ATV

Author: ATVLive

  • Kombëtarja e Izraelit në futboll arrin në Kosovë nën masa të rrepta sigurie

    Kombëtarja e Izraelit në futboll arrin në Kosovë nën masa të rrepta sigurie

    Ekipi kombëtar në futboll i Izraelit ka arritur në Kosovë të premten, përderisa në aerportin e Prishtinës kishte masa të rrepta sigurie.

    Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Izraelit të dielën zhvillojnë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian.

    Dy autobusët e ekipit izraelit u shoqëruan nga disa makina të Policisë së Kosovës nga aeroporti deri në hotelin ku po qëndron ekipi, ku po ashtu kishte masa të shtuara të sigurisë.

    Kombëtarja e Izraelit pas arritjes në një hotel në Prishtinë më 10 nëntor 2023.

    Federata e Futbollit të Izraelit ka postuar në X – që më herët njihej si Twitter – një video ku dukeshin lojtarët gjatë rrugëtimit të tyre drejt aeroportit në Izrael, të cilët u detyruan të strehoheshin, pasi një raketë u hodh në afërsi.

    “Asgjë nuk do të na ndalë në rrugën tonë drejt Euro 2024”, shkroi federata.

    Kjo do të jetë ndeshja e parë që Izraeli do të luajë që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasit – që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit, që nxiti luftën në Gazë.

    Fillimisht, ndeshja Kosovë-Izrael ishte paraparë të mbahej më 15 tetor.

    Izraeli është në vendin e tretë në Grupin I për Euro 2024, pas Rumanisë dhe Zvicrës, por ka dy ndeshje të paluajtura. Kombëtarja izraelite asnjëherë nuk është kualifikuar për Kampionatin Evropian që kur iu bashkua UEFA-s më 1994. Por, tani duhet të luajë katër ndeshje në dhjetë ditë, në tentim që të kualifikohet./REL

  • Gjenden mbetje mortore në Prizren, mund të jenë të viktimave të luftës

    Gjenden mbetje mortore në Prizren, mund të jenë të viktimave të luftës

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas Prekazit, destinacion i radhës në kërkim të mbetjeve mortore ishte ky lokacion në Prizren.

    E pas pak orëve, gërmimet që filluan në mëngjesin e së premtes, në Lagjen “Tusuz”, të rezultojnë me gjetjen e disa mbetjeve mortore, që dyshohet se ju takojnë personave të zhdukur gjatë luftës.

    “Deri tani kemi gjetur pjesë kockore jo të plota të cilat janë me interes mjekoligjor, por ende nuk mund të themi se a i takojnë luftës së fundit apo jo. Deri më tani i kemi dy persona, mirëpo nuk janë trupa të plotë, por vetëm pjesë kockore të trupit të tyre”, tha drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti.

    Lokacioni në Tusuz të Prizrenit ishte i trembëdhjeti, i adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues, gjatë këtij viti brenda territorit. Deri më tani në 8 nga këto lokacione janë gjetur mbetje mortore.

    “Do të vazhdohet më pas edhe me ekzaminimin mjekoligjor dhe identifikimin përmes analizave të AND-së dhe tek atëherë do të përcaktohet numri i individëve dhe identiteti i tyre dhe më pas do të jetë njoftimi i familjarëve të personave të zhdukur”, tha Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    Ndërkohë, nga Këshilli i familjarëve të personave të zhdukur po kërkohet që të ketë më shumë gërmime edhe në territorin e Serbisë.

    Lidhur me këtë, gërmimet në lokacionin e quajtur Shtavalj, në Serbi kanë filluar sërish që nga e marta.

  • Gratë ende përballen me diskriminim në tregun e punës, financa dhe pronë

    Gratë ende përballen me diskriminim në tregun e punës, financa dhe pronë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Më shumë angazhim në arritjen e barazisë gjinore, si në tregun e punës, ashtu edhe në financa e në pronë, është kërkuar gjatë një takimi konsultativ të organizuar nga Zyra e Kryeministrit.

    Vlerësimi për vendin në këtë aspekt nuk ishte i mirë.

    Por, ndryshe mendon zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Derisa përmendi masat qeveritare të ndërmarra në aspektin e fuqizimit të gruas, Bislimi shtoi se emancipimi i saj duhet filluar brenda familjes.

    Pjesë e panelit ishte edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për integrime evropiane, Rrezarta Krasniqi. Sipas saj, Kosova ka bërë hapa drejt barazisë gjinore por ende duhet punë.

    Gjatë diskutimit që zgjati pothuajse 3 orë, u theksua nevoja për përfshirjen e më shumë grave në shumë sektorë të jetës, përfshirë politikën.

  • Kosova po përballet me sfida në rrugëtimin drejtë dekarbonizimit

    Kosova po përballet me sfida në rrugëtimin drejtë dekarbonizimit

    Përgatiti: Entela Sahiti

    Tri vjet më parë gjatë punimeve të Samitit të Sofjes, Kosova mori përsipër zbatimin e qëndrueshmërisë mjedisore, energjinë e ripërtërishme dhe veprimin për klimën.

    Por pavarësisht kësaj, vendi vazhdon të jetë një ndër vendet, të cilat përballen me sfida në rrugëtimin drejt dekarbonizimit.

    Për zbatimin e Agjendës së Gjelbër ka folur edhe Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli. Sipas saj, jetësimi i kësaj agjende është bërë në bashkëpunim me qeveritë e kaluara.

    Ndërsa, sipas Blendi Hasaj, nga Instituti GAP, institucionet duhet më intensivisht të punojnë për orientim të burimeve të ripërtërishme.

    Kosova aktualisht e ka miratuar strategjinë për zhvillimin e sektorit të energjisë në vend dhe i cili ka vënë synimet se çka duhet të arrihet deri në vitin 2031.

  • Nga stacioni i improvizuar në një shtëpi private, Policët e Zubin Potokut, tanimë janë zhvendosur

    Nga stacioni i improvizuar në një shtëpi private, Policët e Zubin Potokut, tanimë janë zhvendosur

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kështu pritet të duket stacioni i ri i Policisë së Kosovës në Zubin-Potok, punimet për të cilin ende nuk kanë filluar. Ndërkohë, fare pranë vendit ku do të ndërtohet stacioni janë vendosur kontejnerë, në të cilët veçse kanë filluar punën zyrtarët
    policorë.

    “Me rëndësi është që jemi vendosë në këta kontejnerë dhe kushtet e punës janë të mira, të themi mesatare, që policia ta kryejë punën”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.

    Vendimin për Ndërtimin e Stacionit Policor, fillimisht e kishin kundërshtuar disa banorë të komunës veriore, por që nuk janë duke e penguar punën e policisë.

    “Ne kemi qenë të njoftuar për disa pakënaqësi, por nuk na janë shprehë në rrugë”, tha Elshani.

    Para se të zhvendoseshin në kontejnerë, Policët ishin të vendosur në këtë shtëpi private.

    Përveç policëve, në këta kontejnerët e stacionit të ri të improvizuar, janë vendosur edhe shërbyesit e qendrës së regjistrimit civil, në të cilën qytetarët po furnizohen edhe me targat e Republikës së Kosovës.

  • Serbët në veri kanë filluar të pajisen me pasaporta të Kosovës

    Serbët në veri kanë filluar të pajisen me pasaporta të Kosovës

    Përgatiti: Nora Luta

    Kamioneta e Informacionit për Liberalizimin e Vizave, siç po e quan Qeveria e Kosovës, destinacion të premten e kishte Deçanin. E njëjta, vizitën me qëllim për të informuar qytetarët për lëvizjen e lirë në zonën Schengen pa viza nga janari i vitit të ardhshëm, mund ta realizojë edhe në pjesën veriore.

    Përfaqësues të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut thonë se kanë parë interesim të banorëve lokalë serbë të pajisen me pasaportën e Republikës së Kosovës, pak muaj nga hyrja në fuqi e vendimit për lëvizje pa viza.

    Ndonëse, qytetarët hezitojnë të flasin para kamerës, disa tregojnë në kushte anonimiteti se janë pajisur vite më parë. Kryetari i Kuvendit Komunal, thotë se qytetarët serbë përveç pasaportës, po pajisjen edhe me dokumente të tjera të shtetit.

    Sipas shoqërisë civile, disa prej qytetarëve serbë tashmë e posedojnë këtë dokument.

    Qeveria, sipas Ferizit, është e rëndësishme që fushatën për liberalizimin e vizave ta vazhdojë edhe në Mitrovicën e Veriut.

    Ministria e Punëve të Brendshme e as nga kabineti i zv.kryeministrit, Besnik Bislimi, nuk kthyen përgjigje sa është numri i serbëve, të cilët deri tash u pajisën me pasaportë të Kosovës.

    Megjithatë, sipas të dhënave në tremujorin e parë të këtij viti, numri i serbëve vetëm në Mitrovicë të Veriut që është pajisur me pasaportë, është 234.

    Qytetarët serbë, sipas ekzekutivit, kanë kohë për t’u pajisur me këtë dokument, tetë muaj para se vendimi për lëvizje të lirë të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.

    Ndërkohë, regjimi i vizave do të mund të vazhdojë për ata qytetarë që pasaportat i marrin nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, pasi liberalizimi nuk ka vlejtur as kur hyri në fuqi në shtetin serb, në dhjetor të vitit 2009.

  • Shpërbërja e pjesëve jofunksionale të termocentralit “Kosova A” kërkesë e BE-së

    Shpërbërja e pjesëve jofunksionale të termocentralit “Kosova A” kërkesë e BE-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Kosova është e varur nga termocentrale të dala kohe, jo të besueshme dhe me shkallë të lartë me ndezje linjiti” dhe “që janë rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin”, është njëri nga konstatimet në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

    Kjo fjali përcillet me kërkesën për dekomisionimin apo shpërbërjen e pjesëve jofunksionale të Termocentralit “Kosova A”, si dhe investimet në atë “Kosova B”, pasi në gjendjen aktuale ka shkelje të standardeve evropiane të kundër ndotjes.
    Krahas vlerësimit se “Kosova fatkeqësisht nuk ka arritur të prioritizojë kapacitetet e reja prodhuese”, Zekirja Shabani theksoi se duke marrë për bazë vjetërsinë dhe ndotjen, të dyja termocentralet do të duhej mbyllur vite më parë.

    “Ne vazhdojmë të investojmë në një të ashtuquajtur gjigant, por tashmë të vdekur, pra veç po e vështirësojmë edhe më tej qasjen e Kosovës në tregun evropian. Do të thotë, integrimi shkon bashkë me këto termocentrale dhe bashkë me ndotjen që ne ia bëjmë jo vetëm Kosovës, por edhe vendeve të rajonit dhe BE-së, e një kosto e tillë shkon deri në 400 milionë euro vjetore”, tha Shabani.

    Teksa konstatoi se me riparime e remonte në vend të investimeve në kapacitete të reja prodhuese, energjetika përbën njërin nga dështimet më të mëdha të pasluftës, Safet Gërxhaliu, tha se kjo është fitore e mafies energjetike.

    “Kjo është kostoja e mungesës së sundimit të ligjit dhe kriminalizimit të ekonomisë kosovare. Dhe, në këtë drejtim, në vend se të jemi një shtet që prodhon energji elektrike me filtra dhe standarde evropiane, ne sot jemi me teknologji të vjetruar, jemi me kapacitetet të cilat po të përmbushen standardet dhe kriteret evropiane dhe ndërkombëtare, do të ishin të mbyllura. Por ky është realiteti dhe mjerimi i Kosovës”, tha Gërxhaliu.

    Vazhdimi pa investime në kapacitete të reja, sipas Shabanit, mund t’i kushtojë shumëfish Kosovës.

    “Në momentin që ne fillojmë të paguajmë taksën e karbonit, që së shpejti na hyn në agjendë, do të na shtrenjtohet edhe energjia elektrike… Po na thotë rishikojeni këtë strategji, bëhuni gati për integrim bashkë me kapacitete të reja të energjisë për shkak se keni me pagu shumë shtrenjtë edhe me ndotje dhe si kosto në faturat e energjisë te qytetarët”, tha Shabani.

    Termocentrali “Kosova A” ishte paraparë të shpërbëhej më 2015, e më pas më 2017, por edhe sot ky termocentral i vjetër mëse gjysmë shekulli përbën rreth 40% të kapacitetit të përgjithshëm prodhues të Kosovës, me bazë thëngjillin.

  • Memli Krasniqi viziton dy kryetarët e PDK-së në komunat verior

    Memli Krasniqi viziton dy kryetarët e PDK-së në komunat verior

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pak ditë pasi Policia i ofroi mbrojtje të afërt pas sulmit terrorist në veri, kryetari i Partisë Demokratike vizitoi Zveçanin dhe Zubin Potokun.

    Para Memli Krasniqit, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, u ankua se niveli qendror nuk po e përkrah.

    “Prej ditës së parë e kam pasë përkrahjen e kryetarit dhe Partisë Demokratike, mirëpo askush tjetër nuk ka ardhë. As kryeministri e as ministrat”, tha Peci.

    Mospërkrahja e ekzekutivit për komunat veriore që udhëhiqen nga partia më e madhe opozitare, sipas kryetarit të PDK-së, është sfidë në vete.

    Se qasja e Qeverisë karshi komunave Zveçan e Zubin Potok nuk po i pëlqen, lideri i PDK-së ia tha edhe kryetarit Izmir Zeqiri.

    Ndonëse, mbështetja e nivelit qendror i mungon, edhe kryetari i Zubin Potokut sikurse ai i Zveçanit, është i kënaqur me përkrahjen e partisë nga e cila vjen.

    Pas rritjes së tensioneve në komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, faktori ndërkombëtar kërkoi që kryetarët e rinj të largoheshin nga objektet komunale, dhe t’i ushtronin funksionet e tyre nga ndërtesa alternative. Kështu, kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci – që të dy nga radhët e Partisë Demokratike, janë duke punuar nga objektet alternative.

  • Milatoviq për ATV-në: Të punohet më shumë për paqe në rajon, dialogu Kosovë – Serbi të përfundojë me marrëveshje

    Milatoviq për ATV-në: Të punohet më shumë për paqe në rajon, dialogu Kosovë – Serbi të përfundojë me marrëveshje

    Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, i cili po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, në një prononcim për ATV-në, thotë se shtetet e rajonit duhet të punojnë më shumë për paqe.

    Duke komentuar ngjarjet e fundit në Kosovë dhe jo vetëm, ai kërkoi që dialogu në mes të Kosovës e Serbisë të përfundojë me marrëveshje.

    “Do të isha më i lumtur që tensionet që ekzistojnë në rajonin tonë të zbuteshin sepse ka potencial që të bashkëpunojmë akoma më mirë. Mund të flasim për multi-lateralizmin nëse s’kemi raporte të mira në rajonin tonë. Por edhe këto gjëra po ndryshojnë dhe ka avancim në dialog. Edhe Mali i Zi kontribuon në këtë. Me punën që po e bëjmë si shtet drejt integrimeve evropiane konsideroj që është shembull i mirë që edhe rajoni duhet ndjekur”, tha Milatoviq.

    Ai tha se shpreson që së shpejti, do të ketë një rajon të qetë e të bashkuar në BE dhe NATO.

    “Për ne të gjithë fqinjët tanë kanë rendësi. Ne e përkrahim fuqishëm dialogun (në mes të Kosovës dhe Serbisë) me ndërmjetësimin e BE-së, andaj shpresoj që së shpejti do të jetojmë në një rajon të qetë që së shpejti do të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, u shpreh Milatoviq.

    Sa i përket pjesëmarrjes në Forumin e Paqes në Parsi, ai tha se Mali i Zi vazhdon të angazhohet maksimalisht për raporte të mira nder fqinjësore dhe se ky është shembull iu mirë për pjesën tjetër të rajonit që Ballkani Perëndimor.

    “Forumi i Paqes në Paris është platformë e mirë të cilën presidenti Macron e lansoi para disa vjetësh dhe ka rëndësi të madhe për botën e cila ballafaqohet me tensione të mëdha gjeopolitike dhe kriza. Më vjen mirë që këtu kemi rast të bisedojmë me shumë zyrtarë botërorë lidhur me këtë e sidomos që të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor janë këtu. Është porosi e mirë fakti që i kushtohet rëndësi Ballkanit Perëndimor në ngjarje si këto. Mali i Zi vazhdon të angazhohet maksimalisht për raporte të mira nder fqinjësore dhe ky është shembull iu mirë për pjesën tjetër të rajonit që Ballkani Perëndimor të bëhet vend edhe më i mirë për jetën e njerëzve e paqja të jetë prioritet. Mali i Zi jep shembull të mirë edhe për BE-në se si duhet punuar në këtë”, tha Milatoviq.

    Ai vlerëson se në Mal të Zi, pas zgjedhjeve të fundit, gjërat kanë ndryshuar për të mirë.

    “Mendoj se në Mal të Zi gjërat vetëm kanë ndryshuar për të mirë sepse vendi ka gjeneratë të re të politikanëve që luftojnë korrupsion duan të përmirësojnë standardin e jetës dhe duan anëtarësim sa më të shpejtë në BE. Duam raporte të mira me të gjithë dhe kështu do të mbetet”, u shpreh Milatoviq. /atvlive.tv

  • Messi i tregon Zidanes lojën e vetme që do të donte ta luante përsëri

    Messi i tregon Zidanes lojën e vetme që do të donte ta luante përsëri

    Lionel Messi i ka thënë Zinedine Zidane se dëshiron që ai të mund të luajë sërish në finalen e Kupës së Botës “Brazil 2014”, ku Argjentina e tij u mposht nga Gjermania.

    Në një intervistë të organizuar nga Adidas Football, dy legjendat e futbollit u ulën dhe diskutuan tema të ndryshme, nga mendimet e tyre për gjendjen e futbollit sot e deri te kush i frymëzoi të zgjidhnin numrat e fanellave.

    Në fund të bisedës, Zidane e pyeti Messin nëse kishte ndonjë lojë që do të donte të luante përsëri.

    Në fillim, argjentinasi tha se nuk i vinte pendim që luajti në asnjë ndeshje, por së shpejti ai shpjegoi pse do të dëshironte të riluante finalen e Kupës së Botës 2014.

    “Nuk jam penduar për karrierën time, por ajo është ende e mbërthyer në mendjen time. Edhe pse munda ta fshija pak me këtë Botëror [2022], ajo është ende aty”, ka thënë Messi.

    “E arritët në vitin 2022. Historia ka ndryshuar dhe ka mbaruar”, u përgjigj Zidane.

    Zizou mund të lidhet me përvojën e Leos. Pavarësisht se fitoi Kupën e Botës 1998, francezi pati një fund të dhimbshëm të karrierës së tij, duke marrë një karton të kuq në finalen e 2006 kundër Italisë dhe duke e humbur atë.

    Gjithsesi, të dy legjendat janë fitues të Kupës së Botës dhe dy nga lojtarët më të trofeshëm në histori.