Ministrja Rozeta Hajdari, pas arrestimeve në Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka thënë se nuk beson në asnjë keqpërdorim të zyrtarëve të arrestuar të kësaj ministrie, raporton EO.
Pas aksionit të Policisë së Kosovës dhe arrestimit të dy zyrtarëve të MINT për dyshime të keqpërdorimeve të Rezervave Shtetërore, Hajdari tha se ka mirëpritur çdo hetim, edhe pse ka ka qenë në kundërshtim me ligjin. Kjo, sepse, dokumentet janë klasifikuar si sekrete shtetërore.
Ajo është shprehur se furnizimi me mallra shtetërore është bërë në pajtim me legjislacionin në fuqi, derisa ka thënë se në qeverisjen Kurti është tridhjetëfishuar malli në rezervat shtetërore, derisa ka gjetur kohë të akuzojë qeverisjet e kaluara për “vjedhje”.
“Jam njoftuar sot se në MINT kanë ardhur njësia hetuese e Prokurorisë Speciale me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontrolle të dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica”.
“Për më tej, PS ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta. MINT mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, ani pse jemi të bindur se furnizimi në rezervat shtetërore është në pajtim me ligjet në fuqi.”, tha Hajdari.
“Si ministre organet hetimore pres të mos cenojnë sigurinë shtetërore, sepse gjatë hetimeve dokumentet që janë marrë si prova nga policia, janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa policia s’ka paraqitur certifikatë siguruese”
“MINT i siguron të gjithë qytetarët se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore me standarde dhe parametra të caktuara të cilësisë është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe nuk dyshojmë në asnjë keqpërdorim nga zyrtarët tanë që janë ndaluar sot për 48 orë në polici”.
“Ka përpjekje të mëdha që të keq informohet publiku, motivet dhe arsyet duhet të hetohet gjithashtu”, ka thënë ministrja Hajdari.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) i njofton mediat se sot ministrja Rozeta Hajdari do të mbajë konferencë ku do t’i informojë media/gazetarët për ngjarjet e fundit në MINT, ka njoftuar Ministria.
Konferenca mbahet në objektin e kësaj ministrie në orën 18:00.
Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag e ka komentuar marrëveshjen që dështoi mes Manchester United dhe West Ham për transferimin e Harry Maguire.
Manchester United kishte pranuar ofertën prej 30 milionë eurosh nga West Hami për Maguire, por që ky i fundit nuk e gjeti akordin personal me “Çekanët”, raporton KosovaPress.
“Unë nuk e di se çfarë ndodhi mes Maguire dhe West Ham. Harry është lojtari jonë dhe unë jam i lumtur që ai është këtu. Neve na duhet një skuadër të mirë”, tha Ten Hag.
Ndërkaq, trajneri i West Hamit, David Moyes e pranoi se klubi i tij kishte bërë një ofertë për Maguire.
“Ne e kemi bërë një ofertë për Harry Maguire dhe që nga atëherë nuk kemi mundur të vazhdojmë me marrëveshjen”, tha Moyes.
Dogana e Kosovës njofton se të premten zyrtarët e këtij institucioni kanë parandaluar kontrabandën me duhan në sasi prej 77 kilogram.
Siç njofton Dogana, zyrtarët doganor, pas pranimit të informatave përmes rrugëve Operative, kanë organizuar kontrolle në dy lokacione të dyshimta.
“Në këtë proces, ata kanë zbuluar 77 Kg Duhan të përpunuar, për të cilin palët nuk kanë mundur të prezantojnë dokumentacion të origjinës. Vlera e këtij malli llogaritet të jetë rreth 1000 Euro, ndërsa shmangiet nga Taksat Doganore janë vlerësuar në 3,468.00 Euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Më tej në njoftim thuhet se pas konstatimit të këtyre shkeljeve, malli i kontrabanduar është konfiskuar dhe është ndërmarrë veprim për të filluar procedurat kundërvajtëse ndaj palëve të përfshira në këtë aktivitet të paligjshëm.
“Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi”, bën të ditur dogana.
Jeton në në Suedi, por shkrimtari dhe përkthyesi kosovar, Sokol Demaku përkthen poetë bullgarë dhe harton antologji, të cilat i boton në vendin ku qëndron. Së fundmi ai ishte në Sofje me shkrimtarët shqiptarë Hamit Gurguri dhe Bakhtir Latifi me ftesë të Unionit të Shkrimtarëve Bullgarë.
