ATV

Author: ATVLive

  • Nga Atlanta në Miami, G20 përballë kostos ekonomike

    Nga Atlanta në Miami, G20 përballë kostos ekonomike

    AKADEMIK, PROF.ANASTAS ANGJELI

    Takimi i ministrave të Jashtëm të G20-s në Atlanta, më 30–31 tetor, përfundoi pa një komunikatë të përbashkët dhe pa fotografinë tradicionale të pjesëmarrësve. Kundërshtimet ndaj pranisë së Rusisë dhe mosmarrëveshjet për luftërat, tregtinë dhe përfaqësimin brenda grupit nxorën në pah vështirësinë e bashkëpunimit mes fuqive kryesore. Për samitin e udhëheqësve në Miami, më 14-15 dhjetor, ky është një paralajmërim politik, por mbi të gjitha ekonomik. Vendet që duhet të bashkëpunojnë për të mbrojtur rritjen dhe stabilitetin po përdorin gjithnjë e më shumë marrëdhëniet ekonomike si instrumente të konkurrencës strategjike.

    Megjithatë, mungesa e një komunikate ministrore nuk do të thotë se samiti është i paracaktuar të dështojë. Raportimi i “Reuters” tregonte se një deklaratë e kryesisë ishte e pritshme në Atlanta dhe se përpjekja më e madhe negociuese po përqendrohej te një deklaratë e përbashkët e udhëheqësve në dhjetor. Ministrat nuk e mbyllën mundësinë e kompromisit; ata lanë të hapura çështje që tashmë kërkojnë vendime në nivelin më të lartë politik. Problemi është se këto çështje nuk ndahen më lehtësisht në situatata e sotme ekonomike dhe gjeopolitike.

    1-SIGURIA ENERGJETIKE DHE INOVACIONI TEKNOLOGJIK.

    Presidenca amerikane synon ta rikthejë G20-n te rritja dhe prosperiteti, duke theksuar energjinë e përballueshme, lehtësimin e barrës rregullatore dhe inovacionin teknologjik. Por diskutimet në Atlanta treguan se siguria energjetike, zinxhirët e furnizimit dhe tregtia ndërkombëtare varen drejtpërdrejt nga zhvillimet politike dhe ushtarake. Kjo është kundërthënia që do të shoqërojë samitin e Miamit per sa kohe qe ekonomia kërkon parashikueshmëri, ndërsa marrëdhëniet mes fuqive kryesore prodhojnë pasiguri.

    Pas kësaj kundërthënieje qëndron ndërvarësia. Edhe kur qeveritë synojnë të zvogëlojnë varësinë nga rivalët, ato mbeten të ekspozuara ndaj çmimeve ndërkombëtare të energjisë, furnizimeve industriale, transportit dhe kushteve financiare. Për këtë arsye, ndarjet politike nuk mbeten brenda sallave diplomatike. Ato mund të përkthehen në kosto prodhimi, çmime konsumi, vendime investimi dhe shpenzime buxhetore.

    Energjia është lidhja më e drejtpërdrejtë mes konfliktit dhe ekonomisë. Në Atlanta, shqetësimet për lundrimin në ngushticat e Hormuzit dhe Bab el-Mandebit u lidhën me sigurinë e furnizimeve. Diskutimet përfshinë gjithashtu naftën, gazin natyror të lëngshëm dhe plehrat kimike si pjesë të zinxhirëve që mbështesin sigurinë energjetike dhe ekonomike.

    Rëndësia e këtyre diskutimeve shkon përtej furnizimit të pikave të karburantit. Kur energjia dhe transporti shtrenjtohen, bizneset përballen me kosto më të larta për prodhimin dhe shpërndarjen e mallrave. Në varësi të konkurrencës dhe kërkesës, ato mund t’i kalojnë një pjesë të këtyre kostove te konsumatorët ose të pranojnë fitime më të ulëta.

    2-INFLACIONI DHE POLIKA MONETARE.

    Shqetësimet për inflacionin e nxitur nga energjia dhe për mundësinë e shtrëngimit monetar ishin të pranishme edhe në diskutimet financiare të G20-s në Asheville. Kështu, një krizë sigurie mund të vështirësojë njëkohësisht luftën kundër inflacionit dhe përpjekjet për rritje ekonomike.

    Ky është një problem veçanërisht i vështirë për politikëbërësit. Nëse presionet mbi çmimet vazhdojnë, hapësira për uljen e normave të interesit mund të kufizohet. Por financimi më i shtrenjtë rëndon mbi bizneset, familjet dhe shtetet. Në takimin e ministrave të Financave, shqetësimet për borxhin, inflacionin dhe kushtet fiskale u shoqëruan me tronditje në tregjet e obligacioneve. Për Miamin, kjo do të thotë se debati për rritjen nuk mund të shkëputet nga pyetja se sa kushton financimi i saj.

    3-TARIFAT DHE POLITIKA TREGTARE.

