ATV

Author: ATVLive

  • ​LVV: Përparim Rama po e sfidon procedurën administrative në nivel vendi

    ​LVV: Përparim Rama po e sfidon procedurën administrative në nivel vendi

    Përfaqësues të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama se po sfidon opinionin ligjor të Ministrisë së Pushtetit Lokal, e cila i ka vlerësuar disa vendime si pa efekt juridik. Ata theksuan se po bëhet një precedentë shumë i rrezikshëm ku për herë të parë një kryetar i komunës nuk merr parasysh opinionin e ministrisë.

    Shefi i asamblistëstëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla në konferencën e mbajtur për media tha së ata si aksionarë të lëvizjes Vetëvendosje janë penguar fizikisht të ndërhyjnë në ndërmarrje publike, disa nga ndërmarrjet nuk kanë gjetur as edhe persona përgjegjës e as nuk janë pritur.

    Ai duke bërë një kronologji të ngjarjeve, ka thënë se më 8 qershor Kuvendi komunal ka shkarkuar ish aksionarët dhe janë emëruar aksionarët e rinj të ndërmarrjeve komunale dhe më 14 qershor, gjë që është konfirmuar edhe nga ministria se gjithçka ka shkuar sipas procedurës ligjore.

    Sveçla i ka përmendur edhe seancën e 27 qershorit, ku pas përfundimit të seancës nga kryesuesi, LDK dhe PDK ka vazhduar seancën, duke marrë disa vendime të cilat, Ministria e Pushtetit Lokal, i ka konsideruar si pa efekt juridik, gjë që në fuqi do të duhej të mbesin vendimet e 8 qershorit, ku janë emëruar kryetarët e rinj të ndërmarrjeve.

    “Në disa ndërmarrje na është ndaluar qasje, e në disa nuk na ka pritur askush dhe ne nuk kemi arritur që t’i ushtrojmë kompetencat tona, si aksionarë legjitim të qytetit të Prishtinës. Kryetari Rama përkundër se ministria ka vlerësuar se vendimet të cilat i kanë marrë në seancën e cila ishte mbyllur bëjnë efekt juridik, ai i ka sfiduar këto vendime dhe ka publikuar në faqen e komunës, është një precedentë shumë i rrezikshëm ku për herë të parë një kryetar nuk merr parasysh opinionin ligjor të ministrisë por publikon vendime të cilat nuk kanë vlerë juridikë. Është një precedent i rrezikshëm i cili mund të shërbej për kryetarë të komunave tjera dhe në këtë mënyrë kryetari Rama po e sfidon procedurën administrativë në nivel vendi”, tha Sveçla.

    Ndërsa, aksionari i Ndërmarrjes Publike Banesore, Arianit Beqiri tha se ata janë votuar si aksionar më 8 qershor, aksionarët e mëhershëm, bashkë me kryeshefin dhe bordin e saj, kanë vendosur që të anulohet projekti i dëmshëm 120 mijë euro.

    Ai tha se kanë tentuar të hyjnë në ndërmarrje, por me ndërhyrjen e aksionarëve të kaluar, ndërhyri policia duke mos i lënë të futën në ndërmarrje.

    “Nuhi Halimi, kryesues i Bordit të NPB-së, kandidat për asamble i PDK-së, dje bashkë me anëtarët e PSD-së të instaluar nga Dardan Molliqaj në NPB, e ruanin objektin thuajse i takon atyre e jo qytetarëve të Prishtinës, Po atë ditë, dje në mëngjes, drejtori për siguri dhe emergjenca në Prishtinës i dërgon një letër Policisë së Kosovës ku i kërkon që të patrullojë nëpër objektet e ndërmarrjeve se mund të ketë tentim të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, por në asnjë vend nuk thuhet se një drejtor i një drejtorie ka për kompetencë që të urdhërojë policinë që të sigurojë këto hapësira. Sigurisht policia e vënë në lajthitje nga ky dokument që ky drejtor kishte dërguar, pra ato dokumente nga ata të emëruarit e atëhershëm e jo këta tash, ndërhyri duke mos na lënë që ne të futemi në objektet e komunës, me këtë rast të vend që të asistonte kundër pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, ata asistuan në zaptimin e ndërmarrjes….asaj që nga ka ndodhur dje që për neve përbën vepër penale që do të ankohemi në gjykatë, do të ankohemi edhe për këta policë në Inspektoratin Policor”, tha ai. /kp

  • Evropa përgatitet për kulmin e të nxehtit teksa bota shënon temperatura rekorde

    Evropa përgatitet për kulmin e të nxehtit teksa bota shënon temperatura rekorde

    Evropa po përgatitet për temperatura të larta të martën, gjatë një vale nxehtësie ndërkohë që zjarret kanë përfshirë pjesë të hemisferës veriore, duke shtyrë autoritetet që bëjnë evakuimin e 1.200 fëmijëve pranë një resorti bregdetar grek.

