ATV

Author: ATVLive

  • Bërnabiq pranon se shërbimi rus “u dha informacione” autoriteteve për protestën në Serbi

    Bërnabiq pranon se shërbimi rus “u dha informacione” autoriteteve për protestën në Serbi

    Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha më 24 dhjetor se shërbimi rus i sigurisë “siguroi informacion” për incidente të mundshme në protestën në Beograd, ndërsa ajo akuzoi koalicionin opozitar “Serbia kundër dhunës” për përpjekje për të “destabilizuar me dhunë shtetin”.

    Ajo deklaroi se gjatë fushatës, para zgjedhjeve të 17 dhjetorit, “paralajmëroi për synimet e opozitës”.

    “Para së gjithash, të dhënat na janë dorëzuar në këtë mënyrë nga shërbimi rus i sigurisë. Kur personalisht e ndava këtë me disa ambasadorë, ata na akuzuan për përhapje të dezinformatave, të pavërteta, se i kemi besuar shërbimit rus dhe se e gjitha kjo ishte marrëzi”, tha Bërnabiq, transmeton REL

    Më 24 dhjetor, koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” organizoi protesta në Beograd, për të shtatën natën me radhë, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

  • Një person digjet brenda veturës në Prizren

    Një person digjet brenda veturës në Prizren

    Një person është djegur brenda veturës në rrugën “Kastriotët” në Prizren të dielën në orën 01:20, e Policia e Kosovës ka thënë se sipas hetimeve të para, dyshohet për vetëvrasje.

    Sipas njoftimit, viktima dyshohet të jetë me inicialet SH.K., i lindur në vitin 1968 nga fshati Jeshkovë, e vetura golf 2. Në njoftimin policor thuhet se “vetura ishte djegur plotësisht bashkë me viktimën”.

    “Patrullat Policore kanë shkuar në vendngjarje dhe nga informatat e para nga aty kanë kuptuar se një person gjendet në veturë e cila tanimë ishte e djegur plotësisht bashkë me viktimën. Vetura e djegur është një golf 2, ndërsa viktima dyshohet të jetë Sh. K. I lindur në vitin 1968 nga fshati Jeshkovë, Prizren. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësit përgjegjëse për rastin si dhe prokurori kujdestar. Nga hetimet e para dyshohet se viktima ka bërë vetëvrasje”, thuhet në njoftim.

    Rasti është iniciuar si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa mbetjet e trupit të pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

  • Mesha e Krishtlindjes, Dodë Gjergji bën thirrje për paqe e solidaritet

    Mesha e Krishtlindjes, Dodë Gjergji bën thirrje për paqe e solidaritet

    Në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha kryesore e Krishtlindjeve, e udhëhequr nga Ipeshkivi i Kosovës, Dodë Gjergji.

    Me këtë rast, ai dha mesazhe për mirësinë, afërsinë dhe solidaritetin, duke thënë se Krishtlindjet janë mundësi për të qenë mirënjohës dhe për të përforcuar vetëdijën tonë.

    Duke përmendur rëndësinë e Krishtlindjeve, Ipeshkvi Dodë Gjergji tha kjo është festë për të qenë falënderues ndaj Krijuesit, për të cilin tha na bën më të fortë.

    “Festa e Krishtlindjes është momenti më i bukur dhe mundësia më e mirë për të falënderuar Hyun, për t’i dhënë lavdi krijuesit, pasi në këtë natë të shenjtë me mishërimin e fjalës është plotësuar premtimi shpëtimtues për të gjithë njerëzit.

    Na u është dhuruar princi i paqes i cili në mbushë me dashuri e na bën të fuqishëm e të fortë. Me këtë kremtim solemn të kësaj nate përtrijmë kujtesën mbi veprën e Zotit, përforcojmë vetëdijën tonë dhe këndojmë jo vetëm me hare këngë engjujve por edhe i përsërisim psalmet, e pastaj shpallim shpëtimin që vie nëpërmjet Krishtit duke i dhënë lavdi që e meriton dhe duke e çmuar veprën e tij. Është vërtetë gjë e bukur dhe nuk duhet askush të ketë frikë që të ulet e ta përqafojë këtë foshnje të pafajshme”, tha ai.

    Ipeshkvi Dodë Gjergji bëri lutje edhe për personat në nevojë, teksa bëri thirrje për më shumë paqe në botë, për të cilën tha po shkatërron fatin e shumë njerëzve.

