ATV

Author: ATVLive

  • ​“Burgosi” gruan dhe fëmijët e mitur në shtëpi, zbardhet dëshmia e 35-vjeçarit

    ​“Burgosi” gruan dhe fëmijët e mitur në shtëpi, zbardhet dëshmia e 35-vjeçarit

    35-vjeçari Jetnor Zhaboli, ka deklaruar se e “burgosi” gruan dhe fëmijët e tij, 5 dhe 9 vjeç, në shtëpi për t’i mbrojtur.

    Sipas gazetares Dorjana Bezat, Zhaboli ka dëshmuar se ka dëgjuar bashkëshorten e tij duke folur me persona të tjerë, kështu që ka instaluar kamera në çdo cep të shtëpisë, të cilat i kishte lidhur me aparatin celular, për t’i mbrojtur ata.

    35-vjeçari gjithashtu kishte instaluar pajisje për bllokimin e valëve dhe madje ndërpriste edhe energjinë elektrike. Sipas informacioneve, Zhaboli gjithashtu terrorizonte fëmijët.

    Sa herë që ai largohej, ju ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes./TCh/

  • Stoltenberg: Situata në Ballkan e brishtë, me potencial për tensione në Kosovë e Bosnje

    Stoltenberg: Situata në Ballkan e brishtë, me potencial për tensione në Kosovë e Bosnje

    NATO-ja beson se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ende shumë e brishtë, dhe ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje – Hercegovinë.

    Kështu ka thënë të premten prej Brukselit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.

    Ai ka thënë se NATO-ja është e gatshme të kryejë mandatin e saj në Kosovë për të garantuar stabilitet, ashtu sikurse në Bosnje e Hercegovinë.

    Ballkani Perëndimor, forcimi i NATO-s, dhe përgatitjet për samitin e Uashingtonit, kanë qenë temat kryesore të këtij takimi.

    “Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka thënë Stoltemberg.

    Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

    Stoltenberg e ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe për rolin konstruktiv për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.

    Kryeministri i Malit të Zi, Spajiq, ka thënë se për vendin e tij, stabiliteti në Kosovë ka rëndësi të veçantë dhe, në rast nevoje Mali i Zi është i gatshëm për të rritur praninë e ushtarëve të saj në misionin e KFOR-it.

    Spajiq ka thënë se Mali i Zi mbetet anëtar besnik i aleancës së NATO-s, dhe i përkushtuar për të avancuar në procesin e integrimeve në BE.

    Ai ka thënë se për vitin 2024, Mali i Zi ka ndarë më shumë se 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për mbrojtje, që është në përputhje me kërkesat e NATO-s ndaj të gjitha vendeve anëtare.

    Shefi i aleancës ka thënë se NATO-ja ka bashkëpunim të ngushtë me BE-në, kur janë në pyetje vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Ai e ka nënvizuar sidomos rëndësinë e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Pas sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar – ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku – NATO-ja e ka përforcuar misionin e vet KFOR-in në Kosovë, dhe tani numëron 4 500 pjesëtarë.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) tashmë ka lëshuar fletarrestim për të./REL

  • GJND-ja vendos sot në rastin kundër Izraelit për gjenocid

    GJND-ja vendos sot në rastin kundër Izraelit për gjenocid

    Gjykata e Kombeve të Bashkuara do ta bëjë publik të premten vendimin për rastin kundër Izraelit, lidhur me dyshimet për kryerje të gjenocidit në Gazë.

    Vendimi pritet të marrë vëmendje të madhe në Lindje të Mesme dhe pjesën tjetër të botës.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të urdhërojë Izraelin që t’i japë fund fushatës ushtarake në Gazë, të nxitur prej sulmeve të pashembullta të Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar.

    Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    Gjykata mund të detyrojë Izraelin edhe që të lehtësojë hyrjen e ndihmave në Gazë.

    Megjithatë, gjykata nuk do të japë vlerësim nëse Izraeli është duke kryer gjenocid në Gazë.

    Në këtë fazë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të prezantojë urdhra emergjentë, para se të analizojë akuza më të gjera për akte gjenocidale në Gazë – proces që pritet të marrë vite.

    Ky rast është dërguar në gjykatë prej Afrikës së Jugut, vend që beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

    “Afrika e Jugut nuk ka nevojë të vërtetojë se Izraeli është duke kryer krime”, ka thënë Juliette McIntyre, eksperte ndërkombëtare për çështjet ligjore në Universitetin e Australisë së Jugut.

    “Ajo vetëm duhet të vërtetojë që ka rrezik të madh për kryerje të gjenocidit”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

    Pas dy ditëve seancë këtë muaj në Pallatin e Paqes në Hagë, një botë larg prej dhunës në Izrael dhe Gazë, avokatët kanë argumentuar mbi teknikalitetet e Konventës për Gjenocid.

    Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.

    Disa janë liruar ndërkohë.

    Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri. /REL

  • Osmani uron australianët për ditën kombëtare të Australisë

    Osmani uron australianët për ditën kombëtare të Australisë

    “Gëzuar Ditën e Australisë për të gjithë njerëzit e mrekullueshëm të Australisë!” shkroi ajo në Twitter.

    Ajo tha se Kosova me Australinë ndajnë jo vetëm një miqësi të qëndrueshme , por edhe një lidhje të thellë, e cila sipas saj është krijuar nga angazhimi i përbashkët si edhe ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

    Osmani gjithashtu është shprehur se lidhjet e Kosovës dhe Australisë do të vazhdojnë të forcohen.

    Postimi i plotë:

  • Albin Kurtit nuk i ndez vetura në Podujevë

    Albin Kurtit nuk i ndez vetura në Podujevë

    Kryeministrit Albin Kurti derisa po qëndron në një vizitë në Komunën e Podujevës, i ndodhi një e pa pritur me veturën e tij. Ai priti një kohë të gjatë por ajo nuk i ndezi.

    Krejt kjo shkaktoi huti dhe të qeshura.

  • Kush i do zgjedhjet e parakohshme në Kosovë?

    Kush i do zgjedhjet e parakohshme në Kosovë?

    Gati çdokush flet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë – madje edhe prej partisë në pushtet – por, zyrtarisht, askush nuk e thotë se përse vendi do të duhej të shkonte në një proces të ri zgjedhjesh, pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë.

    Me këtë pyetje Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, por nuk mori përgjigje.

    Anëtarë të partisë së Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thënë në disa raste se “është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”.
    “Nëse Qeveria mendon se duhet ta çojë deri në fund mandatin, kush jam unë që t’i përzihem asaj?”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në një intervistë për Televizionin Klan Kosova, në fund të muajit të kaluar.

    Megjithatë, sipas tij, “është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, në mënyrë që “legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me sfida, e jo sfidat ta orientojnë karakterin e legjitimitetit”.

    Konjufca i ka lidhur zgjedhjet me zhvillimet që pritet të ndodhin në Kosovë në vitin 2024, por nuk ka specifikuar më shumë.

    Në favor të zgjedhjeve të parakohshme, ai është shprehur edhe përmes një deklarate dhënë mediave në Kosovë javën e kaluar.

    E, nëse zgjedhjet mbahen me rregull, ato do të duhej të zhvilloheshin në shkurt të vitit 2025.

    Çfarë mund të pritet në Kosovë?

    Kosova, prej muajsh, është nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të dakorduar me Serbinë.

    Në këmbim, ndërkombëtarët i kërkojnë Serbisë që ta njohë de facto Kosovën.

    Të dyja këto çështje janë pjesë e asaj që njihet si Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, Kurti kërkon që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet në tërësi.

    Disa analistë thonë se është pikërisht çështja e Asociacionit që do ta shtyjë Qeverinë e Kosovës drejt zgjedhjeve të parakohshme.

    Pacolli: Nuk është diskutuar

    Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se, brenda partisë, për opsionin e zgjedhjeve të parakohshme nuk është folur, por nuk e përjashton mundësinë që të diskutohet në ditët në vazhdim.

    “Ndoshta do të ketë [diskutime] ditëve në vijim, por, tani për tani, nuk ka ndonjë diskutim që është zhvilluar brenda Kryesisë [së Lëvizjes Vetëvendosje] për zgjedhje të parakohshme”, thotë Pacolli, vetë anëtare e kësaj kryesie.

    Çka thotë opozita?

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se Kosova ka nevojë për zgjedhje të parakohshme.

    Këtë qëndrim, PDK-ja e ka bërë të qartë qysh në korrik të vitit të kaluar, sipas tij.

