Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, sot do të raportojë në Komisionin për Integrime Evropiane.
Bislimi do të raportojë nga ora 10:00 në një sallë të Kuvendit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, sot do të raportojë në Komisionin për Integrime Evropiane.
Bislimi do të raportojë nga ora 10:00 në një sallë të Kuvendit të Kosovës.

Një i burgosur ka sulmuar dy gardianë në Burgun e Pasjakut në Novobërdë.
Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
“Dy viktimat meshkuj kosovarë (gardianë të burgut) kanë pësuar lëndime trupore pasi janë sulmuar në vendin e punës nga i dyshuari mashkull kosovar (i burgosur). Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, njofton raporti 24 orësh i policisë.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vetaksidentin që ndodhi dje në Gjilan, ku ka vdekur një person.
Sipas Policisë, vetura duke mos iu përshtatur shpejtësisë së lëvizjes ka dalë jashtë rrugës dhe ka goditur shkëmbinjtë.
“Gjilan 25.01.2024 – 00:50. Raportohet për një vetë aksident trafiku ku një veturë duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, del jashtë rrugës duke goditur shkëmbinjtë. Lëndime vdekjeprurëse ka pësuar drejtuesi i veturës mashkull kosovar ndërsa pasagjeri ka pësuar lëndime të rënda. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Trupi i pajetë me vendim të prokurorit është dërguar në obduksion”, thuhet në raport.

Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do të lansojë Programin Nacional “Sport në Shkolla”.
Lansimi i Programit do të bëhet nga ora 09:00 në ShFMU “Xheladin Rekaliu”, Podujevë.
Programi “Sporti në Shkolla” është një iniciativë shtetërore që sjell së bashku edukimin, sportin dhe shëndetin për të ndërtuar një brez të ri, aktiv dhe të shëndetshëm në Republikën e Kosovës.
“Sporti në Shkolla”, është hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës dhe synon të investojë në shëndetin dhe edukimin e të rinjve përmes sporteve të ndryshme në arsimin parauniversitar.
Nxënësit e shkollave publike do të kenë mundësi të jenë pjesëmarrës në aktivitete të rregullta sportive në 34 shkollat e 23 komunave.
Pjesë e këtij Projekti janë Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Shahut të Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka qenë në gjendje me e respektua besimin e qytetarëve.
Ai thotë se Kurti u ka premtuar qytetarëve diçka, ndërsa ka vepruar diçka tjetër.
“Në rend të parë, Albin Kurti nuk u kanë në gjendje me e respektu besimin e qytetarëve edhe mos respektimi i qytetarëve është një lloj ofendimi edhe është ofenduese me e madhe se sa me i thanë qytetarit diçka dhe ti me vepru diçka tjetër në raport me qytetarin. Ka thënë që do të ketë zhvillim, ka thënë se do të ketë qasje në raport me FSK-në, Policinë, do të ketë sigurime shëndetësore, ka thënë se do ta ndalim gjakderdhjen financiare, nuk e kanë ndalë. Tash kur e sheh te çerdhet, te zhvillimi i bujqësisë, tash kur analizohet programi politik – ekonomik që duhet me u ballafaqua Qeveria aktuale me programin, na sot përballemi me veç një segment edhe me atë që veç ka qenë kundër Asociacionit, Albin Kurti, sepse kur flasim për VV-në, flasim për Albin Kurtin dhe ky është tash dëmi më i madh që ne duhet me folë për Albin Kurtin e jo për VV-në”, tha Humolli.
Ai tha se në kohën kur kishte hyrë në listën për deputet të VV-së, kishte bërë një marrëveshje me Albin Kurtin dhe Liburn Aliun.
“Interesi kombëtar më ka shtu me i ndihmu VV-së. Marrëveshja që kam bërë me Albinin edhe Liburnin, kam hy në listë. Mos të ishte kjo marrëveshje, unë s’do të isha në listë, por do t’i kisha ndihmu me krejt rrethin shoqëror VV-së, për arsye se nuk e ka mbajtur fjalën AAK-ja, nuk e ka mbajtur fjalën PDK-ja, nuk e ka mbajtë fjalën LDK-ja nga qytetarëve”, tha Humolli. /atvlive.tv

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka pritur sot në një takim shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Sipas një njoftimi nga UNMIK-u, Ziadeh dhe Tërnava kanë biseduar lidhur me gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërfetare në Kosovë.
“PSSP Ziadeh shprehu vlerësimin e saj për përkushtimin e kryemyftiut për të nxitur dialogun, për të mbrojtur tolerancën dhe për të promovuar bashkëjetesën”.
“Ziadeh theksoi rëndësinë e udhëheqësve fetarë si kontribues kryesorë në përpjekjet për paqe. Duke e njohur pozicionin e tyre unik për të ndikuar në ndryshime pozitive, ajo përsëriti rolin thelbësor që Bashkësia Islame ka në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e lëshuar pas takimit.
UNMIK (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) ishte vendosur si Administratë e Përkohshme në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në qershor 1999, pas sulmeve ajrore të NATO-s që i dhanë fund kontrollit të Beogradit mbi Kosovën.
UNMIK-u vazhdon të qëndrojë ende në Kosovë megjithëse roli i tij është tashmë minimal.
ShBA-ja dhe shtetet aleate të Kosovës kanë kërkuar disa herë që Misioni i UNMIK-ut duhet ta përfundojë edhe formalisht mandatin, pasi puna e tij ka përfunduar prej kohësh. Por, kjo është kundërshtuar nga Rusia dhe disa shtete të tjera, që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.



Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se largimi i 10 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë reale, po të mos ndodhte problemi në veri të Kosovës.
“Ka qenë reale për arsye se po dua veç me e tregu një fakt që ne kur kemi diskutuar brenda një grupi të VV-së, ne kemi diskutuar për me e ndërtua një grup prej 10 vetave si opozitë brenda Vetëvendosjes, dmth me ba opozitë për me e shty programin e Vetëvendosjes me u realizu për shkak se e kemi parë që nuk ka opozitë që i bën presion”, tha Humolli.
Ai tha se grupi i VV-së ka qenë një prej grupeve që nuk ka pasë unitet më së shumti në krahasim me grupet e partive të tjera politike.
“Grupi i Vetëvendosjes ka qenë në fushatë prej grupeve që s’ka qenë unik, që s’ka pasë unitet më së shumti se sa krejt grupet e tjera politike. LDK-ja e ka pasë një unitet brenda strukturës, PDK-ja ka pasë një unitet, AAK ka pasë një unitet, kurse Vetëvendosja në fushatë ka hy si grupacion ose si formacion politik për një pikë të caktuar për me i çun ë opozitë partitë politike, të cilat nuk e kanë kryer misionin qysh ne kemi pretendu që ka pasur mundësi me i kry. Grupi i Vetëvendosjes ka zgjatë shumë për shkak të rrethanave edhe ndërkombëtare edhe të rrethanave problematike çfarë janë brenda Kosovës. Ka vazhdu me unitet për shkak të problemeve më të mëdha se sa do probleme që janë vlerësuar dytësore brenda grupit që nuk ka unitet të të menduarit. Tash në fazën për krijimin e unitetit të vepruarit të grupeve të cilat janë brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ka dalë problemi i veriut, kanë dalë probleme tjera të cilat e kanë stopuar”, tha Humolli. /atvlive.tv

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Carlo Monticelli kanë nënshkruar sot marrëveshje në vlerë prej 25 milionë euro për krijimin e një sistemi të banimit social.
Projekti në fjalë ka fokus të veçantë familjet e cënueshme të shoqërisë të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.
“Përmes marrëveshjes parashihet shndërrimi i ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe të përballueshme, renovimi i shtëpive të cilat janë në pronësi të familjeve me të ardhura të ulëta si dhe ndërtimi i banesave të reja kolektive sociale. Në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri Murati shprehu se “projekti për banimin social do të garantojë akomodimin e dinjitetshëm dhe të përballueshëm për familjet e cënueshme”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, guvernatori Monticelli ka deklaruar se “kjo iniciativë do të ndihmojë në realizimin e objektivit të përgjithshëm të vendit për krijimin e banimit social gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës”.
Të dyja palët janë pajtuar që të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë akomodim të përballueshëm, efiçient dhe të sigurtë.

Përgatiti: Fatlum Jashari
Bashkimi Evropian është i palëkundur në qëndrimin se, për Kosovën dhe Serbinë, dialogu dhe anëtarësimi janë procese pashmangshëm dhe pandashëm të lidhura, nëpërmjet dokumenteve zyrtare, qëndrimeve politike dhe jo vetëm atyre.
Qëndrimi i BE-së përbën përgjigje ndaj kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për t’i ndarë këto procese.
“Pa përparim në dialog nuk ka përparim në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo është e shkruar në një numër dokumentesh, konkluzash të Këshillit, konkluzat e këshillit nga viti 2013, 2014 deri më 2022, në kornizën negociuese të Serbisë, në komunikimin për zgjerim këtë vit, raportet për Kosovën dhe Serbinë. Është shumë e qartë se çfarë pret BE-ja dhe shtetet anëtare, kur bëhet fjalë për anëtarësimin dhe dialogun. Në fakt është pjesë e procesit të njëjtë. Dialogu dhe anëtarësimi për Kosovën dhe Serbinë janë pashmangshëm dhe pandashëm të lidhura… Sigurisht nëse ka progres në njërën anë, do të reflektojë në procesin e anëtarësimit të partnerit në fjalë”, tha zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.
Pa komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili mbrojti grupin terrorist-paramilitar të udhëhequr nga Milan Radojcic, BE-ja njoftoi se nuk mund të veprojë pa raportin përfundimtar hetimor nga institucionet e Kosovës.
“Është e qartë që BE-ja pret bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë që mund të kontribuojnë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, kush janë fajtorët, kush e organizoi, kush mori pjesë, etj. Pozicioni ynë është i qartë, por që të vihemi në lëvizje dhe të nxjerrim pasojat, duhet t’i shohim rezultatet përfundimtare dhe zyrtare të hetimit të kryer nga autoritetet kosovare”, tha Stano.
Katër muaj nga sulmi, institucionet e Kosovës nuk kanë treguar nëse raporti përfundimtar është gati dhe se kur do t’ia përcjellë Bashkimit Evropian.

Përgatiti: Benita Zeneli
Pas përfundimit të afatit për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore, përfaqësues nga komuna e Leposaviqit, Zveçanit e Mitrovicës Veriore iu drejtuan të enjten Komisionit Qendror të zgjedhjeve.
Ata dorëzuan peticionin me nënshkrime të qytetarëve, për verifikim nga ana e KQZ-së.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në një mbledhje të rregullt të këtij institucioni, konfirmoi se tashmë i kanë pranuar peticionet nga katër komunat veriore për shkarkimin e kryetarëve.
“E konfirmoj që e kemi pranuar peticionin nga katër komunat. Ka numër të madh dhe nevojitet kohë zyrtarët me bë verifikimin e tyre”, tha Radoniqi.
Verifikimi i nënshkrimeve nga ana e KQZ-së i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarit, gjë e cila mund të bëhet vetëm nëse pro shkarkimit votojnë mbi 50 për qind e votuesve të regjistruar.
“Atëherë konsiderohet që ky votim ishte i suksesshëm dhe do të organizohen zgjedhjet e parakohshme. Por nëse ky votim nuk përmbushet për shkak se nuk ka plotësuar 50% +1 të votave, konsiderohet se ky votim ka dështuar dhe nuk do të kenë të drejtën e organizimit të një peticioni edhe për 12 muaj”, tha ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ndërkohë, ditë më parë KQZ-ja ka pranuar edhe peticionin për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zubin Potokut.