ATV

Author: ATVLive

  • Bebe Rexha goditet me telefon në fytyrë derisa ishte duke kënduar në skenë

    Bebe Rexha goditet me telefon në fytyrë derisa ishte duke kënduar në skenë

    Këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha, është goditur në fytyrë nga një telefon teksa ishte në një koncert në New York të dielën, pasi dikush nga publiku e gjuajti telefonin drejt skenës.

    33-vjeçarja e pati një koncert në “The Rooftop në Pier 17” në kuadër të turneut të saj “Best F’n Night Of My Life”.

    Siç shihet në një video në Twitter, artistja e “Back to You” ishte duke kënduar në mes të skenës kur dikush e goditi me telefon nga publiku.

    Pas kësaj këngëtarja u ul në gjunjë menjëherë pasi dukej se kishte dhimbje. Adhuruesit e saj të gjithë reaguan në mbështetje të saj në rrjete sociale duke e dënuar këtë veprim të personit që e hodhi telefonin drejt Rexhës, shkruan Dailymail.

  • Arrestohet edhe një person për sulmin ndaj gazetarëve më 16 qershor në veri

    Arrestohet edhe një person për sulmin ndaj gazetarëve më 16 qershor në veri

    Policia e Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit e ka arrestuar edhe një serb tjetër, U.V. si të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve më 16 qershor në Leposaviq.

    “Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Tutje, theksohet se angazhimi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës, do të vazhdojë për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.

    Ky është i arrestuari i tretë për sulmet ndaj gazetarëve që janë bërë në veri të vendit.

  • Kush është grupi “Kobra” në Serbi që thuhet se kidnapoi tre policët e Kosovës në veri

    Kush është grupi “Kobra” në Serbi që thuhet se kidnapoi tre policët e Kosovës në veri

    Ish-zëvendëskomandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari tha se KFOR e ka të qartë se çfarë ka ndodhur me tre policët e Kosovës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

    Meçollari në Euronews Albania, tregoi se tre policët janë arrestuar nga grupi i ashtuquajtur Kobra i Serbisë, që nuk janë më shumë se 100 trupa dhe veprojnë vetëm me urdhër të komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

    “Jam i bindur që KFOR ka vajtur në Beograd ka bërë hetimet e nevojshme, sepse kuptohet se forcat Kobra që i kanë rrëmbyer janë marrë në hetim, janë marrë në pyetje, por duket se ka një heshtje që mos të agravohet situata politike. Forcat 100 Kobra janë 100 në gjithë Serbinë, jo më shumë”, tha Meçollari.

    Ai shtoi se ata janë vendosur në policinë ushtarake, por nga pikëpamja operacionale varen nga Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe.

    “Ata janë lëvizur nga Beogradi, ku qëndrojnë, me një urdhër të posaçëm dhe kanë hyrë 5 km larg territorit të Kosovës. Marrëveshja e Kumanovës nuk i lejon forcat ushtarake serbe t’i afrohen 5 km kufirit. Jemi në një situatë delikate; situata politike e bën më shumë evazive pasi palët s’po deklarohen saktësisht çfarë ka ndodhur”, tha Meçollari.

  • Aksidenti fatal në Bllacë, 48 orë paraburgim për të dyshuarin që shkaktoi aksidentin

    Aksidenti fatal në Bllacë, 48 orë paraburgim për të dyshuarin që shkaktoi aksidentin

    Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot ka vazhduar këqyrjen e vendit të aksidentit të rëndë trafiku që ndodhi dje në rrugën Shkup-Bllacë.

    Pas nxjerrjes së veturës BMW me targa të Kosovës dhe tre trupave të pasagjerëve të ndjerë nga ujërat e lumit Lepenc, do të urdhërohet autopsi, ndërsa prokurori publik do të koordinojë të gjitha veprimet për sigurimin e provave për zbardhjen e ngjarjes.

    Deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit në komunikacion, prokurori publik sonte në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh për personin që është paraburgosur pas mbrëmjes së aksidentit.

