ATV

Author: ATVLive

  • ​Shqetësime për Kosovën, Stoltenberg thotë se do ta shqyrtojnë propozimin e Ramës

    ​Shqetësime për Kosovën, Stoltenberg thotë se do ta shqyrtojnë propozimin e Ramës

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë për media sot në Shkup pas takimit me liderët e me liderët e shteteve anëtare të aleancës ushtarake nga Ballkani Perëndimor, deklaroi se Aleanca Veri-Atlantike nuk sheh ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë ushtarak për ndonjë nga vendet e rajonit, ndërsa shprehu shqetësimin për situatën në Kosovë dhe Bosnjë.

    Ai ka theksuar se pas sulmit në Banjska të Zveçanit më 24 shtator, NATO-ja ka shtuar dukshëm praninë e saj ushtarake në Kosovë.

    “Kohët e fundit ju ndihmuat në lëvizjen e forcave të NATO-s përmes vendit tuaj në Kosovë për të na mundësuar të forcojmë praninë e NATO-s në Kosovë ku kemi shtuar një mijë trupa shtesë kohët e fundit. Forcat tuaja të Armatosura shërbyen në Afganistan, ato i dhanë mbështetje të vlefshme misionit tonë paqeruajtës në Kosovë, dhe këtu në këtë asamble ju jeni të bashkuar në denoncimin e agresionit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës… 11.41 Dhuna e tmerrshme e viteve 1990 ndryshoi Ballkanin Perëndimor dhe ndryshoi NATO-n. Për herë të parë në historinë tonë ne dolëm jashtë territorit të NATO-s për të ndaluar gjakderdhjen në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për të parandaluar gjenocidin e mundshëm në Kosovë”, tha Stoltenberg.

    Ai tha se siguria e rajonit është e rëndësishme për sigurinë në Evropë, teksa ka folur edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ballkani Perëndimor është thelbësor për sigurinë e Evropës. Ne jemi të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe rrugëtimit të saj të vazhdueshëm përgjatë rrugës euroatlantike. Në Kosovë ne kemi dislokuar rreth një mijë trupa shtesë në misionin tonë të KFOR-it pas incidenteve të fundit të dhunës, dhe i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe dua të falënderoj Maqedoninë e Veriut për mbështetjen e vazhdueshme për KFOR-in dhe për ndihmën për ruajtjen e paqes në rajon”, ka thënë Stoltenberg.

    Ai ka thënë se do të shqyrtohet propozimi i kryeministri të Shqipërisë Edi Rama, i cili edhe një herë ka kërkuar nga NATO të shtojë trupat e KFOR-it në kufirin Kosovë-Serbi, për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë.

    “Do t’i kthehemi propozimit nga kryeministri Edi Rama mbështetur edhe nga presidenti i Kroacisë që natyrisht duhet të shohim. Për këtë arsye duhet të takohemi më rregullisht dhe të ftojmë palët e duhura”, tha Stoltenberg.

    Ndryshe, kryeministri Rama theksoi se NATO-ja duhet të jetë më e pranishme në Kosovë, dhe posaçërisht e angazhuar me më shumë trupa për të siguruar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë. /KP

  • ​Modeli “PRIDE” nga SOS fshatrat e fëmijëve në Kosovë, trajnohen 105 familje strehuese

    ​Modeli “PRIDE” nga SOS fshatrat e fëmijëve në Kosovë, trajnohen 105 familje strehuese

    Në kuadër të javës për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve me moton “Bashkë rritemi” nga SOS fshatrat e fëmijëve në Kosovë, sot janë certifikuar të gjithë prindërit të cilët janë trajnuar në programin për prindër, përmes metodologjisë PRIDE – Programi për informim, zhvillim dhe edukim të prindërve strehues dhe adaptues.

    Modeli PRIDE i zhvilluar në SHBA, ka për qëllim të fuqizojë dhe të rrisë cilësinë e strehimeve familjare dhe adoptimet, duke ofruar një kornizë trajnuese për përgatitje dhe mbështetje për prindërit strehues dhe adoptues.

    Me këtë rast, janë certifikuar 105 trajnues, master trajnues dhe familje strehuese të cilat janë trajnuar për strehim dhe adoptim të fëmijëve nga programi PRIDE i cili ka filluar të zbatohet në Kosovë që nga viti 2021.

    Drejtoresha ekzekutive e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate Salihu tha se PRIDE do të avancojë cilësinë e strehimit familjarë dhe adoptimet duke ofruar udhëzime të nevojshme për të gjithë familjet e interesuara për strehim të fëmijëve.