    “Tashmë është evidente se kjo qeveri, në këto tre vjet të qeverisjes së saj, i ka sjellë vetëm dëme dhe regres vendit tonë dhe ka dëshmuar paaftësi totale në secilën fushë”, thotë Krasniqi, pa specifikuar më shumë.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shfaq shpresën që partitë politike “të pajtohen sa më parë për datën e zgjedhjeve të parakohshme”.

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por se nuk do t’i kërkojë ato.

    Sipas tij, zgjedhjet duhet të jenë të rregullta, sepse pushtetit aktual nuk i ka mbetur edhe shumë kohë deri në fund të mandatit.

    Megjithatë, shton se zgjedhjet e parakohshme mund t’i provokojë vetë Qeveria e kryeministrit Kurti, e cila “përballet me obligimet” që dalin nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e posaçërisht me procesin që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Edhe nëse vendi shkon në zgjedhje [të parakohshme], zoti Kurti do t’i mbajë obligimet mbi shpatulla, politikisht, dhe nuk mund të largohet”, thotë Haziri.

    Opsionin e zgjedhjeve të parakohshme e lidh me Asociacionin edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

    “Unë pres zgjedhje… Por, mendoj se vetëm presioni ndërkombëtar për zbatim të Asociacionit, do të bëjë që Qeveria të shkojë në zgjedhje”, thotë ai.

    Partia e tij, edhe më herët, është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Javën e kaluar, ajo ka zyrtarizuar një marrëveshje për koalicion parazgjedhor me partinë Nisma.

    Çka thonë analistët?

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se partitë opozitare nuk kanë fuqi numerike për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë e, rrjedhimisht, as zgjedhje të parakohshme.

    Ai thotë se për zgjedhjet e parakohshme, shkaktare mund të jetë Qeveria e Kosovës, e cila përballet me presion ndërkombëtar për veprime konkrete lidhur me Asociacionin.

    “Këto veprime, unë nuk besoj se Qeveria do t’i bënte në vitin e fundit të mandatit të saj, sepse kjo do të ishte një goditje e rëndë politike për veten e saj… Prandaj, mendoj se partia në pushtet, Vetëvendosja, me shumë gjasa po kërkon zgjedhje para se të arrihet te ky veprim për Asociacionin, në mënyrë që të marrë edhe një mandat dhe, pastaj, në mandatin e dytë, të veprojë dhe të shkojë drejt zbatimit të marrëveshjes për të”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

    Artan Muhaxhiri, sociolog dhe njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, thotë se Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti mund t’u konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, “për ta legjitimuar sërish pushtetin”.

    Por, sipas tij, nëse Kurti nuk ka ndonjë plan konkret për t’iu përgjigjur kërkesave të partnerëve perëndimorë lidhur me formimin e Asociacionit pas atyre zgjedhjeve, atëherë ato do të ishin të panevojshme.

    “Zgjedhjet e reja kanë kuptim vetëm nëse Kosova do t’i përshpejtojë hapat drejt pranimit të Asociacionit, drejt funksionalizimit të tij, që është kërkesa kryesore edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe e Bashkimit Evropian. Në të kundërtën, nuk ka ndonjë kuptim as fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje [në zgjedhje], edhe nëse ajo është absolute”, thotë Muhaxhiri.

    Kurti vazhdimisht ka insistuar se nuk mund të ketë asociacion njëetnik në Kosovë, që do të kishte kompetenca të gjera ekzekutive.

    Ai ka marrë shkurtimisht pushtetin në vitin 2020, ndërsa një vit më vonë, në mars të vitit 2021, është rikthyer në krye të Qeverisë.

    Atëkohë, ai ka thënë se do të angazhohet për luftën kundër korrupsionit dhe punësimin, rritjen e prodhimit, fuqizimin e ndërmarrjeve publike e të tjera – pa e përfshirë dialogun me Serbinë në mesin e prioriteteve./REL

  • Jurgen Klopp konfirmon largimin nga Liverpooli

    Jurgen Klopp konfirmon largimin nga Liverpooli

    Trajneri gjerman, Jurgen Klopp ka konfirmuar largimin nga Liverpooli në fund të sezonit 2024/25.

    Klopp ka fituar çdo trofe të mundshëm me klubin nga Anfield në tetë vitet e tij si trajner.

    Megjithatë, çdo “të mire” i vjen një fund dhe fundi i Klopp si trajner i Liverpoolit është afruar tashmë.

