ATV

Author: ATVLive

  • ​Fillon seanca e Kuvendit, në rend dite marrëveshjet ndërkombëtare

    ​Fillon seanca e Kuvendit, në rend dite marrëveshjet ndërkombëtare

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar deputetët që të jenë të pranishëm në sallë meqë pikat e para të rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare dhe kërkohet prania e 80 deputetëve.

    Konjufca ka theksuar se pa kuorumin e nevojshëm nuk mund të zhvillohet seanca.

    “Po ua uroj Bajramin e Kurbanit, ju sjelltë shëndet, ju sjelltë fat, mbarësi dhe begati dhe gjithë qytetarëve të Kosovës dhe gjithë besimtarëve ua urojmë këtë festë.. Jemi 74 deputetë por na duhen 80 sepse pikat e mbetura prej seancave të mbetura janë disa marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare nuk mund të fillojmë pa kuorumin e nevojshëm I cili është për marrëveshje ndërkombëtare. I ftojmë grupet parlamentare ”, tha Konjufca.

    Dy pikat e para të seancës së sotme e që janë marrëveshje ndërkombëtare janë: Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, dhe shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

    Në këtë seancë në rend dite janë pika nga seanca të muajit prill, maj e qershor./kp

  • ​Shqipëria ngjitet tri vende më lartë në renditjen e FIFA-s

    ​Shqipëria ngjitet tri vende më lartë në renditjen e FIFA-s

    Shqipëria është ngjitur për tre pozicione në klasifikimin e FIFA-s të përditësuar këtë të enjte, duke u renditur aktualisht në vendin e 65-të në botë. Kuqezinjtë lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Islandën, falë fitoreve ndaj Moldavisë (2-0) dhe Ishujve Faroe (1-3).

    Nën drejtimin e brazilianit Silvinjo, kuqezinjtë shfaqën lojë të bukur në dy ndeshjet kualifikuese për në Kampionatin Evropian Euro 2024 dhe kjo ka bërë që të ketë përmirësim në renditjen botërore, përcjellë KosovaPress.

    Shqipëria renditet në pozitën e 65 me gjithsejtë 1357 pikë.

  • ​“Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste

    ​“Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste

    Qeveria e Kosovës mori vendim që organizatat që veprojnë në komunat veriore të vendit si “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste, transmeton KP.

    Kundër këtij vendimi ishte ministri serb Nenad Rashiq.

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi se këto organizata janë kërcënim seriozi dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

    Ky propozim është arsyetuar më pas edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla duke thënë se e kanë sfiduar shtetin me barrikada, sulme ndaj zyrtarëve policorë, ndaj objekteve shtetërore, ndaj kundërshtarëve politikë e të tjera.

    Mirëpo, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi se nuk duhen të merren vendime të ngutshme prandaj ka kërkuar që të rishikohet i njëjti.

    Mirëpo, propozimi i tij nuk është marr parasysh dhe në fund kabineti qeveritar votoi me shumicë që “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste.

  • Qeveria ndanë 3.2 milionë euro për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari”

    Qeveria ndanë 3.2 milionë euro për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari”

    Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka marr vendim që të nis procesi i shpronësimit të pronave rreth stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë me qëllim të rinovimit dhe rikonstrukturimit të tij, projekt për të cilin ka ndarë 3.2 milionë euro.

    Zëvendësministri i i Mjedisit dhe Infrastruktur ës, Avni Zogjani tha se kanë pranuar kërkesë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të bëhet shpronësimi i këtyre pronave me qëllim që stadiumi “Adem Jashari” të rinovohet dhe të kalojë nga kategoria 2 në kategorinë 4 sipas rregullave të UEFA-s.

    “Departamenti i shpronësimit, më datën 21.06.2023, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pranuar shkresën numër 3374/23, kërkesë për shpronësim, stadiumi olimpik “Adem Jashari” Mitrovicë ku është kërkuar shpronësimi i pronave sipas tabelës së bashkangjitur në vendimin aktual. Bazuar në projektin për përmirësimin e infrastrukturës sportive që nga kategoria 2, të ngritet në kategorinë 4 sipas rregullores së UEFA-s, me qëllim të plotësimit të kushteve dhe kritereve për zhvillimin e lojërave në përputhshmëri me rregulloret dhe ne veçanti me kornizës ligjore të UEFA-s dhe FIFA-s.”, ka thënë Zogjani.

    Ai tha se janë plotësuar të gjitha kushtet që kjo kërkesë të miratohet dhe të fillojë puna për shpronësimin e pronave që i nevojiten stadiumit olimpik në Mitrovicë.

    “Departamenti i shpronësimit, pas përfundimit të procedurave dhe kontrollimit në aspektin teknik dhe juridik të kërkesës ka konstatuar përmbushjen e kushteve ligjore të nenit 3,4, 8 dhe 44 rë Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të nxjerrë vendim me të cilin miratohet shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim për interes publik për realizimin e projektit të rinovimit të stadiumit olimpik në Mitrovicë.”, tha Zogjani.

    Vendimi ka marrë mbështetjen edhe të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e cila ka ndarë 3.2 milion euro për realizimin e këtij projekti.

    Ministri i kësaj ministrie, Hekuran Murati, deklaroi se ky buxhet do të hap dyert për fillimin e punës në stadiumin “Adem Jashari”

    Pas këtij vendimit, do të vazhdohet me dëgjimin publik dhe konsultimin me pronarët e këtyre pronave që duhen shpronësuar për realizimin e këtij projekti.

  • Racizëm apo i dehur? Policia franceze vret të riun mysliman që nuk ndaloi veturën

    Racizëm apo i dehur? Policia franceze vret të riun mysliman që nuk ndaloi veturën

    Një oficer i policisë franceze që vrau një 19 vjeçar më 14 qershor në jugperëndim të Francës është akuzuar për vrasje nga pakujdesia. Një tjetër i ri (Nahël) 17 vjeç, u vra të martën në mëngjes nga policia në Hauts-de-Seine. Analistët në Francë këtë rast e kanë komentuar duke thënë se ose ka mundur të jetë racist ose polici mund të ketë qenë i çmendur, sepse sipas tyre, këtë krim nuk do të mund ta bënte një njeri normal, shkruan gazeta zvicerane në shqip, Le Canton27.ch.

    Të martën, rreth orës 08:15, policia me motoçikleta urdhëroi drejtuesin e një Mercedesi me ngjyrë të verdhë që ishte marrë me qira të ndalonte për kontroll, pasi kishte vërejtur disa shkelje rrugore.

    Djali fillimisht do të kishte ndaluar automjetin e tij, përpara se të ri ndizte atë përsëri.

    Sipas policisë adoleshenti do t’i kishte përplasur, andaj një oficer policia e kishte qëlluar atë.

    Ndërsa, një video amatore tregon të kundërtën. Punonjësi i policisë nuk ishte përpara mjetit, por ishte anash derës së përparme të tij.

    Në video shihet zyrtari policor duke i drejtuar shoferit armën e tij të shërbimit, përpara se ta qëllojë kur automjeti niset sërish.

    Sipas avokatëve të familjes së viktimës, në video, autori i të shtënave fatale dëgjohet duke bërtitur “Do të të fus një plumb në kokë”.

    Kolegu i tij duket se po e urdhëron të qëllojë duke i thënë “gjuaj” pak para se të dëgjoheshin të shtënat.

    Polici 38-vjeçar i dyshuar për të shtënat me armë zjarri është dërguar në mbajtje për vrasje me dashje.

    Vrasja e 17 vjetarit nga policia franceze ka ngjallur reagime të shumta në Paris ku janë organizuar protesta të dhunshme.

    Tensionet do të kishin shpërthyer gjithashtu në disa qytete franceze si Marseja, Nante, Bordo apo Roubaix.

  • ​Kosova pëson rënie në renditjen e re të FIFA-s

    ​Kosova pëson rënie në renditjen e re të FIFA-s

    Shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA sot ka publikuar renditjen e re të ekipeve kombëtare.

    Pas rezultateve jo të mira në kualifikimet për në Kampionatin Evropian Euro 2024, Kombëtarja e Kosovës ka rënë një pozitë më poshtë, raporton KosovaPress.

    Krahasuar me renditjen paraprake, “Dardanët” janë një vend më poshtë, përkatësisht në të 108-tin.

    Ndërsa renditja kryesohet nga Argjentina, e ndjekur nga Franca e Brazili, ndërsa top-5 kompletohet me Anglinë dhe Belgjikën.

  • ​Kurti: Jemi në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet

    ​Kurti: Jemi në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se janë në fazën e hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe u shpreh se do të pasohet edhe me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Në përballje me forcën e natyrës, shefi i ekzekutivit theksoi se infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Në adresimin e tij para fillimit të mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se po lobojnë për të siguruar që Kosova të ketë qasje në fonde, meqë vlerësohet se i duhen investime prej më shumë se 1,3 miliardë euro në infrastrukturë.

    Shefi i ekzekutivit ngushëlloi familjen Ademaj për vdekjen tragjike të nënës dhe djalit pesë-vjeçar nga Peja si shkak i përmbytjeve.

    “Lajmi i kobshëm jehon edhe sot, dhimbja për ta është po aq e madhe sa edhe para pesë ditëve. Andaj, edhe një herë nga kjo sallë dhe në emër të të gjithë kabinetit qeveritar, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të Mirsada Hoxhiq Ademaj dhe djalit të saj pesëvjeçar, Dionit”, u shpreh Kurti.

    Para kabinetit qeveritar, Kurti shtoi se vërshimet të shtunën në Pejë erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

    “Vërshimet erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Atë ditë brenda vetëm diç më shumë se një ore, ranë gati 55 milimetra shi. Sasi kjo krejt e pazakontë për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër. Tashmë është e qartë se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik të pa precedentë dhe drejtpërdrejt për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë e vendit dhe mjedisin përreth. Kosova nuk bën asnjë përjashtim. Ajo është po aq e rrezikuar ndaj thatësirave me zjarreve, rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe humbjeve të bio-diversitetit. Në fakt, modelimet klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor tregojnë një rritje më të madhe të temperaturës krahasuar me mesataren globale. Në krahasim me nivelet e zakonshme të vitit 1970, temperatura mesatare vjetore në rajon është rritur për 1,2 gradë celsius”, tha Kurti.

    Sipas tij, përmbytjet e tipit 100-vjeçar që mund të përsëriten çdo 100 vjet, mund të shkaktojnë dëme me 3 për qind të bruto produktit vendor.

    “Në rast të rritjes së frekuencës dhe intensitetit të përmbytjes, si rezultat i ndryshimeve klimatike një këso përmbytje e tipit 100 vjeçar, në të ardhmen mund të shkaktojë dëme nga 300 deri në 700 milionë euro. Në këtë përballje me forcën e natyrës, infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane kontribuojnë për të keq në rritjen e pasojave nga përmbytjet e shpeshta. Rimëkëmbja nga vërshimet synim duhet ta ketë shmangien e përsëritjes së tyre, përveçse edhe rikuperimin prej tyre. Qeveria jonë është në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet e që do të pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Ne do të fillojmë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, e cili vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshimet klimatike dhe jemi aktivisht duke e marrë në konsideratë përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve, gjatë projektimit të infrastrukturës”, shtoi Kurti.

    Po ashtu, kryeministri Kurti deklaroi se po lobojnë për të siguruar qasje të drejtpërdrejt në fonde.

    “Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejt në fonde për këtë qëllim. Vlerësohet se Kosovës i duhen investime prej më shumë se 1,3 miliardë euro në infrastrukturë, për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, vijoi shefi i ekzekutivit.

    Një grua 26-vjeçare dhe djali saj 5-vjeçar kanë vdekur të shtunën (24 qershor) në Pejë si pasojë e vërshimeve./KP

  • Masat kundër Kosovës, Kurti: Jemi aleati më i qëndrueshëm, BE është fati ynë

    Masat kundër Kosovës, Kurti: Jemi aleati më i qëndrueshëm, BE është fati ynë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar listën e masave kundër Kosovës të propozuara nga Bashkimi Evropian. Në adresimin e tij në mbledhjen e ekzekutivit, ai ka thënë se Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane.

    Ai ka thënë se në raste kanë qenë kritik ndaj BE-së, por asnjëherë cinik apo të hidhëruar.

    “Dje Komisioni Evropian ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjejnë partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë të tillë e ka popullin, së pari popullin pastaj qeverinë. Në raste kemi qenë kritik ndaj BE por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar, nuk jemi as sot”, ka thënë Kurti.

    Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës dhe ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.

    Kështu ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman gjatë takimit të ministrave të Bashkimit Evropian. /kp

  • ​Për një vit u raportuan dhjetëra raste të diskriminimit në Kosovë

    ​Për një vit u raportuan dhjetëra raste të diskriminimit në Kosovë

    Për rreth një vit, në platformën kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, janë raportuar 23 raste të diskriminimit. Gjatë prezantimit të raportit të kësaj platforme u theksua nevoja e qytetarëve për të qenë më të informuar sa i përket raportimit të rasteve të diskriminimit.

    Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër-diskriminim, Habit Hajredini, ka kërkuar edhe angazhim shtetëror për ta parandaluar diskriminimin.

    “Për një vit natyrisht shohim një progres, pasi në fillim kemi qenë skeptik si do të mirëpritet dhe avancohet ky ko vetëm tek strukturat institucionale por tek qytetarët. Por, kërkohet angazhim shtetëror për ta parandaluar diskriminimin e komuniteteve, kryesisht ashkalinj e egjiptian në Kosovë”, tha Hajredini.

    Ndërsa Avokati i Popullit, Naim Qelaj, këtë platformë e konsideron si një mundësi të mirë për gjithë qytetarët që duan të raportojnë raste të diskriminimit.

    “Unë e konsideroj si një mundësi të mirë këtë platformë që qytetarëve ja bënë më të lehtë raportin e diskriminimit, çfarëdo qoftë ai”, tha Qelaj.

    Kjo ceremoni e përvjetorit të “Platformës kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian”, është organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në bashkëpunim me projektin Drejtësi Sociale për Rom, Ashkali dhe Egjiptian, implementuar nga Misioni Terre des hommes në Kosovë, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe Fondacioni HEKS./KP

  • Bashkëjetoi me një të mitur, u arrestua një burrë në Gjilan

    Bashkëjetoi me një të mitur, u arrestua një burrë në Gjilan

    Një burrë u arrestua dje në Gjilan pasi ka bashkëjetuar me një të mitur.

    Sipas Policisë, viktima u dërgua në strehimore.

    Ndërkohë, i dyshuari u dërgua në mbajtje.