ATV

Author: ATVLive

  • ​Kusari-Lila: BE paralajmëron masa për arsye të cilat nuk mund t’i artikulojë

    ​Kusari-Lila: BE paralajmëron masa për arsye të cilat nuk mund t’i artikulojë

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se do të jetë hera e parë që Komisioni Evropian vendosë masa ndaj një shteti për arsye të cilat nuk mund t’i artikulojë.

    Ajo ka shkruar se masa të tilla mund të vijnë meqë Kosova po tenton të vendosë sundimin e ligjit brenda gjithë territorit.

    “Do të jetë hera e parë në historinë e Bashkimit Evropian dhe ndoshta e fundit që Komisioni Evropian vendos masa ndaj demokracisë për arsye të cilat nuk mund t’i artikulojë. Ose mund të jetë sepse Kosova u përpoq të vendosë sundimin e ligjit në tërë territorin dhe mbajti zgjedhjet dhe respektoi rezultatet”, ka shkruar ajo në Twitter.

    Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës dhe ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.

    Kështu ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman gjatë takimit të ministrave të Bashkimit Evropian./KP

  • Policia e Shtetit zbarkon sërish në kampin e muxhahedinëve

    Policia e Shtetit zbarkon sërish në kampin e muxhahedinëve

    Policia e Shtetit është rikthyer në Manëz të Durrësit, pranë kampit të muxhahedinëve.

    Forca speciale të policisë janë të pranishme në rrugën nacionale dhe në sheshin para hyrjes së kampit, mirëpo nuk dihet ende nëse do të ndërhyhet sërish për kontroll brenda kampit.

    Nëntë ditë më parë me vendim të Gjykatës së Posaçme, Policia e Shtetit ushtroi kontroll në ambientet e kampit të MEK-ut, kontroll që nxiti reagimin e banorëve të kampit.

    Reagimi i tyre nisi menjëherë kur policia iu afrua serverave dhe filloi të sekuestrojë pajisjet kompjuterike. Reagimet e para kanë qenë për asgjësim të dokumenteve dhe kartave të memories, e më pas në një përballje fizike me policinë për të mos lejuar marrjen e tyre.

    Nga ASHRAF 3 u deklarua se gjatë sulmit policor humbi jetën një pjesëtar i komunitetit të tyre, pretendim që u hodh poshtë nga Policia e Shtetit e cila përdori vetëm spraj djegës për të neutralizuar sulmin. Akuzat e ndërsjellta për ushtrim dhune çuan në fillimin e hetimeve nga prokuroria e Durrësit e cila ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 6 drejtuesit e kampit.

    Kontrollet janë në kuadër të luftës kundër sulmeve kibernetike dhe terrorizmit dhe vijnë pas hetimeve që nisën për sulmet kibernetike me të cilat u përball një vit më parë vendi ynë. Ato dyshohet se qenë pasojë e sulmeve që më parë ishin kryer ndaj Iranit nga territori shqiptar.

    Për të verifikuar dyshimet dhe siguruar provat e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme brenda kampit muxhahedin në Shqipëri më 20 qershor Policia e Shtetit ushtroi një kontroll të gjerë brenda kampit.

  • Abidxhiku paralajmëron aleancë të gjerë kundër Kurtit: “Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”

    Abidxhiku paralajmëron aleancë të gjerë kundër Kurtit: “Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”

    Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar takime me shumë personalitete gjatë ditëve në vijim për krijimin e një aleance kundër kryeministrit Albin Kurti, i cili sipas tij, e ka humbur betejën me Serbinë.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nënkuptuar formimin e një aleance me pjesëtarë të shoqërisë civile, partive politike, akademisë e fushave të tjera, për ndërtimin e një rruge të re për Kosovën.

    “Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë”, tha ai.

    Abidxhiku tha se “rruga e re” është e domosdoshme për shkak të mossuksesit të Kurtit.

    “Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën”, tha Abdixhiku.

    Në ditët në vijim, ai po ashtu tha se do ta prezantojë planin e LDK-së për kapërcimin e krizës në veri.

