ATV

Author: ATVLive

  • Reshjet e shiut përparësia e situatës ishte arritja e kuotës maksimale të kapërderdhjes së liqeneve

    Reshjet e shiut përparësia e situatës ishte arritja e kuotës maksimale të kapërderdhjes së liqeneve

    Pas reshjeve të dendura të shiut, pusetat u bllokuan. Sistemi i përbashkët i tyre, sipas Arjeta Mjekut nga ujësjellësi “Prishtina”, e rëndon gjendjen.

    “Shume rrjete të kanalizimeve janë jashtë standardeve, sepse pusetat e kanalizimit dhe pusetat për reshje atmosferike janë në një vend, diçka kur është jashtë standardeve e kemi të pamundur të intervenojmë, sepse pusetat për kanalizime janë nën menaxhimin tonë, kurse ato të reshjeve nën menaxhimin e komunës, për këtë arsye ndodhin vërshime të tilla”, tha Mjeku.

    Sasia e madhe e shiut që ka rënë këto ditë shkaktoi edhe probleme në furnizim me ujë të pijshëm.

    “Në impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj që e marrim të patrajtuar nga Ibër Lepenci, për ta shpërndarë në Fushë-Kosovë, Obiliq e Drenas, tani janë jashtë funksionit, sepse niveli i turbullirës është i lartë dhe është e pamundur të trajtojmë ujë të pijshëm, deri në stabilizimin e ujit të Ibër Lepencit, kanal që menaxhohet nga ndërmarrja publike e Ibër Lepencit”, tha Mjeku.

    Por pavarësisht problemeve që shkaktuan, reshjet e shiut sollën edhe një të mirë.

    “Sot niveli i ujit në liqenin e Badocit ka arritur kuotën maksimale të kapërderdhjes pas shumë viteve, ndërkaq që liqenin e Batllavës e kemi që dy muaj në kuotën maksimale të kapërderdhjes, gjë që siguron mjaftueshëm ujë të pijshëm gjatë verës”, tha Mjeku.

    Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Stano: Jemi në komunkim me të dyja palët, edhe me KFOR-in

    Stano: Jemi në komunkim me të dyja palët, edhe me KFOR-in

    Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shtendosin situatën shpejt, me urgjencë dhe në mënyrë kuptimplote. Një zëdhënës i BE-së, Peter Stano, tha se për BE-në është e rëndësishme që të qartësojë rrethanat e, siç e quajti, arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe të sigurisë.

    Ai tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell i ka ftuar kryeminstrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq për një takim krize javën e ardhshme në Bruksel, për shkak të tensioneve dhe mungesës së hapave thelbësorë për shtendosje.

    “Jemi në dijeni të arrestimit të policëve të Kosovës nga autoritetet serbe. Ne jemi në komunkim me të dyja palët dhe me KFOR-in për të kuptuar saktësisht se cfarë ndodhi dhe si ndodhi. Kjo është shumë e rëndësishme që ta kemi në tavolinë; qartësimi se cfarë ndodhi dhe si ndodhi. Deri atëherë ne i bëjmë thirrje të dyja palëve që vërtetë të mos bëjnë asgjë, asnjë aksion ose reagim që mund të ndez më shumë situatën tashmë të tensionuar. E ripërsërisim thirrjen tonë për të dyja palët që të shtendosin situatën; shpejt, me urgjencë dhe në mënyrë kuptimplote”, tha Stano.

  • Milatoviq: Ndajmë qëndrimin e BE-së për veriun e Kosovës, i gatshëm për të ndihmuar

    Milatoviq: Ndajmë qëndrimin e BE-së për veriun e Kosovës, i gatshëm për të ndihmuar

    Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq u shpreh sot se Mali i Zi mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se është i gatshëm të ndihmojë nëse i kërkohet ndihmë.

