ATV

Author: ATVLive

  • Gazeta zvicerane shkruan për vrasjen në Klinë: Viktima u qëllua 7 herë, ishte biznesmen në Lucern

    Gazeta zvicerane shkruan për vrasjen në Klinë: Viktima u qëllua 7 herë, ishte biznesmen në Lucern

    Gazeta zvicerane “Blick” ka shkruar për vrasjen e Anton Prelës në një lokal në Klinë. Viktima ishte pronar garazhi nga kantoni i Lucernit, gjithashtu raportohet se i dyshuari dhe viktima janë familjarë mes vete. Autori mësohet se po ashtu jeton në Zvicër.

    “Blick” shkruan se i dyshuari ishte i armatosur me pistoletë dhe kishte vetëm një synim, pronarin e garazhit nga kantoni i Lucernit. Ai supozohet se ishte në pushim në Kosovë.

    I dyshuari qëllon shtatë herë në drejtim të viktimës.

    Viktima është plagosur aq rëndë saqë vdes në vendin e krimit. Videot e vëzhgimit tregojnë mysafirët e tmerruar duke u hedhur dhe duke ikur. Edhe autori del nga lokali me armën në dorë.

    Viktima dhe autori njiheshin me njëri-tjetrin.

    I dyshuari jashtë ndalë një makinë, kërcënon shoferin dhe largohet.

    Policia është në kërkim të vrasësit. Sipas mediave kosovare, edhe ai thuhet se jeton në Zvicër.

    Mediat lokale raportojnë se viktimat dhe autorët vijnë nga e njëjta prejardhje familjare.

    Miku i viktimës me lot thotë për Blick:

    “Gjithmonë kemi qenë në rrugë së bashku, në Kosovë dhe në Zvicër. Ishte një biznesmen i suksesshëm me zemër të madhe, gjithmonë duke u përpjekur të ndihmonte njerëzit”.

    Miqtë vajtojnë në rrjetet sociale: “Pusho në paqe! Do të jetoni përgjithmonë në zemrat tona”, shkruan njëri. Një tjetër: “Ti na le shumë shpejt.”

    Qytetari Anton Prela u privua nga jeta pasditen e së hënës në një lokal në Klinë, teksa i dyshuari Tush Frroku ndodhet në kërkim dhe për arrestimin e tij policia apelon qytetarët të japin informata nëse kanë njohuri për vendodhjen e tij.

  • Policia jep detaje për zjarri në oborrin e QKUK-së

    Policia jep detaje për zjarri në oborrin e QKUK-së

    Një zjarr ka përfshirë një shtëpi në oborrin e QKUK-së mëngjesin e sotëm.

    Zëdhënësi i policisë rajonale të Prishtinës, Agron Borovci, tha se zjarri është lokalizuar dhe përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

    “Rreth orës 07:30, është raportuar se në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë, një shtëpi është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar përveç dëmeve materiale”, tha Borovci.

    Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përfundoi ai.

  • ​ATK inkasoi 78.9 milionë euro më shumë se në 7-mujorin e vitit paraprak

    ​ATK inkasoi 78.9 milionë euro më shumë se në 7-mujorin e vitit paraprak

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në periudhën janar – korrik të vitit 2023 ka inkasur të hyra 514.8 milionë euro ose 78.9 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    “Në periudhën janar – korrik 2023, të hyrat e grumbulluara janë 514.8 milionë euro, nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit 2022, kemi rritje mbi 78.9 milionë euro më shumë apo 18.1%”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

    Në njoftim thuhet se ATK vazhdon me punën në drejtim të rritjes së mbledhjes së të hyrave tatimore të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

    “Mjedisi në të cilin ATK vepron është kompleks dhe vazhdimisht pëson ndryshime, andaj kjo e detyron Administratën Tatimore që të reagojë paanshëm në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se pikërisht në kuadër të kësaj, plani i të hyrave fokusohet në qëllimet strategjike si: përmirësimi i mbledhjes së të hyrave dhe zvogëlimi i hendekut tatimor. Pastaj, forcimi i përmbushjes vullnetare në të gjitha segmentet e tatimpaguesve vazhdon të mbetet prioritet kryesor, duke u siguruar që tatimpaguesit paguajnë shumën e saktë tatimore, dhe të ndërmerren veprimet e duhura ndaj tatimpaguesve mos – përmbushës.

