ATV

Author: ATVLive

  • Rama: Konfliktet e vogla mund të ndezin luftë ballkanike

    Rama: Konfliktet e vogla mund të ndezin luftë ballkanike

    Kryeministri Edi Rama, në Ministerialin e Ministrave të Ekonomisë, është shprehur se lufta duhet shmangur me çdo mjet, duke theksuar se përmes konflikteve më të vogla mund të ndizet një luftë jo vetëm Ballkanike, por evropiane e botërore.

    “Besoj shumë fort se sa më e mirë të jetë atmosfera e bashkëpunimit, aq më e mirë është hapësira për të trajtuar çështje të vështira. Të biesh dakord, për të mos rënë dakord, nuk na ka penguar për të gjetur fjalën e përbashkët dhe të punojmë së bashku në shumë fusha.

    600 mijë shoqëri tregtare në Ballkanin Perëndimor kanë përfituar nga aktivitetet e tregtisë, nga heqjet e barrierave, nga panairet e përbashkëta.

    Dua të citoj pa leje mikun e dashur francez që kemi këtu, që dje më kujtoi diçka thelbësore që nuk duhet të harrohet por mbështetet në shembuj, si ai franko-gjerman. Më tha se gjyshërit e tij e kanë parë me sytë e tyre dhe pikërisht nga pamjet e tmerrshme, nga kujtesat e tmerrshme nga ajo që lufta nënkuptoi për Francën e Gjermaninë, Franca vendosi ti shtrijë dorën e bashkëpunimit Gjermanisë, ishte gjest i guximshëm në atë kohë, kjo i hapi rrugës Evropës që kemi.

    Sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është e rëndësishme mos ta shohim luftën si video-lojë, por si katastrofë që duhet ta shmangim me çdo mjet, kudo, në çdo lloj forme, edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit mjafton për të ndezur një luftë Ballkanike, por edhe një luftë evropiane e botërore.

    Duhet ta bëjmë këtë rajon një terren të lulëzuar për njerëzit. Falenderoj Dhomat e Tregtisë. Çdo ditë ka nevojë për të bërë më shumë. Na duhet më shumë Evropë në Ballkanin Perëndimor dhe qasje në organizmin e BE, të shumë organizmave të tij, për këtë bëhet fjalë. Ky Saimit dhe këto hapa drejt 16 tetorit, ku të gjithë udhëheqësit mblidhen në Tiranë për këtë bënë fjalë. Pres me padurim rezultatet e këtij takimi dhe sigurisht do të bëjmë maksimumin për të dhënë më shumë për njerëzit që japin kohën, energjinë e tyre, gjithë punën e tyre për ekononimitë tona, sepse kemi shumë mundësi. Rritja e viteve të fundit ka treguar se ajo që mund të bëjmë duke u hapur kundrejt njëri tjetrit, duke shdërruar këtë rajon në këtë hapësirë që është e mirë për të gjithë ata njerëz punëtore e ndërmarrje, na bën të hedhim hapim më të rëndësishëm drejt hapësirë më të gjerë të Bashkimit Europian.”, tha Rama.

  • Nënshkruhet memorandum i bashkëpunimit për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut

    Nënshkruhet memorandum i bashkëpunimit për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut

    Në kabinetin e Ministrit Hajrulla Çeku, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

    Ministri Çeku dhe Ambasadori Jeffrey Hovenier fillimisht u janë drejtuar medieve më është zhvilluar ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit.

  • Serbia solidarizohet me terroristët, shpall të mërkurën ditë zie kombëtare

    Serbia solidarizohet me terroristët, shpall të mërkurën ditë zie kombëtare

    Qeveria e Serbisë është solidarizuar me terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës të dielën, duke lënë të vdekur në rreshter forcave kosovare të rendit të vrarë.

    Në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur sot Qeveria e Serbisë ka njoftuar se ka shpallur 27 shtatorin, ditën e e nesërme si ditë zie, siç kanë thënë ata në “respektim të viktimave të së dielës në Kosovë”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë viktimat në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.

  • Policia e bart nga Banjska autoblindën që e përdorën terroristët serbë

    Policia e bart nga Banjska autoblindën që e përdorën terroristët serbë

    Policia e Kosovës ka sekuestruar autoblindën, që dyshohet se është gjetur mëngjesin e sotëm në malet e fshatit Banjskë të Zveçanit.

    Brenda autoblindës dyshohet se ka pasur lloje të ndryshme të armatimit.

    Autoblinda e sekuestruar dyshohet se është përdorur nga grupi terrorist serb, gjatë sulmit mbi Policinë e Kosovës të dielën, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

  • Një nga veturat që u gjet në veri ka vlerë mbi 1 milionë euro

    Një nga veturat që u gjet në veri ka vlerë mbi 1 milionë euro

    Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të madhe armatimi, vetura, uniforma, dokumente, e gjësende të ndryshme, që dyshohet se janë përdorur nga grupi terrorist në sulmin kundër policisë në veri.

    Një prej veturave të konfiskuara, e cila është e tipit Mercedes Benz G63 AMG, që u raportua se i takon Millan Radoiçiqit, ka vlerën prej 1.2 milionë euro, dhe e njëjta është e blinduar, ka shkruar Betimi për Drejtësi.

    Vetura e njëjte, gjatë sulmit në veri, mbante mbishkrimin e KFOR-it, duke pretenduar kështu që i takon njësive të tyre.

  • Osmani kujton Masakrën e Abrisë: Regjimi i Millosheviqit ua mori jetën egërsisht 23 anëtarë të familjes Deliu

    Osmani kujton Masakrën e Abrisë: Regjimi i Millosheviqit ua mori jetën egërsisht 23 anëtarë të familjes Deliu

    Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e Abrisë 25 vjet më parë nga forcat serbe.

    “25 vjet më parë, regjimi gjenocidal i Millosheviqit, pamëshirshëm dhe egërsisht ua mori jetën, duke masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, fëmijë, pleq, gra e të rinj nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeçe”, ka shkruar Osmani.

    Osmani kujtoi edhe dëshmorët që ranë në këtë ditë, duke luftuar për liri.

    “Në këtë ditë kujtojmë edhe heroizmin e dëshmorëve të UÇK-së, Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë në altarin e lirisë. Le t’i kujtojmë të gjithë ata që humbëm me dashuri e respekt, dhe le të punojmë së bashku që autorët e krimit të vihen para drejtësisë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!”, ka shkruar Osmani.

  • Plagoset një person në Prishtinë

    Plagoset një person në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vrasjes në tentativë që raportohet të ketë ndodhur të hënën mbrëma në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë, pas një mosmarrëveshjeje, një i panjohur ka shtënë me armë zjarri drejt një burri duke i shkaktuar lëndime në dorë.

    “Viktima mashkull kosovar është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi që dyshohet se ndaj të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale i dyshuari mashkull i panjohur ka shtënë me armë zjarri dhe si pasojë ka pësuar lëndime në dorë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Rusia: Gjakderdhja në veri të Kosovës, pasojë direkte e politikës së Kurtit

    Rusia: Gjakderdhja në veri të Kosovës, pasojë direkte e politikës së Kurtit

    Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se “gjakderdhja e fundit në veri të Kosovës është pasojë direkte e politikave” të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

    Në uebfaqen e MPJ-së ruse, Zakharova është cituar të ketë thënë se “ka kërcënim të vazhdueshëm për spastrim etnik në Kosovë”.

    “S’ka dyshim që gjakderdhja është pasojë direkte e kursit të të ashtuquajturit ‘kryeministër’ Albin Kurti, me qëllim të nxitjes së luftës dhe spastrimit etnik të kësaj pjese të territorit”, thuhet në deklaratën e saj.

    Aty shtohet se përpjekjet e Kurtit “për të përshkallëzuar situatën për të shkaktuar presion nga Perëndimi mbi lidershipin serb, në mënyrë që Beogradi ta njohë ‘pavarësinë’ e Kosovës, është lojë e vazhdueshme me zjarrin, që, siç po shihet, është shumë e shtrenjtë dhe sjell tërë rajonin e Ballkanit në rrezik”.

    Zakharova ka akuzuar edhe Policinë e Kosovës për “operacione sistematike ndaj komunitetit serb”.

    Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

  • Tre pjesëtarët e grupit që kryen sulm terrorist arrijnë në gjykatë, prokuroria kërkon paraburgim

    Tre pjesëtarët e grupit që kryen sulm terrorist arrijnë në gjykatë, prokuroria kërkon paraburgim

    Tre pjesëtarët e grupit serb që të dielën kanë kryer sulm terrorist në veri, kanë arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku do të mbahet seanca

    Seanca ndaj tyre pritet të nisë në ora 10:00.

    Ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit.

    “Prokuroria Speciale njofton opinionin se kërkesa është bërë kundër tre (3) të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Sveçla në BBC tregon si ndodhi sulmi terrorist ndaj policisë, pyetet edhe nëse Kosova do të kthehet në dialog

    Sveçla në BBC tregon si ndodhi sulmi terrorist ndaj policisë, pyetet edhe nëse Kosova do të kthehet në dialog

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka shpjeguar në BBC se si ndodhi ngjarja e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku nga një sulm terrorist.

    Sveçla tregoi se ishin njësi normale të policisë që po bënin punën e tyre të zakonshme kur u përballën me sulmin terrorist.

    BBC pati një pyetje për ministrin Sveçla rreth mundësisë së përkeqësimit të situatës dhe nëse Kosova do të kthehet në tavolinën e dialogut.

    “A frikësoheni nga rikthimi i dhunës së tmerrshme të të 90-ave apo ka një rrugë kthimi në tavolinën negociuese”, pyeti BBC.

    “Ka një rrugë kthimi në negociata. Padyshim që ajo që duam të bëjmë është që të sigurojmë që të gjithë të ndihen të sigurt dhe ne sigurojmë sundim të ligjit dhe siguri për secilin qytetar, pavarësisht etnisë”, u përgjigj Sveçla.