ATV

Author: ATVLive

  • ​Shtiu me armë në një aheng, arrestohet personi

    ​Shtiu me armë në një aheng, arrestohet personi

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në fshatin Krushevë e vogël në Klinë, pasi dyshohet se i njëjti ka gjuajtur me armë zjarri në një aheng.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:00.

    “Rreth orёs 21:00, Policia ёshtё njoftuar se nё njё lokal nё fshatin Krushevё e vogёl nё Klinё, ka tё shtёna me armё. Njësitet relevante tё Stacionit Policor nё Klinё, menjëherë kanё marrё masat e nevojshme dhe kanё arrestuar personin e dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Bëhet e ditur po ashtu se nё vendin e ngjarjes janё gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe një karikator.

    Me vendim tё Prokurorit i dyshuari ёshtё liruar nё procedurё tё rregullt. Ndërsa rasti cilësohet “Mbajtje nё posedim, kontroll tё paautorizuar tё armëve”.

  • Arrestohen dy zyrtarë të MINT, për keqpërdorimin e rezervave shtetërore

    Arrestohen dy zyrtarë të MINT, për keqpërdorimin e rezervave shtetërore

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë Ndermarrësisë dhe Tregtisë Hafiz Garë dhe Irfan Lipovicën.

    Arrestimin i tyre është bërë nën dyshimin që janë përfshirë në keqpërdorimin e rezervave shtetërore, raporton EO.

    Ndërkohë, Policia ka bastisur pronat e Ridvan Muharremi.

    Muharremi, që është pronar i restoranit “Bukë e Zemër”, dyshohet se është ndërmjetës.

  • Situata e sigurisë në Prishtinë, mbledhet Këshillin Komunal i Sigurisë në Bashkësi

    Situata e sigurisë në Prishtinë, mbledhet Këshillin Komunal i Sigurisë në Bashkësi

    Në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, sot do të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi.

    Siç ka njoftuar komuna, jashtëzakonshmëria e kësaj mbledhjeje ka të bëjë me gjendjen e sigurisë në kryeqytet.

    “Më datë 18.08.2023 në ora 10:00 në objektin e vjetër të Kryeqytetit në Sallën e Kuvendit do të mbahet mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi. Duke u bazuar në Situatën e sigurisë në Kryeqytet dhe pas shumë takimeve nga Kryetari z. Përparim Rama me përgjegjësit e sigurisë në nivel lokal, mbledhja do ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës: Gjendja e Sigurisë në Kryeqytet”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në Prishtinë më 4 gusht, një person mbeti i vrarë, ndërsa shumë të tjerë mbetën të lënduar.

  • Përfundon bastisja në banesën e Ridvan Muharremit – avokati thotë se ende s’ka flet-arrest për të

    Përfundon bastisja në banesën e Ridvan Muharremit – avokati thotë se ende s’ka flet-arrest për të

    Pas më shumë se dy orësh Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjen e banesë së Ridvan Muharremit, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

    Mahmut Halimi, avokati i Muharremit, tha se për klientin e tij ende nuk ka fletarrest, duke shtuar se ia kanë dorëzuar Policisë të gjitha provat.

    “Kemi ende punë edhe pak. Ende nuk kemi flet arrest. Normal është pronar i banese pa të nuk kryhet bastisja. Normal i ka dorëzuar të gjitha materialet që i kemi përgatitur me kohe, jemi përgatitur për të vërteten. Po keni mujt me i lexuar me përcjell para tri dite ka qenë një reagim të cilën i ka drejtuar opinionit publik përmes televizionit zotëri Ridvan, është njoftuar opinioni dhe organet e vendit”.

    “Jo s’ka kurgja, ka materiale prova të cilat në një mënyrë portali i cili tash po thonë Berat Buzhala, letë të jetë Berat Buzhala, lë të jetë kush do ky është shtet i Kosovës. Ku çdo qytetar ka të drejt ti shpreh shqetësimet e reagimet e veta. Absolut nuk dyshoj, absolut nuk dyshoj, të gjitha në mënyrë perfektë janë përgatitur me kohë”.

    “… pse bash zotëri Ridvan kur s’ka lidhje me gjitha ato punë të cilat i janë publikuar përmes portalit të Berat Buzhalës. As një pozitë nuk e ka, as një pozitë nuk e ka. Nuk është përzier ka me u njoftuar opinioni për të gjitha. Po i lirë është, jemi ende duke i kryer procedurat e bastisjes, janë do rregulla për të cilat më vonë do të jeni të njoftuar. Po ka me u ftuar me siguri ne kemi kërkuar. S’ka flet arrest”, tha avokati.

    Pas banesës dhe restaurantit të Ridvan Muharremit, Policia e ka bastisur edhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

  • Qyteti spanjoll përfshihet nga zjarret “më të tmerrshme në 40 vitet e fundit”

    Qyteti spanjoll përfshihet nga zjarret “më të tmerrshme në 40 vitet e fundit”

    Mijëra njerëzve iu është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi qytetit spanjoll, Tenerife, u përfshi nga zjarret.