    Autoritetet shëndetësore, nga Amerika e Veriut, Evropa e Azia, kanë lëshuar paralajmërime, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë të hidratuar dhe të kërkojnë strehim nga dielli përvëlues.

    Evropa, kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, po përgatitet për kulmin e valës aktuale të të nxehtit, me ishujt italianë të Sicilisë dhe Sardenjës, të cilët do të goditen nga një temperaturë maksimale prej 48 gradësh celsius, ka parashikuar Agjencia Evropiane e Hapësirës.

    Rekordi i mëparshëm i temperaturës në Evropë u regjistrua në vitin 2021 në Sicili, që arriti në 48.8 gradë celsius, sipas agjencisë së motit të OKB-së.

    Në afërsi të Athinës, shërbimet e urgjencës vazhduan të luftojnë zjarret për të dytën ditë radhazi në lokacione të ndryshme.

    “Shqetësimi ynë kryesor është t’i mbrojmë njerëzit”, tha një zëdhënës i zjarrfikësve në Greqi.

    Një zjarr në pyll u ndez nga erërat e forta pranë qytetit të plazhit të Loutrakis, ku kryebashkiaku tha se 1.200 fëmijë ishin evakuuar nga kampet e pushimeve.

    “Moti ekstrem… po ka një ndikim të madh në shëndetin e njerëzve, ekosistemet, ekonomitë, bujqësinë, energjinë dhe furnizimet me ujë”, tha sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) Petteri Taalas.

    “Kjo thekson urgjencën në rritje të uljes së emetimeve të karbonit sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

    Rekorde historike
    Në Evropë, italianët u paralajmëruan të përgatiteshin për “valën më intensive të të nxehtit”, pasi temperaturat arritën një rekord prej 39 gradësh celsius të hënën në Romë.

    Një turist amerikan, Colman Peavy, nuk i besonte vapës teksa pinte një kafe me gruan e tij Ana në fillim të një pushimi dyjavor.

    “Ne jemi nga Teksasi dhe atje është vërtet vapë; menduam se do t’i shpëtonim vapës, por këtu është edhe më nxehtë”, tha 30-vjeçari.

    Sipas shërbimit të monitorimit të motit të BE-së, qershori tashmë është muaji më i nxehtë i regjistruar në mbarë botën dhe duket se korriku do të kapërcejë edhe rekordet e mëparshme.

    Në Spanjë, të hënën u raportua për temperatura 44.7 gradë celsius në qytetin jugor të Jaen.

    Në Qipro, ku temperaturat pritet të mbesin mbi 40 gradë, një burrë 90-vjeçar vdiq si pasojë e nxehtësisë dhe tre të moshuar të tjerë u shtrinë në spital, bënë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

    “Udhëheqja globale”
    Pjesë të Azisë janë prekur nga temperatura të larta, që shkaktuan shi të rrëmbyeshëm.

    Kina raportoi një rekord të ri për mesin e korrikut në veriperëndim të vendit, ku temperaturat arritën në 52.2 gradë celsius në fshatin Sanbao të rajonit Xinjiang, duke thyer nivelin e mëparshëm prej 50.6 gradësh celsius, të vendosur gjashtë vjet më parë.

    Thirrjet për t’u larguar nga të nxehtit ishin lëshuar në 32 nga 47 prefekturat e Japonisë, kryesisht në rajonet qendrore dhe jugperëndimore. Të paktën 60 njerëz u trajtuan për shkak të goditjeve nga nxehtësia, raportuan mediat, duke përfshirë 51 të dërguar në spital në Tokio.

    Një çerek milion njerëz u evakuuan në Kinën jugore dhe Vietnam përpara se një tajfun i madh të godiste bregun të hënën vonë, duke sjellë erëra dhe shira të ashpra dhe duke detyruar anulimin e qindra fluturimeve dhe trenave.

