ATV

Author: ATVLive

  • Shqiptarët e Amerikës festojnë 28 Nëntorin, një rrugë merr emrin “Ismail Qemali”

    Shqiptarët e Amerikës festojnë 28 Nëntorin, një rrugë merr emrin “Ismail Qemali”

    Mbrëmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqiptarët kanë festuar “Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë”. Mërgimtari nga Ulqini, Naser Nika, prej vitesh merret me organizimin e festave kombëtare në Amerikë.

    Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, ai tha ky takim për “Ditën e Flamurit” në Amerikë, ishte një organizim i përgatitur në mënyrë të jashtëzakonshme.

    Ai tha se ndodh në raste shumë të rralla që të ketë aq shumë pjesëmarrës, sa kishte dje më atë organizim.

    “Organizimin e kishim dje dhe ishte një mënyrë jashtëzakonisht e bukur. Ishte e organizuar në një mënyrë aq të bukur, jo që isha unë pjesë e Këshillit Organizativ, por ishte një numër i madh i popullit, ku këtu në Amerikë mund të them, janë raste të rralla, por nuk ka pasur diku në një vend që është ngritë flamuri me aq sasi të popullit, sa ishin dje”, tha Nika.

    Në organizimin e djeshëm për nderë të ‘Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë”, një rrugë në Nju Jork mori emrin “Ismail Qemali”.

    Bisedën e tij të plotë në emisionin A LIVE në ATV, e gjeni ën videon më poshtë:

  • ​Kurti tregon sa marrëveshje janë duke u zbatuar mes Kosovës dhe Shqipërisë

    ​Kurti tregon sa marrëveshje janë duke u zbatuar mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Në prag të Ditës së Flamurit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se investimet e Shqipërisë në Kosovë gjatë vitit 2022 kanë qenë rreth 80 milionë euro. Sipas tij, këto investime janë rritur ndjeshëm dhe se lëvizja pa kontroll e qytetarëve ka ndihmuar rritjen e turizmit. Kështu u shpreh ai në Forumin e Zhvillimin Rajonal Kosovë-Shqipëri, e cila u mbajt në Gjakovë.

    Kryeministri Kurti deklaroi se marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë hapin mundësi të reja për ndërmarrësit, studentët e qytetarët.

    “Nga gjithsej 184 marrëveshje, vetëm gjatë këtyre dy viteve e gjysmë midis dy qeverive, të dy republikave tona, janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje të reja, ose gati 1/3 e të gjitha marrëveshjeve. Me ritëm gati katër herë më të shpejtë se gjatë gjithë viteve të mëparshme. Suksesi ka vlerë kur në vend të vetëkënaqësisë nxit vetëbesimin për suksese tjera. Në rrugëtimin tonë ka sukseset, nuk jemi as vetëm e as në shtigje të pa shkelura. Kjo është rruga e shtruar nga Bashkimi Evropian i sotëm dhe tregu i përbashkët evropian i dikurshëm. Andaj duhet të ecim më shpejt kah tregu ynë i përbashkët, kah sistemet dhe mekanizmat e përbashkëta, kah bashkimi doganor, kah çdo për-bashkim që na shërben dhe na bën gati për t’u integruar edhe në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.

    Kurti shtoi se lehtësimi i tregtisë me heqjen e barrierave tregtare dhe promovimi i lëvizjes së lirë janë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të përbashkët ekonomik.

    “Investimet nga Shqipëria në Kosovë nga viti 2019 në vitin 2022 janë rritur ndjeshëm dhe shprehur në vlera në vitin 2019 ishin 15. 2 milionë euro, ndërkaq në vitin 2022 kanë mbërritur shifrën prej 79.7 milionë euro. Lëvizja pa asnjë kontroll e qytetarëve tanë gjatë sezonit veror, qershor-shtator si dhe gjatë fundjavave, është një tjetër sukses i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë. Ky lehtësim i lëvizjes ka ndihmuar rritjen e turizmit në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë. Kësisoj në vitin 2022 vetëm në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë kanë kaluar rreth 8. 2 milionë qytetarë”, shtoi Kurti.

    Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj ka numëruar disa nga konkluzionet e takimit të sotëm, ku theksoi se bashkëpunimi ndërkufitar është i domosdoshëm për zhvillimin e zonave kufitare.

    “Ministria e Zhvillimit Rajonal të adresojë pabarazitë rajonale, përfshirë përgatitjen e rekomandimeve për qeveri për t’i adresuar këto çështje. Forumi i sotëm të jetë një iniciativë e cila mund të trajtojë në të ardhmen edhe tema të tjera. Bashkëpunimi ndërkufitar i domosdoshëm për zhvillimin e zonave kufitare, i cili ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Universitetet mund të luajnë rol të rëndësishëm në shkëmbimin e përvojave të studentëve dhe kuadrove që mund të kontribuojnë në zhvillimin rajonal. Shoqatat e turizmit kontribuues të veçantë në zhvillim të turizmit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, përfundoi ai. /kp

  • Koncert në kujtim të pianistes Virgjina Damati

    Koncert në kujtim të pianistes Virgjina Damati

    Nën tingujt i himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje, sot në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, u mbajt koncert dedikuar pianistes së ndjerë, Virgjina Damati.

    Ajo, njëherësh u nderua edhe me mirënjohje post-mortem, për kontributin 34-vjeçar si mësimdhënëse e pianos dhe edukimin e gjeneratave të tëra në këtë fushë.

    Valbona Prekazi, drejtoreshë e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, duke vlerësuar lartë punën dhe kontributin e të ndjerës Damati, tha se mungesa e saj do ta përkujtojë gjithmonë boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë, ndërsa virtytet e saj do ta bëjnë atë të pavdekshme në mesin e komunitetit të artistëve dhe më gjerë.

    “Nuk e kisha menduar kurrë një cast si ky dhe një arsye të rëndë si kjo, për të folur për humbjen e parakohshme të Gjinës tonë. Ajo na la përgjithmonë duke përfunduar rrugëtimin e saj 34-vjeçar në edukimin e brezave të tërë. Ishte njeri dhe kolege e mirë, profesioniste e vërtetë, shoqe besnike, mike e devotshme dhe si të tillë do ta kujtojmë përjetë. Mungesa e saj sot, na kujton boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë, por virtytet e saj do ta bëjnë atë të pavdekshme në mesin tonë”, ka thënë Prekazi.

    Ndërkaq, Alidin Damati, duke folur në emër të familjes, tha se bashkëshortja e tij e ndjerë, vazhdon të jetojë dhe frymojë përmes veprave dhe kujtimeve që i ka lënë.

    “Qenka e vështirë të flas në emër të saj përballë njerëzve të cilët i deshi aq shumë dhe me të cilët kaloi kohën më të madhe të jetës. Kaluan më shumë se dy javë që kur Gjina nuk është më në mesin tonë, qoftë edhe fizikisht për t’ju ndihmuar në organizime, siç bënte dikur, edhe pse shëndeti e kishte rënduar. Mirëpo, ajo vazhdon të jetojë dhe frymojë përmes punës, veprës dhe kujtimeve që na ka lënë”, theksoi mes tjerash Damati.

    Gjatë koncertit u kënduan këngë nga kori i shkollës së muzikës “Tefta Tashko”, ndërsa nxënësit ekzukutuan në piano vepra të autorëve të ndryshëm, nën përkujdesjen e shkëlqyeshme të mësimdhënësve, Endi Abrashi, Fllanza Krasniqi, Saranda Kutllovci-Syla, Fisnik Komtrashi dhe Rina Ferri. /KP

  • Stuhia e borës shkakton ndërprerje masive të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën

    Stuhia e borës shkakton ndërprerje masive të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën

    Stuhitë e borës dhe erërat e forta kanë lënë më shumë se 2000 qytete dhe fshatra pa energji elektrike në shumë rajone të Ukrainës, thonë zyrtarët lokalë.

    Ata thonë se 48 persona, duke përfshirë fëmijë, janë evakuuar nga automjetet e bllokuara në rajonin e Odesa-s më të prekur në jug-perëndim, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Të paktën gjashtë persona kanë vuajtur nga hipotermia. Aktualisht trafiku është i bllokuar në 14 autostrada.

    Stuhia po godet gjithashtu Moldavinë, Rusinë, Gjeorgjinë dhe Bullgarinë.

    Në një deklaratë të hënën në mëngjes, shërbimi i emergjencave të Ukrainës tha se moti i keq la 2019 vendbanime pa energji elektrike në 16 rajone të vendit. Të paktën 1,370 kamionë mallrash janë bllokuar aktualisht.

    Rajoni jugor i Mykolaiv është gjithashtu i goditur keq.

    Më shumë se 1500 shpëtimtarë janë vendosur tani në të gjithë vendin në një operacion masiv pastrimi. Ata po ndihmohen nga policia, rojet kufitare dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare.

    Në gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës – i aneksuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014 – zyrtarët nga Moska raportuan përmbytje në zonat bregdetare.

    Një gjendje e jashtëzakonshme është tani në disa komuna në Krime.

    Në qytetin rus të Detit të Zi të Soçit, janë shfaqur pamjet që supozohet se tregojnë një ndërtesë trekatëshe duke u shembur. Nuk raportohet për të lënduar.

    Në Moskë, autoriteteve iu desh të vendosnin makineri të specializuara për të pastruar rrugët pas një reshje të madhe bore.

    Moti ekstrem vjen mes raporteve se Rusia po përgatit sërish sulme masive me raketa dhe drone në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kritike.

    Vjeshtën dhe dimrin e kaluar, Moska kreu valë të tilla sulmesh vdekjeprurëse, duke lënë miliona njerëz në të gjithë Ukrainën pa energji elektrike dhe ngrohje.

    Të shtunën e kaluar, Rusia nisi sulmin e saj më të madh me dron në Kiev që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, thanë zyrtarët ukrainas.

  • ​Tahiri kritikon Kurtin: Asociacioni me kompetenca paralele me nivelin qendror

    ​Tahiri kritikon Kurtin: Asociacioni me kompetenca paralele me nivelin qendror

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti, në lidhje dialogun me Serbinë dhe draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor. Sipas PDK-së, ky lloj Asociacioni do të ketë kompetenca paralele me nivelin qendror, pasi do të ketë pushtet vendimmarrës. Në anën tjetër, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thonë se sfidat më të mëdha në dialog janë mosvullneti i Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Kurti ka bërë kapërcim të madh politik duke pranuar një Asociacion të dëmshëm për Kosovën.

    Ai tha se në bazë të draftit të Asociacionit të publikuar nga ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili nuk është mohuar dhe as pohuar nga zyrtarët qeveritar, krijohet një pushtet paralele që i merr pushtet nivelit lokal.

    “Ky draft-statut i Asociacionit gjitha këto kompetenca të zgjeruara që i kanë komunat serbe nëse i vendos në një ombrellë ku ka vendimmarrje politike, ku ka një lider që trajton dhe kryeqendrën e saj e bënë shumë problematike, pasi automatikisht e krijon një pushtet paralel. Pra kompetencat e zgjeruara kanë qenë vetëm për faktin me integru komunitetin serb në kuadër të këtij rendi kushtetues me kompetenca të zgjeruara vetëm për faktin që të integrohen. Në anën tjetër me marrë një ombrellë të tillë si Asociacioni, pasi atë e quajnë kështu për shkak të përbërjes, pasi realisht është një pushtet paralel. Asociacionet kudo në botë nuk kanë karakter vendimmarrës, janë këshillues. Këtu nuk po flitet më për Asociacion, pasi në kompetenca është një institucion paralel me Kosovën. Ky është kapërcimi i madh që e ka bërë Albin Kurti. Vetëmenaxhimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit është rregulluar shumë mirë me draft-statutin aktual që është i dëmshëm”, tha ai.

    Kritik në lidhje me këtë çështje u shfaq edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se kryeministri Kurti po tenton vetëm të blej kohë dhe mos të krijojë asnjë zgjidhje.

    “Zotëri Kurti në të gjitha proceset ka ble kohë nuk ka krijuar zgjidhje. Ka akumuluar probleme dhe nuk ka bërë asnjë zgjidhje. AAK-ja kur e ka mbështet në marrëveshjen e Brukselit e ka parë si shumë problematike çështjen e sigurisë në vend. Krejt zhvillimet e sigurisë që ndodhin në Ballkanin Perëndimor nuk mund të shkojnë pa u ndikuar në Kosovë, siç ishte rasti i sulmit terrorist të 24 shtatorit”, shtoi Tahiri.

    Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Armend Muja, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se sfida kryesore është mosvullneti i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit.

    “Sfidat kryesore në procesin e normalizimit janë mosvullneti i Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes. Siç po e shihni edhe nga diskutimet dhe deklarimet që i bën Vuçiq, i ka dy linja të argumentit. E para thotë se nuk e nënshkruaj dhe e dyta se do të zbatojë vetëm copëza të saj. Është jashtë parimeve të marrëveshjeve dhe dakoridmit që kemi arritur në Bruksel. Kosova është e gatshme për normalizim dhe është e gatshme të kontribuojë në emër të paqes dhe integrimit evropian”, theksoi Muja./kp/

  • ​Mbahet gara e përbashkët e motoçiklizmit mes Kosovës dhe Shqipërisë

    ​Mbahet gara e përbashkët e motoçiklizmit mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Për herë të parë Federata e Motoçiklizmit e Kosovës dhe Federata e Motoçiklizmit e Shqipërisë, organizuan në Tiranë garën “Kupa e Kombit” në disiplinën enduro, në të cilën morën pjesë mbi 100 motoçiklistë.

    Garën nga afër e ndoqi edhe nënpresidenti i KOK-ut, Milaim Kelmendi, i cili krahas ndarjes së Kupës së Kombit, përgëzoi të dy federatat për bashkëpunimin në organizimin e këtij aktiviteti.

    Garuesit tanë shfaqën cilësi të larta, duke fituar të gjitha vendet kryesore.

    Fituesit e kategorive

    E2:

    1st – Arbenit Beqiraj

    2nd – Blerim Aliu

    3rd – Kastriot Muqa

    E1:

    1st – Eurolind Morina

    2nd – Ardian Aliu

    3rd – Fidan Arifi

    E3:

    1st – Agron Kelmendi

    2nd – Valmir Tahiri

    3rd – Endrit Kastrati

    Overall:

    1st – Arbenit Beqiraj

    2nd – Blerim Aliu

    3rd – Kastriot Muqa

  • ​Projektligji për fondin sovran, opozita paralajmëron dërgimin në Kushtetuese

    ​Projektligji për fondin sovran, opozita paralajmëron dërgimin në Kushtetuese

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët do të diskutojnë paraditen e së enjtes për raportin e progresit, kurse pasdite në një seancë të veçantë do të hidhen në votim disa marrëveshje ndërkombëtare dhe Projektligji për fondin sovran. Ndërkaq, të premten do të mbahet seancë e veçantë me pyetjet parlamentare të deputetëve karshi kabinetit qeveritar. Në lidhje me Projektligjin për fondin sovran, dy partitë opozitare, PDK dhe AAK e kualifikuan si të dëmshëm për vendin dhe antikushtetues.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, theksoi nevojën e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Projektligjit për fondin sovran.

    “Kemi dakordim që të enjten të mbahen dy seanca, ndërkohë edhe të premten do të mbahet një seancë e posaçme për pyetjet parlamentare. Të enjten seanca e parë fillon në orën 10:00 dhe do të diskutohet për raportin e progresit dhe seanca e dytë do të fillojë në orën 16:00 ku do të hedhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare, Projektligji për fondin sovran dhe Projektligji për artin dhe kulturën”, tha ai.

    Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Projektligji për fondin sovran është i padobishëm dhe që nuk mundet të akomodohen brenda sistemit kushtetues.

    Ai paralajmëroi se nëse miratohet në lexim të dytë të enjten do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Ne si Grup Parlamentar i PDK-së e kemi kundërshtuar këtë projektligj. Konsiderojmë që në kuadër të strukturës ekonomike të vendit dhe rendit tonë kushtetues është e pamundur të vendoset një strukturë e tillë. Në anën tjetër edhe sa i përket benefiteve ne konsiderojmë se është vetëm një strukturë burokratike në kuadër të vendimmarrjes që lidhet me çështje ekonomike, me ndërmarrjet publike dhe AKP-në. Konsiderojmë se është një strukturë ekonomike e padobishme…Ne do të dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi të bindur se kjo strukturë e ka vetëm një formë që të ndërtohet, vetëm me ndryshime kushtetuese”, tha Tahiri.

    Kundërshtimin ndaj këtij projektligji e shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    “Është një ligj që e dëmton në esencë funksionimin e çfarëdo logjike ekonomike në këtë vend. Aleanca e kundërshton dhe është ligj kundër kushtetues që do të adresohet në instancat më të larta kushtetuese”, theksoi Tahiri.

    Krahas kësaj, ai kërkoi nga qeveria që të mbështesë më shumë kategoritë e dala nga lufta./kp/

  • Prishtina triumfon në derbi

    Prishtina triumfon në derbi

    Prishtina e ka fituar derbin e xhiros së 15-të të Superligës së futbollit.

    Kryeqytetasit e fituan derbin Bardhekaltër pasi e mposhtën Dritën me rezultat minimal 1:0.

    Golin e fitores për Prishtinën e shënoi Jalen Blesa në pjesën e dytë nga penalltia.

    Gjilanasit nga ana e tyre nuk arritën të shënonin përkundër rasteve të krijuara në ndeshjen e zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali. Kjo humbje e lë Dritën në vendin e tretë në tabelë, kurse Prishtina ngritet në pozitën e katërt pas këtij trepikëshi.

    Ndeshja ishte paraparë të zhvillohej në fundjavë, por ishte shtyrë shkaku i reshjeve të borës.

    Ndërkohë, Feronikeli 74’ e “fundosi” edhe më shumë Lirinë, të cilën e mposhti me rezultat 2:1.

    Shillova dhe Hajdari në fund i shënuan golat për skuadrën nga Drenasi, kurse golin e pamjaftueshëm për prizrenasit e realizoi Topallaj, i cili e barazoi përkohësisht rezultatin.

    Kjo humbje e lë Lirinë në vendin e fundit në tabelë, kurse “Nikli” ngritet në pozitën e shtatë falë kësaj fitoreje.

  • Kryetari i Preshevës e vendos flamurin shqiptar në objektin e komunës

    Kryetari i Preshevës e vendos flamurin shqiptar në objektin e komunës

    Në objektin e Komunës së Preshevës është vendosur sot flamuri kombëtar shqiptar.

    Flamuri është vendosur aty nga kryetari i komunës Shqiprim Arifi.

    Arifi ka publikuar videon e momentin të vendosjes së flamurit kombëtar të shqiptarëve në objekt.

    “Vendosja e flamurit kombëtarë në godinën e komunës së Preshevës”, ka shkruar ai në përshkrimin e videos.

  • Arrestohet Xhevdet Selimi, dyshohet për shpërthimin në Prizren

    Arrestohet Xhevdet Selimi, dyshohet për shpërthimin në Prizren

    Policia e Kosovës e ka kapur sot të dyshuarin për gjuajtje të granatës së dorës në tregun e kafshëve në Prizren.

    Policia tha sot se i dyshuari është arrestuar sot.

    “Me datën 27.11.2023 hetues policor nga sektori rajonale i hetimeve Prizren përmes rrugëve operacionale dhe falë bashkëpunimit me media dhe qytetarë ka arritur që të lokalizoj dhe arrestoj të dyshuarin XHEVDET Shaban SELIMI i lindur me 23.03.1986 fshati Uglar/ Gjilan ndaj të cilit prokurori i shtetit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë”, tha policia.

    Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

    Selimi është i dyshuari kryesor për shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren të mërkurën e javës së kaluar.