ATV

Author: ATVLive

  • Haxhiu për Deharin: Provat ekzistojnë, gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast

    Haxhiu për Deharin: Provat ekzistojnë, gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar se “krimi ndaj Astrit Deharit, përfshinë një sërë veprimesh për të cilat ende askush nuk dha përgjegjësi”.

    Në 7 vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Haxhiu ka thënë se janë zhvilluar hetime të ndryshme por edhe përpjekje për ta fshehur rastin.

    “I paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, për 68 ditë në burg, Astrit Dehari nuk u mor asnjëherë në pyetje. Në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor, Astrit Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por të pa sqaruara nga aturoitetet e drejtësisë. Siҫ dihet, një sërë anomalish institucionale vërehen menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, që nga vonesa e ndihmës mjekësore, tek nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, e po ashtu Kryeprokurorit i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha. Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, kurse tjetri e cilësoi si vetëvrasje ende pa nisur asnjë hetim. Hetime të ndryshme janë zhvilluar, sikurse edhe përpjekjet për ta fshehur këtë krim. Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast.”

    Ajo ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka brenda kompetencave të veta, derisa ka shtuar se i mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe te sjellin rezultatet e këtij rasti.

    “Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar.”

    Haxhiu ka thënë se drejtësia për Astritin duhet të ndodhë.

    “Ajo nuk mund të vonohet më gjatë.”

  • Për shtatë muaj 29 vetëvrasje – Ekspertët thonë se arsyet janë: Diskriminimi e gjendja ekonomike

    Për shtatë muaj 29 vetëvrasje – Ekspertët thonë se arsyet janë: Diskriminimi e gjendja ekonomike

    Nga janari deri në gusht 29 persona kanë kryer vetëvrasje, ka konfirmuar Policia e Kosovës për EO.

    Në lidhje më këtë njohës të kësaj çështje, kanë thënë se arsyet që dërgojnë personat deri te marrje e këtij vendimi janë: diskriminimi e gjendja ekonomike.

    Mirëpo ata janë shprehur të shqetësuar se në Kosovë nuk ka ndonjë hulumtim nga institucionet përgjegjëse në lidhje më ketë fenomen. Madje kanë bërë thirrje që institucionet të bëjnë hulumtime dhe strategji për parandalimin e vetëvrasjeve.

    Bind Skeja, drejtori i “Linjës së Jetës”, tha se në Kosovë nuk kanë të dhëna sa i përket dukurive që dërgojnë personat në kryerjen e vetëvrasjeve, kjo pasi sipas tij, kjo çështje është një teren i pa prekur prej shumicës së politikë-bërësve.

    Ai tha se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për këtë çështje, për këtë ai ka kërkuar që të krijohet edhe një strategji shtetërore për parandalim të vetëvrasjes.

    “Globalisht po, varfëria ndikon, diskriminimi ndikon, varësisht prej grupeve demografike ato preken në mënyra të ndryshme. Po në Kosovë nuk mund të them diçka definitive, pikërisht për shkak që është teren totalisht i pa prekur prej shumicës të politikë-bërësve. Me thanë që kanë bërë mjaftueshme institucionet është totalisht gabim, as minimalja nuk është bërë, do të thotë gjëja më i vogël që mundet me u bë nga shteti është një strategji për parandalim të vetëvrasjes, strategji shtetërore”, tha ai.

    Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësi do të duhet që të bënte hulumtime që të kuptohej niveli i problemit edhe të merren hapat për intervenim. Ai tha se për këtë janë të gatshëm t’i ndihmojën Qeverisë.

    “Ministria e Shëndetësisë për shkak që ata e kanë përgjegjësin kryesore, edhe me i nda pikat që pas katër, pesë viteve, çka po synojmë na me qenë. Çka po synojmë na me pru, çka janë shërbimet dhe çka janë informata që dëshirojmë mi pas. Hapi i parë këtu kish qenë që më zhvillu hulumtime që me kuptua nivelin e problemit edhe me kuptua ku janë hapat për intervenim. Ne moment na nuk kemi as shërbime, por nuk kemi kërkon që është tu u marr më analizën e problemit. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm që me i ndihmuar qeverisë për me mbërri këtë gjë”.

    Skeja tha se thirrjet që pranon kjo organizatë nuk regjistrohen, por sipas tij, zakonisht nga thirrësit janë të rasteve të dhunës në familje, problemeve ekonomike, të diskriminimit.

    “Ka bajagi raste të dhunës në familje, ka raste që kanë probleme ekonomike, ka raste të diskriminimit, janë të shumëllojshëm. Çka ka më shumë, çka më pak nuk mund të them”, tha ai

    Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ka thënë se çështja e vetëvrasjeve është shqetësuese pasi sipas tij, personat që kanë kryer vetëvrasje janë të moshave të reja.

    “Unë mendoj se çështja e vetëvrasjeve në Kosovë është shqetësuese për faktin që kryesisht janë të moshave të reja. Kjo po e atakon në mënyrë të drejtpërdrejt edhe mirëqenien e qytetareve në tersi. Pra duhet të shikohet në aspektin, psikologjik, në aspektet e tjera se çka i ka shtyre këta të ri që të ndërmarrin veprime të caktuara. Kryesisht sipas asaj që dihet jo zyrtarisht, procesi i kryerjes së vetëvrasjes, ka në vetë vete një presion psikologjik që ndërlidhet kryesisht ose nga obligimet që mund të kenë ndaj palëve të treta. E si rezultat i mos përmbushjes së obligimeve, njerëz të caktuar kryen vetëvrasje si shkak ekonomike. Si shkak i ndarjeve të caktuara shpirtërore me dike tjetër”, tha ai.

    Shala ka thënë se shteti do të duhet që të bëjë analiza të detajuar të këtyre vetëvrasjeve, ku më pas të merren masa që të parandalohet kjo dukuri.

    “Çka mund të bëjë shteti është çështjet në aspektin ekonomiko-social-shoqëror, të ndërhyjë në aspektin e shtrirjes së ndikimit të saj, qoftë në programe të caktuara, qoftë edhe në mbështetje t’i vije niveleve më të ulëta. Procesi i vetëvrasjeve në Kosovë do të duhej të merrej në aspektin edukativo-arsimor, të trajtohen elemente të caktuara, të bëhet analiza më të detajuar e personit që ka bërë vetëvrasje dhe nga aty të merren informacione se cilat fokus grupe mund të jenë të atakuar dhe mund të bëhet ndonjë parandalim i caktuar ndaj këtyre dukurive”, tha ai.

  • Kritikohet Kurti – Analistët thonë se erdhi në pushtët falë kundërshtimit të “Zajednicës”, po e shkatërron shtetin

    Kritikohet Kurti – Analistët thonë se erdhi në pushtët falë kundërshtimit të “Zajednicës”, po e shkatërron shtetin

    Asociacioni i komunave me shumicë serbe po konsiderohet nga njohësit e politikës si shkatërrim i institucioneve. Ndërsa pranimin e draftit nga Albin Kurti, e shohin si mashtrim të tij, raporton EO.

    Sipas tyre, “Zajednica” ka qenë pika kyçe e Lëvizjes Vetëvendosje për të ardhur në pushtet, pasi kundërshtimet ishin të mëdha sa kjo parti ishte në opozitë.

    Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami, ka hedhur akuza në drejtim të shefi të ekzekutivit, për siç thotë, “shkatërrim të shtetësisë” dhe shkelje të parimeve.

    Ai për Ekonomia Online ka thënë se kryeministri Kurti e ka dëshmuar se është një “mashtrues optik”, teksa pranimin e draftit e sheh si skandalin më të madh në historinë e shtetit.

    “Zotëri Kurti, ka konsistencë vetëm një gjë në shkatërrimin e institucioneve të Kosovës, në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, gjithçka tjetër ai është inkusistent me kauzën më të cilën është ardhë në pushtët e që ka qenë ‘Zajednica’”.

    “Ai sot është duke pranuar dhe unë mendoj që është ndër skandalet më të mëdha në historinë e Kosovës, ndër mashtrimet më të mëdha sepse zotëri Kurti, çdo ditë po dëshmohet si një mashtrues optik ku me kauzat e rrejshme më të cilat ka ardhë në pushtët sot po i përmbyse dhe po i pranon një nga një”, thotë Behrami.

    Kritika për pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka edhe njohësi i sigurisë, Bedri Elezi. Thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar fuqishëm Asociacionin, raporton EO.

    “Kemi parë që Lëvizja Vetëvendosje kishte ardhur në pushtët më sloganin kundër ‘Zajednicës’ dhe për gati 3 vite qeverisje dhe 1 vit e sa që ishte me LDK që ka Vetëvendosja edhe gjithë propaganda e LVV ishte kundër ‘Zajedinicës’ nga së sipas tyre të tjerët ishin duke shitur pjesë të Kosovës dhe Albin Kurti, kishe deklaruar së ai nuk shet tokë të Kosovës e as nuk falë por që në fakte tani më shihet qartë që zotëri Kurti, është i detyruar që të zbatojë marrëveshjet të cilat ishin bërë në vitin 2013 dhe më pas ishin për mësuar në vitin 2015 për këtë marrëveshje besoj që edhe Kurti e ka ditë që kur ka deklaruar që nuk do të zbatojë mund të themi ‘Zajednicën’, e ka ditur që do të ndodhtë kjo”, u shpreh ai.

  • Sallahu: Vonesat në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve, të tejzgjatura

    Sallahu: Vonesat në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve, të tejzgjatura

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, vlerësimet e kushtetutshmërisë së projektligjeve po i cilëson si të “vonuara”, “të tejzgjatura” dhe “të paarsyeshme”.

    Ai në një postim në Facebook, tha se “ky është cenim i drejtpërdrejt i demokracisë përfaqësuese, dhe i funksionit kushtetues legjislativ i Gjykatës Kushtetuese”.

    “Jo pa shkak, në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese janë vendosur afate nga Kuvendi i Kosovës se kur duhet të përfundojë vlerësimi i kushtetutshmërisë së një akti të miratuar në Kuvendin e Kosovës”, shkroi Sallahu.

    Ndërkaq Sallahu shtoi se afati i vetëm i respektuar nga Gjykata Kushtetuese në shqyrtim dhe vlerësim të kushtetutshmërisë së akteve të Kuvendit “është afati joligjor”.

    “Për më tepër, kjo sjellje joligjore e Gjykatës Kushtetuese godet në thelb politikat ligjore të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe funksionet e tyre kushtetuese në përmbushjen e interesave të qytetarëve të Kosovës”, përfundoi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

  • Gjergj Luca pas vizitës së krerëve të UÇK-së në Hagë: Sot mbushen tre vite që janë duke e vuajtur dënimin shpirti i shqiptarisë

    Gjergj Luca pas vizitës së krerëve të UÇK-së në Hagë: Sot mbushen tre vite që janë duke e vuajtur dënimin shpirti i shqiptarisë

    Ndërmarrësi i njohur shqiptar, Gjergj Luca, ka vizituar sot ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen qe tre vjet në Hagë.

    Në një video të postuar në Facebook, Luca deklaron se hyri në burg me qëllim që ta motivonte Thaçin dhe shokët e tij, por ai tha se u befasua nga jeta, optimizmi dhe forca qe mori nga ish-presidenti.

    “Hyra për t’i dhënë optimizëm atij burri apo siç i thoni ju për t’i jap gajret me të thanë të drejtën kishte aq optimizëm aq shumë jetë aq shumë forcë sa unë dol i trishtuar edhe lashë burra të fortë aty brenda që kishin energji pa fund dhe pozitivitet pa fund”, u shpreh ai.

    Luca ka theksuar se beson në pafajësinë e Thaçit dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij dhe se “krimet” e vetme që i ka kryer Thaçi janë se e ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes, dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, si dhe ka organizuar luftën çlirimtare.

    “Sot mbushen tre vite që Hashim Thaçi bashkë me shpirtin e shqiptarisë janë në Hagë duke vuajtur dënimin për “krimin” e vetëm se sakrifikuan gjithçka për Kosovën e Pavarur. Turp për shqiptarinë që helmohet përditë nga feudalizmi bolshevik (i udhëheqësve kosovarë). Lavdi veprës së trimërisë së këtyre burrave. Rroftë kombi shqiptar!”, ka thënë Luca.

  • Akili i pamëshirshëm ndaj xhudistit serb

    Akili i pamëshirshëm ndaj xhudistit serb

    Xhudisti jonë, Akil Gjakova e ka nisur në mënyrë perfekte Kampionatin Evropian të Xhudos.

    Në kuadër të kategorisë deri në 73 kilogramë, në raundin e dytë Akili e mposhti me Wazaari xhudistin serb, Bajsangur Bagajev.

    Në raundin e parë Akili ishte i lirë, kurse në te dytin mposhti serbi Bagajev.

    Tani, Gjakova ka përballë bullgarin, Mark Hristov, ku në rast fitoreje do të siguronte çerekfinalen e Evropianit.

  • Musk: Inteligjenca artificiale do t’i lë të gjithë njerëzit pa punë

    Musk: Inteligjenca artificiale do t’i lë të gjithë njerëzit pa punë

    Multimiliarderi Elon Musk beson se inteligjenca artificiale (IA) mund t’i lërë të gjithë pa punë. Sipas tij, inteligjenca artificiale mund të bëhet forca më shkatërruese në histori.

    Ai foli për inteligjencën artificiale në Lancaster House, rezidenca zyrtare e Britanisë së Madhe, duke shtuar se IA do ta vinte në dyshim vetë kuptimin e jetës, shkruan CNBC.

    “Për herë të parë, ne do të kemi diçka më të zgjuar se njeriu. Është e vështirë të thuhet saktësisht se kur do të ndodhë kjo, por do të vijë një moment kur nuk do të jetë e nevojshme që njeriu të kryejë një punë. Inteligjenca artificiale do të jetë në gjendje të bëjë gjithçka”, ka thënë Musk.

    Ai me shaka ka thënë se nuk e dinte nëse njerëzit do të ndiheshin rehat për shkak të kësaj. Musk pret që inteligjenca artificiale të mos ketë kufij.

    Musk ka paralajmëruar vazhdimisht për kërcënimet që vijnë nga inteligjenca artificiale. Në një rast, pronari i SpaceX ka thënë se inteligjenca artificiale mund të jetë më e rrezikshme se armët bërthamore.

  • Kurti takohet me deputetë të vendeve të ndryshme pjesëmarrës të konferencës ndërkombëtare parlamentare “E ardhmja e transportit”

    Kurti takohet me deputetë të vendeve të ndryshme pjesëmarrës të konferencës ndërkombëtare parlamentare “E ardhmja e transportit”

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte mbrëmë pjesë e darkës në kuadër të konferencës parlamentare ndërkombëtare me temë “E ardhmja e Transportit” të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, dhe me mbështetje të fondacionit gjerman Friedrich Erbert Stiftung.

    Kryeministri Kurti gjatë darkës i informoi deputetët për projektet e qeverisë në fushën e transportit dhe energjisë, me theks të veçantë investimet në ndërtimin e hekurudhës që do të lidh Prishtinën me Durrësin dhe projektet për diversifikimin e resurseve energjetike. Ai theksoi mundësitë e investimeve në sektorin e ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë së ripërtrishme nga teknologjia solare dhe e erës.

    Duke theksuar përkushtimin e Qeverisë në fushën e arsimit, kryeministrit Kurti gjithashtu i njoftoi deputetët rreth sistemit dual të arsimit që ka filluar së aplikuari në Kosovë. Synimi është lidhja e arsimit me ekonominë dhe arsimit profesional me tregun e punës në mënyrë që të përgatisim rininë për tregun e punës.

    Të pranishëm në darkë ishin deputetë nga Gjermania, Portugalia, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.​

  • Vrasja në “Bon Vivant”, Andi Pajazitit i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj

    Vrasja në “Bon Vivant”, Andi Pajazitit i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Andi Pajazitit, i dyshuar për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R.

    “Po, ju ka vazhduar masa e paraburgimit deri më 05/01/2023”, kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, nga zyra e gjykatësit Kushtrim Shyti, transmeton lajmi.net.

    Ndryshe, me urdhër të prokurorit të shtetit, më 31 gusht 2023, ishte ndaluar N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit.

    Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

    Më 24 tetor 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pësuar lëndime trupore në incidentin në “Bon Vivant” më 4 gush, që të paraqiten në Policinë e Kosovës apo në Prokurori, me qëllim të zbardhjes së rastit.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

    Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.

    Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.

  • Me të shtëna armësh, parandalohet grabitja në Ferizaj

    Me të shtëna armësh, parandalohet grabitja në Ferizaj

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Krejt këto të shtëna u bënë në drejtim të policisë, në mëngjesin e së premtes.

    Persona të panjohur cak patën grabitjen e bankomateve në njërën nga pikat e karburanteve, në qytetin e Ferizajt.

    Mirëpo, i gjithë plani u dështoi, pasi që policia arriti t’i parandalojë ata.

    Zëdhënësi i policisë rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, tha se të shtënat me armë zjarri filluan sapo të dyshuarit kishin parë patrullën e policisë.

    “Sot, rreth orës 04:50, kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, te pika e karburantit “Hib Petrol” në Ferizaj, ishte një grabitje e armatosur në proces nga persona të panjohur. Patrulla e Policisë me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtien me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim”, tha Veseli.

    Por, të dyshuarit nuk arritën t’i arrestojnë. Ata u larguan nga vendi i ngjarjes kur edhe policia nisi t’iu përgjigjet të të dyshuarve me shkëmbim zjarri.

    “Shkëmbim zjarri kishte edhe nga ana e zyrtarëve policorë, mirëpo të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes, me një veturë dyshohet karavan ngjyrë teget, në drejtim të panjohur dhe në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata”, tha Veseli.

    Rasti është cilësuar si, “Tentim vrasje, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “grabitje e armatosur”.

    Ndërkaq, prokuroria themelore në Ferizaj, përmes telefonit i thanë ATV-së, se me këtë rast janë duke u marrë të gjitha njësitet hetimore, që sa më parë të zbardhet rasti.