    Në Pekin, i dërguari i SHBA-së për klimën, John Kerry, u angazhua në diskutime me zyrtarët kinezë, në përpjekje që dy ndotësit më të mëdhenj të planetit të ringjallin diplomacinë që synon reduktimin e emetimeve që kontribuojnë në ngrohjen globale.

    Duke iu drejtuar audiencës në Sallën e Madhe të Popullit së bashku me diplomatin kryesor të Kinës, Wang Yi, Kerry theksoi nevojën e “udhëheqjes globale” kur bëhet fjalë për trajtimin e shqetësimeve të lidhura me klimën.

    Zjarre e tym
    Një valë e nxehtë përvëluese përfshiu shtetet perëndimore dhe jugore të SHBA-së, duke prekur rajone të mësuara me temperatura të larta.

    Në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, një vend që shpesh njihet si një nga më të nxehtit në Tokë, temperaturat u rritën në nivele gati rekord prej 52 gradësh celsius të dielën pasdite.

    Kryeqyteti i shtetit të Arizonës, Feniks, shënoi rekordin e tij me 18 ditë rresht mbi 43 gradë celsius, pasi temperaturat arritën në 45 gradë celsius të hënën.

    Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së parashikon temperatura të ngjashme të larta që do të vazhdojnë të paktën deri të dielën.

    Ndërsa vala e të nxehtit u përhap në Kaliforninë jugore, zjarre të shumta shpërthyen në zonat rurale në lindje të Los Anxhelosit. Zjarri më i madh, i quajtur “Zjarri i Lepurit”, kishte djegur rreth 8.000 hektarë dhe u raportua se 35 për qind e tij ishte vënën nën kontroll të hënën në mëngjes.

    Ndërkohë, në Kanadanë fqinje, autoritetet raportuan 882 vatra zjarri aktive të hënën, me 579 prej tyre të kategorizuara si jashtë kontrollit.

    Tymi që del nga zjarret ka zbritur edhe një herë mbi Shtetet e Bashkuara, duke çuar në alarme për cilësinë e ajrit në pjesën më të madhe të verilindjes. /REL

  • ​Ish-komandant Remi përfundon dëshminë e tij në rastin Thaçi dhe të tjerët

    ​Ish-komandant Remi përfundon dëshminë e tij në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa sot ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Intervistimi i tij zgjati gjithsej gjashtë ditë dhe gjatë seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues vazhdoi me pyetje për ish-komandantin, Remi.

    Ish-komandat, Remi u shpreh se si zonë kishin mbi vete shtabin e përgjithshëm të UÇK-së.

    Metro: E pranoni se gjatë periudhës përkatëse 98 deri në verën e 99’ës ju si zonë ishit në varësi të shtabit të përgjithshëm

    Metro: a e pranoni propozimin se zona operative ishte niveli i dytë në zinxhirin e komandës në varësi të nivelit të parë që në fakt ishte shtabi i përgjithshëm

    Mustafa: Mbi vete kishte shtabin e përgjithshëm i cili po konsolidohej

    Gjyqtari Metro ka parashtruar pyetje për një dokument të SHIK-ut, i cila përfshinë një listë që përmban emrat e personave të dyshuarë si bashkëpunëtorë. Por për këtë dëshmitari tha se nuk e njeh këtë dokument.

    Metro: Këtu kemi një dokument të SHIK-ut të Kosovës që është një listë që përmban persona të dyshuar si bashkëpunëtorë që janë nga zona e përgjegjësisë tuaj Podujevës, a njihnin nga personat e renditur në këtë listë, a njihni ndonjë nga emrat në këtë listë

    Mustafa: Jo nuk i njoh

    Metro: Alush Kastrati, Osman Sinani, Etem Jashari nuk të thonë asgjë

    Mustafa: Ju po thoni se ky dokument është gjetur pas luftës nga UNMIK në zyrat e SHIK, s’kanë lidhje këto dokumente me kohën e luftës

    Metro: Nëse e kuptoj siç duhet është SHIK, pas luftës pas faktit që krijoi një listë të bashkëpunëtorëve në zonën tuaj, këtë po e thoni

    Mustafa: Ju po thoni që dokumentet janë gjetur nga policia e UNMIK dhe unë vetëm po them se ky dokument nuk është i njohur për mua dhe nuk ka lidhje me UÇK

    Metro: Kush do të ishte personi përgjegjës për ta ndarë këtë informatë me shtabin e përgjithshëm, ju personalisht apo dikush tjetër

    Mustafa: Nuk ka pas asnjë dërgesë në shtabin e përgjithshëm të kësaj lloj informatave

    Kryesuesi i trupit gjykues, Çarls Smith pyeti Rrustem Mustafën se përmes kujt kishte komunikuar me delegacionin në Rambuje. Ndërsa, ish-komandant, Remi tha se përmes Sabri Kiçmarit dhe Pleurat Sejdiu kishte arritur komunikimin.

