ATV

Author: ATVLive

  • Gjakovë, rruga e paasfaltuar në gjendje ende më të keqe nga shiu

    Gjakovë, rruga e paasfaltuar në gjendje ende më të keqe nga shiu

    Përgatiti: Sara Shehu

    Për shkak të reshjeve të shiut në Gjakovë, rrugët e qytetit u bënë gati të pakalueshme. Njëra prej tyre, rruga “Marin Barleti”, pak metra larg objektit të komunës ka më shumë se 10 vjet që ka mbetur e paasfaltuar.

    Mustafë Ukshini, i cili banon në këtë pjesë, tha se komuna asnjëherë nuk ka ndërmarrë masa në rregullimin e rrugës.

    “Komuna nuk ka ndërmarrë asnjëherë masa me rregullu këtë gjendje, ka për më shumë 10 vjet që kemi këtë problem, po është vështirë për qarkullim të këmbësorëve, veturave, ka gropa, gjatë reshjeve të shiut si sot, është tmerr gjendja, komuna rregullon vetëm ato rrugë që don vetë”, tha Ukshini.

    “Tash e sa kohë kemi probleme me këtë rrugë, kush nuk ndërmerr asnjë hap, po duhet me ecë nëpër rrugë të tjera, pasi këtu si sot që ra shumë shi oshtë bo e tmerrshme gjendja”, thotë një qytetar.

    Në afërsi të rrugës operojnë edhe disa biznese të vogla, ndërkaq pronarët prapa kamerës thanë se reshjet e shiut u shkaktojnë edhe dëme materiale, për shkak të rrugës.

    Për këtë problem të kamotshëm, Drejtori i Infrastrukturës në Gjakovë, Shkumbin Kastrati, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë ATV-së se asfaltimi i rrugës do të fillojë në momentin kur të zgjidhet çështja e kanalizimit në atë pjesë.

    “Komuna e Gjakovës është në pritje të ndërtimit të kolektorëve të kanalizimit të financuar nga KFV Gjermane. Kolektori do të jetë i dimensioneve të mëdha. Në momentin që do të përfundojë ai, Komuna e Gjakovës do ta rregullojë këtë rrugë”, thuhet në përgjigjen e Kastratit.

    Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar reshje intensive të shiut ditëve në vazhdim, të cilat parashihet të vështirësojnë qarkullimin, të pengojnë sistemet e kanalizimit e të sjellin dëme bujqësore.

  • Buxheti për komunat, i pamjaftueshëm për to

    Buxheti për komunat, i pamjaftueshëm për to

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Mbi 742 milionë euro, Qeveria ka planifikuar t’i ndajë për nivelin lokal, në vitin 2024. Projektbuxheti me t’u miratuar nga ekzekutivi ishte kritikuar nga partitë opozitare.

    Mes tjerash, Qeveria u kritikua se në mesin e 38 komunave në projektbuxhet janë favorizuar katër që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Është diskriminues se nuk ka parametra matës mbi çfarë baze është planifikuar që komunat e menaxhuara nga LV-ja kanë shumëfish më shumë buxhet. Komuna e Drenasit ka 0.55% projekte të reja, ndërsa komunat e tjera kanë deri në 3 e 4% investime të reja. Skenderaj ka 0.04% investime të reja, ndërsa Shtimja ka mbi 2% e 3% investime të reja. Por edhe te qytetet e mëdha janë bërë anomali aq të mëdha në raport me pushtetet lokale ku menaxhon saqë është vërtet shqetësuese dhe diskriminuese”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Kryetari i komunës e cila aktualisht prin sa i përket shpenzimit të buxhetit, Malishevës, buxhetin e ndarë për të e vlerëson të pamjaftueshëm. Por, shpresë ka te deputetët.

    “Nuk i përmbush kërkesat tona dhe nevojat. Ne kemi bërë edhe kërkesa të veçanta për projekte që janë të domosdoshme që të zhvillohen në komunën e Malishevës, që janë në kompetencë të qeverisë së Kosovës. Është më i lartë, por edhe kërkesat tona dhe nevojat po shtohen. Ende kemi kohë, është propozuar te komisionet parlamentare dhe shpresoj që do t’i kenë parasysh kërkesat tona që vijnë nga komuna e Malishevës”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

    Por, Qemajl Aliu i cili udhëheq komunën e Shtimes, nuk pajtohet që komunat e udhëhequra nga Vetëvendosja kanë fituar më shumë. Sipas tij, Shtimja ka nevojë për më shumë investime, meqë në raport me komunat e tjera është më pak e zhvilluar.

    Ndarja buxhetore për vitin 2024 do të shqyrtohet në lexim të parë, në seancën e së enjtes. Ky diskutim do të jetë pikë e vetme e rendit të ditës.

  • “Dialogu në fazë zbatimi”, ende heshtje për përmbajtjen

    “Dialogu në fazë zbatimi”, ende heshtje për përmbajtjen

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Vizitat në Kosovë dhe Serbi, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, synon t’i kurorëzojë me një takim trepalësh në nivel kryegociatorësh në Bruksel, të enjten.

    Në një përgjigje pa detaje, BE-ja njoftoi se takimi do të fokusohet në “hapat e radhës në procesin e normalizimit dhe zbatimi i zotimeve të dialogut”.
    BE-ja nuk tregoi se cilat janë vërejtjet që kryeministrit Albin Kurti ia ka dërguar emisarit Lajcak për draftin e propozuar, e as nëse i kanë kthyer përgjigje për to.

    “Pyetja juaj e dytë duhet t’i adresohet ekipit të z. Kurti. Nga ana jonë, ne ritheksojmë se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga Përfaqësuesi Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, gjatë vizitës së tij në rajon në fund të Tetorit dhe më pas u diskutua nga të dyja palët në takimin e me liderët në margjina të Këshillit Evropian”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Edhe pse adresë për përgjigje e bëri Zyrën e Kryeministrit, Bashkimi Evropian kërkoi ruajtje të fshehtësisë së bisedimeve.

    “Propozimi i Bashkimit Evropian nuk është bërë publik, sepse përpjekjet diplomatike po vijojnë. Ne kurrë nuk japim dokumente zyrtare që janë në diskutim dhe presim të njëjtën nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, tha Stano.

    As Qeveria nuk ka treguar se cilat janë vërejtjet e saj për draft-statutin e propozuar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Megjithatë, ATV-ja kuptoi se në mesin e çështjeve për të cilat u kërkua qartësim është roli dhe përgjegjësia që Asociacioni, sipas draftit, parashihet të ketë lidhur me procesin e kthimit – në raport me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

    E po ashtu, komunikimi dhe raportet e asociacionit me autoritetet qendrore; si dhe çështje që lidhen me njohjen dhe integrimin e sistemeve paralele ilegale edukativo-arsimore dhe shëndetësore.

  • Përfundon takimi i NJSI-së me Kurtin, s’dihet nëse ka marrëveshje

    Përfundon takimi i NJSI-së me Kurtin, s’dihet nëse ka marrëveshje

    Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervenuese të policisë së Kosovës, por që ende nuk dihet nëse ka pasur marrëveshje mes tyre.

    Ajo që kemi marrë nga ana e Qeverisë, na kanë konfirmuar se pas takimit, nuk do të ketë konferencë për media, por gjithçka që ka ndodhur brenda takimit do na tregojnë përmes një komunikate me shkrim”, tregon gazetari i ATV-së, Driton Sadiku.

  • Abazoviq zbulon bisedën me Kurtin për sulmin në Banjskë, nuk foli me emra por tha se kishte diçka

    Abazoviq zbulon bisedën me Kurtin për sulmin në Banjskë, nuk foli me emra por tha se kishte diçka

    Ish-kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, beson se Serbia si shtet ka disa mangësi demokratike dhe se për faktin se që humbi mundësinë e madhe të “5 Tetorit” dhe i vuan pasojat sot.

    Duke komentuar marrëdhëniet e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Abazoviq tha se ai ishte i mirë dhe korrekt, ndërsa konfliktin e armatosur në Banjskë e cilësoi si një ngjarje që dëmtoi besueshmërinë e Serbisë. Ai foli edhe për një takim që pati me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti i cili i kishte treguar për disa grupe kriminale që ndodhen në veri të Kosovës.

    Sipas Abazoviq, negociatat në mes të Kosovës e Serbisë ishin mjaft të sforcuara dhe shumica e tyre theksuan se faji ishte i palës tjetër.

    “Albin Kurti u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare se nuk ishte bashkëpunues. Ai ka shprehur qëndrimet e tij gjatë gjithë kohës, ai ka qenë i qartë më mua në një mbledhje, se në veri mblidhen disa grupe kriminale, se kryhen disa veprimtari kriminale dhe se kanë probleme me njerëzit që pastrojnë para. Ai nuk foli për emra konkretë, por tha se kishte diçka dhe më pas ndodhi sulmi i 24 shtatorit”.

    “Nuk hezitoj ta them këtë, por më duhet të theksoj se ajo që ndodhi në Banjskë, i shkaktoi dëmin më të madh autoriteteve në Serbi. Unë thjesht nuk e shoh logjikën në këtë, sepse ai akt krijoi një problem të madh për Beogradin. Pikërisht atëherë e kam fjalën për pasojat politike dhe kemi pasur edhe pasoja tragjike, sepse aty janë vrarë njerëz”, tha Abazoviq.

    Ai beson se se shqiptarët dhe serbët duhet të përpiqen për pajtim.

    “Kjo është gjëja që ata nuk e kanë provuar, kanë provuar gjithçka tjetër. Kjo vlen edhe për ne të tjerët. Ky është mesazhi im për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

  • Kurti: Unë në opozitë i kam votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare, tani opozita nga 10 s’po e voton asnjë

    Kurti: Unë në opozitë i kam votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare, tani opozita nga 10 s’po e voton asnjë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në, mos votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e opozitës po shkon në dëm të qytetarëve.
    Ai tha se në kohën sa ishte në opozitë për rreth një dekadë, kishte votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare.

    “Janë 10 marrëveshje ndërkombëtare të bllokuara në Kuvendin e Republikës. Deri vonë kanë qenë 360 milionë euro, tash janë 380 milionë euro, sepse është edhe kjo marrëveshja me Bankën Botërore për kredi 20 milionë euro për digjitalizim, pra 380 milionë euro, 10 marrëveshje ndërkombëtare janë të bllokuara dhe mos përgjigjet në pyetjet parlamentare nuk janë shkaku për pasoja. Kur kam qenë në opozitë për gati një dekadë, unë i kam votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare. Vetëm tri nuk i kam votuar, që i bie më pak se një për qind. Ndërkaq tash 10 marrëveshje, nuk e votojnë asnjërën dhe ato mjete ngelen të bllokuara që është keq për qytetarët”, tha Kurti. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: Qëndrimi i im për shtesat e rrezikshmërisë është racional, NJSI do t’i ketë 150 euro në muaj dhe nuk është pak

    Kurti: Qëndrimi i im për shtesat e rrezikshmërisë është racional, NJSI do t’i ketë 150 euro në muaj dhe nuk është pak

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në, komentoi vendimin e Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Ai tha se qëndrimi i tij është racional dhe se shtesat që do t’i marrin pjesëtarët e Policisë së Kosovës, nuk janë pak.

    “Unë do t’i takoj po sa të kthehem, do të thotë këtë javë që vjen dhe kjo 150 euro është. deri vonë kemi pasur pagën minimale për personat nën 35 vjeç 130 euro, për ata mbi 35 vjeç i kemi pasur 170 euro. Kjo është shtesë e rrezikshmërisë dhe rrezikshmërinë ne do ta zvogëlojmë jo veç me shtesa, por me pajisje gjithnjë e më moderne për pjesëtarët e Njësisë Speciale Internuese për të cilët unë jam shumë mirënjohës për kontributin që japin, por zgjidhja duhet të jetë racionale në Kosovë dhe nëse e shikoni me e krahasu me bruto produktin vendor për kokë banori, është mbi vendet e Evropës Perëndimore”, tha Kurti. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Ankesa për “superpunën”, Qeveria nuk i ekzekutoi pagat për disa punëtorë

    Ankesa për “superpunën”, Qeveria nuk i ekzekutoi pagat për disa punëtorë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dalmat Ismaili nga Ferizaj para 5 muajve u punësua përmes platformës qeveritare “Superpuna”. Por, jo gjithçka i shkoi siç e mendoi, pasi Qeveria nuk ia ekzekutoi pagën siç edhe e parashihte kontrata.

    Për tërë këta muaj punë, ai u pagua vetëm një herë nga Qeveria.

    Por jo vetëm ky, në rrjete sociale vazhdimisht publikohen ankesa të qytetarëve për mosekzekutim të pagave nga ana e Qeverisë, siç edhe e parasheh platforma.

    Sidoqoftë, Qeveria vazhdimisht e vlerëson si sukses të madh çështjen e punësimeve përmes “Superpunës”.

    Madje, sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati, deri më tani përmes kësaj platforme janë punësuar mbi 7.700 të rinj.

    Por, sipas ekonomistëve këto shifra nuk janë të sakta dhe një platfromë e tillë nuk e zgjidh problemin e papunësisë.

    E meqë kontrata është për gjashtë muaj, Dalmat Ismailit tani i ka mbetur vetëm dhe një muaj punë, teksa nuk di se çfarë do të bëhet më pas.

    Sido që të jetë, Ministria e Financave nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit lidhur me ankesat e qytetarëve, veçanërisht për mosekzekutim të pagesave.

  • Masat ndëshkuese të BE-së, Kurti: Kosova nuk ka faj, për këtë po pajtohen të gjithë faktorët ndërkombëtarë

    Masat ndëshkuese të BE-së, Kurti: Kosova nuk ka faj, për këtë po pajtohen të gjithë faktorët ndërkombëtarë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, tha se masat ndëshkuese kundër Kosovës janë vendosur nga BE-ja për çështjen e de-eskalimit të situatës në veri të vendit.

    Sipas tij, de-eskalimi ka ndodhur, mirëpo në anën tjetër thotë ai, ka ndodhur ri-eskalim për të cilën Kosova nuk ka faj.

    “Çështja e masave ndëshkuese kundër Kosovës ka të bëjë përgjithësisht me çështjen e de-eskalimit që në veri të Kosovës mund të themi që ka ndodhur, mirëpo në anën tjetër kishim ri-eskalim për të cilin sërish Kosova nuk ka faj. De-eskalimi ka ndodhur në verën e këtij viti, kanë rënë edhe incidentet, edhe protestat e dhunshme. Ne e kemi përgjysmuar policinë në ndërtesa të komunave dhe në afërsinë e tyre dhe në këtë mënyrë, de-eskalimi që është kërkuar tashmë ka ndodhur”, tha Kurti.

    Ai tregoi se Kosova ka ofruar edhe zgjidhjen ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit.

    “Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, ne kemi ofruar zgjidhje ligjore që është neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, i cili parasheh që 20 për qind të qytetarëve në një komunë bëjnë një peticion dhe shkaktojnë një votim të përgjithshëm ku me 50 për qind plus një, ia përfundojnë mandatin kryetarit aktual dhe shkaktojnë zgjedhje të parakohshme. Ne jemi plotësisht dakord me këtë gjë, sepse edhe ashtu legjitimiteti nuk ka qenë i plotë i tyre, por duhet që zgjidhja të jetë ligjore”, tha Kurti.

    Ai tha se për ri-eskalimin e situatës me Serbinë, të gjithë faktorët ndërkombëtarë po pajtohen se jo vetëm që Kosova nuk ka faj.

    “Faji është tek Beogradi, i cili ka mbështetur logjistikisht, financiarisht, ushtarakisht edhe me armatim edhe me trajnime luftarake, grupin terrorist të Milan Radojiçiqit, i cili ishte vetëm disa orë në burg ose stacion të policisë para se të lirohej dhe sot të jetë sikur çdo qytetar tjetër i Serbisë, që është e patolerueshme për neve, e besoj që të jetë edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti tregon çka përfiton Kosova nga marrëveshja të cilën e ka pranuar

    Kurti tregon çka përfiton Kosova nga marrëveshja të cilën e ka pranuar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, tha se nga marrëveshja bazike, Kosova përfiton njohjen de facto nga ana e Serbisë, por kjo e fundit sipas tij, nuk po e zbaton dhe po e shkelë atë.

    “Marrëveshja bazike është njohje de facto. Problemi është që Serbia nuk po e zbaton dhe po e shkelë. Marrëveshja bazike është njohje de facto. Ajo duhet respektuar dhe duhet zbatuar. Në vend që të respektohet dhe të zbatohet, Serbia as s’po e zbaton edhe po e shkelë. Nuk më përket e vetëm mua të flas si palë në anën tjetër të tryezës, i përket ndërmjetësve që ta thonë këtë gjë hapur”, tha Kurti.

    Ai kritikoi ndërmjetësuesit se nuk po e ndëshkojnë Serbinë për shkelje të marrëveshjes.

    “Nëse marrëveshja është valide, e pa tjetër që është valide, atëherë pala e cila e shkelë do të duhej ta dëgjonte vërshëllimën e arbitrit, referit që nuk guxon të vazhdohet me dhunim të marrëveshjes siç po bën presidenti i Serbisë, qoftë atëherë kur votoi me 24 prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës apo edhe atëherë kur po bënë sulme terroriste e kriminale e që i sponsoron sikurse në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator”, tha Kurti.

    Ai thotë se mos nënshkrimi i kësaj marrëveshje është keqpërdorur nga Beogradi.

    “Unë kam insistuar në nënshkrim për shkak se pikërisht, mos nënshkrimi është keqpërdorur nga Beogradi. Ne kemi marrëveshje dhe ajo është pjesë e konkluzioneve të mbledhjeve të Këshillit Evropian, mirëpo Serbia edhe po e shkelë edhe nuk po e zbaton. Nënshkrimi është ai i cili praktikisht i anulon shkeljet e më hershme dhe parandalon shkelje të reja. Kjo është arsyeja pse unë kam insistuar, përveç faktit që me 9 shtator të vitit të kaluar, kur ma kanë sjellë draftin e parë të marrëveshjes bazike, gjithmonë është folur se në fund bëhet fjalë për një normalizim midis palëve kontraktuese që merren vesh me nënshkrimin që japin. Pra unë kam pranuar të nënshkruaj, mirëpo nënshkrimi është pranim dhe është garancion për zbatim”, tha Kurti. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti në ATV, e gjeni në videon më poshtë: