ATV

Author: ATVLive

  • Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

    Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Për t’u pajisur me licencë të avancuar, mësimdhënësit pritet t’i nënshtrohen testit me shkrim. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pret që në qershor të këtij viti, një numër i madh i mësimdhënësve t’i nënshtrohen këtij testimi.

    “Synojmë që nga qershori i këtij viti do të nisemi edhe për prodhimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve që janë përcaktuar mbi bazën e standardeve profesionale dhe jam e bindur që kemi mësimdhënës që janë të gatshëm të aplikojnë për këtë licencë”, tha Nagavci.

    Por, atë nuk e mirëpresin mësimdhënësit.

    “Sa i përket vlerësimit ose testimit në aspektin teorik nuk e shoh si të arsyeshme për arsye se çdo mësimdhënës, i cili është në proces mësimor është testuar sa i përket njohurive teorike, ndërsa sa i përket testimit apo vlerësimit të performancës besoj që është shumë e nevojshme dhe kjo ndikon në ngritje dhe cilësi”, tha Naxhie Fejzullahu, mësimdhënëse.

    Për testim me shkrim të mësimdhënësve ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj. Sipas tij, ministrja e ka në plan t’i degradojë mësimdhënësit. Mirëpo, për dallim nga Sindikata njohësit e arsimit konsiderojnë që testimi është i domosdoshëm.

    “Është një proces i mirë-strukturuar për kalim nga licenca e karrierës në licencë të avancuar për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kenë këtë kategori të licencës, pra ky testim është për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kalojnë nga licenca e karrierës në licencë të avancuar”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.

    Ndërkaq, sipas ministres së Arsimit tashmë janë miratuar udhëzimet administrative, të cilat rregullojnë procesin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, si dhe vlerësimin e performancës së tyre.

  • Mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, duan të punojnë në shtetet e BE-së

    Mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, duan të punojnë në shtetet e BE-së

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pas tri ditësh përfundon gjysmëvjetori i parë. Por, të dytin nxënësit e shkollës fillore “Emin Duraku”, do ta nisin me dy mësimdhënës më pak.

    “Për neve është një hendikep i madh se janë mësimdhënës që kanë dhënë një kontribut të madh, por mbetet të shihet se si do të lëvizin gjërat dhe si do të rekrutohet stafi i ri”, tha drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku”, Visar Osmani.

    Këta dy mësimdhënës nuk janë të vetmit që u larguan nga vendet e punës. Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, tha se një numër i madh i mësimdhënësve kanë kërkuar pushim pa pagesë.

    “Janë mbi 300 që kërkuan pushimin pa pagesë, qoftë 3 muaj, 6, apo një vit. Por dita-ditës po rritet ky numër, që po kërkojnë pushim për të ikur nga Kosova, sepse në vendet e Evropës po gjejnë vende më të mira të punës, thjesht po e mësojnë gjuhën e vendit ku po ikin dhe po kanë mundësi edhe me hy në arsim”, tha Shala.

    Lëvizjet në arsim po shihen me shqetësim nga njohësit e kësaj fushe. Nga situata e krijuar, sipas Argjend Osmanit, më së shumti do të pësojnë nxënësit.

    “Do të ndikojë negativisht në sistemin e arsimit, sepse e kemi një situatë më të rëndë, sepse zëvendësimi i tyre do të jetë i vështirë, edhe efikasiteti nuk do të jetë i njëjtë. Nxënësit do të jenë sërish viktima të këtyre lëvizjeve”, tha Argjend Osmani, njohës i arsimit.

    Sindikata e Arsimit tash e një kohë të gjatë ka alarmuar që pas 1 janarit një numër i madh i mësimdhënësve mund të largohen nga vendi. Për të parandaluar ikjen e mësimdhënësve, SBASHK-u ka kërkuar kushte më të mira të punës për ta.

  • Mbledhja e qeverisë, Kurti sërish flet për rrezikun nga Serbia

    Mbledhja e qeverisë, Kurti sërish flet për rrezikun nga Serbia

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për destruktivitetin e Serbisë, rreziqet eventuale dhe veprimet jodemokratike të aparatit të saj shtetëror, foli kryeministri Albin Kurti me pjesën më të madhe të fjalës hyrëse në mbledhjen e Qeverisë.

    Teksa bëri krahasime ndërmjet metodave të frikësimit dhe torturimit nga Serbia me ato të presidentit të Rusisë, Kurti tha se shteti fqinj po vijon me veprime në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit.

    “Në nenin 1 të Marrëveshjes, pra qysh në fillim të saj, theksohet që palët, domethënë Kosova dhe Serbia, do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejta të barabarta. Serbia, megjithëkëtë, zgjedh pothuajse çdo gjë mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me neve. Ajo, në të vërtetë, e zgjedh të sulmojë Kosovën, ashtu siç ka bërë me datën 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, e pastaj të mbrojë nga burgimi kryerësit e kësaj vepre terroriste, në krye me Millan Radojcicin”, tha Kurti.

    Pa dhënë detaje, kryeministri theksoi se Qeveria është e angazhuar për heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat sërish i vlerësoi të padrejta.

    Pasi dha vlerësimin e njëjtë me Kurtin lidhur me masat, ministri Elbert Krasniqi nuk tregoi nëse për heqjen e tyre kërkohet dekreti për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

    Në mbledhjen e 182-të, Qeveria ri-shpërndau mjetet financiare të mbetura nga mbështetja e BE-së për krizën energjetike, duke dedikuar 11 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

    Po ashtu, ekzekutivi ndau 287 mijë euro për strehimoret dhe OJQ-të e licencuara, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

    Qeveria emëroi anëtarët në bordet e drejtorëve në ndërmarrjen Hekurudhat e Kosovës “Train-Kos”, si dhe në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

  • Themelimi i bankës zhvillimore mbeti vetëm premtim

    Themelimi i bankës zhvillimore mbeti vetëm premtim

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ishte në mesin e 20 premtimeve, në programin qeverisës.

    Por, ekzekutivi nuk e bëri asnjë hap drejt themelimit të Bankës Zhvillimore që nga ardhja në pushtet.

    Banka Zhvillimore e cila sipas kryeministrit, do të realizohet për një periudhë dyvjeçare, supozohej të ishte mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve.

    Sipas ekonomistit Safet Gërxhaliu, do të ishte mirë që Kosova të kishte Bankë Zhvillimore meqë do të kishte efekte pozitive në veçanti pas rritjes së çmimeve të shërbimeve nga bankat komerciale.

    Megjithatë, kryetari i komisioni për ekonomi, Ferat Shala, tha se asnjëherë në këtë komision nuk është diskutuar apo prezantuar ndonjë plan për themelim të Bankës.

    ATV-ja ka dërguar pyetje edhe në adresë të Qeverisë lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

  • NATO: Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është çështje e Serbisë

    NATO: Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është çështje e Serbisë

    Zyra Ndërlidhëse e Misionit Ushtarak të NATO-s në Beograd tha se çështja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi është çështje e autoriteteve shtetërore serbe.

    Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s tha po ashtu se respekton plotësisht neutralitetin ushtarak të Serbisë.

    “NATO do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Serbisë për të modernizuar forcat e saj të armatosura brenda kornizës së zhvillimit dhe partneritetit dypalësh”, tha NATO.

    “Gjithçka që Serbia dhe NATO-ja bëjnë së bashku është e përshtatur që të plotësojë nevojat e Serbisë dhe të ndihmojë atë të përmirësojë forcat e saj të armatosura në bazë të kornizës së Partneritetit për Paqe”, u tha në përgjigjen e Zyrës Ndërlidhëse të aleancës në Beograd, raporton REL.

    Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak u iniciua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë serbe dhe propozimi i është dërguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar.

  • ​Papa i quan të neveritshme sulmet ruse ndaj civilëve ukrainas

    ​Papa i quan të neveritshme sulmet ruse ndaj civilëve ukrainas

    Sulmet ruse ndaj popullatës civile dhe infrastrukturës jetike të Ukrainës janë “të neveritshme dhe të papranueshme”, tha Papa Françesku në një letër drejtuar kryepeshkopit të Kievit Sviatoslav Shevchuk më 3 janar, përmbajtja e së cilës u bë e ditur sot.

    Sulmet “nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë”, shtoi Papa Françesku.

    Mesazhi thuhet se erdhi si përgjigje ndaj një letre të dërguar nga kreu i Kishës Katolike greke të Ukrainës më 29 dhjetor, kur Rusia kreu sulmin më të madh raketor në territorin ukrainas që nga fillimi i luftës. /ANSA

  • ​Jasharaj: Nagavci duke joshur me gradim, e ka në plan t’i degradojë mësimdhënësit në testin me shkrim

    ​Jasharaj: Nagavci duke joshur me gradim, e ka në plan t’i degradojë mësimdhënësit në testin me shkrim

    Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka reaguar pas deklarimeve të ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, se mësimdhënësit që do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar do t’i nënshtrohen testit me shkrim.

    Ai në një deklaratë për media ka thënë se ministrja Nagavaci nuk është zëri i mësimdhënësve në Qeveri pasi ajo asnjëherë nuk ka pranuar kërkesat e SBASHK-ut për mbajtjen e një takimi të përbashkët në të cilin do të diskutohej mbi kushtet në të cilat punojnë aktualisht mësimdhënësit në Kosovë.

    “Punëtorët e arsimit duhet të dinë edhe ca të vërteta të tjera nga “miqësia” për ta e ministres Nagavci. Ajo kurrë, edhe pse e kishim lutur të bëhet zë i arsimit në Qeveri, nuk e tha as edhe një fjalë për kushtet e punës me shkumës e shpuzë. Ajo kurrë nuk e kundërshtoi ngritjen ironike të koeficientit nga 105 në 110 euro, që në arsim shton zhgënjimin dhe arsye për ta lënë këtë profesion, ngase rritja është nënçmuese për vetëm 28 euro”, ka thënë Jasharaj.

    Ai ka përkujtuar se sa të ketë SBASHK, nuk do të ketë test me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve.

    “Ministrja Nagavci duke e parë se në Këshillin Shtetëror për Licencim nuk mund t’i kalojë planet e saj kundër mësuesve të Kosovës, pa u bërë publike e pa u zhvilluar debate, udhëzoi bashkëpunëtorët e saj dhe disa të tjerë dhe e hoqën nga përbërja e Këshillit Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënëse përfaqësuesin e vetëm të tyre – SBASHK-un. Pse? Për të bërë eksperimente e për të vendosur çdo gjë kundër punëtorëve të arsimit, pa pasur kush të kundërshtojë e të bëjë publike këto angazhime të saj”, ka theksuar Jasharaj.

    Ai ka përmendur se në prillin e kaluar ishte vendosur të shpallej ftesa për trajnime dhe ishte vendosur që deri atëherë trajnimet që janë në proces të vazhdonin, por ministrja Nagavci kishte ndalur këtë mundësi.

    “Një vit e më shumë kaluan dhe ende nuk është saktësuar, se cilat trajnime do të licencohen dhe nuk dihet se cilat do të licencohen sepse përfaqësuesi i punëtorëve të arsimit nuk është në Këshillin Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënësve. Nuk është në këtë Këshill, sepse i ka penguar Nagavcit e të tjerëve që kanë dashur ta nënçmojnë mësuesin e ta mbajnë nën tensionin e të ashtuquajtur test”, ka shtuar Jasharaj.

    Ai ka thënë se Nagavci, duke joshur me gradimin, e ka plan për t’i dërguar e degraduar të gjithë mësimdhënësit në testin me shkrim, andaj duhet pasur kujdes në këtë drejtim.

    “Ajo po vendos vetë pa përfaqësues të SBASHK-ut, prindërve, kolegjiumit të drejtorëve, Asociacionit të Komunave. Kujdes! Duam avancim, por me marrëveshje dhe pa degradim e nënçmim të gjithë arritjeve tona në gjithë ato vite të studimeve”, ka përfunduar Jasharaj.

    Ndryshe, ministrja Nagavci, ka shprehur bindjen se mësimdhënësit do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar që nënkupton nënshtrimin e testit me shkrim. Ajo ka deklaruar se kanë miratuar udhëzimet administrative, të cilat rregullojnë procesin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, si dhe vlerësimin e performancës së tyre.

  • “E kanë lënë punën në Kosovë për me punu n’Gjermani, pastaj kanë kërku me u kthy por vendi i tyre i punës është zënë”, profesori tregon pse nuk ia vlen me shku me punu në vendet e BE-së

    “E kanë lënë punën në Kosovë për me punu n’Gjermani, pastaj kanë kërku me u kthy por vendi i tyre i punës është zënë”, profesori tregon pse nuk ia vlen me shku me punu në vendet e BE-së

    Profesori Medain Hashani, në emisionin A LIVE në ATV, tha se arsyeja që punëtorët nga Kosova të mos shkojnë për të punuar në vendet e Bashkimit Evropian është se atje, kosto e jetesës është shumë më e disfavorshme për ta.