    Ish-komandant Remi pohoi se policia ushtarake ishte përgjegjëse për të gjitha qendrat e ndalimit të UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit.

    Gejnor: Policia ushtarake ishte përgjegjëse për të gjitha qendrat e ndalimit të UÇK në zonë tuaj

    Mustafa: Po zotëri gjyqtari

    Pas përfundimit të pyetjeve të trupit gjykues, përsëri karshi Rrustem Mustafës parashtroi pyetje mbrojtja e Thaçit dhe Veselit, që kryesisht kishin të bënë me pyetjet e gjyqtarit, Genël Metro.

    Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson pyeti dëshmitarin Mustafa se nëse Kadri Veseli apo ndonjë person tjetër nga shtabi i përgjithshëm, kishte dhënë ndonjë udhëzim për ndalimin e ndonjë personin në Zonën e Llapit, dhe këtë e mohoi ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit.

    Emmerson: Kadri Veseli apo ndonjë personë tjetër nga shtabi i përgjithshëm, a ka dhënë ndonjëherë udhëzime për ndonjë personë në zonën tuaj të arrestoni me emrër

    Mustafa: Jo

    Ai po ashtu tha se nuk ka ekzistuar ndonjë urdhëresë apo dokument nga shtabi i përgjithshëm, ku urdhërohejë keqtrajtimi apo ndalimi i civilëve.

    E pas përfundimit të dëshmisë së ish-komandant Remit, avokati i Veselit, Ben Emmerson ka replikuar reagimet e gjyqtarëve pas kundra-pyetjeve që bëri ai.

    Emmerson tha se është detyrë e tij të kundërshtoj pyetjet tendencioze.

    Emmerson: Është detyrë e avokatit të kundërshtojë pyetjet tendencioze

    “Gjatë kohës sa po kundërshtoja pyetjet e gjykatësit Metro u bënë disa konstatime deri në momentin që më thatë të ulesha nga juridiksioni që vijë unë, është detyrë e avokatit të kundërshtojë pyetjet tendencioze të palëve përfshirë edhe trupit gjykues nëse nuk pranohet në këtë juridiksion unë do të doja të dilte me një vendim ku do të bëhej e qartë pse nuk lejohen kundërshtimet…Kanë qenë disa pyetje të gjyqtare Barte dhe Metro ku u cenuan kufijtë legjitim të sjelljes së përshatatshme të një trupi gjykues…Duhet të dilni me një vendim sepse unë do të bëjë një apel nëse nuk pranohen kundërshtimet nesër pasnesër do të thoni pse nuk e kundërshtuar nëse unë kundërshtoj gjykatësi Metro më dha urdhër që unë të ulesha dhe u përpoq të hynim në një diskutim dhe ju më thatë të ulesha dhe kundërshtimi im që u bë shumë i qartë është hequr nga hequr nga transkripti..Nuk dua të të degjenerohet sinuata, por duhet të kemi një proces të qartë nëse gjykatësit janë të përgatitur për kundra-pyetje e pamë që kjo e orientoj në mënyrë të gabuar dëshmitarin doli jashtë kontekstit”, tha ai.

    Në sallën e gjyqit janë të pranishëm të gjithë të akuzuarit të cilët e dëgjuan edhe pjesën e fundit të dëshmisë së ish-komandant, Remit.

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa i njohur me nofkën Remi ka nis dhënien e dëshmisë së tij në Hagë nga e marta e javës së kaluar. Remi është dëshmitari i parë që ka dal publikisht në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, pasi të gjithë të tjerët kanë qenë me masa mbrojtëse.

    Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • Bislimi dhe Petkoviq takohen të mërkurën në Bruksel

    Bislimi dhe Petkoviq takohen të mërkurën në Bruksel

    Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe kryenegociator serb, Petar Petkoviq do të takohen nesër (e mërkurë) në Bruksel.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

    Ai ka thënë se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

    “Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, tha Stano në Twitter.

    Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.

  • Serbia e emëron “Putinov” një fshat në Medvegjë

    Serbia e emëron “Putinov” një fshat në Medvegjë

    Serbia i ka ndërruar emrin fshatit Axhinci në Medvegjë, duke e emëruar “Putinovo”, për nder të presidentit rus, Vladimir Putin.

    Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Institutit Hibrid, Agim Musliu, derisa ka thënë se kjo është dëshmi e presionit të shtetit serb ndaj shqiptarëëve, në përpjekje për t’i larguar ata nga Serbia.

    “A e dinit?

    Fshati në #Medvegjë, i quajtur #Putinovo për të nderuar #Putinin, shërben si presion për shqiptarët që të largohen nga #Serbia. Ky fshat në të kaluarën njihej si #Axhinci, duke iu referuar emrit shqiptar #Haxhi (ose #Adjija në versionin #serb)”, ka shkruar Musliu në Twitter.

    Ndryshe, me kërkesën për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dje në Prishtinë ka dje në Prishtinë ka protestuar Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar. Ata kërkuan që të ndërpritet menjëherë pasivizimi i adresave, të anulohen të gjitha vendimet e lëshuara dhe një nga shtetet e bashkësisë evropiane të merr në mbështetje të gjithë banorët shqiptarë.

    “Stop pasivizimi i adresave të shqiptarëve”, ka qenë njëra nga thirrjet e protestuesve të cilët kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

  • ​Mbappe i kërkon takim sy më sy presidentit të PSG-së

    ​Mbappe i kërkon takim sy më sy presidentit të PSG-së

    Kylian Mbappe thuhet se do të zhvillojë bisedime ballë për ballë me presidentin e Paris Saint-Germain Nasser Al-Khelaifi sot për të diskutuar të ardhmen e tij në klub.

    24-vjeçari dukej se ishte në prag të kalimit në Real Madrid verën e kaluar përpara se të bënte një kthesë të madhe dhe të nënshkruante një kontratë të re dyvjeçare me PSG-në.

    Megjithatë, klubi francez mbeti i shokuar kur Mbappe vendosi që të mos e shfrytëzojë mundësinë për vazhdimin e kontraës, gjë e cila irritoi presidentin Khelaifi i cili dha urdhër që lojtari të largohet nëse nuk e vazhdon kontratën.

    Sidoqoftë, “Sky Sports Neës” raporton se Mbappe do të takohet me Al-Khelaifi sot për të diskutuar rreth kësaj situate, përcjellë KosovaPress.

    Raporti shton se Mbappes do t’i thuhet përsëri se ai ka kohë deri më 31 korrik për të përcaktuar të ardhmen e tij në PSG deri në vitin 2025 ose përndryshe klubi do të shikojë ta shesë atë te ofertuesi më i lartë këtë verë.

    Mendohet se Mbappe synon të shohë pjesën tjetër të kontratës së tij dhe thuhet se është i përgatitur të ulet në stol për të gjithë sezonin 2023-2024 në mënyrë që të qëndrojë.

  • ​Veriu dhe raportet Kosovë-Serbi, temat me të cilat keqinformuan më së shumti mediat serbe

    ​Veriu dhe raportet Kosovë-Serbi, temat me të cilat keqinformuan më së shumti mediat serbe

    Tema e veriut të Kosovës dhe raportet Kosovë-Serbi, kanë qenë dy nga temat me të cilat është keqinformuar më së shumti publiku nga mediat në gjuhën serbe. Kështu thotë raporti “Prapa Ekraneve: Raport vjetor për gjendjen e çrregullimit informativ”. Kjo situatë është monitoruar gjatë gjashtë muajve të këtij viti dhe gjashtë muajve të fundit të vitit paraprak.

    Festim Rizanaj nga Hibrid.info tha se ky raport pasqyron gjendjen e çrregillimit informativ gjatë periudhës janar-qershor 2023, duke bërë analizë krahasimore me gjashtë mujorin e fundit të vitit paraprak (korrik-dhjetor 2022).

    “Qëllimi i këtij raporti është analizimi i çrregullimit informativ në Kosovë dhe mjedisit medial ne vend. Në funksion të analizës dhe shqyrtimit të sfidave të çrregullimit informativ në Kosovë dhe raporti përbëhet prej tre pjesëve kryesore”, tha ai.

    Në prezantimin e këtij raporti, autori Shkëlzen Osmani tha se policia është nga institucionet më të përfolura, ku mediat serbe kanë shkruar për masat e tyre. Po ashtu, theksoi se kryeministri Albin Kurti ka qenë personaliteti më i përfolur.

  • ​Nis rregullimi i rrugëve që zhbllokojnë komplet qytetin e Mitrovicës

    ​Nis rregullimi i rrugëve që zhbllokojnë komplet qytetin e Mitrovicës

    Ka nis punimet për rregullimin e rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”, në qendër të qytetit të Mitrovicës, rrugë kjo e cila ka një gjatësi deri 1.7 kilometra dhe do të parandalojnë pluhurin, gropat dhe vërshimet, që për shumë vite kanë ndodhur në këtë vend.

    KosovaPress ka raportuar më herët për gjendjen e rëndë të rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”, në qendër të qytetit. Ndërsa, rregullimi i saj kap vlerën prej 1.3 milion euro.

    Banorët e kësaj lagjeje u shprehën jashtëzakonisht të lumtur, derisa vlerësuan angazhimin e komunës në rregullimin e rrugëve në këtë zonë, në të cilën jetojnë mbi 800 familje me rreth 5 mijë banorë.

    Xhelal Lushta, banor i rrugës “Ali Zeneli”, në Mitrovicë, duke folur për KosovaPress, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për fillimin e punimeve.

    Sipas tij, kjo lagje është më e dendura me popullatë në qytetin e Mitrovicës, ndërsa më e lënë pas dore.

    ‘I lumtur e i shashtrisur pasi filloi puna. Tash unë akoma nuk po besoj se ka filluar qysh duhet… Që 12 vjet jemi duke u ankuar për këtë rrugë… Janë 770 familje me mesatare nga pesë anëtarë. Është lagjja më e dendur në Mitrovicë, ndërsa më e lënë pas dore’, ka thënë Lushta.

    Mehmet Haziri, një banor tjetër i kësaj rruge, ka treguar për peripetitë që kanë përjetuar në të kaluarën, por edhe dëmtimin e automjeteve për shkak të gropave të shumta.

    ‘Për rrugën jemi të lumtur se ka nis me u punu…Rruga ka qenë katastrofë, baltë, një shi me ra s’mujshim me dalë…Kemi pasur probleme me automjete, ka pasur gropa, automjetet prekshin, u dëmtojshin’, tha ai.

    Destan Hoti, shpreson që punimet të mos zgjasin shumë dhe të përfundojnë sa më shpejtë.

    “Për që kanë nisur punimet jam shumë i lumtur, ndoshta kryhet sa më shpejtë, por zakonisht te ne zgjatë shumë”, tha ai.

    Ndërkaq, edhe Selman Peci, banor i rrugës “Lah Nimani”, nuk e fsheh gëzimin për fillimin e punimeve, duke thënë se përkundër vonesës, ‘më mirë vonë se kurrë’.

    ‘Gjendja ka qenë katastrofë deri në këtë moment. Jemi gëzuar që kanë filluar punimet, më mirë vonë se kurrë hiç. Jemi të kënaqur edhe pse po kemi probleme për parking, por më mirë që kanë filluar tash, sesa me prit edhe 5-6 vjet ose deri në zgjedhjet tjera’, theksoi Peci.

    Në anën tjetër, Edison Tërnava, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se ky projekt që ka gjatësinë prej 1.7 kilometra, kap vlerën prej 1.3 milion euro dhe do të përfundojë deri vitin e ardhshëm.

    Sipas tij, këto punime do të ndikojnë jashtëzakonisht në zhbllokimin e qytetit, duke mundësuar që qytetarët, sidomos të Zhabarit, pastaj Iliridës dhe lagjeve tjera, të kenë qasje më të lehtë në qendër, përmes këtyre rrugëve.

