për ndeshjen kundër Rumanisë.

    Këto dy kombëtare ballafaqohen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45 në ndeshjen e vlefshme për grupin I të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian që mbahet vitin e ardhshëm, raporton KosovaPress.

    Ndryshimi kryesor që pritet ta bëjë Giresse është në fazën e sulmit, aty ku në vend të të lënduarit Edon Zhegrova pritet të aktivizohet Ermal Krasniqi.

    Ish-sulmuesi i Ballkanit luan pikërisht në futbollin rumun tek skuadra CFR Cluj dhe kjo shihet si një përparësi që ai të luajë nga minuta e parë sonte.

    Përkrah Krasniqit pritet të luajë dyshja Muriqi-Rashica të mbështetur nga mesfusha e përbërë nga treshja Dreseviç-Kryeziu-Muslija.

    Për “Dardanët”, opcioni i vetëm është fitorja sepse çdo rezultat tjetër do t’i linte ata pa shpresë për kualifikim në EURO 2024.

    Ky është formacioni i mundshëm i Kosovës përballë Rumanisë: Muric; Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Paqarada; Dresevic, H.Kryeziu; Muslija; Krasniqi, Muriqi, Rashica.

  • Pas vdekjes së tij, kështu do të ndahet pasuria e Berlusconit

    Pas vdekjes së tij, kështu do të ndahet pasuria e Berlusconit

    Edhe pse akoma nuk kanë kaluar 24 orë që nga lajmi se ish-kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi ka ndërruar jetë, është vendosur që trashëgimia e një prej personave më të pasur të ndahet mes pesë fëmijëve të tij.

    Agjencia mediatike Ansa ka treguar se pasuria prej më shumë se 4 miliardë eurosh do të ndahet tek fëmijët e politikanit, të cilat kanë ardhur në jetë nga dy martesa.

    Pritet të zbulohet para noterit nëse gruaja e tretë Marta Fascina, e cila u martua vetëm simbolikisht pa asnjë të drejtë ligjore, të marrë pjesë në ndarjen e rëndësishme të pasurisë së Berlusconit.

    Nga deklarata e pasurisë në vitin 2021 e paraqitur nga Berlusconi në Parlament ka një shumë të tatueshme prej gati 18 milionë eurosh.

    Megjithatë, tema qendrore e trashëgimisë është ndarja e aksioneve të kompanive, të cilat gjithashtu luajnë një rol shumë të rëndësishëm.

    Nëse në vend të testamentit të tij Berlusconi do të kishte rregulluar ndryshe një të tretën e trashëgimisë në disponueshme, Barbara, Eleonora dhe Luigi mund të bëheshin pronarë të 45% të pasurisë.

  • Sherifi: Kurti po bën driblime në politikë

    Sherifi: Kurti po bën driblime në politikë

    Sekretari i NISMA-s Socialdemokrate, Bilal Sherifi, në një intervistë për ATV-në, tha se kryeministri Kurti është duke bërë “driblim” në politikë për të fituar pak kohë, por sipas tij, me këtë nuk fitohen betejat politike.

    “I kam analizuar 5 pikat e kryeministrit. Këtu është problemi i tij që sa herë të vihet në pozicione të vështira, nxjerrë pika dhe kalon një periudhë, i harron pikat. Ju kujtohen ato 6 pikat e shkurtit, kur të gjithë në Kuvend i duartrokitën… i harroi. tash, ende pa u tharë ngjyra mirë e atyre 6 pikave, nxori pesë pika tjera. Këto quhen driblingje në politikë. Nuk fitohen betejat duke driblu, sepse krejt çka ke bërë, krejt çka ke arritë është që të fitosh pak kohë, amo problemi është në tavolinë. Përpjekjet e Kurtit janë vetëm duke i dhënë pak më shumë kohë, hapësirë për të manovruar, por nuk janë duke ia zgjidhur problemin”, tha Sherifi. /atvlive.tv

  • ​Protestuesit tentojnë të hyjnë me dhunë në komunë

    ​Protestuesit tentojnë të hyjnë me dhunë në komunë

    Protestuesit në Leposaviq kanë tentuar para gjysmë ore të hyjnë me dhunë në ndërtesën e komunës, por nuk janë lejuar nga ushtarët e KFOR-it.