    “Ne e mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse kërkohet ndihmë nga ne, por normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është me të vërtetë, më duket, baza e një Ballkani perëndimor të qëndrueshëm dhe të begatë dhe ne për këtë po angazhohemi”, tha Milatoviq në një intervistë për agjencinë MIA.

    Ai tha se personalisht do të dëshironte dhe mendon se të gjithë në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të dëshironin të shihnin një de-eskalim të plotë të konfliktit dhe në përgjithësi të mosmarrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe vuri në dukje se përmirësimi shtesë i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi.

    Sipas tij, Mali i Zi ndan plotësisht qëndrimin me Bashkimin Evropian (BE) se për të de-eskaluar tensionet është e nevojshme që sërish të zhvillohen zgjedhjet në veri të Kosovës dhe të plotësohen parakushtet për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

    “Mendoj se ne kemi një qëndrim krejtësisht identik për këtë çështje me BE-në, se për të arritur atë de-eskalim, duhet të mbahen sërish zgjedhje në veri të Kosovës, duhet të përmbushen parakushtet që kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës, si disa hapa drejt deeskalimit të mëtejshëm të tensioneve. Mali i Zi mbështet gjithçka që të çon në këtë drejtim”, u shpreh Milatoviq.

    “Besoj se ne me të vërtetë kemi nevojë për një Ballkan Perëndimor të prosperuar dhe të qëndrueshëm si pjesë e BE-së”, theksoi presidenti i ri malazez, në një intervistë në margjinat e Forumit të Prespës në Maqedoninë e Veriut.

    Milatoviq tha se mendon se iniciativa “Ballkani i Hapur” është një gjë e mirë për Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor dhe se mund të jetë një trampolinë e mirë për integrimin evropian.

    Dje (15 qershor), përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka deklaruar se javën e ardhshme do të ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

    Qeveria e Kosovës është kritikuar lidhur me veprimet në veri të vendit.

    Të martën (13 qershor), është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Ndërsa, të mërkurën (14 qershor) Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve.

  • Gjermania kërkon lirimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe

    Gjermania kërkon lirimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe

    Gjermania ka kërkuar sot lirimin e pakushtëzuar të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe në veri.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka shpërndarë në Twitter një postim të ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të depërshkallëzojnë situatën menjëherë.

    Ndryshe, tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të vendit sot i është shqiptuar masa e paraburgimit. Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së bërë nga prokurori publik i këtij qyteti në jug të Serbisë.

    Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

    Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe./KP

  • Kushtetuesja: Kuvendi kishte të drejtë për shkarkimin e Bordit të ARH-së

    Kushtetuesja: Kuvendi kishte të drejtë për shkarkimin e Bordit të ARH-së

    Gjykata Kushtetuese konstaton si të pabazuar kërkesën e parashtruesve nga ish-dhjetë deputetët në lidhje me shkeljet e pretenduara për shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave nga ana e Kuvendit të Kosovës.

    Kuvendi i Kosovës më 2021 kishte shkarkuar Bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) me këtë përbërje: Arsim Berisha kryesues, Gëzim Qerimi anëtar, Shkumbin Hyseni anëtar dhe Ilmi Ahmeti anëtar.

    Në aktgjykim thuhet se gjykata gjeti se Kuvendi me rastin e shkarkimit të anëtarëve të Bordit të Hekurudhave përmes vendimit të kontestuar, ka vepruar në rolin mbikëqyrës ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës dhe ka ushtruar funksionin e përcaktuar në nenin 38 të Ligjit nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës.