    Bëhet fjalë për një 64-vjeçar banues të Shkupit i cili drejtonte veturën “Volkswagen Touran” me targa të Shkupit dhe i cili në momentin kritik ka parakaluar kolonën e automjeteve në të cilën ndodhej edhe vetura kosovare.

    Propozimi për caktimin e paraburgimit afatshkurtër është dorëzuar për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje.

    Lidhur me aksidentin dhe humbjen e jetës së tre qytetarëve të Kosovës, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

    “Lajmi për humbjen e tre anëtarëve të familjes Pacolli në aksidentin e ndodhur mbrëmë afër Shkupit, na ka mërzitur shumë të gjithëve. Në këto momente të rënda, u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve Pacolli dhe Visoka, posaçërisht Shkëlqimit, i cili pati fatin t’i shpëtojë kësaj tragjedie, në të cilën humbi prindërit dhe vëllaun e tij. Mirënjohje dhe respekt të gjitha organeve, kosovare dhe maqedonase, të cilat u angazhuan pandalur për gjetjen dhe nxjerrjen e viktimave nga lumi Lepenc”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Rafuna: Kriza në veri barrë për shtetin, askush s’fol për ekonomi, shëndetësi e sundim të ligjit

    Rafuna: Kriza në veri barrë për shtetin, askush s’fol për ekonomi, shëndetësi e sundim të ligjit

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, konsideron se ndalimi i përkohshëm i importit të mallrave nga Republika e Serbisë, ka dëmtuar ekonominë vendëse, pasi sipas tij bizneset nuk kanë qenë të informuara më herët.

    Rafuna thotë se ndalimi i importit nga ky shtet, ka pasur kosto shtesë te bizneset, pasi malli është paguar e nuk është lejuar të hyjë brenda territorit të Kosovës.

    Ai ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë për mungesë dialogu me sektorin privat.

    “Bizneset nuk kanë qenë të informuar dhe kjo është një kërkesë që ka dalë nga Oda Ekonomike e Kosovës që para se të merret një vendim i tillë, të konsultohen bizneset për shkak se neve është duke na munguar një dialog publiko-privat me Qeverinë e Kosovës që nga fillimi. Së paku të njoftohemi paraprakisht, të kemi mundësinë që të përgatitemi për të mirën e biznesit por edhe për të mirën e qytetarëve”, thotë Rafuna për EO.

    “Kjo ka ndikuar në kosto shtesë për biznesin, për arsye se ka ndodh që mauna ka arrit 10 minuta pasi që është vendosur masa dhe nuk lejohet, për kundër që mauna është me tabela të Kosovës e malli me prejardhje të Serbisë, kështu që ka ndikuar për shkak se malli është paguar, nuk pranohet të kthehet mbrapa e me një far forme ka mbetur në kufi”, thotë tutje ai.

    E vendosja e këtyre masave, sipas Rafunës nuk është pasqyrë e mirë për Kosovën, pasi sipas tij i jep mesazh të keq për investitorët e huaj potencial.

    “Ne kemi shumë nevojë dhe jemi të etur për të pasur investime kualitative të huaja por edhe me i rrit investimet vendore. Ne duhet me fillu prej investitorëve tonë që i kemi brenda e me kalu te investitorë të huaj por pasqyra, dhuna e ushtruar nda ushtarëve të KFOR-it nuk janë pasqyrë e mirë për me ardh një investitorë me investu në Kosovë. Vendosja e këtyre masave që e prek drejtpërdrejt biznesin, nuk është një mesazh i mirë për me ardh me investua në Kosovë”, thotë ai.

    Teksa ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, e krizat e njëpasnjëshme në veri të vendit, Rafuna e quan barrë të rëndë për shtetin. Thotë se Kosova për kaq vite nuk flet askush për zhvillim ekonomik.

    Ai ka kërkuar që sa më shpejt të mbyllen këto tema, në mënyrë që shteti të koncentrohet në zhvillim ekonomik.