    Ata pasi kanë kuptuar se në ndërtesë ndodhet ministri për Komunitete, Elbert Krasniqi dhe se duhet të hyjë brenda edhe nënkryetarja e kësaj komune, Dragana Miletiq, janë organizuar dhe kanë kaluar kordonin e ushtarëve hungarezë, mirëpo, janë ndaluar nga ushtarët tjerë të cilët ndodhen në hyrje të ndërtesës.

    Deri tani nuk është shënuar ndonjë incident, por situate mbetet nën tension.

  • Oda Amerikane për vendim ndaj Klanit: Shkel dispozitat ligjore, mesazh shqetësues për bizneset e investitorët

    Oda Amerikane për vendim ndaj Klanit: Shkel dispozitat ligjore, mesazh shqetësues për bizneset e investitorët

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova. Ky vendim jo vetëm që shkel dispozitat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare por dërgon një mesazh shqetësues për komunitetin e biznesit dhe investitorët potencialë. Si përfaqësues të komunitetit të biznesit amerikan në Kosovë, ne besojmë fuqishëm në respektimin e parimeve të praktikave të drejta dhe transparente të biznesit, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve që operojnë brenda vendit.

    Pezullimi arbitrar i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ngre shqetësime për stabilitetin dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në Kosovë. Veprime të tilla gërryejnë besimin e komunitetit të biznesit, si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, dhe dekurajojnë investimet. Vendimi bie ndesh me parimet e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili synon të krijojë një mjedis të favorshëm për bizneset për të lulëzuar, kontribuar në ekonomi dhe për të krijuar mundësi punësimi.

    Ky vendim nxjerr në pah nevojën për një gjyqësor të pavarur dhe procedura transparente ligjore. Vendimi i Ministrisë për të pezulluar certifikatën pa arsyetimin e duhur ose pa një proces të rregullt ligjor cenon sundimin e ligjit. Është thelbësore që çështjet ligjore, si pezullimi i certifikatave të regjistrimit të biznesit, të trajtohen përmes proceseve të drejta dhe transparente, duke siguruar që bizneset të kenë mundësinë të mbrojnë interesat e tyre dhe të trajtojnë çdo shqetësim në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.

    Po ashtu pezullimi i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ka implikime më të gjera për lirinë e mediave dhe mbrojtjen e pavarësisë së gazetarisë. Mediat luajnë një rol kritik në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë. Çdo veprim që kufizon funksionimin e organizatave mediatike i minon këto parime dhe ngre shqetësime për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë. Vendimi krijon një precedent shqetësues dhe mund të pengojë mediat e tjera të raportojnë lirisht dhe objektivisht.

    Në përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova. Respektimi i parimeve të Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe sigurimi i një mjedisi biznesi transparent dhe të parashikueshëm janë jetike për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tërheqjen e investimeve. Për më tepër, ruajtja e lirisë së medias dhe promovimi i pavarësisë gazetareske janë thelbësore për një demokraci të qëndrueshme. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë që ta korrigjojë këtë situatë, të rikthejë besimin në komunitetin e biznesit dhe të riafirmojë përkushtimin e saj për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të bizneseve në Kosovë.

  • ​Tre policët e rrëmbyer dalin para gjykatës në Kralevë të Serbisë

    ​Tre policët e rrëmbyer dalin para gjykatës në Kralevë të Serbisë

    Tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga njësitë speciale serbe, R.Z., B.S. dhe M.S. ndodhen në Kralevë të Serbisë, ku momentalisht po zhvillohet seanca e tyre para Prokurorit të Lartë Publik.

    Kështu ka bërë të ditur avokati serb, Çedomir Stojkoviq.

    “Pas kësaj, prokurori i lartë publik në Kralevë do të vendosë nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendos nëse do të caktojë paraburgim prej 30 ditësh”, ka thënë ai.

    Siç ka thënë ai, e gjithë kjo duhet të vendoset deri në orën 12:30, kur skadojnë 48-orët e “ndalimit policor”.

    Tre policët shqiptarë janë rrëmbyer të mërkurën nga njësitë speciale ushtarake të Serbisë, teksa po patrullonin në territorin e Kosovës, gjegjësisht në zonën kufitare në Leposaviq.