ATV

Author: ATVLive

  • Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të skulptorit Luan Mulliqi

    Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të skulptorit Luan Mulliqi

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetin kulturor me rastin e ndarjes nga jeta të skulptorit Luan Mulliqi.

    “Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta skulptorit Luan Mulliqi. Veprat e tij artistike do të mbeten trashëgimi e jona dhe kujtesë e përhershme e tij. Pas vetes la një fond të pasur artistik nga skulptura monumentale bashkëkohore dhe ajo kombëtare. Do të jetojmë përjetësisht me kujtimin e skulptorit të shquar. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetit kulturor!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.

  • ASK lajmëron përsëri që regjistrimi i popullsisë mund të shtyhet, Qeveria s’flet

    ASK lajmëron përsëri që regjistrimi i popullsisë mund të shtyhet, Qeveria s’flet

    Regjistrimi i popullsisë së Kosovës mund të shtyhet përsëri nëse nuk sigurohen tabletët që duhen për këtë proces. Nga Agjencia e Statistikave kanë bërë të ditur për Radio Kosovën se sigurimin e materialeve për këtë proces e ka marrë përsipër Qeveria e Kosovës, në mënyrë që regjistrimi të fillojë më 1 nëntor. Por, nga Qeveria ende nuk kanë kthyer përgjigje. Sfidë mbetet edhe regjistrimi i komunitetit serb që jeton në Kosovë.

    Regjistrimi i popullsisë, i cili do të duhej të fillonte në shtator të këtij viti, u shty nga Qeveria e Kosovës për 1 nëntor. Por, ky regjistrim mund të shtyhet përsëri nëse nuk sigurohen materialet e nevojshme për këtë proces. Zyrtarja e lartë për komunikim me publikun në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Hazbije Qeriqi, tha për Radio Kosovën se janë duke punuar për procesin e regjistrimit, por sfida kryesore mbetet sigurimi i tabletëve me anë të të cilëve do të bëhet ky regjistrim. Ajo bëri të ditur se nëse nuk mund të sigurohen tabletët brenda afatit, atëherë procesi i regjistrimit të popullsisë mund të shtyhet.

    “Sigurisht se duhet të shtyhet, për shkak se me mënyra të tjera më nuk kemi kohë. Për dallim nga viti 2011, ku regjistrimi është zhvilluar me letër, kësaj radhe ne kemi planifikuar që regjistrimi të kryhet përmes tabletëve me aplikacione elektronike. Pra, nuk e kemi komoditetin të vazhdojmë në forma të tjera”, tha Qeriqi.

    Ajo bëri të ditur se kanë pasur takime të shumta me qeverinë dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilat kanë marrë përsipër që të sigurojnë tabletët përmes procedurave tenderuese. Ajo tha se Agjencia e Statistikave pati nënshkruar në muajin gusht një kontratë me një kompani që do të sillte tabletët në muajin shtator, por kjo ka dështuar pasi kompania nuk i ka plotësuar kriteret e përcaktuara. Për këtë arsye me këtë kompani është shkëputur kontrata dhe është angazhuar qeveria për t’i siguruar tabletët me kohë. Radio Kosova ka kërkuar nga qeveria përgjigje nëse ka arritur t’i sigurojë tabletët, në mënyrë që procesi i regjistrimit të popullsisë të fillojë me 1 nëntor, por nuk ka marrë përgjigje.

    Për procesin e regjistrimit të popullsisë, sfidë mbetet edhe regjistrimi i komunitetit serb, për të cilin, Qeriqi bëri të ditur se do të dalin shumë shpejt me një fushatë sensibilizuese.

    “Agjencia e Statistikave të Kosovës përgatitet edhe për territorin e veriut të Kosovës, ku mendojmë ta mbulojmë të gjithë territorin e Kosovës, e sigurisht që fushata sensibilizuese do ta përfshijë edhe atë pjesë. Me rëndësi është se me formimin e Komisionit Qendror nga Qeveria e Kosovës, ata kanë krijuar edhe komisionet komunale, që në fillim kanë mundur vetëm 34 komuna të formojnë komisionet. Ndërsa, së fundmi me ardhjen e kryetarëve të rinj në komunat në veri janë formuar edhe komisionet komunale për atë pjesë me komunitetet serbe”, tha ajo.