    “Kjo metodologji ka një qëllim të përbashkët të rrisë cilësinë e strehimit familjarë dhe adoptimin duke ofruar mjete dhe udhëzime të nevojshme për ata që janë të përfshirë në këto shërbime te rëndësishme shoqërore, ceremonia e sotme e certifikimit është një rast për të nderuar dhe punë e palodhur të gjithë atyre që kanë kontribuar në suksesin e këtij programi. Të gjithë ata që janë certifikuar përmes kësaj metodologjie kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve në nevojë” tha Salihu.

    Me këtë rast, nga Ministria e Drejtësisë, këshilltarja Vlora Aliu theksoi se përkujdesja dhe mirëqenia e fëmijëve është obligim ligjor. Ajo tha se si institucion i drejtësisë janë të përkushtuar maksimalisht për të fuqizuar strehimet familjare si nga aspekti financiar edhe ai ligjor.

    “Po synojmë të ecim ne tutje, ju ofroni shërbimin direkt për fëmijët, ndera ne si institucione e kemi obligim ligjor të përkujdesemi për ju dhe përmes juve për mirëqenien e fëmijëve. Kjo sepse konsiderojmë sepse fëmija në mes strehimit familjarë takohet më një familje e cila mirëpret në shtëpinë e vet dhe jetën e tyre dhe është e angazhuar për të siguruar një ambient të ngrohët familjes dhe përkujdesje adekuate për nevoja e tij zhvillimore, emocionale, arsimore dhe nevojat e tjera si çdo fëmijë. Duke e konsideruar të tillë këtë formë të mbrojtjes së fëmijës ne si Ministri e Drejtësisë jemi të përkushtuar maksimalisht që të fuqizojmë konceptin e strehimit familjarë dhe për këtë jemi duke bërë edhe nga aspekti financiar, por edhe nga aspekti ligjor”, u shpreh Aliu.

    Po ashtu, nga udhëheqësi për Mbrojtje të Fëmijëve, UNICEF, Dren Rexha tha se fëmijëve iu ndodhin shumë raste të dhunës, abuzimit dhe braktisjeve. Rexha u shpreh se familjet strehuese dhe punëtorët social kanë një rol të rëndësishëm në sigurimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët.

    “I dimë shumë mirë rastet e rënda që iu ndodhin njerëzve tonë më të dashur sidomos fëmijëve sepse punëtorët social që qëndrojnë në vijë parë të frontit dhe përballen me rastet e dhunës në familje, abuzimit fizik, emociononal të fëmijëve, keqtrajtimit, neglizhimit, braktisjeve të fëmijëve e me rastet e fëmijëve të aftësive të kufizuara që kërkojnë trajtim e mbështetje dhe mbrojtje nga ofruesit e shërbimeve sociale dhe të tjera. Shumë prej juve do të pajtoheshit se do të ishte më mirë, nëse një fëmijë do të jetonte dhe do të rritej me prindërit e tij/saj por nuk është gjithmonë e mundur dhe kjo është arsyeja pse punëtorët social dhe familjet strehuese kanë një rol kritik në sigurimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët pa kujdes prindëror, sepse strehimi familjarë është gjëja më e nevojshme për zhvillimin e një fëmije”, tha Rexha.

    Edhe drejtoresha e Organizatës për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), Ibadet Krasniqi shtoi se fëmijët kanë të drejta e tyre që nga momenti i lindjes, sipas saj, për shkak të rrethanave sociale ndodhë që fëmijëve të mos u mbrohen këto të drejtat.

    Ajo tha duhet të fokusohemi tek fëmijët pa kujdes prindëror dhe të i marrin përgjegjësi si shtet në mbrojtje.

    “Fëmijës që nga momenti i lindjes i njihen dhe i garantohen të drejta të cilat mundësohen të rritet, të mbijetojë dhe të zhvillohet me qëllim të arritjes e potencialit në jetë, mirëpo për shkak të rrethanave të ndryshme sociale dhe ekonomike ndodhë që këto të drejta të mos realizohen për këtë arsyeje shteti duhet të hartojë legjislacion qoftë primar dhe sekondarë në mënyrë që të mbrohen të drejtat e tyre, kur jemi në këtë rast, fokusohemi tek fëmijët pa kujdes prindëror. Në Kosovë kjo formë e mbrojtjes siç është strehimi familjarë si formë alternative, do të thotë janë shumë të rëndësishme, në mënyrë që këta fëmijë t’i mbrojmë komplet si shtet”, potencoi Krasniqi.

    Trajnimet për Metodologjinë PRIDE janë realizuar ne kuadër të projektit “Përforcimi i sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë përmes avancimit të reagimeve ndaj kujdesit për fëmijët pa kujdes prindëror dhe mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm”, i cili mbështetet financiarisht nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në partneritet me UNICEF-in, dhe zbatohet nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë. /kp

  • Dogana e Kosovë merr pjesë në takimet globale kundër Falsifikimit dhe Piraterisë

    Dogana e Kosovë merr pjesë në takimet globale kundër Falsifikimit dhe Piraterisë

    Në kuadër të takimit të 20-të të Organizatës Botërore të Doganave janë duke u zhvilluar sesionet e Grupit kundër Falsifikimit dhe Piraterisë (CAP), ku përfaqësues nga administratat anëtare, Zyrat Ndërlidhëse të Inteligjencës Rajonale të OBD-së, organizatat vëzhguese, mbajtësit e të drejtave dhe subjektet e sektorit privat u mblodhën për të biseduar rreth iniciativave globale kundër falsifikimit dhe piraterisë.

    Në këto takime, Dogana e Kosovës përfaqësohet nga Sadije Topojani dhe Atasheu Doganor, Bekim Mehmetaj, të cilët ndanë me audiencën sukseset e shquara të Kosovës në luftën kundër tregtisë së paligjshme.

    Në operacionet e organizuara nga OBD për periudhën raportuese, janë identifikuar më shumë se 4,000 raste shkeljesh të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe mallrave pirate.

    Në komunikatë thuhet se Dogana e Kosovës mbetet e vendosur në përkushtimin e saj për të luftuar falsifikimin në kuadër të operacioneve globale të udhëhequra nga OBD, me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme të mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale (IPR).

    “Në mënyrë të veçantë, vlen të theksohet se Dogana e Kosovës ka arritur me sukses të ndërmarrë veprime dhe parandalojë mbi 1,100 raste të mallrave që dyshohen se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale, me vlerën totale të mallrave të ndaluara që kalon mbi 23 milionë euro nga viti 2022 e deri më tani”, thuhet në njoftim. /kp

  • Kearns: Perëndimi po gabon me Serbinë, njësoj sikurse bëri me Rusinë

    Kearns: Perëndimi po gabon me Serbinë, njësoj sikurse bëri me Rusinë

    Një përplasje shqetësuese midis Kosovës dhe Serbisë i detyrohet pjesërisht perëndimit që është i kujdesshëm për përkeqësimin e Beogradit në mes të pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë, tha një deputete kryesore britanike.

    Alicia Kearns, kryetarja e komitetit të përzgjedhur për punët e jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i tha Financial Times në një intervistë telefonike se Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Gjermania, Franca dhe Italia duhet të heqin sanksionet ndaj Kosovës dhe të largohen nga një qasje “me në qendër Beogradin”.

    “Perëndimi po tregon në Ballkan një dështim për të pasur një bosht kurrizore dhe ne po tregojmë gjithashtu se nuk kemi mësuar mësimet për të frenuar Rusinë”, tha ajo. “Ne kishim një prioritet të plotë se si të mos shqetësonim apo acaronim Rusinë në dëm të atyre që e rrethojnë. Pikërisht e njëjta gjë po ndodh këtu.”

    Në mars, Beogradi dhe Prishtina ranë dakord në parim për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, por armiqësitë u ndezën përsëri, duke kulmuar në shtator, kur një përplasje e armatosur midis militantëve serbë dhe policisë në një manastir në Kosovën veriore la katër persona të vdekur.

    Rrethimi i manastirit ngadalësoi progresin në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve, një proces i vazhdueshëm që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia dhe u njoh nga shumica e fuqive perëndimore – një lëvizje që Beogradi ka thënë se nuk do ta pranojë kurrë.

    Kearns paralajmëroi Westminster në korrik se militantët serbë po kontrabandonin armë në Kosovë, duke rrezikuar një shpërthim dhune. Kjo shkaktoi qortimet e ashpra ndaj saj nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq si dhe NATO, e cila tha se nuk kishte prova për një aktivitet të tillë.

    Por pas rrethimit vdekjeprurës në shtator, policia e Kosovës konfiskoi armë dhe municione të rënda në vlerë miliona dollarë, duke përfshirë granatahedhës, mina kundër personit, mitraloza dhe automjete të blinduara.