  • Hoteli i Gjuetisë në Lezhë, historia dhe vlerat arkitekturore

    Hoteli i Gjuetisë në Lezhë, historia dhe vlerat arkitekturore

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një prej rubrikave eksploruese në këtë emision është rubrika “Ku me shku n’det”, në të cilën çdo ditë për shikuesit sjellin nga një reportazh nga plazhet më të bukura shqiptare.

    Në emisionin e mbrëmshëm, ekipi i ATV-së bëri një vizitë në ishullin Lezhë.

    Relievi fushor i rrethuar nga Lumi Drin, Laguna e Vainit e bëjnë ishullin Lezhë një zonë të bukur dhe shumë interesante.

    Njihet si një nga zonat turistike më të vizituara në veriun e Shqipërisë, për natyrën, turizmin e vëzhgimit të shpendëve ujorë, për gastronominë, por edhe për kuriozitetin kulturor që mban.

    Ishulli Lezhë është një fshat në jug-perëndim të Lezhës. Turizmi në këtë zonë mori hov që nga pushtimi turk, por kulminacionin e arriti në shekullin XX, atëherë kur ndërtuar Hoteli i Gjuetisë.

    Ky kompleks është ndërtuar gjatë viteve 1938-1939. Është përdorur si hotelieri, por edhe për të pasionuarit pas gjuetisë.

    Kryesisht kanë qëndruar italianët, por gjatë periudhës komuniste, pjesë e këtij kompleksi ishte edhe Enver Hoxha, ku ishte vendi i preferuar i tij gjatë asaj kohe.

    Reportazhin e plotë të ATV-së në Ishullin Lezhë e gjeni në videon më poshtë:

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • RTK: Kurti ka pranuar dorëheqjen e Ministrit Mehaj, ky është emri që pritet ta zëvendësojë

    RTK: Kurti ka pranuar dorëheqjen e Ministrit Mehaj, ky është emri që pritet ta zëvendësojë

    Në Qeverinë Kurti së shpejti do të ketë ndryshime. Ministri i deritashëm i Mbrojtjes Armend Mehaj, do të zëvendësohet nga koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.

    Burimet e RTKlive thonë se për ministrin Mehaj ende nuk dihet nëse do të transferohet në ndonjë pozitë në institucionet e Kosovës, apo do të kthehet në vendin ku ka jetuar e punuar në Norvegji.

    Të njëjtat burime konfirmojnë se kryeministri Kurti ka pranuar dorëheqjen e ministrit Mehaj, i cili ka kërkuar lirimin nga detyra. Sipas burimeve të RTKlive, Mehaj ka ofruar dorëheqje për arsye familjare.

  • Merezhko: Njohja e Kosovës është në duart e Presidentit Zelensky

    Merezhko: Njohja e Kosovës është në duart e Presidentit Zelensky

    Shefi i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Ukrainës, Oleksandr Merezhko, njëri nga nënshkruesit e letrës ku shprehet shqetësimi me politikat aktuale perëndimore ndaj marrëdhënieve Kosovë-Serbi, thotë se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina është punë e presidentit, i cili sipas kushtetutës është përgjegjës për politikën e Jashtme.

    Ai theksoi se e ka nënshkruar letrën si deputet i Ukrainës dhe shpreh qëndrimin e tij për këtë çështje, pasi e vlerëson faktin që Kosova mbështet Ukrainën dhe ka zbatuar sanksionet kundër Rusisë.

    ”Është e papranueshme që ekstremistët serbë në Kosovë të shkruajnë shkronjën Z në makinat e forcave paqeruajtëse dhe të sulmojnë përfaqësuesit e KFOR-it”, tha zoti Merezhko duke iu referuar incidenteve të dhunshme të 29 majit të këtij viti në veriun e Kosovës kur protestuesit serbë u përleshën me trupat e drejtuara nga NATO-ja, duke plagosur 93 prej tyre.
    Në letrën e ligjvënësve dhe politikanëve nga vende të ndryshme euro-perëndimore, përfshirë dhjetë kryetarë komisionesh për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë dërguar shefave të diplomacisë së SHBA-së, atij britanik dhe të BE-së, mes tjerash kërkohet përqendrimi i diplomacisë perëndimore në normalizimin e marrëdhënieve dhe rrugën e vazhdueshme euro-atlantike për Serbinë dhe Kosovën dhe një diplomaci parandaluese e të baraspeshuar për të mos përsëritur gabimet nga e kaluara.

    “Qasja aktuale nuk funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohet që të mos miratojmë një politikë ku Beogradi është qendër për Ballkanin?, thuhet mes tjerash në letër./VOA

  • “O m’ka hup reja në deti a e keni pa”, “vjehrra” e kërkon nusen në vendin e gabuar

    “O m’ka hup reja në deti a e keni pa”, “vjehrra” e kërkon nusen në vendin e gabuar

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në emisionin e mbrëmshëm, mysafir në këtë emision ishte edhe aktori Adnan Blaku në rolin e Sofisë, i cili krijoi disa situata mjaft komike.

    Në një pjesë të emisionit, derisa po zhvillohej një lojë, Sofia hyri në skenë dhe tha se po e kërkon renë e saj.

    Pas kësaj situate, reagimi i mysafirëve ishte i papritur.

    Për më shumë, shikoni videon e më poshtme:

  • Kurti jep detaje se si do të subvencionohen familjet që investojnë në energji efiçiente

    Kurti jep detaje se si do të subvencionohen familjet që investojnë në energji efiçiente

    Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje lidhur me hapjen e aplikimit për masat e radhës për rritjen e efiçiencës së energjisë. Kurti tha se masat do të vlejnë vetëm për shtëpitë private.

    Përmes masave të reja, sipas kryeministrit qytetarët do të përfitojnë nga subvenciomi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

    “Përmes këtyre masave të reja, do të mund të përfitoni nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. Subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro. E për familjet ku shtëpia është bashkëpronësi e të dy bashkëshortëve apo në pronësi të gruas, subvencionimi arrin 50%”, ka thënë ai.

    Aplikimi për këtë masë do të bëhet online përmes e-Kosova.

    “Gjatë vitit të kaluar kemi subvencionuar 10,000 familje me 5 milionë euro për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje. Këtë vit kemi trefishuar buxhetin për pajisje dhe me 20 milionë do të investojmë në efiçiencë të shtëpive të banimit e ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social. Aplikimi bëhet online përmes vjegëzës në vijim: ekosova.rks-gov.net/466 Detajet në lidhje me thirrjen mund t’i gjeni këtu: www.fkee-rks.net”, ka shkruar Kurti në një postim në “Facebook”.

  • Deçan: Një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj

    Deçan: Një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Isniq të Deçanit, ku një grua është gjetur pa shenja jete.

    Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë konfirmuar se një grua është gjetur e varur në oborrin e shtëpisë së saj. Sipas raportimit, ajo është dërguar pa shenja jete në Qendrën Familjare të Mjekësisë Ligjore, ku është konstatuar vdekja e saj.

    Policia e Kosovës është njoftuar menjëherë për rastin dhe është reaguar duke shkuar në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që do të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të kësaj tragjedie.

  • Njohja e Kosovës, Osmani i bashkohet thirrjes ndaj Google

    Njohja e Kosovës, Osmani i bashkohet thirrjes ndaj Google

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkangjitur iniciativës që i bën thirrje Google ta njohë Kosovën si shtet.

    Ajo ka kërkuar nga Google që të njohë prefiksin +383, në të gjitha shërbimet e saj.

    “Është vendim që është zgjatur shumë. Do të ishte një kthesë e vogël në rrugën e gjatë drejt barazisë, çasjes dhe përfshirjes.” ka thënë mes të tjerash Osmani.

    Ajo ka shpërndarë edhe linkun e peticionit.