ATV

Author: ATVLive

  • Nisi punimet pa leje, komuna e Skenderajt dërgon një kompani në gjykatë

    Nisi punimet pa leje, komuna e Skenderajt dërgon një kompani në gjykatë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ky projekt në rrugën “Ahmet Delia” në Skenderaj ka nisur pa leje.

    Prona në të cilën planifikohej ndërtimi i një kompleksi banesor, sipas Drejtorisë së Inspeksionit, nuk ishte e përshtatshme për ndërtim pasi edhe pilotët e vendosur si shenjë parandaluese për shembjen e dheut, në disa qoshe rrëshqitën.

    Si rrjedhojë, rruga deri në sheshin “Adem Jashari”, por edhe disa ndërtesa përreth kanë filluar të çahen.

    “Investitori “Andrra Residence” ka filluar ndërtimin pa leje. Aty ka shkuar inspektorati i ndërtimit dhe ka lëshuar urdhëresë për ndërhyrje të punimeve”, tha drejtori i Inspeksionit në Skenderaj, Valon Haliti.

    Por urdhri për ndalim nuk pati efekt. Andaj, ndaj kompanisë u shqiptua një masë tjetër.

    “Më pas ne kemi takuar investitorin dhe dëmet përreth duhet të kompensohen, aktualisht është në procedurë e kanë dërguar një leje, i kemi shfrytëzuar rrugët ligjore që i parasheh ligji, i njëjti është proceduar në gjykatën kompetente dhe presim vendimin e gjykatës për rastin në fjalë. Nuk do të lejohet të lëvizet më tutje pa leje, për këtë i siguroj qytetarët”, tha Haliti.

    Por, kompania “Andrra Residence” mohon të ketë pasur ndonjëherë lëndë në gjykatë, derisa u zotua se do t’i kompensojë dëmet e shkaktuara.

    “Gjatë gërmimit dhe nga të reshurat e vazhdueshme të shiut dhe nga ujërat nëntokësor në një qoshe ka pasë rrëshqitje të piloteve! Kjo që ka ndodhë është barrë e kompanisë, dhe ne pas pajisjes me leje ndërtimi marrim përsipër riparimin e terrenit dhe kthimin e rrugës dhe pronave, si në gjendjen e mëparshme”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Andrra Residence”.

    Lidhur me këtë rast, por edhe me reagimin e komunës kur ndërtohen objekte pa leje, asamblistët e opozitës kanë kritika.

    “Janë 3 raste të hapura nga kjo kompani për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, janë duke bërë shpëlarje parash, mbrojtjen e ndërtimit të paligjshëm e bën kryetari i komunës, ai që do duhej ta mbronte interesin e qytetarëve”, tha Hysni Mehani, asamblist i LV-së.

    “Si guxon të fillojë ndërtim pa leje, përveç rrugëve, ndërtesave të cilat janë dëmtuar nga rrëshqitja e dheut, në mesin e tyre është edhe një çerdhe”, tha Abdulla Gashi, asamblist në KK Skenderaj nga radhët e “Idealit”.

    Ndërkaq, nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, në të cilën u dërgua lënda, nuk dhanë detaje se deri ku arritur shqyrtimi i saj.

  • Dyshimet për shpërthim, Policia tregon çka gjeti në QKUK

    Dyshimet për shpërthim, Policia tregon çka gjeti në QKUK

    Policia e Kosovës njofton se rreth orës 16:15, ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendngjarjes nga mjetet e dyshuara në QKUK.

    “Të njëjtat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe nuk paraqesin rrezik pasi që janë materiale shkollore”, thuhet në përgjigjen e policisë për KosovaPress.

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës pak më parë ka njoftuar se sot rreth orës 14:00, është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Institutet Paraklinike, në QKUK, hapësirat ku është vendosur Oda e Mjekëve e Kosovës.

    “Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

  • I jepet lamtumira e fundit shkrimtarit Adem Gashi

    I jepet lamtumira e fundit shkrimtarit Adem Gashi

    Është varrosur shkrimtari Adem Gashi, i cili vdiq sot në moshën 70-vjeçare. Ai është varrosur në fshatin Nekoc të Drenasit.

    Pamje nga ceremonia ka publikuar publicisti Bardhyl Mahmuti.

    “Me dhembje të madhe i dhamë lamtumirë shkrimtarit dhe atdhetarit të shquar, Adem Gashi! Lavdi!”, ka shkruar Mahmuti

  • Nesër nis mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Atiqit

    Nesër nis mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Atiqit

    Nënshkrimi i peticionit të qytetarëve për shkarkimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të fillojë nesër në ora 09:00, ka bërë të ditur Sanja Llazareviq Krtiniq, anëtare e grupit që ka iniciuar procedurën.

    “Në emër të grupit iniciativ për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, po i njoftoj qytetarët se më në fund i kemi marrë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe se nesër do të fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit”, ka thënë ajo për RTS-në.

    Ajo ftoi të gjithë qytetarët që nga nesër “të vijnë dhe të mbështesin iniciativën për largimin e Erden Atiqit, duke thënë se ai nuk ka legjitimitet të udhëheqë një komunë ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë dhe që ka marrë vendime kundër interesave të serbëve dhe të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”.

    “Pres që qytetarët të përgjigjen, sepse besoj se askush nuk e përkrah udhëheqjen e qytetit tonë në këtë mënyrë dhe shkaktimin e tensioneve”, tha Krtiniq.

    Peticioni do të nënshkruhet në sallën e sporteve në Mitrovicën e Veriut.

  • Evakuohet personeli i QKUK-së pas dyshimeve për granatë dore, Policia jep detaje

    Evakuohet personeli i QKUK-së pas dyshimeve për granatë dore, Policia jep detaje

    Ekipet e deminimit kanë arritur te oborri i Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, meqë dyshohet për disa granata dore.

    Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, teksa shtoi se është evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm.

    “Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Klinikën e Patologjisë, respektivisht institutin para klinik. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm. Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policies”, ka deklaruar Borovci.

  • Aliu njofton se është arritur darkordim i dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha Durrës-Prishtinë

    Aliu njofton se është arritur darkordim i dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha Durrës-Prishtinë

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se tashmë përfundimisht ka një dakordim të dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Aliu ka publikuar pamje se si do të duket ky projekt.

  • Dyshohet për granata dore te një objekt në QKUK, ekipet e deminimit arrijnë në vendngjarje

    Dyshohet për granata dore te një objekt në QKUK, ekipet e deminimit arrijnë në vendngjarje

    Në një objekt të QKUK-së po dyshohet për granata dore.

    Ekipet e deminimit kanë arritur te oborri i Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, meqë dyshohet për disa granata dore, raporton T7.

    Rasti ende nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

  • AAK publikon letër të 2019-ës ku Haradinaj porositi raketat Javelin

    AAK publikon letër të 2019-ës ku Haradinaj porositi raketat Javelin

    Drejtori i Informimit në AAK, Lulëzim Blaka, ka publikuar një pjesë – aneks të letrës së 26 prillit 2019, nr.prot. 2468/2019 dërguar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, për sekretarin Mike Pompeo dhe u.d. të Sekretarit të Mbrojtjes.

    Letra sqaron planin afatshkurtër dhe afatmesëm, që përfshin edhe Javelin, për periudhën 2 deri 4 vjeçare (2021 – 2023).

    ”Armatimi anti-tank, nuk është përgatitje për luftë, apo vendim i momentit, siç disa media (kryesisht nga Tirana), dhe teoricientë qesharak konspiracioni po e pretendojnë”, ka shkruar Drejtori i Informimit të AAK-së Lulëzim Blaka.

    Ai ka vazhduar sqarimin për porositjen e Javelin, duke thënë se “Nuk është as material për t’u krekosur deputetët e VV-së e as ata minoritarë. Është thjeshtë pjesë e planit 10 vjeçar të ngritjes së Ushtrisë, nga ai kryeministër që e themeloi Ushtrinë”.

    Blaka ka përmbyllur statusin duke iu drejtuar edhe deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci dhe të tjerëve, duke thënë:” E tash, Mefë deputeti (që paska pyt se çfarë armatimi ka me na pru opozita), por edhe “konspiracionistët” dhe “ekspertët e sigurisë”, mundem me pa një pjesë, aneks, të letrës së 26 prillit 2019, nr.prot. 2468/2019 dërguar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, për Sekretarin Pompeo dhe u.d. të Sekretarit të Mbrojtjes”.

  • Shpërthimi në Kçiq, Uka: Dy paciente janë të varura nga aparatura

    Shpërthimi në Kçiq, Uka: Dy paciente janë të varura nga aparatura

    Dy nga të lënduarat nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq që po vazhdojnë trajtimin në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë të varura nga aparatura mjekësore, ndërkaq një paciente tjetër është me vetëdije, ndonëse lëndimet janë serioze.

    Kështu bënë të ditur për KosovaPress, Shaqir Uka, shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, i cila tha se gjendja e tyre është stabile, por që nuk përjashton rrezikun për jetë, meqë sipas tij lëndimet janë serioze.

    Uka potencon se të tre pacientët janë të gjinisë femërore, dhe se mosha e tyre është 12 vjeç, 56 dhe 58 vjeç.

    Ai thekson se pacientët kërkojnë trajtim të gjatë dhe intensiv.

    Ndërkaq, përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi thotë se gjendja e gjashtë pacientëve të shtrirë në këtë klinikë është stabile.

    Zatriqi tregon se dy nga të hospitalizuarit që ishin shtetas të Gjermanisë, u transferuan atje për të vazhduar mjekimin.

    Të shtunën, Policia e Kosovës njoftoi se 14 persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin në Kçiq të Madh të Mitrovicës së Jugut.

  • Trusti përmbyll vitin 2023 me rritje rreth 90 milionë euro

    Trusti përmbyll vitin 2023 me rritje rreth 90 milionë euro

    Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e përmbylli vitin 2023 me plus 87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet.

    Në njoftimin e Trustit thuhet se ky ishte viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale.

    “Kjo shpiu në plus (+750 milionë) euro kthim të gjithmbarshëm bruto prej themelimit. Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2%)”, thuhet në komunikatë.

    Sipas Trustit kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove.

    “Sikurse e kemi bërë të ditur vitin e kaluar, FKPK-ja prej vitit 2022 operon me dy portofole investuese: (1) Portofolin Standard – për kontribuuesit nën moshën 63 vjeçare; dhe (2) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e sipër; dhe raportimet për këto dy portofole, që edhe kanë performancë të ndryshme, bëhen të ndara”, thuhet në komunikatë.

    Ndërsa, për pritshmëritë për vitin 2024 thuhet se ekziston një vlerësim që ngritja e përgjithshme ekonomike globale për vitin 2024 do të jetë rreth 2.4 për qind.

    Sipas Trustit ky parashikim vlerëson se kështu do të jetë viti i tretë rresht që ekonomia globale do të ketë regres në ngritjen ekonomike.

    “Nën këto kushte, dhe në vlerësim të rreziqeve gjeopolitike në rritje, Bordi Drejtues i FKPK-së pritet të vazhdojë me vendime investuese që ndërmarrin risk të moderuar investues. Gjithsesi se vendimi më i rëndësishëm i vitit në vijim do të jetë inicimi i zbatimit të portofolit të tretë investues, për të cilin do të ketë njoftime të detajuara para fillimit të tij”, thuhet në komunikatë.