    Një front tjetër, po aq i rëndësishëm, është tregtia. Ndarjet ekonomike që do të mbërrijnë në Miami nuk filluan në Atlanta. Në takimin financiar të Asheville-it, Kina kundërshtoi pjesë të deklaratës së kryesisë që trajtonin çekuilibrat ekonomikë dhe praktikat e cilësuara si jotregtare. Pjesëmarrësit e tjerë mbështetën thirrjen që ekonomitë me suficite të mëdha e të vazhdueshme të jashtme të hiqnin politikat që kufizojnë konsumin e brendshëm dhe nxisin varësinë e tepruar nga eksportet. Në gjuhë më të thjeshtë, debati është mbi mënyrën se si shpërndahen kërkesa dhe prodhimi në ekonominë botërore. Uashingtoni dhe disa partnerë argumentojnë se prodhimi i mbështetur nga politikat shtetërore dhe i orientuar drejt eksporteve ushtron presion mbi industritë e vendeve të tjera. Por diskutimi nuk është vetëm për Kinën. Deklarata financiare kërkonte gjithashtu që vendet me deficite të vazhdueshme të nxisnin kursimin e brendshëm dhe të përmirësonin ekuilibrat fiskalë. Kjo e bën problemin më të gjerë sesa një përballje mes një eksportuesi dhe partnerëve të tij: përshtatja kërkon ndryshime në të dyja anët e marrëdhënies. Këtu shfaqen edhe dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Komisioneri evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, e identifikoi Kinën si një burim të rëndësishëm çekuilibrash, por theksoi se edhe SHBA-ja dhe Evropa kanë përgjegjësi për korrigjimin e tyre. Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, kritikoi pasigurinë e shkaktuar nga konfliktet tarifore amerikane. Pra, ekzistenca e shqetësimeve të përbashkëta ndaj politikave kineze nuk nënkupton mbështetje të pakushtëzuar për mjetet që përdor Uashingtoni. Për samitin e Miamit, kjo krijon një dilemë konkrete. Tarifat mund të mbrojnë prodhues të caktuar nga konkurrenca e jashtme, por ndryshojnë gjithashtu drejtimin e tregtisë dhe kushtet në të cilat operojnë partnerët. Në Asheville, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, argumentoi se kufizimet amerikane po e zhvendosnin një pjesë të eksporteve kineze drejt tregjeve të tjera. Në këtë mënyrë, një politikë kombëtare mbrojtëse mund ta transferojë presionin ekonomik te vende të treta, pa e zgjidhur domosdoshmërisht problemin e përgjithshëm të kapaciteteve dhe kërkesës. Pasiguria për tarifat ndikon edhe te investimet. Për një kompani që shqyrton ndërtimin e një fabrike ose zgjerimin e një rrjeti furnizimi, nuk mjafton të njohë çmimet e sotme. Ajo duhet të vlerësojë nëse do të mund të importojë lëndë të para dhe të eksportojë produktet e saj me kushte relativisht të qëndrueshme. Kritikat evropiane në Asheville ndaj pasigurisë tregtare tregonin pikërisht këtë shqetësim: pa besim te rregullat e ardhshme, thirrjet për më shumë investime dhe rritje kanë efekt të kufizuar. Një dimension tjetër është konkurrenca për mineralet kritike. Në Atlanta, administrata amerikane promovoi nismën “Pax Silica”, që synon bashkëpunimin mes vendeve të shqetësuara nga dominimi kinez në tokat e rralla dhe materiale të tjera strategjike. Kjo e vendos sigurinë e furnizimeve në qendër të konkurrencës ekonomike. Çështja nuk është më vetëm nëse një produkt mund të blihet me çmimin më të ulët, por nëse furnizimi do të mbetet i disponueshëm në kushtet e një përplasjeje politike. Diversifikimi mund të ulë cenueshmërinë, por nuk është pa kosto. Ndërtimi i burimeve alternative, kapaciteteve të përpunimit dhe lidhjeve të reja tregtare kërkon investime. Përfitimi i pritshëm është një furnizim më i sigurt; dilema është sa duhet të paguajnë ekonomitë për këtë siguri dhe si shpërndahet kostoja. Nëse partneritetet ndërtohen kryesisht sipas afërsisë politike, ato mund të forcojnë disa zinxhirë furnizimi, ndërsa thellojnë ndarjen e tregut botëror. Shqetësimi nuk është hipotetik në themel: kufizimet mbi eksportet e mineraleve kritike u diskutuan edhe në takimin financiar, ku u kërkua shmangia e kufizimeve të panevojshme që dëmtojnë funksionimin e zinxhirëve globalë. Borxhi publik e bën edhe më të ndërlikuar këtë tranzicion. Qeverive u kërkohet të mbështesin rritjen, të investojnë në energji dhe teknologji, të përballojnë rreziqet e sigurisë dhe njëkohësisht të ruajnë qëndrueshmërinë e financave publike. Por këto objektiva konkurrojnë për të njëjtat burime. Borxhi sovran ishte pjesë e agjendës financiare të G20-s, ndërsa mosmarrëveshjet me Kinën përfshinë edhe formulimet mbi ristrukturimin e tij. Për rrjedhojë, një deklaratë e përgjithshme për zhvillimin në Miami do të mbetet e pamjaftueshme nëse nuk shoqërohet me qartësi mbi financimin dhe trajtimin e vështirësive të borxhit.

    4-RIKTHEHET PROBLEMI I SIGURISE USHQIMORE.