    ‘Jemi në procedurë të përgatitjes së terrenit për punimin e kanalizimeve dhe kanaleve për rrjetin nëntokësor… Kemi me arritë me përfundu deri në vitin tjetër që kjo rrugë me qenë e kalueshme… Si projekt kap shifrën rreth 1.3 milion, dhe parashihet të vazhdojë deri te Universiteti “Isa Boletini”… Shkon deri në 1.7 kilometra, rrugë me katër korsi do të thotë që lidhë dhe zhbllokon komplet qytetin… Ka me qenë një lehtësim shumë i madh për qytetin e Mitrovicës, sidomos për zonën e Iliridës, Zhabarit, të cilët… kanë me pas më lehtë me u kyç në qendër të qytetit përmes rrugës ‘Ali Zeneli’, theksoi drejtori Tërnava.

  • ​Osmani takon sot veteranët

    ​Osmani takon sot veteranët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’i takojë sot përfaqësuesit e OVL UÇK-së.

    Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, këshilltari për media, Bekim Kupina.

    KosovaPress mëson nga burime të veta se ky takim pritet të ndodhë sot pasdite.

    Kujtojmë se dje, kryetari i OVL-së Faton Klinaku ka bërë të ditur se i kanë kërkuar takim presidentes Osmani takim lidhur me Ligjin për pagën minimale.

    Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se këtë kërkesë e kanë bërë për shkak të lënies jashtë të kësaj kategorie në këtë ligj.

    “Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot i kanë dërguar kërkesë për takim zyrtar Presidentes së Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani Sadriu, lidhur me çështjen e miratimit nga Kuvendi i Kosovës, të ligjit për pagën minimale, me anë të të cilit janë përjashtuar veteranët e luftës së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e tij.

    Ndërkaq, të shtunën që lamë pas, në Prishtinë u mbajt një protestë në mbështetje të kësaj kërkese për veteranët.

    Nga pjesëmarrësit u deklarua se do të ketë edhe protesta të tjera në rast e ky ligj dekretohet pa marrë parasysh kërkesat e tyre.

  • Jezerci, fshati që është bërë atraksion edhe për turistë!

    Jezerci, fshati që është bërë atraksion edhe për turistë!

    Emisioni veror “n’mal A n’det” ka filluar transmetimin në ATV. Ky emision, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta, jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Një ndër rubrikat që do ta përcjellin këtë emision është edhe rubrika “Ku me shku n’mal”, në të cilën do të shfaqen reportazhe nga vende të ndryshme malore në Kosovë.
    Dje në emisioni veror “n’mal A n’det” u shfaq një reportazh nga fshati Jezerc të komunës së Ferizajt, një vend malor, i cili tashmë është kthyer në një ndër fshatrat turistik në Kosovë.

    Më pak se 20 kilometra larg qytetit të Ferizajt, me lartësi mbidetare 1200, ndodhet fshati Jezerc, i cili ka një pamje përrallore. Për shkak të pozitës dhe pamjeve të tij të bukura, është një ndër fshatrat më turistike në të gjitha stinët e vitit.

    Fshati Jezerc, ku sytë u pushojnë nga qetësia dhe bukuria, një pejsazh që ka bërë për vete edhe turistë të shumtë, sidomos gjatë fundjavave dhe festave të ndryshme. Kjo e ka bërë që edhe vendasit t’i kushtojnë rëndësi zhvillimit të turizmit. Këtë e thotë edhe kryetari i fshatit, Nezim Baliu.

    “Jezerci ka qenë ndryshe, sot është ndryshe. Në Jezerc është jetu, kanë banu njerëzit. Vetëm në 98-shin në fillim të luftës kanë qenë 122 shtëpi. Ka pasur nxënës shumë, blegtoria është zhvilluar më shumë, jeta është bërë ndoshta në kushte shumë më të vështira, por ka qenë një kënaqësi. Kurse sot ka ndryshuar 360 shkallë, do të thotë ka kalu në turizëm. Por, bukuritë e këtyre pjesëve, këto e kanë bërë për me e zhvillu turizmin. Mirëpo, për me qenë edhe më mirë edhe me u zhvillu turizmi, është në pyetje infrastruktura. Në Jezerc është bërë pak, por duhet edhe shumë më shumë për me u ba taman qysh duhet. Kjo neve na ndihmon vetëm për me i shit pronat, iu ka hipë vlera e tokës këtu, se për gjëra tjera jo. Pak shtëpi që kemi mbetë, këtu jeta është në krahasim me të kaluarën shumë më e mirë, mirëpo numri i banorëve ka rënë, shkolla është në mbyllje e sipër, do me thanë nuk ka mbetë me jetu as për neve”, tha Baliu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë “n’mal A n’det” e gjeni në videon më poshtë: