ATV

Author: ATVLive

  • Kusari Lila ia plas të qeshurës kur tregon sa për qind ka dalë partia e saj në sondazhe

    Kusari Lila ia plas të qeshurës kur tregon sa për qind ka dalë partia e saj në sondazhe

    Në fund të muajit dhjetor të vitit 2023, u publikua një sondazh duke nxjerrë shifra të ndryshme për partitë politike. Mes tyre, u publikua edhe për Alternativën, kryetare e së cilës është Mimoza Kusari Lila. Kjo parti është në pushtet bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

    E ftuar në emisionin DPT te Fidani në ATV, Kusari Lila pati një reagim qesharak kur iu përmend ky sondazh dhe përqindja e partisë së saj.

    “E kemi bërë një 2-3 % ndoshta”, dhe qeshet.

    Kusari Lila ka përmendur më pas që në zgjedhje ka qenë e 18 në listë, ka dalë e 6-ta me vota në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe e 8-ta në Kosovë.

  • “Janë bërë bashkë që së paku ta kalojnë pragun”, Durmishi komenton koalicionin AAK – Nisma

    “Janë bërë bashkë që së paku ta kalojnë pragun”, Durmishi komenton koalicionin AAK – Nisma

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, ka komentuar marrëveshjen për koalicion e cila u nënshkrua sot mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-s.

    Durmishi tha se këto dy parti politike janë bërë bashkë, “për ta kaluar pragun”.

    “Njëra nuk e kalon pragun, nuk e ka kaluar as në zgjedhjet e kaluara, tjetra është shumë afër pragut, prandaj duhet të sigurohen që së paku ta kalojnë pragun”, tha Durmishi.

    Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje, jo vetëm edhe një mandat, por edhe për një kohë të gjatë do të jetë në Qeveri.

    “Jo sivjet. Zgjedhjet janë vitin e ardhshëm, por me punën e madhe që e ka bërë Qeveria, jam i bindur që jo veç një mandat, por shumë gjatë do të jemi në Qeveri”, tha Durmishi. /atvlive.tv

  • “Nuk bëj jetë luksoze”, Durmishi thotë se s’ka mundësi financiare për të blerë rroba të shtrenjta

    “Nuk bëj jetë luksoze”, Durmishi thotë se s’ka mundësi financiare për të blerë rroba të shtrenjta

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për veshjen e tij, pasi së fundi ishte kritikuar se vishte rroba të shtrenjta.

    “Unë kryesisht nuk veshi rroba të shtrenjta për shkak se nuk kam mundësi financiare për të blerë rroba të shtrenjta ashtu siç e kanë paraqitur në disa media. Por edhe po të kisha mundësi financiare, nuk do të kisha blerë rroba të shtrenjta”, tha Hyseni.

    Durmishi ka thënë se “nëse kritikat kryesore ndaj meje janë për rrobat që i veshi, në rregull jemi”.

    “Unë nuk bëj jetë luksoze. Nuk jam as ithtar i firmave. Nuk i njoh as firmat. Edhe ajo jakne e kuqe, deri në momentin që është publikuar nuk e kam ditur çfarë firme ka”, është shprehur tutje Hyseni.

  • Durmishi: Jemi pranë nënshkrimit të një kontrate të re për rrugën Prishtinë – Mitrovicë, ky është afati kur duhet të përfundojë kjo rrugë

    Durmishi: Jemi pranë nënshkrimit të një kontrate të re për rrugën Prishtinë – Mitrovicë, ky është afati kur duhet të përfundojë kjo rrugë

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se brenda disa ditësh do të nënshkruhet kontrata me një operator të ri ekonomik për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë.

    Ai thotë se kontrata e parasheh se ndërtimi i kësaj rruge duhet të përfundojë brenda një viti kalendarik.

    “Rruga për Mitrovicë, e kemi shkëputë kontratën. Ka qenë një kontratë me një operator ekonomik të papërgjegjshëm që jemi detyru vitin e kaluar me e shkëputë kontratën dhe tash jemi në fazën para nënshkrimit të kontratës së re. Është përzgjedhur fituesi dhe janë dakordu me bankat që janë kredi dhënëse dhe pritet nënshkrimi i kontratës brenda disa ditëve, Afati për kryerjen e punimeve është fiks një vit, vit kalendarik e jo vit pune. Do të thotë, prej ditës kur nënshkruhet kontrata, një vit pas në të njëjtën ditë, duhet të dorëzohet punishtja. Kështu që rruga Prishtinë – Mitrovicë, edhe kjo pothuajse përfundon në vitin 2024, pasi që afati i përfundimit të punimeve është në janarin e vitit të ardhshëm”, tha Durmishi. /atvlive.tv

  • 42 vjetori i vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

    42 vjetori i vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Janë bërë 42 vjet nga vrasja e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, në Untergrupenbach të Gjermanisë.

    Në 42-vjetorin e atentatit ndaj tre veprimtarëve të çështjes kombëtare, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe me ministren për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, bënë homazhe te varret e vëllezërve Gërvalla në fshatin Dubovik të Deçanit.