Në një intervistë për BTA, Demaku ka folur për punën e tij me gjuhën dhe letërsinë bullgare.
Demaku ka shpjeguar se e njeh gjuhën bullgare sepse nga viti 1992 deri në vitin 1996 ka punuar në një fabrikë shishe qelqi në Sofje dhe në Plovdiv. Ai ka rreth 22 vjet që jeton në Suedi.
Duke shpjeguar origjinën e lidhjes së tij me letërsinë bullgare, Demaku ka thënë se tash e 12 vjet po boton një antologji poetike për një festival të poezisë në Suedi, ku marrin pjesë poetë dhe shkrimtarë nga e gjithë bota.
Autorja e parë bullgare në antologji ishte Slavka Marinovska nga Plovdivi, të cilën e zbuloi në internet së bashku me shkrimtarë të tjerë bullgarë rreth katër vjet më parë. Antologjia e fundit përmban shtatë autorë bullgarë, ka vënë në dukje Demaku.
Nga 190 autorë në 12 gjuhë në antologji, e para është gjuha shqipe, e pasuar nga suedishtja dhe pastaj e treta më e zakonshme është gjuha bullgare.
Në shtator do të shpallet konkursi për festivalin e ardhshëm të poezisë dhe mund të aplikojë çdo shkrimtar, ka thënë Demaku.
“Aktualisht jam duke përkthyer një antologji në gjuhën shqipe, suedeze, maqedonase dhe bullgare. Për mua gjuha bullgare është shumë e bukur. Para pesë-gjashtë vitesh punova si mësues në një shkollë fillore në Suedi dhe atje kam pasur një nxënës nga Bullgaria që nuk dinte asnjë fjalë suedisht. Për këtë arsye kam shfrytëzuar çdo mundësi për të biseduar me të në bullgarisht dhe kjo ka qenë shumë e këndshme për mua”, ka thënë Demaku.
Sipas tij, letërsia bullgare shkon përtej kombëtares dhe mund të kuptohet nga të huajt.
Demaku është poet, shkrimtar, përkthyes, mësues, publicist, botues dhe gazetar.
Ai boton revistën kulturore Dituria në Boras, Suedi, ku është i përfshirë edhe në radiostacionin lokal në shqip, Radio Dituria dhe TV Dituria.
Ai përkthen letërsinë suedeze në shqip dhe letërsinë shqipe në gjuhët suedeze dhe ballkanike.
Përkthimi i tij më i njohur është Fakulteti i Ëndrrave të Sara Stridsberg nga suedishtja në shqip.
Në vitin 2021, ai fitoi çmimin ‘West Culture Prize, për letërsinë në Goteborg.
Numri i turistëve që vizituan Shqipërinë vijoi rritjen edhe përgjatë muajit qershor.
Sipas raportit mbi strukturat akomoduese, publikuar sot nga INSTAT, numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 76.4 % në qershor, krahasuar me qershorin e vitit të shkuar. Në total numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 49.7 %, në krahasim me qershorin e 2022
Të dhënat tregojnë se numri më i lartë i pushuesve jorezidentë u shënua nga Kosova, ndjekur nga pushesit italianë, polakë dhe ata gjermanë. Sipas INSTAT pushuesit gjermanë jorezidentë shënuan rritje me 6.8 %. 8.3 % e pushuesve jorezidentë ishin italianë, 12.6 % polakë dhe 3.6 % e pushuesve ishin spanjollë.
Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 52.8 %, në krahasim me qershorin e 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit, numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 36 %, ndërsa numri i netë qëndrimeve nga jorezident është rritur me 60.7 %.
Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2.5 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 75 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, transmeton ATSh.
Numri i vizitorëve jorezident të cilët janë akomoduar në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 70 %.
Njoftimet për vdekjet e punëtorëve në vendet e tyre të punës, Milaim Ibriqit ia rikthejnë skenat dhe momentet kur mësoi për humbjen e vëllait të tij, Kujtimit.
Kujtim Ibriqi, 44 vjeç nga fshati Komoran, komuna e Drenasit, humbi jetën në vendin e tij të punës në prill të këtij viti. Ai la pas gruan dhe dy fëmijë.
Milaim Ibriqi kujton edhe bisedat me vëllain e tij për kushtet e punës.
Kujtimi punonte në një kompani private në sektorin e ndërtimit.