    Përgatitjet për procesin e regjistrimit kanë pasur edhe sfida të tjera. Zyrtarja për komunikim, Hazbije Qeriqi, tha se konkursi për regjistrues e mbikëqyrës është mbyllur, ndërsa numri i kandidatëve që kanë aplikuar për regjistrues, që duhet të ishte rreth 3 mijë e 500, nuk është plotësuar, pasi nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm. Kurse, për mbikëqyrës është plotësuar numri.

    Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1,8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë, pasi kishin refuzuar procesin.

  • QKUK: Profesori nga Australia po kryen operacione të komplikuara tek fëmijët

    QKUK: Profesori nga Australia po kryen operacione të komplikuara tek fëmijët

    Për herë të dymbëdhjetë, profesori dhe humanisti, Paddy Dewan, nga Australia, bashkë me ekipin e mjekëve nga Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe Anesteziologjisë, po kryejnë operacione tek fëmijët që kanë anomali të lindura kirurgjike komplekse.

    Sipas QKUK-së, ky ekip ka kryer operacione dhe konsultime edhe gjatë fundjavës, kurse në tërësi do të operohen 19 fëmijë, kurse janë konsultuar-vizituar 32 fëmijë me probleme kirurgjike.

    Ekipi i udhëhequr nga profesori nga Australia ka ardhur në Kosovë me 18 tetor dhe do të qëndroj deri me 25 tetor 2023.

  • Kreu i burgjeve të Kosovës po merr pjesë në konferencën e madhe ndërkombëtare të Shërbimeve Korrektuese

    Kreu i burgjeve të Kosovës po merr pjesë në konferencën e madhe ndërkombëtare të Shërbimeve Korrektuese

    Drejtori i burgjeve në Kosovë, Ismail Dibrani po qëndron për vizitë zyrtare në Belgjikë.

    Në konferencën ndërkombëtare me drejtorët e Shërbimeve Korrektuese, po marrin pjesë 73 shtete.

    Në këtë ngjarje të madhe për Shërbimin Korrektues, Dibrani takoi edhe Komesioneren e Shërbimit Korrektues të Singaporit znj. Shie Young Lee.

    Njoftimi i Dibranit:

    Në hapje të Konferencës Ndërkombëtare me drejtorët e Shërbimeve Korrektuese që po mbahet në Belgjikë e ku po marrin pjesë 73 shtete pata rastin të takoj Komesioneren e Shërbimit Korrektues të Singaporit znj. Shie Young Lee.

    Konferenca do të jetë mundësi e mirë për të takuar përfaqësuesit e shumë shteteve ku do të diskutojmë thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha.

  • Astrit Ajeti i drejtohet Ismet Munishit: Mos shko në studio televizive

    Astrit Ajeti i drejtohet Ismet Munishit: Mos shko në studio televizive

    Ish futbollisti i shumë skuadrave vendore Astrit Ajeti, ka qenë i ftuar në emisionin e sportit ‘A PLAY’ në ATV.

    Ajeti e ka komentuar edhe largimin e Ismet Munishit nga klubi FC Ferizaj.

    ‘Për Ismetin kam shumë respekt, kemi luajtur në të njëjtën kohë me ta. Ismeti jo veç si trajner por edhe si lojtar ka qenë temperament. I kisha propozu Ismetit që në të ardhmen të merret ma shumë me klub. Ismeti dhe çdo kush që është trajner i një klubi të futbollit, për mendimin tim nuk duhet të bëhet analist, për deri sa ka klub’ tha Ajeti.

    Për më shumë ndiqeni emisionin në linkun më poshtë./Atvlive.tv

  • Konjufca pas vdekjes së Mulliqit: Puna e tij do ta shënojë përgjithnjë hapësirën publike me monumente e skulptura

    Konjufca pas vdekjes së Mulliqit: Puna e tij do ta shënojë përgjithnjë hapësirën publike me monumente e skulptura

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se me pikëllim të thellë e pranoi lajmin për vdekjen e skulptorit Luan Mulliqi.

    Shefi i Kuvendit, theksoi se puna e jashtëzakonshme e të ndjerit do të shënojë përgjithnjë hapësirën publike me monumente e skulptura të nënshkruara me prurjen e rrallë artistike, raporton Klankosova.tv

    “Ai do të jetojë i paharruar në kujtesën tonë. Puna e tij e jashtëzakonshme do ta shënojë përgjithnjë hapësirën publike me monumente e skulptura të nënshkruara me prurjen e rrallë artistike. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, të afërmit, të njohurit dhe kolegët e tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij dhe u prehtë në paqe!”, shkroi Konjufca në Facebook.

  • Liburn Aliu në Hagë: Nuk dihet cilët nga krerët e UÇK-së i takoi

    Liburn Aliu në Hagë: Nuk dihet cilët nga krerët e UÇK-së i takoi

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

    Ai ka realizuar një vizitë në qendrën e paraburgimit, megjithatë nuk dihet se kënd nga liderët e UÇK-së e takoi atje.

    Fotografia është publikuar në facebook.

    “Të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës është e pastër dhe Gjykata Speciale është kundër lirisë së Kosovës”, thuhet në postim.

  • Kryetari i FC Ferizaj: Ismet Munishi dha dorëheqje, lojtarët e kanë pritur shumë rëndë largimin, disa kanë qarë

    Kryetari i FC Ferizaj: Ismet Munishi dha dorëheqje, lojtarët e kanë pritur shumë rëndë largimin, disa kanë qarë

    Kryetari i klubit FC Ferizaj, Lulzim Abazi në një intervistë ekskluzive për emsionin ‘A PLAY’ në ATV, ka folur pas largimit të Ismet Munishit, nga klubi i FC Ferizaj.

    Abazi ka deklaruar që trajneri Ismet Munishi ka dhënë vet dorëheqje pasi që sipas tij ai i kishte kërkuar të qëndronte.

    ‘Pas lojës që patëm me ekipin e Vjosës ku edhe pësuam humbje, në ditën e nesërme patëm një mbledhje ku ishte i pranishëm edhe trajneri Ismet. Trajneri aty u tha lojtarëve  që ai nuk ka çfarë të jap më shumë. Unë insistova që të qëndrojë, por e kishte vendosur. Po ua them që largimin nuk e priti askush mirë, madje kishte edhe lot nga disa lojtarë’ tha Abazi.

    Kujtojmë që me trajnerin Ismet Munishi, FC nga nëntë takime në Ligën e Parë kishte arritur 4 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje duke grumbulluar 14 pikë dhe duke u renditur në vendin e katër me 7 pikë prapa Ulpianës lidere./Atvlive.tv 

  • Rrëfimi i Asanit: Të gjithë pagën ia dërgoj babait, për Kombëtaren prita deri në 8 vite

    Rrëfimi i Asanit: Të gjithë pagën ia dërgoj babait, për Kombëtaren prita deri në 8 vite

    Sulmuesi Jasir Asani ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Kombëtares në kualifikueset e “Europianit Gjermani 2024”. Emri i tij është shndërruar në më të lakuarin në botën e futbollit.

    Së fundmi 28-vjeçari nga Maqedonia e Veriut ka dhënë një intervistë për emisionin “Më lër të flas”.

    I cilësuar si një ndër futbollistët më të mirë të kombëtares Asani tregon vështirësitë që ka kaluar për tu bërë pjesë e futbollit.

    Ai ka rrëfyer momentin e parë kur i erdhi telefonata për të qenë pjesë e Kombëtares teksa shprehet se nuk e ka menduar dy herë.

    Gjithashtu në këtë intervistë Asani ka thyer zemrat e shume prej vajzave shqiptare kur ka treguar se aktualisht ai është në një marrëdhënie dashurie.

    PJESË NGA INTERVISTA

    Kemi dëgjuar thashetheme të tilla që Shqipërinë në 2016 në Europian e çoi Ballist Morina, tani thonë në 2024 do e çoi Jasir Asani! Ose ajo tjetra “Je shumë e bukur si goli i Jasir Asanit” Na trego pak si ndihesh tani që je njeriu më i famshëm i momentit.

    Të luash me Kombëtaren është diçka shumë e veçantë sepse pas sa vitesh jemi në prag te kualifikimit kemi edhe 2 ndeshje na duhet edhe një pikë besoj se do i mundim nuk e besoj që kjo ndeshje do të na sjell probleme.

    Edhe sa për famën është mirë të jesh i famshëm por edhe privat.

    Të pëlqen privatësia?

    Po privatësia më pëlqen shumë ndonjëherë është më mirë.

    Ke në plan të bësh ndonjë këngë ?

    Jo nuk jam unë për ato gjëra po të ishte ashtu do të isha këngëtarë.

    Si kanë qenë nisjet e tua kur lindi dëshira që ti të merreshe me futboll?

    Unë kam filluar të stërvitëm dhe të luaj që në moshën 6-vjeçare kjo pasi edhe babai im ka luajtur futboll në Maqedoni e kishte shumë qejf futbollin ka qenë mbrojtës i djathtë. Unë kam luajtur edhe kundër babit tim.

    A është ky rasti ku nxënësi bëhet më i mirë se mësuesi?

    Nuk e di nuk është shumë e lehtë të luash kundër ti ai të gris fanellën vetëm që të fitoj.
    Në moshën 14 vjeçare jam aktivizuar me një skuadër isha i 4-ti shqiptare aty. Pastaj isha vetëm 16-vjeç dhe isha kapiten i ekipit tim të parë. Dhe kështu filloi çdo gjë dhe lindi një interesim i madh për futbollin.

    Sa e vështirë ka qenë që të ndjekësh ëndrrën tënde?

    Me thënë të drejtën nuk ka qenë shumë e lehtë sepse vetëm babai punonte dhe rrogat në Maqedoni nuk ishin madhështore që mund të plotësonin dëshirat të gjithë familjes.
    Ka qenë e vështirë se ndonjëherë nuk kisha as taka(këpucë futbolli) të vishja. Por dëshira e madhe dhe pasioni më bëri që të shoh vetëm përpara dhe të vazhdoj. Por edhe babai im ka bërë gjithçka edhe pse me një rrogë se ne jemi 3 fëmijë kam një motër e një vëlla. Edhe po ta them këtu që edhe pagesën që marr atje ku luaj që nuk është ndonjë shumë e madhe por të gjitha ja dërgoj babait tim.Sepse ai ka bërë çdo gjë për mua.

    Ti je shqiptar i Shkupit pse zgjodhe të luash për Kombëtaren tonë kur mund të luaje për atë të Maqedonisë?

    Kur kam qenë unë 17-vjec isha në Antalia në përgatitje me klubin edhe më bëjnë federata shqiptare një telefonatë dhe që nga ai moment nuk e kam menduar dy herë kam thënë po.
    Pastaj menjëherë kam marrë të familjes i kam thënë “Bab po të realizohet ëndrra”.

    Sa u desh të prisje që të bëheshe pjesë e Kombëtares?

    Unë kam pritur 7-8 vjet, kisha mundësi të luaja me Kombëtaren e Maqedonisë por jo i thash ne jemi shqiptar dhe vetëm një Kombëtare njohim.

    Po jeta personale?

    Ku këtu apo në Kore, se këtu mua nuk më del koha jam me grumbullim.

    Po Rama të ka shkruar?

    Rama jo po njerëz pak më poshtë Ramës po!

    Mirë po vajzat të shkruajnë këto tifozet e zjarrta?

    Po më shkruajnë po është pak e vështirë sepse unë kam edhe të dashur edhe nuk kthej shumë mesazhe.

    Çfarë bën para se të futesh në ndeshje?

    Dëgjoj vetëm këngë patriotike.

  • Radojiçiq strehohet në Serbi, marrëveshja për bashkëpunim me Kosovën nuk zbatohet

    Radojiçiq strehohet në Serbi, marrëveshja për bashkëpunim me Kosovën nuk zbatohet

    Përkundër marrëveshjes që kanë, Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë lehtësisht në çështjet penale.

    Këtë vit, madje, Serbia ka ndaluar plotësisht të kërkojë nga Kosova të dhëna për lëndë të caktuara gjyqësore, edhe pse u është përgjigjur disa kërkesave të Kosovës.

    Dy vendet kanë arritur Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

    Marrëveshja është amendamentuar në vitin 2015 dhe, në bazë të saj, palët shkëmbejnë kërkesa gjyqësore përmes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

    Duke iu përgjigjur Radios Evropa e Lirë, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Prishtinë (EUSR) tha se, gjatë viteve të fundit, “një numër i madh rastesh – qofshin ato kërkesa apo përgjigje – janë shkëmbyer me sukses nga palët, përmes EUSR-së”.

    EUSR-ja i ofroi REL-it të dhëna nga viti 2020 deri në shtator të këtij viti, sipas të cilave, Kosova ka bërë 1.460 kërkesa në Serbi për lëndë të ndryshme gjyqësore, ndërsa përgjigje ka marrë në 415 prej tyre.

