ATV

Author: ATVLive

  • Ministri Sveçla priti në takim ambasadorin e Shqipërisë, Petrit Malaj

    Ministri Sveçla priti në takim ambasadorin e Shqipërisë, Petrit Malaj

    Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla priti në takim njoftues ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Malaj.

    Fillimisht ministri Sveçla e uroi z. Malaj për emërimin e tij për postin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

    Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve që do të vazhdojnë edhe më tutje, për zbatueshmërinë e marrëveshjeve të nënshkruara mes institucioneve të rendit dhe sigurisë mes dy vendeve e në veçanti për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

    Në fund të takimit ministri Sveçla dhe ambasadori Malaj u dakorduan për angazhim të mëtejmë në avancimin e politikave në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve të vendeve tona.

  • KQZ: Kuvendi Zgjedhor Listës Serbe ishte konform ligjeve – Kurteshi interesohet nëse janë marrë masa ndaj Radojiçiqit

    KQZ: Kuvendi Zgjedhor Listës Serbe ishte konform ligjeve – Kurteshi interesohet nëse janë marrë masa ndaj Radojiçiqit

    Kuvendi Zgjedhor i Listës Serbe ishte temë diskutimi të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), raporton EO.

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka monitoruar Kuvendin Zgjedhor të Listës Serbe, i cili është mbajtur më 24 tetor 2023.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Besnik Buzhala tha se pas shqyrtimit të dokumenteve të pranuara nga Lista Serbe, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe statutin e kësaj partie.

    Ndërsa Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, pyeti nëse janë marrë masa ndaj ish-nënkryetarit të kësaj partie, Millan Radojiçiq.

    “A ka ndonjë masë apo ndonjë përjashtim për shkak se e ka pranuar vetë se ka marrë pjesë në sulmet terroriste, nuk po dua t’i përmend emra sepse dihet por po dua të di nëse është shkarkuar për shkak të veprimeve kundër rendit kushtetues”, pyeti Kurteshi.

    Por përgjigje nuk mori nga Besnik Buzhala. Ai tha se për shkak të interesimit të madh nga mediet dhe numrit të madh të pjesëmarrësve, nuk janë dëgjuar të gjitha vendimet por që konstaton se zgjedhja e kryesisë ka qenë konform ligjeve.

  • Peja dhe Trepça vazhdojnë me sfidat e radhës në FIBA Cup

    Peja dhe Trepça vazhdojnë me sfidat e radhës në FIBA Cup

    eja dhe Trepça sot do të kenë sfida të rëndësishme në grupet e FIBA Europe Cup.

    Kampionët e Kosovës do të jenë mysafirë të Heroes Den Bosch, në një sfidë jetike. Verdhezinjtë kanë dy fitore e dy humbje, duke u renditur momentalisht në vendin e dytë, kurse holandezët kanë katër humbje në katër ndeshje.

    Pejanët kishin triumfuar ndaj holandezëve 99:84. Liderët e Superligës kanë mundur edhe PGE Spojnia Stargard, që ka po ashtu dy fitore e dy humbje. Polakët do të ndeshen me Niners, që kanë katër fitore në katër ndeshje dhe kanë siguruar kualifikimin tutje.

    Ndërkohë, Trepça është mysafire e ZZ Leiden. Holandezët dhe BCM Gravelines Dunkerque kanë nga dy fitore e një humbje, ndërsa mitrovicasit kanë pësuar dy humbje në dy ndeshje.

    Fituesit e Kupës dhe Superkupës së Kosovës ishin mundur nga ZZ Leiden në Mitrovicë me shifrat 54:84.

    Të dy ndeshjet zhvillohen nga ora 20:00.

  • Kompania e David Beckham merr në pronësi ekipin kosovar ‘Bad News Eagles’

    Kompania e David Beckham merr në pronësi ekipin kosovar ‘Bad News Eagles’

    Pothuajse dy vjet pasi filluan kërkimet e tyre, Bad News Eagles, ekipi i CSGO, më pas CS2 nga Kosova kanë gjetur një organizatë.

    Njoftimi shënon fillimin e një epoke të re për “Guild” pasi organizata nënshkruan në listën e ish-Bad News Eagles që do të luajë nën emrin e Guild Eagles, transmeton lajmi.net.

