ATV

Author: ATVLive

  • ​Arrihet marrëveshja, Neymar lojtari i Al Hilalit

    ​Arrihet marrëveshja, Neymar lojtari i Al Hilalit

    Neymar nuk do të veshë fanellën e Paris Saint-Germain gjatë këtij sezoni 2023-2024. Sulmuesi brazilian do t’i bashkohet skuadrës arabe Al-Hilal pasi që pronari i klubit francez Nasser Al-Khelaifi ka arritur marrëveshje të hënën me klubin saudit.

    Që nga e diela, e ardhmja pariziane e Neymar ishte errësuar, numri 10 i Seleçaos kishte kuptuar se rikthimi i Kylian Mbappés ishte i lidhur me të ardhmen e tij.

    Media të ndryshme, përfshirë L’Equipe, bëjnë të ditur se nata e kaluar ishte e frytshme në këtë rast, deri në atë pikë sa çoi në një marrëveshje përfundimtare mes Paris Saint-Germain dhe Al-Hilal.

    Me fjalë të tjera, në orët e ardhshme, ose më së voni të martën, Neymar duhet të arrijë në Arabinë Saudite ku kampionati sapo ka nisur.

    Për shërbimet e tij, Al Hilal mësohet se do të paguaj 100 milionë euro.

    Në Al-Hilal, 31-vjeçari do t’i bashkohet një skuadre të drejtuar nga Jorge Jesus dhe atje do të gjejtë lojtarë si Ruben Neves, Sergej Milinkovic-Savic apo edhe Malcom dhe Kalidou Koulibaly.

  • ​Grupi Wagner ka probleme financiare

    ​Grupi Wagner ka probleme financiare

    Grupi Wagner dyshohet nuk po merr më financime nga shteti rus. Kështu supozon shërbimi sekret britanik. Për mercenarët kjo do të thotë: kursime në shpenzimet e personelit.

    Deutsche Welle raporton se, si pasojë e mungesës së parave Wagner do të duhet të zvogëlojë numrin e mercenarëve.

    “Nëse shteti rus ndalon së paguari grupin Wagner, burimi i dytë më i besueshëm i pagave janë autoritetet bjelloruse”, tha Ministria e Mbrojtjes në Londër. Por kjo do të rëndonte burimet e Bjellorusisë. Mercenarët e grupit Wagner aktualisht po trajnojnë atje ushtarë bjellorusë.

    Mercenarët e grupit Wagner ishin për një kohë të gjatë shtyllë e ushtrisë së rregullt ruse në luftën kundër Ukrainës.

    Por shefi i mercenarëve Wagner, Jevgeni Prigoshin i ka kritikuar masivisht dhe publikisht udhëheqjen ushtarake ruse dhe ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu duke i akuzuar ata për paaftësi. Në fund të qershorit Prigozhini urdhëroi fillimin e një rebelimi kundër udhëheqësve ushtarakë rusë dhe një marshim drejt Moskës. Pas dy ditësh rebelimi u ndërpre.

    Sipas presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, ai ndërmjetësoi midis Prigozhinit dhe presidentit rus Vladimir Putin. Pas kësaj Prigozhini shkoi përkohësisht në mërgim në Bjellorusi. Është e paqartë se ku po qëndron ai aktualisht.

    Me kërkesë të qeverisë në Minsk njësitë e mercenarëve të tij, Wagner, po trajnojnë ushtarë bjellorusë në një kamp ushtarak afër kufirit me Poloninë.

    Sipas Prigoshinit grupi Wagner u themelua në vitin 2014. Biznesmeni i pasur, i cili dekadën e fundit të ekzistencës së Bashkimit Sovjetik e kaloi në burg për grabitje dhe mashtrim, ka kontrata ushtarake dhe minerare në Afrikë. Mercenarët e tij janë ndër të tjera aktivë në Mali, Siri dhe Libi.

  • ‘Plisat’ vazhdojnë protestën ndaj kryesisë së FC Prishtinës edhe në ndeshjen e fundit

    ‘Plisat’ vazhdojnë protestën ndaj kryesisë së FC Prishtinës edhe në ndeshjen e fundit

    FC Prishtina të shtunën arriti fitoren e parë të sezonit të ri në Albi Mall Superliga e Kosovës në futboll, me rezultat 3-1 ndaj skuadrës së FC Feronikelit 74.

    Megjithatë fitorja e kryeqytetasve kaloi në plan të dytë për një moment, kur tifo grupi ‘’Plisat’’ edhe këtë sezon duket se nuk do ta ndalin protestën ndaj kryesisë së FC Prishtinës dhe kryetarit të saj Remzi Ejupi.

    Në ndeshjen e zhvilluar në Hajvali, ‘’Plisat’’ u futën në stadium në minutën e pestë, ani pse pa ndonjë lajmërim paraprak për paraqitjen e tyre, madje duke filluar menjëherë me këngë të krijuara kundër bordit të klubit, teksa nuk munguan as thirrjet në mbështetje të futbollistëve bardhë e kaltër.

    Pas përfundimit të pjesës së parë dhe fillimit të fraksionit të dytë Plisat kësaj herë ndërprenë për disa momente ndeshjen, duke hedhur mjete piroteknike në fushë, dhe më pas lëshuan ndeshjen në mënyrë të qetë.

    Kujtojmë se përçarja e tifozëve të klubit dhe kryesisë së Prishtinës, nisi pasi klubi më i trofeshëm në vend nuk u licencua nga UEFA, për gara evropiane për shkak të vonesave në pagesa ndaj ish-futbollistëve të saj.

    Derisa protesta e së shtunës nga, ‘’Plisat’’ është vazhdimësi e ndeshjes finale të kupës ndaj Gjilanit, edhe pse në fund Prishtina triumfoi, këngët kundër bordit nuk janë ndalur. /atvlive.tv

  • ​Arrestohet 43-vjeçari në Mitrovicë, dyshohet për vrasje

    ​Arrestohet 43-vjeçari në Mitrovicë, dyshohet për vrasje

    Pasditen e së shtunës në rrugën e UÇK-së në Mitrovicë është gjetur një person pa shenja jete. Policia e identifikoi si S.M., 65-vjeç.

    Fillimisht rasti është kualifikuar si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa prokuroi i rastit kishte urdhëruar që trupit të viktimës t’i bëhet autopsia në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

    Si rrjedhojë e hetimeve intensive nga ana e hetuesve të sektorit rajonal, dje (e diele), mbi dyshime të bazuara për përfshirje në rast është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar Xh. N., 43 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës.

    Lidhur me rastin në cilësi të provës materiale është konfiskuar vetura e viktimës e cila është gjetur në posedim te i dyshuari.

    Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ndërsa, rasti nga “vdekje e dyshimtë” është rikualifikuar në veprën penale “vrasje e rëndë”

  • “Shi meteorësh” – Publikohen pamje fantastike nga Shqipëria e Kumanova e Maqedonisë

    “Shi meteorësh” – Publikohen pamje fantastike nga Shqipëria e Kumanova e Maqedonisë

    Shiu vjetor “Perseid” ndriçoi mbrëmë qiejt anembanë botës me meteor, disa të mëdhenj sa një bizele, që godasin atmosferën e Tokës me shpejtësi 134,000 mph (215,000 km/h).

    Ky fenomen ndodh në një kohë të ngjashme në korrik dhe gusht të çdo viti, dhe këtë herë ka arritur kulmin e tij në natën ndërmjet të shtunës dhe të dielës.

    Për pasojë, një spektakël i jashtëzakonshëm iu është dhuruar qytetarëve në shumë vende të botës, mes tyre edhe në Shqipëri. BBC ka publikuar foto të shkrepura në disa shtete, mes tyre edhe nga Parku Kombëtar i Shebenikut, në vendin tonë.

    Shiu i meteorëve konsiderohet si një nga ngjarjet më të mira dhe më tërheqëse astronomike.

  • Aksidenti i rëndë te rrethrrotullimi në Prishtinë, tre persona të lënduar

    Aksidenti i rëndë te rrethrrotullimi në Prishtinë, tre persona të lënduar

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në hyrje të Prishtinës rreth orës 03:00 të mëngjesit të së hënës, raporton Ekonomia Online. Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre persona janë lënduar në këtë aksident dhe janë dërguar në QKUK për trajtim.

    Policia thotë më tej se ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti.

    “Sot rreth orës 03:00, në rrethrrotullimin në lagjen Lakrishte, në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

  • Murati: Të moshuarit mbi 80 vjeç që s’mund të lajmërohen në zyret e pensioneve, po vizitohen nga ekipet mobile

    Murati: Të moshuarit mbi 80 vjeç që s’mund të lajmërohen në zyret e pensioneve, po vizitohen nga ekipet mobile

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se po vizitohen pensionistët mbi 80 vjeç që s’mund të paraqiten në zyret e shtetit për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që të vazhdojnë ta marrin pensionin.

    Murati shkroi në Facebook se ky program prej korrikut është shtrirë në të gjithë vendin.

    “Po vazhdojnë vizitat në shtëpi për pensionistët që janë mbi 80 vjeç apo që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht në zyret e pensioneve”, shkroi ministri.

    “Pas pilotimit me sukses të këtij programi, që nga muaji korrik e kemi shtrirë në të gjitha komuant, dhe tani ekipet mobile vizitojnë të gjithë ata që për shkak të moshës së shtyrë apo shëndetit e kanë të vështirë paraqitjen fizike në zyrat përkatëse”, shtoi Murati.

  • Kurti del në terren, jep detaje për tunelin që do të lidh Prizrenin me Tetovën

    Kurti del në terren, jep detaje për tunelin që do të lidh Prizrenin me Tetovën

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj.

    Në këtë takim, që kryeministri e cilësoi të përzemërt, u diskutua për një sërë çështjesh, përfshirë dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.

    Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.

    Po ashtu, ai tha se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024.

    “Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, tha kryeministri.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se ndihet mirë për një qasje shumë konstruktive dhe shumë pozitive karshi projekteve me interes nacional, derisa theksoi se si Komunë zotohen që për çdo gjë që ka nevojë dhe kanë mundësi të kontribuojnë, do të jenë të gatshëm që të kyçen në mënyrë konstruktive që të lehtësojnë dhe të mundësojnë realizimin e këtij projekti.

    “Unë jam shumë i sigurt që kemi hapësirë shumë të madhe për bashkëpunim në të gjitha lëmitë tjera dhe besoj që nuk do të mungojë gatishmëria nga asnjëra palë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse do të ndikojë në performancë edhe të qeverisë qendrore edhe të qeverisë lokale” tha ai, duke shtuar se përfitimet do të jenë jo vetëm për qytetarët e Komunës së Prizrenit, por edhe më gjerë duke marrë parasysh reputacionin dhe rëndësinë që ka qyteti i Prizrenit për tërë rajonin edhe në këtë rast përafrimi me Komunën e Tetovës është një mundësi.

    Më pas kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministrin Durmishi, dhe me deputetët e LVV, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj vizituan lokacionin në fshatin Struzhë ku pritet të kalojë një pjesë e rrugës Prizren-Tetovë dhe nga ku mund të shihet se ku do të bëhet tuneli që do të lidhë dy anët e rrugës.

    “Gjithashtu kryetarin Totaj e njoftova se në javën që vjen do të dërgojmë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024. Së bashku do të shkojmë që të vizitojmë sa më afër që mundemi vendin ku do të jetë dalja e tunelit, në Struzhë, që më pastaj do të lidhet me rrugë deri tek pjesa jugore, juglindore e daljes së Prizrenit në autostradë, në Vlashnje, që përbën rrugën e cila e lidhë në të ardhmen Prizrenin me daljen e tunelit”, ka deklaruar tutje Kurti.

  • Sara Osmani, medaliste e bronztë në Evropianin U21 të xhudos

    Sara Osmani, medaliste e bronztë në Evropianin U21 të xhudos

    Ekipi kosovar i xhudos po vazhdon me paraqitje mbresëlënëse dhe suksese të jashtëzakonshme në garat evropiane.

    Pas Dëbora Gjakovës që fitoi medaljen e argjendtë në Kupën Evropiane U21 të xhudos, medalje sot fitoi edhe Sara Osmani, raporton KosovaPress.

    Osmani fitoi medaljen e bronztë në Evropianin U21 të xhudos që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

    Në xhiron e parë Osmani ishte e lirë, kurse në çerekfinale mposhti me Ippon maqedonen, Tea Nastoska.

    Në gjysmëfinale Sara humbi me dy Wazaari për Ippon nga serbja Ana Cobanovic.

    Sara për të bronztën mposhti me Wazaari në vazhdime, garuesen nga Bosnja e Hercegovina Nika Zovko.

  • Detaje nga operacioni “Goditja”, 72 persona u arrestuan, 34 armë u konfiskuan

    Detaje nga operacioni “Goditja”, 72 persona u arrestuan, 34 armë u konfiskuan

    Policia e Kosovës, njofton se ka hartuar dhe është në zbatim të operacionit “Goditja”, i cili ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

    Gjatë pesë ditëve (8 deri 12 gusht 2023) të realizimit të detyrave që rrjedhin nga ky urdhër, policia ka shtuar aktivitetet e saja në drejtim të goditjes së personave e grupeve që me veprimet e tyre, mund të bien ndesh me ligjet e vendit.

    “Gjatë kësaj kohe, me qëllim të ofrimit të një ambienti sa më të qetë, në zonat urbane është bërë shtimi i patrullave policore të njësiteve të ndryshme dhe janë shënuar aktivitetet si në vijim:

    • Janë realizuar 2154 Pika Kontrolli për Automjete, 730 prej tyre me radarë dhe alool-test,

    • Janë kontrolluar 12038 vetura,

    • Janë kontrolluar 229 lokale,

    • Janë arrestuar 72 persona, prej tyre 24 me urdhër-arreste nga gjykatat dhe

    • Janë konfiskuar 34 armë”, njofton policia.

    “Policia do të vazhdojë të kryejë dhe të realizojë pikat e parapara me këtë urdhër me qëllim që rastet kriminale dhe aktivitet tjera antiligjore të parandalohen dhe zvogëlohen sa më shumë”, vijon policia.

    Tutje, policia i fton të gjithë ata që posedojnë, ose janë prezent në situata ku mund të ketë shkelje ligjore, dukuri tjera tëndaluara, ku shfaqen situata ku mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, ta lajmërojnë policinë.