    “Dëshiroj me gjithë zemër t’i lutem Zotit për të gjithë njerëzit që kanë nevojë, për të sëmurët, për ata të cilët u mungon kujdesi, dashuria, sidomos lutem për paqe në botë sepse paqja në shumë vende është duke shkatërruar fatin e shumë njerëzve, jetën e shumë të pafajshmëve dhe në që kemi përjetuar këtë të keqe të angazhohemi që të ruajm paqen pas nesh”, tha ai.

    Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë dashuri mes njëri-tjetrit dhe për promovim të tolerancës ndër fetare, për të cilën tha se është pasuri për shoqërinë tonë.

    “Të mos pushojmë kurrë duke kërkuar të vërtetën dhe që ajo të na gjejë neve, të promovojmë dashurinë me njëri tjetrin dhe tolerancën ndërfetare si pasuri e pacmueshme në mesin tonë, por duke e ngritur në dimension tjetër. Nëpërmjet paqes, lirisë e dashurisë cdo njëri të zbulojë bukurinë e shpirtit dhe atë t’ia paraqet Krijuesit dhe nëse gjen guximin të afrohet për t’u pagëzuar”, shtoi ai.

    Me rastin e Krishtlindjeve, mesazhe urimi kanë dërguar përfaqësues fetarë e politik në Kosovë. /KP/

  • Kosovarët me borxhe deri në ‘fyt’, rreth 5 miliardë euro kredi

    Kosovarët me borxhe deri në ‘fyt’, rreth 5 miliardë euro kredi

    Numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat e komerciale të Kosovës është rritur për rreth 13 mijë deri në nëntor të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gati 200 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi gjatë këtij viti. Ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor është rreth 5 miliardë euro. Krahas kësaj, rritje ka shënuar edhe norma mesatare e interesit për dy për qind, sa ishte 6.2 për qind vitin e kaluar.

    Se kamatat janë rritur dhe nuk janë të favorshme e thonë edhe qytetarët, për çka tregojnë se për shkak të standardit të jetesës që kanë, obligohen që të hyjë në borxhe.

    Për KosovaPress, qytetari Hysni Thaçi tha se familjarë të tij kanë marrur kredi, për çka tha se u janë shfaqur vështirësi në kthimin e mjeteve.

    Ndërkaq, qytetari Sabri Rexha e quan “fajde” normën e interesit. Sipas tij, përveç nevojës, “njerëzit e kanë shprehi, nuk mund të jetojë pa borxhe”.

    Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë se numri i përgjithshëm i kredi marrësve është 118 mijë e 102 deri në nëntor, rreth 13 mijë më shumë se vitin e kaluar.

    Në një përgjigje me shkrimn për KosovaPress, nga BQK theksojnë se shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor të këtij viti është 4.8 miliardë euro.

    Ata shtojnë se norma mesatare e interesit për kreditë e reja në muajin tetor 2023 përllogaritet 6.4%, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar përllogaritej 6.2%.

    Po ashtu, edhe nga Shoqata e Bankave të Kosovës potencojnë se është rritur për mbi 1 miliardë euro vlera e kredive të reja të raportuara deri në shtator të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Për KosovaPress, ata shtojnë se kjo vlerë është për 8.91% më e lartë se në vitin 2022.

    Ndërsa, themeluesi i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa, Fehmi Mehmeti për KosovaPress thotë se rritja e kreditimeve vazhdon të jetë e lartë, sidomos pas pandemisë. Këtë rritje, Mehmeti e vlerëson si të mirë, pasi sipas tij ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.

    Përveç kësaj, ish guvernatori i BQK-së tha se pandemia ka ndikuar edhe në rritjen e inflacionit. Ai potencoi se pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane për rritjen e normës së interesit për katër herë radhazi, duke vepruar njëjtë edhe Sistemi i Rezervës Federale Amerikane, që sipas tij është e ditur se kjo do të ndikonte në rritjen e inflacion në tërë Evropën, rrjedhimisht edhe në Kosovë.

    Mehmeti shtoi se pret që të ketë ulje të inflacionit.

    Përveç rritjes së kredive, edhe depozitat kanë arritur në vlerën 5 miliardë e 875.9 milionë euro.

    Ndërsa, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur të sigurojnë profit të lartë gjatë periudhës janar-tetor 2023.

    Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), për dhjetë muaj të këtij viti nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera, bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 141 milionë euro ose rreth 20 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të viti të kaluar.

  • Liberalizimi i vizave: Afër 300 mijë qytetarët u pajisën me pasaporta në vitin 2023

    Liberalizimi i vizave: Afër 300 mijë qytetarët u pajisën me pasaporta në vitin 2023

    Na ndajnë edhe pak ditë nga 1 Janari, kur hynë në fuqi liberalizimi i vizave për kosovarët.

    E për të udhëtuar drejt shteteve të zonës Shengen, qytetarët duhet të jenë të pajisur me pasaportë të Kosovës.

    Një numër i madh i qytetarëve kosovar kanë aplikuar që të pajisen me këtë dokument.

    Nga fillimi i vitit 2023, 287 mijë e 965 kosovar janë pajisur me pasaporta.

    Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    “Qytetarë të pajisur me pasaporta për vitin 2023 gjithsej janë 287965”.

    209 mijë e 755 qytetarë u pajisen me letërnjoftim gjatë 2023-tës

    Numri i qytetarëve që janë pajisur me letërnjoftim gjatë 2023-tës ka shkuar tek 209755.

    Këtë statistikë e kanë bërë të ditur nga MPB-ja.

    “Qytetarë të pajisur me letërnjoftime për vitin 2023 gjithsej janë 209755”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    E numri për letërnjoftime për herën e parë që kanë aplikuar qytetarët është me i ulët se ai parapraku.

    “Qytetarë të cilët janë pajisur për herë të parë më letërnjoftim gjithsej janë 41798”.

    Kaq persona janë të pajisur me patentë shoferë në Kosovë

    Nga muaji janar 2023 e deri më tani gjithsej 93 mijë e 385 shofer të rinj u pajisen me patent shofer.

    Ndërsa qytetarë që kanë aplikuar për herën e parë për këtë kategori është mbi 40 mijë.

    Statistikat janë siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme për Front Online.

    “Qytetarë të pajisur me patentë shofer në vitin 2023 gjithsej janë 93385. Qytetarë të pajisur për herë të parë me patentë shofer këtë vit gjithsej janë 40308”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Mbi 2 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia kosovare gjatë këtij viti

    Për shkak se në shumicën e shteteve evropiane nuk lejohet dyshtetësia, shumë kosovarë gjatë 2023 hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës.

    2 mijë e 938 persona u liruan nga shtetësia.

    Kështu thonë nga MPB-ja për Front Online.

    “Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2023 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 2,938 persona”.

    Nga fillimi i këtij viti e deri më tani 654 qytetarë kanë marrë shtetësi kosovare.

    “Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2023, kanë aplikuar 1,174 persona për fitim të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe prej tyre 654 persona kanë marrë shtetësinë e R. Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Ndryshe, që nga tetori i 2022-tës deri në fund të janarit të 2023-tës Kosova është përballur me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve si pasaporta, patentë-shoferët e letërnjoftimeve.

    MPB pati bërë të ditur me 26 janar se gjatë asaj jave ishte pajisur me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale.

  • Deri në gjysmë orë pritje në Merdarë për të hyrë në Kosovë

    Deri në gjysmë orë pritje në Merdarë për të hyrë në Kosovë

    Deri në gjysmë ore është koha e pritjes në pikën kufitare në Merdarë për të hyrë në Kosovë.

    Te Dheu i Bardhë pritjet janë deri në 15 minuta dhe 10 minuta në Jarinje.

    Ndërkaq, në pikat e tjera kufitare ka pritje deri në 5 minuta.

  • A do ta marrin mësimdhënësit pagën e 13-të?

    A do ta marrin mësimdhënësit pagën e 13-të?

    Ky fundvit, Ministrinë e Arsimit e pret me një kërkesë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë.

    Kreu i këtyre të fundit, do të kërkojë që me kontratën e re kolektive, t’iu jepet rroga e 13-të mësimdhënësve të dalluar.

    Për këtë, zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi për Front Online tha se deri më tani nuk kanë ndonjë kërkesë zyrtare.

    Megjithatë, ai thotë që qëllimi duhet të jetë arritja e cilësisë në arsim, pastaj të diskutojnë për rrogat.

    “Nuk ka ndonjë festë zyrtare, e as nuk ndonjë iniciativë zyrtare për diçka të tillë, megjithatë në bashkëpunim me SBASHK-un qëllimi i përbashkët me arrit cilësinë në arsim, pastaj pagat e 13-ta e të 14-ta, mundemi me i diskutu”, u shpreh ai.

    Kelmendi pyetet nëse do ta realizojnë një kërkesë të tillë, mirëpo ai tha që nuk e kanë diskutuar.

    “Nuk është kërkuar diçka, dhe nuk është diskutuar, ne në media e kemi parë një kërkesë të tillë dhe nuk është diçka zyrtare, nuk e di nëse ka qenë deklaratë spontane”, tha ai.

  • Prishtinë: Gjendet një person pa shenja jete në kulmin e shtëpisë së tij

    Prishtinë: Gjendet një person pa shenja jete në kulmin e shtëpisë së tij

    Një person është gjetur pa shenja jete në kulmin e shtëpisë së tij.

    Rasti ka ndodhur në fshatin Sharban të Prishtinës.

    Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë përkatëse policore së bashku me ekipin e emergjencës të cilët e kanë konstatuar vdekjen e viktimës, njofton raporti 24 orësh i policisë.

    Në vendin e ngjarjes ka dal edhe IML të cilët trupin e pa jetë e kanë dërguar për obduksion.

    Rasti është duke u hetuar.

  • Ministria serbe e Mbrojtjes mohon se po stërvit grupe në poligonet e saj

    Ministria serbe e Mbrojtjes mohon se po stërvit grupe në poligonet e saj

    Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka mohuar akuzat e bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se në disa poligone ushtarake po stërviten pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    “Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha kjo ministri, duke hedhur poshtë po ashtu se ka plane për sulme në territorin e Kosovës.

    Më herët gjatë 23 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Millan Radoiçiç, dhe siç tha, grupi i tij, po përgatiten të kryejnë sulme të reja ndaj Kosovës.-

    Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës. Gjatë përleshjeve që pasuan më 24 shtator, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova e fajëson për sulmin Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

    Kurti përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiçit.

    Kryeministri i Kosovës pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.

    Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

    “Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, tha Kurti, duke thënë se ky grup përbëhet prej njerëzve të besueshëm të Radoiçiçit.

    Kurti po ashtu përmendi një plan për një sulm në nëntor për, siç tha, rimarrjen e vilës së Radoiçiçit afër Liqenit të Ujmanit, që autoritetet kosovare sekuestruan pas sulmit të 24 shtatorit.

  • Investimet në sektorin privat shënuan rënie prej 20%

    Investimet në sektorin privat shënuan rënie prej 20%

    Investimet në sektorin privat në Kosovë kanë shënuar rënie përgjatë vitit 2023. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e tretë të këtij viti investimet private kanë rënë rreth 20%.

    Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, vlerëson se mungesa e investimeve në këtë sektor, ka ndikuar negativisht në biznese, të cilat aktualisht, sipas tij, janë në një gjendje shumë të rënduar.

    “Ecuria e investime ka filluar të ketë një rënie edhe në vitin 2023 duke shikuar edhe 3 mujorin e parë edhe të dytin e të tretin. Tani më duke parë tre mujorin e tretë te ASK kemi rreth 20% ramje të investimeve private në Kosovë…gjendja e bizneseve është shumë e keqe, shumë biznese janë duke luftuar për mbijetesë e lëre më zhvillimin ekonomik”, tha Dreshaj për RTV21.

    Përkundër deklaratave të vazhdueshme të qeverisë për rritje ekonomike, njohës të ekonomisë vlerësojnë se ekonomia e vendit ka stagnuar.

    Ish-ministri i Financave Haki Shatri, thotë se mungesa e investime, shumë biznese dhe kompani prodhuese po i çon drejt falimentimit.

    “Sipas të dhanave këtu i kemi në vitin 2023 parashihet vetëm 11 milionë më shumë se në vitin 2022 për investime, që do të thotë dikund janë rreth 2 miliardë investime që marrë parasysh me normën e indeksit të çmimeve dhe të inflacionit realisht i bjen rënie të vlerës së investimeve, kjo pastaj pasqyrohet edhe në investime të përgjithshme ekonomike”, tha Shatri.

    Ndërkaq, ekonomisti Milazim Abazi, sqaron faktorët që kanë ndikuar në rënien e investimeve.

    “Kanë rënë investimet private në Kosovë dhe kjo për shkak të ngopjes së tregut në palujtshëmri. Ka filluar tregu të ngopet dhe meqënëse palujtshmëria ka dikun 60% të investimeve private në Kosovë, kjo ka ndikuar në rënien totale të investimeve private dikun për 19 deri në 20%. Arsyeja pse ka filluar të bien investimet në palujtshmëri është në rend të parë ngopja e tregut, dhe faktor tjetër mujd të jetë frika e investitorëve që një pjesë e blerësve do të ikin në Perëndim pas liberalizimit dhe nuk paraqesin potencial për të blerë paluejtshmëri”, tha Abazi.

    Sipas Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, sivjet dhjetëra kompani të mëdha në Kosovë e kanë orientuar veprimtarinë e tyre në shtetet fqinje si Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, duke bërë kështu që Kosova të humbë me miliona euro nga këto investime.