    Serbia, gjatë periudhës së njëjtë kohore, i ka dorëzuar Kosovës 596 kërkesa, ndërsa përgjigje ka marrë për 1.050, pasi shumë prej tyre kanë përfshirë përgjigje në kërkesat e bëra para vitit 2020.

    Në nëntë muajt e parë të këtij viti, sipas EUSR-së, Kosova ka bërë 211 kërkesa dhe përgjigje ka marrë për 17. Serbia, në anën tjetër, asnjë kërkesë, asnjë përgjigje.

    EUSR-ja nuk komentoi më shumë në lidhje me shifrat, por theksoi se Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike “është e rëndësishme”, sepse “u mundëson palëve ta përmirësojnë bashkëpunimin gjyqësor”.

    Marrëveshja u ndërpre “njëanshëm”

    Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, Gazmend Çitaku, thotë se zbatimi i marrëveshjes është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga Serbia.

    “Kjo çështje është ngritur edhe nga Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë. Informatat që i kam unë, janë se Serbia ka deklaruar se nuk ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, por, në anën tjetër, nuk ka ekzekutim të kërkesave, nuk ka përgjigje nga ana e tyre që disa muaj”, thotë Çitaku për Radion Evropa e Lirë.

    Brenda një viti, shton ai, në Ministrinë e Drejtësisë arrijnë rreth 200 kërkesa të qytetarëve shqiptarë e serbë, që duan të zgjidhin çështje përmes sistemit të drejtësisë.

    Por, shumë të drejta të tyre mbeten pa u realizuar, për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë, thotë Çitaku.

    Juristi Ibrahim Ahmeti, nga komuna e Prizrenit, konfirmon se shumë raste gjyqësore kanë mbetur pezull së voni, për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga Serbia.

    “Tash e kam një rast, ku është marrë aktvendimi i trashëgimisë në Serbi. Këtu në Kosovë nuk e pranojnë. Kam kërkuar që me anë të Ministrisë së Drejtësisë të vij deri te pranimi i atyre dokumenteve, por tash për tash kemi stagnuar. Kështu që kemi probleme”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

    Në bazë të Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, pala e bën fillimisht kërkesën për zgjidhje në njërën prej gjykatave të Kosovës, e cila e përcjell në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo e fundit, pastaj, e dërgon në Zyrën e BE-së në Kosovë, nga ku kalon te Zyra e BE-së në Serbi dhe prej aty te Ministria e Drejtësisë e Serbisë. Përgjigjja, po ashtu, duhet të shkojë në këtë formë.

    REL-i iu drejtua Ministrisë serbe të Drejtësisë në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike me Kosovën, por nuk mori përgjigje.

    Bashkëpunim kryesisht në rastet civile

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës, po ashtu, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar në këtë temë.

    Në Këshillin Prokurorial thanë se asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë raport nga ndonjëri prej institucioneve – pa përjashtuar Ministrinë e Drejtësisë – në lidhje me zbatimin e marrëveshjes në fjalë.

    Sipas organizatave që monitorojnë drejtësinë në Kosovë, Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike me Serbinë është zbatuar kryesisht në raste civile.

    Sipas tyre, Serbia nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast që lidhet me krime lufte ose që përfshin individë të profilit të lartë.

    Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se “Serbia nuk ka pasur vullnet për të bashkëpunuar në çështjet e transferimit të personave të dënuar apo arrestimit dhe ekstradimit të qindra personave që kanë kryer krime në Kosovë dhe kanë ikur në Serbi”.

    Rrjedhimisht, Serbia, sipas tij, “është bërë parajsë për kriminelët”.

    “Strehimi” në Serbi

    Aktualisht, Kosova është duke bërë thirrje që Serbia t’i dorëzojë pjesëmarrësit në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, që besohet se gjenden atje.

    Millan Radoiçiq, organizator i dyshuar i sulmit që la të vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku, është marrë në pyetje nga prokuroria serbe dhe është ngarkuar me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

    Radoiçiq – serb nga Kosova – ka gjetur strehim në Serbi edhe vitin e kaluar, kur autoritetet kosovare e kanë shpallur të dyshuar në një rast që lidhej me disa ndërtime pa leje, i njohur si Brezovica.

    Serbia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008. Rrjedhimisht, dy vendet nuk kanë marrëveshje ekstradimi.