    “Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani”, u shpreh kreu i LDK-së.

  • Hasani: Zvarritja e implementimit të marrëveshjes së Ohrit e vë Kosovën në një pozicion më të vështirë

    Hasani: Zvarritja e implementimit të marrëveshjes së Ohrit e vë Kosovën në një pozicion më të vështirë

    Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se zvarritja e implementimit të marrëveshjes së Ohrit, Kosovën do të vë në një pozicion ku nuk do të mund të mbrohet.

    Ai tha se detyrimet e dala nga kjo marrëveshje nuk do të anulohen.

    “Duhet ta dinë çdo kush se pa marrë parasysh transformimet që do të bëhen, ato do të sjellën në një letër tjetër në të ardhmen në qoftë se precipiton dhunë apo diçka, nuk mund të anulohen detyrimet që janë marrë në Ohër, mund të modifikohen siç janë modifiku detyrimet para rendëse në një drejtim të caktua dhe ky pishmanllëk dhe kjo zvarritje me arsyetime të ndryshme që plotësisht janë relevante të zbatimit të detyrimeve që janë marrë atje, vetëm sa e ofron më shumë pozicionin e Kosovës që nuk mund të mbrohet”, tha Hasani.

    Ai tha se nëse Kosova vazhdon kështu, do të vijë në një pikë ku Asociacionin do t’i duhej ta formojë pa kushte.

    “Nëse kështu vazhdojmë, do të vijmë në një pikë ku nuk mund të mbrosh asgjë, as Asociacionin, do të detyrohesh ta formosh pa kushte, sikur një lloj kapitullimi, do të detyrohesh që të gjitha ato terma të referencës që janë aty , t’i zbatosh”, theksoi Hasani. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Driton Kuka reagon ashpër për mungesën e medaljeve në Lojërat Evropiane

    ​Driton Kuka reagon ashpër për mungesën e medaljeve në Lojërat Evropiane

    Trajneri i xhudos Driton Kuka është shprehur i zhgënjyer me mungesën e medaljeve të sportistëve kosovar në Lojërat Evropiane që po zhvillohen në Krakov të Polonisë.

    Kuka ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ndë4r të tjera ka bërë thirrje që Ministria e Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës të kujdesen që njerëzit që nuk kanë të bëjnë me sportin te qëndrojnë sa më larg këtyre ngjarjeve sportive, por që aty të ketë njerëz kompetent në mënyrë që të arrihen rezultate më të mira.

    Ai ka vlerësuar paraqitjen e boksieres Donjeta Sadiku e cila arriti deri në çerekfinale, por që mbeti pa medalje, raporton KosovaPress.

    Ai ka thënë se mbështetja nga MKRS-së dhe KOK-ut për sportet nuk po mungon, por rezultatet nuk po shihen.

    Ky është reagimi i plotë i Kukës në Facebook:

    Kosova si duket do mbes pa medalje.

    Komplimente boksieres Sadiku që pati prezantim dinjitoz dhe u afrua te medalja, tjerët ishin shumë larg medaljeve e në anën tjetër nga media të ndryshme e besa edhe institucione sportive u munduan disa rezultate të paraqiten si të mëdha e në anën tjetër ato janë pa vlerë e shumë larg medaljeve!

    Jepini fund lojës me fjalë kjo nuk na bën nder!

    Për sinqeritet Ministria edhe KOK materialisht po përkrahin më shumë se kurrë sportistët e trajnerët por rezultatet janë duke munguar.

    Gjithmonë atje në gara shihen persona që janë zyrtar por në fakt askush se kupton në çfarë roli janë dhe pse janë shkuar kur as sportet e tyre që u përkasin nuk janë pjesë e garave!

    Federata e KOK të kujdeset që të afroj profesionistë nga lëmia e sportit për ti avancuar rezultatet e jo njerëz që në sport janë aksidentalisht!

    Nuk po e zgjas ma shumë por të kuptohet drejt gjendja e sportit dhe si të ecet përpara, ktheni njerëz me vlera në institucione sportive!

