ATV

Author: ATVLive

  • Samiti BE – Ballkani Perëndimor: Kosovës e Serbisë pritet t’u bëhet thirrje për normalizim

    Samiti BE – Ballkani Perëndimor: Kosovës e Serbisë pritet t’u bëhet thirrje për normalizim

    Përgatiti: Entela Sahiti

    Normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi, do të jetë një ndër temat kryesore, në samitin e përbashkët të liderëve të Bashkimit Evropian, me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Serbia nga kryeministrja Ana Bërnabiq.

    “Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbështetë përpjekjet e përfaqësuesit të lartë dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Presim angazhim konstruktiv nga të dyja palët”, ka njoftuar zyra e BE-së për Media.

    Në këtë samit, që punimet do t’i zhvillojë më 13 dhjetor, pritet të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët, me të cilën do të konfirmohet, nga njëra anë, orientimi strategjik i rajonit për integrim në BE dhe, në anën tjetër, edhe përkushtimi i BE-së në këtë drejtim.

    Aty, po ashtu, përsëritet edhe ftesa për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.
    Veç Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian do të ketë porosi edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet e tyre dhe çështjet e hapura.

    Teksti i draftit është përpiluar nga Bashkimi Evropian dhe pritet që atë ta mbështesin edhe liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    BE-ja në këtë samit do të shprehë edhe përkushtimin për t’i ndihmuar vendet e rajonit në përballje me pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si në aspektin e energjisë, ashtu edhe në përballje me kërcënimet hibride që vijnë nga Rusia.

  • Mbi 20 komuna nuk i falin 100 euro nga tatimi në pronë

    Mbi 20 komuna nuk i falin 100 euro nga tatimi në pronë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Tetë dhjetori ishte afati i fundit dhënë komunave për t’u përcaktuar nëse do të falin 100 euro nga tatimi në pronë për qytetarët. Megjithatë, mbi 20 komuna vendosën që të mos e përfillin Ligjin për faljen e Tatimit në Pronë.

    Në mesin e tyre është edhe komuna e Prizrenit. Madje, këtë ligj vetë kryetari i Prizrenit e kishte kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. E, sipas nënkryetarit të Prizrenit, 100 euro nga tatimi në pronë Komunës, i sjell dëm prej 3 milionë euro.

    Por, qytetarët nuk pajtohen.

    Në anën tjetër, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës vendimin për mosfalje të 100 eurove e kanë arsyetuar pikërisht me dëmin financiar që u shkaktohet komunave.

    Komuna e fundit që vendosi t’ua falë qytetarëve 100 euro nga tatimi në pronë ishte Podujeva. Ndërkaq, një ditë më parë Prishtina vendosi që t’ua falë qytetarëve vetëm nga 75 euro.

    Deri në fund të muajit tetor, komunat kanë mbledhur mbi 95 për qind të të hyrave nga tatimi në pronë. Rrjedhimisht qytetarët do të kompensohen nga viti i ardhshëm.

  • LDK-ja me akuza drejt Qeverisë dhe Vitisë për gjendjen në shëndetësi

    LDK-ja me akuza drejt Qeverisë dhe Vitisë për gjendjen në shëndetësi

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Vendi po përballet me një pandemi të re, atë të paaftësisë së Ministrisë së Shëndetësisë që t’u japë përgjigje problemeve në këtë sektor, konstatoi Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në një konferencë të mbajtur për media, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njëherazi deputet i kësaj partie, tha se Ligjin për Shëndetësi dhe atë për Sigurimet Shëndetësore, ministri Arben Vitia i largoi prej strategjisë.

    “Ky ministër e ka larguar nga strategjia ligjin për shëndetësi dhe ligjin për sigurimet shëndetësore. Kam informacione të sakta të konfirmuara që ky ligj është bartur për vitin e ardhshëm, ashtu siç është bartur që tri vite me radhë. Domethënë prioritetet dhe premtimet që erdhën qeveria në pushtet tani po kalojnë në bartje në vitet e ardhshme”, tha Zemaj.

    Zemaj akuzoi qeverinë edhe për dorëheqjet e mjekëve. E në mungesë të stafit dhe mosangazhimit të Ministrisë, sipas Zemajt, gjendja në shëndetësi po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

    “Më shumë se 200 mjekë po na ikin çdo vit, e për ikjen e tyre nuk ka asnjë reagim nga qeveria, nuk kemi asnjë investim kapital, kemi ankesa të njëjta nga të gjitha odat e profesionistëve shëndetësorë”, tha Zemaj.

    Ndryshe, sipas raportit për investime kapitale, për periudhën janar-shtator, Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar vetëm tetë për qind të buxhetit.

  • Kush është Princi nga Peja, i kërkuar nga Interpol- i

    Kush është Princi nga Peja, i kërkuar nga Interpol- i

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Disa objekte banimi në Pejë, pronë e një bosi të drogës në Evropë, ishin cak i hetuesve policorë të enjten. Princ Dobroshi u arrestua në nëntor në Shqipëri, meqë kërkohej edhe nga INTERPOL-i.

    59-vjeçari, që dyshohet për trafikim me narkotikë edhe në vendet e Bashkimit Evropian, pritet të ekstradohet në Gjermani, brenda vitit.

    “Është arrestuar me datë 22 nëntor në Tiranë. Lajmi është mbajtur sekret, masa e sigurisë me ekstradim brenda 40 ditësh, është zhvilluar po ashtu në situatë të tillë”, tha gazetari nga Shqipëria, Sokol Dema.

    Ndonëse, operacioni është zhvilluar në heshtje, Policisë së Shqipërisë thuhet se i ka ndihmuar shumë Polica e Kosovës.

    “Për gjetjen e tij në Tiranë, besohet se ka ndihmuar Policia e Kosovës…”, tha Dema.

    Në fakt, historia kriminale e Princ Dobroshit kishte filluar qysh më herët.
    Në vitin 1988, si 24 vjeç, kishte migruar nga Peja në Gjermani, duke nisur kështu biznesin e kazinove, për t’u arrestuar vetëm 5 vjet më vonë për trafikim droge.

    Më pastaj, në vitin 1994, u dënua me 14 vjet burgim në Norvegji. Gjatë vuajtjes së dënimit u arratis dhe sipas mediave atje bëri operacion plastik, i cili nuk i shërbeu shumë, meqenëse u kap sërish, dhe pas përfundimit të dënimit, në vitin 2005 u soll sërish në Kosovë.

  • Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve në veri, duke u shqyrtuar

    Kërkesat për shkarkimin e kryetarëve në veri, duke u shqyrtuar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut është duke e shqyrtuar kërkesën e banorëve serbë për shkarkimin e kryetarit të Komunës.

    Por, kërkesa e dorëzuar të enjten, sipas kryetarit të asamblesë komunale në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të hartuar nga Qeveria e Kosovës.

    Madje, Uglanin shtoi se iniciativa për ta shkarkuar Erden Atiqin nga posti i kryetarit, është e dirigjuar nga Lista Serbe.

    Se prapa dëshirës për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë qëndron partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e thotë edhe kryetari i Zubin Potokut.

    Izmir Zeqiri më shumë preferon një marrëveshje politike, sesa shkarkimin përmes peticionit.

    Sipas Udhëzimit Administrativ, kryesuesi i kuvendit komunal jo më vonë se pesë ditë, duhet ta shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë grupin nismëtar si palë e autorizuar.

  • KEK-u nuk shpall konkurs për kryeshef, vazhdon me ushtrues detyre

    KEK-u nuk shpall konkurs për kryeshef, vazhdon me ushtrues detyre

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Korporata Energjetike e Kosovës është duke funksionuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv, që nga muaji Prill.

    Pak ditë pas arrestimit, Bordi i Drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje publike e suspendoi Nagip Krasniqin dhe e caktoi ushtrues detyre të kryeshefit, Përparim Kabashin.

    Derisa suspendimi mbetet në fuqi, në Shtator Gjykata ia ndryshoi Krasniqit masën e sigurisë nga paraburgimi në ndalim afrimi objektit apo punonjësve të KEK-ut.

    Gati tetë muaj nga arrestimi, Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë.

    “Hetimet kundër të pandehurit N.K. janë duke vazhduar në mënyrë intensive. Andaj, duke pasur parasysh se në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna të tjera, kërkojmë mirëkuptim nga ju”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Në Gusht, Bordi i Drejtorëve i KEK-ut kishte njoftuar se nuk do ta shkarkojë Krasniqin e as nuk do të shpallë konkurs për kryeshef të ri, “pa një vendim nga organet e drejtësisë, apo pa krijimin e rrethanave të cilat Bordi do t’i konsiderojë të domosdoshme për të sjellë një vendim meritor”. Bordi nuk ka dalë me qëndrim të ri.

    Në heshtje lidhur me këtë çështje është Ministria e Ekonomisë, e cila ka në mandat mbikëqyrjen e ndërmarrjeve publike.

    Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19 Prill nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

  • Hetimet për krimet e luftës, 53 të akuzuar për masakrën e Mejës

    Hetimet për krimet e luftës, 53 të akuzuar për masakrën e Mejës

    Përgatiti: Nora Luta

    370 civilë kishin mbetur të vrarë gjatë një operacioni të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, gjatë 27 dhe 29 prillit të vitit 1999, në Mejë dhe rajonin Reka e Keqe të Gjakovës.

    Hetimet e Prokurorisë Speciale dëshmojnë se përveç vrasjeve, sulmi përfshinte djegien e shtëpive, keqtrajtim dhe dëbim të dhunshëm për në Shqipëri.

    Provat dhe dokumentacionet e grumbulluara rezultuan me ngritjen e aktakuzës ndaj 53 personave, 16 nga ta me përgjegjësi komanduese në ushtrinë jugosllave dhe policinë e shtetit serb.

    Në llupën e Prokurorisë Speciale janë edhe 88 persona, të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës, ku ndaj një personi tashmë ka nisur gjykimi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Legjislacioni që është në fuqi, përfshirë atë për gjykimin në mungesë, sipas Prokurorisë Speciale, paraqet sfidë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.

    Megjithatë, theksojnë se hetimet për zbardhjen e këtyre rasteve janë duke u zhvilluar pa dallim etnie.

    Hetimet për krimet e luftës nga përfundimi i saj i nisi misioni i UNMIK-ut, për t’i vazhduar EULEX-i, i cili ua kaloi vendorëve kompetencat përfundimisht në vitin 2019.

    Që atëherë janë ngritur gjithsej 33 aktakuza ndaj 89 personave.

  • Apeli vërteton vendimin e themelores, për pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve

    Apeli vërteton vendimin e themelores, për pagat e gjyqtarëve e të prokurorëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte anuluar vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, ishte ankuar ekzekutivi.

    Mirëpo, ankesën e Qeverisë e ka vlerësuar si të pabazuar Gjykata e Apelit, duke i dhënë kështu të drejtë vendimit të gjykatës së shkallës së parë.

    “Sipas vlerësimit të kolegjit, në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet se në cilën formë duhet të ngrihen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mirëpo përcaktohet me ligj se ato pavarësisht arsyes së rritjes nuk mund të zvogëlohen, ashtu siç edhe është arsyetuar në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vlerësimin e Gjykatës së Apelit.

    Vendimin e shkallës së dytë e mirëpresin monitoruesit e fushës së drejtësisë.

    Aktualisht, sipas ligjit të Pagave, gjyqtarët dhe prokurorët i marrin pagat me shtesën tranzitore. Mirëpo, procesimi i pagës për këtë kategori nuk do të jetë e njëjtë, pasi që nga shkurti, ata do të paguhen vetëm 50 % të shtesës tranzitore.

    Ulja e pagës në këtë mënyrë po kundërshtohet.

    Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, është kontestuar se vendimi për uljen e pagave nuk është nxjerrë mbi bazën e ndonjë situate të jashtëzakonshme ose vështirësie financiare.

  • Mentaliteti “qytetarë-katundarë”, një ndër arsyet kryesore se përse Prizreni prin me shkurorëzime

    Mentaliteti “qytetarë-katundarë”, një ndër arsyet kryesore se përse Prizreni prin me shkurorëzime

    Avokatja Emira Gavazi Gashi, në emisionin A LIVE në ATV, arsyen se përse Prizreni prin me numrin më të madh të shkurorëzimeve me 209 raste, e ndërlidhi me dallimet që bëhen qytetar-katundar.

    Ajo tha se ky mentalitet është jashtëzakonisht vrasës për një femër.

    “Prizreni është i rrethuar më shumë fshatra dhe lidhshmëria në anën e sociologut janë shumë të mëdha. Pastaj një botë kuptim i mentaliteti që ‘ti qytetar, ti katundar’ është jashtëzakonisht vrasëse për një femër. Ne nuk mund të quhemi këtu që të gjithë jemi qytetarë. Vet vij nga fshati Zhur dhe jam krenare dhe gjithmonë e them se unë jam fshatare, jam rritë aty. I mbaj me vlera ato çfarë mi ka dhënë fshati im. Nuk toleroj të diskriminohem në aspekt të saj”, tha avokatja Emira Gavazi Gashi.

    Mentalitetin e dallimeve rural-urban që mund të ndikojë në numrin e lartë të shkurorëzimeve e mbështeti edhe sociologu Jeton Brajshori. /atvlive.tv

  • Presidentja Osmani në Turqi takohet me Erdoganin, e falënderon për angazhimin në sigurinë e rajonit

    Presidentja Osmani në Turqi takohet me Erdoganin, e falënderon për angazhimin në sigurinë e rajonit

    Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt Turqisë ku është takuar me homologun e saj turk, Reccep Tayyip Erdogan.

    Ajo përmes një postimi në X tha se e ka falënderuar atë për mbështetjen dhe angazhimin e Turqisë në sigurinë e rajonit.

    “Sot në Stamboll takova Presidentin Erdogan. Në dritën e zhvillimeve të fundit të sigurisë, shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen dhe angazhimin e Turqisë për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin mes vendeve tona”.