    Siguria ushqimore lidh edhe më qartë këto çështje me jetën e përditshme. Eksportet ukrainase të drithërave përmes Detit të Zi u trajtuan në Atlanta si pjesë e stabilitetit të furnizimit global. Ndërkohë, diskutimet për energjinë dhe plehrat kimike tregojnë se çmimi i ushqimit nuk varet vetëm nga të korrat: ai lidhet edhe me inputet bujqësore dhe transportin. Për këtë arsye, thirrja amerikane kundër përdorimit të tregtisë ushqimore si instrument shtrëngimi ekonomik ose politik ka një kuptim që shkon përtej diplomacisë. Ajo lidhet me aftësinë për të mbrojtur furnizimin bazë nga përshkallëzimi i rivaliteteve. Pikërisht në këto fusha mund të kërkohet një rezultat realist në Miami.

    Samiti nuk ka gjasa të zgjidhë kundërshtitë mbi modelet ekonomike, luftërat dhe shpërndarjen e pushtetit. Por do të ketë vlerë nëse prodhon angazhime të kufizuara, të matshme dhe të ndjekshme për furnizimet thelbësore, transparencën e kufizimeve tregtare apo bashkëpunimin financiar. Këto nuk janë marrëveshje tashmë të arritura, por kritere për të dalluar një rezultat ekonomik nga një sukses thjesht ceremonial. Çështjet politike do të vazhdojnë ta rëndojnë këtë përpjekje. Mosmarrëveshjet mbi pjesëmarrjen e Rusisë, mosftesën e Afrikës së Jugut në Atlanta dhe propozimin për anëtarësimin e Polonisë tregojnë se diskutimi prek edhe legjitimitetin e tryezës negociuese. Një forum nuk mund të kërkojë zbatim kolektiv të angazhimeve nëse pjesëmarrësit nuk kanë besim te mënyra se si përcaktohen përfaqësimi dhe prioritetet. Prandaj, testi i Miamit nuk do të jetë vetëm nëse udhëheqësit arrijnë të dalin në një fotografi apo të miratojnë një deklaratë. Do të jetë nëse mund ta bëjnë ekonominë botërore disi më të parashikueshme: me furnizime më të sigurta, më pak pasiguri tregtare dhe një drejtim më të qartë për bashkëpunimin financiar. Atlanta tregoi se vendet e G20-s njohin shumë prej të njëjtave rreziqe, por nuk bien dakord për zgjidhjet. Miami do të tregojë nëse ky hendek mund të ngushtohet përmes vendimeve konkrete, përpara se kostoja e tij të vazhdojë të kalojë te bizneset, buxhetet publike dhe familjet.

  • Presidentja pret në takim akademikët e Kosovës dhe të Shqipërisë

    Presidentja pret në takim akademikët e Kosovës dhe të Shqipërisë

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula ka pritur përfaqësues të akademive të shkencave dhe arteve të Kosovës dhe Shqipërisë.

    Sipas njoftimit, Shiroka Pula u takua me akademikët Anastas Angjeli nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, Besnik Krasniqin nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), si dhe akademikun Lulzim Tafa, anëtar i jashtëm i ASHASH.

    “Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit institucional dhe të mbështetjes së iniciativave të përbashkëta që ndihmojnë zhvillimin e shkencës, promovimin e dijes dhe forcimin e lidhjeve akademike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.”

  • Kompjuterët kuantikë mund të ndihmojnë në parashikimin e kancerit të mushkërive me pak të dhëna

    Kompjuterët kuantikë mund të ndihmojnë në parashikimin e kancerit të mushkërive me pak të dhëna

    Studiuesit po shqyrtojnë mënyra të reja për të përdorur kompjuterët kuantikë dhe inteligjencën artificiale në analizimin e të dhënave shëndetësore, veçanërisht kur numri i rasteve të disponueshme për trajnim është i kufizuar. Një studim i ri nga Universiteti Florida Atlantic (FAU) ka krahasuar disa metoda të mësimit makinerik kuantik për parashikimin e kancerit të mushkërive, duke raportuar rezultate premtuese në një eksperiment me të dhëna të strukturuara.

    Ekipi, i udhëhequr nga Arslan Munir, profesor i inxhinierisë elektrike dhe shkencave kompjuterike në FAU, testoi algoritme të ndryshme si në simulime kompjuterike, ashtu edhe në pajisje reale kuantike.

    Studimi, i publikuar në revistën shkencore Discover Quantum Science të Springer Nature, shqyrton se si performojnë këto metoda kur modelet trajnohen me një sasi të kufizuar të dhënash.

    Si u përdorën të dhënat për parashikimin e kancerit?

    Studiuesit nisën me një grup të dhënash publike që përmbante 309 regjistrime me informacione mbi faktorë rreziku dhe simptoma, përfshirë historinë e pirjes së duhanit, kollën, fishkëllimën gjatë frymëmarrjes, lodhjen dhe dhimbjen e kraharorit. Të dhënat përfshinin gjithashtu një etiketë që tregonte nëse regjistrimi lidhej me kancerin e mushkërive.

    Për të balancuar kategoritë me dhe pa kancer, ekipi përdori një metodë statistikore që krijon shembuj sintetikë. Në këtë mënyrë, grupi eksperimental u zgjerua në 540 mostra.

    Këto mostra shtesë nuk përfaqësonin pacientë të rinj. Ato ishin të dhëna të krijuara artificialisht për të ndihmuar në balancimin e grupit të përdorur gjatë eksperimentit.