“Edhe çizmet e punës, në disa raste, i ka blerë me para të veta. Kompania nuk i ka ofruar kurrfarë kushtesh, as kapelë e as rrip mbrojtës. Asgjë. Por, kushtet e vështira [ekonomike] e kishin detyruar që të punonte për të siguruar ekzistencën e familjes”, thotë Milaim Ibriqi për Radion Evropa e Lirë.
Humbja e Kujtimit nuk mund të kompensohet, thotë vëllai i tij. Por, ai shton se një kompensim financiar nga kompania ku Kujtimi ka punuar, do ta lehtësonte sadopak gjendjen sociale të familjes së tij, pasi gruaja e Kujtimit është e papunë dhe dy fëmijët janë të mitur.
Që nga vdekja e Kujtimit, Milaimi e ka ndërprerë punën, pasi edhe ai punonte në sektorin e ndërtimtarisë.
“Për ceremoninë e varrimit kemi marrë një shumë të mjeteve të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve për atë ditë. Më, asnjë cent. Tani lënda ka shkuar në gjykatë. Kur të na thërrasin, do të shkojmë dhe do të shikojmë se çfarë do të vendoset”, tregon ai.
Sipas Inspektoratit të Punës, vetëm gjatë këtij viti, 12 persona kanë vdekur në vendin e tyre të punës. Një vit më parë, ky numër ishte 14.
“Nga ky numër, pesë raste nga Inspektorati janë cilësuar vdekje si rezultat i drejtpërdrejtë i ushtrimit të veprimtarisë së punës dhe shtatë raste të tjera nuk lidhen me ushtrimin e veprimtarisë së punës”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës dërguar Radios Evropa e Lirë.
Por, shifrat zyrtare për vdekjet e personave në vendet e tyre të punës ndryshojnë nga të dhënat e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.
Aksidentet në vendin e punës
Gjatë dhjetë vjetëve në Kosovë kanë humbur jetën 147 punëtorë në vendet e tyre të punës, kurse janë lënduar 933 punëtorë. Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në sektorin privat. Përfaqësues të Sindikatës së sektorit privat konsiderojnë se këto shifra duhet të jenë alarm për institucionet dhe kompanitë që të veprojnë për t’i rritur masat e sigurisë në vendin e punës.
* 2023 – s’ka të dhëna për lëndimet në vendin e punës.
Udhëheqësi i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, thotë se vetëm gjatë këtij viti, 17 persona kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.
Ai thotë se këto raste vdekjesh duhet të jenë alarm veprimi për institucionet e Kosovës. Sipas Azemit, duhet të shtohen kontrollet në sektorin e ndërtimtarisë, në mënyrë që të përmirësohen masat mbrojtëse për sigurinë e punëtorëve.
Vitin e kaluar, Inspektorati i Punës ka kryer 6.316 inspektime. Sipas raportit vjetor të këtij institucioni, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar me prioritet rastet e aksidenteve në vendet e punës. Sipas këtij raporti, më 2022 në Kosovë kanë ndodhur 394 aksidente, prej të cilave 15 kanë përfunduar me fatalitet.
Pronarët nuk kompensojnë familjarët e viktimave
Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat u shpreh kritik, pasi pas rasteve që përfundojnë me fatalitet, kompanitë private e as institucionet nuk i kompensojnë familjarët e viktimave.
“Deri më tani, Qeveria e Kosovës dhe Inspektorati i Punës nuk kanë bërë asgjë. Dhe, ajo që është më e keqja, gjithkund, në këto raste qeveritë kanë fonde të veta për një mbështetje financiare derisa të vërtetohet nëse është fajtor pronari i kompanisë ose kushdo qoftë tjetër. Por, në momentin që vdesinkëta punëtorë, familjarët e tyre mbesin pa asnjë mbështetje financiare dhe ligjore”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Edhe në raportin vjetor të institucionit të Avokatit të Popullit thuhet se numri i aksidenteve në vendet e punës, që kanë përfunduar me fatalitet, mbetet i lartë dhe mjaft shqetësues.
“Në rast të vdekjes së punëtorit”, thuhet në raport, “familjet nuk gëzojnë ndonjë kompensim të domosdoshëm” që është i përcaktuar sipas legjislacionit që është në fuqi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
E vetmja rrugë për realizimin e përfitimeve financiare në këto raste mbetet procedura gjyqësore civile, e cila familjarëve të viktimave u merr shumë kohë, mund dhe kosto financiare.
Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: me Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.
Dënimet për punëdhënësit për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës dhe vdekjeve në punë, sipas këtyre ligjeve, janë nga 100 deri në 35.000 euro.
Sektori privat në Kosovë llogaritet punëdhënësi më i madh. Numri i të punësuarve vlerësohet të jetë mbi 220.000. Paga mesatare, sipas të dhënave për vitin e kaluar, ka qenë rreth 480 euro.
Punonjësit në sektorin privat vazhdimisht janë ankuar për mosrespektim të të drejtave të tyre.
Edhe në raportin vjetor të Avokatit të Popullit konstatohet se në sektorin publik, e sidomos në atë privat, ka shkelje të ndryshme të së drejtës nga marrëdhënia e punës, përfshirë edhe diskriminimin, si: shkelje të procedurave të punësimit, të ndërprerjes së marrëdhënies së punës në mënyrë joligjore, si dhe shkelje lidhur me kohëzgjatjen e orarit të punës, kompensimin për punë jashtë orarit, mohimin e së drejtës për pushim vjetor dhe për pushim të lehonisë dhe mosrealizimin e së drejtës në pagë. /REL
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se keqqeverisja, e karakterizuar me skandale, afera, korrupsion, narkotrafikim e sanksione ndërkombëtare, duhet të marrë fund.
Sipas tij, nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, shpejt, dëmet e këtij mentaliteti shkatërrues do t’i vuajnë për dekada qytetarët dhe shteti ynë.
Për këtë arsye, ka thënë ai, duhet të kemi zgjedhje të reja sa më parë.
“Keqqeverisja, e karakterizuar me skandale, afera, korrupsion, narkotrafikim e sanksione ndërkombëtare, duhet të marrë fund. Nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, shpejt, dëmet e këtij mentaliteti shkatërrues do t’i vuajnë për dekada qytetarët dhe shteti ynë. ZGJEDHJE TË REJA SA MË PARË!”, ka shkruar Krasniqi.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se blloku evropian është duke e shqyrtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’ia revokuar licencën kompanisë MTS d.o.o., për shkak të dokumentacionit të kontestuar gjatë regjistrimit të biznesit.
“Bashkimi Evropian është duke kërkuar më shumë informacione nga të dyja palët për t’i kuptuar implikimet e vendimit në Marrëveshjen e vitit 2013 dhe konkluzat e vitit 2016 për telekomunikacionin”, ka thënë ai.
MTS d.o.o. është kompani e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë nga viti 2015.
Në fund të vitit 2016, kjo kompani e ka marrë licencën për të operuar sipas ligjeve të Kosovës.
Themeluese me 100 për qind të aksioneve është “Telekom Serbia”.
Kompania e ka selinë në Mitrovicë të Veriut, ndonëse i ka disa degë edhe në pjesë tjera të Kosovës.
Përveç pakove televizive, MTS ofron edhe internet dhe shërbimet tjera telefonike për konsumatorët e vet.
Megjithatë, në fillim të muajit gusht, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për revokim të licencës, për shkak të “dokumenteve jokushtetuese” në regjistra.
Dhjetëra kompanive tjera u është revokuar licenca e bizneset për arsye të njëjtë.
Në rastin e MTS-së, arsye për revokim është se një prej personave përgjegjës, gjatë periudhës së regjistrimit, e ka bashkëngjitur një pasaportë të lëshuar nga autoritetet serbe, në të cilën te vendi i lindjes shkruan “Mitrovicë e Kosovës, Republika e Serbisë”.
Agjencia për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, ka thënë në sqarimin për vendimin se, “një përmbajtje e tillë nuk lejohet për përdorim në Republikën e Kosovës, sepse përbën shkelje të normës kushtetuese dhe është diçka që përbën kërcënim serioz për sigurinë publike”.
Serbia lëshon dokumente identifikimi për të gjitha qytetet në Kosovë, mirëpo Prishtina zyrtare nuk i pranon ato.
“Telekom Serbia” nuk e pranon vendimin e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se “ekipi ligjor është duke përgatitur apel të gjatë, që do të dorëzohet brenda afateve ligjore”.
Afati për dorëzim të apelit është 30 ditë.
Paraprakisht, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se Kosova duhet të jetë e kujdesshme kur revokon licenca pune, dhe ka thënë se janë duke negociuar me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, se si të zgjidhet kjo çështje.
Kur është pyetur për këtë çështje në një bashkëbisedim me gazetarët në Prishtinë, më 16 gusht, Hovenier ka thënë se e inkurajon Qeverinë e Kosovës që të marrë hapa të kujdesshëm kur është fjala për revokim të lejeve të punës.