    “Keni parasysh atë që thashë në qershor,” tha Kearns. “Armët vinin nga Serbia me autoambulanca në Kosovë dhe ruheshin nëpër kisha. Dhe çfarë kemi parë? Armët që kanë ardhur qartazi nga Serbia… Dy nga terroristët që vdiqën atë ditë nga të shtënat ishin shoferë të autoambulancës. Dhe ku u fshehën? Në një manastir.”

    Kearns, e cila vizitoi vendin ku autoritetet e Kosovës ruanin armët e konfiskuara, tha se ishte e qartë se armatimi i shkallës ushtarake kishte qenë pjesë e depove të ushtrisë.

    “Numrat serik përshtaten”, tha ajo. “Kjo nuk është si pjesë të rastësishme të pajisjeve që persona të rastësishëm të nivelit të ulët mblodhën së bashku dhe vendosën t’i përdorin. Këto janë pajisje të reja nga viti 2021. Kjo që pash ishte pajisja më e fundit”.

    Serbia ka mohuar vazhdimisht se i kishte furnizuar sulmuesit me armë dhe kishte ngritur akuza penale kundër Milan Radojiciq, organizatorit të sulmit. Por pasi e arrestuan fillimisht Radojçiqin, autoritetet serbe e lanë të lirë me kusht që të mos largohej nga vendi.

    Një ish-politikan i etnisë serbe me lidhje të ngushta me administratën e Vuçiqit, Radojçiq u vu nën sanksione nga SHBA në vitin 2021 për shkak se ishte pjesë e një grupi të krimit të organizuar në Kosovë, të akuzuar për kryerjen e atentateve politike.

    Vuçiq tha se Beogradi po kryente një hetim kundër Kearns, të cilën ai e akuzoi se vepron në emër të interesave të huaja, dhe shtoi se do të urdhëronte ngrirjen e eksporteve të mëtejshme të armëve nga Serbia.

    “Që një president të kërcënojë një deputet është një reflektim i pasigurisë së Vuçiqit dhe se komentet e mia kishin goditur në shenjë”, tha ajo. “Kini kujdes kur veproni në mënyrë të pandershme, kur vendosni të mashtroni.”

    Ajo paralajmëroi se pavarësisht se ndërmjetësuesit e BE dhe perëndimorë kërkuan një kthim në tryezën e bisedimeve, situata mbeti e tensionuar.

    “Nuk ka asnjë shenjë që bandat e krimit të organizuar që veprojnë brenda Kosovës të jenë ndalur. Nuk ka asnjë shenjë nga pala serbe… se i ka zvogëluar dëshirat e saj në Kosovë”, tha ajo. “Sistemi ndërkombëtar ishte bashkëfajtor në pretendimin se nuk kishte grupe të krimit të organizuar në Kosovë”.

    Ajo tha se perëndimi duhet të përdorë më shumë nga provat që kishte dhe të godasë rrjetet e kontrabandës së armëve.

    “Komuniteti ndërkombëtar i ka pasur këto prova – dhe zgjodhi t’i lirojë disa”, tha ajo. “Problemi është qetësimi i Beogradit”.

    Duhet mbajtur presion mbi Beogradin, tha Kearns.

    “Ne nuk mund ta pranojmë premisën se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën,” tha ajo. “Kosova nuk mund të braktisë aspiratat për integrim të plotë [perëndimor]”.

  • ​Kurti – ministrave: Koha për të përmbushur zotimet tona po pakohet

    ​Kurti – ministrave: Koha për të përmbushur zotimet tona po pakohet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është mburrur siç ka thënë për të arriturat e qeverisë në rreth tri vite sa janë në pushtet. Kurti para kabinetit qeveritar, tha se në 2/3 e mandatit katërvjeçar kanë arritur suksese në shumë sektorë, megjithatë iu tha ministrave se koha për të përmbushur zotimet po pakohet.

    Ai përmendi rritjen ekonomike, mbështetjen ndaj qytetarëve dhe bizneseve, derisa tha se kanë shtrirë sovranitetin edhe në veri.

    “Koha për të përmbushur zotimet tona po pakohet”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se deri dje (e martë) janë mbi 2100 konvertime të targave ilegale në RKS.

    Ai theksoi se Kosova tani e ka ushtrinë më të fortë se kurrë, duke nënvizuar edhe blerjen e dronëve Bayraktar.

    Në anën tjetër, Kurti tha sepërmirësimi i indikatorëve të luftimit të korrupsionit dhe respektimit të ligjit, nuk është i mjaftueshëm pa sistem të mirëfilltë, të pavarur e profesional të drejtësisë. Për këtë arsye ai e kualifikoi si të domosdoshme Vetingun në drejtësi.

  • Milaim Zeka – Përparim Grudës: Edhe lopët e dinë  që kanë vjedhë partitë e kalume

    Milaim Zeka – Përparim Grudës: Edhe lopët e dinë që kanë vjedhë partitë e kalume

    Gazetari dhe analisti Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partitë që kanë qenë në pushtet kanë vjedhë, ndërsa të njëjtën gjë sipas tij, po e bënë edhe partia që është tani në pushtet.

    Ai këto deklarata i bërë pas një debati në këtë emision me udhëheqësin e departamentit për drejtësi në PDK, Përparim Grudën.

    “PDK në pushtet e ka pasur drejtorin e Policisë, kryeprokurorin edhe drejtorin e AKI-së. Çka po bënë baba Albin, të njëjtën gjë po e bënë. Ju i keni marrë institucionet, RTK-në, KEK-un, PostTelekomin, çka po bënë baba Albin, njësoj po bënë. Albin Kurti, mbanë në mend se po ju japë këshilla pa pare juve opozitës, nuk u ardhë Albin Kurti në pushtet kundër Asociacionit. Albin Kurti ka ardhë në pushtet tu thanë “hajnat n’burg”. Kallxoni ju, dilni thuani popullit “o popull, na pernime jena kanë hajna, po ky po vjedh ma zi se na”. Qy s’u kanë e vërtetë, po edhe lopët e dinë që kanë vjedhë partitë e kalume, ti s’ke vjedhë, por ata llom.. edhe ky po vjedh”, iu drejtua Grudës gazetari Milaim Zeka. /atvlive.tv

  • KB Peja zhvillon sot ndeshjen jetike në FIBA Europe Cup

    KB Peja zhvillon sot ndeshjen jetike në FIBA Europe Cup

    Sonte me fillim nga ora 19:00 palestra sportive “Karagaçi” në Pejë do të jetë nikoqire e përballjes mes KB Pejës dhe Spojnia Stargard.

    Kjo do të jetë ndeshja e fundit e Pejës në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, raporton KosovaPress.

    Kampionia e Kosovës është ende në garë për kualifikim tutje, me fitoren sot që është e detyrueshme.

    Peja zë vendin e tretë në Grupin H në kuotën e shtatë pikëve, aq sa ka edhe Spojnia Stargardi në vendin e dytë.

    19:00 Peja – Spojnia Stargard

  • Zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi, përfaqëson Kosovën në Samitin e 7-të të Selanikut

    Zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi, përfaqëson Kosovën në Samitin e 7-të të Selanikut

    Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin e shtatë të Selanikut që ka nisur punimet dje.

    Zëvendësministrja Gashi mori pjesë në diskutimin me temën: “Përmbushja e premtimit të BE-së – Sa shpejt?”, në një panel me folës kryesore Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Gerapetritis, e ku ndër të tjerash diskutua mbi mundësitë dhe sfidat e integrimit të Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Në adresimin e saj, Zëvendësministrja Gashi theksoi se Kosova mbetet një partner aktiv dhe i përkushtuar drejt stabilitetit dhe demokratizimit në rajon dhe në rrugën e saj evropiane. Po ashtu theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm “Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor, të cilin e sheh si hap në drejtimin e duhur. Pas shumë vitesh stagnimi, pakoja e zgjerimit e publikuar së fundmi, rikthen shpresën për fokus tek zgjerimi i BE-së.

    “Integrimi i përshpejtuar ekonomik dhe konvergjenca në të ardhura me BE-në dhe brenda Ballkanit Perëndimor, përkon me përkushtimin tonë dhe progresin e arritur në kriteret ekonomike gjatë viteve të fundit. Së shpejti, Kosova do të prezantojë dhe planet, projektet kyçe e synimet e saj nga përfitimi i këtyre fondeve të BE-së”, u shpreh Zëvendësministrja Gashi.

    Zëvendësministrja Gashi nënvizoi se nuk mund të flitet për të ardhmen e rajonit ndërkohë që stabiliteti është ende i lëkundshëm dhe i penguar nga mungesa e sigurisë dhe nga përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, siç ishte edhe akti i fundit i agresionit ndaj sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe sigurisë kombëtare në Banjskë.

    “Ne nuk duam konflikte në rajon. Ne duam paqe dhe siguri. Ne kemi treguar pjekuri dhe profesionalizëm maksimal në reagimin ndaj sulmit terrorist të Banjskës. Por pavarësisht përkushtimit të Kosovës për stabilitet dhe paqe, dhe rrugën drejtë Bashkimit Evropian, ne nuk mund të vazhdojmë përpara nëse kemi standarde të dyfishta që përdoren ndaj Serbisë dhe Kosovës” – theksoi Zëvendësministrja Gashi.

    Përgjatë panelit u diskutua edhe për rëndësinë për harmonizim të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë Evropiane dhe nevojën për reformat rrënjësore për adresimin e sundimit të ligjit.

  • Aksident tragjik në Zvicër, humb jetën një këmbësor nga Kosova

    Aksident tragjik në Zvicër, humb jetën një këmbësor nga Kosova

    Bernë, 21 nëntor – Një aksident tragjik ka ndodhur sot në Horgen të Zvicrës, ku si pasojë ka humbur jetën një i moshuar i moshës 83-vjeçare nga Kosova, i cili është goditur nga një veturë, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch duke u referuar burimeve të policisë kantonale.

    Rrethanat e sakta që çuan në aksident janë ende të paqarta. Aksidenti ka ndodhur në Horgen rreth mesditës të së martës, ku janë një veturë ka goditur një këmbësor.

    Gazeta zvicerane Le Canton27.ch ka mësuar nga policia se, këmbësori pasi ëhstë goditur nga vetura, është hedhur disa metra larg. Në vendngjarje, shërbimet e emergjencës kanë mundur vetëm të konstatojnë vdekjen e 83-vjeçarit nga Kosova.

    Policia kantonale bën me dije se drejtuesi i mjetit ishte një 51-vjeçar i cili po lëvizte nga Einsiedlerstrasse drejt Horgenit. Përplasja ka ndodhur në Mühlebachstrasse teksa këmbësori po kalonte rrugën. Ecuria e saktë e aksidentit tani po hetohet nga policia kantonale dhe nga prokuroria publike. Për familjarët e viktimës u kujdesën pastorë të urgjencës.

    Për të përcaktuar rrjedhën e saktë të aksidentit, policia kantonale kërkon nga të gjithë ata që mund të japin informacion për ngjarjen të telefonojnë në numrin 058 648 67 90.

  • 9 të lënduar nga hedhja e granatës në Tregun e Kafshëve në Prizren, të dyshuarit janë nga Gjilani

    9 të lënduar nga hedhja e granatës në Tregun e Kafshëve në Prizren, të dyshuarit janë nga Gjilani

    Nëntë persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi i një granate në tregun e kafshëve në Prizren, ku katër prej të cilëve janë dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë. Policia e Kosovës ka identifikuar tre të dyshuar, të cilat janë nga Gjilani.

    Këtë e ka konfirmuar në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin N’Frekuencë në ATV, togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi.

    “Pak para orës 05:00 të mëngjesit, pas një konflikti mes tregtarëve në tregun e kafshëve në Prizren, kanë arritë deri te fjalosja dhe një prej të dyshuarve ka hedhur një granatë në drejtim të viktimave. Prej asaj kanë pësuar lëndime 9 persona. Disa nga ata kanë lëndime pak më të rënda dhe katër nga viktimat janë dërguar në QKUK në Prishtinë, fillimisht në Emergjencën në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe pastaj janë dërguar në QKUK në Prishtinë. Policia ka dalë në vend të ngjarjes, ka mbledh provat dhe dëshmitë dhe ende janë në vend të ngjarjes duke mbledh disa prova dhe intervistuar dëshmitarët. Gjithashtu janë në kërkim të të dyshuarit, të cilët janë identifikuar, dmth njihen nga Policia. Njësia Rajonale e Prizrenit në bashkëpunim me drejtorinë Rajonale të Gjilanit janë në hetim të lokacionit të të dyshuarve, pasi të dyshuarit janë nga Gjilani”, tha Bytyqi.

    Ai tha se të lënduarit kryesisht janë nga Podujeva.

    “Të lënduarit, kryesisht janë nga Podujeva. Dyshohet se njëri nga të dyshuarit ka hedhur një granatë dore në drejtim të viktimave. Nuk dihet lloji i granatës”, tha Bytyqi. /atvlive.tv