    Më pas, një metodë optimizimi për përzgjedhjen e veçorive reduktoi numrin e variablave hyrëse në 10, duke u përqendruar te informacioni që mund të ishte më i dobishëm për klasifikimin.

    Tri metoda kuantike u krahasuan në të njëjtat kushte

    Ekipi vlerësoi tri qasje për klasifikimin e të dhënave:

    • Quantum Support Vector Machines (QSVM): metoda që përdor parime të mësimit makinerik dhe teknika kuantike për të dalluar kategoritë.
    • Quantum k-Nearest Neighbors (QKNN): qasje që klasifikon të dhënat duke analizuar ngjashmëritë mes shembujve.
    • Quantum Boosting: metodë që synon të përmirësojë klasifikimin përmes kombinimit të teknikave të të mësuarit.

    Eksperimentet përfshinë dy qasje kryesore të kompjuterëve kuantikë: llogaritjen kuantike të bazuar në porta (gate-based quantum computing) dhe optimizimin përmes pjekjes kuantike (quantum annealing).

    Për testimin u përdorën disa platforma dhe mjete softuerike, përfshirë Qiskit, Cirq, PennyLane, OpenJij dhe D-Wave.

    Sipas përshkrimit të studimit, në secilin prej pesë raundeve të vlerësimit, modelet u trajnuan me 108 mostra dhe u testuan me 432 të tjerat. Ky konfigurim i lejoi studiuesit të shqyrtonin performancën e modeleve kur të dhënat e trajnimit ishin të kufizuara.

    D-Wave regjistroi saktësinë më të lartë në eksperiment

    Rezultatin më të lartë të raportuar në vlerësimin kryesor e arriti një metodë e bazuar në Quantum Support Vector Machine, e zbatuar me kompjuterët kuantikë të tipit annealing të kompanisë D-Wave.

    Sipas studimit, metoda arriti:

    • 94,31% saktësi në simulim.
    • 91,90% saktësi në pajisjen kuantike fizike.

    Testimi në pajisje reale u mundësoi studiuesve të shqyrtonin performancën përtej një mjedisi vetëm të simuluar.

    Megjithatë, këto shifra nuk duhet të interpretohen si provë se teknologjia mund të diagnostikojë me të njëjtën saktësi pacientët në praktikën klinike. Rezultatet lidhen me grupin e të dhënave të zgjeruar artificialisht dhe me procedurën e veçantë të vlerësimit të përdorur në studim.

    Përfaqësuesja e D-Wave Quantum Inc., Catherine Potts, tha se hulumtimi tregon potencialin e kompjuterëve kuantikë për të analizuar të dhëna në situata ku informacioni i disponueshëm është i kufizuar. Sidoqoftë, përcaktimi i dobisë reale në kujdesin shëndetësor kërkon vlerësime të mëtejshme.

    Pse rezultatet nuk janë ende gati për përdorim klinik?

    Studiuesit theksojnë se gjetjet janë paraprake. Grupi i të dhënave përmbante simptoma dhe faktorë rreziku, por jo imazhe mjekësore, rezultate patologjike, analiza laboratorike apo informacione mbi fazën e kancerit.

    Për këtë arsye, modeli nuk përfaqëson një sistem të plotë diagnostikues dhe rezultatet nuk provojnë se ai mund të zbulojë me besueshmëri kancerin te pacientët e rinj.

    Një hap tjetër i rëndësishëm do të jetë testimi në grupe të pavarura të dhënash nga institucione të ndryshme. Kjo do të ndihmojë për të kuptuar nëse rezultatet mund të përsëriten në popullata të tjera dhe në kushte më pranë praktikës klinike.

    Ekipi planifikon gjithashtu të shqyrtojë kombinimin e simptomave me të dhëna nga imazheria mjekësore ose gjenomika, si dhe të zhvillojë metoda që e bëjnë më të kuptueshme mënyrën se si modelet arrijnë në parashikimet e tyre.

    Universiteti Florida Atlantic investon në teknologjinë kuantike

    Studimi është pjesë e përpjekjeve të Universitetit Florida Atlantic për të lidhur kërkimin në llogaritjen kuantike me aplikime konkrete. Universiteti ka investuar në kërkime, arsim dhe infrastrukturë përmes Qendrës për Teknologjitë Kuantike.

    Një nga këto investime është instalimi i një kompjuteri kuantik D-Wave Advantage2 në kampusin e universitetit në Boca Raton, Florida, për t’u dhënë studiuesve dhe studentëve qasje në këtë teknologji.

    Në të ardhmen, kombinimi i llogaritjes kuantike me inteligjencën artificiale mund të ofrojë mënyra të reja për të analizuar të dhëna komplekse. Megjithatë, përpara se këto metoda të përdoren në vendimmarrjen mjekësore, nevojiten testime të pavarura, validim klinik dhe vlerësim i kujdesshëm i kufizimeve të tyre.

    Studimi shkencor: “Inferring lung cancer under limited learning data through gate-based and annealing-based quantum techniques”, Discover Quantum Science, Springer Nature.

