ATV

Author: ATVLive

  • Mbahet takimi i dytë i grupit koordinues për anëtarësim të Kosovës në KIE

    Mbahet takimi i dytë i grupit koordinues për anëtarësim të Kosovës në KIE

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Raporti i juristëve eminentë të Këshillit të Evropës nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Kështu u tha në takimin e Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Jemi afër përmbylljes së 2/3 të rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Raporti përfundimtar i juristëve eminentë, i cili tashmë është publikuar dhe i cili ka për qëllim që të trajtojë nëse sistemi ligjor i Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës e konfirmoj një gjë të tillë. Duke theksuar që përveç së Kosova i plotëson standardet e Këshillit të Evropës, ajo në shumë çështje tejkalon edhe standarde ndërkombëtare. Kjo është fitorja e tretë gjatë këtij procesi të anëtarësimit, fitore e cila tregon që nuk ka asnjë arsye për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.

    Se Kosova qëndron më mirë se shtetet anëtare të KiE-së, e thotë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

    “Si vend mendoj që kemi dëshmuar mirë, duke filluar nga Kushtetuta dhe ligjet që i kemi në fuqi, qëndrojmë shumë më mirë se edhe plot vende anëtare në Këshillin e Evropës. Edhe gjatë diskutimit që bëhen brenda Asamblesë Parlamentare, shihet se ne qëndrojmë shumë më mirë si vend. Pas aplikimit, natyrisht se kemi qenë të angazhuar vazhdimisht, për të parë se si është disponimi, kështu që nuk ka asnjë dilemë të vetme për rëndësinë, por edhe që e shohin që doemos që Kosova duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës”, tha nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

    Derisa, Këshilltarja e Jashtme e Ministrisë së Punëve të jashtme dhe Diasporës, tha se, sipas këtij raporti, mosnjohja e Kosovës nga disa shtete, nuk e pengon anëtarësimin në KiE.

    “Raporti nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Raporti konfirmon se Kosova ka kontrolle efektive në gjithë territorin dhe popullatën e saj. Sipas raportit, Kosova po vlerësohet si shtet kandidat për anëtarësim dhe jo si vend”, tha Adelina Hasani, këshilltare e jashtme e MPJD-së.

    Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa në korrik të këtij viti u mbajt takimi i parë i grupit koordinues për Anëtarësimin e Kosovës në KiE.

  • Qeveria përjashton kategoritë e luftës nga subvencionimi i energjisë

    Qeveria përjashton kategoritë e luftës nga subvencionimi i energjisë

    Përgatiti: Driton Sadku

    Së paku 10 euro më shtrenjtë do ta paguajnë faturën e energjisë elektrike një pjesë e kategorive të dala nga lufta.

    Subvencionimin e rrymës që e gëzonin tash e sa vite, ua hoqi Qeveria, madje siç thonë pa asnjë paralajmërim.

    “Jemi subvencionu për një pjesë të faturës të energjisë elektrike dhe e kemi kuptu që ka nxjerrë një rregullore që na ka largu edhe pse është e përfshirë në ligj, dhe qeveritë e kaluara e kanë zbatu këtë vit ka marrë vendim edhe na ka lënë anash edhe kështu që nuk na ka njoftu as neve që ta njoftojmë anëtarësinë që të aplikojë si rast social”, tha Xhevdet Qeriqi nga OVL-UÇK.

    Subvencionimi i energjisë për këto kategori nga ana e Qeverisë bëhej në baza vjetore në KEDS.

    Kësisoj invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, viktimat e dhunës civile, nuk do të trajtohen si kategori të veçanta, por vetëm si qytetarë të thjeshtë.

    Qeveria thotë se të gjithë këta ish-përfitues kanë mundur të aplikojnë për të qenë pjesë e masës së re për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme.

    “Me fillimin e masës së re për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme është hapur thirrja për të gjitha familjet të cilat kanë të ardhura më pak se 150 euro në muaj për një anëtar, që të aplikojnë për të përfituar nga subvencionimi. Kjo masë e thekson se kategoritë të cilat kanë marrë më herët subvencion duhet të aplikojnë përmes thirrjes që hapet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Të gjitha familjet që janë përfitues të skemave sociale e pensionale, inkurajohen të aplikojnë. Përderisa familja ka më pak të ardhura mujore sesa pragu prej 150 eurosh/muaj për anëtar, atëherë ju kualifikoheni për subvencionim të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

    Ndërkaq, shoqata e invalidëve thotë se me këtë, automatikisht të gjitha kategoritë e luftës janë përjashtuar nga mundësia e përfitimit nga kjo masë.

    “Pensioni më i vogël i invalidit është 225 euro, automatikisht përjashtohemi, aty ka qenë si kriter të jenë nën 150 euro të ardhurat mujore”, tha kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj.