    “Shumë sot, në bazë të partneritetit që kanë me universitetet e jashtme, me kompani të cilat kryejnë punë sezonale, shkojnë nga tre muaj punojnë, e kanë vërejtur edhe ata që punën të cilën e kanë bërë në vendet e Bashkimit Evropian, për punë sezonale, por edhe në vendet më të largëta, kanë ardhur në konstatim se nuk ia ka vlejtur ‘barra qiranë’ për me shku me punu atje. Dhe, fokuesi i tyre është që të mos shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian me punu për punë sezonale. I tregova edhe arsyet se pse nuk duhet me shku, sepse kostoja e jetesës që është atje është shumë ma e disfavorshme në raport me të ardhurat të cilat i ka një qytetar”, tha Hashani.

    Ai përmendi edhe raste të qytetarëve që e kanë lënë vendin e punës në Kosovë për të punuar në një nga vendet e BE-së, por të njëjtit sipas tij, kanë kërkuar të kthehen sërish në vendin e punës ku kanë qenë në Kosovë.

    “Tjetër çka është me rëndësi me e potencu është se shumica e ndërmarrjeve ndërtimore kanë fillu të zëvendësojnë edhe punëtorët me ata nga vendet e tjera të Azisë që nuk do me thanë që ka me u rreziku sepse kemi plotë raste që me kanë tregu mua në baze të disa hulumtimeve të cilat i kanë ba që shumë punonjës të cilët kanë punu ndoshta me 7-8 vite, 10 vite në një kompani ndërtimore, kanë shku në Gjermani me punu, apo në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, Zvicër e këto, dhe kanë kërku me u kthy në vendin e tij të punës, mirëpo vendin e tij të punës e ka tani një person tjetre që është nga Filipinet”, tha Hashani.

    Sipas tij, e mira e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është se shumë ndërmarrje këtu kanë fillu të mendojnë më pozitivisht për punëtorët dhe kanë fillu të krijojnë kushte më të mira në mënyrë që ata të vazhdojnë punën aty ku janë. /atvlive.tv

  • ​Klinika e Nefrologjisë ofroi 37.431 seanca tё hemodializës

    ​Klinika e Nefrologjisë ofroi 37.431 seanca tё hemodializës

    Nё Klinikën e Nefrologjisё tё Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2023, janё hospitalizuar 758 pacientё, ndërsa janё realizuar gjithsej 37 mijë 431 seanca tё hemodializës.

    Gjithashtu, janё realizuar 4.242 vizita ambulantore, 685 plasime tё katetrit venoz qendror, 4.509 vizita brenda-hospitalore, 1.196 pacientё kanё marrё terapi imunosupresive, 44 janё trajtuar me terapi biologjike dhe shumë shërbime të tjera.

    Janë ofruar 60.367 shërbime, duke përfshirё edhe shërbimet e tjera (ekosonografi, EKG, transfuzione, largim i Katerave Venoz Qendror (KVQ), pastrimi i fistulave, largim penjve nga AV- fistula, analiza gazore tё gjakut, plasim i KVQ permanent.

    Ndryshe, Klinika e Nefrologjisë ofron shërbim 24-orёsh dhe nuk ka listё tё pritjes.

  • Sogojeva: Në Greqi në vend të kamerierit ishte roboti… mungesës së punëtorëve u gjendet alternativa

    Sogojeva: Në Greqi në vend të kamerierit ishte roboti… mungesës së punëtorëve u gjendet alternativa

    Profesori dhe kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar largimin e fuqisë punëtore nga Kosova, tha se në çdo veprimtari gjendet alternativa për me funksionu.

    Ai përmendi një shembull edhe si kjo mund të bëhet përmes teknologjisë.

    “Isha në Greqi në Panairin e Pajisjeve Hoteliere edhe roboti 30 centimetra vinte, i ngarkuar me atë që e ke porositë, e merrje, u shkarkonte dhe e dërgoje, do me thanë në çdo veprimtari gjendet alternativa për me funksionu. Me vështirësi po, kjo merr kohe, por nuk është e pa zëvendësueshme”, tha Sogojeva.

    Ai tha se në baze të një studimi që e kanë bërë, nga Kosova mund të largohen rreth 30 për qind e punëtorëve, ndërsa pjesa tjetër do të vazhdojë të qëndrojë.

    “Diku rreth 30 për qind sot çka janë munden me lëvizë, ndërsa pjesa tjetër ata që e duan punën, në Kosovë ka punë”, tha Sogojeva. /atvlive.tv