ATV

Author: ATVLive

  • Aleksandër Vuçiq shpall fitoren në zgjedhjet e së dielës në Serbi

    Aleksandër Vuçiq shpall fitoren në zgjedhjet e së dielës në Serbi

    Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.6 për qind të votave, që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.

    Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 ulëse.

    Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, me 6.9 për qind të votave apo 19 ulëse.

    Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse.

    Një total prej 18 partive dhe aleancave kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve me të drejtë vote për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse.

    Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.

    Presidenti Vuçiq ka thënë se partia e tij është rritur për 10 për qind në të gjitha vendvotimet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

    Ai ka pretenduar se partia e tij ka fituar edhe në Beograd.

    Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe, e ka shpallur, po ashtu, fitoren e partisë.

    Bërnabiq i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”.

    Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

    Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë.

    Deri në orën 19:00 kanë votuar 55.5 për qind e qytetarëve.

    Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit.

    Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë – gjithsej 8.273.

    Fillimisht do të numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale.

    Mbarëvajtja e procesit zgjedhor

    Rasha Nedellkov, drejtor i organizatës joqeveritare për vëzhgim zgjedhjesh CRTA, ka pretenduar se vëzhguesit e organizatës janë sulmuar fizikisht dhe makinat e tyre janë dëmtuar rëndë në komunën Oxhaci në veri të Serbisë.

    Policia e ka arrestuar gjatë ditës një të dyshuar lidhur me këtë incident dhe është thënë se po kryhen hetime.

    Nedellkov ka shtuar se ka pasur votues që janë bartur me autobusë prej entitetit serb të Bosnje -Hercegovinës, për të votuar në Beograd.

    Misioni Vëzhgues për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira – i themeluar në Beograd më 1997 – ka raportuar se ka parë “mosrespektim të përsëritur” të procedurave zgjedhore në disa qendra të votimit dhe prezencë të “materialit propagandues”.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se i ka vizituar disa qendra zgjedhore në Beograd.

    “Ambasada amerikane i ka 14 ekipe të shpërndara nëpër Serbi dhe Beograd”, ka thënë ai, teksa ka komentuar praninë e vëzhguesve të huaj në këto zgjedhje.

    Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet paraprake.

    Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

    Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

    Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

    Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

    Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

    Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.

    Serbët e Kosovës udhëtuan drejt Serbisë për të votuar

    Banorët serbë të Kosovës janë parë qysh në mëngjesin e së dielës duke u nisur për në Serbi, për të votuar për zgjedhjet atje.

    Banorët serbë janë organizuar për të udhëtuar me autobusë.
    Banorët serbë janë organizuar për të udhëtuar me autobusë.
    Në orë e paradites, në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Merdare, Jarinje dhe Bërnjak – janë krijuar kolona të gjata.

    Serbët e kanë bërë këtë rrugë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk është zhvilluar në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

    Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Komisioni Zgjedhor në Serbi, ka thënë se deri në orën 18:00 kanë votuar rreth 22.000 votues serbë nga Kosova, nga rreth 122.000 sa kanë pasur të drejtë.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

    Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

    Thirrje shqiptarëve në Serbi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

    Shqiptarët e Luginës kanë garuar këtë herë me dy lista.

    Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar.

  • Menaxhmenti i Policisë së Kosovës vizitoi familjen e heroit Afrim Bunjaku

    Menaxhmenti i Policisë së Kosovës vizitoi familjen e heroit Afrim Bunjaku

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha me stafin e tij, vizitoi sot pikë kalimin kufitar në Jarinjë dhe familjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në kryerje të detyrës në mbrojtje të sovranitetit territorial të Kosovës më 24 shtator në Banjska të Zveçanit.

    Në emër të policisë, drejtori Hoxha gjatë kësaj vizite falënderoi familjen e heroit Bunjaku për sakrificën dhe kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës, me ç ‘rast i siguroi ata se Policia e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë tyre duke kujtuar heroizmin e Afrimit dhe duke ofruar mbështetjen e nevojshme për familjen e tij.