    Kufizimet e studimit

    Studiuesit theksojnë se rezultatet janë paraprake dhe nuk përbëjnë provë se modeli mund të përdoret për diagnostikimin e kancerit të mushkërive në praktikën klinike. Studimi u bazua në 309 regjistrime fillestare, të cilat u zgjeruan në 540 mostra përmes një metode që gjeneron të dhëna sintetike. Për rrjedhojë, saktësia prej 94,31% në simulim dhe 91,90% në pajisjen kuantike pasqyron performancën e modelit në kushtet eksperimentale të këtij studimi, jo saktësinë e tij të provuar te pacientët.

    Një çështje metodologjike që meriton vëmendje është renditja e hapave të përpunimit të të dhënave. Sipas artikullit shkencor, metoda SMOTE u aplikua përpara ndarjes së të dhënave në grupet e trajnimit dhe testimit. Kjo qasje mund të krijojë rrezik të rrjedhjes së të dhënave (data leakage), nëse mostrat sintetike të krijuara nga vëzhgimet fillestare përfundojnë në grupe të ndryshme. Në raste të tilla, rezultatet e vlerësimit mund të jenë më optimiste se performanca në të dhëna vërtet të pavarura.

    Për të vlerësuar më tej besueshmërinë e rezultateve, nevojiten testime në grupe të pavarura, me të dhëna reale klinike dhe me balancimin e klasave të kryer vetëm brenda grupit të trajnimit. Autorët gjithashtu theksojnë nevojën për kërkime të mëtejshme përpara se kjo qasje të mund të shqyrtohet për përdorim në kujdesin shëndetësor.

    Burimet

    1. Studimi origjinal — Springer Nature, Discover Quantum Science. Përshkruan grupin fillestar prej 309 regjistrimesh, zgjerimin në 540 mostra, metodën SMOTE, protokollin e vlerësimit dhe rezultatet e raportuara.
    Lexo studimin shkencor.

    2. Dokumentacioni i imbalanced-learn. Shpjegon se aplikimi i metodave të mbimostrimit përpara ndarjes së të dhënave mund të shkaktojë rrjedhje të të dhënave dhe të çojë në vlerësime tepër optimiste.
    Common pitfalls and recommended practices.

    3. Studim metodologjik mbi mbimostrimin dhe validimin e kryqëzuar. Shpjegon pse SMOTE duhet të aplikohet brenda grupeve të trajnimit gjatë validimit, në vend që të aplikohet mbi të gjithë grupin e të dhënave përpara ndarjes.
    Joint use of over- and under-sampling techniques and cross-validation

  • Vashat e AAB Prishtinës shënojnë fitore ndaj Prishtina Elite me rezultat 3:0 në sete

    Vashat e AAB Prishtinës shënojnë fitore ndaj Prishtina Elite me rezultat 3:0 në sete

    Volejbollistet e AAB Prishtinës kanë shënuar fitore bindëse përballë Prishtina Elite, duke e përmbyllur ndeshjen me rezultat 3:0 në sete.

    Në këtë përballje, skuadra e AAB Prishtinës u dallua për lojën dhe angazhimin kolektiv, duke arritur ta mbyllë takimin pa humbur asnjë set.

    Pas ndeshjes, klubi ka përgëzuar volejbollistet për paraqitjen dhe rezultatin e arritur, duke vlerësuar kontributin e përbashkët të skuadrës në këtë fitore.

  • Nga kampuset universitare dhe kualifikimet onlinenë skenën ndërkombëtare: 16 finalistë synojnëMiami-n në finalen e Red Bull Wings Cup

    Nga kampuset universitare dhe kualifikimet onlinenë skenën ndërkombëtare: 16 finalistë synojnëMiami-n në finalen e Red Bull Wings Cup

    Pas afër një muaji garimi, qindra regjistrimeve dhe aktivizimeve në universitete në Kosovë, Red Bull Wings Cup Kosovo po i afrohet momentit më të rëndësishëm të këtij edicioni. Më 1 Nëntor, në Prishtina Mall, 16 lojtarët më të mirë të EA SPORTS FC do të përballen për titullin kampion të Kosovës dhe një mundësi që shkon përtej kufijve të vendit: përfaqësimin e Kosovës në finalen botërore në Miami.

    Ajo që nisi si një iniciativë për të sjellë më afër komunitetin e gaming-ut dhe studentët nga universitete të ndryshme të vendit, u shndërrua shpejt në një nga aktivitetet më të mëdha të esports-it studentor në Kosovë.

    Gjatë muajit Tetor, Red Bull Wings Cup zhvilloi aktivizime në universitete, duke sjellë lojën direkt në kampuse dhe duke krijuar hapësirë që studentët jo vetëm të garojnë, por edhe të bëhen pjesë e një komuniteti në rritje. Sipas organizatorëve, aktivizimet universitare janë ndjekur nga mbi 1,000 studentë, ndërsa procesi i regjistrimeve ka gjeneruar 227 aplikime nga pjesëmarrës të ndryshëm.

    Nga kjo fazë u përzgjodhën lojtarët më të mirë që vazhduan në kualifikime, ku gjithsej 56 garues luftuan për vendet e fundit në finale, ndërsa aktivitetet dhe komunikimi rreth turneut arritën një audiencë prej më shumë se 500 studentësh shtesë.

    Tash, pas javësh konkurrimi, mbeten vetëm 16 finalistë.