    Në fund Kuka ka postuar një fotografi të Majlinda Kelmendit në finalen e Lojërave Evropiane 2019 në Minsk ku kishte mposhtur Rusen Kuzjutina

  • Një këshilltare lokale e BE-së kërkon shkarkimin e Borrellit e Lajçakut

    Një këshilltare lokale e BE-së kërkon shkarkimin e Borrellit e Lajçakut

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, austriakja Kati Schneeberger, u ka bërë thirrje 705 deputetëve të Parlamentit Evropian që të kërkojnë dorëheqjen e Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut nga funksionet e tyre.

    Schneeberger, një politikane lokale në Vjenë e cila nuk ka vendimmarrje në Bashkimin Evropian, është mbështetëse e Kosovës.

    Të mërkurën, ajo ka treguar se u ka dërguar letër 705 eurodeputetëve. U ka kërkuar atyre që të kërkojnë dorëheqjen e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit për dialog, Miroslav Lajçak.

    “Ju bëj thirrje të gjithëve: Bëni thirrje për dorëheqjen e Komisionerit dhe Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, Emisarit Special Miroslav Lajčák dhe Drejtorit të Përgjithshëm Gert Jan Koopman. Vendimet e tyre rrezikojnë demokracinë dhe paqen në Evropë”, thuhet në letrën e Schneeberger.

    “Unë sinqerisht shpresoj që në Parlamentin Evropian mbrojtësit e demokracisë dhe paqes të kenë ende shumicën, krahasuar me ata që mbështesin autokratë si Putini dhe Vuçiqi”, ka thënë ajo.

    Schneeberger ka kërkuar ndalimin e sanksioneve të BE-së kundër Kosovës.

  • Administrata amerikane ndan shqetësimet e njëjta me Kongresin për tensionet në veri të Kosovës

    Administrata amerikane ndan shqetësimet e njëjta me Kongresin për tensionet në veri të Kosovës

    Një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se administrata amerikane ka të njëjtat shqetësime sikurse edhe Kongresi për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

    “Zyrtarët e qeverisë amerikane duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, kanë punuar ngushtë me partnerët e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje diplomatike për ngjarjet e fundit. Ata janë angazhuar me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës për të nxitur shtensionimin dhe përqendrimin e ripërtërirë në zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të nënshkruara në fillim të këtij viti”, tha zëdhënësi duke nënvizuar se ‘normalizimi i marrëdhënieve, pjesëmarrja në proceset demokratike dhe respektimi i sundimit të ligjit do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë dhe sigurinë në veri të Kosovës’”, tha ky zëdhënës për Zërin e Amerikës.

    Ai i bëri këto komente duke u përgjigjur rreth një letre që një grup senatorësh demokratë dhe republikanë i drejtuan presidentit Joe Biden, duke kërkuar që ta trajtojë me përparësi përkeqësimin e situatës së sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Senatorja Jeanne Shaheen bashkë me senatorët Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Pete Ricketts, Thom Tillis, Peter Welch dhe Dick Durbin, shprehën në letër shqetësimin me situatën në veri “ku dhuna e fundit serbe kundër Forcave të NATO-s në Kosovë plagosi rreth 40 paqeruajtës të NATO-s. Që nga ato sulme, ne jemi të alarmuar nga vendimet qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, të cilat vazhdojnë të përshkallëzojnë dhe jo ulin tensionet”.

    Në letër theksohet shqetësimi për sigurinë dhe mirëqenien e rreth 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

    “Ne vlerësojmë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të ulur tensionet, por këto përpjekje nuk kanë marrë përgjigje të ndërsjellë nga Kosova në veçanti. Si rrjedhojë ne jemi të përgatitur të shqyrtojmë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit”, thuhet në letër.

    Senatorët kanë përmendur rolin e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës por edhe hapat për ndërtuar një marrëdhënie me Serbinë.

    Ata shprehen të “tronditur” nga veprimet e fundit të qeverive të Serbisë dhe Kosovës duke i cilësuar “vendime provokuese që kërcënojnë të dëmtojnë mundësitë e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe”.