    Kushtetuesja të premten publikoi aktgjykimin në rastin (KO 139/21), të parashtruar nga Fadil Nura dhe 9 deputetë tjerë, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 21 korrikut 2021, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

    “Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës, në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave individuale të anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ishte e pabazuar për shkak se (i) Vendimi i kontestuar ishte bazuar në Rekomandimin e Komisionit përkatës i cili përmbante arsyet sipas së cilave propozohej shkarkimi i anëtarëve të Bordit; dhe se (ii) parashtruesit e kërkesës nuk e kishin dëshmuar se legjislacioni në fuqi e përjashton këtë kategori funksionarësh publik nga detyrimi për të kërkuar mbrojtje juridike në gjykatat e rregullta. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

    Nga Grupi Parlamentar i PDK-së, ish-deputeti Fadil Nura kishte kundërshtuar fuqishëm rekomandimi i Komisionit për Bujqësi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

  • ​Haxhiu: Skenari për thellimin e tensioneve po vazhdon përmes autokratit Vuçiq

    ​Haxhiu: Skenari për thellimin e tensioneve po vazhdon përmes autokratit Vuçiq

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas caktimit të masës së paraburgimit për tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe. Ajo ka thënë skenari për thellimin e tensioneve po vazhdon nga Serbia agresore përmes presidentit autokrat Vuçiq.

    Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve kufitarë që po mbahen në Serbi.

    “Skenari për thellim të mëtejmë të tensioneve po vazhdon nga Serbia agresore përmes presidentit autokrat Vuçiq. Gjykata e dirigjuar nga lartë paska dhënë masë të paraburgimit për 30 ditë për policët e Kosovës, të rrëmbyer dy ditë më parë në Leposaviç. Por për çfarë? Vlerat perëndimore si demokratizimi i shoqërisë dhe pavarësimi i institucioneve duhet të jenë presion ndaj Serbisë. Dirigjimi i institucioneve të drejtësisë nga Vuçiq ka pasoja edhe në Ballkan”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka thënë se demokracia nuk mund të ketë aleat autokracinë dhe as nuk mund të thellohet deri në absurd e të rri e heshtur ndaj autokratëve./KP

  • ​Sulmi në Leposaviq, i lënduar edhe kameramani i Tëvë1

    ​Sulmi në Leposaviq, i lënduar edhe kameramani i Tëvë1

    Në Komunën e Leposaviqit sot janë sulmuar fizikisht ekipe të medieve nga Prishtina, derisa po raportonin nga atje.

    Lëndime trupore, krahas kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, ka marrë edhe kolegu nga Tëvë1, Albin Rrahmani.

    Redaksia ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se Rrahmani ka marrë lëndime në këmbë, teksa fatmirësisht pjesa tjetër e ekipit të këtij mediumi, kanë shpëtuar pa u sulmuar.

    “Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë redaksia e Tëvë1 për AGK-në.

    AGK nëpërmjet një komunikate thekson se sulmi brutal i sotëm ndaj gazetarëve dhe kameramanëve në Leposaviq është krejtësisht i papranueshëm dhe ka ftuar organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë rastin me prioritet në mënyrë që sulmuesit e kolegëve tanë të arrestohen sa më parë.

    “Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR’it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga NATO Kosovo Force – KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i njoftojë të gjithë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me rastin”, thuhet në njofitm.

  • Kuka: Medalje e argjendtë për Norën në Ditën e Çlirimit të qytetit të saj të lindjes, Pejës

    Kuka: Medalje e argjendtë për Norën në Ditën e Çlirimit të qytetit të saj të lindjes, Pejës

    Një tjetër medalje i është shtuar Kosovës nga garat ndërkombëtare të xhudos, përkatësisht në Grand Slamin e Kazakistanit.

    Nora Gjakova është stolisur me medaljen e argjendtë në këtë Grand Slam, pasi që në luftën për medaljen e artë u mposht nga xhudistja franceze, Sarah Leonie Cysique.

    Deri në finale, në kuadër të kategorisë deri në 57 kilogramë, Gjakova shënoi katër fitore, ku njërën e kishte pa luftë.

    Gjakova fitoi edhe 700 pikë olimpike për Paris 2024.

    Me këtë rast, tani ka reaguar edhe trajneri i ekipit tonë të xhudos, Driton Kuka, i cili tha se Nora u stolis me medaljen e argjendtë në Ditën e Çlirimit të vendlindjes së saj, qytetit të Pejës.

    “Medalje e argjendtë për Noren në Ditën e çlirimit të qytetit të saj të lindjes Pejes!

    Nora Gjakova shënoj 3 fitore për tu ndeshur në finale me Francezen Qysique e ku mirë e filloj luftën dhe u prit luftë e fortë por një gabim i kushtoj por kjo se humb shkëlqimin e medaljes së argjendtë të Nores dhe 700 Pikë Olimpike!

    Nora tashmë vulosi Normën drejt Lojerave Olimpike dhe lufta është të mbetet në Top 8 që të jetë ndër bartëset e grupeve”, shkroi Kuka në “Facebook”.

    Më poshtë e gjeni postimin e plotë të Kukës.

  • Akllapi, fshati që dikur njihej si “fshati i dhenve” po braktiset nga banorët!

    Akllapi, fshati që dikur njihej si “fshati i dhenve” po braktiset nga banorët!

    Fshati Akllap konsiderohet si një prej fshatrave më të thella malore.

    Ky fshat gjendet vetëm 17 km larg qytetit të Lipjanit dhe cilësohet si fshati më përrallor i kësaj komune.

    Dikur, këtu jetonin 1000 banorë në rreth 120 shtëpi, por ashtu si shumica e zonave rurale në Kosovë, edhe ky fshat filloi të braktiset nga banorët, qysh pas luftës.

    Disa prej banorëve të dikurshëm të Akllapit u shpërngulën në qytet, ndërsa një pjesë tjetër emigruan në vendet perëndimore.

    Banorët e paktë që kanë mbetur këtu, jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria.

    Madje, Akllapi dikur njihej si vend i deleve pasi thuhet se para luftës, i gjithë fshati kishte mbi 2000 dele, për çka edhe e mori emrin “fshati i dhenve”.

    Për më shumë, ndiqeni reportazhin e ATV, të cilin e gjeni në videon e më poshtme:

  • Ministri Krasniqi për situatën e krijuar sot në Leposaviq: Menaxhimi i bandave serbe nga KFOR-i, aspak profesional

    Ministri Krasniqi për situatën e krijuar sot në Leposaviq: Menaxhimi i bandave serbe nga KFOR-i, aspak profesional

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka shkuar sot në Leposaviq për t’u takuar me kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemin.

    Megjithatë, vizita e tij u pengua nga grupet kriminale serbe, të cilat sulmuan veturën e ministrit Krasniqi dhe jo vetëm.

    Sipas ministrit Krasniqi, menaxhimi i këtyre bandave ishte me shumë lëshime dhe aspak profesional nga ana e KFOR-it.

    “Është e paligjshme dhe e papranueshme të barazohen përfaqësuesit legjitim e lega me personat me maska. Por, për dhunën e sotme adresa është evidente dhe e qartë. Personat që sot në mënyrë aktive kanë udhëhequr dhe organizuar këto grupe kriminale janë: Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit Zoran Todiq, ish-deputeti Slavko Simiq dhe ish-polici Filipoviq” ka thënë mes të tjerash Krasniqi.

    Ky është reagimi i plotë i tij:

    Sot, nga bandat kriminale u pamundësua takimi i Kryetarit të Komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi me drejtorët e rinj të sapoemëruar. Në anën tjetër, menaxhimi i këtyre bandave ishte me shumë lëshime dhe aspak profesional nga ana e KFOR-it.

    Është e paligjshme dhe e papranueshme të barazohen përfaqësuesit legjitim e lega me personat me maska. Por, për dhunën e sotme adresa është evidente dhe e qartë. Personat që sot në mënyrë aktive kanë udhëhequr dhe organizuar këto grupe kriminale janë: Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit Zoran Todiq, ish-deputeti Slavko Simiq dhe ish-polici Filipoviq.

    Prokuroria duhet të merret me urgjencë me këta përgjegjës dhe banda kriminale prapa tyre për sulmin dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe dëmtimin e pasurisë publike.