    “E kujtojmë me pietet gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djemve e vajzave të Kosovës”, tha Osmani.

    “Unë do t’i quaja Jusuf Gërvallën e Bardhoshin, e po ashtu edhe Kadri Zekën, si pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.

    Më pas, liderët e shtetit vendosën kurora te busti i veprimtarit Kadri Zeka, në Prishtinë.

    Ndërkohë, në Gjilan, është përuruar shtatorja e Zekës, me ç’rast u vlerësua lart vepra e tij për liri.

    Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u kujtuan edhe nga liderët e partive opozitare.

    Nga autoritetet shtetërore gjermane ishte thënë asokohe se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë.

  • Dyshimet për dhunimin e një të miture, tre persona në paraburgim

    Dyshimet për dhunimin e një të miture, tre persona në paraburgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Tre persona nga Komuna e Rahovecit dyshohet se janë përfshirë në një rast dhunimi ndaj një të miture.

    Viktimën 15 vjeçe dyshohet se Z.K. e ka dhunuar me ndihmën e dy personave të tjerë, D.D dhe D.M., të moshës ndërmjet 38 e 43-vjeçare.

    Në duar të autoriteteve, ata ranë gjatë një kontrolli rutine në autostradën e Prizrenit, nga zyrtarët policorë.

    “Të pandehurit kanë shfrytëzuar pozitën e saj të pambrojtur dhe të ndjeshme, ashtu që i pandehuri L. K., merr të miturën, në një motel dhe kryejnë
    marrëdhënie seksuale, përkundër faktit se e ka ditur paraprakisht se e dëmtuara nuk ka mbushur akoma gjashtëmbëdhjetë vjet, ndërsa të pandehurit D. D. dhe D. M. organizojnë dhe mbajnë nën kontroll të miturën, për qëllime të prostitucionit, në atë mënyrë i pandehuri i dytë D.D., në vila ia mundëson të pandehurit të parë Z.K., që të këtë marrëdhënie seksuale me viktimën, ndërsa D. M. insiston të ketë marrëdhënie seksuale në natën kritike, në një hotel përkundër refuzimit të të miturës”, thuhet në njoftimin nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

    Prokuroria Themelore e Prizrenit, tashmë, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, teksa Gjykata ua caktoi një muaj paraburgim.

    “Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, me datë 15.01.2024, me urdhër të prokurorit, ka ndaluar për 48 orë, tre (3) persona, për shkak të dyshimit të bazuar se njëri nga të pandehurit ka kryer veprën penale “Dhunim”, nga neni 227, ndërsa dy të tjerët veprën penale “Mundësim ose detyrim në prostitucion” nga neni 234, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për tre (3) të pandehurit, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Ndaj tre (3) të pandehurve, prokuroria me datë 16.01.2024, ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve. Për shkak të ndjeshmërisë dhe konfidencialitetit të rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje të tjera”, thuhet në aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

    Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar edhe disa kushte të tjera ligjore që tre të dyshuarit të qëndrojnë në paraburgim..

    Veprat penale për të cilat dyshohen tre personat, konsiderohen krim i rëndë dhe janë të dënueshme së paku 5 deri në 20 vjet.

    Ndërkohë, të miturës i është ofruar ndihmë nga Qendra për Punë Sociale në Prizren.

    Drejtuesi i QPS-së, Muhamed Shala, ka thënë se pas ekzaminimit mjekësor, viktima është strehuar në një strehimore tjetër, e cila nuk mund të bëhet publike për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

  • Durmishi: Rruga Prishtinë – Podujevë përfundon sivjet

    Durmishi: Rruga Prishtinë – Podujevë përfundon sivjet

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rruga Prishtinë – Podujevë, është duke ecur në bazë të planit dinamik qysh prej momentit kur janë nënshkruar kontratat.

    Ai tha se ndërtimi i kësaj rruge përfundon sivjet.

    “Kurse projektet tjera, rruga për Podujevë tashmë është duke ecur mirë. Pasi që e kemi bërë projektin, e kemi bërë elaboratin e shpronësimit, i kemi nënshkru kontratat, kemi fillu punën, ajo sivjet përfundon. Komplet rruga Prishtinë – Podujevë, është duke ecur në bazë të planit dinamik qysh prej momentit kur janë nënshkru kontratat”, tha Durmishi. /atvlive.tv

  • Gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, dëgjohen edhe dy dëshmitarë

    Gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, dëgjohen edhe dy dëshmitarë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vazhduar gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, me dëgjimin e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Për të tretën ditë radhazi, ka dëshmuar në seancë private dëshmitari i mbrojtur i cili ishte i 40-ti me radhë.

    Vec këtij, po sot dëshminë ka filluar edhe dëshmitari i 41-të.

    Në përmbledhjen e lexuar nga prokurori Matt Halling, u tha se dëshmitari është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe është zhdukur nga Drenoci.

    “Dëshmitari do të përshkruajë veprimtaritë e viktimës së pretenduar përpara se të zhdukej në Drenoc, herën e fundit që dëshmitari e ka parë dhe përpjekjet e pafundme që ka bërë familja për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi”, tha Halling.

    Edhe seanca e dëshmitarit të 41-të kryesisht ka qenë e mbyllur për publikun.

    Dëshmia e tij pritet të zgjasë rreth 2 ditë.

    Ndërkaq, Dhomat e Specializuara ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në dy vendime të ndara, më 15 janar 2024, kryetari i trupit gjykues, ka vendosur edhe për afatin se kur ZPS-ja duhet t’i dorëzojë parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës për masën e paraburgimit për dy të akuzuarit.

    Sa i përket Krasniqit, ZPS-ja kishte parashtruar se paraburgimi i tij mbetet proporcional, mirëpo mbrojtja kishte argumentuar se vazhdimi i paraburgimit për të mbrojturin e saj është joproporcional.

  • Durmishi tregon se në cilën fazë ndodhen projektet e ndërtimit të rrugëve Dollc – Gjakovë dhe Komoran – Skenderaj

    Durmishi tregon se në cilën fazë ndodhen projektet e ndërtimit të rrugëve Dollc – Gjakovë dhe Komoran – Skenderaj

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nderimi i dy rrugëve, Dollc – Gjakovë dhe Komoran – Skenderaj, janë projekte që kanë mbetë ende pa u zgjidhë si problematikë.

    Ai tregoi se janë në fazën e vlerësimit të një kontrate të re për elaborate të shpronësimit për matje gjeodozike.

    “Ne jemi në fazën e vlerësimit të një kontrate të re për elaborate të shpronësimit për matje gjeodezike me të cilat do të merremi ekskluzivisht me rrugën Dollc – Gjakovë dhe Komoran – Skenderaj, në mënyrë që t’mos e presim përfundimin e projektit të incizimit të gjithë territorit të Kosovës, por ta bëjmë ndaras për këto dy projekte se janë projekte të cilat na kanë mbetë pa u zgjidh si problematikë”, tha Durmishi. /atvlive.tv

  • Peticionet në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq nisi mbledhja e nënshkrimeve

    Peticionet në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq nisi mbledhja e nënshkrimeve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pesë ditë para mbylljes së afatit të rregullt, qytetarë në dy nga katër komunat me shumicë serbe në veri, nisën mbledhjen e nënshkrimeve, me synimin final largimin e kryetarëve të cilët fituan mandatet në zgjedhjet të cilat ky komunitet i bojkotoi.

    Referuar interesimit të lartë, në mëngjesin e së mërkurës, iniciuesit e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, shpresojnë që të arrijnë 20% apo 3640 nënshkrime të nevojshme nga lista e votuesve qysh të enjten.

    “Sot kemi pasur më shumë se një mijë njerëz deri tani, që kur kemi filluar vetëm dy orë më parë. Interesimi i qytetarëve është shumë i madh dhe ne presim që të mbyllim procesin e nënshkrimeve deri nesër. Ky është vlerësimi ynë. Më duhet të them se ne kemi pritur këtë moment gati një vit, sepse ne si qytetarë jemi të sigurt se kryetari aktual nuk i përmbush përgjegjësitë e tij, veçmas ndaj pakicave. Ne mendojmë se duhet të zgjedhim një të ri, ky nuk është përfaqësuesi ynë”, tha Sanja Krtinic, iniciatore e peticionit.

    Nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve 25 ditë pasi morën dritën e gjelbër, e arsyetuan duke thënë se lejen nga Komuna, për përdorimin e hapësirës publike për këtë organizim, e morën vetëm të hënën.

    Ndonëse liderët e Listës Serbe u panë tek u prinin qytetarëve drejt sallës ku po mblidhen nënshkrimet, organizatorët mohojnë lidhjen me këtë parti.

    “Jo, nuk është (nismë e lidhur me politikën). Jemi vetëm tre qytetarë nga Mitrovica e Veriut. Unë kam punuar në një organizatë joqeveritare dhe shumë njerëz më kanë pyetur a është kjo organizatë prapa peticionit? A është Lista Serbe prapa peticionit? Më duhet të them jo, nuk janë. Jam unë dhe dy kolegët, shokët e mi”, tha Krtinic.

    Në një ambient të improvizuar procesi i njëjtë nisi edhe në Leposaviq.

    Iniciuesit e peticionit e as qytetarët nuk folën para kamerës.

    Prapa saj u shprehën optimistë se brenda afatit do t’i mbledhin nënshkrimet e nevojshme.

    Kryetari Lulzim Hetemi nuk foli për organizimin para zyrës së tij.

    Ndonëse afatet kanë nisur të rrjedhin më 22, përkatësisht 27 Dhjetor, në Zubin Potok dhe Zveçan, ende nuk ka nisur mbledhja e nënshkrimeve.

    Mbledhja e suksesshme e nënshkrimeve, në pajtim me rregullat, procedurat dhe afatet kohore, pasohet me procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve – për çka kërkohet 50% plus një votë.