    Kriza në veri të Kosovës pasoi vendimin e autoriteteve për zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

    Ne letrën e senatorëve shprehet mbështetja për propozimin e Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve që përfshin: tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës; pezullimi i operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale me përfundimin e njëkohshëm të protestave, shpalljen e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës; dhe një kthim në dialog për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    Senatorët thanë se pa një përkushtim të vendosur për të ndërmarrë këto hapa, administrata amerikane duhet të shtyjë “çdo thellim të marrëdhënieve dypalëshe të në fushën e sigurisë me të dyja vendet”.

    Duke theksuar se marrëdhëniet duhet të ndërtohen mbi vullnetin e mirë, bashkëpunimin kuptimplotë dhe vlerat e përbashkëta, senatorët theksojnë se “nuk e shohim këtë episod të fundit tensionesh si një shmangie të përkohshme në marrëdhëniet dypalëshe, por si një moment përcaktues në trajektoren e marrëdhënieve tona me të dyja vendet”.

    Bashkimi Evropian paralajmëroi shpalljen e masave të reja ndëshkuese për Kosovën gjatë kësaj jave./VOA/

  • Scholz pret që situata në veri të shtensionohet, kërkon zgjedhje të parakohshme

    Scholz pret që situata në veri të shtensionohet, kërkon zgjedhje të parakohshme

    Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë të mërkurën në mbrëmje se pret që gjendja në veriun e Kosovës të shtensionohet, të mbahen zgjedhjet në komunat me shumicë serbe dhe të zbatohen marrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kancelari Scholz i bëri komentet gjatë një konference për media me Kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski në Berlin, ku po ashtu inkurajoi faktorët politikë në Maqedoninë e Veriut që t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese për t’ia hapur rrugën vendit drejt integrimit më të shpejtë në BE, transmeton Zëri i Amerikës.

  • KFOR-i përshëndet festimin paqësor të Bajramit dhe Vidovdanit

    KFOR-i përshëndet festimin paqësor të Bajramit dhe Vidovdanit

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka përshëndetur festimin paqësorë të festës së Kurban Bajramit dhe Vidovdanit që kishin qëlluar në të njëjtën ditë.

    KFOR-i përmes një komunikate ka thënë që mënyrat se si janë festuar Vidovdani dhe Kurban Bajrami sot e shfaqin rëndësinë e besimeve fetare në bashkekzistencën mes komuniteteve.

    Madje, sipas KFOR-it, një gjë e tillë vetëm sa e shpërfaq se sa i rëndësishëm është dialogu që përmban tolerancë dhe respekt reciprok.

    “KFOR-i gjithmonë mirëpret dhe mbështet mesazhet që promovojnë paqen dhe dialogun”, thuhet në postimin e KFOR-it. Fetë luajnë rol kyç në bashkë ekzistencën midis komuniteteve”.

    “Ceremonitë paqësore të Vidovdanit dhe Kurban Bajramit sot e demonstrojnë rëndësinë e ndjekjes së dialogut përmes tolerancës dhe respektit të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Deputetja britanike i reagon BE-së, pasi pritet të marrë masa kundër Kosovës

    Deputetja britanike i reagon BE-së, pasi pritet të marrë masa kundër Kosovës

    Deputetja e parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka vazhduar me kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian, pasi kjo e fundit ka përgatitur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Në një shkrim në Twitter, të mërkurën, Kearns tha se diplomacia e BE-së ka dështuar në raport me Kosovën.

    Ajo ka shtuar se BE-a nuk po tregon produktivitet për deeskalimin e situatës në veri, dhe kështu po e inkurajon Beogradin për të vazhduar më tej.

    “Bashkimi Evropian është joproduktiv për de-përshkallëzimin e situatës në veri, duke inkuarjuar Beogradin i cili: -Ndërhyri në zgjedhjet, rrëmbeu ilegalisht tre policë të Kosovës, financon militantët. Megjithatë nuk ka pasoja. Kjo është e rrezikshme”, ka shkruar Kearns.

    Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman dje ka thënë se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës.

    Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.