    “Nuk është imazh i mirë, ne duhet me pas sa më shumë imazhe të mira, duhet me pas sa më shumë storie të suksesit të Kosovës. Ne temat e hapura që i kemi me Serbinë duhet me i mbyll sa më shpejt që është e mundur, duhet me u liru prej kësaj barre e me u koncentru në zhvillim ekonomik të vendit. Kjo tema e hapur, ky dialogu me Serbinë është duke na mbajt peng, jemi duke humbur kohë dhe që dy vite askush nuk fol për ekonomi, për shëndetësi e për sundim të ligjit. Jemi koncentruar në dialog, kështu që ky status që është Kosova, më së paku i konvenon Kosovës. Duhet sa më shpejt me u mbyll e me pas një zhvillim sa më të madh ekonomik, për t’u anëtarësuar në të gjitha organizatat ndërkombëtare që i jep frymë e lehtësim biznesit tonë për me depërtua jashtë”.

  • Lajçak do të niset për ShBA për të diskutuar për veriun

    Lajçak do të niset për ShBA për të diskutuar për veriun

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizitë për të biseduar për zhvillimet e javëve të fundit në veri të Kosovës.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se kjo vizitë e tij vjen mes ftesë të Washingtonit zyrtar.

    “Më pas do të shkoj në Washington me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën para dhe hapat e ardhshëm të menjëhershëm”, ka thënë Lajçak.

  • Kidnapimi nga forcat serbe, Kamberi thotë se dyshohet se u ushtrua dhunë ndaj policëve

    Kidnapimi nga forcat serbe, Kamberi thotë se dyshohet se u ushtrua dhunë ndaj policëve

    Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka thënë në Euronews të dielën se ndaj tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe, dyshohet se është ushtruar dhunë.

    Kjo, sipas tij pasi duket që Serbia po kërkon kohë për rikuperim të policëve që të vijnë në gjendje më të mirë.

    “Ndaj tre policëve dyshohet se është ushtruar dhunë, pasi duket që Serbia po kërkon kohë për rikuperim të policëve që të vijnë në gjendje më të mirë. Kjo nga për përvoja që kam me forcat speciale serbe në Preshevë kur arrestonin të rinjtë. Fakti që DASH kërkon lirimin e tyre pa kushte do të thotë se ka të dhënat që i ka KFOR por për arsye politike po mbahet e heshtur e vërteta”, ka deklaruar ai.

    Policët kosovarë u kidnapuan nga trupat serbe të mërkurën (14 qershor).

  • Dodik: Unë e mbështes Vuçiqin në luftën për mbijetesën e serbëve në Kosovë

    Dodik: Unë e mbështes Vuçiqin në luftën për mbijetesën e serbëve në Kosovë

    Presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik ka mbështetur sot presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në luftën e tij për mbijetesën e popullit serb në Kosovë.

    Ai tha se ata që e sulmojnë atë vetëm sa do të rrisin popullaritetin e tij dhe mbështetjen që gëzon në mesin e popullit të Serbisë.

    “Në këtë moment shumë të rëndësishëm për Serbinë dhe serbët, veçanërisht në Kosovë është shumë e rëndësishme që të mblidhemi rreth negociatorëve tanë kryesorë dhe të mbështesim absolutisht presidentin Aleksandar Vuçiq në këtë drejtim, për të cilin jam absolutisht i sigurt se po lufton sinqerisht’’, tha Dodik.

    Ai vlerësoi se sulmet ndaj Vuçiqit do t’i bashkojnë edhe më tej njerëzit në luftën për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe Republikën Srpska dhe do të mbledhin rreth të gjitha ideve të përbashkëta.

  • Kusari-Lila: Mediat e lira janë provokim për Vuçiqin

    Kusari-Lila: Mediat e lira janë provokim për Vuçiqin

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, i ka reaguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili duke komentuar sulmet ndaj gazetarëve të Kosovës në veri ka thënë se ata “po dërgohen atje për të provokuar”.

    Teksa e ka quajtur president despotik, Kusari-Lila ka thënë se Vuçiqit i pengojnë mediat e lira dhe të hapura.

    Ndaj siç ka thënë ajo, për t’i luftuar mediat dhe gazetarët, Vuçiqi përdor njerëz të maskuar e të armatosur që janë në autoritetin e tij.

    “Presidenti despotik i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pohoi se gazetarët e Kosovës në veri dërgohen për të provokuar. E vërteta është se media e lirë dhe e hapur është një provokim për Vuçiqin, kështu që për t’i luftuar ata, ai përdor njerëz të maskuar dhe të armatosur. Gjithashtu, e vërteta është se njerëzit e maskuar janë nën autoritetin e tij”, ka shkruar shefja e deputetëve të LVV-së në Twitter.

  • Shtatë orë e gjysmë bisedime, për çfarë u dakordua Blinken me homologun kinez?

    Shtatë orë e gjysmë bisedime, për çfarë u dakordua Blinken me homologun kinez?

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm kinez Qin Gang zhvilluan bisedime “të sinqerta” dhe “të drejtpërdrejta” në Pekin të dielën, tha Departamenti i Shtetit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina kërkojnë të stabilizojnë marrëdhëniet dypalëshe mes tensioneve në rritje.

    Gjatë takimit shtatë orë e gjysmë në vilën qeveritare Diaoyutai, në Pekin, zoti Qin pranoi ftesën për të vizituar Shtetet e Bashkuara.

    Po ashtu u ra dakord për më shumë vizita të përfaqësuesve të dy vendeve.

    Përveç kësaj, të dyja palët do të vazhdojnë të punojnë për disa çështje “në nivel grupi pune”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

    Pas takimeve kokë më kokë të zotit Blinken me zotin Qin, ata patën një darkë pune të dielën në vilën qeveritare Diaoyutai.

    “Sekretari e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të mbrojnë interesat dhe vlerat e popullit amerikan dhe do të punojnë me aleatët dhe partnerët për të çuar përpara vizionin tonë për një botë që është e lirë, e hapur dhe që mbështet zbatimin e rregullave të pranuara ndërkombëtarisht”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në një deklaratë.

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është kryediplomati i parë amerikan që viziton Kinën që nga viti 2018, për takime me ministrin e jashtëm kinez Qin Gang, kryediplomatin kinez Wang Yi, dhe ndoshta edhe me Presidentin kinez Xi Jinping.

    Zyrtarë amerikanë, duke folur me gazetarët amerikanë pas takimeve të së dielës, nuk pranuan të thoshin nëse përfundimisht do të kishte takim të zotit Blinken me presidentin Xi apo se kur pritet të vijë në Uashington ministri Qin.

    Në shkurt, zoti Blinken anuloi udhëtimin e tij në Pekin pasi një balonë spiune kineze hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së.

    Ndihmës ministri i jashtëm kinez, i cili mori pjesë në takim, ndërsa postoi në Twitter një foto të takimit të dy zyrtarëve shkruajti se shpresonte që ky takim t’i rikthente marrëdhëniet mes dy vendeve në pikën që ranë dakord dy presidentët kur u takuan në Bali.

    Zëdhënësi i DASH tha se “Sekretari amerikan nënvizoi rëndësinë e diplomacisë për mbajtjen hapur të kanaleve të komunikimit për të reduktuar rrezikun për keqkuptime dhe gjykime të gabuara”.

    Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, çështjet kryesore në agjendë gjatë takimeve të zotit Blinken në Pekin të dielën dhe të hënën përfshijnë sigurinë rajonale, luftën ndaj përdorimit dhe trafikut të drogës, ndryshimet klimatike, stabilitetin makroekonomik global, amerikanët e arrestuar në mënyrë të paligjshme në Kinë, si dhe shkëmbimet midis popullit amerikan dhe kinez. /VOA