    Të drejtën për tarifë më të lirë të energjisë elektrike ua garanton edhe ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre në nenin 9 të tij.

    Andaj duke marrë parasysh këtë, shoqata e invalidëve thotë se po e shqyrton mundësinë që ta paditë Qeverinë për shkelje të ligjit.

  • Reforma në KPK, Komisioni i Venecias e hedh poshtë idenë për rritjen e numrit të anëtarëve

    Reforma në KPK, Komisioni i Venecias e hedh poshtë idenë për rritjen e numrit të anëtarëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Dy ditë pasi e prezantoi në Komisionin e Venecias, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, doli në një konferencë për media, ku tregoi se nuk e mori përkrahjen nga ky institucion rreth disa ndryshimeve në projektligjin për Këshillin Prokurorial.

    Ministria ka dështuar të bindë Komisionin rreth idesë për rritjen e numrit të anëtarëve të përkohshëm në 21, duke marrë rekomandim që përbërja e KPK-së të jetë me shtatë anëtarë.

    Komisioni i Venecias nuk e përkrahu rritjen e numrit të anëtarëve për disa arsye.

    Ndryshimet, ministrja Haxhiu tha se do t’i nisin qysh në muajin janar të vitit të ardhshëm.

    Ndër vërejtjet kryesore të shoqërisë civile rreth projektligjit ishte mosbalancimi mes anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë.

    Me përbërjen prej 21 anëtarëve dhe përzgjedhjen e disave prej tyre nga Kuvendi, sipas KDI-së, ekzistonte rreziku nga politizimi i KPK-së.

    Ministria e Drejtësisë hartoi një projektligj të ri për KPK-në, pasi ai paraprak i miratuar nga Kuvendi, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e cila ndër të tjera kishte dhënë vërejtje për mosbalancimin mes anëtarëve dhe fuqisë vendimmarrëse nga anëtarët prokurorë.

  • Zgjedhjet në Serbi: Fitorja e partisë së Vuçiqit, në dëm të Kosovës dhe të rajonit

    Zgjedhjet në Serbi: Fitorja e partisë së Vuçiqit, në dëm të Kosovës dhe të rajonit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Brengosëse për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor vlerësohet fitorja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi e koalicionit të udhëhequr nga partia e Aleksandar Vuçiqit.

    Në këtë kontekst shihen pretendimet e hapura ndaj Kosovës, të shprehura nga presidenti i Serbisë, teksa shpalli fitoren e partisë së tij.

    Në rrethanat e reja, sipas profesorit Milazim Krasniqi, Vuçiqi do të vijojë me politikën agresive, duke ia bërë të vështirë Kosovës procesin e dialogut.

    “Fitorja e tij, pa dyshim, është dëshmi e kontinuitetit të politikës së tij nacionaliste dhe destabilizuese në drejtim të Kosovës. E dyta, me siguri që do të mbetet partner kredibil i BE-së dhe i Uashingtonit, për shkak të fuqisë reale që ka dhe rolit destabilizues që mund të ushtrojë drejt Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës. Dhe e treta, në dialog, ai do të jetë shumë i fuqishëm, ashtu që Qeveria jonë do të ketë përballë atë Vuçiqin e vjetër, por me një mandat të ri”, tha Krasniqi.

    Krahas konstatimit se Vuçiqi e përdori sulmin terrorist në Banjskë për efekt të brendshëm tek elementet nacionaliste dhe frikësim të perëndimit, profesori Krasniqi pret shtim presioni me synim autonominë.

    “Ai do t’i ruajë vijat e kuqe të Serbisë në raport me Kosovën, që nënkupton taktizime të shumta. Përdorimin e serbëve të Kosovës për lojërat e tij destabilizuese dhe për maksimalizimin e politikës në raport me Kosovën, për të marrë favore në proceset e integrimit të BE-së, për të ruajtur kursin pro-rus e kështu me radhë”, tha Krasniqi.

    Fitorja e Vuçiqit, sipas politologut Fidan Ukaj, nënkupton vazhdimin e politikës destruktive të Serbisë, e cila cenon të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit.

    “Është lajm i keq jo vetëm për procesion dialogues Kosovë-Serbi, por po ashtu edhe për rrugën evropiane të të gjithë rajonit dhe sigurinë nacionale e rajonale, për arsye se Vuçiqi e ka dëshmuar një gjë të tillë, duke rrezikuar sigurinë nacionale qoftë në Bosnjë e Malin e Zi, e po ashtu agresionin e fundit më 24 shtator në veri të Kosovës”, tha Ukaj.

    Rusia, përmes zëdhënësit të presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, mirëpriti fitoren e partisë së Aleksandar Vuçiqit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.