    Familjes Bunjaku nga drejtori Hoxha iu dorëzua edhe një pllakat me emrin e heroit rreshter Afrim Bunjaku, e cila ishte dhuruar nga Shoqata shqiptaro-amerikane (AALEA US ), dedikuar për heroin e Kosovës.

    “Policia e Kosovës do ta kujtojë përherë heroin Afrim Bunjaku dhe të gjithë heronjtë e tjerë, të cilët nuk kursyen jetën e tyre për qytetarët dhe vendin”, tha Hoxha.

    Ndërsa gjatë vizitës në pikë kalimin kufitar Jarinjë, drejtori Hoxha takoi zyrtarët policorë, të cilët i falënderoi për punën e pakursyer dhe njëkohësisht kërkoi të vazhdojnë me përkushtim realizimin e detyrave në interes të sigurisë, parandalimit të krimit e kontrabandës, dhe menaxhimit sa më efikas të kufirit shtetëror.

  • Mbahet mini maratona “Vrapo Babadimër”

    Mbahet mini maratona “Vrapo Babadimër”

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në sheshin e Prishtinës sot mbizotëronin ngjyrat festive.

    Mijëra pjesëmarrës, përfshirë edhe fëmijë, u mblodhën sot në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë për të qenë pjesë e mini maratonës humanitare “Vrapo Babadimër”, e organizuar nga Jusuf Islami.

    Andaj, fëmijët çmuan lartë vlerat e këtij organizimi.

    Të lumtur për qëllimin e maratonës u shprehen edhe prindërit e fëmijëve pjesëmarrës.

    Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se Komuna është në hartën sportive globale. Andaj, sipas tij, organizime të tilla janë më se të domosdoshme.

    Ky është viti i 8-të që mbahet një aktivitet i tillë, i cili organizohet pikërisht në prag të festave të fund vitit.

  • Vazhdon shitja e barnave pa banderolë nëpër farmaci

    Vazhdon shitja e barnave pa banderolë nëpër farmaci

    Përgatiti: Sara Shehu

    Medikamenti Cardioace, që shërben për funksionim normal të zemrës dhe kontribuon në normalizimin e qarkullimit të gjakut, po shitet pa banderola në disa barnatore në Prishtinë.

    Në një rast të tillë ka hasur edhe një qytetare nga Prishtina.

    “Këto medikamente po shiten pa banderolë, m’ka ra në raste urgjente me i ble, s’po i këqyr kurrkush në ato momente a kanë a s’kanë banderolë, institucionet duhet me i mbikëqyr ma shumë barnatoret”, thotë një qytetare.

    Farmacistja e njërës nga barnatoret në afërsi të Qendrës Klinike Universitare, prapa kamerës u arsyetua se banderola mungon për shkak se ilaçi vjen i paketuar me shumicë.

    Inspektorati Farmaceutik nëpërmjet një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ka realizuar afro 900 inspektime. Megjithatë, numri i gjobave të shqiptuara nga ana e tyre është i ulët.

    “Lidhur me parregullsi të takuara janë shqiptuar 231 gjoba, prej të cilave 86 gjoba për produkte medicinale ilegale (pa banderolë). Ndërsa, në adresën e Inspektoratit farmaceutik kanë arritur 66 ankesa të palëve, të bëra përmes Linjës së Ankesave, Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, përmes protokollit dhe përmes E-mailit zyrtar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Farmaceutik.

    Përderisa në tregun farmaceutik shiten medikamente pa banderola, nënkryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Jehona Hakaj, lavdëron punën e Inspektoratit Farmaceutik duke thënë se këto raste janë në rënie falë angazhimit të tyre.

    “Është zvogëluar numri i barnave pa banderola, nuk mundemi me siguru që tërësisht është mënjanu… Rritja e numrit të inspektorëve farmaceutikë oshtë ka sjell një punë të mrekullueshme, janë shtu edhe 8 inspektorë. Çdo bar duhet në AKPPM me kanë e regjistrume … çdo ilaç, bar duhet të ketë banderolë”, tha Jehona Hakaj, nënkryetare e OFK-së.

    Nga Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore, institucion ky që obligon secilën barnatore të ketë produktet me banderolë, kanë treguar për ATV se tashmë janë furnizuar me banderola dhe se nuk kanë mungesa.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ura në “Asllan Çeshme” s’u rregullua as pas 6 muajve nga përmbytjet

    Ura në “Asllan Çeshme” s’u rregullua as pas 6 muajve nga përmbytjet

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Uji që erdhi me rrëmbim ua shkatërroi urën nëpër të cilën kalonin për të shkuar në shkollë.

    Gjashtë muaj pas përmbytjeve në Pejë, këta fëmijë ende presin që ajo të rregullohet.

    Banorët kërkojnë që sa më shpejt të zgjidhet ky problem.

    “Banorët e kanë vendosë vetë, derisa të fillojë komuna me punu. Fëmija kështu po kalojnë se ma herët ata knej kanë kalua, po tash s’po kanë kah me shku”, thotë një banore e lagjes “2 Korriku”.

    Por të paktën edhe disa muaj ata do të kalojnë nëpër këtë urë të improvizuar, pasi që komuna tek në vitin 2024, do të fillojë punimet për ta rregulluar atë.

    “Në muajin qershor, kemi pasë përmbytje, e ajo na ka shkaktua dëme të mëdha. Kemi ndarë buxhet për vitin 2024, për të rregullua edhe shtratin e kanalit në atë rrugë”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës, Agron Nikçi.

    Në lagjen 2 korriku, e cila ishte më e prekura nga përmbytjet e qershorit, banorët kanë dorëzuar në komision rreth 400 kërkesa për kompensim të dëmit, 60 prej tyre biznese, 70 kërkesa për automjete dhe 320 kërkesa për dëme në ekonomi familjare. Vlera e këtij dëmi vlerësohet të jetë mbi 1 milion euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Fushë Kosova vendos pengesa për ndalimin e veturave në trotuare

    Fushë Kosova vendos pengesa për ndalimin e veturave në trotuare

    Përgatiti: Sara Shehu

    Parkimi i veturave nëpër hapësira të destinuara për këmbësorë është një problem i kamotshëm në Fushë Kosovë.

    Për t’i dhënë fund kësaj situate, Komuna e Fushë Kosovës ka vendosur pengesa metalike nëpër disa rrugë të qytetit.

    Megjithatë disa nga pengesat në rrugë, sipas qytetarëve, po dëmtohen nga shoferët.

    “Është një vendim shumë i qëlluar pasi që veturat nuk do të mund të parkohen sipas qejfit, eshte shqetësuese qe po dëmtohen këto pengesa nga shoferet”, thotë Elvir Vllasi, qytetar.

    “Është shumë mirë që në afërsi të shkollës naj kanë vendos se na qarkullojmë në këto rrugë afër shkollave andaj kështu shmangen aksidentet”, tha Jon Beholli, nxënës.

    Zyrtarët e Transportit Rrugor në Fushë Kosovës nëpërmjet një përgjigje me shkrim i kanë thënë ATV-së se nuk do të ndalen me vendosjen e pengesave të tilla të cilat janë pjesë e projektit për sinjalizime rrugore.

    “Kunjat metalike hyn në kuadër të planit për sinjalizime, projekt ky që kushton 50 mijë euro. Përpos kunjave metalike në këtë projekt hynë edhe vijat e bardha, shenjat rrugore të parapara për disa rrugë një kahore të cilat do të vendosen edhe në afërsi të shkollave. Pra do të kemi sinjalizime horizontale dhe vertikale”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Fushë Kosovës.

    Situatë e ngjashme është edhe në Prishtinë, pasi që muaj më parë Drejtoria e Shërbimeve Publike kishte investuar rreth 400 mijë euro për vendosjen e pengesave në qendër dhe nëpër rrugët e lagjeve, në mënyrë që të shmangen parkimi i automjeteve nëpër trotuare.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kritika për kapitalin themeltar të fondit sovran

    Kritika për kapitalin themeltar të fondit sovran

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ndërmarrjet publike kryesore të shtetit, do të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran me themelimin e tij.

    Projket-ligji për Fondin Sovran, të premten, me votat e deputetëve të pozitës, kaloi në lexim të dytë në Kuvend.

    Referuar projekt-ligjit, kapitali themeltar i fondit do jetë njëzet milion euro.

    Mes tjerash, si burim financimi do shërbejnë edhe grantet dhe donacionet, por edhe huat e garantuara nga Republika e Kosovës.

    Teksa shprehet kritik në raport me konceptin e Fondit Sovran, eksperti i ekonomisë, Fidan Qerimi ka kritika sa i përket kapitalit themeltar të fondit.

    Duke e ndikuar Fondin pastaj indirekt në ndërmarrjet publike dhe ky ndikim indirekt është njëfarë fshehje e ndikimit indirekt në ndërmarrjet publike…20 milion euro janë mjete të papërfillshme duke e përfshirë telekomin për bërjen e rrjetit nga 4G në 5G nëse marrim “Trepçën” se sa investime duhen”, tha Qerimi.

    Me miratimin e projekt-ligjit në Kuvend, duke përfshirë edhe 47 amandamentet e propozuara, Kosova tashmë ka Fond Sovran në letër.

    Por, ekonomisti Qerimi, është skeptik lidhur me implementimin i ligjit në praktikë.

    “Nuk e shoh serioze qasjen e Qeverisë në Fondin për Sigurime Shëndetësore, njëjtë besoj që do ndodhë edhe me këtë fond përveçse në fushatën zgjedhore të përdoret si një sukses, por nuk e shoh se ky fond do ketë efekte në ekonomi për një kohë të gjatë. Shtetet që janë marrë për bazë këto fonde si të suksesshme kanë një qëndrueshmëri dhe kulturë qeverisëse krejt tjetër”, tha Qerimi.

    Në mënyrë që asetet të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran, ato duhet të jenë të komercializueshme dhe të premtojnë fitim brenda një periudhe të arsyeshme, ndërsa në rast se aseti është ndërmarrje duhet të ketë strukturë të qëndrueshme dhe plan biznesi të qartë.

    Themelimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, ka qenë premtim i kamotshëm i partisë në pushtet.

    Ndërkohë, partitë opozitare, janë deklaruar se Ligji për Fondin Sovran do dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

    Me themelimin e Fondit Sovran do shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kërkohet që policëve që kanë dhënë dorëheqje, t’u mundësohet kthimi në punë

    Kërkohet që policëve që kanë dhënë dorëheqje, t’u mundësohet kthimi në punë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Pas më shumë se dy dekadash shërbimi, një zyrtar policor kishte dhënë dorëheqje, për shkak të kushteve të dobëta ekonomike.

    Por, zhvillimet në veri kohëve të fundit, ish-policin identitetin e të cilit ATV nuk e publikon me kërkesë të tij, e bënë të ndryshojë mendje, e të kërkojë të kthehet sërish në punë.

    “Punën ne Polici e kam lënë më 15 Korrik 2022. Për 20 vjet e 10 muaj, kam punuar në pozita te ndryshme, 12 prej tyre ROSU. Arsye e dorëheqjes ka qene paga se ulët e rrjedhimisht kushtet ekonomike. Arsye kryesore pse kam bërë kërkesë për rikthim, është dorëheqja e policëve serbë si dhe zhvillimet në veri. E dimë që ende Policia po kalon nëpër sfida te rënda dhe pavarësisht kushteve ekonomike dhe pagës kemi shpreh gatishmëri të rikthehemi. Nuk ka ndikuar aspak Ligji i Pagave, meqenëse pagat në Polici vazhdojnë të jenë të njëjtat”, thotë një polic.

    Megjithatë, kthimin në punë të gjithë atyre që kishin dhënë dorëheqje për çfarëdo arsye, momentalisht ua pamundëson Udhëzimi Administrativ i cili u ndryshua në vitin 2018.

    Para kësaj periudhe, Policët që jepnin dorëheqje, kishin mundësi rikthimi brenda dy vjetësh, por, pas kryerjes së disa testimeve. Andaj, njohës të çështjeve të sigurisë, sugjerojnë që edhe njëherë të kthehet kjo mundësi.

    Sipas nenit 82 të Udhëzimit Administrativ për marrëdhëniet e punës në Polici, personave që largohen vullnetarisht nga pozita në polici, nuk kanë të drejtë rikthimi.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Banorët e Luginës në Kosovës organizohen për të votuar në Serbi

    Banorët e Luginës në Kosovës organizohen për të votuar në Serbi

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Ani pse kanë diferencë në moshë, qëllimin e kanë të përbashkët.

    Kështu qindra qytetarë të Luginës që jetojnë në Kosovë, u bënë bashkë për të udhëtar në Serbi, për të shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën atje.

    Me autobusë e në përcjellje të KFOR-it, ata u nisën drejt Serbisë, përkatësisht drejt komunave të Luginës derisa presin fitore nga përfaqësuesit shqiptar që po garojnë në këto zgjedhje.

    Të gjithë këtë iniciativë e ka organizuar Komuna e Gjilanit.

    “Zgjedhjet janë parimi më i mirë i demokracisë dhe gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë të dalin, këtë pjesën logjistike, Komuna e Gjilanit veç ja ka mundësuar dhe shumica e qytetarëve që kanë pasur interesimi janë drejtuar këtu drejtë stacionit autobusëve, të gjithë qytetarët pa dallim moshe, etnie, mund të përdorin transportin që ka organizuar komuna e Gjilanit”, tha Enver Haziri, nga komuna e Gjilanit.

    Ndonëse ekzekutivi Kosovar, nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës, numër i lartë i qytetarëve serbë të Kosovës, u nisën drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Në pikë kalimin kufitar “Dheu i Bardhë” madje kishte qytetar që e tejkalonin edhe kolonën.

    Gjendje përafërsisht e njëjtë ishte edhe në dalje të pikë kalimeve në Jarinjë e Bërnjak. Sipas qendrës për menaxhim kufitar, në mesditë pritjet ishin deri në 2 orë, e në Merdarë deri në 1 orë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vritet me thikë një person në Dobërçan të Gjilanit

    Vritet me thikë një person në Dobërçan të Gjilanit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Dobërçan të Gjilanit. Një person mbeti i vrarë nga goditjet me thikë nga një person tjetër, mbrëmë rreth orës 21:00.
    Viktima A.B, 29 vjeçar mbeti i vrarë, pasi që i dyshuari D.T, e ka goditur atë disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

    Sipas drejtorit të Spitalit të Gjilanit, viktima A.B, është dërguar në spital pa shenja jete.

    “Personi me inicialet A.B., ka ardhur në Spitalin e Gjilanit, pa shenja jete, është therrë mjekësia ligjore, e kanë marrë trupin e pajetë për në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Spitalit Rajonal të Gjilanit.

    I dyshuari për kryerjen e kësaj vepre penale, është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 48 orë. Ndërkaq shkaqet e ngjarjes, sipas prokurorisë ende nuk dihen.

    “Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar të dyshuarin D.T., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, motivi i së cilës ende nuk dihet. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, i dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarit do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata kompetente në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

    Sipas statistikave të policisë, që nga 1 janari deri në fillim të dhjetorit, në Kosovë janë regjistruar 27 vrasje. Ky numër rezulton më i lartë në krahasim me numrin e vrasjeve që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: