ATV

Author: ATVLive

  • Mediumi i njohur: Rumania mund ta humb ndeshjen me Kosovën me rezultat zyrtar

    Mediumi i njohur: Rumania mund ta humb ndeshjen me Kosovën me rezultat zyrtar

    Mediat e huaja i kanë dhënë jehonë të madhe ndeshjes së mbrëmshme me incidente, Rumani – Kosovë.

    Ato i kanë dhënë theks të veçantë mbi të gjitha skandalit që ndodhi në fillim të lojës, ku tifozët rumunë e shfaqën parullën “Kosova është Serbi” dhe bënë thirrje “Serbia, Serbia”, pas së cilit u ndërpre loja për afro 50 minuta, për të vazhduar më pas kur u pastrua ajo pjesë e tribunës.

    E sot, mediumi spanjoll “Mundo Deportivo” raporton se rumunët mund ta humbin ndeshjen me Kosovën me rezultat zyrtar, 0:2, ndonëse ajo më pas vazhdoi dhe u krye 2:0 për vendësit.

    “Nëse jo këtë të mërkurë, atëherë në ditët në vijim UEFA do ta hapë një hetim të jashtëzakonshëm për incidentet që ndodhën mbrëmë në ndeshjen Rumani-Kosovë në Bukuresht”, shkruan mediumi spanjoll, duke paralajmëruar dënime të ashpra për Rumaninë pas incidentit që e shkaktuan huliganët e tigo-grupit rumun, “Uniti sub tricolor”.

    “Mundo Deportivo” u thirr në nenin 11 të Kodit Disiplinor të UEFA-s, i cili thotë se “Federatat Kombëtare janë përgjegjëse për ndërprerjen dhe për braktisjen e fushës”, që nënkupton se në këtë rast mund ta pësojë Federata Rumune e Futbollit.

    Neni 16 për rendin e sigurisë së UEFA-s e bën përgjegjëse Federatën organizatore për sjelljen e tifozëve të saj.

  • Maliqi për unazën e Prishtinës: Niveli qëndror ia ka kryeqytetit borxh një projekt të tillë

    Maliqi për unazën e Prishtinës: Niveli qëndror ia ka kryeqytetit borxh një projekt të tillë

    Analisti Agon Maliqi, është pëfshirë në debatin që po bëhet për projektin e unazës së Prishtinës, të cilën sipas zyrtarëve komunalë, ky projekt po bllokohet nga Qeveria.

    Ai ka thënë se niveli qendror e ka borxh që Prishtinës një projekt të tillë.

    Maliqi ka bërë thirrje që deputetët nga Prishtina në Kuvendin e Kosovës duhet të jenë më të zëshëm për këtë projekt.

    “Nuk i njoh detajet për projektin e unazës së Prishtinës, por niveli qëndror ia ka kryeqytetit borxh një projekt të tillë të përmasave të mëdha që kish me e çliru prej makthit të trafikut, ndotjes dhe kaosit urban. Zona metropolitane e Prishtinës është kontribuesi bindshëm më i madh i taksave në buxhetin qëndror dhe nuk i kthehet aq sa i takon. Prishtina gjithashtu e ka barrën infrastrukturore për shumë shërbime të nivelit qëndror (me rezultat kaosin e lartpërmendur). Deputetët e Prishtinës në Kuvend (prej cilësdo parti) do të duhej të ishin më të zëshmit për këtë punën e unazës nëse duan të kenë fytyrë të kërkojnë votë herëve të tjera.” – ka shkruar Maliqi në Facebook.

  • PDK për udhëzimin administrativ: Antiligjor, na duhen 30 nënshkrime për ta dërguar atë në Kushtetuese

    PDK për udhëzimin administrativ: Antiligjor, na duhen 30 nënshkrime për ta dërguar atë në Kushtetuese

    Para disa ditësh, MAPL ka hartuar Udhëzimin Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve nga funksioni. Ky udhëzim nisi të përpilohej si opsion favorit i krerëve të shtetit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Veri, mirëpo më pas ministri Elbert Krasniqi njoftoi se ai do të vlejë për të gjitha komunat. Lidhur me këtë, nga PDK kanë thënë se janë duke parë të gjitha mundësitë ligjore që ta kundërshtojnë, mirëpo shtojnë se u nevojiten 30 nënshkrime për ta dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese.

    Më 23 prill u mbajtën zgjedhjet në katër komunat veriore, të cilat u bojkotuan nga partitë dhe qytetarët serbë. Si pasojë, në Veri pati tensione, për uljen e të cilave, një nga hapat është shpallja e zgjedhjeve. Për t’i evituar dorëheqjet, pushteti përmendi peticionin, për çka MAPL hartoi një udhëzim administrativ, i cili nga njohës të çështjeve juridike po konsiderohet si në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

    Për këtë çështje, ka folur anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi. Ai vlerëson se udhëzimi administrativ është “tepër i dobët, antiligjor dhe antikushtetues”.

    Gjoshi i tha Gazetës Express se udhëzimi administrativ është përpjekje për ndërhyrje direkte në institucione të pavarura që në këtë rast është KQZ.

    “Ekipi i ekpertëve në Partinë Demokratike të Kosovës e ka lexuar me kujdes dhe e ka analizuar udhëzimin administrativ që e ka përgatitur qeveria Kurti përmes së cilit synon shkarkimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vebdit. Së pari, ky udhëzim administrativ është tepër i dobët, pastaj së dyti është anti-ligjor dhe anti-kushtetues. Kjo sepse ky udhëzim është përpjekje për ndërhyrje direkte në institucione të pavarura që në këtë rast është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Gjoshi.

    Më tutje ai tha se janë duke i shqyrtuar mundësitë ligjore që ta kundërshtojnë, pasi shton se është precedant i rrezikshëm për Kosovën.

    Mirëpo ai sqaron se për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nevojiten 30 nënshkrime.

    Me hartimin e këtij udhëzimi administrativ, sipas Gjoshit është dëshmuar se Qeveria janë amaterë dhe nuk kanë njohuri e as kompetencë për një gjë të tillë.

    “Ne jemi duke i përcjell këto zhvillime lidhur me komunat në veri të vendit dhe po shohim të gjitha mundësitë ligjore që ta kundërshtojmë sepse ky udhëzim administrativ është precedan i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Por, siç e dini, për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, neve na nevojiten edhe nënshkrimet e deputetëve të partive tjera opozitare pasi që duhen 30 nënshkrime. Por një gjë është e sigurt, ky udhëzim është anti-ligjor, është anti-kushtetues dhe është i pa zbatueshëm. Kjo qeveri edhe në këtë rast ka dëshmuar se janë amaterë dhe nuk kanë as njohuri e as kompetencë për ta shkruar një udhëzim administrativ e lëre më diçka më shumë”.

    Ilir Peci e Izmir Zeqiri pro dorëheqjeve, kundër peticionit

    Partia Demokratike e Kosovës ka arritur t’i fitojë dy komuna në Veri pas zgjedhjeve të 23 prillit, ku dalja e qytetarëve ishte tejet e ulët.

    Izmir Zeqiri në Zubin Potok e Ilir Peci në Zveçan, janë duke ushtruar detyrën e tyre si kryetarë nga objekte alternative.

    Por për largimin e tyre dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, për ta hap më i mirë është dorëheqja vullnetare përmes një marrëveshje politike me Kurtin.

  • ​FAO shpërndan kuponë me nga 300 euro për fermerët e Rahovecit

    ​FAO shpërndan kuponë me nga 300 euro për fermerët e Rahovecit

    Organizata për Ushqim dhe Bujqësi (Food and Agriculture Organization – FAO), financuar nga Qeveria e Zvicrës, ka ndihmuar fermerët e Komunës së Rahovecit të cilët janë prekur nga vërshimet e muajit janar të këtij viti.

    FAO ka shpërndarë për 91 fermerë nga një kupon me nga 300 euro, të cilët do të mund t’i shfrytëzojnë për kompensimin e dëmeve nga janari i këtij viti.

    Fermerët këta kuponë do të mund t’i shfrytëzojnë nga sot kur i janë dhuruar deri me datën 5 nëntor.

    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se këto ndihmesa janë të nevojshme për fermerët rahovecianë.

    “Ne sot flasim për një ndihmesë pak simbolike por që është e nevojshme , është e rëndësishme për fermerët e dëmtuar në janarin e këtij vitit nga vërshimet në komunën tonë, nga përmbytjet të cilat kanë ndodhë në komunën tonë… Kuptohet komuna jonë nuk ka pasur mundësi sepse dihet që komunat nuk kanë fonde emergjente dhe nuk kanë mundësi ti mbulojnë dëmet të cilat shkaktohen në bujqësi apo në ekonomi familjare apo në biznese apo në amvisëri për shkak të kemi kufizime ligjore në këtë drejtim , gjithsesi ne u jemi mirënjohës shumë ministrisë bujqësisë dhe organizatës (FAO) , pra organizatë e kombeve të bashkuara për bujqësi dhe ushqim” tha Latifi.

    Latifi ka falënderuar organizatën (FAO) dhe Qeverinë Zvicerane për kuponët e shpërndarë, derisa tha se fermerët me këta kuponë do të kompensojnë produktet bujqësore të cilat janë të nevojshme për ta.

    “Organizata (FAO) ka shprehur gatishmërinë që përmes donatorëve si qeveria zvicerane dhe fondi emergjent (i FAO-s) t’i ndihmojë me kuponë fermerët e prekur nga këto përmbytje. Me anë të këtyre, do t’iu mundësohet fermerëve të bëjnë inpute të domosdoshme për fermat e tyre, si farë, pleh, vegla pune, aparate ujitjeje, pjesë rezerva dhe mallra tjera të domosdoshme sipas nevojave të tyre… Dua të falënderoj qeverinë zvicerane, organizatën (FAO) për përkrahje e fermerëve të dëmtuar nga këto vërshime, gjithsesi ne si komunë jo vetëm që jemi të interesuar por shprehim gatishmërinë e plotë që të vazhdojmë bashkëpunimin me qeverinë zvicerane, me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësinë (FAO) dhe si dhe të thellojmë bashkëpunimin” shtoi Latifi.

    Ndërsa, zëvendësdrejtori për bashkëpunim nga Zyra e Zvicrës, Laurent Torche tha se përmes kësaj ndihme për bujqit në komunën e Rahovecit dëshiron të sigurojë mirëqenie dhe kapacitet të produkteve bujqësore.

    Ai shtoi se dy vendet kanë bashkëpunim të shkqlqyeshëm dhe se Zvicra do të ofrojë mbështetje për fermerët e Kosovës edhe në vitet e ardhshme.

    “Ne kemi kërkuar nga institucionet e Kombeve të Bashkuara dhe kemi qenë në fleksibilitet për të ndihmuar njerëzit, pas këtyre vërshimeve, ne po dëshirojmë të sigurojmë mirëqenien dhe kapacitetin e produkteve të cilat janë të prekura nga vërshimet… Ne bashkë kemi një raport tani të shkëlqyer me Qeverinë e Kosovës, do të vazhdojmë vitet e ardhshme duke mbështetur sistemin e projekteve në Kosovë, nëpërmjet projekteve të fundit, Zvicra është e përkushtuar që të mbështesë, ofrojë këtë mbështetje në vitet në vijim”, tha Torche.

    Po ashtu, udhëheqësi vendor i organizatës (FAO), Naser Krasniqi tha se bujqit përmes kuponëve me shumën prej 300 euro do të mund të vazhdojnë aktivitetin bujqësor, ani pse theksoi se është një shumë e vogël për fermerët e Rahovecit.

    “Jemi këtu për të i’u dhuruar disa kupona të cilët do të shënojnë vlerën prej 300 euro në tërësi dhe më këta kuponë ju do të keni mundësi që do të bleni produkte bujqësore dhe do të filloni me aktivitetet bujqësore dhe prodhimtari bujqësore ashtu siç keni pasur para vërshimeve. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo vlerë është shumë e vogël për nevojat e juaja por të paktën mendojmë se është një mbështetje për rimëkëmbje dhe rifillim të aktiviteteve bujqësore. Përkrahja përmes fondeve që i ka siguruar (FAO) do të ofrohet në tërësi për 9 komuna, për 919 familje bujqësore dhe këta fermerë ose këto familje do të kenë mundësi të blejnë inpute bujqësore prej periudhës kur do të shpërndahen deri më 5 nëntor të këtij viti”, tha Krasniqi.

  • iPhone 15 erdhi – a ia vlen dhe sa janë çmimet?

    iPhone 15 erdhi – a ia vlen dhe sa janë çmimet?

    Apple të martën prezantoi gjeneratën e re të iPhone-ave, të cilën e karakterizojnë kamera më të mira, procesorë më të shpejtë, një sistem i ri i mbushjes, dhe një ngritje çmimi për modelin më të avancuar.

    Prezantimi i telefonave të rinj mobilë në selinë e gjigantit teknologjik në Kupertino, Kaliforni, u bë teksa Apple po përpiqet ta përmbysë një rënie të shitjeve për tre çerekmujorë radhazi.

    Shitjet më të pakta kanë bërë që çmimi i aksioneve të kompanisë të bjerë për rreth 10 për qind që nga mesi i korrikut, duke e zvogëluar vlerën e Apple-it në treg nën pragun prej 3 trilionë dollarësh, që firma e arriti për herë të parë më herët këtë vit.

    Investitorëve me sa duket nuk iu bënë shumë përshtypje produktet e prezantuara nga Apple më 12 shtator, teksa aksionet e kompanisë ranë për gati 2 për qind të martën.

    Siç ka ndodhur me Apple-in dhe me prodhuesit e tjerë të telefonave të mençur, katër modelet e reja të iPhone 15-shit nuk kanë bërë ndonjë përparim të madh në teknologji.

    Por, Apple ka shtuar mjaftueshëm veçori të reja në modelin më të avancuar – iPhone 15 Pro Max – për ta rritur çmimin e tij bazë për 100 dollarë në Shtetet e Bashkuara, apo 9 për qind në krahasim me versionin e vitit të kaluar, në 1.200 dollarë.

    Si pjesë e çmimit më të lartë bazë, iPhone 15 Pro Max më i lirë do të ofrojë 256 gigabajtë hapësirë të brendshme, në krahasim me versionin më pak të kushtueshëm prej 128 gigabajtësh të iPhone 14 Pro Max-it.

    Apple i ka mbajtur të njëjta çmimet për pjesën tjetër të modeleve, teksa iPhone 15 bazik do të shitet për 800 dollarë, iPhone 15 Plus për 900, ndërsa iPhone 15 Pro për 1.000 dollarë.

    Ndonëse ruajtja e këtyre çmimeve pritet të ndikojë në fitimet e Apple-it dhe t’i bëjë trysni shtesë çmimit të aksioneve të kompanisë, analisti nga Investing.com, Thomas Monteiro, beson se ky është një hap i kujdesshëm, teksa inflacioni ende i lartë dhe shkalla e interesit në rritje po i tkurrin buxhetet e familjeve.

    “Realiteti është se Apple e ka gjetur veten në një pozitë sfiduese para kësaj ngjarjeje”, ka pohuar Monteiro.

    Dhe, rritja e çmimit të iPhone 15 Pro Max-it mund t’i ndihmojë Apple-it t’i rrisë shitjet, nëse konsumatorët vazhdojnë të anojnë nga modelet më të avancuara të kompanisë. Analisti nga Wedbush Securities, Dan Ives, pret që iPhone 15 Pro dhe Pro Max të përbëjnë rreth 75 për qind të shitjeve totale të gjeneratës së re në vitin pasardhës.

    Të gjitha modelet e reja do të dalin në shitje më 22 shtator në SHBA dhe në disa tregje tjera perëndimore, ndërsa porositë do të nisin këtë të premte.

    Një prej ndryshimeve më të mëdha që Apple njoftoi të martën është një mënyrë e re për t’i mbushur modelet e iPhone 15-shit dhe gjeneratat e ardhshme. Kompania ka kaluar në standardin USB-C, i cili tashmë përdoret gjerësisht në shumë pajisje, përfshirë kompjuterët e saj Mac dhe shumë prej iPad-ëve të saj.

    Apple është detyruar të pensionojë kabllot me portin e quajtur Lightning, që i prezantoi më 2012, për shkak të një vendimi që rregullatorët evropianë planifikojnë ta zbatojnë nga viti 2024.

    Ndonëse konsumatorët shpesh nuk i pëlqejnë ndryshimet, kalimi në portet USB-C mund të mos jetë aq i papërshtatshëm – për shkak se ky standard është në përdorim të gjerë në një varg kompjuterësh, telefonash të mençur e pajisjesh të tjera që njerëzit tashmë i posedojnë.

    Kalimi në USB-C mund të rezultojë edhe hap i pëlqyer, pasi ky standard zakonisht i mbush pajisjet më shpejt, si dhe siguron bartje më të shpejtë të të dhënave.

    Modelet bazike të iPhone 15-shit janë ridizajnuar për të ofruar një hapësirë ndryshuese në ekranin e telefonave, të cilën Apple e quan “Ishulli Dinamik”, për njoftime nga aplikacionet – një risi që u soll me pajisjet e vitit të kaluar Pro dhe Pro Max.

    Ato, po ashtu, kanë çip më të shpejtë, që është përdorur në modelet Pro dhe Pro Max të vitit të kaluar, përderisa iPhone 15-shat më të avancuar fuqizohen nga një procesor edhe më i avancuar, i cili u mundëson pajisjeve t’i akomodojnë të njëjtat videolojëra që zakonisht mund të luhen vetëm në aparate lojërash.

    iPhone 15 Pro dhe Pro Max do të kenë edhe atë që Apple pohon se është ekuivalent i shtatë thjerrave të kamerave. Sistemi i kamerave përfshin një thjerrë telefotografike të stilit të periskopit, i cili do të përmirësojë cilësinë e fotografive të shkrepura nga largësi të mëdha.

    Thjerra telefotografike ofron zmadhim optik deri në pesë herë – duke ngecur prapa zmadhimit deri në 10 herë që mundëson modeli i avancuar Galaxy S22 Ultra i Samsung-ut – por përfaqëson një përparim nga zmadhimi deri në 3 herë që ofrojnë iPhone 14 Pro dhe Pro Max.

    Apple ka vendosur t’i veshë modelet premium me titan, që kompania thotë se është materiali i njëjtë që përdoret në disa anije kozmike.

    Përveç iPhone-ave të rinj, Apple po ashtu ka prezantuar gjeneratën e saj të ardhshme të orëve të mençura – një produkt që debutimin e pati gati një dekadë më parë.

    Seria 9 e Apple Watch-it, që do të jetë në shitje nga 22 shtatori, vjen me një mundësi për kontrollimin e pajisjes me një gjest, i cili iu mundëson përdoruesve t’i menaxhojnë alarmet dhe t’iu përgjigjen thirrjeve telefonike duke e prekur dy herë gishtin e madh me një gisht tjetër.

  • Kosova e Izraeli do të prodhojnë filma sëbashku – artistët cilësohen diplomatët më të mëdhenj

    Kosova e Izraeli do të prodhojnë filma sëbashku – artistët cilësohen diplomatët më të mëdhenj

    Në kuadër të PriFest-it, është mbajtur panel diskutimi me temën “Prezantimi i marrëveshjes së bashkëprodhimit Izrael-Kosovë”, raporton EO.

    Hajrullla Çeku, ministër i Kulturës, tha se është shumë i gëzuar për arritjen e kësaj marrëveshje dhe se sipas tij, kjo marrëveshje do t’u krijojë shumë mundësi producentëve dhe krijuesve të filmit.

    “Jam shumë i lumtur për arritjen e marrëveshjes për filmin dhe besoj se kjo i jep vlerë më të madhe marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit”.

    “Të gjithë prodhuesit e filmave dhe producentët duhet ta konsiderojnë këtë një mundësi të madhe. Mendoj që një numër i projekteve janë realizuar, e di që ka më shumë që duhet të vijnë, shumë reforma janë bërë gjatë dy viteve”, tha ai.

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammar Ziv, tha se Kosova dhe Izraeli kanë shumë të përbashkëta, e sipas saj, ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm.

    “Së pari jam shumë e lumtur që jam këtu është eventi i parë për Kosovën edhe Izraelin që janë duke bashkëpunuar për filmin. Kemi 12 filma që po shfaqen këtu”.

    “Ne besojmë në diplomacinë publike. Besoj shumë që të dyja shtetet sëbashku mund të bëjmë për skenën e filmit. Ne ndajmë një kulturë të vjetër. Jam shumë optimiste se do të jetë një fillim i mirë i bashkëpunimit”, tha ajo.

    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, tha se Kosova është një vend i vogël, por që ka potencial të madh dhe se artistët janë diplomatët më të mëdhenj, raporton EO.

    “Kjo marrëveshje është vetëm e para, do të ketë edhe shumë të tjera. Jemi të vogël por kemi potencial të madh”, tha ajo.

  • Zhvillohet trajnimi ndërkombëtar për trajnerë të basketbollit i organizuar nga Kolegji AAB dhe Federata e Basketbollit të Kosovës

    Zhvillohet trajnimi ndërkombëtar për trajnerë të basketbollit i organizuar nga Kolegji AAB dhe Federata e Basketbollit të Kosovës

    Është mbajtur trajnimi ndërkombëtar për trajnerë të basketbollit i organizuar nga Kolegji AAB dhe Federata e Basketbollit të Kosovës. Ky trajnim u mbajt me dy ligjëruesit që janë trajnerë të njohur nga SHBA – Brad Soderberg dhe Evropa – Luca Palumbo.

    Të pranishëm në këtë trajnim ishin një numër i madh i trajnerëve të klubeve të basketbollit nga tërë Kosova dhe të gjitha kategoritë, si dhe studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit të Kolegjit AAB.

    Trajnerët sollën përvojat dhe teknikat bashkëkohore të trajnimit nga basketbolli, ndërsa dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit Fatmir Pireva ligjëroi tema rreth qasjes shkencore dhe aplikimit të metodologjive të reja për sportin e basketbollit. Të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata në fund të trajnimit.

  • ​Historike/ Katër arbitra shqiptarë ndajnë drejtësinë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve

    ​Historike/ Katër arbitra shqiptarë ndajnë drejtësinë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve

    Arbitrat shqiptarë vazhdojnë të ngjisin shkallët e karrierës në arenën ndërkombëtare dhe së fundmi një lajm i mirë vjen nga UEFA. Për herë të parë në histori, një katërshe arbitrash shqiptarë do të gjykojnë një ndeshje të fazës së grupeve në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, Ligën e Kampionëve.

    Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se arbitrat Enea Jorgji, kryesor, asistentët Denis Rexha e Ridiger Çokaj, si edhe Florian Lata si arbitër i katërt, do të drejtojnë ndeshjen e Grupit G, Young Boys-Leipzig, që do të luhet më 19 shtator në Zvicër.

    Ky është një tjetër lajm i shkëlqyer dhe një sukses për arbitrimin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, që marrin një vlerësim të tillë nga UEFA. Kjo vërteton edhe një herë rritjen e arbitrimit shqiptar dhe përfaqësimin në nivele të larta të skenës së futbollit europian e botëror.

    Enea Jorgji është promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA në kategorinë e parë, ndërsa me paraqitjet e tij në Europë, synon që shumë shpejt të arrijë në kategorinë më të lartë të arbitrimit “Elite”, që në fakt është edhe objektivi për të gjithë ata që fillojnë profesionin e arbitrit.

    Në të kaluarën arbitrat shqiptare kanë drejtuar ndeshje ndërkombëtare të niveleve eliminatore apo edhe miqësore ndërkombëtar të rëndësishme, por jo ndeshje të fazës së grupeve të UEFA Ligës Kampionëve.

  • ​Një i vdekur dhe 67 raste pozitive me COVID-19 në dy javët e fundit

    ​Një i vdekur dhe 67 raste pozitive me COVID-19 në dy javët e fundit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njofton se në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) është raportuar 1 rast i vdekjes me COVID-19 dhe 67 raste pozitive dhe.

    Sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

    “Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë”, thuhet në njoftim.

    Sipas IKShPK-së përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Kosovë me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19.

  • Kualifikimi në Evropian – Shqipëria do të marrë miliona euro nga UEFA

    Kualifikimi në Evropian – Shqipëria do të marrë miliona euro nga UEFA

    Ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 nuk janë thjesht një luftë për të marrë pjesë në ndeshjet direkte të Euro 2024, por edhe një betejë për të fituar sa më shumë të ardhura.

    Në total, për ekipet pjesëmarrëse do të shpërndahen 371 milionë euro, ndërkohë gjatë edicionit të mëparshëm kjo shifër ishte 301 milionë.

    Shqipëria me pozitat që ka aktualisht dhe duke parë ndeshjet e mbetura në Grupin E, është pranë prerjes së një bilete për në finalet e këtij kompeticioni.

    Dhjetë pikë dhe kryesuese në grup, kuqezinjve u mjaftojnë vetëm 5 pikë në tri ndeshjet e mbetura për të parë veten në Gjermani qershorin e ardhshëm, teksa do të përballet me Çekinë në muajin tetor, ndërsa në nëntor dy sfidat e tjera me Moldavinë në transfertë.

    Kombëtarja që arrin kualifikimin në Evropian, do të marrë plotë 9.25 milionë euro. Ndërkaq përfitimet nuk do të ndalen me kaq.

    Kombëtaret do të shpërblehen edhe për çdo fitore në grupe dhe kalimet në fazat e radhës.

    1.5 milionë euro për çdo fitore në grup dhe 750 mijë euro për barazim.

    2 milionë euro për çdo kombëtare që kalon në raundin e 1/16-ave.

    3.25 milionë euro për çdo kombëtare që arrin në çerekfinale.

    5 milionë euro për çdo kombëtare që arrin në gjysmëfinale.

    7 milionë euro për finalistin që humbet.

    10 milionë euro për fituesin e Euro 2024.