    Është vet trajneri gjerman, i cili ka konfirmuar largimin nga Reds në një intervistë për faqen zyrtare të Liverpoolit.

    “Unë do të largohem nga klubi në fund të sezonit”, ka thënë fillimisht Klopp.

  • ​Bislimi vazhdon kritikat ndaj BE-së për qasje të pabalancuar në dialogun me Serbinë

    ​Bislimi vazhdon kritikat ndaj BE-së për qasje të pabalancuar në dialogun me Serbinë

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se masat ndëshkuese të BE-së duhet të hiqen sa më parë, pasi Kosova ka përmbushur kërkesat bazë për situatën në veri.

    Bislimi duke raportuar në Komisionin parlamentar për integrime evropiane, kritikoi Bashkimin Evropian për qasje të pabalancuar edhe në dialogun me Serbinë.

    Sipas Bislimit, brenda vendeve anëtare të BE-së ka presione sesi ka masa ndëshkuese ndaj Kosovës, veçse ka vendosur kryetar legjitim në katër komuna, ndërsa s’ka masa ndëshkuese ndaj Serbisë për agresionin në Banjskë.

    Ai nënvizoi se dialogu me Serbinë është i rëndësishëm, por kjo nuk duhet të pengojë Kosovën në procesin integrues.

  • “Derisa shkenca t’i rikthejë ata në jetë”, laboratori në Michigan ngrin trupat e qindra pacientëve për vetëm kaq dollarë

    “Derisa shkenca t’i rikthejë ata në jetë”, laboratori në Michigan ngrin trupat e qindra pacientëve për vetëm kaq dollarë

    Një numër në rritje i njerëzve dhe kafshëve shtëpiake po ngrihen në laboratorë kriogjenikë, me shpresat që një ditë të kthehen në jetë nga shkenca. Biznesi po lulëzon në laboratorin e Institutit Cryonics në Michigan, duke mbushur të gjitha kapacitetet dhe duke detyruar të ruajë pacientët në një qendër të re aty pranë.

    Midis 10 dhe 20 vende janë zënë në objektin e zgjeruar të magazinimit. Ajo që dikur ishte ideja e çuditshme e Walt Disney dhe elitave ultra të pasura po bëhet më e aksesueshme për njerëzit e zakonshëm.

    Në objektin e Michigan, kuzhinierët, studentët, sekretarët, profesorët dhe kafshët shtëpiake janë midis atyre që ruhen në azot të lëngshëm. Laboratori thotë se kjo është e përballueshme për një person mesatar duke filluar nga 28,000 dollarë, e cila zakonisht paguhet përmes sigurimit të jetës.

    Cryonics, praktika e ngrirjes së trupave të njerëzve të vdekur është një fenomen mbarëbotëror. Ndërsa 1,374 nga 1,975 pacientët e ruajtur në objektin e Miçiganit janë amerikanë dhe 128 janë britanikë, sipas statistikave të anëtarëve të publikuara nga instituti.

    Nga jashtë duket si çdo magazinë tjetër. Por brenda saj përmban trupat e ngrirë të vdekur të qindra pacientëve.

    Deri më tani, 199 të vdekur ruhen atje, falë azotit të lëngshëm që mban trupat në minus 275 gradë Fahrenheit(-135 gradë), një temperaturë kaq e ftohtë sa ndalon të gjithë funksionin qelizor dhe ruan gjendjen e tyre deri në shkrirje.

    Numri i pacientëve në qendrën e Miçiganit është rritur në mënyrë dramatike nga rreth 600 në 2006 në afër 1,975 në 2023.

    Pacientja më jetëgjatë, e quajtur Rhea Ettinger, ka qenë atje që nga viti 1977. /abcnews.al

  • Kurti i shkon për vizitë kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi

    Kurti i shkon për vizitë kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi

    Kryeministri Albin Kurti sot ka vizituar kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili vije nga radhët e Vetëvendosjes.

    Gjatë të premtes Kurti ka marr pjesë në lansimin e programit kombëtar “Sport në shkolla” e organizuar nga Federata e Sportit Shkollor të Republikës së Kosovës (FSShRK), ngjarje në të cilën kanë marr pjesë ministrat Hajrulla Çeku e Arbërie Nagavci e kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    Kryeministri Kurti do të merr pjese edhe në Vendosjen e gurthemelin për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar në Podujevë.