    Finalja në Prishtina Mall pritet të mbledhë komunitetin lokal të gaming-ut, studentë, krijues përmbajtjeje dhe adhurues të EA SPORTS FC, të cilët do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër përballjet vendimtare që do të përcaktojnë kampionin e parë të Red Bull Wings Cup Kosovo.

    Por, për pjesëmarrësit, çmimi shkon përtej trofeut.

    Fituesi i finales do të përfaqësojë Kosovën në Red Bull Wings Cup World Final, që do të mbahet në Miami gjatë janarit 2027, duke u përballur me kampionë nga vende të ndryshme të botës.

    Në një kohë kur esports po fiton gjithnjë e më shumë terren edhe në Kosovë, Wings Cup ka ofruar një platformë ku talenti, konkurrenca dhe kultura gaming bashkohen në të njëjtën skenë. Për shumë prej pjesëmarrësve, turneu ka qenë mundësia e parë për të garuar në një format të organizuar kombëtar. Për njërin prej tyre, do të jetë fillimi i rrugëtimit drejt një finaleje globale.

    Më 1 Nëntor, në Prishtina Mall, do të mësohet se kush do ta përfaqësojë Kosovën në Miami. Dhe pas qindra pjesëmarrësve, javësh garimi dhe mijëra minutash lojë, gjithçka do të vendoset në një ditë të vetme.

  • Kolegji AAB bashkon profesionistët shëndetësorë për të diskutuar diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit

    Kolegji AAB bashkon profesionistët shëndetësorë për të diskutuar diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit

    Përgatiti: Benardina Zefaj

    Nga zbulimi i hershëm, te përcaktimi i diagnozës dhe trajtimi, lufta kundër kancerit të gjirit kalon nëpër disa etapa, ku secila ka rëndësi për jetën e pacientes.

    Për këtë, profesionistë shëndetësorë të profileve të ndryshme u mblodhën në Kolegjin AAB, për të diskutuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe bashkëpunimit në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

    “Çdo grua duhet të ketë informacion të saktë për kancerin e gjirit, shenjat paralajmëruese, mundësinë e kontrollit dhe të rregullta. Duhet të kontrollohemi sepse shëndeti nuk kryhet sot për nesër. Të gjithë këto kontrollet, ekzaminimet janë jashtëzakonisht parësore për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe duhet të veprojmë me kohë”, tha Venera Llunji, prorektore e Kolegjit AAB.

    Zbulimi i hershëm i kancerit nis me ekzaminimet e duhura, ku rol të rëndësishëm ka radiologjia.

    “Mamografia është standard i rëndësishëm për identifikimin e mikrokalcifikimeve dhe ndryshimeve në strukturën e gjirit, të cilat mund të mos shihen me ekzaminime të tjera… Si metodë plotësuese e mamografisë, përdoret ultrazoni, imazheria e cila domethënë preferohet me u bë edhe tek moshat e reja, sidomos ato të cilat kanë anamnezë pozitive, pra që kanë dikë në familje të sëmurë prej gjirit dhe atë mbi moshën 80-vjeçare si ekzaminim i rregullt, atë çdo gjashtë muaj. Plotësuese e kësaj është dhe më e sofistikuar, domethënë është rezonanca magnetike, e cila e plotëson edhe ultrazonën edhe mamografinë”, theksoi Vlorjana Arifaj Shala, radiologe.

    Pas ekzaminimeve, patologu përcakton karakteristikat e tumorit, të cilat ndihmojnë në zgjedhjen e trajtimit.

    “Roli i patologut nuk është me jap përgjigjen a është kanceri apo nuk është. Ajo tregon edhe për biologjinë e tumorit, për stadin e tumorit, po tregon edhe shumë informata të tjera të cilat i ndihmojnë onkologut mandej në trajtim.  Domethënë, kemi mbërri në një stad ku trajtimi i kancerit të gjirit bëhet në mënyrë individuale, të personalizuar, varësisht prej këtyre përgjigjeve që na jep ekzaminimi histopatologjik”, tha Fatlinda Sadiku, patologe dhe citologe.

    Në bazë të këtyre rezultateve, onkologu përcakton terapinë dhe përcjell ecurinë e sëmundjes.

    “Edhe stadi është shumë rëndësi në momentin e diagnostikimit, sepse çdo herë e bën diferencën edhe në trajtim, mirëpo edhe në në prognozë… Ne përcjellim vazhdimisht me analiza biokimike, hematologjike, me analiza laboratorike, që ato çdo herë me qenë në kontroll, me përcjellim tonën që mos me na ikur gjë për shkak të dinamikës së sëmundjes, për shkak të heterogjenitetit që ato ato e kanë”, onkologia Egzona Bytyqi.

    Krahas trajtimit, rëndësi ka edhe rikuperimi i pacientes, ku rol mund të ketë kirurgjia plastike dhe rikonstruktive.

    “Përgjegjësia jonë nuk përfundon vetëm me diagnostifikimin dhe trajtimin e sëmundjes. Ajo përfshin edhe mbështetje psikologjike, rehabilituese dhe riftimin e cipsisë së çdo gruaje.  Çdo grua meriton jo vetëm trajtim cilësor, por edhe kujdes, dinjitet dhe mbështetje gjatë gjithë rrugëtimit të gjatë kësaj”, tha Violeta Zatriqi, kirurge plastike.

    Nën moton “Gruaja për Gruan – Bashkë në luftën kundër kancerit të gjirit”, aktiviteti u organizua në kuadër të Muajit Rozë, me mesazhin se përballja me këtë sëmundje kërkon jo vetëm shërbime mjekësore, por edhe informim, mbështetje dhe bashkëpunim ndërmjet profesionistëve.

  • Aeroporti “Adem Jashari” organizon konferencë për gjendjen e punëtorëve

    Aeroporti “Adem Jashari” organizon konferencë për gjendjen e punëtorëve

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi     

    Çdo vit, dhjetëra punëtorë vdesin në vendin e punës.

    Ndërsa shumë të tjerë përballen me stres, presion dhe lodhje mendore.

    Për këto probleme, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” organizoi konferencë në kuadër të Javës Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

    Në të morën pjesë përfaqësues institucionesh, inspektorë, mjekë dhe organizata të shoqërisë civile.

    Nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet thanë se, sipas anketës së punës për vitin 2024, 30 përqind e punëtorëve ndihen të rraskapitur.

     “Krahas sigurisë fizike, duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe shëndetit mendor. Stresi dhe pasiguria ndikojnë shumë. Një mjedis i sigurt në punë është obligim ligjor”, tha drejtoresha e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikena Hoxha.

    Nga Ministria përgjegjëse thanë se po punojnë në ndryshimet ligjore dhe digjitalizimin e shërbimeve. Po ashtu, kanë shtuar 36 inspektorë të rinj.

    “Siguria dhe shëndeti nuk kanë të bëjnë vetëm me kthimin e punëtorit në shtëpi në gjendje të mirë fizike, por edhe të qetë psikologjikisht”, tha Agon Dobruna, zëvendësministër i Punës, Familjes e Vlerave te Luftës Çlirimtare.

    Rëndësinë e shëndetit mendor e theksoi edhe drejtori i aeroportit, ku puna zhvillohet ditën dhe natën.

    “Stresi dhe presioni ndikojnë në performancën e punonjësve. Duam që ata të tregojnë kur nuk ndihen mirë, pa u paragjykuar. Për këtë duhet të punojmë të gjithë së bashku”, deklaroi Gökhan Açikgöz, drejtor ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”

    Gjatë diskutimit u kërkuan më shumë kontrolle, sidomos në sektorin privat.

    “Sidomos në kompanitë private ka shumë sfida. Duhet më shumë kontrolle dhe fonde për ta mbuluar financiarisht këtë çështje”, tha drejtoresha e Programit dhe Hulumtimit, Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Brikena Berisha.

    Nga Ministria e Punës thanë se ka nisur vetëdijesimi për kontrollet shëndetësore, por nevojiten më shumë përpjekje për shëndetin mendor.

    “Disa organizata janë fokusuar te kontrollet shëndetësore, por ende duhet punë për ta ngritur sistemin, sidomos sa i përket shëndetit mendor”, u shpreh Fatime Avdyli Rexhepi, udhëheqëse e Divizionit për Politikat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

    Ndërsa, nga mjekësia e punës paralajmëruan se stresi ndikon në gjumë, përqendrim dhe vendimmarrje, duke rritur rrezikun për aksidente.

    “Kontrollet periodike nuk duhet të bazohen vetëm në analiza, por edhe në gjumë, lodhje dhe gjendje emocionale”, tha Myhydin Shehu, u.d. i shefit të Mjekësisë së Punës, Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, Gjakovë.

    Pjesëmarrësit kërkuan bashkëpunim më të madh mes institucioneve dhe punëdhënësve për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor të punëtorëve.

  • Miley Cyrus i Përgjigjet Kritikave për Koncertin në Hollywood Bowl: “Kjo Nuk Është një Eksperiment”

    Miley Cyrus i Përgjigjet Kritikave për Koncertin në Hollywood Bowl: “Kjo Nuk Është një Eksperiment”

    Këngëtarja 33-vjeçare Miley Cyrus u është përgjigjur publikisht kritikave të shfaqura pas performancës së saj të së premtes në skenën e njohur Hollywood Bowl. Kjo ishte hera e parë në katër vjet që artistja performonte drejtpërdrejt para publikut në këtë ambient ikonik. Megjithatë, koncerti nxiti reagime negative në rrjet pasi Cyrus nuk këndoi disa pjesë të teksteve në disa prej hiteve të saj më të mëdha, përfshirë “Party in the USA” dhe “Flowers”.

    Gjatë koncertit të saj të dytë të së dielës, Cyrus e adresoi këtë situatë drejtpërdrejt nga skena, duke i cilësuar reagimet e tilla si prapaskena të krijuara thjesht për “clickbait”.

    “Nuk kam dëgjuar kurrë ndonjëherë që unë nuk e vendos zemrën në diçka që bëj,” u shpreh ajo para publikut. “Nuk e di nëse ndonjë prej jush e ka dëgjuar se dikush po bënte komentari për të marrë klikime në videon e tij duke folur për shfaqjen time të së premtes, por unë jam shumë gjëra dhe nuk do të merremi fare me këtë.”