    Mbi 4 mijë e 500 njerëz u urdhëruar të largoheshin nga fshatrat dhe kampingjet, pasi zjarri mori fuqi të madhe të mërkurën, ndërsa mijëra të tjerëve iu është thënë të qëndrojnë brenda.

    Sipas udhëheqësit rajonal, Fernando Clavjio, ky është zjarri më i tmerrshëm në 40 vitet e fundit, shkruan Skynews.

    Avionët me ujë kanë arritur të stabilizojnë zjarrin në jug të malit Teide, majës më të lartë të Spanjës, por ai mbeti jashtë kontrollit në krahun verior.

    Më shumë se 3,800 njerëzve u është thënë të qëndrojnë në shtëpi për shkak të cilësisë së dobët të ajrit, tha shefi i mbrojtjes civile Montse Roman.

    Shtatëmbëdhjetë avionë dhe rreth 350 zjarrfikës dhe personel ushtarak janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e zjarrit deri më tani.

  • Dënohet me 22-vjet burgim gruaja që ia dërgoi Trumpit një zarf me helm

    Dënohet me 22-vjet burgim gruaja që ia dërgoi Trumpit një zarf me helm

    Një grua kanadeze është dënuar me 22-vjet burgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dërgimin e letrave të mbushura me helm ricin, duke përfshirë edhe Donald Trumpin kur ai ishte president.

    Pascale Ferrier, 56-vjeçare, ra dakord për dënimin në janar pasi u deklarua fajtore për akuzat për armë biologjike.

    Zarfi vdekjeprurës drejtuar Trump u kap në shtator të vitit 2020 përpara dorëzimit në Shtëpinë e Bardhë.

    Ferrier i tha gjykatës se i vinte keq që plani i saj kishte dështuar dhe se “nuk mund ta ndalonte Trumpin”.

    Në një fjalim të gjatë në gjykatë, ajo tha gjithashtu se e shihte veten si një aktiviste dhe jo si terroriste.

    “Dua të gjej mjete paqësore për të arritur qëllimet e mia”, shtoi Ferrier.

    FBI gjeti gjurmët e gishtave të saj në letrën drejtuar Trump, e cila i kërkoi atij të hiqte dorë nga gara presidenciale.

    “Kam gjetur një emër të ri për ty: “Kllouni i shëmtuar tiran”, shkruan ajo në letër, sipas dokumenteve të akuzës së FBI-së.

    Gjykatësja e qarkut, Dabney Friedrich, e dënoi Ferrierin me 262 muaj e 22-vjet burgim. Ajo do të deportohet nga ShBA-ja pas vuajtjes së dënimit dhe do të përballet me mbikëqyrjen e përjetshme nëse kthehet ndonjëherë.

    Gjykatësja Friedrich i tha Ferrier-it se veprimet e saj ishin “potencialisht vdekjeprurëse” dhe “të dëmshme për ju, të dëmshme për shoqërinë, të dëmshme për viktimat e mundshme”.
    Ferrier pranoi gjithashtu dërgimin e letrave të ngjashme të te tetë zyrtarë të zbatimit të ligjit në Teksas.

    Ferrier, një shtetase e dyfishtë e Francës dhe Kanadasë, u arrestua duke kaluar kufirin në Buffalo, New York në shtator 2020. Ajo mbante një armë, thikë dhe fishekë municionesh, shkruan BBC.

  • Informimi, si zëvendësim për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Informimi, si zëvendësim për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Qeveria ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ për edukimin, vetëdijesimin dhe ngritjen e potencialit të qytetarëve për shërbim në fushën e mbrojtjes. Ajo ka paraparë ngritjen e ekipeve mobile nëpër komuna, në të cilat zyrtarë civilë dhe ushtarakë do të ligjërojnë dhe demonstrojnë edhe në praktikë aftësitë për mbrojtje. Por, njohës të çështjeve të sigurisë thonë se, në vend të kësaj, Qeveria duhej ta bënte të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

    Njohës të Sigurisë janë shprehur skeptikë me nismën e Qeverisë, sipas së cilës në komunat e Kosovës do të ngrihen qendra, në të cilat të rinjtë do të aftësohen teorikisht dhe në praktikë për ta mbrojtur territorin e shtetit. Ata thonë se, në vend të kësaj, Qeveria duhej ta bënte të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Suad Bikliqi, thotë se informimi i qytetarëve për fushën e mbrojtjes është i nevojshëm, por kërkon diçka tjetër.

    “Në aspektin e draftudhëzimit, i hartuar nga MM-ja, nuk mendoj që mund të ketë shumë efektivitet kjo pjesë e vetëdijesimit duke ndërtuar zyra mobile nëpër qytete të ndryshme ose në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo, sepse koha që iu ofrohet qytetarëve të Republikës së Kosovës është e shkurtër dhe nuk mund të ndikojë shumë në pjesën e vetëdijesimit”, ka thënë Bikliqi.

    Është Ministria e Mbrojtjes ajo që ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ, i cili ka për qëllim përcaktimin e autoriteteve, përgjegjësitë, mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të edukimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së potencialit të qytetarëve për shërbim në fushën e mbrojtjes.

    “Zyrat mobile do të jenë të kompletuara me pajisje dhe me personel të trajnuar, i cili do të angazhohet për prezantimin e politikave të edukimit, vetëdijesimit dhe angazhimit të qytetarëve në fushën e mbrojtjes”, thuhet në dokument.

    Udhëzimi administrativ është paraparë të zbatohet nga personeli civil dhe ushtarak që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë.

    Në nenin e shtatë të draftit janë listuar aspektet që duhet t’i përmbajë Programi për realizimin e aktiviteteve të kësaj politike. Ne mesin e tyre është edhe ofrimi i informacioneve për fushën e mbrojtjes, si dhe motivimi dhe nxitja për përfshirje në FSK. Po ashtu janë paraparë edhe orë teorike e edhe ofrimi i trajnimeve praktike për të rinjtë vullnetarë.

    Njohësi Suad Bikliqi konsideron se nxitja e të rinjve për të shërbyer në FSK do të ishte më e suksesshme nëse do të realizohej përmes shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

    “Në aspektin e sigurisë pa dyshim se kjo nismë e ka një pjesë të efektit të saj se qytetarët vetëdijesohen, por sa i përket nxitjes, unë mendoj që mënyra më e mirë për nxitjen ose angazhimin e të rinjve në Ushtrinë e Kosovës është vetë shërbimi obligues ushtarak në Republikën tonë”, ka thënë ai.

    Vetëvendosja që qeveris me vendin është zotuar sa ka qenë në opozitë se, kur ta marrë pushtetin, do ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak. Por, pas marrjes së pushtetit, veprime për këtë nuk ka ndërmarrë, ndërkaq zyrtarë të saj kanë thënë se një politikë e tillë do të ishte e kushtueshme.

  • Osmani: Dorëheqja e tre zyrtarëve policorë serbë, rezultat i kërcënimeve të Beogradit

    Osmani: Dorëheqja e tre zyrtarëve policorë serbë, rezultat i kërcënimeve të Beogradit

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se dorëheqja e tre zyrtarëve policorë serbë vjen nga kërcënimet direkte të Serbisë.

    Me anë të një postimi në Twitter, ajo ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë të ofrojë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.

    “Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia, një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit”.

    “Ne do të vazhdojmë të sigurojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka thënë Osmani.

    Paparaci të enjten ka marrë vesh se policët e dorëhequr kanë arritur marrëveshje për të marrë pagë dhe garanci për punë të mëtejshme nga kryekrimineli i veriut, Milan Radojiçiq.

  • ​Rohde reagon pas dorëheqjes së tre policëve serbë: Duhet të kryejnë detyrat pa frikë

    ​Rohde reagon pas dorëheqjes së tre policëve serbë: Duhet të kryejnë detyrat pa frikë

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se pajtohet me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, se një vend multietnik, kërkon një polici multietnike.

    Ky reagim i ambasadorit Rohdes vjen pas dorëheqjes së fundit të tre serbëve të saporekrutuar në Policinë e Kosovës.

    “Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

    Ndërsa, shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Barbano, tha se EULEX-i po i ndjekin nga afër zhvillimet, të cilat i quajti shqetësuese.

  • Ish-zëdhënësi i KFOR-it: Lista Serbe sabotoi iniciativat për serbët e Kosovës, nuk e kundërshtuam shumë këtë

    Ish-zëdhënësi i KFOR-it: Lista Serbe sabotoi iniciativat për serbët e Kosovës, nuk e kundërshtuam shumë këtë

    Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vicenzo Grasso, ka thënë se nuk është ndonjë befasi dorëheqja e tre serbëve nga pozita që kishin si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Sipas tij, Serbia nuk i mbështet iniciativat që kanë për qëllim integrimin e serbëve në Kosovë.

    “Nuk vjen si befasi! Beogradi, përmes Listës Serbe, gjithmonë e ka sabotuar çdo iniciativë që çon në integrimin e serbëve për zhvillimin e shoqërisë paqësore shumëkombëshe në Kosovë. Ata e kanë bërë këtë gjithmonë dhe ne e kemi toleruar gjithmonë pa e kundërshtuar fort këtë sjellje”, ka thënë Grasso.

    Grasso, ka reaguar në një postim në X të shefit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Barbano, ku tha se EULEX-i po i ndjek nga afër zhvillimet e fundit, të cilat i quajti shqetësuese.