  • Zjarri kaploi shtëpinë e kulturës në Sllatinë, renovime në të s’pati që nga paslufta

    Zjarri kaploi shtëpinë e kulturës në Sllatinë, renovime në të s’pati që nga paslufta

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Si pasojë e zjarrit, interieri i Shtëpisë së Kulturës në Sllatinë, pothuajse është shkatërruar i gjithi.

    Ani pse në këtë objekt nuk mbaheshin shpesh organizime, për banorët e kësaj komune, Shtëpia e Kulturës ka rëndësi të madhe.

    “Kjo shtëpi kulture në fshatin tonë qe shumë vite është e lënë anash pavarësisht se këtu mbaheshin shfaqje kulturore, pra edhe e pamë, provoi edhe ta djegë dikush me themel…”, tha Labinot Shala, banor i Sllatinës.

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Durim Hajra, thotë se për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, kjo ndërtesë ishte jofunksionale.

    “Si shumë objekte që janë lënë në harresë është edhe kjo që u djeg dje. Ka 20 vite që nuk u investua asnjëherë në të, vërehet që kjo qeverisje nuk e ka prioritet kulturën dhe arsimin”, tha asamblisti i LV-së, Durim Hajra.

    E për mungesën e mirëmbajtjes, drejtori i kulturës në Fushë-Kosovë, Ali Topalli, fajin e hedh tek Agjencia Kosovare Për Privatizim.

    “Ai objekt ka qenë prej objekteve të vjetra, ne kur kemi tentuar të bëjmë renovime na kanë dalë probleme pronësore, sepse ajo është pronë e AKP-së dhe nuk na është lejuar të bëjmë një ndërhyrje të tillë”, tha drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Fushë Kosovë, Ali Topalli.

    Hetimet për shkaktarin e zjarrit janë duke vazhduar.

  • Federata e Xhudos mburret me organizimin e Evropianit të Hapur dhe me medaljet e Kosovës

    Federata e Xhudos mburret me organizimin e Evropianit të Hapur dhe me medaljet e Kosovës

    Federata e Xhudos së Kosovës e kaloi me sukses provimin më të madh ndonjëherë duke e organizuar për mrekulli Kampionatin Evropian të Hapur të xhudos.

    Yjet e xhudos kosovare fituan medalje në evenimentin që u mbajt në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, respektivisht Akil Gjakova e fitoi të artën e Dardan Cena, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi të bronztën.

    E Federata e Xhudos sot e bëri një postim, përmes së cilit u shpreh e lumtur për organizimin e Evropianit dhe për sukseset e arritura nga xhudistët kosovarë.

  • Të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian trajnohen mbi luftimin e propagandës përmes Edukimit Medial

    Të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian trajnohen mbi luftimin e propagandës përmes Edukimit Medial

    27 të rinj të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, gjatë vikendit morën pjesë në trajnimin për edukim medial, i cili ka synim identifikimin dhe luftimin e dezinformimit dhe propagandës – projekt i mbështetur me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për gazetën online Reporteri. Nga 27 pjesëmarrësit nga Lipjani dhe Fushë Kosova, rreth 40% ishin vajza.

    Të ndara në pesë module trajnimi, trajnerët ligjëruan në teori dhe në praktikë modulet për: mendimin kritik; identifikimin e burimeve të besueshme të informacionit; verifikimin e fakteve; etikën e mediave dhe sigurinë online.

    Trajnerët e këtyre moduleve ishin: Aurora Popova nga Debate Center; Erjonë Popova – profesioniste e medias; Selamir Qerimi, gazetar i T7; Bekim Kabashi nga Reporteri.net (gazetar dhe drejtor i mediumit); dhe Lavdim Hamidi nga Front Online (kryeredaktor i mediumit).

    “Duke qenë se vet jam pjesëtar i komunitetit Ashkali, e di shumë mirë që shumica prej tyre nuk është që kanë shumë informacione mbi atë së çka u servohet. Po mendoj që është shumë e rëndësishme që të rinjtë e komuniteve Rom, Ashakli dhe Egjiptin me u vetëdijesu dhe me pas sa më shumë trajnime të tilla”, u shpreh gazetari Selamir Qerimi pas trajnimit.

    Sikurse trajneri Qerimi për rëndësinë dhe nevojën e trajnimeve të tilla për të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, theksuan edhe vetë pjesëmarrësit në trajnim.

    “Ky ishte një lloj i trajnimeve që ka munguar tek të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ne e kemi mirëpritë shumë, dhe shpresojmë që aktivitete dhe trajnime të tilla të vazhdojnë. Na ka ndihmu shumë ky trajnim që t’i identifikojmë lajmet e rrejshme”, tha Ardian Krasniqi, pjesëmarrës në trajnim.

    “Absolutisht pas këtij trajnimi mund ta identifikojë me lehtë se cili është një lajm i rremë apo i vertetë”, tha Besart Arifi pasi mori pjesë në trajnimin “Luftimi i propagandës përmes Edukimit Medial për Komunitetet Rom, Ashakli dhe Egjiptian.

    Trajnimi i parë mbi luftimin e propagandës përmes edukimit medial u organizua në Lipjan, me të rijnë pjesëmarrës nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian nga Lipjani dhe Fushë Kosova.

    Ky projekt financohet me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Gazetën Online Reporteri.net (R Media L.L.C), dhe implementohet në partneritet me median “Front Online” dhe Institutin për Hulumtime “iFront”.

    Trajnime të ngjashme do të organizohen edhe në katër komuna tjera.

    Gjatë këtij procesi, 6 nga kandidatët më të suksesshëm që dalin nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente gjatë zhvillimit të trajnimeve në 5 rajone të ndryshme të Kosovës, do të përzgjidhen për të kryer punë praktike në mediat dhe organizatat partnere të projektit.

  • Kryeprokurori Stefanoviq për sulmin në Banjskë: Verifikimi i dëshmisë së Radoiçiqit dhe mbledhja e provave për armët, është në proces

    Kryeprokurori Stefanoviq për sulmin në Banjskë: Verifikimi i dëshmisë së Radoiçiqit dhe mbledhja e provave për armët, është në proces

    Po kontrollohet dëshmia e Milan Radoiçiqit, i cili ka pranuar se ka organizuar një grup të armatosur në fshatin Banjskë, si dhe po mblidhen prova në bashkëpunim me MPB-në dhe Drejtorinë doganore për të përcaktuar origjinën e armëve dhe kanaleve, përmes së cilës kanë arritur në Kosovë.

    Kështu ka thënë kryeprokurori publik Nenad Stefanoviq nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

    Në një intervistë për Kurir, ai tha se “presioni as i publikut, as i komunitetit ndërkombëtar nuk duhet të ndikojë në rrjedhën e asnjë procedure, përfshirë edhe këtë që është në fazën e hetimit”.

    I pyetur se çfarë pret nga procedura kundër babait të djalit, i cili vrau nëntë nxënës dhe roje në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, dhe të tjerët të përfshirë në aktakuzën e 10 tetorit, Stefanoviq tha se Prokuroria në bashkëpunim me MPB-ja dhe BIA, siguruan prova të mjaftueshme për dënime.

    “Pres që palët e dëmtuara të marrin së paku një kënaqësi, përkatësisht që të pandehurit të dënohen në përputhje me ligjin me dënimet e propozuara në aktakuzë, sepse besoj se në këtë rast nuk ka rrethana lehtësuese”, tha Stefanoviq.

    Në një intervistë për Kurir, të cilën VJT e publikoi në faqen e saj të internetit, Stefanoviq tha gjithashtu se gjyqtarët dhe prokurorët publikë, si bartës të funksioneve publike, duhet të mbrojnë ligjin dhe reputacionin e gjyqësorit dhe të mos jenë instrument në duart e interesit dhe grupeve politike.

  • MKRS-ja ndan tri çmime për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, vendin e parë e merr Astrit Kabashi

    MKRS-ja ndan tri çmime për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, vendin e parë e merr Astrit Kabashi

    Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit (MKRS), në një ceremoni ka bërë ndarjen e çmimeve për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi”, raporton EO. Ndarjen e çmimeve e ka bërë ministri Hajrullah Çeku.

    Çmimi i parë për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, i është ndarë dramës me titull: “Gërrdia”, e autorit Astrit Kabashi.

    Ndërsa cmimi i dytë për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, i është ndarë dramës me titull: “Uellsi ka një Mbre”, e autorit autor Jeton Neziraj.

    Përderisa çmimin e tretë e morri drama me titull: “Marshi i hijeve të diellit”, e autorit Florent Kurtalani.

  • Scholz infektohet me Coronavirus

    Scholz infektohet me Coronavirus

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka njoftuar se është infektuar me koronavirus.

    Scholz këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në platformën X.

    “Kjo nuk është qartë një surprizë për të cilën jam i lumtur. Testet i im Covid-19 tregon dy rreshta”, tha politikani i SPD të hënën në mëngjes në X.

    Scholz ishte infektuar edhe më herët me koronavirus, në shtator të vitit të kaluar, teksa ishte izoluar në Kancelarinë e Berlinit në atë kohë.

    Sipas mediave gjermane këtë herë nuk dihet nëse Scholz aktualisht është i izoluar në zyrën e tij apo në apartamentin e tij në Potsdam.