    Përmbledhje e Ngjarjes dhe Detajet e Koncertit

    Elementi / DetajiInformacioni Zyrtar
    ArtistjaMiley Cyrus (33 vjeç)
    Vendi i PerformancësHollywood Bowl
    Koncerti i Parë LivePas një shkëputjeje 4-vjeçare nga skena
    Shkaku i KritikaveMungesa e disa fjalëve të tekstit në këngët “Party in the USA” dhe “Flowers”
    Albumi më i RiBass Persuades (I publikuar në Shtator)
    Kujtimi i Dolly PartonNderimi i kumbarës së saj që u nda nga jeta në Gusht në moshën 80-vjeçare

    Pranimet e Sincerta mbi Skenën dhe Limitet Personale

    Aktorja dhe këngëtarja e njohur pranoi se ngjitja në skenë sot nuk është aq e lehtë sa ka qenë më parë për të.

    “Është e vështirë për mua të qëndroj këtu dhe të bëj këtë shfaqje,” tha ajo. “Nuk vjen aq natyrshëm sa vinte dikur. Sepse, si të gjithë ne, ne ndryshojmë, zhvillohemi, rritemi dhe gjejmë se çfarë do të marrim me vete. Çfarë vazhdon të na përshtatet.”

    Ajo këmbënguli se dy netët në Hollywood Bowl prezantojnë diçka më të madhe se një thjesht test:

    “Kjo nuk është absolutisht një eksperiment me ju. Kjo është një përvojë për mua. Dhe ju të gjithë e bëni të mundur këtë përvojë. Kjo është e vetmja mënyrë se si arrij të testoj kufijtë e mi personalë, limitet e mia dhe atë që mendoj se mund të bëj.”

    Cyrus zbuloi gjithashtu se ishte shumë afër anulimit të shfaqjes së të dielës përpara se të ngjitej në skenë për këngën “Orbit”, por vendosi të mos i linte shikuesit të paplotësuar. Ndërsa performonte këngën e saj të re “Bass Persuades”, ajo ironizoi situatën duke u shprehur: “Oh, harrova që supozohet t’i këndoj të gjitha fjalët!”

    Kujtimi Emocional për Dolly Parton

    
Dolly Parton dhe Miley Cyrus performuan së bashku në ceremoninë e çmimeve Grammy të vitit 2019.

    Gjatë pjesës tjetër të shfaqjes, Miley Cyrus nderoi kujtimin e kumbarës së saj, ikonës së muzikës country Dolly Parton, e cila u nda nga jeta në Gusht në moshën 80-vjeçare.

    E ulur në buzë të skenës dhe me lot në sy, Cyrus tregoi se hera e vetme që e kishte parë Parton nga shkallët e publikut (pa qenë pranë saj në skenë) kishte qenë në Hollywood Bowl. Megjithëse Miley kishte refuzuar të ngjitej në skenë atë natë për të mos tërhequr vëmendjen, Parton e kishte përshëndetur publikisht nga skena duke njoftuar praninë e mbesës së saj.

    “Unë dhe Dolly jemi të përhershme,” u shpreh ajo. “Asgjë nuk mund të na ndajë. Dhe unë do ta shoh përsëri atë, mezi po pres sepse më mungon.”

    Miley Cyrus nuk ka konfirmuar koncerte të tjera të planifikuara për albumin e saj të dhjetë Bass Persuades. Përpara publikimit të këtij projekti, këngëtarja hoqi zyrtarisht mbiemrin e saj nga emri artistik.

  • Kolegji AAB ofron bursa 100% për studime master, aplikimi i hapur deri më 25 tetor

    Kolegji AAB ofron bursa 100% për studime master, aplikimi i hapur deri më 25 tetor

    Kolegji AAB ka hapur aplikimin për bursa 100% për studime master, duke u ofruar kandidatëve mundësinë të vazhdojnë shkollimin dhe zhvillimin e tyre profesional pa pagesë të tarifës së studimeve.

    Bursat ofrohen në nëntë programe master, përfshirë Gjuhën Angleze, Shkencat Kompjuterike, Kontabilitetin dhe Auditimin, Marketingun dhe Menaxhimin e Biznesit, Administratën Publike, Menaxhimin Shëndetësor, Kulturën Fizike dhe Sportin, Juridikun Penal, si dhe Komunikimin Masiv dhe Gazetarinë.

    Mundësia për aplikim u ofrohet kandidatëve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet master në Kolegjin AAB, pavarësisht se ku i kanë përfunduar studimet e mëparshme.

    Afati i aplikimit është nga 20 deri më 25 tetor 2026, ndërsa të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës online scholarship.aab-edu.net.

  • Kolegji AAB organizon punëtori për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës

    Kolegji AAB organizon punëtori për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës

    Qendra për Karrierë e Kolegjit AAB do të organizojë më 22 tetor një punëtori praktike, me qëllim përgatitjen e pjesëmarrësve për hapat e parë drejt tregut të punës.

    Punëtoria me temën “Hapat e Parë drejt Karrierës: Ndërto CV-në, Prezanto Veten, Krijo Mundësi” do të udhëhiqet nga Gent Shala, konsulent për burime njerëzore, udhëheqje dhe zhvillim organizativ.

    Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit do të mësojnë si të përgatisin një CV, të shkruajnë një letër motivuese dhe të prezantojnë veten në mënyrë profesionale, duke fituar njohuri praktike që mund t’u shërbejnë gjatë kërkimit të punës.

    Aktiviteti do të mbahet të enjten, më 22 tetor, duke filluar nga ora 11:00, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.