    Sipas të dhënave që mund të gjinden lehtësisht online, organizata në fjalë bashkëudhëhiqet nga legjenda e futbollit, David Beckham dhe pronarë tjerë.

    Organizata me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka hyrë më parë në Counter-Strike me nënshkrimin e një ekipi femëror në mars dhe tani zgjeron praninë e saj në qitësin e Valve duke nënshkruar listën e saj të parë meshkuj përpara PGL Copenhagen Major.

    Ekipi i përbërë nga Flatron “⁠juanflatroo⁠” Halimi, Rigon “⁠rigoN” Gashi, Genc “⁠gxx-⁠” Kolgeci, Sener “⁠SENER1⁠” Mahmuti dhe Dionis “⁠sinnopsyy⁠” ka qenë pa mbështetje organizative që nga fillimi i tyre gati dy vjet më parë. Përkundër kësaj, formacioni kosovar mori pjesë në tre Majors dhe arriti në fazën e Legends.

    “Me publikimin e CS2, ne kuptuam se nuk kishte kohë më të mirë për ne për të rritur praninë tonë në Counter-Strike. Trajektorja e listës së Bad Neës Eagles ka qenë frymëzuese dhe mishëron qëndrimin që vlerësojmë këtu në Guild Esports – ne mezi presim t’i mbështesim ata në udhëtimin e tyre në CS2,”, tha Jasmine Skee, CEO e Guild Esports, në lidhje me njoftimin.

    Stafi stërvitor me në krye Jonatan “⁠Devilwalk⁠” Lundberg dhe Kevin “⁠kRYSTAL⁠” Amend kanë bërë gjithashtu kalimin në organizatën e re, dhe suedezi ishte plot lavdërime për vizionin e GUILD.

    “Ne kemi pasur oferta nga organizata të shumta gjatë kohës që ishim një ekip i panënshkruar, por në fund zbuluam se Guild ishin më të afërt me atë që duam të arrijmë në CS2.

    “Me atë që kemi parë tashmë nga takimi me stafin dhe duke parë ambientet, nuk kemi dyshim se këtu i përkasim për të arritur në nivelin tjetër”.

  • Anëtarësimi në BE, kritikohet qeveria për mungesë konsultimi me shoqërinë civile

    Anëtarësimi në BE, kritikohet qeveria për mungesë konsultimi me shoqërinë civile

    Lëvizja “Fol” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përmirësojë konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Përmes publikimit të raportit “Si mund të përmirësojë Kosova konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në BE?”, “Fol” e konsideron të domosdoshëm demokratizimin dhe zhvillimin e shoqërisë civile si parakusht për integrime evropiane.

    Burbuqe Kastrati nga Lëvizja “Fol”, në konferencë për medie të martën tha se raporti thellohet në përvojat e vendeve të rajonit në lidhje me rolin e shoqërisë civile, sektorin privat/odat ekonomike, akademinë, dhe palëve të tjera të interesuara në proceset e negociatave për anëtarësim në BE.

    Duke përmendur anëtarësimin e Sllovenisë në BE, ajo tha se një nga faktorët që dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin e këtij shteti në procesin e integrimit evropian ishte sektori i gjallë i shoqërisë civile, i nxitur nga një kulturë e bashkëpunimit me institucionet publike.

    “Rregullorja thekson rëndësinë, konsultimin dhe shkëmbimin e informacionit me organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara në këtë proces”, tha ajo.

    Megjithatë, Kastrati kritikoi ekzekutivin për qasjen e saj në raport me shoqërinë civile për mungesën e konsultimeve në raport me zbatimin e MSA-së.

    “Qeveria s’bën konsultime paraprake me shoqërinë civile”, tha ajo.

    Duke paraqitur disa rekomandime, ajo tha se Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë një raport vlerësimi për përfshirjen e shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në punën e strukturave të stabilizim-asociimit. Po ashtu nënvizoi nevojën e prioritizimit të fushatave të ndërgjegjësimit publik që komunikojnë përfitimet, sfidat dhe implikimet e integrimit evropian, duke larguar keqkuptimet dhe duke nxitur mbështetjen.

    Të domosdoshme e pa edhe nevojën e rritjes së konsultimeve me sektorin privat në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të njohë rolin integral të sektorit privat, duke pasur parasysh fokusin ekonomik të Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit. Angazhimi i Odave të Ekonomisë dhe Tregtisë, së bashku me shoqatat specifike të sektorëve, në proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes në lidhje me integrimin ekonomik. /kp

  • Federico Bernacca e merr detyrën si zëvendëskomandant i KFOR-it

    Federico Bernacca e merr detyrën si zëvendëskomandant i KFOR-it

    Në një ceremoni solemne në Kampin “Film City” n ë Prishtinë, e ka marrë detyrën Federico Bernacca, si zëvendëskomandant i KFOR-it.

    Detyrën ai e mori nga József Szpisjaka, që deri tash mbante këtë pozitë.

  • 30 vjet në mërgim, shqiptari pjesë e filmave dhe serialeve të famshme botërore

    30 vjet në mërgim, shqiptari pjesë e filmave dhe serialeve të famshme botërore

    Aktori i njohur shqiptar që jeton në Gjermani, Florim Alija, në një lidhje të drejt për drejt në emisionin ALARM në ATV, ndau me shikuesit përvojën e tij më regjisorë dhe aktorë të mëdhenj të Hollivudit.

    Ai së fundmi ka luajtur në filmin shumë të njohur “John Wick 4” përkrah aktorit të njohur kanadez, Keanu Reeves.

    “Ndërkohë kam marrë pjesë në shumë filma që do të transmetohen edhe ne Hollivud, dhe njëri prej tyre është “John Wick 4” përkrah aktorin Keanu Reeves. Në këtë film e kam marrë shikueshmërinë më të madhe në botë. Ndërkohë, ai në film më mbytë, por kjo është një arritje shumë e madhe. Ai krejt i mbyt, po për pak kam qenë tu shpëtu”, tha Alijaj.

    Ai thotë se kur i është bërë ftesa për të luajur në këtë film, fillimisht ka menduar se dikush po tallet me të, por që më vonë e kuptoi se ishte e vërtetë.

    “Nuk e kam besuar se do të jem pjesë e këtij filmi. Kam qenë në Friburg në pishinë kam qenë, më kanë thirrë në telefon, me kanë pyet. Mendova që dikush po bën hajgare me mua, por tani doli të ishte e vërtetë. Unë jetoj 350 kilometra ngat Berlinit, më është dashur të shkoj në Berlin, aty është xhiru filmi i KANUE Reeves ‘John Wick 4’”, tregon Alijaj.

    Bashkëpunimin me regjisorë dhe aktorë të njohur të Hollivudit, Alijaj e cilëson si një nga përvojat më të mira për avancimin e tij profesional në industrinë e filmit.

    “Është shumë kënaqësi e madhe të punosh me ta, të mësosh prej tyre, për mua ëhstë një kënaqësi shumë e madhe. Çdo rol që ma kanë dhënë, e kam luajtur qysh duhet dhe më kanë mësuar çka të bëj, qysh të bëj, të dukem sa më mirë, nuk me kanë thënë ‘këtë e ke dhe luajë qysh dush’, por më kanë mësu qysh të luaj”, rrëfen Alijaj.

    Ai është i njehur në publikun gjerman për rolin e tij në një nga serialet më të shikuara atje, ku interpreton tash e katër vite.

    “Karrierën e kam filluar që disa vite, kam filluar këtu me disa seriale gjermane që janë shumë të famshëm dhe të shikuar këtu në Gjermani. Kam marrë pjesë në serialin që është shumë i shkueshëm që në shqip do të thotë “Kohë e mirë, kohë e keqe”, këtu kam luajtur katër vite”, tregon Alijaj. /atvlive.tv

    Bisedën e tij të plotë në emisionin ALARM e gjeni në videon më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova stoliset me medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror

    Kosova stoliset me medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror

    Përgatiti: Zeqir Hasani

    Shtetet e mëdha botërore si Anglia, Zvicra dhe Franca, u treguan të pafuqishme ndaj garueseve të Kosovës, në kampionatin botëror të karatesë.

    Katërshja e garueseve kosovare, në përbërje me Fortesa Orana, Vlora Qerimi, Hatixhe Gërvalla dhe Albulena Gërvalla, me trajnerin Alban Beqiri arritën të sigurojnë medaljen e bronzët.

    Për Kosovën dhe federatën e karatesë, kjo është medalja e parë në histori, në nivel të ekipeve.

    E përgatitjet për këtë kampionat ishin intensive.

    Duke marrë parasysh se pjesa dërrmuese e garueseve kosovarë në këtë kampionat botërorë, janë me prejardhje nga Gjilani, medalistet në takim i priti edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

    E nga ky takim selektori i përfaqsuesës së Kosovës në Karate, Alban Beqiri mori mbështetje nga i pari i Gjilanit, për një turnir ndërkombëtar në këtë qytet, që pritet të jetësohet në qershor të vitit të ardhshëm.

    Të rinjët kosovar ndër vite kanë dëshmuar se janë të zot në sportet individuale, por mbështetja institucionale ndaj këtyere sportistëve lë shumë për të dëshiruar, derisa garues të shumtë detyrohen të kryejnë edhe punë dytësore që të sigurojnë mjetet për të vazhduar ëndrrën e tyre.

    Storjen e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë këtë edicion do të mbahet në Medvegjë

    Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë këtë edicion do të mbahet në Medvegjë

    Më 18 nëntor do të nisë edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar i Fotografisë “PreFoto”, ku këtë vit do të zhvillohet në qytetin e Medvegjës.

    Edon Agushi, një ndër organizatorët e këtij festivali, në emisionin ALARM në ATV, tha se këtë edicion do të ketë pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës, ku nuk do të mungojnë edhe ata serbë për ta parë ekspozitën e këtij festivali.

    “Ne dimë se ndoshta në Medvegjë nuk ka aq shumë shqiptar sa që ka në qytetin e Preshevës dhe qytetin e Bujanocit, por pse të mos ia sjellim edhe atyre një ekspozitë ndërkombëtare të fotografisë. Ekspozita ka karakter garues dhe është ekspozitë ndërkombëtare e fotografisë. Qëllimi i kësaj ideje, realizimi i këtij festivali të fotografisë ka qenë duke marrë shkas për fotografinë, por për të bërë aktivitete kulturore në Luginë të Preshevës. Atë ditë nuk janë vetëm shqiptarët që vijnë për ta ndjekur ekspozitën e fotografisë, por do të kemi edhe mysafirë nga shtete të ndryshme të botës që janë pjesëmarrës, do të kemi jurinë që janë ndërkombëtarë, por kemi edhe nga komuniteti serb që do të jenë prezentë për ta parë ekspozitën. Ekspozita tani ka arritur një nivel tjetër artistik”, tha Agushi.

    Ai tregoi se 11 edicionet e para të “PreFoto” janë zhvilluar në qytetin e Preshevës, ndërsa i 12-ti në Bujanoc. /atvlive.tv

    Intervistën e tij të plotë në ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • Dita Botërore e Diabetit, këto janë këshillat e qytetarëve për ta parandaluar këtë sëmundje

    Dita Botërore e Diabetit, këto janë këshillat e qytetarëve për ta parandaluar këtë sëmundje

    Në vitin 2007 Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën 61/225 duke përcaktuar 14 Nëntorin si Ditën Botërore të Diabetit.

    Rezoluta inkurajoi gjithashtu shtetet anëtare të zhvillojnë politika kombëtare për parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e diabetit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor.

    Me rastin e kësaj dite, ekipi i ATV-së zhvilloi disa intervista me qytetarë në Prishtinë, për të mësuar se sa janë të informuara ata rreth sëmundjes së diabetit.

    Në prononcimet e tyre, pothuajse të gjithë qytetarët u shprehen se janë të informuar mjaftueshëm për sëmundjen e diabetit, ku ndër këshillat e tyre për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje është që qytetarët të ushqehen shëndetshëm. /atvlive.tv

    Deklaratat e qytetarëve rreth sëmundjes së diabetit i gjeni në videon më poshtë: