ATV

Author: ATVLive

  • Vetëvrasja në Prishtinë, polica ‘zbardh’ skenën e ngjarjes

    Vetëvrasja në Prishtinë, polica ‘zbardh’ skenën e ngjarjes

    Një vetëvrasje ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë në rrugën “Jeronim De Rada”.

    Në shtëpinë e tij është gjetur i vdekur një person mashkull.

    Pranë trupit të pajetë të viktimës është gjetur një armë me të cilën dyshohet se është kryer vetëvrasja.

    Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Zjarr në zyrat e Mjekësisë Ligjore

    Zjarr në zyrat e Mjekësisë Ligjore

    Një zjarr i madh i ka përfshirë disa zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë mëngjesin e së martës.

    Zjarrfikësit dhe Policia janë parë në vendin e ngjarjes duke punuar për ta shuar zjarrin.

    Nuk dihet se çfarë mund ta ketë shkaktuar zjarrin në ndërtesën e këtij Instituti.

  • Alban Lumi: Përzgjedhësi Gliha në fund u ligë, ia ka prishur punën vetit

    Alban Lumi: Përzgjedhësi Gliha në fund u ligë, ia ka prishur punën vetit

    Gazetari Alban Lumi në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV, i ka komentuar deklaratat e trajnerit së Kosovës Primoz Gliha i cili i bëri pas ndeshjes me Zvicrën.

    Lumi ka deklaruar që Gliha bëri gabim që u shpreh ashtu madje sipas tij ai u ligë në fund.

    ‘Gliha u ligë, nuk bëri mirë me ato deklarata. Po besoj që slloveni ia ka prishur punën vetit me këto deklarata. Ja ka luhatur vetës karrigen’ tha Lumi.

    Emisionin mund të shikoni më poshtë

  • Arsim Prepolli: Gliha e mori Kosovën në momente të vështira, rezultatet e tij janë pozitive

    Arsim Prepolli: Gliha e mori Kosovën në momente të vështira, rezultatet e tij janë pozitive

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ Arsim Prepolli e ka lavdëruar punën e trajnerit slloven Primoz Gliha në këto pesë ndeshje sa ai ka qenë përzgjedhës i kombëtares së Kosovës.

    ‘Primoz Gliha e mori Kosovën në momente të vështira, rezultatet e tij janë pozitive, nëse në vetëm e ndërrojmë trajnerin, besoj na duhet një trajner i cili sjell disiplinë’ tha Prepolli.

    Emisionin mund të shikoni live më poshtë.

  • Stoltenberg pas takimit me Osmanin e Kurtin: NATO do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për një mjedis të sigurt

    Stoltenberg pas takimit me Osmanin e Kurtin: NATO do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për një mjedis të sigurt

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministrin, Albin Kurti ka thënë se pati biseda të frytshme mbi situatën e sigurisë në vend dhe rajon.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Stoltenberg ka thënë se NATO do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për një mjedis stabil e të sigurt për të gjitha komunitetet.

    Ai ka thënë tutje se ka falënderuar trupat e KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

    “Biseda të mira me Vjosa Osmani dhe Albin Kurti mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. NATO do të vazhdojë të bëjë atë që është e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet – falënderova trupat e KFOR-it për rolin e tyre kyç në ruajtjen e stabilitetit rajonal”, ka shkruar Stoltenberg.

    Ndryshe gjatë konferencës për media me presidenten Osmani, Stoltenberg, tha se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    “Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, tha ai në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1 mijë trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

    “Ne vërtetë po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.

    Shefi i NATO-s tha se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake “që përfshin Bosnje e Hercegovinën dhe po ashtu Kosovën”.

  • Mbetën pa bileta për ndeshjen e sontme, “Plisat”: Nuk ka problem dhe ne do të kthehemi përsëri

    Mbetën pa bileta për ndeshjen e sontme, “Plisat”: Nuk ka problem dhe ne do të kthehemi përsëri

    “Plisat” kanë dalë me komunikatë për shtyp pasi mbetën pa bileta për ndeshjen e sontme Shqipëri – Ishujt Faroe.

    Tifozët prishtinas thonë se e kanë përfunduar misionin e tyre me sukses dhe se do të kthehen përsëri, në festa dhe në ditë të vështira, siç kanë bërë gjithmonë.

    “Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njejtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë… “, shkruan në njoftimin e “Plisave”.

    Federata Shqiptare e Futbollit i la pa bileta tifozët e zjarrtë të Kombëtares për ndeshjen e sontme, ndonëse nuk e dha asnjë arsyetim për këtë vendim.

    Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e tifo-grupit prishtinas.

  • Kuvendi të enjten shqyrton gjetjet e raportit për Kosovën

    Kuvendi të enjten shqyrton gjetjet e raportit për Kosovën

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Dy javë pas publikimit të Raportit të Progresit, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të enjten, në seancë plenare të diskutohet për të.

    Pas mbledhjes së kryesisë, shefat e grupeve parlamentare të opozitës, theksuan se edhe ata mund të kontribuojnë në politika që ndihmojnë reformën evropiane.

    “Mendoj që diskutimi është i rëndësishëm dhe të japim kontributin tonë si parti politike, lidhur me reformën evropiane. Ju e dini që ky Raport ka evidentuar një sërë gjetjesh në shumë fusha dhe mendoj që është e rëndësishme që të diskutohen këto gjetje”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “Të enjten do të diskutohet për raportin e progresit. Ne si opozitë kërkuam që të trajtohet raporti për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për shkak që ky raport ka adresuar një mori problemesh dhe çështje që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’i adresojë”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Përveç diskutimit për raportin e Progresit për Kosovën, në rend dite do të jetë edhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

    “Ndër pikat e para që do të diskutohet është raporti i progresit dhe gjetjet e Bashkimit Evropian lidhur me gjetjet e progresit të Kosovës si dhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare të cilat janë tash e sa muaj në Kuvend për të cilat nuk po gjendet assesi konsensus i kalimit të tyre. LDK-ja qëndrimin e ka që i voton dhe i ka votuar”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    Për Marrëveshjet Ndërkombëtare foli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Ai kërkoi nga opozita që këto marrëveshje të votohen.

    “Të enjten në kuvend do të diskutohet për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, andaj ne shfrytëzojmë rastin si mazhorancë që t’u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve, posaçërisht partive opozitare që të njëjtat të votohen, gjithashtu është vendosur të diskutohet për raportin e progresit dhe planin ndërkombëtar të shkencës”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Ndërsa, duke folur për dialogun dhe transparencën e kryeministrit Albin Kurti, deputetët e opozitës thanë se fatkeqësisht Kuvendi është i injoruar dhe në terr informativ. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga Kurti të jetë më i kujdesshëm në raport me Veriun dhe të mos ngjallë panik te qytetarët.

  • Aksidente në vend të punës, “Trepça” pa kompani për sigurime

    Aksidente në vend të punës, “Trepça” pa kompani për sigurime

    Përgatiti: Armand Hoti

    Flotacioni në Tunelin e Parë është gati për stinën e dimrit.

    Por, parapërgatitjet për ditët e ftohta në flotacion, i kushtuan punëtorit Faruk Peci. Ai theu këmbën e djathtë derisa po merrej me punime.

    “Tu i rregullu disa nxemëse për t’u përgatitur për dimër, dhe duke e mbajtur atë nxemëse, për moment te shkallët më rrëshqiti këmba, e pata nxemësen në gjoks, rrëshqita dhe e zura këmbën e djathë keq”, tha Peci.

    Në mungesë të një sigurimi për aksidente në vend të punës, Faruk Peci nuk ka marrë asnjë kompensim për lëndimin që mori në flotacion.

    “Duhet me kërku se më takon, jam lënduar në vend të punës”, tha Peci.

    ‘’Trepça’’, aktualisht nuk ka kontratë me asnjë kompani të sigurimeve që do t’i mbulonte shpenzimet për punëtorët e aksidentuar.

    Kontrata e fundit që pati me një kompani sigurimesh, i skadoi më 12 shtator të këtij viti.

    Nga kjo datë, sipas të dhënave të ‘’Trepçës’’, gjashtë punëtorë të sipërfaqes e të nëntokës, në dy njësi të ndërmarrjes, kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme.

    Nga komunikimet e ATV-së me punëtorët, ashtu si Faruku, as të tjerët ende nuk kanë marrë ndonjë kompensim.

    Ndërkaq, ATV-ja ka siguruar kontratën e ‘’Trepçës’’, me kompaninë e sigurimeve.

    65 mijë euro qe vlera që ndërmarrja i detyrohej kompanisë ofertuese, ndërsa, Trepça nuk ka realizuar as gjysmën e kësaj pagese.

    Përmes telefonit, kompania e sigurimeve ka konfirmuar për ATV-në, që si rezultat i mospagesës, ndaj ‘’Trepçës’’ është iniciuar procedurë përmbarimore.

    Po ashtu, televizioni mëson se ndërmarrja është në procedurë përmbarimore edhe me një kompani tjetër të sigurimeve, ndaj të cilës, po ashtu, për vite me radhë, nuk i ka përmbushur obligimet kontraktuale.

    Vlera e shumës që ndërmarrja i detyrohet kompanisë tjetër është diku rreth 100 mijë euro.

    Ndërkaq, zyrtari i prokurimit në ‘’Trepçë’’, bëri të ditur për ATV-në se në muajt e fundit, ndërmarrja ka shpallur disa tenderë, por nuk kishte asnjë kompani ofertuese të sigurimeve.

    Lidhur me këto problematika, ndërmarrja nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së.

    Legjislacioni në fuqi përcakton se punëdhënësi është i detyruar t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e të punësuarit që ka pësuar lëndim në punë, nëse nuk i ka siguruar në ndonjë kompani të sigurimeve.

  • “Beteja” mes ministres Haxhiu dhe prokurorisë speciale

    “Beteja” mes ministres Haxhiu dhe prokurorisë speciale

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një postim në Facebook, u bë shkas që Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, të merret në pyetje nga zyrtarët hetimorë në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit 7 vjet më parë.

    Haxhiu kishte fajësuar prokurorinë për mosveprim, pasi, sipas saj, ka prova të mjaftueshme për zbardhje të rastit. Andaj këto prova edhe iu kërkuan të hënën gjatë intervistimit.

    Emër jo, veçse prova të tjera tha se u dhanë mjaftueshëm.

    Andaj, sipas Haxhiut, edhe prokurori i rastit veproi në hakmarrje, teksa ngriti disa pikëpyetje.

    Deklaratat e ministres Haxhiu, sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

    Sidoqoftë, Haxhiu kërkoi që prokurori i rastit Afrim Shefkiu t’ia dorëzojë rastin dikujt tjetër e drejtësia të bjerë në vend.

    Për vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u thanë versione të ndryshme, por tash e 7 vjet vdekja e tij mbetet enigmë.

  • Bojkotohet mësimi në shkollën “Nazmi Zhegrova” në Stanoc të Vushtrrisë

    Bojkotohet mësimi në shkollën “Nazmi Zhegrova” në Stanoc të Vushtrrisë

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Nga 290 nxënës sa ka shkolla fillore “Nazmi Zhegrova” në Stanoc të Vushtrrisë, rreth 170 nxënës, të hënën nuk vijuan mësimet.

    Nxënësit e klasave të 5-ta deri të 9-tën vikendin e zgjatën, me vendim të Këshillit të Prindërve, pasi që shkolla nuk ishte pajtuar me ta, që të ndërmarrë masa ndaj arsimtarit të Teknologjisë, i cili kishte përdorur sjellje joakademike dhe gjuhë ofenduese ndaj nxënësve.

    “Ne para një jave kemi pas takim me kryetarin e komunës dhe me drejtorin e shkollës. Mas një jave e kemi pas takimin e dytë edhe ka ardhë vendimi me propozimin e gjithë prindërve me ndërpre mësimin, deri në realizimin e kërkesave të prindërve”, tha kryetari i këshillit të fshatit, Rrahim Ajeti.

    Njëri nga prindërit që ka fëmijët në këtë shkollë, tregon për ofendimet që u janë bërë fëmijëve të tij, siç pretendon ai, nga arsimtari në fjalë.

    “Kush je ti m’i kallxu prindërve çka foli unë në shkollë, a e din që unë ta prej guhën”, tha Sami Tahiri, prind.

    Drejtori i shkollës, Sami Zabergja, përmes telefonit i ka thënë ATV-së, se me rastin në fjalë do të merret Drejtoria e Arsimit dhe organet e tjera kompetente.

    Në anën tjetër, Drejtoria e Arsimit në Vushtrri e ka konfirmuar për televizionin se komisioni disiplinor po merret me arsimtarin në fjalë. Drejtori i DKA-së, Albanez Tahiraj, mes tjerash ka kërkuar nga Këshilli i Prindërve të mos ndërhyjë në procesin mësimor, pasi sipas tij bojkotimi i mësimit është në dëm të nxënësve.

    Nga Këshilli i Prindërve nuk kanë bërë të ditur se deri kur fëmijët nuk do t’i lejojnë të shkojnë në shkollë.